Kulturë
Agron Gjekmarkaj: Sabri Hamiti, imazhi i albanizmës
E shtune, 15.05.2010, 02:30 PM
Sabri Hamiti, imazhi i albanizmës
Nga Agron Gjekmarkaj
Të hënën, më 10 maj, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi me urdhrin e lartë, “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”, Sabri Hamitin me motivimin e spikatur “për kontributin e pazëvendësueshëm në mendimin modern shqiptar, në studimet albanologjike, si dhe për rolin e luajtur në përballimin e sfidave historike, me të cilat u ndesh populli shqiptar në fund të shekullit XX”.
Ky urdhër është shenjë e qartë nderimi për veprën dhe aktivitetin intelektual e politik të Sabri Hamiti, shkrimtar, studiues dhe personalitet politik i botës shqiptare. Sabri Hamiti, autor i mbi 35 veprave është përfaqësues autentik i asaj pjese të elitës sonë kulturore kombëtare, që ka përballuar me dinjitet sfidën e rëndë të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, sfida më e rëndësishme e kombit tonë pas krijimit të shtetit shqiptar në vitin 1912.
Projekti i madh i lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, ideator i të cilit është edhe Sabri Hamiti, mund të quhet një Rilindje Moderne Shqiptare. Dhe kur themi Rilindje, kemi parasysh faktin se ajo është njëherësh rezistencë kulturore dhe politike. Prej kësaj rezistence, e cila u afirmua së pari kulturalisht në vitet 1960-1980 me lëvizjen kulturore akademike dhe më pas politikisht, kemi trashëguar një pjesë të rëndësishme të vlerave të kulturës sonë në fushën e letërsisë dhe të dijes.
Prishtina i dha kulturës shqiptare frymëmarrjen e mendimit modern dhe shpresën për një vazhdimësi të natyrshme me traditën e ndërprerë dhunshëm nga 45 vitet e regjimit komunist. Me veprën e gjithanshme të Sabri Hamitit, tradita kulturore shqiptare që nga Bogdani e deri te Konica, Fishta e Poradeci rilind, rivlerësohet e bëhet edhe njëherë bashkëkohëse me atë evropiane.
Emrat më të njohur të modernitetit shqiptar i rikthehen botës letrare shqipe përmes një leximi sa modern aq edhe përimtues, me një integritet shkencor e etik të rrallë, çka krijon edhe një herë korpusin e përbashkët të vlerave shpirtërore dhe identitare të një kombi. Ngjashmërisht me paraardhësit e tij shpirtërorë, Hamiti ndërton sërish në modernitet simbiozën impresionuese të njeriut krijues, të mendimtarit e të veprimtarit politik që është shfaqur në botën shqiptare, atëherë kur sfidat kanë qenë të skajshme që nga Bogdani e deri te Rugova. Edhe në fjalën e tij përshëndetëse, pas marrjes së Urdhrit “Skënderbeu”, Sabri Hamiti do t’u referohej atyre simboleve të veçanta shqiptare, që ai i quan “Albanizma”. Simbioza Gjergj Kastrioti-Barleti janë për të dhe sygjerim për të gjithë në të njëjtën kohë, referenca europiane të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, sepse Kastrioti dhe Barleti e kanë krijuar përgjithmonë paradigmën e njeriut e të Heroit kulturor shqiptar. Kjo është provuar empirikisht dhe historikisht më vonë, sepse figurat e mëdha të kulturës sonë, faktikisht deri më sot kanë mbetur brenda kësaj paradigme. Nga Barleti, te Buzuku, Bogdani, De Rada, Naimi, te Fishta e Konica për të mbërritur te më të vonshmit si Kadare e Rugova. Brenda kësaj paradigme e gjen atë edhe Presidenti Topi me pohimin: “Jeni nga ato figura autentike, për të cilat i gjithë populli shqiptar, pavarësisht se ku jeton e punon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo Mal të Zi, krenohet. Ai ju ka dhe do t’ju ketë pikë shumë të rëndësishme referimi”. Kështu Sabri Hamiti, në 60-vjetorin e tij shfaqet para krejt botës shqiptare njëherësh si, homo poeticus, homo meditans e homo politicus, duke u shndërruar tashmë në vetë imazhin e albanizmës, fjalë të cilën e krijon dhe e mishëron përmes personit të tij.
Duke nderuar Sabri Hamitin, Presidenti i Republikës ka nderuar modelin e intelektualit që përkundër rrethanave, përkundër terrorit e realizon veprën e tij, dhe e vë atë bashkë me jetën në shërbim të humanizmit dhe të qytetërimit modern shqiptar.