Kulturë
Nuhi Veselaj: Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (IV)
E hene, 17.05.2010, 09:57 PM
SHUMËSI DHE SHQUARSIA
E EMRAVE
NË SHQIPEN STANDARDE
(konstatime, diskutime, propozime)
Nga DR. NUHI VESELAJ
nuhiveselaj@hotmail.com
B. Shumësi i emrave femërorë
me mbaresën –RA/NA
1. Emra femërorë me formantin –RA
Formanti –RA për shumësin e emrave të gjinisë femërore, nuk është aq produktiv sa formanti –a, madje nuk është produktiv e aktiv sa del ky formant tek shumësi i emrave të gjinisë mashkullore, megjithatë vendi i kësaj mbarese është i pranishëm edhe në strukturën e shumësit të emrave femërorë, madje ka rol të posaçëm ndërlidhës me dukurinë e formimeve paralele të shumësit -a/-ra, si te rastet: (disa) lufta/luftra, (disa) kohë/kohra), por edhe për ndonjë çështje tjetër, siç do të përmendet më poshtë gjatë analizës.
Në këtë mënyrë d.m.th. mbi temë të emrit femëror ndeshim këta shembuj në gjininë femërore që në burime përkatëse dalin jo si forma paralele, por njëjësi i shquar u del me –a, ndërsa mbaresa e shumësit të pashquar del –RA, si p.sh.: erë-a erëra-t, lojë-a lojëra-t, luftë-a luftëra-t, verë-a verëra-t, kohë-a kohëra-t e ndonjë tjetër, forma këto të normëzuara, por kjo dukuri del e shtrirë, ndonëse e panormëzuar, edhe tek emrat femërore me fundoret e theksuara –I, -E, –A dhe Ë, (sidomos në të folmet jugore) që shembujt e tillë mund të jenë edhe emra të gjë-sendeve konkrete edhe të nocioneve abstrakte. Ja disa shembuj:
a) me –I: kusi-a kusira-t, stoli-të/stolira-t etj.; magji- të/-magjira-t, mrekulli-të / mrekullira-t, e raste të tjera.
b) me -E: ide-ja idetë/idera-t, epope-ja epopetë/ epopera-t (!);
c) me –A: bela-ja bela-të / belara-t, sevda-ja sevdatë / sevdara –t (!);
ç) me -Ë: abëcë -ja abëcë-të/ abëcëra-t, gjë-ja gjëtë /gjëra-t e ndonjë tjetër...
Siç dihet, sipas rregullit, shumësin e bëjnë me mbaresën zero të gjithë shembujt e mësipërm, përveç rastit gjë-ja gjëra-t, përkatësisht, marrin nyjën -TË në shumësin e shquar, si: stoli-a stolit-të, ide-ja ide-të, bela-ja bela-të, abëcë-ja abëcëtë e kështu me radhë, ndërkaq në raste të caktuara të cilat i shoqëruam me një pikëçuditje në kllapa, mbase për arsye stilistike e pragmatike e ku ta dimë, mund të tolerohet shumësi edhe me mbaresën –ra. Por tash nyjë-mbaresa e shumësit del -t jo -të.
Krahaso: stoli stolira-t,ndaj stoli stolitë, ide idera-t ndaj ide idetë, sevda sevdarat ndaj sevda sevdatë, abëcë abëcëra-t ndaj abëcë abëcëtë etj.
Po theksojmë faktin se vetëm në raste të tilla, pra, me ngjyresa stilistike, përdorimi i mbaresës -RA nuk del i qortueshëm.
2. Emra femërorë me formantin –NA
Siç u përmend më sipër emrat femërorë me mbaresën e shumësit me –RA janë të paktë në krahasim me mbaresën –A, por edhe më pak janë ata që marrin mbaresën –NA. Sipas fjalorit normativ që konsultuam me këtë prapashtesë del në përdorim trajta: lojna krahas lojëra, pastaj cohna krahas cohëra, botë-botnat krahas botërat. I. Metaj si orientalizëm të përvetësuar e shënon singulariatantum-in: beharnat me kuptim të erëzave.
Ç’është e drejta, me sa kemi hetuar, raste të tilla mbi bazë të emrit të gjinisë femërore me -NA në ligjërimin gegërisht ose në disa të folmet tona gege nuk ndeshim shumë raste, mirëpo, siç do të shohim më poshtë në gjininë mashkulloren me këtë formant ndeshim më shumë shembuj në gegnishte.
Nga pikëpamja drejtshkrimore bëhej dallim në raportin -RA/NA, ngase trajtat me -RA parashoqërohen me një -Ë mbështetëse -ëra si erëra, ndërsa ato me -NA jo: erna.
C. Shumësi i femërorëve me mbaresën -E
dhe rastet aberrante
a) Femërorë me mbaresën -E
Sidoqoftë, është fakt i pranuar se asnjë emër femëror në gjendjen e sotme, nuk e bën shumësin me mbaresën -E, megjithatë janë tri raste, si me thënë, të shpifura: bakere argjende dhe agrume të regjistruara si pluralia tantumë dhe me siglën f., d.m.th. emra të gjinisë gramatikore femërorë.
Si dihet shumica e emrave dhe të kësaj natyre të gjinisë femërore e bëjnë shumësin me mbaresën –A, e cila del si formanti më prodhimtar dhe aktiv i specializuar kryesisht për këtë gjini. Rastet e mësipërme i quajtëm të shpifura ngase zakonisht shembujt e tillë, shikuar nga një pikëpamje tjetër, vijnë nga njëjësi i mashkullores. Pra kjo dukuri ose ky formant, si i trashëguar, del në përdorim mjaft konsiderueshëm edhe te disa nëntipa emrash të gjinisë mashkullore, sidomos atyre me kuptimësi të gjë-sendit konkret. Ja disa shembuj:
a. Përveç argjende-t (argjend-i), agrume-t (agrum-i!), bakere-t (bakër-i) janë edhe disa shembuj-të tjerë si krunde, kime, ethe, thashetheme, madje edhe pushime (pushimet e verës, pushimet e dimrit) e që disa prej tyre vijnë nga ndikimin i gjuhëve të huaja, si punishte-t, ahishte-t. gurishte-t etj. që dalin të regjistruara si femërorë, por njëherësh janë të konkurrueshme nga trajta sinonimike me formantin më të pranuar -ISHTË të shqipes si punishtë punishtat, ahishtë ahishtat etj..
b. Siç dihet është një numër i konsiderueshëm i emrave mashkullorë që shumësin e bëjnë me - E ose -JE
1) male-t (mal-i), punime-t (punim-i) etj., numër i pakufizuar
2) përroje-t (përrua-oi përrenjtë), pyje-t (pyll-i) e ndonjë tjetër, - numër i kufizuar.
Është edhe ndonjë emër toponimi vetëm në shumës si Alpet, Lugjet e Verdha e ndonjë tjetër.
Kjo dukuri e mashkullorëve do të trajtohet pak më në hollësi, kur bëhet fjalë për rastin e ndërrimgjinisë tek emrat e gjinisë mashkullore.
Sidoqoftë, të gjithë shembujt femërorë me -E fundore në shumës konsiderohen shembuj të vetmuar që nuk paraqesin model .
b) Raste aberrante femërorësh
Ka edhe ndonjë rast që nuk përfshihen në skemat e mësipërme si p.sh. grua –ja gra-të dorë—a duart, derë-a dyert e ndonjë tjetër në të folmet dialektore, por sidoqoftë, bashkë me rastet e mësipërme e pamë të arsyeshme t’i përmendim edhe rastet e mësipërme aberrante.
Sipërfundim
Në fund po ritheksojmë faktin se mbaresa –A gjithsesi është mbizotëruese si formant për formimin e shumësit të emrave femërorë në temë me –Ë fundore të patheksuar në njëjësin e pashquar.
Sidoqoftë, siç u cek në punim, rastet kur emrat e tillë marrin mbaresë zero, d.m.th. pa ndryshuar formën e njëjësit të pashquar, tipi anë anët, mollë mollët etj, paraqiten si raste të diskutueshme, atëherë gjithsesi kjo çështje brendagjinisore që paraqitet mjaft problemore, për mendimin tonë, mund të zgjidhet kënaqshëm nëse favorizohet teorikisht e praktikisht prirja ekzistuese, pra, duke mos e frenuar prirjen që edhe emrat e tillë ta bëjnë shumësin e me mbaresën –A, formant ky, i cili, po del gjithnjë e më i specializuar për këtë destinim.
Konstatimet përmbyllëset të pjesës së parë
Nga analiza e mësipërme rreth shquarsisë dhe mbaresave të shumësit të emrave të gjinisë femërorë në përmbyllje ndër të tjera mund të nxjerrim edhe këto konstatime:
Së pari, nga kreu I, Shumësi i emrave femërorë me mbaresë zero, theksojmë si vijon:
1) Në asnjërin nga burimet tona normative, me sa dimë, shumësi i emrave femërorë me mbaresë zero nuk është trajtuar kaq në hollësi si në këtë punim, siç janë emrat femërorë me fundoret e patheksuara -e, -j/e, -je dhe -o, si dhe me zanore-fundoret e theksuara: -i,-e,-a, -u dhe -o.
2) Meqë në burimet e deritashme emrat femërorë në temë më -Ë të theksuar nuk dalin të trajtuar, edhe pse kemi të bëjmë me 5 nënfusha aktive potenciale, në punim tërhiqet vërejtje për anashkalimin pa vend të këtij fakti. Kërkohet që të dhënat nga ky punim patjetër duhet të vlerësohen dhe rezultatet e paraqitura të:kihen parasysh në të ardhmen, sepse plotësojnë dijen tonë gjuhësore lidhur me disa çështje të trajtuara.
Së dyti, nga kreu II, Shumësi i emrave femërorë me mbaresat përkatëse, më tepër vend në analizë iu kushtua emrave femërorë me mbaresën -A, e cila si aktive që është për këtë gjini, mund të konsiderohet si mbaresë e specializuar.
Në nëkreun e parë, nën A. gjatë analizës së emrave me mbaresën -A dalin konstatime me interes, që këtu po mjaftohemi me sjelljen e lëndës së trajtuar sipas nëntitujve përkatës:
së pari, u trajtuan emrat me -Ë të paqëndrueshme në temë, ashtu edhe për ata me -Ë të qëndrueshme në temë
së dyti, emrat femërorë të paranyjëzuar me -Ë të paqëndrueshme në temë dhe pa -Ë fundore në temë dhe
së treti, ndonëse gjatë shtjellimit të temave nga tri pjesët e sipërcekura dalin mjaft risime, interes të jashtëzakonshëm paraqesin dy tema të ashtuquajtura të imponuara, e para, rreth përcaktimit të topikës semantike të femërorëve të paranyjëzuar abstraktë dhe e dyta, rreth prejpjesorëve pandajshtesorë të gjinisë femërore, ngase sadokudo trajtohen tema që nuk njihen sa duhet në gjuhësinë tonë dhe
së katërti emrat femërorë me togje tingujsh në temë, qoftë me togjet e qëndrueshme: -ULL, -UR dhe -ËZ e -ËT, qoftë me togje me -Ë të paqëndrueshme në temë: -ËR, -ËL, ËRR dhe -ËN, -ËLL, -ËM.
Te nënkreun B, u trajtua shumësi i emrave femërorë me mbaresën -RA që ceket edhe në burime të tjera. U përmendën edhe shembuj me mbaresën –NA, (tipi lojna, botna), formant ky, i cili nuk është e huaj për shqipen standarde, ndonëse, hë për hë, atë mbaresë e marrin vetëm pak shembuj të emrave në gjininë femërore.
Në nënpjesën, nën C, u trajtua shumësi i femërorëve me mbaresën -E si dhe rastet aberrante, ku ndër të tjera u konstatua se rastet e tilla më -E dhe ato aberrante dalin si raste të vetmuara pa model.
Sidoqoftë, edhe pse nuk përjashtohen edhe çështje mbase jo të zbardhura sa duhet, edhe këto sa u theksuan këtu zgjojnë interes, ngase veç tjerash përmenden edhe gjëra si risime që nuk i ndeshim as në gramatikën normative, as në burime të studiuesve të tjerë që bëjnë fjalë për këtë tematikë.
Pjesa e dytë
SHUMËSI DHE NYJË-MBARESAT E SHQUARSISË TË
EMRAVE TË GJINISË MASHKULLORE
NË SHQIPEN E SOTME
Konstatime paraprake
Siç u pa nga skema e paraqitur në hyrje të këtij punimi trajta e emrave të gjinisë mashkullore sa i përket mbaresave të shumësit paraqitet më komplekse në krahasim me dy gjinitë e tjera. Në këtë gjini, siç e cek në konstatimet hyrëse, përveç mbaresës zero dalin edhe disa mbaresa të posaçme. Sidoqoftë, si mbaresa të mirëfillta të kësaj gjinie janë: -ë, -e dhe –a, pastaj mbaresat përkatëse të shumësit të emrave me togje fundoret: –ër, -ël, -ëm, -ën, ëv, mbaresat e shumësit me ndërrim tingujsh si dhe mbaresat jo të thjeshta: -ër, -ra (-na), -rë (-na) dhe nja dy të huazuarat nga turqishtja: -llarë dhe –lerë.
Edhe sa u përket nyjë-mbaresave të shquarsisë të emrave të kësaj gjinie paraqiten një serë problemesh, të cilat në të vërtetë, sipas burimeve tona normative nuk dalin të sqaruara aq kënaqshëm.
Vend të theksuar, të veçantë, në këtë pjesë të punimit i është dhënë shumësit të emrave mashkullorë me mbaresat e thjeshta të mirëfillta: Ë, -E dhe -A, të cilat dalin me prirje specifikimi sipas nënfushave semantike, metodë pune kjo që i kundërvihet mjaft fuqishëm metodës në fuqi fundore/mbaresë, e cila për shkak të ngarkesës enorme të mbamendjen, në këtë punim në këtë punim konsiderohet si metodë me zbatueshmeri jo të lehtë.
Sidoqoftë, përveç kësaj risie në krerët përkatës dalin edhe risi të tjera, që u shfaqen gjatë analizave përkatëse, por megjithatë në shumë segmente mbizotërojnë konstatimet e mëparshme të njohura, prandaj edhe puna jonë nuk mund të quhet mirëfilli e tëra si risi.
Siç dihet kësaj gjinie i takojnë në mënyrë më të theksuar se në gjininë femërore, ndër të tjera, edhe një numër i konsiderueshëm i shembujve që shumësi i tyre formohet me ndërrime tingujsh, qoftë në temë, qoftë në fundore, të shkaktuara nga procesi i ashtuquajtur i metafonisë (a:e), ose edhe ai i palatalizimit, p.sh. k/q, g/gj, ll/j, ngase nga dukuria e palatalizimit janë prekur edhe disa emra me fundore të tjera si l/j, r/j/ n/j, (sidomos rasti n/j theksohet në mënyrë të veçantë prej nesh). Siç dihet kemi ndonjë përplotësim në interpretim edhe lidhur me të ashtuquajturin fenomen të ndërrimgjinisë, i cili ndodh me zgjerimin me -E të formanteve: k–q / qe, g - gj /gje, ll –j /je, formante këto që si mbaresa shumësi një mori emrash të gjinisë gramatikore mashkullore i kthejnë në atë femërore
Po nga dukuria e palatalizimit, si duket nuk ka mbetur e kursyer as fundorja n e temës së emrave të caktuar, e cila, siç do të shohim, paraqet ndërlikueshmëri të veçantë, ngase reflektohet në disa variante. N – ja, del e shndërruar ose e implikuar në –j ose n-j, -nj - inj, -enj, fenomen ky, të cilit, me sa dimë, deri tani, në rrafshin sinkronik, në gjuhësinë tonë nuk i është kushtuar asnjë trajtim i duhur studimor serioz.
Në këtë pjesë do të trajtohen, me sa dimë, për të parën herë më në hollësi, jo vetëm disa veçori që u përmenden pak më sipër, por edhe të gjithë tipat e nëntipat e emrave të gjinisë mashkullore të shqipes në bazë të regjistrimit a përfshirjes së tyre në FSHS (2002).
Përndarja është bërë mbi bazë të mbaresës përkatëse të shumësit dhe të nyjë-mbaresave të shquarsisë (njëjës e shumës), pra, duke filluar nga shumësi i emrave mashkullorë me mbaresë zero, me mbaresat e thjeshta të mirëfilltë (-ë, -e, -a) dhe me mbaresa të tjera jo të thjeshta, pa i lënë anash edhe rastet aberrante.
Këtë pjesë të veprës e kemi trajtuar në këta pesë krerë:
I. Shumësi i emrave mashkullorë me mbaresë zero.
II. Shumësi i emrave mashkullorë me mbaresat e mirëfillta.
III.Ndërrime tingujsh si rrjedhojë e zhdukjes së mbaresës –i dhe fenomeni i ndërrimgjinisë.
IV. Rreth palatalizimit të fundores –N në J/Nj..
V. Shumësi i emrave mashkullorë me formante jo të thjeshta.
Në të vërtetë, në këtë pjesë studimi po aq ose më shumë se në gjininë femërore dalin konstatime e çështje të diskutueshme brendagjinisore, por janë vënë në spikamë edhe propozime që kanë të bëjnë lidhur me thjeshtëzimin ose fuzionimin e mundshëm të tipave e të nëntipave të caktuar, prandaj nga ky këndvështrim tërheqim vëmendjen lexuesit të nderuar si dhe dashamirëve e studiuesve të gjuhës sonë që lëndën ta konsultojnë me kujdes e vëmendje të shtuar dhe natyrisht mund ose duhet të mbajnë edhe qëndrim kritik.
I. Shumësi i emrave mashkullorë
me mbaresë zero
Shumësi i emrave mashkullore me mbaresën zero, siç e ndeshim shembujt në FSHS (2002) del mjaft i larmishëm. Dallojmë disa tipa e nëntipa, të cilët, sipas karakteristikave të nyjë-mbaresave dhe të fundoreve të temës përkatëse që kanë, po i trajtojmë, në vijim, të ndarë në 18 grupe:
1) Shumësi i emrave mashkullorë me prapashtesën –S
Shembujt me këtë fundore-prapashtesë mund t’i ndajmë në dy nëngrupe: emra frymorësh dhe emra jofrymorësh:
a) Frymorët me -S, zakonisht vijnë nga prejpjesorët si emra veprues, të cilët përdoren për emërtimin e njerëzve sipas profesionit a veprimtarisë së tyre, ose ata emërtohen mbi bazë të ndonjë veçorie karakteristike të tyre, si p.sh.:
mësues-i mësues-it, shkëlqyes-i shkëlqyes-it, nxënës-i nxënës-it, matës-i matës-it, pritës-i pritës-it, shitës-i shitës-it gjetës-i gjetës-it, dorëzanës—i dorëzanës-it matës-i matës-it, zbavitës, mirënjohës etj. – numër i pakufizuar
si dhe frymorë të tjerë me prejardhje të ngjashme me kuptimësi që lidhet edhe me veprimin e tyre, si:
dhetokës-i dhetokës-it, ferrës-i ferrës-it drungrënës-i drungrënës-it, gjelujës-i gjelujës-it, halës-i halës-it, kokës-i kokës-it, futës-i futës-it, rrahës-i rrahësit, thekës-i thekës-it etj.
- numër relativisht i madh, por i kufizuar.
Siç mund të shihet, nga shembujt e mësipërm, shquarsia e tyre bëhet sipas skemës: mësues-i mësues-it, matës-i matës-it, zbërthyes-i zbërthyes-it, e kështu me radhë.
b) Po kështu me fundore-prapashtesën –S e bëjnë shumësin edhe disa emra jofrymorësh që zakonisht janë emërtime të veglave a të gjë-sendeve konkrete si p.sh.
petës-i petës-it, dhëmbës-i dhëmbës-it, fikës-i fikës-it, gurës-i gurës-it, gjumës-i gjumës-it, lyrës-i lyrës-it, rrahë-irrahësist,s, lëngës-i lëngësit, stërlëngë-i stërlëngësit, shpëlakës -i shpëlakësit, e ndonjë tjetër
- numër i kufizuar, ngase siç do të provohet më vonë, ka prirje që shembujt e tillë si emra me koncept të gjë-sendeve konkrete që shprehin, shumësin ta bëjnë me mbaresën -A.
Nga shembujt e këtij nëngrupi që sollëm kuptohet se është model i lejueshëm, por jo i favorizuar, ngase jo rrallë formon homonimi me emërtimin përkatës të frymorëve, të formuar mbi të njëjtën temë, prandaj ky raport frymor/jofrymor, pra, siç do të shohim, paraqitet si çështje e diskutueshme brendagjinisore, prandaj edhe kërkon rishikim, kur është çështja rreth ripërcaktimit të mbaresës përkatëse të shumësit, sidomos te rastet e luhatshme.
Sidoqoftë, marrë në tërësi, mbizotërojnë emrat me –S me koncept frymorësh ndaj atyre jofrymorë, të cilët (jofrymorët) gjejnë përdorim mode, sipas nënfushës semantike që mbulojnë me mbaresa a nyjë-mbaresa të tjera të specifikuara për gjininë përkatëse. Andaj edhe duhet parë mundësia e thjeshtëzimit të tyre me fuzionim të tipave a nëntipave të caktuar, madje duke i spostuar edhe subjektivisht nga grupi me mbaresë zero në atë me mbaresën përkatëse më të pështatshme për tipin e caktuar. Rastet konkrete do të përmenden më poshtë gjatë analizës.
2) Shumësi i emrave me fundore-prapashtesën –AS
Emrat me fundore-prapashtesën –AS (zakonisht prejemërorë) përfshijnë emërtimet e njerëzve sipas prejardhjes a vendbanim të tyre, si:
tiranas, elbasanas, prishtinas, bregdetas, përtejas, anas, gjilanas etj.- numër i pakufizuar.
Emrat e tillë kanë këtë zhvillim shquarsie: prishtinas-i prishtinas-it, tiranas–i tiranas-it etj.
Formanti –as për emërtimin e njeriut sipas vendbanimit a prejardhjes, paraqitet si formant i specializuar, prandaj është mirë të fuqizohet në përdorim gramatikisht, jo vetëm në ato raste kur emri përkatës i kësaj fushe semantike bart një formant të huaj të huazuar, por edhe kur emri i caktuar mbulohet me një formant vendës që paraqitet homonim me formantin e shembujve të ndonjë nënfushe tjetër semantike. Një zgjidhje e tillë lypset favorizuar sidomios në rastet kur formanti i tillë del i specifikuar për nënfushë tjetër semantike, pra jo skraparllinj, po skraparas, jo burrështetas po burrështetës, jo mirditës po mirditas, e kështu me radhë.
3) Shumësi i disa emrave me konsonant fundor
I trajtojmë si grup më vete disa emra që në njëjësin e pashquar mbarojnë me bashkëtingëllore të ndryshme në temë, të cilët, si duket, nuk paraqesin model, as për nga ndërtimi, as për nga specifikimi i nënfushës semantike, por që ashtu nga tradita i ndeshim të shënuar pa ndonjë kriter motivimi, të cilët në njëjësin e shquar marrin nyjën shquese –i, dhe shumësin e shquar e bëjnë me –it, si p.sh.
thopërç-i thopërç-it, zgjumth-i zgjumth-it, njëemërsh-i njëemërsh-it, njëshkronjësh-i njëshkronjësh-it, gjysmamendësh-i gjysmamendësh-it, megaherc-i megaherc-it, katërfaqesh-i katërfaqesh-it, shumëfaqesh-i shumëfaqesh-it, tredhëmbësh-i tredhëmbësh-it.
Po kësi zhvillimi kanë edhe pluralia tantumët: syrëz–it, eter-it, ergjëz-it e ndonjë tjetër.
Siç po shihet mbizotërojnë emrat me –sh- fundore (me prejardhje rrjedhoreje), por s’mund të thuhet se paraqesin model të konsoliduar. Gjithsesi janë raste që qëndrueshmëria e tyre mund dhe duhet të rishikohet, ngase drejtshkrueshmëria e tyre del mjaft e lëkundshme, pasi, siç u tha, nuk kanë mbështetje në ndonjë kriter që motivon, pos që te disa raste prej tyre bie në sy fundori i trajtës së rrjedhores. Ndoshta ndonjë shembull i këtij grupi mund të inkorporohet te grupet përkatëse me mbaresat e shumësit me –A ose me Ë, varësisht nga nënfusha semantike që mbulojnë a priret të mbulojnë.
4) Shumësi i disa emrave në bashkëtingëllore
me shquarsi -i-/-të karakteristike
Është edhe një grup tjetër emrash që mbarojnë me bashkëtingëllore që ne po i trajtojmë si grup më vete, ngase si karakteristikë e tyre del se në njëjësin e shquar marrin nyjën shquese –i, por në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën –të, si p.sh.:
hyj-i hyj--të, rob-i rob-të, qen-i qen-të, faqekuq-i faqekuq-të, shpendkeq-i/-shpendkeq-të, gjind-i gjind-të, fshikakuq-i fshikakuq-të, kryekuq-i kryekuq-të. këmishëkuq-i këmishkuq-të, këmishzez-i këmishazez-të, lëkuq-i lëkuq-të, lëkurëkuqi lëkurkuq-të, malazez-i malazez-të, pendakuq-i pendakuq-të, qarrazez-i/ qarrazez-të, verzakuq—i verzakuq-të, presh –i presh-të
ashtu si edhe vetëmshumësit: liq –të, dhen-/të, kukunj-të, kukujar-të.
Po kësi zhvillimi kanë edhe asnjanësit primitivë në njëjësin e shquar: mish-të, lesh-të, pastaj edhe asnjanësit prejmbiemërorë njërrokësh: të keq-të, të kuq-të, të lig-të, të madh-të, të ri-të, të zi-të.
Në të vërtetë, për hir të ngjashmërise formale që ka, këtij grupi po ia shtojmë edhe emrin: mulla mullai mulla- të; si rast i vetmuar, i cili mund të përthithë në të ardhmen edhe emrat maskara –i maskara-të si dhe budalla-i budalla-të, që në raste kjo mënyrë mbase do të dalë si trajtë më e pranueshme se maskarenj-të, budallenj-të, që janë trajta të normëzuara sot, por, siç do të shprehemi më poshtë, -nj-ja te rastet e tilla mund të cilësohet si një formant i shpifur(!).
Sidoqoftë, a kemi të bëjmë me ndikimin e asnjanësit apo jo, për këtë grup emrash, le të vlerësohet.
5) Emrat e tipit me –ët fundor në shumësin e shquar
Edhe emrat që formojnë shumësin e shquar me formantin –ËT i merenduam si grup më vete, por që ndahen në dy nëngrupe, të cilët përkojnë me tipin e asnjanësit prejfoljor me togzanoren fundore -ie, siç është shembulli: të përzier-ët:
a) Nëngrupi i parë:
amper-i amper-ët, barkplot-i barkplot-ët, lot-i lot-ët, fut –i fut-ët, rentngen-i rentngen-ët, spiker-, spiker– ët, skreper-i skreper–ët. vat-i vat-ët, volt-i volt-ët, zhul-i /ët.
Edhe për këtë nëntip mund të themi se semantikisht nuk mund të cilësohet si model i qartë, ngase nuk motivon, megjithatë në mjaft raste dihet prejardhja e tyre nga emrat e përveçëm, tipi, vatët, rentngenët, spikerët ashtu si Tahir-i Tahirët, Jetmir-i Jetmirët ose me -A, emrat e gjësendeve konkrete, si skreper skreperat, fut futat, ngjashëm si: automobil-i automobilat, çengel -i çengelat etj., pra të kalojnë tek emrat me mbaresën –A në shumës.
b) Nëgrupi i dytë:
Nipash-i nipash-ët, pirash-i pirash-ët, grupash-i grupash-ët,
shprishalesh-i shprishalesh-ët, gjumash-i gjumash/ët.
Nëngrupi i dytë dallohet nga i pari vetëm për shkak të fundores së temës fjalëformuese -ash ose -sh. Mbaresë kjo që përkon me rastet nga pika 3), por ndryshon sa i përket nyjë-mbaresës së shumësit në raportin –it ndaj –ët që ne e morëm si element dallues, por edhe për arsye se ndryshojnë edhe për nga nënfushat e ndryshme semantike që mbulojnë, sepse këtu emrat, qoftë vendës, qoftë të huazuar, janë emërtime të njerëzve sipas veprimtarisë së tyre, ndërsa atje te pika 3) zakonisht shprehin nocione termash të nënfushës së gjë-sendeve konkrete e të tjera, por në raste dallojnë edhe sa i përket formës së fundores në trajtën e shquar: Krahaso: trekëndësh-it ose më mirë trekëndëshat (emër gjë-sendi jofrymor ndaj nipash-ët (emër frymor).
6) Emrat mashkullorë me –Ë fundore në temë
Grup më vete i venduam rastet kur tema fjalëformuese në njëjësin e pashquar përfundon me -Ë, si p.sh: ballë-i ballë-t (versioni në gjininë mashkullore) po kështu del edhe emri gramujë –i gramujë-t, por më tepër fundoret e tilla dalin më të theksuar tek disa kompozita, si:
bishtgjatë-i bishtgjatë-t, faqenxirë--i faqenxirë-t, dashamirë-i dashamirë-t, fatbardhë-i fatbardhë-t, grykalarmë-i grykalarmë-t, lëkurëtrashë-i lëkurëtrashë-t, dorëzanë-i dorëzanë-t, lëkurëverdhë-i lëkurëverdhë-t, bishtgjatë –i bishtgjatë-t, bukëshkalë—bukëshkalë-t, fjalëshumë-i, fjalëshumë-t, gushëbardhë-i gushëbardhë-t, frymëzënë-i frymëzënë-t, grykëzënë i grykëzënë-t, gunëçjerrë-i gunëçjerrë-t, leshgjatë-i leshgjatë-t etj. – numër i pakufizuar.
Këtu hyjnë edhe mbiemrat e nyjshëm të emërzuar si:
i vrarë-, të vrarë-t, i mirë–i të mirë-t, i dëlirë-i -të dëlirë-t etj.
Me fjalë të tjera në këtë grupim mund të përfshihet numër i pakufizuar i shembujve të ngjashëm të gjinisë mashkullore, ku si kriter merret fundorja –Ë e temës. Pikërisht ngjashëm si ky grup, siç e kemi parë në një punim tjetër, marrin nyjë-mbaresën –të në njëjësin e shquar asnjanësit me fundoren -Ë në temë, tipi të gdhirë-t, të ftohtë-t, të verdhë-t etj.
Numri i tyre si shembuj të regjistruar në FSHS (2002) arrin në afro 50 raste.
7) Emrat me fundoren–UAJ ose –EI në temë
Edhe rastet duaj-i duaj-t, muaj-i muaj-t dhe lei lei-t, ndonëse janë në numër të vogël, për hir të dyzanorshit karakteristik që kanë në temë, i merenduam si grup më vete, të cilët po ashtu në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën –t.
8) Emrat me -RI/-NI në njëjësin e shquar dhe –TË
në shumësin e shquar
Grup më vete përbëjnë pak emra me zanore të theksuar në temë që në njëjësin e shquar marrin formantin -ri ose -ni, ndërsa në shumësin e shquar marrin –të, si p.sh.:
a) tru truri (truni) – tru-të, sy a syri (syni) – sy-të;
b) hu huni hu-të.
Janë pak shembuj, por në këtë trajtë dalin si shembuj të qëndrueshëm tradicionalisht.
9) Emrat me fundoren –ËR në temë
Një numër emrash del karakteristik se në njëjësin e pashquar kanë -ËR fundore dhe që në të shquarën marrin nyjë-mbaresën –i dhe këtë rast zhduket ë-ja para r-së në njëjësin e shquar, por shfaqet përsëri në shumësin e emërores e në rasa të tjera. Kjo është arsyeja pse shembujt e tillë i cilësuam si grup më vete. Ja shembujt:
arbër arbri arb/ër-it, çoçër –i çoçër-it, dhëmbnecër-i dhëmnecër-it, kumtër-i kumtër-it, mediokër-i mediokër-it, mjeshtër-i mjeshtër-it, pediatër-i, pediatër-it, psikiatër-i, sembër-it, shemër-it, thjeshtër-it, ungjër-it,
mbase edhe virgjër-i virgjër-it, xhindër-i xhindër-it e fjalëshkurtër –i fjalëshkurtër-it.
Dihet se në emërore me rastin e shquarsisë si në njëjës ashtu edhe në shumës -Ë-ja e togut fundor bie.
Po kjo rregull tërheq brenda grupit edhe rastin vjehërr vjehrr-i vjeh/ërr-it, d.m.th. me rr fundore.
Ç’është e vërteta, pothuajse të gjithë emrat e këtij grupi u takojnë frymorëve, zakonisht përfaqësojnë njeriun sipas veprimtarisë a përkatësisë, duke u ndarë nga emrat e nënfushave të tjera semantike që, siç do të shohim në kreun tjetër, shembujt e tillë nuk janë edhe aq pak, të cilët, edhe pse të gjinisë gramatikore mashkullore shumësin e bëjnë si emrat me –ër të gjinisë femërore(!). Sidoqoftë, kjo dukuri, tipi arb/ër-i arbrit, paraqitet si një mundësi modeli të hapët për të përthithur edhe raste të tjera të reja të kësaj nënfushe semantike, qoftë me origjinë vendëse, qoftë të huazuara, dhe gjithsesi mund të joshë të gjitha rastet që rastësisht mund ta kenë të shënuar shumësin me mbaresën –a, siç janë shembujt arbitër –i arbitra-t / arbitrit, çikërr çikrri/ çikrra-t/ çikrrit, gjindër–i gjindra-t/ gjindrit e të tjerë.
Por, sipas nesh, kur kemi të bëjmë me frymorë, siç është rasti arbitër, atëherë, vërtet, s’ka arsye që rasti i tillë mos t’i bashkëngjitet modelit të këtij grupi, me nyjë-mbaresën -it në shumës, ndërsa kur kemi të bëjmë me koncepte të gjë-sendeve konkrete mund të marrin në shumës mbaresën -A.
10) Emrat me zanore-fundoren –O në temë
Është një grup emrash të gjinisë mashkullore, kryesisht me zanafillë nga viset e Jugut dhe të folmet e disa qyteteve, me –o të patheksuar, i cili identifikohen si grup më vete, si p.sh.:
bardho-ja bardho-t, birko-ja, birko-t, çeço-ja çeço-t, dhëmbo-ja dhëmbo-t, gërxho-ja gërxho-t, gishto-ja gishto-t, laro-ja laro-t, leshko-ja leshko-t, palaço-ja palaço-t, shqipo-ja shqipo-t, vëllaçko-ja vëllaçko-t, xhaxho-ja xhaxho-t, e ndonjë tjetër,
të cilët kanë formë të ngjashme me emrat e gjinisë femërore, siç e pamë në pjesën e mëparshme, por këta funksionalisht e faktikisht lidhen me gjininë mashkullore dhe si të tillë identifikohen lehtë nga përcaktorët mashkullorë: ky këta. Prandaj emrat e tillë nuk duhen ngatërruar me shembuj vërtet të gjinisë femërore, edhe pse formalisht (njëjës e shumës) kanë zhvillim të ngjashëm.
Në të vërtetë, për hir të natyrës që mbulojnë si emra frymorësh, mendojmë se në këtë grupim duhet të përfshihen edhe këta shembuj që pa të drejtë janë shënuar në Fjalorin e shqipes së sotme (2002), me siglën f, gjojase i takojnë gjinisë femërore, siç janë:
lolo, loço, buzo, balo dhe buçko.
Në mbështetje të mendimit tonë del fakti se edhe shpjegimi i tyre po në atë burim normativ (FShS 2002) jepet me treguesit përfaqësues të gjinisë mashkullore, prandaj korrigjimi i tillë mund të bëhet pa lënë pasoja.
E thamë në fillim se emrat e tillë kryesisht kanë zanafillë ose ndikim nga viset e Jugut ose në të folmet e disa qyteteve, sepse në viset veriore sidomos te ne (në Kosovë), emrat e tillë në vend të -O-së marrin fundoren -Ë. Kjo vlen si për emrat e përgjithshëm, ashtu edhe për emrat e përveçëm të njerëzve, si p.sh larë lara larët, balë bala balët ose Kristë Krista Kristët, Ramë Rama Ramët (tosk. Kristo Kristoja Kristot, Ramo Ramoja Ramot), të cilët (trajtat me -Ë fundore) në shumës marrën fundoren Ë (zero) e jo -A.
Sidoqoftë, siç po shihet, nga dy versionet asnjë emër mashkullor me këtë formant nuk merr –të, po vetëm -t në shumësin e shquar, ngase tema nuk u mbaron me zanore të theksuar.
Sipas shembujve të regjistruar në FSHS (2002) në shqipen letrare nuk ka emra të tillë me zanoren –o të theksuar në gjininë mashkullore. Por, siç e kemi parë në pjesën e parë të punimit në gjininë femërore një grup emrash, dilnin me nyjë-mbaresën -TË, tipi metro-ja metro-të, ngase kishin zanoren -O të theksuar në temë.
11) Emrat me -E të theksuar në temë
Edhe emrat me -E të theksuar fundore në temë, si p.sh:
atashe- u atashe-të, jubile-u jubile-të, mauzole-u mauzole–të, nimfe-u nimfe-të, trafe –u trafe-të, troke-u troke të, turne-u turne-të ,
që të gjithë emra të huazuar me cilësi ndërkombëtarizmi, i merenduam si grup të veçantë, ngase në njëjës marrin nyjë-mbaresën shquese –u, ndërsa në shumësin e shquar nyjë-mbaresën –të.
12) Emrat me zanoren -I të theksuar në temë
Interesim të veçantë, madje, për ne, të jashtzëzakonshëm zgjon grupi i emrave mashkullorë me temë në zanoren –i të theksuar të burimit vendës e të huazuar që njëjësin e shquar e bëjnë me nyjën shquese –u, ndërsa në shumësin e shquar marrin nyjë-mbaresën –të, si p.sh:
gjeni-u gjeni-të, mazi-u mazi-të, thi-u thi-të,
ku mund të radhiten edhe pluria tantumët e huazuar (që mund të përdoren faktikisht edhe në numrin njëjës): janki-të, hipi-të. e të ngjashëm.
E quajtëm me interes të veçantë, të jashtëzakonshëm këtë grupim, ngase në fazat para normëzimit të tashëm paraqitej si një model fort i ngulitur dhe mosfavorizimi i një modeli të tillë për mendimin tonë u bë arbitrarisht, prandaj patjetër duhet rishikuar kjo çështje. Kështu po themi, sepse, siç na merr mendja, për shkak të trashëgimisë së vërejtshme historike dhe për hir të ekonomimit që e karakterizon sot një tip të tillë, ka mundësi me u rehabilitue plotësisht kjo gjedhe si metodë pune, madje edhe për disa tipa emrash të huazuar, përveç atyre vendës.
Pra, kërkohet që shumësi i mjaft emrave me mbaresën –NJ, me u rikthye te shembujt me mbaresë zero në shumësin e pashquar. E kemi fjalën për rastet si bari-u, haxhi-u, qiraxhi-u, kadi-u, dertli-u, sevdalli-u etj.), por lidhur me këtë më në hollësi do të bëhet fjalë në kreun IV të kësaj pjese të punimit, ku bëhet fjalë rreth raportit të mbaresave –NJ / -J.
Të vihet re se shembujt e mësipërm edhe këta të propozuarit prej nesh, i bashkon i–ja fundore e temës, nyje-mbaresa e njëjësit të shquar–u dhe ajo e shumësit të shquar –të.
13)Emrat prejmbiemërorë të paranyjëzuar
me konsonant në temë
1. Me konsonantin -T në temë
Grupim më vete radhitëm mbiemrat e nyjshëm të emërzuar me –T fundore në temë, të cilët i ndajmë në dy nëngrupe:
a) me dy bashkëtingëllore fundore në temë, si: i hekurt -i të hekurt -it, i sigurt të sigurt-it, i rregullt-i të rregullt-it e ndonjë tjetër
b) me togun -ËT ose me një bashkëtingëllore fundore në temë, si, i dobët-i të dobët-it shkathët-i të shkathët-it, i njelmët, të njelmëtit etj.
Po këtë zhvillim e kanë edhe asnjanësit e tipit: të fikët-it, të sigurt-it etj., mirëpo, kur është fjala tek asnjanësit, mbetet çështje e hapur. Dfuhet me u gjetë zgjidhja, trajta e tillë a do të mbetet homoform apo jo me trajtat e mbiemrave të emërzuar të gjinisë mashkullore apo do të parapëlqehet dallimi i shumësit të shquar të tyre në atë mënyrë që mbaresa –ËT të specifikohet për asnjanësit, tipi: të sigurtët, ndërsa ajo –IT për shumësin e mashkullorëve, tipi: të sigurtit?
2. Me konsonant tjetër në temë
Disa emra prejmbiemërore të paranyjëzuar me konsonant fundor në temë ndajmë në dy nëngrupe:
a) emrat me konsonant fundor, por të shoqëruar në trajtën e pashquar njëjës e shumës me -Ë të paqëndrueshme me rastin e shquarsisë, si p.sh.
i sotëm i sotmi të sotm-it, i tashëm i tashmi të tashm-it, i ëmbël -i të ëmbël-it, i gëzueshëm të gëzueshmit, i dobishëm i dobishmi të dobishëm të dobishmit etj. etj.
b) emra me konsonant fundor të pashoqëruar me -Ë të paqëndrueshme me rastin shquarsisë, siç janë shembujt me -ur fundor:
i lumtur- të lumturit, i bukur-i të bukurit, i mençur-i të mençurit etj – numër i konsiderueshëm.
14) Emrat prejpjesorë të paranyjëzuar me fundoren
-UET në temë
Gjithashtu grupim më vete radhitëm prejpjesorët e paranyjëzuar mbi bazë pjesoreje të shkurtër më ue, si p.sh.:
i shëmtuet –i të shëmtuet-it, i veçuet të veçuetit, (i) kryeshtruet-i të kryeshtruetit, i mbaruet -i të mbaruet-it etj. - numër i pakufizuar, kur kemi parasysh shumësinë e foljeve me –Oj kryesisht, ndonëse në letrarishten e sotme nuk dalin të normëzuar.
Si veçori dalluese te shembujt e tillë karakterizohet pikërisht nyja e përparme i në emëroren e të njëjësit (të pashquar e të shquar) si dhe atë të të shumësit të pashquar e të shquar). Të njëjtin zhvillim e kanë pothuajse të gjithë emrat prejmbiemërorë nga pika: 13, 14, 15 të këtij nënkreu..
15) Prejpjesorë të paranyjëzuar pa fundoren -Ë në temë
Për secilin tip të foljeve po i shënojmë disa shembuj:
a) nga foljet me -Oj: i veçuar-i të veçuar-it (i veçuem të veçuem-it), i zgjedhur të zgjedhurit (i zgjedhun-i të zgjedhun-it), i shikuar-i të shikuar-it (i shikuem-i të shikuem-it ose i shikuen-i të shkuen-it!) etj. -numër i pakufizuar.
b) nga foljet me -uaj: i shkruar-i të shkruar-it, i gatuar-i të gatuar-it etj.
c) nga një pjesë e foljeve në -EJ: i shkëlqyer-i të shkëlqyer-it, i përkthyer-i të përthyer-it etj.
ç) nga foljet në -iej: i zier-i të zier-it, i përzier -i të përzier-it etj.
d) nga foljet në -yej: i kryer-i të kryer-it, i përkryer-i të përkryer-it etj.
dh) nga foljet në konsonant; i prekur-i të prekur-it, i djegur-i të djegur-it etj.
Po këtë zhvillim e kanë edhe shembujt asnjanësish në njëjësin e shquar, tipi: të dëgjuar-it, të paguar-it, të prekur-it të kryer-it, të zier-it etj.
Sido që të jetë, emrat e paranyjëzuar prejmbiemërorë të përfaqësuar me shembuj karakteristikë në rrafshin sinkronik që mund të përftohen në numër të pakufizuar, meritojnë trajtim të posaçëm. Shembujt e tillë duhet të zënë vendin e duhur edhe në burimet tona normative, ngase, hë për hë, nuk dimë arsyen pse nuk e kanë.
16) Emrat me –A në njëjësin e shquar e shumësin me -t
Emrat mashkullorë që marrin nyjën shquese –a në njëjësin e shquar, duke e pasur si kriter formantin e shumësit të shquar që i karakterizon, si p.sh.
agë-a agë-t, axhë-a axhë-t, dukë-a dukë-t, gegë-a gegët-t, lalë-a lalë-t, lekë-a lekë-t, papë-a papë-t, rrahaderë –a rrahaderë-t(!) e
ndonjë tjetër, që priren të ngrehin pas vetes edhe emra të tjerë si:
babë, bacë, balë, dajë, hoxhë, lalë, toskë, xhajë, mixhë,
të cilët sipas modelit të ofruar do të marrin –a në njëjësin e shquar, mbaresë zero në shumësin e pashquar dhe –t fundore në shumësin e shquar.
17) Emrat me -A në njëjësin e shquar e shumësin me -TË
Rastet që marrin nyjën shquese -a në njëjës dhe –të në shumësin e shquar i merenduam si grup më vete, edhe pse për ne janë të diskutueshme si b.f.:
zotëri –a zotërinj/të (zotni -a zotni/të), shkëlqesi (shkëlqesi-a) shkëlqesi-të, larmadhëri, madhni-a (lartmadhëria a naltmadhnia e tij mbreti) larmadhëri-të, hirësi hirësia (e tij) hirësi/të, fortlumturi-a fortlumturi-të, hyjni-a hyjni-të, perëndi -a perënditë e ndonjë tjetër.
Si duket vetëm pse dalin të shënuar me nyje-mbaresën -A në njëjësin e shquar janë shënuar në Fjalor se kinse i takuakan gjinisë femërore(!). E thamë se e konsiderojmë rast të diskutueshëm, sepse dihet se funksionalisht emrat e tillë u përgjigjen pothuajse plotësisht personave të gjinisë mashkullore, andaj edhe këta s’ka arsye që mos të radhitën bashkë me grupin e emrave mashkullorë si më sipër (shembujt nën a)), d.m.th. që në njëjësin e shquar të marrin nyjën -a ose edhe më mirë për dallim mund të rekomandohet prirja me marrë nyjën –u si b.f. zotni zotniu zotni-të, shkëlqesi shkëlqesiu(!) shkëlqesi-të, e kështu me radhë.
Sidoqoftë, edhe kjo dukuri brendagjinisore mbetet për t’u qartësuar më mirë. Për këtë duhet me pasë parasysh faktin se treguesit e gjinisë, dalin më normalisht në gjininë mashkullore: ky këta, i tij sesa në atë femërore kjo këto, e saj, si p.sh.: shkëlqesia (zotnia hirësia, fortlumturia a shumëlumturia) e tij mbreti (kryepeshkopi, kryetari etj.). Lidhur me këtë studiuesi Thoma Dhima, ka konstatuar se:
Në shkrimet e vjetra fetare ishte e përhapur forma Perëndi i madh Këto trajta i ka edhe K. Kristoforidhi. Noli e ka Perëndi e madhe. Tradita është në formë mashkullore dhe kjo traditë mesa duket del edhe në shkrimet e sotme fetare”. (Shih Seminari 27/1, f. 217.)
Edhe te ne, në gjuhën popullore dëgjohet: Perëndia, atij i qofshim falë!, prandaj për ne del e diskutueshme trajta perëndi e regjistruar në FGJSH 2006 (f. 772) me siglën f, si emër i gjinisë femërore, ngjashëm ashtu si edhe trajta perëndeshë. Sigurisht më natyrshëm do të dilte trajta Perëndi Perëndia ose Perëndiu(!) si dhe ajo Hyjni Hyjnia ose Hyjniu(!) në gjininë mashkullore, ndërsa, Perëndeshë Perëndesha si Hyjneshë Hajnesha në gjininë femërore. Po kështu fare natyrshëm shpjegohet femërorëzimi nga gjnia paralele mashkullore Perëndi / Perëndeshë, Hyjni / Hyjneshë sikurse Mbret Mbretëreshë, e kështu me radhë
Këto janë fakte që mbështesin me të drejtë gjykimin tonë që emrat e tillë të cilësohen si emra të gjinisë mashkullore.
Së këtejmi, kërkojmë që kjo çështja të rishikohet dhe emrat e tillë të radhiten, siç u tha, në kuadër të gjininë mashkullore, ngase edhe në praktikë gjinia femërore merr tregues të tjerë. Krahaso edhe një herë rastet si p.sh. lumturia (e tij)/ f. lumturesha (e saj), m. zotnia zotni-të / f. zonjë-a zonja-t (zotnesha-t !) ose m. hyjni-a hyjnitë / f. hyjneshë-a hyjneshat, perëndi-a perënditë, perëndeshë-a perëndeshat, e kështu me radhë.
18) Emrat mashkullorë me -JE në temë
Disa emra mashkullorë si: hafije-ja hafije-t, devrije-ja devrije-t mbase edhe bej-i e bej-u bej-të (sanxhak/bej- të), e ndonjë tjetër imponojnë trajtim të posaçëm. Edhe këto raste mendojmë se më mirë kishte me qenë që të mashkullorëzohen në njëjësin e shquar me nyjën -u, siç u propozua për shembujt e mësipërm (zotni-u zotni-të): Pra me u pranue zgjidhja: hafi-u hafi-të, devri-u devri-të, ndërsa trajtat me -JE.mbesinsi trata të drejta vetëm për gjininë femërore. Sa del i nevojshëm një dallim i tillë po japim po këta dy shembuj nga vepra Orientalizmat ... e Ilaz Metajt, ku devrije (Aty f. 76) shpjegohet - patrullë, patrullim ushtarak; rojë. Edhe pse shënohet si emër i gjinisë femërore(!) kuptohet si me qenë barasvlerës sinionimikë të gjinisë mashkullore. Ndërsa hafije (f. 96) shënohet me siglën e emrit mashkullor m dhe sqrarohet me barasvlersit: spiun, spiunim. Dhe këtë rast, për mendimin tonë është vepruar mirë.
Siç po shihet me marrë logjikisht te dy këta emra sipas fushës semantike që mbulojnë, pa marrë parasysh trajtën e huazuar tranfer nga turqishtja me -JE, funksionalisht bëjnë pjesë në kuadër të emrave të gjinisë mashkullore, andaj nuk shohim kurrfarë pengese që edhe emrat në fjalë të përfshihen në grupimin e emrave të gjinisë mashkullore me mbaresë zero, tipi devri devriu devritë, hafi hafiu hafitë ose duhet t’i bashkëngjiten me konvertim formal ndonjë grupimi tjetër tashmë të njohur me mbaresën a nyjë-mbaresën përkatëse, ndërsa trajtat me –JE mbesin ashtu në kuadër të emrave femërorë.
Përmbyllje
Nga sa po shihet në 18 pikat a grupimet e mësipërme të shumësit të shquar të emrave mashkullorë me mbaresë zero, përkatësisht, sipas nyjë-mbaresave shembujt grupohen si më poshtë:
a) me nyjë-mbaresën -T, pesë nëntipa: vëllaçko-t, fjalëshumë-t, hafije-t(!), duaj-t, axhë-t;
b) me nyjë-mbaresën -ËT, një nëntip me dy nëngrupe: lot-ët, nipash-ët;
c) me nyjë-mbaresën -TË, pesë nëntipa: tru-të, hyj-të, turne-të, gjeni-të, hirësi-të;
ç) me nyjë-mbaresën IT, tetë nëntipa: nxënës-it, prishtinas-it, arbër-it, njëemërsh-it, të hekurt-it, të sotm-it, të zgjuet-it. të paguarit dhe gjashtë nëngrupe prejpjesorësh të paranyjëzuar pa zanore fundore në temë.
Sidoqoftë, nga materiali që u paraqit në këto 18 pika e 17 nënpika, dhe nga sugjerimet e interpretimet që dhamë, besojmë se lexuesi i nderuar e sidomos kuadrot e interesuar do ta kenë më të qartë se ku mund të intervenohej.e ku jo, në mënyrë që çështja e shumësit të emrave mashkullorë të thjeshtëzohet ose të kristalizohet, pa e dëmtuar strukturën përkatëse emërformuese dhe kjo për të pasur mbështetje më të ligjshme lypset ndërlidhur me nënfushat përkatëse semantike.
Sigurisht disa supozime e propozime tona do të jenë më të kompletuara sa i përket arsyes, pasi të konsultohet edhe rezultati nga analiza e shumësit të emrave mashkullorë me mbaresat e mirëfillta e të tjera dhe gjithsesi duke bërë krahasimin e duhur në raportin ndërgjinisor: mashkullor/femëror/asnjanës, temë kjo e prekur paksa në kreun I të pjesës së tretë të këtij punimi.
Së këtejmi shpresojmë se propozim-zgjidhjet përfundimtare që ofrohen prej nesh për shkak të zgjidhjeve praktike që ofrohen do të dalin më të përkapshme dhe njëherazi edhe më të pranueshme nga vetë sistemi i formëzimit të standardit të shqipes..