E diele, 28.04.2024, 03:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Vullnet Mato

E diele, 30.05.2010, 03:46 PM


Vullnet Mato

 

 

VALLËZIM ME PULËBARDHAT

 

(Në kujtim të atyre që humbën jetën për emigrim)

 

Te brigjet përballë

arritën anijet

me refugjatë të alivanosur

nga asfiksia e ngjeshjes.

Ditë me radhë

Adriatiku pas tyre,

përkundte kufoma

në vallëzimin e vdekjes.

 

Nënat ëndërronin

dasmat, pasuritë...

Teksa dhëndurët e rinj

mes dallgëve strukur,

vallëzonin me pulëbardhat

që u çukitnin sytë

dhe grindeshin

kush të rrëmbente

sytë më të bukur...

 

O nëna, të mjera,

që do të vajtoni

edhe shumë vite !

Nuk ka det

që ua mbush atë zbrazëtirë .

Por edhe t’i ngjallnit

me lotët e dhimbjes,

ata prapë do të orvateshin

për jetë më të mirë...

 

 

KUR ZEMRA KRIJON ZEMRËN

 

Zemra e dashuruar nga bota e femrës

krijoi një zemër tjetër brenda në trup

dhe ndjeu befas trokitjen e re të zemrës,

Trok! - truk! ... Trok! - truk !...

 

Jeta e saj krijoi thelbin e një tjetër jete,

që filloi të trupëzohet si kokërr frut,

dhe ndjeu të rrahin dy dallgë në det,

Trok! - truk! ... Trok! - truk !...

 

Gëzimi i saj arriti majat e kulmit,

Shpirti i këndon me volumin në fund.

Kambana e artë bie në kambanoren e trupit,

Trok! - truk! ... Trok! - truk !...

 

Nëna ndriçon natën me sytë e qeshur.

Mjedisin e sheh të lulëzuar gjithkund.

Hapat i hedh me ritmin e ri të zemrës,

Trok! - truk! ... Trok! - truk !...

 

Gjaku i bëhet nektar nëpër vëna,

të ushqej ëmbëlsisht zemrën e butë,

që rritet çdo çast nga rrahjet e veta,

Trok! - truk! ... Trok! - truk !...

 

O njerëz, hapni udhën me përnderim!

Kalon shtatzëna me dy jetë në trup!

Sjell për ne zëra gazmor e gjallërim,

sjell të nesërmen tonë më të bukur!...

 

Nëntë muaj nëna me durimin kulmor,

përkund krijesën që noton te placenta.

Ai rritet në shtratin e qiellit ujor,

dhe kërkon dalje duke gjuajtur me shkelma.

 

Vjen dhe çasti kur me britmat e lindjes

të katër muret përqark i tund me hare.

Pastaj bebja ndez dy yjet e tij në qiell

dhe thërret “Uaaa! Uaaa!” gjer në re.

 

Thotë: “Uaaa” solla pranverën te shpirti,

ndaj kohën tuaj ma falni ta kem për vete.

Diellin e dua të perëndoj e të lindi

aq herë sa fle e zgjohem me etje.

 

Nëna i përgjërohet përditë e përnatë,

zemrën e saj e bën shtrat të zemrës së tij,

që bebja të arrijë degët e lisit të lartë,

për ta zgjatur degën fisnore në përjetësi...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora