E merkure, 30.04.2025, 08:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Neçaj: Fasliu, personazhi i romanit të Xhuvanit

E hene, 24.05.2010, 09:58 PM


FASLIU , PERSONAZHI I ROMANIT TË XHUVANIT

 

(23 maj përvjetori i lindjes së shkrimtarit Dhimitër Xhuvani)

 

Nga Gjon NEÇAJ

 

Në vitet 70-të të shekullit të kaluar,shkrimtarët dhe artistët me një vendim të qeverisë së atëhershme ishin shpërndarë në bazë për të qënë sa më afër realitetit socialist.Sapo kishte filluar kolektivizimi i bujqësisë, e Dhimitër Xhuvani,atëbotë 32 vjeçar merr rrugëtmin drejt veriut,drejt Tropojës,pak të njohur nga krijuesit.E ai “ngulet” në një krahinë të largët,në një fshat rrëzë Shkëlzenit të krahinës së Gashit,në Berbat…

E bash aty zënë fill ngjarjet e romanit “Shtegu i bardhë” i  botuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në vitin 1976.

Një ditë pranvere të këtij viti,në bibliotekën publike takojmë pikërisht njërin nga personazhet kryesorë realë,që në libër njihet Martin Bukalla,alias Fasli Osmaj.Fasliu me dashmirësi pranoi të bisedojmë rreth romanit dhe autorit,Dhimtër Xhuvani,të cilin e admironte dhe i kishte mbetur peng i jetës që s’ishin takuar tjetër.Dhimitri,atëherë ishte djalë i ri edhe ai,në moshën e personazheve të tij realë.

Me Fasliun bëmë një intervistë të shkurtër,ku ai pranoi me kënaqësi.

Si ju kujtohet shkrimtari   i  ri Dhimitër Xhuvani !

Fasliu- Ishte vjeshtë e vitit 1970,e unë atë kohë isha 25 vjeç e shkoja me bagëti të koopetativës bujqësore.Një natë, kur kthehem   në shtëpi,gjejë një mysafir disi të veçantë.Prindërit,babai dhe nëna më thanë se është një shkrimtar e  mysafiri ka ardhur nga Tirana e do rrijë nja një javë se do shkruajnë në gazeta për kooperativën,për Berbatin…

Si e kujtoni Dhimitrin kur u takuat për here të pare në odën e kullës suaj ?

Fasliu- Ishte një djalë nja 30 e ca vjeç,i veshur me një xhup,pantallona të trashë dhe çizme,se bënte ftohtë.kishte edhe një shall që e mbështillte rreth qafës.Me një herë hyri në muhabet me mua ,duke më pyetur për fshatin,kooperativën,bagëtinë.Pas darke më tha se ti qënke personazh interesant për t’u future në librin tim…

Sa ditë qëndroi në shtëpinë tuaj dhe ç”bënte gjatë ditës Dhimitri ?

Fasliu- Zgjohej në mëngjes herët,pinte kafe me babain,të cilat na i bënte gati nëna,qëndronte deri në ora 10.00 duke shkruar në sobën e burrave që ia kishim lëshuar atij dhe pasi hante mëngjes,dilte në fshat,vinte tek stanet,apo takonte bashkëfshatarët, të cilët u bënë personazhet e veprës së tij.Ai shpesh i thoshte babait ,se është gjynah për djalin që nuk ka vazhduar shkollë…Ai kishte një çantë meshini,ku mbante blloqe dhe fletore,lapsa,stilograf dhe shkruante po thuaj  çdo natë deri në orët e vona.

Unë ruaj shumë kujtime nga Dhimitri,por dua të rikujtoj njërën prej tyre që ne na bëri përshtypje në ato vite.Nëna ime,ndjesë pastë,ziente kunguj, se vjeshtë ishte , e ajo i pastronte me lugë duku u hequr copave të ziera,pjesën e sipërme me fara.Ai mirrte farat dhe i qëronte dhe i hante, e i drejtohej nënës : “- Loke,kanë më shumë kalori 4-5 fara se krejt kungulli.”

Ose një kujtim tjetër: në kohën kur ishte aty Dhimitri,unë u rrëzova një ditë pas dhive,shenjë që e kam ende sot ( tregon këmbën me shenjën e atëhershme),e kur shkova në shtëpi,ai për t’më larguar sadopak dhimbjet ,tha: “Fasli,një fjalë popullore nga anët tuaja,thotë “përpara shëndoshesh se martohesh”…

A jeni takuar herë tjetër me shkrimtarin Dhimitër Xhuvani ?

Fasliu- Jo,fatkeqësisht nuk jam takuar,veçse kur  u botua romani në vitin 1976,na dërgoi një kopje të tij.Kur e lexova u befasova se Martin Bukalla ngjasonte me mua dhe personazhi i tij ishte real.Bile,ai më pati thënë  kur ishte te ne se unë në libër isha Martin Bukalla.E kur e pyeta pse nuk shkruan emrat e vërtetë,ai qeshi e tha: “Martin, ( m’u drejtua me emrin e personazhit ),ke bërë edhe prapësi me Sutën ( personazh i romanit ), e nuk duhet ta dinë cili është Martini…Tha këto fjalë e qeshi me të madhe.Vetëm Hamdi Berbatin e kam shkruar me emrin e vertetë.

E unë kujtoj edhe tani pas shumë e shumë vitesh,tashmë  gjysh 65 vjeçar ,e Dhimitri që nuk jeton më ( ndjesë pastë !),se çka shkruante në faqet e librit.Citoj romanin: Zëri i Martinit që u ngroh nga zjarri e rakia,u ngrit lart e përseriti refrenin :

Jam ma i vogli çoban dhish,

nuk i di hallet e shpisë…

 

-Dhe Martini që s’përtonte as të kërcente ,as të këndonte,s’priti që t’i thoshin dy herë,po ia nisi :

Bardh” e butë po del te sana,

Sa ‘i Martin vithet e gjana…”

 

Kur jam informuar nepërmjet televizorit për vdekjen e Dhimitrit,jo vetëm unë,por krejt familja kemi qajt sikur të ishte  i afërm i yni.Ai ishte dhe mbetet një nga shkrimtarët më të shquar,se gjithë jetën ka shkruar realitetin,ndaj edhe e pësoi për shumë kohë duke punuar si punëtor krahu kantiereve.,e mbyll bisedën e tij disi të veçantë personazhi real i romanit “Shtegu i. bardhë” të shkrimtarit Dhimitër Xhuvani.

E në kujtim të Dhimitrit,në përvjetorin e lindjes së tij,shkruam këto radhë disi të veçanta,fjalë të dala nga zemra e një personazhi të tij,spiktaur me mjeshtëri tash 30 e ca vite,në moshën e pjekurisë së tij artistike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx