E diele, 28.04.2024, 08:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi për fëmijë nga Nexhmi Dibrani

E shtune, 29.05.2010, 04:49 PM


Nexhmi Dibrani u lind në vitin l944 në fshatin Revuç të Llapit. Skollën fillore e mbaroi në Kërpimeh, kurse shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Sapo mbaroi shkollën normale nisi të punojë si mësues, profesion ky i cili e joshi që nga rinia dhe nga i cili nuk u nda kurrë deri sa u pensionua, Është lexues i pasionuar, hulumtues dhe mbledhës i sentencave dhe arkaizmave të shqipes.

Përveç këtij vëllimi me poezi dedikuar fëmijëve ka botuar edhe vëllimin me poezi “Zemra e mësuesit”në vitin 2009  .

 Është i pensionuar dhe jeton në Prishtinë. Kryesisht shkruan poezi për fëmijë.

 

Autori: Nexhmi Dibrani

Titulli:Karnavali i ligatinës

Prishtinë, 2010

 

Redaktor: Shqipe Hasani

Recensues: Çerkin Ismaili

Redaktimi gjuhësor: Autori

Ballina : Bujar Fazliu, dizajner libri

Ilustrimet: Faton Muçolli, piktor

Botues:Shtëpia Botuese: “Fahri Fazliu”, Kastriot

Shtypi: Shrypshkronja: “Lena Grafik”

 

 

GJURMËVE TË FËMIJËRISË

 

Kur ju dua juve

E dua veten

E dua jetën.

 

E, dua të kthehem

Edhe njëherë në fëmijëri

Ashtu i varfër si isha,

Por me dashuri.

 

Gjurmëve të fëmijërisë

Si të kthehem edhe njëherë

Misërnikës së kuqe

Në sofër t’i marr erë.

 

Plisin e zhubrosur t’bablokut

Ta shohë në derë të shtëpisë

Dhe qengjin manar me delet

Duke pirë sisë.

 

Nënëloken ta shoh shend e verë

Carrokët duke i pritur në derë

Kur i rriste pa bukë e me urata

Me lutjen e fundit të ikte nata .

 

 

ËNDËRR PLEQËRISHTE

 

Nga Albaniku te Molla e Kuqe

E kam parë ëndërr Kosovën nuse

Malet e fushat hedhur në vallzim

Krojet e kthjellta  që rrjedhin në burim.

 

 

Nga Molla e Kuqe deri në Preshevë

Një zë kushtrimi më thërret pa u shterë

Kthehet e thehet zëri jehonë në Toplicë

Ëndërr e bukur, ëndërr e pleqërisë

 

Jehon kënga e ëndrrës deri në Filat

Kënga e djegur që djeg Çamërinë

Vejnë e mblidhen krushqit në Berat

Në dasmën e madhe të quajtur BASHKIM.

 

 

NATYRA

 

Sa fort mallëngjehem

Kur kthehem në natyrë

Dhe rinohem

Kur shoh fushat e malet

E lumin pasqyrë.

 

O,sa shumë përtëritem

Kur dëgjoj jehonën

Nëpër shkrepa

Të baladës së harruar

Që këndonte baresha .

 

Veshët më oshtijnë

Akoma si melodi fyelli

Në mesditën me vapë

Kur përvëlon dielli.

 

Dita soset si dikur pas sukës

Me rrezet e arta

Dielli në përendim

Kthehuni natyrës

Si ajrit e bukës

Nëse doni rini

Deri në amshim.

 

 

FESTA E SHTATË MARSIT

 

Sot jemi gëzuar, festë ka  shkolla

Është stolisur me flamurë

Fëmijët shëndosh si mollat

Vrapojnë me librat në duar.

 

Shkolla jonë sot po feston

Fëmijët e mësuesit tok hedhin valle

Një ditë e re gjithkund po agon

Djem e çupa  vrapojnë si sorkadhe.

 

Të kërrusur vinë mësuesit veteranë

Të plakur, në bastun mbahen

Sa të qeshur e të gëzuar janë

Nga lotët e gëzimit nuk përmbahen.

 

 Me lule vinë buqetat

Puthjet e ngrohta valë

Uratat e përqafimet

Sot nuk kanë të ndalë.

 

 

ËNDRRA E GËZIMIT

 

Një ëndërr të bukur

Mbrëmë Gëzimi ka pa

Sikur nga  qielli

Një Abetare kish ra.

 

Bashkë me Abetaren

Kish ra çokolata

Dhe një çupë e bukur

Me flokë të gjata.

 

Në ëndërr qeshte Gëzimii

Me fytyrën nur-

Në ëndërr Abetaren

Lexonte si burrë.

 

Flij ,Gëzimii im

Nëna uronte

Dimali mbylli sytë

Dhe prapë-

Diç të bukur ëndërronte.

 

 

ERMALI DHE BRESHKA

 

Te dajat në Zabel

Ka shkuar Ermali

Natën nëpër terr

Hipur në kali...

 

Me veti kishte marrë

Qenin  Cub Cubel

Që sapo arritën

I humbi në zabel.

 

Vrap pas Cub Cubelit

Ermali hyri në mal

Si kofini pas të vjelit

Më s’dinte të dalë.

 

Dhe pa menduar

Takoi një breshkë

Që ngjitej ngadalë

Për të hyrë në vreshtë.

 

E verdhë breshka

Samarin  argjend

-Mirë se më gjete

O shoku jem.

 

Më ndihmo, syprush

Ta kaloj këtë kodër

Të ngopem me rrush

Pastaj më bëj lodër.

 

Kaluan kodrën me breshkën

Bashkë hyrën në vreshtë

U ngopën  me rrush

Dhe morën nga një vesh

 

Kur n’qiell doli hëna

Ermali të qajë nisi

-Do merakoset nëna,

Tha mbështetur  për lisi .

 

E kam humbur rrugën

Nuk di të dal-

Si nuk paska asfallt

Askund nëpër mal.

 

Mos u merakos çapkën

Breshka  zuri e  qeshi

Unë të mësoj  si nëna

Fati kështu e deshi.

 

Atje në fund të zabelit

Shihen dritat në katund

Ndille Cub Cubelin

Rrugën dot s’ta humbë...

 

 

GËZIMI E KARKALECI

 

Në lumin e e dajave

Në fund të katundit

Gëzimi u la –

Thoshte jam trim

Nuk di për të qa.

 

Nuk frikohem nga ujku

As nga ariu-

Trim jam si bujku

Si frigohem veriut.

 

U bëfsh trim si zana

M’ka uruar nëna!...

 

Nuk ia di  frikën

As natës me terr

As dhelprës në kotec

As iriqit në ferrë.

 

Nuk trembem nga lepuri

Që fle në kaçuba

As nga pushkët e gjutarëve

Që dalin si cubat.

 

Në qafë pa pandehur 

I kërceu një karkalec

Gëzimit trim i nxehur

Hunda iu bë spec..

 

-Mbahu, trim o burrë,

I kish  thënë Vigani

Me kësi trimash kurrë

Nuk krenohet vatani.

 

Kurrë nga karkaleci

S’ka vdekur njeri

Mos u mburr, o trim

Pa treguar trimëri.

 

 

HARABELI DEMBELI

 

Prej hijes në ograjë

Fluturoi harabeli

Shkoi dhe u bë

Nxënës i  klasës së parë

Në klasë të mësues Hamitit

Ngeli dembeli

Me të gjitha njësha

Rreshtuar në ditar.

 

Harabel dembeli

Në klasë të parë ngeli

Veç tri germa ia mësoi alfabetit-

Cërr, cërr duke qarë

Iu kthye zabelit

Në fllad të hijes

Në pikë të të nxehtit.

 

Pse s’e kanë ngrehur

Shkollën në zabel

Nën hije t’i kryeja

Detyrat me zell?

 

Ose pse mësuesi

Nuk vjen në ograjë

T’ma mësojë alfabetin

Nisi të qajë...

 

Por mësues Hamiti

I ka vënë  kusht

Gjithë alfabetin

Ta mësojë deri në gusht

 

Harabel dembeli

U kthye prapë krenar

Në shtator  kaloi

Klasën e parë.

 

 

GOMARICA TOROLLAKE

 

I donte muhabetet

Gomarica torollake

Tymoste cigaren

Dhe pinte kafe:

 

Me duhan e tymoste

Kërriçin e vogël

Që s’ish’ më i madh

Veç sa një gogël.

 

-Kërriçi im do rritet

Do bëhet burrë-

Gomarçe mendoi  torollakja

U shtri nën shkurrë.

 

Kur i jepte kërriçit

Duhan me llullë

Me ëndrra të këqia

E bënte buall.

 

Kërriçi nuk rritej,

S’bëhej dot gomar

Prej duhanit i  gjori

S’u rrit për samar.

 

Doli dhe pranvera

E s’hante dot bar:

Në gjoks i ndiente dhyembje

Kollitej si gomar.

 

Kështu gomarica

Ia punoi  të birit

Me kokën gomarçe

Kjo torollake

-Biri im i bukur

Ka mësysh prej syrit-

Dhe vazhdon t’i japë

Prapë duhan  e  kafe.

 

 

GOMARI MINISTËR

 

Ishte mërzitur gomari

Duke ngrënë ferra

Tha do bëhem dhe unë

Sikur shtazët tjera.

 

Nuk shkohet jeta

Me samar në shpinë

Me barrë të rëndë

Që kurrizin thyen.

 

I lodhur gomari

U nis në pazar

Në qendër të qytetit

Të blejë litar

 

-Do varem tha,

Gomari i inatosur

Se vuajtja ime

Nuk paska të sosur.

 

Por shpejt u pendua

Në vete gomari

Tash del pranvera

E rritet bari.

 

Në vend të litarit

Bleu një kapistër

Në zgjedhjet e para

Do bëhem ministër.

 

Si gravatë kapistrën

E lidhi në qafë

Prej gëzimit bërtiti

Gomari i ngratë.

 

Gomarisht shumë

Gomari bërtiti

Dhe aty për aty

E dënoi polici...

 

Me një qind kile miell

 Ngarkuar në samar

Gomarin e gjorë

E dënuan në pazar

 

Prapë me  shpresë

U nis gomari

Do të dalë pranvera 

E do ngopem me bari

 

I ngarkuar gomari

Nxori jargët shkumë

Prej Tërllabuqit

Deri në fshatin Sumë .

 

 

IRIQI NË KRYE TË VENDIT

 

Një të diele  iriqi

Në ferrë ishte  mërzitur

Kish dalur t’shëtiste

Fund e krye katundit

Takoi shumë miq

Të ri e të rrëzbitur

Dhe musafir shkoi

Në odë të xha Lumit.

 

Muhabetet nisën

Shumë me lezet

Miqët e vjetër

Pa romuze fare

Mikpritje iriqit

Si është adet

Dhe fjalët e ëmbla

Krejt  ashiqare.

 

-Si ia kaloni , or mik

Nisi muhabeti,

Ndërsa pas  kafes

Erdhi sherbeti-

 

Fjollë shkoi

Tymi i duhanit kaçak

E me tym erdhi

Rakia në bardak.

 

Iriqin  këmbëkryq

Burrë në krye të vendit

Rakia e nxeu

Dhe e bëri  tapë

U ngatërrua  në bisedë

E humbi rendin

Ditën në mesditë

Tash e quante natë...

 

-Ai yll mbi pyll

Sa mirë po shëndritë

Natën e errët

Po ma bën dritë!

 

-Ndal veten, or mik,

Butësisht tha xha Lumi,

Ditës s’i thonë natë

I gjithë katundi.

 

Mori veten iriqi

Pas fjalëve të xha Lumit

Si të dalë prej odës

Vetëm dhe një herë

Të shkoj në kaçubë

E t’ia kërcas gjumit

Nuk qenkam për sixhade,

Qenkam për ferrë.

 

 

KALI I NILIT

 

Në breg të lumit i mërzitur

Kali i Nilit kish dalë

Një të diele me diell

Pak për t’u rrezitur

 

Por në shpinë e sëmbonin

Me mija miza

Duke dridhë tokën

Shkoi te piramida!

 

As Keopsi nuk ishte

Më i madh se unë

Tha Kali i Nilit

Duke nxjerrë shkumë.

 

Pse ai të ketë

Këtu vend të nderit:

Në piramidë

E jo në fund të ferrit!

 

Nga dita e sotme

Do bëhem  faraon

Me urdhëresa të rrepta

Mbret në fron.

 

Nga dita e sotme

Do ta lë Nilin

Me veshë piramidën

Si Anteu do ta dridhi.

 

Do ta dridh piramidën

Si Anteu tokën

Unë i shenjti i Nilit

Do ta sundoj botën.

 

 

ANKIMET E XHIRAFËS

 

Me  qafë të hollë

Dhe  këmbë të gjata

Në një cep të savanës

Ankohet xhirafa.

 

Pa e ngopur barkun

Shëtis në gjithë savanën

Me ëndrra të blerta

Për barin e sanën.

 

Këmbët e mallkuara

Më ngatërrohen n’ kaçuba

Kur m’vardisen luanët

E çartur si cubat.

 

E qafa e shkretë

Më mbetet vjerrë në degë

Kur vinë çakajt e jargitur

Jetën më bëhet skëterrë.

 

Kështu ankohet xhirafa,

Por kush s’i vë veshin

Gjithkush mbret në vete

Është në savanë

Të gjithë egërsisht

E ushqejnë vesin-

Janë kanibalë

Shoqishojnë e hanë.

 

 

SAMITI I SAVANËS

 

Në brigje të Amazonës

Në një ligatinë

Të gjitha shtazët e egra

Së bashku rrinë...

 

Muhabetet shkojnë mirë

Bashkë hanë e pinë

Për hasmëri të vjetra

Asnjë nuk dinë...

 

Një ditë prej ditësh

Foli bizoni-

Me zë të trashë

Si mbreti prej fronit.

 

-Më dëgjoni ju shtazë

Që hani bar-

Për samit të ligatinës

Unë jam kryetar!

 

Me armiqët  mishngrënës

Do t’lidhim miqësi

Të kësaj toke janë

Edhe ata të zi.

 

Me zemër në xhungël

Do t’u njohim mbretërinë

Sojit  mishngrënës

Me gjithë ligatinë.

 

Të jetojmë të ndara

Ne me këmbëtt thundërake

Nën  putrat e tyre -

Më s’paguajmë haraqe.

 

Me naze u kollit

Foli bualli plak:

-S’dua paqe me bishat

Unë do të marr hak...

 

Vjet ma coptuan djalin

Në mes të savanës

Pa faj ishte i mjeri,

I merrte erë sanës...

 

Foli zebra lazdrane

Që shikohej në pasqyrë:

-Nuk ia vlen jeta

Të kalohet mynxyrë.

 

Sa fëmijë m’i vrau

Ah, tigresha plakë;

Pak ta djeg ligatinën

Me prush e me flakë...

 

Elefant babaloku

Që po hante bar-

Asnjë fjale në savanë

Nuk ia kishte varë!

 

Për mua le të kallet 

Krejt ligatina

Me bari jeshil

Sivjet u ngiva.

 

Mos e merrni punën

Fort me furi

Për luftë me bisha

Duhen mëndja e  truri.

 

Për luftë me bishat mbretër

Pak punë bëjnë  brirët e vjetër.

 

Nën dhëmbë të moçëm

Kanë dhëmbë të ri

Pa dhëmbë të mprehtë

S’ bëjnë dot mbretëri!

 

Me zë të trashë

Rinoçeronti  foli

Mu sikur mbretërit

Nga Akropoli:

 

-Duhet të keni

Shtat sikur unë,

T’u njihni bishave

Zakonin e vjetër

Vetëm një vesh

Unë kur e lëkund

Të trishta ikin

Në xhunglën tjetër.

 

-Mos shit trimëri,

Or elefant,

Shtati yt vigan

Nuk është për front!

 

Të mbajnë si skllavin

Të hipin në shpinë

Bjeshkëve  të shëtisin

Lidhur me zingjirë.

 

Me atë feqkë të gjatë

Që e ke si zorrë

Nuk mund ta trembësh

Nga shpina një sorrë.

 

Krejt punët e luftës

M’i lini mua

Jam trim i madh

E bëj si dua!

 

Po më mori malli

Të ngopem me  sanë

Asnjërin të gjallë

S’u lë në savanë

 

Tash dua të jem

Në krye të fronit

Pushtet pa kufij

i rinoçerontit...

 

Të gjitha shtazët në samit

Gjatë duartrokitën

Gazela e lepuri

Të parët ikën.

 

Këmbët e lehta ,

Faqja e bardhë

U kthyen vetimthi

Prej nga kanë ardhë.

 

Vallë, ku mbeti

E mjera drenushë

Kërkon kaprollin

Në mal e fushë.

 

Në xhungël brirët

Iu kanë ngatërruar të gjorit

Kot kërkon ndihmë

Në gojë të gjaksorit!

 

Si dashnore e dhembshme

Qanë kjo vejushë

Prej shkrepi në shkrep

Prej bjeshke në fushë.

 

Derdhë drenusha e mjerë

Shumë lotë kaprolli

Kërkon dashurinë

Si dikur Amori...

 

-Mos qaj mori bijë,

Tha bukuroshja zebër

Ndoshta dashurinë

S’e ke me gjithë zemër

 

Në savanë ka

Sa të duash kaproj-

Dashuria me kaprollin

Për ty mbaroi.

 

Nuk mundi të flasë

Miushi i ngrati

Pa protokol, tha,

Po mbahet debati

 

Mori shumë turr

E hyri në sanë

Për këtu s’kam kaçik

Tha, unë i ngrati!

 

Këtu dominueka

Ligji i të fortit

Me dhëmbë e brirë

Nxjerrin flakë të mortit.

 

Këtu qenka vet

Skëterra e të dobëtit

Të ri vdesin të gjithë

Në savanë pa u plakë.

Ngadalë kuvendi

Prej rendit doli

U bërlyk njëherë

Bizoni plak dhe  foli.

 

Grreu dheun me këmbë

Dhe u bërlyk pak

-Me këta brirë të gjithëve

Ju laj me gjak!

 

Fjalët e mia

Këtu janë me kanun

Janë fjalë burri

Kur vendos unë.

 

Në krye të kuvendit

Fjalët s’ndahen në dysh

Nuk janë fjalë viçi

Nuk kthiz si këlysh!

 

Pa e vërejtur kush

Dhelpra kish ardhë

Prej Siberie si zonjë

Me gëzof të bardhë.

 

Fjalës së bizonit

Shumë i duartrokiti

Sharmi dhelpërak

Nur në savanë ndriti...

 

Dhel?ërisht ia nisi

Të flasë me naze

Dinakërisht si spiunit

I shkëlqyen sytë

Shikonte qiellin,

Ndonjë lejlek taze

Nuk dinte rrenës

Më parë nga t’ia nisë.

 

Për hirësinë tuaj

Zotëri bizon

Nga Siberia

Kam ardhur pa përtesë

Për mbretërinë tuaj

Dhe mbretin në fron

Jam mike juaja 

Me shpirt e me besë...

 

-Spiune e përkryer jam

Sikur Mata Hari

Në xhungël kam hyrë

Për nderin tuaj

Kemi lidhur paqe

Lirisht kullotni bari

Zebra e drenusha,

Ju, bizonë e buaj...

 

Sikur ju edhe bishat

Po bëjnë kuvend

Për kokë të lejlekëve

Nuk është rren

Të gjithëve troq

Do t’u ftojnë në kongres

Të lidhet paqja

Me besa besë...

 

Për këto shërbime

Unë kërkoj shpagim

Kudo në botë

Paguhet spiuni-

Një gjel a biban

Nuk bëhet nami

Por, kujdes, or miq

Mos të dëgjojë katundi...

 

Ose në savanë

Kur të nis samiti

Ftoni dhe shpezët

Të gjitha me rend

Le të vijnë gjelat

Kokëlartë nga Haiti

Thuani në savanë

Po  bëhet gazmend.

 

Nëse ju trima

S’i plotësoni këto kushte

Si dinake që jam,

S’garantoj konfidencë,

Spiune e dyfisht jam

Komuniste e kuqe

Përfundoj dhelpra

Në këtë konferencë.

 

Për ndryshe shkoj

Te babai mbret

Në xhunglën e dendur

E me shumë hije

Si princezën mbreti

Në këmbë më prêt

Për samit tuajin

I duhen shumë die.

 

E dëgjoi xhirafa 

Dhe  të flasë nisi

Në savanë të gjitha,

Jemi vegjetare

Nuk po di, moj bijë

çfarë e ke fisin

Nëse je spiune,

O Zot, dalësh fare!

 

Nëse  ha lejlekun

Tradhton dhe bizonin

Se besoj se të këqiat

I lë për fytyrë

Për hatër të miqësisë

S’e ndërron zakonin

Jetën e tjerëve

E do mynxyrë...

 

Dëgjo, mori bushtër

Tha bualli nga pusi

Tek po flladitej

Në një baltak-

Unë këtu jam Zot,

S’është lejleku as kënduesi

Bishat e xhunglës

I laj në gjak!

 

Ndaj, unë i gjallë

S’lëviz dot nga trualli

Foli dhe tërfati

Nga baltaku bualli

 

Mbreti i xhunglës

Kur të dojë le të vijë

-Vërr!- s’më bën syri

Mirë e ta dijë...

 

A e ka harruar

Vëllaun tim, hero

Me thundra si gurë

E shkeli në gushë

T’i fus brirët në bark

Mos harro-

Mbret i përjetshëm

Do jem në këtë fushë.

 

-Eu, të pastë motra ,

Tha dhelpra dinake

Për hatër timin

Bizonin përgjake .

 

I përbaltur bual

Doli në log

Me karrierist bizonin

Nuk kam dialog.

 

I fyer bizoni

Doli në dyluftim

As fort frigacak

As fort si trim.

 

-Mos të përgjakemi

O more vëlla

Edhe unë si ti

Veç bari ha!

 

Lufta me vëllaun,

Nuk të bën trim

S’është koha t’i lëmë

Fëmijët jetimë.

 

-Ndalnu , o trima

Thirri  fort drenusha

Me luanë e tigra

Na u mbush fusha!

 

-Shtazët e  savanës

Të lemeritura  ikën

O buall trimoshi

Gatitu për plojë,

Kopenë e bishave

Asnjë s’e pritën-

Jo, zonja dhelpër

Lufta s’ është lojë.

 

 

E nisi bualli

Ikën me të katra

Sa ishte ditë

Mos ta zërë nata-

 

Natën  savana

Është shumë e pa besë

Në kope bishash

Nuk mbahet  shpresë.

 

 

KONGRESI I LIGATINËS

 

Me gjuhë të nxjerra

Ishin shtrirë bishat

Disa shkëlqenin në rreze,

Tjerat nervoze

Flenin në hije lisash .

 

-I gjithë  mundi

Sot  na shkoi kot

Nisi ankimet

E para  tigresha-

Këlyshët e mi

Po qajnë me lot

Pas saj u ankua

Edhe nënë mbretëresha .

 

Vjeshtë e mbrapshtë

Sivjet na doli-

Një muaj që s’kërkuam

Asnjë thelë kaprolli...

 

Për kokë të drenushës

U betua tigri plak

Do ta ndez krejt fushën

Ose do të marr hak.

 

-Nuk lejoj  ashtu

Të ma luaj bualli

Me mua të tallet

Bizoni kryeneq

Për t’u majmur

Unë u jap truallin

O zot, pse jam lindur

Kaq soj fatkeq...

 

Si nuk pati mëshirë

Bile një drenushë

Për këlyshët e mi

Të bëhet kurban

Si s’iu ngatërruan këmbët

Duke ikur në fushë

 

Bukuroshja zebër

Krejt ashiqare

Qeshet me mua

Dhe luan hajgare.

 

Në bark po më gërryejnë

Uria e  inati

Për fajin tënd

O mbret  leshgjati

 

Për mëkatet tona

O mbret rezili

Për dështim tonin

Tash dëgjoi Brazili.

 

 

KARNAVALET NË LIGATINË

 

-Ta humbësh një betejë

S’e ke humbur luftën-

Tha luan mbreti

Duke lëmuar gushën.

 

Mos u dëshproni

O fisi im

Gjithmonë nga brenda

Pushtohet kalaja

Zonjën dhelpër

E kemi për ngushllim

Gjithë savanën

Do ta zë hataja !

 

Unë propozoj tash

Ta nisim një kongres

Bishat e botës

Tok t’i bashkojmë

Me dinakëri,

Pa shpirt e pa besë,

Savanën së bashku

Tok ta pushtojmë.

 

Për kongres tashmë

Kemi kompjuterin

Postën  elektronike me internet

Tashmë nuk na duhet

Si dikur  postieri

Për tri ditë bishat

Arrijnë në kongres.

 

Nisja e shkruaj

Ti çatall miku

Dërgoje mesazhin

Kah Antarktiku-

 

Ariun e bardhë ftoje me besë

Nder e imazh ka për kongres:

 

Mik i pa njohur

Me gëzof të bardhë

Me shpirt xhungla

Në kongres të fton

Vendin  nderit

E ke në radhën e parë

Afër mbretit do ulesh në fron.

 

Valle e argëtim

Do ketë në ligatinë

Si në Rio -

Do të bëhet karnavali

Kaproj, drenusha

Dhe zebra dotë vijnë

Dhe ti do t’i prijsh

Valles i pari.

 

Në ligatinë do të  njohësh

Edhe të tjerë miq

Që në ëndrra të bardhë

Për natë të shohin

Zebrën e drenushën

Gomarin me kërriq

Që mezi  presin

Në ligatinë të të shohin.

 

 

*    *      *

 

-Mos  harro, thirre

Edhe ujk cuklanin

Anashkaloje pisin

Ujkun e Siberisë-

Mjafton të përfaqësohet

Me te Ballkani

Me ndonjë hijenë

 Të Nigerisë:

 

Eja, or vëllaçko

Mezi po të pres

Në ligatinë kemi gosti

Dhe maskaradë

Të përshëndet

Vetë babai mbret

Do kemi mish qengji

Mjaltë dhe omlet.

 

Gjumin në pallat

Në një cep mali

Do ta bësh pranë

Mikut tonë kali.

 

Hirësia jote

Juri karnavali

Për valle sutash

Aromë portokalli.

 

Nuk din si është

Ligatina gjatë territ

Sa shkëlqen bukur

Lëkura e krokodilit

Për zonja të rënda

Është lëkura e panterit

Në qendër të Londrës

Në pallate të Pikadillit.

 

           

*     *    *

 

-Kinën e Indinë

Honkongun me Himalaje

Do t’i përfaqësojë

Ndonjë bishë mortaje.

 

  *     *      *     

-Në Australi thirre kengurin

Me barkun lëshuar që e ka  si thes-

Soj yni s’është, ai farë burri;

Budalla si është, vjen ose vdes:

 

Të përshëndesim

Mik nga Australia

Të na vijsh mik në aheng-

Në maskaradë jehojnë

Kitara e boriat

Për ardhjen tuaj

Mbesim me brengë.

 

Me balet modern

Do festojë ligatina

Eja,or mik

Në festival karnavali

Me bijat tuaja

Trup balerinash-

Me këngë e valle Rion e kallim:

 

*     *     *

 

-Mos harro, çakall

Shkruaj edhe Afrikës

Për Kalin e Nilit

Mesazh të qartë-

Ta mashtrojmë budallain

Në pikë të ditës

Me shumë dredhi

Ta luajmë këtë kartë.

 

 

I majmë dhe i trashë

Me peshë dy- tre tonë

E gjithë xhungla

Do të ngopet me  mish-

Mos u merakosni,

Ndoshta do të vonojë

Në lumenj e oqeane

Ka rrugë trefish:

 

Or i shenjti Kalë

 I Nilit të Afrikës

Mbreti i Amazonës

Shumë të përshëndet

Të vijsh n’ ligatinë

Në pikë të ditës

Në daç nëpër ajër

Tokë ose det.

 

Në Amazonë do kemi

Sivjet dasmë të madhe

Pak politikë

Dialog në kongres

Për ty kam kositur

Bar në luadhe

Shumë alga deti

Dhe tagji me thes.

 

Pas kongresit

Vemi në festival

Aty takohemi

Edhe  me të tjerë mbretër

Sheh si hedhen

Vallet në karnaval

Eja mik, e njihe

Edhe një botë tjetër.

 

 

 *    *    *

 

-Nga Evropa

Të gjitha bishat le  të vijnë

Me fis e farë

Jemi një gjak-

Hamë drekë në xhungël

Darkë n’ligatinë

Dhe muhabete

Bëjmë për merak.

 

*   *   *

 

Priti gjatë i përgjumur

Foli aligatori

Mos bëj hile ,

O babai mbret

Fisi im

Nuk është kurrfarë hori

Përse nuk ftohet

Edhe ai në kongres?!

 

 

Pse nuk e ftuat

Gjarpër Pitonin

Pse injoroni

Boan e gjatë?

Anakondën e verdhë

Për mbret të fronit

Nisi të ankohet

Krokodilli i ngratë.

 

Në Amazonë po ngordhim urie

Gati jemi të dalim faret-

Nuk vinë më ndihma

Si dikur prej mbretërie

Me sojin tim

Mos bëni hajgare!

 

Me minj e breshka

Nuk mbahet shpirti

Për një mëz zebre

Goja po më thahet

Savana e mallkuar

Tash ma njeh flirtin

Tok pinë ujë bashkë

Asnjë nuk ndahet.

 

Edhe unë po digjem

I gjallë për një sutë

Po fëmijët e mi

Janë bërë dembelë

Foli mbreti ngadal

Pak si me të butë

Gjithë ditën flenë

Gjatojnë nëpë terr.

 

Për në fund

Prapë mërmëriti mbreti

Ndërsa  në faqe

E lëpinte mbretëresha

Në ditën e diel

Do mbahet kongresi

Këtu vendos unë

Se kështu e desha .

 

 

ARIU PLAK VETË RA NË LAK

 

Në ditën e premte

Heret nga Antartiku

U nis me një thes

Plot peshk të ngrirë

Ariu i bardhë

Te luan miku-

Në vapë të Brazilit

Më bëjnë mirë.

 

Me një varkë ariu

Mbërriti në Londër.

Për në Rio

U nis me avion-

Në brigje të Amazonës

Budallai zbriti

Pa pandehur rrëshqiti

Ra  në kanion.

 

Mirë se erdhe o mik,

Nervoz  tha Pitoni,

Tek pushonte rrotull

Në fund të humnerës,

Këtu është trulli im

Këtu e kam fronin

Kush  vjen këtu

Vetë gjen skëterrën.

 

 

Tash po kuptoj

O gjarpër i verdhë

Unë qenkam për akull

Jo për verë

 

Tash u bëm një

U shkri Antartiku,

Janë rrena globale

Ore lum miku!

 

Trastën kam mbushur

Plot peshk të ngrirë,

Kam piranë edhe sardele

Por, ti mik

Po më dukesh më i mirë

Me gëzof të bardhë

Tamam  sikur dele.

 

Xhungla me lisa

Krejt u përgjak

Luftë  e ashpër

Në fund të honit

Ariu i bardhë

Keq ra në lak

Dhe përfundoi

Në strofull të Pitonit.

 

 

UJKU TEBDIL NË KONGRES

 

Të shtunën u nis ujk cuklani

Krejt tebdil

Me gëzofin gri

Shajkaqë e kryq

Me  ikona Ballkani

Me mendjen prishur

Me  shpirt të zi.

 

Në Athinë e mori

Edhe  motrën dhelpër

Me gëzof të zi

Si dashi me lesh

Madrid i priste

Edhe  ujku tjetër

U nisën n’Brazil

Shkuan në Bangladesh.

 

Heret të dielen

Mbërritën në xhungël

Në fron i priti

Vetë baba mbret-

Vetë erdhët

O ju kokëkunguj

Në xhungël ujqit

Shpesh bëhen desh.

 

 

Unë kam gabuar,

Ti ke mëshirë

Shërbëtor yti jam

O baba mbret,

Ujku i  Ballkanit

Nisi me të mirë

Krejt Ballkanin

E kam lënë shkret!

 

Në Ballkan s’kam lënë

Asnjë kokë deleje

Asnjë kali

Më atje  s’hingëllinë-

Nuk gjenden dhi,

Asnjë bisht pele

Me ushtrinë time

Të gjitha i grimë.

 

Atje në Ballkan

Kam veç një armik

Që sundon i vetëm

Në bjeshkë të Sharrit

Sa më shpejt, baba

Më duhet të ik

S’e lë dot bjeshkën

Në gojë të të marrit.

 

 

Në Bjeshkë të Nemuna

Pushon qetë arusha

Si ty  në xhungël

S’di t’i ngihet gusha.

 

Ka  bërë mbretëri

Kështu sikur ti

I mban nën kontroll

 Kosovë  e Serbi...

 

Ariu i murrmë

Me zë të keq

Me fis e me farë

M’u ka bërë dreq

 

Gjumash  dembel

Mish qengjash ha

Denbabaden mbret

Njëqin shpella i ka .

 

Mos më rrëfe rrena

O ujk cuklani

Me dhëmbë kërcëlloi

Jaguari i zi

Këtu i thonë xhungël

Më xhungël se Ballkani

Për një minutë

Ujku u bë thërmi.

 

 

KUSH PËSON MËSON

 

Kenguri i vogël

Ka hapur internetin

Larg në Sidnej,

Në një mbrëmje  vonë -

Vrapoi tek e ëma

Që kishte fjetur

Teksa motrat lazdrane

Luanin n’saksafon.

 

-Zgjohu mama

Thirri voglushi

Nga Brazili nënë

Kemi një “imel”

Tashmë nënë jemi dikushi-

Nxito të nisemi, nënë

Tash nëpër terr.

 

Mbreti na ka ftuar

Në xhngla të Amazonës

Thot se atje

Do bëhet dasmë-

Në të kthyer, nënë

Vizitojmë Arizonën

Ngopemi me sanë

Më nuk hamë kashtë.

 

Motrat e dëgjuan

Voglushin kengur

Edhe ne,atje

Do hedhim valle -

Shkëmb më shkëmb

E gur më gur

Do të vallzojmë tok

Me motrat sorkadhe.

 

Ngrehu mama

Mos na bëj hile

Babai mbret

Do t’i paguajë biletat-

Do vallzojmë n’savanë

Si na ka hije

Dhe do na quajnë

Kenguret këmbëlehta.

 

Atje do gjejmë

Bukuroshën zebër

Konakun do ta kemi

Te bukuroshja drenushë

I kemi për kokë

I kemi për zemër

Duan paqe si ne

Nuk duan luftë.

 

 

Pritni more fëmijë

Lutej nëna

Tok me babain

Bashkë do të vendosim

Tash është terr

Nuk shndritë as hëna

Na ka djegur tambli

Tash i fryjmë kosit.

 

Fëmijët iu lutën

Dhe babait kengur

Të fluturojmë, babi

Në Rio nga Sidnei

N’Amazonë këmba, o bij

Mos na shkeltë kurrë

Kush hyn në xhungël

I gjallë s’do kthejë.

 

Shumë të ligjë

Ka në atë mbretëri

Luanë e tigra

Jaguari i zi-

Krokodilë të shëmtuar

Shumë ka Amazona

Ka gjarpërinj të tmerrshëm

Pitonë e Anakonda.

 

Krejt me xhungla

Rrethohet lumi

Larg janë qytetet,

Larg është katundi

Kurrë nuk ka shkelur

Këmba e njeriut

E rëndë është jeta

Edhe  për trup të ariut.

 

Atje është mbretëri

Me zemër gur

Nuk kanë stemë

Nuk kanë as flamur

Nuk kanë nder

S’kanë besë as kurorë

Një stinë ka viti

Kurrë nuk bie borë.

 

I vogël isha

Kur më ftuan në kongres

Në Pirineje,

Diku në Evropë –

Ujku e dhelpra

Ma luajtën me të pa besë

Me dredhi e lajka

Më hodhën në gropë.

 

Prandaj, më dëgjoni,

O bijt e mi-

Kurrë me bisha

Mos zini miqësi,

Në jetë vlen një zakon-

Kush pëson njëherë

Për gjithmonë mëson.

 

 

KALI I NILIT S’ËSHTË BANDILLI

 

Shkuan  “imel-at”

Deri  në deltë të Nilit

Në adresë të kalit plak-

Të adresuara nga Brazili

Dhe të shkruara krejt me gjak.

 

Fjalët e para  luani i nisë

Fjalët e ëmbla çatalli i sosë

Me dashuri dhelpra i qëndisë

Hipur në lis panteri i vulosë .

 

Të kemi mik për kokë të mikut

Ore, i Nilit kryezot –

Në kongres të na vijë bandilli

Të na rrojë për jetë e mot.

 

Ore mik ta marrsha të keqen

Shkruan tigresha me dredhi

Në xhunglën tonë shijoje jetën

Mos u digj i gjallë në shkreti.

 

-Eja pra, ti i shenjti kali

Ne të presim në Amazonë

Det e fusha, nuk ka male

Parajsë xhungle këtu i thonë.

 

I lexoi kali “imel-at”

Me të madhe qesh me letrën

Të madh e paskan sherrin derrat

Këta të zi e shkretojnë bjeshkën.

 

Në breg të lumit del të rrezitet

Lavdi Zotit që m’dha shëndetin

Shikon hartën nis t’mërzitet

Kali i Nilit hap internetin.

 

Nis e shkruan në adresë të luanit

Për imtësira, kali pyet-

Jeni shtet apo farë klani

Në xhunglën tuaj

Nuk e  lë kryet?!

 

A thua është larg Brazili,

Amazona ku derdhet në det,

A veron atje krokodili,

A ka ligj a ka pushtet?

 

Si të arrij  në atë mbretëri

Sy më sy me luanë, a rri

A e gjej kushëririn kali

Në shesh të savanës që ha bari?

 

A e takoj tezën zebër

Që pantera e ka për zemër.

A mund ta has  mikun bizon

Brirë mpreht e trim për fron?

 

Falemnderit luan mbreti

Në “imel”shkruan Kali i Nilit

Dashuria diku treti-

-Nuk jam unë kurrëfarë bandilli.

 

Nuk kam trup të hedhem në valle

Nuk e di ç’është maskarada-

Në Afrikë kemi tjera halle

Përreth Nilit bëhet parada...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora