E merkure, 30.04.2025, 12:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Çerkin Ismaili: Poezi vlerash të larta edukative dhe mësimore

E shtune, 29.05.2010, 06:37 PM


Çerkin Ismaili

 

Recension

 

Poezi vlerash të larta edukative dhe  mësimore

 

Nexhmi Dibrani, Karnavalet e ligatinës,(poezi për fëmijë), Prishtinë, 2010

 

Ndonëse, bukur i thyer në moshë, poeti për fëmijë, Nexhmi Dibrani më tepër e parapëlqen ta quajnë mësues veteran se poet. E tërë jeta dhe karriera e Nexhmi Dibranit si mësues dhe dashuria e tij për fëmijët e shkollën e kanë nxitur që në pleqëri të shkruajë poezi dedikuar fëmijëve.Dibrani, në vëllimin e  vjershave  për fëmijë “ Karnalavi i ligatinës” dëshmon se sa  ka arritur mësuesi poet të hyjë në botën ndjenjore dhe ëndrrimtare të fëmijës.

Bota ndjenjore e fëmijës në këtë vëllim me vjersha duket shumë më komplekse , shumë më e nyjëtuar dhe e gërshetuar emocionalisht se sa duket si e rëndomtë në vështrimin e parë. Personazhet e këtij vëllimi me poezi, kryesisht, janë marrë nga bota shtazore të cilën fëmijët tanë e njohin vetëm përmes udhëpërshkrimeve dhe reportazheve televizive nga xhunglat e Amerikës Latine, Afrikës, Azisë e gjetiu.Autori jo vetëm del njohës i shkëlqyer i faunës së egër, por përmes njohjes nga afër të veçorive të tyre fizike, natyrës së veprimeve të tyre , sjelljes,ambientit ku jetojnë, florës dhe oronimisë ku gjëllijnë ka paraqitur me sukses edhe veset, maniret, tiparet, karakteret e tj. të tyre, gjithnjë duke gjetur ngjashmëri me botën ndjenjore, karakterin e virtytet e njerëzve.

Ndryshe nga autorët tjerë që përpiqen që fëmijëve t’u paraqesin botën e egër shtazore çfare vërtetë nuk është, Nexhmi Dibrani sikur parapëlqen  të jetë sa  më konkret dhe sa  më bindës  me vargun e tij, duke paraqitur në mënyrë realiste  natyrën  dhe veset e botës së egër shtazore ashtu si i ëndërron dhe përcepton fëmija.

Duke vërejtur dinakërinë e egërsirave të xhunglave dhe ligatinave përreth Amazonës, prej nga e ka nxjerrë tematikën e shumicës së vjershave, Nexhmi Dibrani duke u përpjekur ta paraqesë dinakërinë dhe egërsinë e bishave sikur aludon në dinakërinë  dhe egërsinë e njeriut. Të gjitha personazhet nga bota e egërsirave , që trajton Dibrani janë dinakë. Të gjithë dalin të pangopur dhe si të tillë të gjithë janë gënjeshtarë, përtacë, injorantë, intrigantë e së fundit edhe vrasës. Është meritë e poetit Nexhmi Dibrani se karakteret dhe veset e personazheve të tij  i zbulon nga vetërrëfimet e tyre. Mburracakëria, gënjeshtra ,ankimet, prirjet për dominim mbi rrethin e vet që i zbulon në unin e personazheve të veta janë vese edhe të njeriut, të cilat i sheh dita- ditës poeti.Duke gjykuar botën e egërsiarave, poeti gjykon njeriun që në përditshmërinë e jetës së tij, jo rrallë, manifeston  prirje  të ngjashme devijante me ato të egërsiarave . Kësisoji, personazhet e librit “Karanavalet e ligatinës” janë paraqitur dhe strukturuar pa ndonjë kolorit të veçantë, sipas skemës   bardh- zi.Në anën e të zezës poeti ka rreshtuar personazhet që aspirojnë dhunën, të keqen e hipokrizinë, ndërsa me të bardhën ka paraqitur , poashtu një botë shtazore  të egër, por më të “qyetetëruar”, siç janë bizoni, kaprolli, drenusha , zebra e tj.,  që pësojnë nga personazhet negativë, siç janë luani, tigri, ariu, ujku, jaguari, krokodili e tj. Këto personazhe, megjithëse jetojnë në një ambient të përbashkët, paraqesin dy botëra të kundërta  karakteresh, që në poezinë e Dibranit shfaqen si një lloj lufte midis të mirës dhe të keqes, midis të urtës dhe dhunës, midis naivitetit dhe dinakërisë. Ngadhnjimi, në instancën e fundit, fare i logjikshëm dhe i natyrshëm i të mirës mbi të keqen dhe  i filantropisë mbi mizantropinë janë mesazhet  fundamentale me të cilat poeti mëton që vjersha e tij t’i arrijë efektet edukative , gjithnjë duke gjetur në personalitetin dhe karakterin e fëmijës përkrahjen humanitare mbi harmoninë dhe lumturinë në jetë.

Përveç karakterit edukativ, poeti përpiqet që poezive të tij t’u japë edhe karakter mësimor.Lexuesit të vet i ofron njohuri solide nga mësimet e gjeografisë dhe zoologjisë, duke përmendur një sërë toponimesh gjeografike. Fëmijët njihen me një glosar të panjohur të vendeve të panjohura për te si:oazë, savanë, shkretirë xhungël, Afrikë, Rio, Nil, Evropë, Sharr, Bjeshkë të Nemuana, , Siberi e tj.Gjatë tipizimit të personazheve , poeti ka paraqitur edhe portretin fizik të personazheve , për shembëll , kengurin e paraqet me barkun si thes, krokodilin me lëkurën që shndrit, panterën me gëzof që e lakmojnë zonjat e Londrës, bizonin  me brirë të mprehtë, drenushën me këmbë të lehta e tj.

Metafora, krahasimi, personifikimi e  simboli janë mjetet kryesore të shprehjes poetike që ka përdorur autori. Rimat tradicionale të tipit  ab:ab, apo rima e alternuar janë rimat më të preferuara  të poetit, por shpesh e hasim edhe rimën e përputhur të tipit aa: bb dhe rimën e kryqëzuar të tipit a:bb:a..Vargjet më të preferuara janë tetërrokshi dhe dhjetërrokshi. Në disa poezi e hasim edhe dymbëdhjetëtërrokshin.Gjuha  e autorit është e pastër dhe në harmoni me kulturën gjuhësore të lexuesve që u dedikohet.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx