Kulturë
Vullnet Mato: Siamezja shpirtërore
E marte, 18.05.2010, 09:40 PM
Vullnet Mato
SIAMEZJA SHPIRTËRORE
Kur artistët prindër
gdhendën me pasion
skulpturën e gjallë
të këtij trupit tënd,
besoj nuk menduan
se femra që verbon,
mund t’i linte meshkujt
tërësisht pa mend...
Ky vështrim i syve
me rrezatim të shenjt
ditën sjell aroma
nga lulet dhe pyjet,
netëve me eros
më josh e më deh krejt
dhe ndjehem porsi fllad,
filloj flas me yjet.
Buza, gusha, gjoksi,
nektari i hojës,
sa nisin të ndezin
një puthje të shpuzët,
tjetra i fryn prushit
që fle brenda gojës
dhe hovi i zjarrit
flakëron te buzët.
Nuk është ndoshta
mishi trazimtar,
që më jep etjen
e diellit mbi dete,
por lumi i thellë
i shpirtit me valë,
që më fundos brenda
dhe sërish kam etje...
Mos më ndaj nga prehri
me dallgë ekstaze,
se më thahet zemra,
o moj shpirtushe!
Ti kthehu drejt meje,
dhe pulsomë taze,
të më vijë gjaku
prapë në barkushe.
Dy siamezët njihen
si rasti përjashtim
i trupave të ngjitur,
fenomen anomalie.
Ashtu të paça ty,
ngjitur me shpirtin tim,
moj siamezja ime,
fenomen dashurie!...