E enjte, 01.05.2025, 09:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gàzulli: Mbi letërsinë bashkëkohore

E marte, 18.05.2010, 06:00 PM


Mbi letërsinë bashkëkohore

-         Nevoja e një analize shkencore dhe të moralëshme –

 

Nga Daniel Gàzulli

 

            Vite ma parë më ra në dorë libri i Profesor Giuseppe Gradilone, arbëresh, profesor në Universitetin “La Sapienza” të Romës, Drejtor i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë atij Universiteti, me titull “Studime të letërsisë shqiptare bashkëkohore”.

            Libri i Professor Gradilone-s ndahet në gjashtë kapituj: 1. Ndërhymja e pushtetit në letërsi e kritikë; 2. Poema “Nënë Shqipëri” e Dritëro Agollit; 3. Poezia eterike e Fatos Arapit; 4. Pjeter Arbnori shkrimtar; 5. Një profil autobiogreafik i Kasëm Trebeshinës; dhe 6. Poezia e Visar Zhitit.

            Tue marrë përsipër përkthimin e kapitullit mbi Arapin, (ai mbi Arbnorin asht botue tashma libër më vete, përkthye po prej meje), mendova se do të ishte i paplotë, nëse nuk do të paraqitej sado përmbledhetas, edhe kapitulli i parë i veprës, që, simbas mendimit tim, asht një vlerë e veçantë në studimin e letërsisë sonë të gjysmës së dytë të shkullit XX. Ndërkohë, për vetë faktin se autori i shquem e ka shtjellue analizën e tij nisë nga qëmtimi i veprave, kurse i nënshkruemi e ka jetue “in prima persona” Kohën e Ferrit, mendova t’i lejoj vetes edhe ndonjë “shmangëje” nga parathanja e librit të Gradilone-s. 

            Rikthimi në analizën e letërsisë së ashtuquajtun “të realizmit socialist” mendoj se asht i vlefshëm për katër arësye kryesore:

            Së pari, ngaqë, edhe pse kanë kalue 20 vjet nga ramja e diktaturës (që me cinizem dikush e quen thjeshtë “koha e monizmit”), mungon një analizë e mirëfilltë, një analizë “estetike” e asaj letërsie që, ndonse aty-këtu edhe me vlera të spikatuna, ndihmoj liksht në himnizimin e diktaturës;

            Së dyti, pse për fat të keq, shqiptari s’ka ose ka fare pak kujtesë historike, e jo vetëm sa i përket artit në përgjithësi, por, e në radhë të parë, në “përligjjen” e shëmtimeve historike nëpërmjet të ashtuquajtunave “rrethana historike”, në vend që të nxirnim mësime;

            Së treti, pse analizat e vlerat e mirëfillta vazhdojnë të maten me “kutin” e dikurshëm e me apologji të pakurrëfarë mbështetjeje estetike për autorë e vepra pse, disa prej tyne, na qenkan “Nderi i Kombit”, një titull i shpërdoruem nga presidentat shqiptarë, të gjithë sa ishin e ai që asht;

            Së fundi, pse asht anashkalue qoftë edhe nga Profesor Gradilone, aq ma tepër nga kritika zyrtare e jo zyrtare shqiptare, letërsia e trojeve jashtë kufijëve shtetnorë të Shqipnisë e në diasporë. Sa kohë që flitet për letërsinë shqiptare bashkëkohore, nuk duhej e nuk duhet të anashkalohet letërsia shqiptare në trojet e veta jashtë Shtetit zyrtar e deri ma gjanë, si asht rasti i te shklqyeshmit Martin Camaj e jo vetëm atij.

 

            Ndërhymja e pushtetit në letërsi e në arte në përgjithësi, ashtu si edhe në çdo fushë të jetës intelektuale, jo vetem “kushtëzoi e poshtnoi egzistencën e shkrimtarëve e të kritikëve”, siç vëren me vend Profesor Gradilone, por, nëpërmjet trysnisë që ushtroi qoftë nëpërmjet propogandës direkte, qoftë nëpërmjet artit, apo edhe me forma të tjera, tjetërsoi njeriun, krijoi “njeriun e ri” – përbindësh, që sot e kësaj dite nuk asht në gjendje me dalë nga ai makth e të orientohet për nga bashkëjetesa e vërtetë demokratike, nga shoqnia e vlerave, qofshin ato kombëtare apo mbarënjerëzore.

            Thotë Porofesor Gradilone: “… në emën të luftës çlirimtare u vendos në Shqipni për pothuej gjysëm shekulli një parti ideologia e së cilës ka kushtëzue zhvillimin e kulturës e të arteve e në veçanti të letërsisë, që u etikue me emnin, huazue nga sovjetikët, e realizmit socialist, së cilës i vihej detyra të ishte instrument i partisë … “. E për të qenë një instrument i bindun, i nënshtruem (atëherë quhej “besnike e Partisë”), pushteti kishte vendosë norma të rrepta estetike-ideologjike, jashtë të cilave,  nuk mund të dilte askush, nëse nuk dëshironte të përfundonte në “Universitetin” e Burrelit e ndonjëherë të provonte edhe plumbin apo litarin.

            Nën këshillat e Beogradit, u morën masa që fill mbas lufte: burgosje e pushkatime të intelektualëve ma të shquem, mohim i vlerave ma të mira artistike të së shkuemes, premje e çdo ushqimi shpirtnor nga “arti borgjez”. Në vitet 1945-1947 fillon pastrimi masiv tue fillue me M. Kutelin, V. Prendushin, E. Haxhiademin e sa të tjerë, ndërkohë që “burgosen” një herë e mirë veprat e Fishtës, Koliqit, Konicës etj.

            Do të ishte e padrejtë të gjykonim sot ata shkrimtarë e artistë, apo kritikë arti, që, pse të ndikuem prej një pritmënie demokratike (si propogandohej), apo të ndikuem fort nga ideologia komuniste, që kishte gjetë dishepujt e vet jo vetëm në Lindje, por edhe në Përendim (si b.fj. në Francë, Itali etj), iu përkushtuen një arti që rezultoi, veç të tjerash, rrënimtar për të paktën tre breza, por edhe të vlerësohen ende sot për antivlerat që sollën, për aderimin e tyne të plotë e shpesh të vetëdijshëm në konsolidimin e diktaturës, do të ishte edhe ma e  pafalëshme. 

            Si asht e njohun, çdo shmangëje, qoftë edhe fare e lehtë, nga ajo që quhej “vija e partisë” çoi jo vetëm në dënimin e ndalimin e veprave edhe të autorëve që kishin marrë pjesë në Luftë, por edhe deri në dënimin e tyne me internime, burgje e deri pushkatim. Do të ishte e gjatë lista e artistëve që pësuen këtë fat.

            Nën këte trysni, por edhe pse ishin vetë të angazhuem në radhët komuniste, shumë autorë, i kthyen veprat e tyne në parulla të gjata e të mërzitshme të kërkesave të këtij apo atij pleniumi, të këtij apo atij kongresi.

            Profesor Gradilone e kujton këte gjendje tue thanë: “ … më 1969, në Kongrsin e II të Shkrimtarëve, ... ata shpallin nënshtrimin e tyne të trishtueshëm: “Këte gjë ne do ta bëjmë duke u përpjekur që  veprat tona të jenë përherë e më militante, më të partishme, të mbruajtura me idealet e mëdha të partisë..”. 

            Analizat e asaj kohe sot do të dukeshin groteske, por ato ishin shprehje e një shkatrrim i vërtetë edhe i lirisë ma minimale të imagjinueshme: gjithçka duhej të ishte simbas “mësimeve të partisë” e në shërbim të saj.

 

            Mirëpo, si thamë në fillim, profesor Gradilone shtjellon veprën e pesë  autorëve përfaqësues: Agollit, Arapit, Arbnorit, Trebeshinës dhe Zhitit.  Pa pretendue me gjykue përzgjedhjen e tij, ai lë jashtë studimit dy autorë shumë të randësishëm për letërsinë shqiptare të viteve 1945/1990: të madhin Jakov Xoxa dhe Ismail Kadaren, pa folë mandej për shkrimtarët ma të shquem të Kosovës e Martin Camajn në Gjermani.

            Kadaren e përmend rrëshqitas në më pak se dy faqe të parathanjes, por, tue u përpjekë me e përligjë veprën e tij, ban pikërisht të kundërten.

            Si thamë ma parë, nuk asht fjala me gjykue a denigrue autorë që mirë a keq diçka dhanë e diçka lanë edhe gjatë diktaturës, por asht e domosdoshme që të bardhës t’i thuhet e bardhë e të zezës e sezë: Ismail Kadare, me gjithë talentin e tij që askush nuk e ka vu ndonjëherë në dyshim, i ka ba shërbimin ma të madh diktaturës dhe shërbimin ma rrënimtar formimit të të paktën dy brezave të rijë. Me 20 shkurt 1991 u shemb monumenti i diktatorit Hoxha në Tiranë, por mbeten monumentet e tij e të Stalinizmit tek vepra si “Shqiponjat fluturojnë lart” e sidomos te romani “Dimri i madh”.  Tek “Biseda me Kadaren” të E. Faye, ai deklaron premas: “Lirinë krijuese e kam pasë gjithmonë e më ka mjaftuar për të bërë ate që kam bërë”.

            Nuk ka qoftë edhe një njeri të vetëm e të ndershëm në Shqipni që të mos pohojë se gjatë diktaturës nuk ka pasë asnjë lloj lirie, bile, siç e ka pohue edhe Dritëro Agolli në një intervistë televizive, edhe ne kohë të fashizmit kishte ma shumë liri. Kurse Kadare na paskish pasë “liri krijuese gjithmonë”. (!?!)

            E pra ata që u përpoqën të kishin sadopak liri si Mark Ndoja, Kasem Trebeshina, Kin Dushi, sa për të përmendë disa që nuk kanë qenë fillimisht kundër vijës së Partisë Komuniste, përfunduen në burg. Si ka mundësi që Kadare paskish pasë “gjithmonë liri krijuese”?!  A nuk meritonte kjo temë kyç e raportit demokrici/diktaturë/art një analizë të veçantë?

            Atyne që vijojnë të bahen mur në mbrojtje të të ashtuquejtunave vlera artistike, pavarësisht nga kufizimet ideologjike, po iu citoi pak rreshta të shkrueme qysh më 1942 nga At Pjetër Mëshkalla:

Arti për me kenë art, duhët me kenë ma sëpari, shprehje e gjallë e bukurisë. Në këte vështrim (pozitiv dhe jo eskluziv), mund të pranohët teoria “art për art”. Megjithkëte, arti, simbas natyrës së vet, nuk gëzon një pavarësi absolute prej çdo ligje jashtë-artistike, nuk asht amoral.

            Pyetja asht e natyrëshme: Cili asht morali i veprave “të mëdha” të realizmit socialsit, pavarësisht kush asht autori?

            Personalisht ndjej keqardhej që professor Graditone ka anashkalue edhe një figurë themel të prozës shqiptare, të madhin Jakov Xoxa, si po e harrojnë edhe sot deri edhe në shkolla, por shpresoj se një herë tjetë do t’i kthehemi edhe kësaj figure të shkëlqyeshme, autorit të kryeveprës së prozës sonë, “Lumi i vdekur”.

            Po sjellim vetem një citim të shkurtë të profesor Gradilone për Dritero Agollin, që mendojmë se asht i mjaftushëm për portretizimin e tij: “Drietëro Agolli ka qenë njeri i partisë në kuptimin që ka besue tek partia, ka egzaltue partinë dhe ka kënaqë partinë, Udhëheqësi i së cilës, nuk pushoi nga ana e tij ta egzaltonte”. 

            Mendoj se pak a shumë të njejtat fjalë mund të parafrazonim edhe për shumë autorë të tjerë ma me pak peshë se Agolli e Kadare.

 

            Mirëpo, një propogandë e tanë vazhdon të trumbetojë “vlerat” e autorëve të periudhës diktatoriale, e nuk ngurron të anashkalojë me mjetet ma të liga, siç asht harresa, korifejt e vërtetë të fjalës shqipe, Fishten, Koliqin, Camajn e deri tek Mjeda e Migjeni.

            Rivarrimi nëpërmjet heshtjes asht një vepër e randë dhe antikombtare. Na asht gjetë edhe një shfajsim banal: rinia nuk e kupton gjuhën e tyne.

            Në ç’gjuhë shkruen ata? A nuk shkruen me shqipen ma të lëmueme, ma të përpunueme e ma të begatë? Apo nxanësit kuptuekan ma mirë turqizmat e bejtexhinjëve?

            Vetiu lind pyetja: Mos vallë edhe kambëngulja për mosrishikimin e normave të drejtshkrimit të shqipes kanë edhe qellimin e mbrapshtë të harrimit të  gjigandëve që nuk u shkojnë për shtat qarqeve të caktueme?

            Jo, nuk u largova nga tema. Pse propaganda e shfrenueme, kjo e sotmja, e veprave dhe autorëve të periudhës diktatoriale ka në radhë të parë një mbrapavijë ideologjike, aty, nga një herë, edhe krahinore e fetare. Le t’i themi gjanat ashtu si janë. Kohë ma parë studiusi i letërsisë shqipe Ali Aliu, antar i Akademisë në Kosovë, botoi në Maqedoni një antologji të poezisë shqipe ku përjashtoj pikërisht Poetin Kombëtar Gjergj Fishta. Në hartimin e asaj antologjia kemi të dhana të sigurta se ai u “këshillue” edhe me një figurë të spikatun të letërsisë shqipe, që nuk desht ta vinte emnin e tij si bashkëautor. Komentet më duket se do të ishin të tepërta.

            Asht koha të mos vazhdojmë të ndikohemi nga paragjykime me “miell të prishun”  nga e shkuemja, si dikur që kthyem në hero Lej Fenin.

            Analiza e paanëshme, shkecore, e jo me mbrapavijë idelogjike, e si thash ma nalt, aty edhe krahinore e fetare, janë sot domosdoshmëni ma shumë se kurrë, pse po vazhdojmë të ushqejmë brezin e ri me bukë prej mielli sharrash, pse e tillë qé letërsia e asaj kohe. 

            Analiza e mirëfilltë artistike nuk ka kurrë qellim denigrues. Por, ndërkohë, ajo asht e domosdishme, që mos të vazhdojmë të na vërbojnë me tymtajë nga e shkuemja e hidhun.



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx