E enjte, 01.05.2025, 01:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Iliriana Sulkuqi: ''Edhe unë diç mbolla...”

E diele, 16.05.2010, 08:35 PM


''Edhe unë diç mbolla...”

 

- Jeta dhe vepra  e Shkrimtarit N. Prifti  në celuloid. Mbresa nga dokumentari i producentit dhe operatorit Mumin Jashari-

 

Nga Iliriana Sulkuqi

 

... Premiera e filmit Dokumentar: ” Edhe unë diç mbolla...” -  mbaroi... Dritat u hapën , por.... Një heshtje biblike. Dritat nuk kishin atë fosforeshencë sa të na ndriçonin më shumë se spektri i ngjyrave që na dhuroi ekrani i pëlhurtë. Ajo sallë e vogël (imitim  i një salle kinemaje), papritur mori përmasa gjigante.... Papritur mori dimensione gjeografike dhe historike, fizike dhe shpirtërore. Ajo sallë, aty, në qendër të Manhatan-it, ku, si për ironi të fatit, nuk e ndanin as 200-300 metra nga kompleksi i teatrove dhe skenave të mëdha botërore, thuajse na “ngriu” fjalën, jo vetëm... Nuk e mbaj mend se kur e nisa autointervistën me shkrimtarin, atje , në “kinemanë” e vogël, apo udhëtimit nga Manhatani në Bruklin...

 

-  A e njeh  Shkrimtarin?

 

- Posi jo. Njeri  më shumë se i zakonshëm. Madje , aq sa e harrojmë që është Ai. Madje , fillojmë ta thërrasim drejt e në emër, pa paraemrin Profesor,  doc., zoti... Por fare thjesht....(gjë të cilën , nuk e bëjmë me politikanët apo me bizesmenët, edhe pse nuk krijojnë asgjë pa asgjë dhe pagjumësisht për të tjerët.

 

 Shkrimtarin , e njoh, posi jo.  Ditën e kam aq pranë (madje ditët nëpër të gjitha vitet e kaluara apo të tashme), bisedoj  natyrshëm me të, edhe pa qenë i pranishëm. 

 

Në mbrëmje,  përballë librave të tij... Udhëtim në një botë të dyfishuar të shkrimtarit ( si flurudha  Tokë-Det, apo  si trekëndësh DODONE : Tokë - Qiell-Tokë )...

 

-Kur je njohur me të për herë të parë

 

-Ishim tre: Unë,  “Cikoja” dhe Beni”. Ose : unë, “CIKOJA DHE BENI”.

 

 Asnjeri nga ne nuk dinte të shkruante letra, për t’i thënë shkrimtarit:Faleminderit, xhaxhi shkrimtari....

 

 Por “xhaxhi” shkrimtari e dinte që ne nuk dinim të shkruanim dhe të dërgonim letra falenderimi. Kështu ,  na bëri një Dhuratë tjetër:

 

”....Ishte një vajzë e vogël që kishte një emër të çuditshëm, ndryshe nga gjithë emrat e tjerë që kemi dëgjuar. Ajo quhej Pika e Ujit, sepse ishte vërtetë e bukur si një pikë uji që shkëlqen në diell...”

 

Dhe gjithmonë e gjithmonë... (edhe pse unë a brezi im rriteshim), të  tjerë pas nesh merrnin dhuratat e xhaxhi shkrimtarit...

”Legjenda dhe rrëfime për Skëndërbeun”, “Përralla për një muaj”, “Si ylber që vezullon” –tregime, “Pas abetares” – tregime, përralla, përshtatje, “Zani – partizani” – dramë, “Talent i rrallë” – komedi, “Këpuca që ra në det” – pjesë për kukulla, “Pika e ujit” – skenar filmi vizatimor...

 

-Po më pas..?

 

-Po ja...Unë vrapoja drejt rritjes sime... Ato që lindnin pas meje... rriteshin me përrallëza, legjenda, tregime, historira... nga shkrimtari, që ua lexonin  apo rrëfenin prindër e gjyshër...

 

 Unë  dhe të gjithë moshat që vinin në moshat e mia duhej të mësonin  nga shkrimtari diç më shumë...

 

-A e ke takuar ndonjëherë shkrimtarin?

 

-Eh! Edhe po, edhe jo.  E kam takuar,posi jo. Madje shumë herë. Por edhe jo. Pasi ende nuk e besoj që  kam qenë ballë për ballë, apo në krah të tij...

 

Kur rritja ime po më bënte të madhen e familjes apo të fisit, ndërkohë po zvogëlohesha para Shkrimtarit.

 

Vitet ’70, ‘80, ‘90, 2002, 2004... dhe në vazhdim.... janë të mbushura me takime e kujtime që zor se shlyhen  nga kujtesa...

 

Vitet ’70-të, Shkrimtari(shkrimtarët dhe unë më e vogla në moshë dhe në Fjalë), udhëtonim me një autobuz të zakoshmëm por në të njejtin drejtim , për një qëllim.  Të shkonim në të gjitha zonat e Korçës dhe të Pogradecit, duke bërë takime me lexues dhe krijues... , deri me ushtarët e kufirit...

 

Qendruam në vendlindjen e Sterio Spasses. Shkrimtari foli ato fjalë që nuk mund të harrohen lehtë. Ashtu si duhet të flasë kolegu për kolegun dhe bashkëvendasi për bashkëvendasin. Në çdo takime me lexues, sapo përmendej emri i shkrimtarit, të gjithë shprehnin me zë një ndjenjë habie dhe kënaqësie, duke pëshpëritur... O, është ai që ka shkruar atë tregimin ...., është ai që ka shkruar atë librin...Shkrimtari për to ishte shumë i njohur, por vetëm se nuk e kishin pasur para syve të tyre...  

 

Më pas, fillova të “gërrmoj “ në bibliotekën  kombëtare...

 

“Tregime të Fshatit” “Lëkura e Ujkut”, “Çezma e Floririt” “Një pushkë më shumë”, “Rrëfime dhe Legjenda për Skënderbeun”, “Litar i zjarrtë”, ” Tregime të zgjedhura”, “Njerëz të kësaj kohe”...

 

 -Dhe , pas shumë viteve...

 

-“Nëna e Diellit “ dhe “Teatri në kohën e Krizës”, do të kishin sëbashku  në të njejtin mjedis-Shkrimtarin dhe shumë e shumë adhurues të tij e  njerëz të shquar të letrave shqipe. Ishte një promovim  nga më të veçantët, për shumë arësye. ( Shkrimtari , tashmë me banim në Amerikë, kishte ardhur në Vendin e tij, ashtu siç bënte çdo vit, për t’u çmallur dhe për të botuar librat e tij...)   Mbi të gjitha,  prania e Shkrimtarit në folezën e tij (Lidhja e Shkrimtarëve), me bashkëkolegët, bashkëautorët dhe aktorët e një plejade, pavarësisht se çfar emri kishte koha  në të cilën jetuan ...

 

“Nëna e Diellit” dhe “Teatri në kohën e krizëz” morën vlerësimet e merituara, nga shkrimtarët, kritikët, dramaturgët, aktorë e regjisorë, vlerësime që ia shpërblyen mundin, pagjumësinë, sakrificën dhe  përkushtimin.  

 

Doja t’i bëja Shkrimtarit një dhuratë... Kërkova  në disa dyqane (tashmë të hapura dhe të mbira si këpurdhat pas shiut). Doja diçka simbolike, që të kushtonte pak dhe të kishte brenda çmimit-Vlerë... Kërkova dhe  e gjeta.... Një grafikë e gdhendur. Një LULE DIELLI.

 

 I thashë Shkrimtarit: “Lulja e Diellit e lëviz “kokën “ në drejtim të Diellit...Gjithmonë në drejtim të Nënë-lindjes dhe   At(dhè)-lindjes...Merreni me vete në Amerikë...!

 

-Po Shkrimtari,  e mori me vete  metaforën e LULEDIELLIT?

 

 - Në përgjithësi, shkrimtarëve , për çastin, mund t’i kalojnë, apo fshihen nga kujtesa  shumë  skena, në të cilat ndodhen , ashtu si mund të harrojmë gjatë një shetitjeje të gjatë, stolat, ku mund të pushojmë pakëz.

 

Shkrimtari, e kish sjellë me vete Metaforën  ”Nëna e Diellit”, tek ne, që e kishim “larguar”; tek ne, që i kishim thurur, çthurur e thurur sërish (si Penelopa),  atë që  kishte merituar  me kohë – Respektin, Mallin, Mirënjohjen...

 

-Përse qan?

 

-Lotët, janë pjesë e vetes sime dhe pavarësisht nga unë.Dalin apo thahen nga  liria e tyre..... Unë s’kam asnjë të drejtë, as t’i ftoj, as t’i përze apo t’i fshij..... Nëse  dolën tani-do të thotë se ndjehem me faj. Ndjehem me faj për të gjithë  ata ( ato), që edhe pse mbajnë para syve një libër ( shtrirë,  para gjumit, në metro, apo   kudo qoftë), më shumë  përjetojnë jetën e një personazhi, apo “duartrokasin” aktorët, sesa mendojnë , të paktën për një mirënjohje, Shkrimtarin, pa Fjalën e të cilit nuk do të ishte ballas tyre asnjë personazh i bukur apo i shëmtuar.

 

Qaj, sepse më qahet . Qaj sepse dua ta qaj atë lexues që lexon, duke( për të) kaluar kohën dhe jo duke e pritur Kohën  sipas Orakullit-SHKRIMTAR.

 

-Po vetë Shkrimtari , si e pa veten në “Pasqyrën ” e ekranit të madh?

 

- Aty ishte. Aty. Pranë me ne . Aty, ku kish qenë gjithmonë, pavarësisht nga vendi, ngjarja, mosha.... Aty.... Por, nëse kishte ndonjë nga ne që nuk ishte  parë në pasqyrë, ishte vetëm ai.... Ne, të tjerëve, pasqyra na u thërmua  në grimca,nga shikimet tona përballë saj. Se kështu e pëson , si në përrallëza të vërteta...:”Pasqyrë, moj pasqyrë, kush është më  e bukur ...?”

 

            Dhe “Pasqyra” (Ekrani i madh)  na dha përgjigjen e duhur... Për gati 1 orë, lëvizëm  e shetitëm në kohë e hapësirë me jetën, me vitet  e shkrimtarit, midis  dy kohëve, midis dy kontinenteve...

 

 Rrëfimi i tij aq i thjeshtë, aq i ngrohtë , thuajse na tregonte një përrallëz, të  drithëronte.... Hapat e tij , herë të shpejta, herë të ngadalta, por gjithnjë të sigurta, të jepnim një mesazh të madh vazhdimësie... Librat e tij,  shkruar në pjesën më të madhe me laps apo me makinë shkrimi të herëshme, sikur të kishte mundësi t’i vendosnim fletë - fletë në tokë, ndoshta do të mbulonin sipërfaqen e gjithë Kolonjës...

 

 Ende  më ka mbetur në vesh rrëfimi  i Shkrimtarit, zëri i paqtë dhe lëvizjet e tij nëpër parqet mahnitëse të Manhattanit... rrëfimi  i tij me mall e dhimbje për vendlindjen e tij –Rehovën...

 

“...Në fillim Nju Jorku m’u duk nervoz, shpërfillës, me ritëm të shfrenuar që nuk di as të pushojë e as të ndalet. Shpejt kuptova se për ta njohur dhe shijuar Nju Jorkun nuk mjafton një ditë, një muaj apo një vit….

 

Ndërthurur me mbulesën e tij bojë hiri, Nju Jorku ka një pasuri të pashtershme artistike dhe bukuri të jashtëzakonshme panoramike.

 

Në kohën e lirë frekuentoj Muzeumet dhe Operën e qytetit, sallat e koncerteve në Carnegie Hall, ku midis artistëve virtuozë janë paraqitur edhe Inva Mula, Teuta Koço etj.

 

Prej vitesh, epiqendra e komunitetit shqiptar gjallëron me jetë kulturore si recitale, ekspozita, paraqitje të librave të reja etj. Shoqata panshqiptare ‘Vatra’ më jep mundësinë të ndjek nga afër aktivitetet politike dhe kulturore të diasporës.

 

Kam emocione kur vizitoj ndërtesën madhështore të Kombeve të Bashkuara.

 

Mbi të gjitha më pëlqen të shëtis në parkun qendror të qytetit, Central Park, që më befason dhe mrekullon me bukurinë dhe hijeshinë e tij.

 

Për habinë time, në fondin e Bibliotekës së qytetit gjeta edhe disa nga librat e mi.

 

I jam mirënjohës qytetit të madh që më riktheu zellin për t’iu kushtuar punëve letrare, së pari me përgatitjen e vëllimeve ‘Shekulli 21’ dhe ‘Kombi’; pastaj me redaktimin e dorëshkrimeve që solla me vete me vete nga Shqipëria. Vëllimet ‘Nëna e Diellit’, ‘Teatri në kohën e krizës’, ‘As Miço, As Muço’ dhe ‘Midis dy kohësh’ janë botime të përgatitura në Nju Jork.

 

Miqve dhe dashamirësve ju them me sinqeritet se nuk do të kisha krijuar më shumë sikur të kisha qenë në Shqipëri…

 

..................................................

 

Rehova-vendlindja ime në rrëzë të malit Gramoz në juglindje të Shqipërisë, fshat me bukuri të veçantë dhe histori të lashtë qindravjeçare.

 

 

Është e njohur Tuma e Rehovës, një nga më të mëdhatë në Ballkan, që ka shërbyer si varrezë për disa shekuj në mijëvjeçarin e parë para Krishtit, çka dëshmon për lulëzimin e hershëm të krahinës.

 

Emri i fshatit figuron në regjistrat e Perandorisë Osmane  qysh nga Mesjeta.  

 

Me rrugë të shtruara me kalldrëm, me shtëpi guri të ngjeshura pas njëra tjetrës, me çati të mbuluara me plloça guri bojë hiri, Rehova ngjet më shumë si lagjet e kalave sesa si fshat.

 

Burrat ishin të gjithë zanatçinj, kryesisht muratorë, dhe, praktikonin emigrimin stinor në vendet e Ballkanit, në Rusi   dhe në Turqi.

 

Në Rehovë, Petro Nini Luarasi hapi një nga gjashtë shkollat e para shqipe    qysh në vitin 1882.

 

Rehova ka patur figura të shquara patriotike, si At Naum Cerja,

 

ikonografë, mësuesë, dhe skalitës gurësh, sikurse Naum Anastas Prifti, stërgjyshi im.

 

Fshati kishte jetë të pasur kulturore. Gratë dhe vajzat praktikonin vallet e kënduara në sheshin e kishës në ditët e festave.

 

Aty ruheshin mjaft mirë edhe traditat pagane. Folklori ishte pjesë organike e jetës së fshatit.

 

Gratë ishin amvisa të shkëlqyera. Ato punonin jashtë në ara e livadhe, kujdeseshin për bagëtitë, rrisnin fëmijët, endnin me mjeshtëri qilima, velënxa, perde, madje edhe rrobat e tyre të holla e të trasha.

 

Për mua si fëmi,   fshati ishte parajsë e vërtetë, me lojra të shumta në natyrë gjatë stinës së verës dhe zbavitje të tjera në vende të mbyllura në dimër.

 

Në fillim të shekullit XX burrat e djemtë e fshatit nisën kurbetin për Amerikë...

 

 ….Qaj edhe për këtë mesazh human  të Shkrimtarit:

 

“Të gjithë ata që e kaluan pjesën më të madhe të jetës nën diktaturë e kanë detyrë morale kundrejt shoqërisë së sotme të shkruajnë kujtimet e tyre për personat me të cilët kanë patur aq konfidencë, sa të flasin pa drojtje për çdo temë….

 

Kalvari i intelektualëve filloi më 1944 dhe mbaroi kur u shemb diktatura…Ata intelektualë që e mbrojtën dinjitetin personal në kushte jashtëzakonisht të vështira meritojnë respekt.

 

-Dhe QAJ,  për më të fundit dhimbje të Shkrimtarit  ...

 

Shkrimtari , i rrethuar nga familja e tij – gruaja dhe vajzat, na dhanë një mësim të mirë. Atë që nuk e bëjmë dot ne apo Shteti ynë, e bën FAMILJA. Edhe pse, ende me dhimbje të pa shërueshme dhe të pakalueshme , për vdekjen e beftë të djalit dhe nipit të tyre 20 vjeçar, Erit,  ajo, Familja, bashkëshortja dhe vajzat iu bënë mbështetja e fuqishme. Iu bënë   aureolë dashurie dhe përkushtimi, njeriut të tyre të dashur dhe të  gjithëkushtuar-      Shkrimtar. (“Jam krenar për vajzat e mia të cilat e nderojnë njëlloj babain dhe artistin.”- nga inervista para pak kohëve).  Këtu  fillon dhe mbaron cikli i Orakullit familjar.

 

Faleminderit Shkrimtar, për Veprën Tënde Monument!

 

Iliriana Sulkuqi, Brooklyn, prill, 2010



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx