E shtune, 27.04.2024, 07:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Qemal Cenaj: Poezi e bluar në shpirt

E hene, 31.05.2010, 03:04 PM


Poezi e bluar në shpirt

 

Nga Qemal CENAJ

 

Ditët e fundit interesi i lexuesit matjan është përqëndruar te krijuesi i sapo promovuar, Xhavit Gasa, autor i vëllimit të parë poetik “Jehonat e dhimbjes”. Vite e vite e hëngri fjalën, e bloi në thellësinë e shpirtit, i pamundur për ta bërë publike atë, vetëm pse prejardhja e tij familjare cilësohej zogiste, e deklasuar. E provoi Xhaviti në monizëm, ku i nxitur nga drejtuesit e rinisë në fshat, u shfaq me poezinë e tij të parë. Por... partiakët e mjegullt jo vetëm që nuk do ta lexonin, por i pari i tyre do ta griste fjalën e shkruar në vargje, sapo poshtë saj pa emrin “Xhavit Gasa”. Ishte i ri, me një ndjenjë të thellë malli e dashurie për shokët, miqtë e të afërmit, për bukuritë e natyrës dhe të vendlindjes, për këngët dhe ritmet e tyre të bukura, të cilat i kishte dëgjuar që fëmijë në dasma e e gëzime. Për punën dhe sakrificat e mëdha të njerëzve të tij, që ashtu si shumë krijues matjanë, donte t’i hidhte në vargun e shkruar. Sa i frymëzuar, po aq i prekur dhe i indinjuar, Xhavitit s’i mbetej tjetër, veçse të hante inatin nëpër dhëmbë e të heshtte. Për shumë kohë, edhe pse i specializuar, punoi si punëtor i thjeshtë, por me përkushtim e ndërgjegje burri. Gjithë jetën e vet, në punë e sipër, edhe pse nuk botoi, ka kënduar nëpër dhëmbë me shpirt e zemër për vendlindjen, për njerëzit dhe bukuritë, që zoti i ka dhënë këtij vendi. Por aq shumë ka menduar e shkruar për njerëzit e thjeshtë, burrat e kuvendet, për sedrën e bujarinë, fjalën dhe peshën e saj në jetë, që e bën këtë të kuptueshme e me meritë për ta jetuar. Diku ai thotë:

 

“Mjafton vetëm një fjalë,/ që të ngjallësh shpresën, / të shërosh një zemër të vrarë, / kur thua të vërtetën”.

 

Aq më tepër Xhaviti duke shtegtuar jashtë vendit, emigrant në Angli, mbajti të ndezur mallin për vendin e tij, për atdheun që s’mund ta nxirrte nga mendja, për shokët e punës e të jetës, që dikush prej tyre mbeti vetëm në kujtesë. Por si shumë të tjerë, shpesh mbeti i zhgënjyer, ndaj dhe shprehet:

“Mjafton vetëm një fjalë, /mashtruese, e hidhur, e pabesë, / që të verbojë sytë në ballë, / të bardhën ta bëjë të zezë”.

 

Ishin këto vargjet që ai do të hapte siparin e poezive të tij në gazetën “Mati” dhe me botimin e tyre fjalët falenderim të tij nga valët e celularit do të tingëllonin jo vetëm si poezi e rimuar, por melodi kënge me ëmbëlsi zëri njerëzor. “Do t’ju shkruaj përsëri, -thoshte ai, -si premtim e vlerësim për shokët këtu”. Dhe ky premtim i mbajtur dëshmohet me përmbledhjen “Jehonat e dhimbjes”, që shkroi me plot mall e ndjenjë, duke na ftuar në promovim, për t’i kujtuar dhe jo vetëm kaq, por për t’i dashur e vendosur te krijimet e tjera të përmallshme, që si më parë, Mati këto vitet e fundit i ka patur me vërshime e gurgullima gurrash dhe ujëvarash. Një ujëvarë e kristaltë është vëllimi poetik “Jehonat e dhiumbjes” që Xhavit Gasa na ka dhënë në dorë. Edhe pse ai bën thirrje për të patur “një fuqi magjike / e të parën ndjenjë që do të vrisja, / patjetër urrejtja do të ishte”, them se në të gjitha poezitë e këtij vëllimi poetik, shfaqet i papajtueshëm me çdo ndjenjë urrejtjeje e cmire, i cili urren hijen dhe përpiqet ta vrasë atë. Në të njejtën kohë del në pah fuqia e tij për të ngjallur ëndrrat e jetës reale mes njerëzve e bukurive të vendit të vet. Jo rastësisht, nga miqtë e pendës e të poezisë, Neki Lulaj e Reshat Kripa, ka marrë urime të veçanta, si dhe komente për poezinë kushtuar Kosovës, të cilën ata e quajnë një himn të vërtetë kombatar.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora