E diele, 28.04.2024, 05:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Marius Chelaru: Sadik Krasniqi në gjuhën rumune

E merkure, 12.05.2010, 09:58 PM


FORCA E FJALËS SË PAJISUR ME ENERGJI MAGJIKE

 

Sadik Krasniqi din t’i veshë mendimet në poezinë e tij, duke ua dhënë fuqinë magjike ore të cilën ai e huazon nga Kosova.

 

Nga Marius Chelaru

 

Ja edhe një poet i ri nga Kosova në gjuhën rumune, Sadik Krasniqi, shqiptari që mban të fshehur në shpirt e në varg peshën e përmallimit ndaj nënës dhe tokës amtare. „Loti i jetës”, malli dhe mërgimi shpirtëror. Aurel Plasari dhe Luan Topçiu, duke shkruar për ndjenjën e përmallimit, kanë theksuar se sentimentin e mallit e kanë vetëm shqiptarët dhe rumunët si një veti të veçantë shpirtërore. Autori nuk bie viktimë e një poezie  komplekse,  as në shprehje dhe as në konstrukcion, por krijon perla poetike që kanë të bëjnë më parë me gjendjen shpirtëtore përmes së cilës „vetërrefehet” me kujtime dhe përjetime.  „Rrëfen” përmes një sensibiliteti lirik që i ka hije,  mallin ndaj shtëpisë, ndaj vendlindjes, ndaj të dashurës së tij, dhe sidomos ndaj Kosovës dhe nënës së tij. Pa dashur t’u konferoj vargjeve të Sadik Krasniqit një peshë dhe një kompleksitet tjetër pos asaj që e kanë, duke i lexuar në idenë për të identifikuar një grilë të kuptimit të tyre, mendimi më çoi te Valéry.

 

Ky shkruante se „mendimet dhe emocionet lakuriqe janë po aq të dobta, sa janë edhe njerëzit e çveshur. Është e nevojshme t’i veshim”. Sadik Krasniqi din t’i veshë mendimet në poezinë e tij, duke ua dhënë fuqinë magjike të cilën ai e huazon nga Kosova. Për ta kuptuar kompleksitetin e ekzistencës kosovare, ekziston nevoja për hulumtime të ndryshme, madje edhe në unin tënd. Në diskursin lirik të këtij autori defilojnë Tri miniatura për Kosovën, Prishtina në korrik dhe Guri i Kështjellës, por edhe Shqipëria dhe Çamëria, nëna dhe amprenta të ndryshme të gjithë asaj që don të thotë magjia e atdheut të pajisur me këngë të trimërisë dhe kulla kreshnike ku gjëmon historia (Loti i jetës, Kroi i Çamurlisë, Shqipet morën dhenë). Syri i poetit hap horizonte të reja për kuptimin e çështjeve të mëndjes dhe shpirtit. Shpirti i tij është i përmbushur me mallin ndaj vendlindjes që defilon me Fluturim kojrrillash: „Bluaj mallin e kujtimit/ për kallinjtë e pjekur të vendlindjes/ lamtumira e juaj e beftë/ në frymëmarrje më therrë”. Apo Arna me rreze, një vështrim nostalgjik ndaj një fragmenti të fëmijërisë, në të cilën nuk mungon nëna.

 

Një nga përfytyrimet që të josh gjatë lekturimit të këtij vëllimi të përkthyer me besnikëri dhe mjeshtri profesionale nga Baki Ymeri, shpie në idenë se nëse poezia merret si një mjet për „ndërprerjen” e këngëtimit të botës (sidomos asaj të brendshmes), e folura konotative merret si një petk fjalësh në të cilën autori mbështillet si/në një batanie me gjithë bagazhin „shtëpiak”, dhe atëherë, rruga shndërrohet në një vërshimë metaforash apo përfytyrimesh që e befasojnë lexuesin përmes transfigurimit të impresionit bruto. Këtu autori ka zgjedhur një rrugë të mesme për fisnikërimin e këtij tipi të diskursit lirik përmes futjes së disa elementeve narative. Ndërmjet metaforës origjinale (si: „në gotën e heshtjes e ngrin trishtimin”) mund të flitet edhe për ndonjë metaforë të rëndomtë (psh. „masazh i blinduar”), edhepse mesazhi i mendimit të tij, si dhe ai i krijuesve të tjerë nga Kosova, reflektojnë forcën e mençurisë së pajisur me fuqi magjike.

 

Te Sadik Krasniqi krijimi lirik shëmbëllen herë pas here me një ditar impresionesh artistike. Është njësoj sikur poezia të jetë projektuar mbi sipërfaqen e sertarit me kujtimet e poetit, madje edhe me ato të ndërgjegjes personale. Përmallimi që çik disa nivele të larta shpirtërore, mungesa e patetizmit, digresioni, naracioni dhe forca e fjalës, janë disa nga përshtypjet që të lë mënyra për të shkruar e Sadik Krasniqit. Sigurisht, me gjithë këtë gamë elementesh të përmendura, këto nuk janë të vetmet përçapje artistike/ plane/ ide mbi të cilat ndalet në këtë vëllim autori. Autori shkruan edhe për vasha (Pritja e lagur, Deri në afrim, Çast, Dashuria e hijeve tona, Vajzë etj.). Poeti buzëqesh, këndon dhe shkruan me brishtësi mendimi edhe për çastet vetëtimtare të dashurisë, jo për erotizëm, por për mitet e vendlindjes, një shembull duke qenë „gjarpëri i shtëpisë”, për refugjatët, për ekzilin apo hipokrizinë në këto kohë kur, shkruan autori, „atdheu bëhet xhep” dhe „lulet e vjedhura/ trishtohen mbi varr”).

 

Duke konkluzionuar, vlen të nënvizojmë edhe një herë se autori „rrëfen” edhe për vetveten, duke i dhënë prioritet atdheut dhe nënës, duke shkruar nga larg, në një „ditar vjershërimi” që të josh e që të duket si një „aventurë” e vetvetes në shtigjet e fjalës. Aventurë, fati i së cilës i përket një universi lirik  të pasur e të direkcionuar, i përshkruar në një mënyrë të prekur nga metafora), i „ngjeshur” në petkun e „mërgimit” të mbrujtur me mendime dhe kujtime. Sadik Krasniqi din ta latojë me mjeshtri mërgimin e rrëfimeve dhe rrëfimin e asaj që don të thotë përkujtim i vendlindjes dhe atdheut, tejmatanë brigjeve të tij. (Sadik Krasniqi, Lacrima vie?ii-Loti i jetës, botimi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, Bukuresht, 2010)



(Vota: 8 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora