Kulturë
Sabile Keçmezi-Basha: Udhët e Atdheut
E merkure, 19.05.2010, 09:58 PM
Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com
UDHËT E ATDHEUT
KUR TË VISH NË PRISHTINË
Kur të vishë në Prishtinë
Dot më kërkosh në lagjen “Elitë”
Tek barnatorja “Camomili”
Do të pret Xanax-i,
dhe trete në shi,
Se rrugën për Veri do të marrim
Kur të vish në Prishtinë
Në Urën e Ibrit gjithsesi do takohemi,
Do të shohësh me sytë e tu
Se si ende pikon gjak
Mollë e Kuqe
Te Kroi i Vitakut
Do të gjezdisim me dhembjen për dore
Në Konispol do t’i puqim gjembat
Do ta thyej kafkën me grushte
Kipci i Bilall Xhaferrit
Nëpër zaja të përflakura
Do të udhëtojë për Çamëri
ROBËRI E FJETUR
Ende me mua
pi kafe robëria
dhe më bënë
pyetje pa pikëpyetje
Ndërsa në mua
ADN-ja lahet e shpërlahet
Nga mjegulla dhe pluhuri
Që i kanë mbuluar tinëzisht
Syrin nga hithrat
DIÇKA MUNGON
Atdheut dhe trupit
I mungojnë ca copa jeshile
Nata i qet gjuhën
Dhe i përqesh
Për gjymtyrët e brejtura
Shpesh i kam par
se si bisedojnë shtruar
kafka me gjymtyrët
dhe nuk dëgjojnë
muzikën gjëmuese
që zhbiron timpanin
nga kockat e rëzbitura
të Homerit dritë-pamës
LETRAT QË I SHKRUAJ
Për çdo ditë
Në letrat që i shkruaj
Më mbushen
Me pika-pika
Pastaj vej edhe kllapa
Pikëçuditjet vijën krejt në fund
Dhe më shtohen pahetueshëm
Disa pulëbardha në fluturim
Nuk e duan matematiken
As atëherë dhe as tani
Sidomos matematikën
Me tri të panjohura...
QESHJE E BUZËQESHJE
Më thua
Se duhet të buzëqeshi
Për të bërë Ty qejfin
Ehe...
E kush do t’i kamuflojë rrudhat
Në qafat e atdheut
Po gjurmët e gjakut 0-pozitiv
Cila blozë do i kamufloi
Pa më thuaj...
Lum miku
KUJTIMIN E KA KAP SKLEROZA
Kujtimin e ka kap skleroza
Dhe harruar ka sytë e atdheut
Të kaltër si malli
Shpesh i takoj në ecejake
Duke u shikuar vëngër
Kafka me qafen
Që në një kohë të pakohë
I kishte prerë
Shpatë e Demokleut
Në organo-gramin e pritjes
Askush nuk e blinte pritjen
Të kohës mjegullnajë
Arkitektura e urës dëmtohej
E Rozafa më qante në prehër
Duke e shtuar mëkimin
Në gishtat me unaza
UDHËT E ATDHEUT
Nuk i keni par mbrëmë
Se oborri i atdheut
Është shtruar me pikëpyetje
Dhe me shumë qafa
Në kornizën e kuqe
O zot
Sa shumë udhë
Sa shumë ura
Për të arritur te një
E vetme udhë
Dhe te një
E vetme urë...