E shtune, 27.04.2024, 10:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Ku e lash llafin?

E hene, 31.05.2010, 02:21 PM


Që të mos jeni martirë të sfilitur të kohës dehuni papushim, me verë, poezi, virtyt; si të doni

Baudelaire                                                                                                     

 

KU E LASH LLAFIN?

 

Tregim nga Luan Çipi

 

            Skënder Malo Kalemi ishte me origjinë nga fshati Borsh i Sarandës, po lindur e rritur në Vlorë, buzë detit, aty në Ujin e Ftohtë, sa kalon Tunelin. Kishte qenë punëtor tek italiani Roberto Alegro, që ndërtoi distilerinë “Skënderbeu”. Në kohën e Luftës Antifashiste u bë partizan  Brigadës se pestë e pas Çlirimit drejtor në disa ndërmarrje e miniera të vendit. Së fundi, erdhi në NISh Prodhime të Ndryshme Vlorë. Këtu patëm fat të njihemi e të punojmë për shumë vjet bashkërisht.

            Mund të thuash, pa mëdyshje, se Skënderi ishte një burrë i hijshëm, me një goxha trup, fort i shoqërueshëm dhe qejfli për çdo gjë të mirë në botë. Dy pasionet e tij të hershme ishin gjahu dhe gratë. Për të ishin thurur ngjarje nga më fantastiket, lidhur me trimëritë dhe dinakëritë e tij prej gjuetari të suksesshëm për shpendët dhe kafshët e egra. Shumë ndodhi ka, sidomos, për gjuetinë e derrit të egër, në ndihmë të udhëheqjes, në Karaburun të Vlorës. Ndërsa për aventurat e shumta të dashurive me gratë më të kolme liberale të kohës, po të mos qe Hirushja, gruaja e tij e mirë, po shumë xheloze, ato do të ishin bërë legjendare. Ajo e mbante të tërhequr si me kapistall këtë “hamshor race”.

Një ndër shokët e tij të ngushtë dhe i njëjtë në disa nga tabiatet ishte Sheme Beqiri dhe ky me origjinë nga Borshi, ish-partizan, ish-major i kundërzbulimit shqiptar në Itali e Zvicër, por i “djegur” për makinacione të spiunazheve të huaja. Për meritat e tij të shumta inteligjente në zbulim ai nuk mund të hidhej poshtë. Ata të qendrës vetëm sa e kishin kthyer në Atdhe dhe e kishin caktuar drejtor të Ndërmarrjes Ushqimore në qytetin e Vlorës. Këtu përfshihej dhe Kantina e Verë-Rakisë te Pusi i Mezinit. Edhe Shemja kishte hobitë e tij: rakinë, dhe këtu puqeshin me Skënderin, poezinë dhe motoçiklizmin. Asnjëherë nuk e kishim parë të lëvizte në qytet me autoveturën e ndërmarrjes dhe shoferin e tij, por gjithnjë me një motoçikletë italiane “Xhilera”, që i kishte levat e marshit te serbatori. Ndofta, zanati i tij i vjetër e kishte mësuar të lëvizte pa kontroll.

            Dy-tri herë në javë Shemja vinte në ndërmarrjen tonë dhe kërkonte Skënderin. Merrnin meze mishi dhe shkonin e pinin në Kantinën e Verë-Rakisë. Mezenë ua përgatiste me merak Koço Lloci, tekniku ynë i Punishtes së Sallamit, që i nxirrte llokmat e mishit nga shkrirja e dhjamit, për llogari të kursimit të rrezes së prodhimit, kinse pa e dëmtuar shtetin, çka i jepte të drejtën të dispononte personalisht për to.

            Një ditë, kur procesi i shkrirjes se dhjamit po vonohej, ata u detyruan të prisnin në zyrën e drejtorit. Për variacion, që të prishnin tablonë e përhershme monotone çift, meqë bashkë do të ishin edhe më pas, duke pirë gjithë natën, më thërritën edhe mua. Kjo u bë fare lehtë, se zyra ime ishte ngjitur dhe lajmërimi bëhej nga vendi, duke i rënë dy herë rresht murit që na ndante.

            Po fliste Skënder Kalemi. Ai trajtonte gjithnjë një nga të dy motivet e parapëlqyera: gjahun ose seksin dhe, kur ishte mundësia, i plekste të dyja. Bash në çastin kur biseda kishte arritur pjesën kulmore të një tregimi interesant, bie zilja e telefonit të drejtorit. Receptorin e ngriti vetë Skënderi…

            - Urdhëro, shoku Ministër! (Instinktivisht Skënderi ngrihet më këmbë dhe ashtu e vazhdon bashkëbisedimin). Po, po, ju kuptoj. Si urdhëron, shoku Ministër. Po, po, kemi marrë masat e nevojshme, sipas porosisë suaj. Si urdhëron, kaldajën e zdrukthëtarisë, më së fundi, e futëm brenda lokalit, në godinën e parapërgatitur. Jemi duke instaluar lidhjet hidraulike dhe duke kryer proceset e punës në vazhdim. Të gjitha po bëhen, siç na porositët ju etj... etj.

            Biseda zgjati mbi gjysmë ore. Skënderi po bisedonte me Xhafer Spahiun, Ministër që, siç thoshin, drejtonte me skrupulozitet, operativ, qen i punës dhe shumë kërkues. Atij i trembeshin sa edhe Kryeministrit, se vendoste shpejt të merrte masa disiplinore të rrepta, deri në pushim nga puna. Kur, me sa dukej, bisedës i erdhi fundi, pas përshëndetjes përkatëse, Skënderi i mbytur në djersë shan nën dhëmbë, përplas receptorin dhe thotë:           

            - Të më falni, shokë. Nuk kisha ç’bëja. Ky xhebraili na… muhabetin dhe mua më prishi nga mendtë. Të më besoni, unë nuk e kujtoj fare ku e lashë llafin…

            - E le tamam te këmbët, - ndërhyri Shemja me buzën në gaz dhe vazhdoi, - atje kur i kishe ngritur këmbët dhe ato i kishe hedhur mbi supe…

            Skënderit, që shumicën e tregimeve, si të gjithë gjuetarët e mirë, i kishte të sajuara apo të ekzagjeruara, pa një bazë të saktë reale, ende nuk po kujtohej…         

            - Po atje, ore hutaq, që e kape nga të dyja këmbët dhe ia hodhe mbi supe, - nguli këmbë Shemja.

            Përsëri Skënderi nuk u kthjellua plotësisht, po s’kishte lezet ta zgjaste më tej heshtjen...

            - E, po, tamam… E, që thoni ju, o vëllezër, si ia ngrita këmbët lart, i këputa një të… që edhe sot e mbaj mend dhe e kujtoj me shumë kënaqësi.

            - Ore, Skëndo, - ndërhyn Shemja! Ç’thua kështu, more matuf?! Po ti kishe muhabet gjahu, nga t’u shkrep tani, me sa kuptohet, për femra? Ti po thoshe se kishe vrarë një lepur të madh sa një dash.

            - O, më falni. Ka qenë një rast tjetër ai, që nisa t’ju tregoja tani. Rasti i parë ka lidhje me atë lepurin e madh të Mavrovës. Ai ishte aq i madh, sa s’e ngrije dot e ta varje në brez. Atëherë unë e kapa për këmbësh, i ngrita këmbët në supe dhe e hoqa xarë, deri te makina buzë xhadesë. Mos qeshni, kështu ka ndodhur dhe skish si të transportohej, ndryshe ai lepur sa një derr, të më besoni! Për ideal! Kam dëshmitarë dhjetë gjuetarë.

            E, si mos ta besonim ne Skënder Kalemin, që ishte gati të tregonte, pa mbarim, ngjarje të bukura nga jeta e tij e gjallë dhe e shokëve të tij të mrekullueshëm të luftës, gjuetisë dhe kabareve... Këtë kënaqësi na e prishi Koço Lloci, fjalëpakë, që sa tha “mezeja-gati” i bëri ata alamet burrash ta linin muhabetin thatë, në mes, me gjithë iluzionin për gjahun dhe femrat dhe të ngrihen me rrëmbim rinor, për të shkuar në Kantinën e Verë-Rakisë, për ta lagur gurmazin e për të humbur në kënaqësitë e tjera të pafundme të kësaj jallaneje. Atje do të shijonin llokmat e derrit, duke pirë deri në mesnatë. Atje do ta ndienin veten të humbur në kujtimet e tyre të moshës së rinisë e të Luftës, në ato  kënaqësi të perënduara tashmë, po të mbushura me histori për gratë mëkatare budallaqe dhe do të përfytyronin dredhitë e kafshëve të zgjuara, që ishin përpjekur më kot t’u shpëtonin manisë së tyre vrastare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora