E diele, 28.04.2024, 04:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Jeta e poetëve të dënuar nga diktatura në ekspozitë

E merkure, 12.05.2010, 08:04 PM


Nga Alma Mile

 

“Demokracia nuk ngrihet mbi harresën”. Kështu do të thoshte Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Tiranë, pas shembjes së murit diktatorial. Shprehje kjo që do të bëhej edhe lajtmotivi i ekspozitës “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave”, e cila u hap dje në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Një foto-ekspozitë kushtuar shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë nga diktatura gjatë viteve 1944-1991. Ata janë të gjithë aty, në radhë, njëri pas tjetrit, me emrat dhe fotografitë bardhezi, ndonëse jeta e tyre nuk ishte e tillë, por gjithë ngjyra. Janë shkrimtarë, poetë, klerikë... Shumë syresh në moshë të re. Patën një fund të hidhur, u pushkatuan, apo u dergjën qelive. Sot arsyeja pse, është qesharake dhe tërësisht absurde. U dënuan, sepse shpirti i atyre artistik nuk njihte kufij e tela me gjemba. Kishte nga ata që dolën hapur kundër diktaturës, që kurrsesi nuk deshën të bënin kompromis në emër të lirisë, por edhe nga ata që u dënuan, sepse shpirti i brishtë iu lexua për “pakënaqësi kundër sistemit”. Në foto-ekspozitën e hapur dje janë renditur emrat e 150 shkrimtarëve dhe poetëve, jetëshkrimet e tyre, vargje poezie, por edhe dorëshkrime e sende personale të disa prej tyre. Aty është patër Anton Harapi, pushkatuar në vitin 1946, ish-ministri i Arsimit, Marash Ivanaj, i helmuar në vitin 1954, Gergj Kokoshi, ndarë nga jeta në vitin 1960 në burgun e Burrelit, publicisti Gjergj Bubani, pushkatuar në vitin 1944, At Bernardin Palaj, ndarë nga jeta në vitin 1947 për shkak të torturave çnjerëzore, por edhe 20-vjeçarja Drita Çomo, e cila vdiq në internim, shkrimtarja e politikania Mysine Kokalari, ndarë nga jeta gjithashtu në internim, shkrimtari Bilal Xhaferri, i cili vdiq në rrethana misterioze në vitin 1986, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shumë e shumë të tjerë, të cilët patën të njëjtin fat të hidhur. E ndërsa kalon nga njëra fotografi në tjetrën, sheh fytyrat e tyre të paqta, padyshim që pyet veten se ç’rrezik mund t’i kanosnin Shqipërisë këta njerëz... ?

 

Sende personale

 

Në këtë ekspozitë kujtese të bëjnë përshtypje të veçantë disa stenda, ku janë vendosur sende personale të poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka. Janë dorëshkrime, letërkëmbime, poezi, studime, përkthime. Me një kaligrafi për t’u pasur zili, Genci kishte radhitur studimet e veta në fushën e gjuhësisë, ndërsa Vilsoni përkthimet e poetëve të mëdhenj, por edhe letërkëmbimet në shqip e frëngjisht me kushërirën e tij, piktoren Lumturi Blloshmi, me të cilën ndante të njëjtat pasione të mëdha për artin dhe letërsinë. Mes të tjerave është edhe poezia “Saharaja”, e cila do të bëhej vdekjeprurëse për Vilson Blloshmin. Saharaja s’di të ëndërrojë. Disa nga vargjet e saj janë: “Ajo bluan gurë me mend’ e saj…/ Saharaja s’ka këngë të këndojë,/ Saharaja s’ka as lot të qajë./ Saharaja nuk ka miq e shokë,/ Saharaja nuk ka bijë, as bir.”. “Analistët” e kohës e quajtën të dënueshme. “Drejtësia do të vihet në vend, vetëm kur të dënohen fajtorët, që sot ende janë në pushtet”, u shpreh dje, vëllai i poetit. Mes sendeve të poetëve është edhe një plumb, gjetur në vitin 1994 në vendin e pushkatimit. Ishte plumbi që u mori jetën.

Por nuk mund të mos ndalosh përpara stendës, ku ndodhen ditarët dhe stilografi i Drita Çomos. Në ato fletë blloku, hapur me një thënie të Servantesit, ajo radhiti ditët e fundit të jetës. Ishte dëshpërimi se po ikte dhe shpresa që i fikej ngadalë. E po aty janë edhe disa letërkëmbime e sende personale të poetit të pushkatuar Havzi Nela. Një radio dore, një lugë e vjetër, një gotë qelqi jeshil, një shami me lule, zarfe të regjur nga koha... Një copëz jetë e mbetur pezull.

 

Dekorimi

 

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave” merrnin pjesë bashkëkohës, familjarë e miq të viktimave të diktaturës komuniste, por edhe Ambasadori amerikan, Xhon L. Uithers, ambasadorja franceze, Mariz Davje, ajo e Republikës së Çekisë, Marketa Fialkova, deputetë, drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, historianë, etj. Në shenjë nderimi dhe respekti të thellë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) avokat Muzafer Pipën me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”, poetët Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela me motivacionin: “Për qëndresën dhe papajtueshmërinë e paepur me sistemin e diktaturës komuniste, për dashurinë për fjalën e lirë, deri në flijim”.

Në fjalën e tij me këtë rast, Topi tha se: “Përndjekja, lufta e klasave, dhuna ndaj fjalës së lirë të thënë e të shkruar, terrori, heronjtë dhe viktimat e tij, shkelja e të drejtave të njeriut, janë pasojë e një regjimi diktatorial, armik i demokracisë, prandaj dënimi i krimeve, integrimi pa kushte, pozicionimi i merituar i tyre në historinë dhe realitetin e vendit janë elementë të rikthimit të ligjshmërisë, jo si favor, por si një e drejtë themelore, pa të cilën demokracia nuk do të ishte e plotë. Shoqëria jonë do të ketë kryer një hap të madh evolutiv, atëherë kur kulti i harresës, fshehja apo indiferenca, shpeshherë e ngritur në metodë veprimi, t’ia lërë përfundimisht vendin informimit të plotë dhe në rastin e shkrimtarëve, të rikthimit të plotë të tyre, në mënyrë që sistemi letrar shqiptar të jetë i ndershëm, funksionues, objektiv dhe i plotësuar”. Duke u ndalur në përvojën e hidhur të viktimave dhe të të persekutuarve gjatë kohës së diktaturës dhe ndriçimit të së vërtetës historike, Presidenti Topi vuri në dukje se: “Kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se aty ku ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ky përballej vdekja - aty ishte atdheu... Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari, si zëri më i artikuluar i shoqërisë, kur vritet avokati, mbrojtësi i së drejtës, atëherë kur frika mbyt kundërshtimin, atëherë kur zëri ndryshe, shihet si kërcënim. Shkrimtari është personazhi më i frikshëm për diktaturat dhe diktatorët.”, tha Topi.

 

Fjala e fundit e Xhagjikës

Kur trupi gjykues i kërkoi fjalën e fundit ai tha: “Më jepni një top të gjuaj këtë sistem kriminel, që po shkatërron Shqipërinë”. Ky ishte Trifon Xhagjika, i riu nga Gjirokastra, i cili u pushkatua në moshën 31-vjeçare, në vitin 1963. Poezia ishte pasioni i tij, por fatkeqësisht nuk arriti të botonte shumë. Një pjesë e veprës së tij është botuar në vëllimin “Atdheu lakuriq”.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora