Kulturë
Ukshin Zajmi: Gjurmë lashtësia në trevat e Gallapit
E diele, 16.05.2010, 09:58 PM
Mbeturinat e lashta xeherore dëshmojnë resurse të shumta nëntokësore
Zgjurë e mbetur nga shkritoret e moçme të Gallapit
Nga Ukshin Zajmi
Në territorin e fisit Dardan, që nga kohët e lashta është eksploatuar xehja me metodat dhe mjetët e atëhershme. Këto zehe, në këtë territor, jo vetëm që janë eksploatuar, por, ato edhe janë përpunuar. Metale të Dardanëve janë gjetur nga zbulime të ndryshme. Këtë e dëshmoi zbulimi në vitin 1993 në Cezarën bregdetare (Palestinë), kur, në një anije të përmbytur u gjetën gjashtë kallëpe të aliazhit (lëgures) së aluminit. Në këto kallëpe shkruan:
IMP DOMIT CAESARIS AVG GER MET
DARD SVB C CAL P.T CLO
CAES XXCCIICXXXCIII CAES CCXV
HIXXIV
Nga formula e këtij shkrimi: Met(alla) Dard(aniae), Met(alli) Dard (anici) apo të ngjajshme, dëshmohet se ky është prodhim nga Dardanija ballkanike, dhe se ky mall është eksportuar përmes rrugëve që kanë ekzistuar edhe ate përmes segmentit rrugor Ulpiana-Scupi-Thessalonica (Dushani?, Sllobodan: Prosopografske beleške o rudarstvu u Gornjoj Meziji, Starinar, LVI/2006, faqe 87). Zbulimi tjetër që dëshmon për eksploatimin dhe përpunimin e xeheve në rajonin e Dardanisë është ai i një varësje, që përdorej nga qytetarët dhe ushtarët për t’u mbrojtur nga bestytnit e ndryshme dhe për të pasur fat në luftë. Kjo varëse është zbuluar në Burim (ish Istok) të Kosovës (Vukanovi?,T.P.: Bronzana kljova i glava divljeg vepra iz varošice Istoka helensko-ilirske epohe,Vranjski Glasnik, Knjiga VIII, 1972, faqe 51-61), dhe se varëse të tilla janë përdorur edhe nga ushtarët në Luftën e Trojës (Duke lexuar Iliadën e Homerit, botim i dytë i ripunuar, përkthim i Gjon Shllakut, SH.B.”Naim Frashëri”, Tiranë, 1979, kënga e X- rreshtat 304-316, na bëjnë me dije se një luftëtar në Luftën e Trojës, në helmetën e tij ka bartur një ornament me kokën dhe dhëmbin e syrit të derrit të egër).
Se rajoni i Gallapit ishte dhe është i pasur me xehe dëshmohet edhe në kohët e sotme. Për këtë dëshmojnë zeheroret në masivin e Kopaonikt, i cili zgjatet edhe në territorin e Kosovës, përkatësisht edhe në Gallap. Këtë e dëshmojnë xeheroret e Trepçës; të Kishnicës e Ajvalisë; të Artanës (ish Novo Bërdos) e të Lecës. të cilat, janë eksploatuar e eksploatohen edhe sot, ku më pak e ku më shumë.
Gjurmë të eksploatimit dhe të përpunimit të xeheve ka edhe nëpër tërë territorin e Gallapit. Se ky eksploatim a është bërë në kohën e Dardanëve apo edhe më vonë, kjo mbetët për tu hulumtuar dhe vërtetuar, sepse nëpër territorin e Gallapit ka edhe gjurmë të ekzistencës së Sasëve, si ai i toponimit në Gmicë, të kroit të Cahasit, që sipas shumë dietarëve ka kuptimin e Kroit të Sasëve.
Toponimet Samakova dhe Madeni, në variante të dialektit të vendit ka mjaft.
Në këtë shkrim, po i veçojmë vetëm disa, nëpër vendbanimet e Gallapit që i përkasin territorit të komunave: Bujanoc, Dardanë, e Gjilan. Sipas librit të Dr. Bahtijar Kryeziut: ”Onomastika e Hashanisë” IAP, Prishtinë, 2000, në Kranidell ekziston toponimin Te madenet (faqe 50), toponimi Smakova ekziston në Ramabuqe (faqe 100) dhe në Sedllar (faqe 114), ndërsa në lagjën e Lumjanëve në Zarbicë, thuhet se në mal ekzistojnë gjurmë të mbeturinave të xeheve (faqe 141).
Në bazë të librit të Dr. Jusuf Osmanit : “Vendbanimet e Kosovës- Dardana (Kamenica) dhe Artana (Novobërda)”, Prishtinë, 2004 dhe nga shënimet e mbledhura në terren nga autori i këtij shkrimi mësohet se në territorin e komunës së Dardanës gjurmë të xeve të shkrira dhe topinime Samakova ka në këto vende: Në mes të Kremenatës, Gragjenikut (Gardhishtës) dhe Zajçecit pak më poshtë se Hani i Sherifit; te Ura e Shurqelit, rruga për Lisockë nga Hogoshti; në toponimin Drajkovë te Lisockës në anën e kundërt të Shurqelit; Velegllavë të epërme afër kishës së Rexhajve; Miresh (Krileve), lagjja e parë dhe tek përzihen rekat; Gmicë; Desivojcë; Hajnoc; Svircë; Strezoc, në mes të Bozhecit e Përlepnicës.
Se këto mbeturina xehesh, që në këto anë kanë mbetur prej kohërave të lashta, kanë qenë të pasura me xehe, vërtetohet edhe me ate, se pas Luftës së Dytë Botërore, këto mbeturina janë bartur nëpër shkritore të ndryshme dhe nga ato janë marrë metalet e mbetura, dëshmohet nga ajo se nga lumi i Mireshit (Krilevës) janë bartur ato me kamiona të ndryshëm. Sasitë e xeheve në këtë anë të Gallapit janë të mëdha, kjo dëshmohet nga disa projekte të hartuara (inxh. Bajram Limani: Gjeologjia dhe resurset në rajonin e Gallapit, revista Gallapi, nr.5, shkurt 2010, faqe 24-27), por nga këtu kuptohet se disa komuna nuk kanë bërë projekte të tilla. Në këto anë hulumtime gjeologjike janë bërë nga Institutet e ndryshme të Serbisë në kohën e monizmit, por dyshohet se rezultatet janë në Kosovë, andaj duhet menduar për hulumtime të sërishme, nëse kjo nuk është bërë kohëve të fundit nga një firmë hulumtuese evropiane sipas projektve amerikane, edhe ate përmes aerofotografimeve. Pasurive nëntokësore të Kosovës, por edhe të Gallapit, ua kanë lakminë vendet e ndryshme, andaj këto resurse duhet hulumtuar dhe shfrytësuar më qëllim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, e posaçërisht të Gallapit, si mjedis i cili ka mbetur, jo me pahir, si mjedisi më i pazhvilluar i Kosovës.