E enjte, 01.05.2025, 06:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Jean-Paul Champseix: “Aksidenti” i Ismail Kadaresë Një roman ambicioz

E merkure, 19.05.2010, 09:31 PM


“Aksidenti” i Ismail Kadaresë Një roman ambicioz

 

Nga Jean-Paul Champseix

 

Romani i fundit i Ismail Kadaresë, pa dyshim, do t’i befasojë lexuesit e tij të zakonshëm. Periudha komuniste, edhe pse është përmendur, nuk është më në plan të parë dhe vetë Shqipëria nuk është më shprehimisht qendrore. Flitej me shaka se në tërë veprat e këtij shkrimtari, nuk kishte as hero, as dashuri. Ky pohim bie poshtë me “Aksidentin”, i cili ka të bëjë kryesisht me natyrën e marrëdhënieve dashurore. Një çift që jeton një dashuri të gjatë, edhe pse shumë të stuhishme, përfundon në një humnerë, pas gabimit të një shoferi taksie. Kryhet një hetim, në përpjekje për të rindërtuar ditët e fundit të viktimave.

Si gjithmonë, te Kadareja është e pamundur të vendosësh fakte. Realja të shpëton, përvidhet, tretet ose merr forma që sfidojnë logjikën. Nuk bëhet fjalë për subjektivitetin e thjeshtë njerëzor ose të mosrrjedhshmërisë së dëshirës ose të rindërtimeve. Realiteti ka të bëjë me tjetër gjë. Të gjallët nuk janë veçse përdorues të një universi, që i shohin veç dukjen.

Kadareja, atëherë kur jetonte nën diktaturën staliniste dhe të turpshme të Enver Hoxhës, nuk pati kurë mundësi të trajtonte temën e seksualitetit. Në këtë vepër, ai i kushton një vend të paparë më parë. Megjithatë, erotizmi merr aspektin shqetësues të shfaqjes, zotimeve arkaike dhe sekrete.

Ky roman ambicioz, kundër rrymës – e pakta që mund të themi për të – shkëlqen në një arsyetim të stërholluar, tepër tërheqës, që bëhet magjepsës me të gjitha pistat që hap. Raportet e çiftit kthehen në një antropologji të thurur me tregime të panumërta, të para si “rrëfimi i të vdekurve”. Kadareja gjykonte dikur se censura staliniste kishte vrarë para kohe në trurin e tij “qelizat pararojë, vetë ato që ripërtërijnë artin” (Bisedë me Eric Faye, Corti, Paris, 1991). Sidoqoftë, disa prej tyre duhet t’i kenë rezistuar goditjes… Hetuesi, në fund të romanit, jep frytin e përsiatjes së tij në shkëmbim të pasqyrës që do të marrë me vete në varr. Ai harton një testament, duke dëshiruar që varri i tij të hapet pas një mijë vjetësh, sepse është i bindur se “pasqyrat, te të cilat gratë zbukuroheshin përpara se të putheshin, ose të vriteshin, diçka thithnin prej tyre. Mirëpo në këtë botë shërfillëse askujt nuk i kishte rënë ndërmend të merrej me to”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx