Kulturë
Hajdin Morina: Poezi e temave universale dhe shumëkuptimësisë së metaforave
E enjte, 20.05.2010, 09:57 PM
POEZI E TEMAVE UNIVERSALE DHE SHUMËKUPTIMËSISË SË METAFORAVE
Din Mehmeti, “Mos vdis kur vdiset”, poezi, ndërmarrja botuese “Rilindja”, Prishtinë 2001
Nga Hajdin Morina
Emri i Din Mehmetit lidhet me prurjet më cilësore në poezinë e sotme shqipe. Është përfaqësues i brezit të poetëve të viteve ’60 të shekullit XX, të cilët me potencialin e tyre krijues, me novatorizmin dhe qasjen e re ndaj krijimit dhe komunikimit letrar bënë kthesën vendimtare në rrjedhën e zhvillimit të letërsisë sonë në përgjithësi dhe në veçanti në fushën e poezisë.
Veprat poetike të Din Mehmetit (ai kryesisht u mor dhe merret me lëvrimin e poezisë) u mirëpritën nga lexuesi i mbarë hapësirës shqiptare, po ashtu kritika letrare ka çmuar në mënyrë objektive prodhimtarinë e tij poetike. Interesimet poetike të Din Mehmetit, tematika e veprës së tij letrare qëndrojnë ngushtë të lidhura me fatin ose me dramën e njeriut tonë, me tragjedinë dhe me qëndresën e tij nëpër shtigjet e historisë, shkaktuar nga përpjekjet e tij për ta ruajtur identitetin dhe dinjitetin, tokën dhe gjuhën e vet. Autor i dhjetëra vëllimeve poetike, Dini vazhdon të shkruajë dhe të pasurojë panteonin e vlerave të poezisë sonë.
“Poezinë e Din Mehmetit e karakterizon në radhë të parë frymëzimi i sinqertë dhe përjetimi i thellë- në planin e ndjenjës dhe të emocionit dhe rrëfimi dramatik e semantika e pasur- në planin e shprehjes dhe të ekspresionit...Mund të thuhet, prandaj, se efektet e saj janë në radhë të parë efekte të brendisë, e pastaj të formës” (Agim Vinca, “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980), shtëpia botuese “Rilindja”, Prishtinë 1985, fq.156).
Strukturën gjuhësore dhe tekstore të vëllimit “Mos vdis kur vdiset” e përbëjnë poezi të përfshira në shtatë cikle poetike: Zjarri i një mendimi, Jeta ime murmurimë, Rrjedhë e bardhë, Drita ime mos u fik, Lërmë të këndoj e të vdes, Gjaku im më ruaj, Kur vdiset mos vdis. Këtyre cikleve iu paraprin poezia “Zotërat nuk pranuan të bëhen njerëz”, në të cilën trajtohet filozofia dhe praktika e moçme dhe e re e të jetuarit, raporti i pandryshuar ndërmjet njerëzve dhe “zotërave”, qofshin këta të kohëve të kaluara, qofshin të kohëve moderne. Autorin e mban shpresa, sepse, siç kumtojnë vargjet e tij: “ Zotërat u dridhën/ Por nuk pranuan të bëhen njerëz” (fq.5).
Cikli i parë “Zjarri i një mendimi” ndërtohet nga katërmbëdhjetë poezi dhe hapet me vjershën “Duke përcjellë vargun”, në të cilën autori shpreh mendimet për krijimin letrar, për misionin e vargut poetik, por shpreh edhe përkushtimin që vargun ta mbështjellë me thellësinë e mendimit dhe të figurës stilistike, me identitetin e njerëzve dhe me përvojën e tyre historike. Vargu konceptohet si reagim kundër çdo shtrembërimi në jetë:
“Të hidhesh edhe kundër
Shtrembërimit tim
Të rrish zgjuar
Të mos plakesh si unë”
Poezia “Duke përcjellë vargun”
Në këtë cikël janë përfshirë edhe disa poezi me temë nga fati ynë tragjik. Shpalimin kohëve të luftës autori e bën nëpërmjet figurës së babait, duke dhënë në gjashtë poezi tiparet karakteristike të baballarëve dhe të gjyshërve tanë. Në poezinë “Portreti i babait” autori ka krijuar portretin tradicional të luftëtarit shqiptar, duke shënjuar tipare kryesore të etnografisë sonë:
“Mbante plis të bardhë në kokë
Në prehër një çifteli
Një pushkë var në baski...
Këngëve të veta
U jepte gjak legjende”
(“Porosia e babait”, fq.17).
Në ciklin e dytë “Jeta ime murmurimë” janë përfshirë katërmbëdhjetë poezi. Sikurse cikli i parë, ky cikël hapet me një poezi ku shprehen mendimet dhe përkushtimi i autorit ndaj procesit të vështirë krijues. Në vargun e tretë të kësaj poezie gjendet sintagma “zjarri hyjnor” që është edhe titull i kësaj vjershe. Ky lloj zjarri shpërthen në shpirtin e poetit dhe figura e zjarrit simbolizon këtu nivelin artistik të vargut, pasurinë e mjeteve të shprehjes, me të cilat autori bën artin e veprës së vet. Zjarrin, si burim të jetës dhe të krijimit të veprave të ndryshme të njeriut, poeti e vendos përballë dhembjes dhe përrallës, përballë lotit dhe akullnajës së mendimit. Një përqasje e qëlluar artistike për të trajtuar krejt dramën tonë kombëtare, mbështjellë më shumë me dhembje, por edhe me besimin dhe shpresën e palëkundur për ngadhënjimin mbi terrin e robërisë. Poeti nuk ndien vetëkënaqësi. Gjakon për zgjerim të hapësirave të lirisë, për shpalosje të krejt dramës sonë, që të realizohet amaneti historik: “Një mendim gjithnjë më bën akullnajë” (fq.25).
Sintagmat ose simbolet si “zjarri i vargjeve”, “zjarri hyjnor”, “akullnaja” arrijnë të formojnë kontrast dhe shkallëzim domethënës gjatë përshkrimit të motivit, të qëllimit dhe të emocionit brenda strukturës së poezisë. Këtë funksion ideoartistik e kryejnë edhe format e metaforave-folje: të rrjedhin, kall, përmbytem, të digjem- të cilat nuk mund të lexohen vetëm si shenja që shprehin kuptimin e parë të fjalës ose të foljes që përfaqësojnë. Ndërtimin përmbajtjesor, por edhe ideor të vjershës “Në zjarrin e vargjeve” vjersha që renditet pa saj “Kur më vjen poezia”, në të cilën përshkruhen entuziazmi dhe vështirësitë gjatë krijimit letrar. Edhe në këtë vjershë autori ka shfrytëzuar funksionin estetik të disa foljeve për të përshkruar çastin e emocionit dhe për të krijuar efekte në imazhet e lexuesit. Kështu është krijuar një komunikim i qëndrueshëm i tekstit letrar me lexuesin, por ky është një komunikim artistik, sepse të njëjtat folje nuk do ta kishin të njëjtën peshë të kuptimit në ndonjë strukturë tjetër të komunikimit verbal. Në poezinë “Meditim për kohën e shkuar” autori, siç kumton nëpërmjet mënyrës së strukturimit të fjalëve, kërkon të lirohet nga gjithë ajo kohë jona e pakohë, brenda së cilës nuk jemi realizuar në shumë pikëpamje, por jemi dërrmuar nga shkaku i mosorganizimit, nga inatet, nga veset e trashëguara dhe nga idhujt e rrejshëm.
Cikli i tertë “Rrjedhë e bardhë” ndërtohet prej nëntë poezish, të cilat krijojnë një peizazh natyror dhe fiktiv, por në funksion të realizimit të ëndrrave dhe të mendimeve që ka shprehur poeti në pjesë të tjera të vëllimit “Mos vdis kur vdiset”. Sidoqoftë, nëntë vjershat e këtij cikli kanë krijuar një lirikë më shpresëdhënëse dhe te lexuesi ndodh një shtendosje, një çlirim emocional. Kështu, në baladën “Drini i Bardhë dhe Drini i Zi” gërshetohet mirë në strukturën ritmike të poezisë rrjedha mijëra vjeçe e dy Drinëve të Shqipërisë dhe rrjedha mijëra vjeçe e fatit tonë kombëtar e njerëzor. Shpjegimi i fjalëve të vendosura në organizimin tekstor të vjershës, por edhe shumëkuptimësia e tyre, e krijuar gjatë ndërtimit të imazheve nga lexuesi, lidhet me kujtimet e poetit për të djeshmen historike dhe me shpresën për një jetë më të dinjitetshme gjithandej nga rrjedhin Drini i Bardhë dhe Drini i Zi:
“Rrjedhin me valëza drite
Nëpër shtratin e përgjakur të një legjende...
Ju lutem më merrni edhe mua
E më shpini atje ku bashkoheni ju”
(“Drini i Bardhë dhe Drini i Zi”, fq.42)
Janë bashkuar në poezi rrjedha e ujit dhe rrjedha e jetës si dy cikle të pambarim të Universit, krahas ritmit të kategorive të tjera që mundësojnë zhvillimin e jetës.
Në poezinë “Peizazh” autori u kthehet sërish, pas kaq vjetësh që shkuan, fjalëve të tij të preferuara, metaforave të vendlindjes, siç janë: bjeshkët e larta, kënga e largët e bariut, ligjërimi i fyellit, por ky përshkrim i jetës idile në këtë poezi nuk i ngushton hapësirat e peizazheve dhe hapësirat e interesimeve tematike të poetit Din Mehmeti. Ai tashmë nuk u këndon vetëm shkrepave të vendlindjes, vetëm kullave historike të Dukagjinit të tij të dhembshëm dhe të përmallshëm. Poeti ndërton në vargje ëndrra dhe hapësira që nuk kanë fund, sepse bukuria, liria dhe madhështia e jetës kanë përmasa të pamatshme dhe shpesh të paarritshme.
Ciki i katërt “Drita ime mos u fik” përfshin shtatëmbëdhjetë poezi. Frymëzimet dhe motivet për këto poezi poeti i ka marrë nga konteksti shoqëror dhe historik, nga lufta e fundit në Kosovë. Autori ka gdhendur në këtë cikël poetik emocionin që shkakton lufta, ndjenjën që ka shkaktuar shkatërrimi vandal i makinerisë vrastare serbe që vret qytetin:
“Qyteti vritej egërsisht
Hëna e gërvishtur nga dhembja
Derdhte lot mbi të”
(“Qyteti i vrarë”, fq.55).
Poezia “Qyteti i vrarë” përfundon me vargun “Ajrit i vinte era gjak”. Kjo mund të konceptohet si përgjigje e poetit, nëse ndokush e pyet se si e ka përjetuar luftën dhe ç’pamje ka pasur qyteti i Gjakovës gjatë muajve prill, maj, qershor 1999, data këto të shënuara në fund të shumicës së poezive të këtij cikli. Poezia “Jetëshkrumb” përfundon me vargun që ndërtohet nga një fjalë e vetme: “Jetëshkrumb” dhe në fund të poezisë autori ka shkruar: “Gjakovë, maj
Cikli i pestë “Lërmë të këndoj e të vdes” ndërtohet prej dhjetë poezish, në të cilat përshkruhet entuziazmi i krijuesit për lirinë e sapolindur. Autori ka zgjedhur fjalë të rralla, epitete të bukura për lirinë, për njerëzit dhe për hapësirën që ka përjetuar lirinë e pritur mijëra vjet. Liria është konceptuar në këto vargje si një figurë letrare që lëviz dhe është pjesë e pandashme e shpirtit njerëzor dhe e peizazhit të natyrës. Liria në këto vargje është ëndërr drite, duhi shpirti, fjalë gjaku, zjarr kënge, dritare e hapur kah dielli dhe e çelur kah rruga kryesore, lulëzim i ri, kaltri dhe rreze, sytë i ka plot pranvera, plot shtigje zogjsh. Të gjitha këto simbole dhe epitete shumëkuptimore autori i ka strukturuar në vargjet e poezisë “Liria”. Një entuziazëm i tillë poetik trajtohet edhe në poezinë “Unë e liria”, ku poeti përshkruan emocionin e takimit me lirinë, për të cilën, siç thotë vetë, “brohorit dhe vdes nga lotët e gëzimit, vdes e lind sa herë të dojë”.
Poezia “Qerimi” zbërthen një emocion shumë të ndjeshëm dhe fatin e studentit të autorit, Qerimit, i cili në luftë ka humbur dorën e djathtë:
“Qerimi erdhi përsëri
Në Shkollën e Lartë
U ul në bankën e tretë
Ku rrinte zakonisht...
Në luftë la dorën e djathtë
Tash provonte të merrte shënim me të majtën
S’i shkonte djersitej
Ngrihej ulej e çka s’bënte...”
(Poezia “Qerimi”, fq.78)
Asi lexoi këtë poezi në orën letrare të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, në vitin 2000, autori dhe Qerimi u përqafuan para pjesëmarrësve, të cilët u kapluan nga një emocion i papritur kur Qerimi hoqi protezën për të treguar “cungun e mbetur të dorës”
Cikli i gjashtë “Gjaku im më ruaj” ka pesëmbëdhjetë poezi. Në këto poezi autori shpreh revoltën e tij kundër formave të ndryshme të veprimeve të këqija ose të zvetënimit moral të jetës bashkëkohore. Përmbajtja e këtyre vjershave, nënteksti dhe mesazhi i tyre zbërthehet lehtë edhe nga vetë titujt e tyre, siç janë: “Njeriu i revoltuar”, “Inati”, “Gjaku i zi”, “Frikë”, “Dimër i akullt”, “Dielli më verbon”, “Lisi i pyllit tim”, “Gjaku im më ruaj” etj. Epilog i këtij ambienti letrar është poezia “Le të bie shi”, më e realizuara artistikisht e këtij cikli, përmbajtja dhe ideja e së cilës ndërtohet nëpërmjet një rigjetjeje origjinale fjalësh, nëpërmjet një ritmi që te lexuesi krijon imazhin e ritmit të shiut, pas të cilit natyra ripërtërihet:
“Le të bie në emër të jetës
Rrëke le të bie
Gjol le të bëhet dherave
Të mos vdesim nga ndyrësirat”
(Poezia “Le të bie shi”, fq.103).
Cikli i shtatë dhe i fundit i vëllimit poetik “Mos vdis kur vdiset” titullohet “Kur vdiset mos vdis” dhe ka vetëm një poezi me titullin “Mos vdis kur vdiset”. Kjo poezi e ka pasur vendin në fillim të vëllimit, por, siç duket, autori e ka vënë me qëllim në fund, për të komunikuar më mirë me lexuesin, duke përsëritur titullin, për të përforcuar idenë që të mos vdiset kur vdiset.
Fati ynë tragjik nëpër shekuj, fati i njeriut tonë, për të cilin ka shkruar Din Mehmeti që nga vëllimi i parë poetik “Në krahët e shkrepave” (1961) si dhe zhvillimi i proceseve historike për zgjidhjen e çështjes sonë të Kombit dhe të Lirisë vazhdimisht kanë kërkuar dhe kërkojnë që të mos vdiset kur vdiset, por të vdiset kur nuk jetohet, kur ndërtohet, kur krijohet diçka nga gjërat e mëdha që kemi projektuar gjatë shekujve.