E shtune, 27.04.2024, 04:38 AM (GMT+1)

Faleminderit

Shevki Sh. Voca: Përkujtim me rastin e lindjes dhe vdekjes së Profesor Magjistër Ahmet Sh. Maloku (I)

E enjte, 28.01.2010, 10:56 PM


PËRKUJTIM ME RASTIN E LINDJES DHE VDEKJES SË PROFESOR MAGJISTËR AHMET SH. MALOLU (1929-1999)

Jetën e  ndriçon kandili i  vdekjes
V. A. KOSKENEM

Nga SHEVKI SH. VOCA

    Vitin që e lamë pas u mbushën plotë tetë dhjet vjet nga lindja, dhe dhjetë vjet nga vdekja e profesor magjistër Ahmet Sh. Maloku, intelektualit, pedagogut, profesorit në lëndët e kimisë dhe fizikës, këshilltarit në Entin për Përparimin e Shkollave të Kosovës, drejtorit të shkollës së parë të pavarur të Normales “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, aktivistit të pa lodhur në pajtimin e gjaqeve etj. Fusha e veprimtarisë dhe aktivitetit të tij kapë një hapësirë të gjerë të vokacionit. Ai merrej  edhe me profesione tjera shkencore në të cilat ishte shumë i suksesshëm si bie fjala me etnografi, poezi, publicistik, histori e posaçërisht me atë të kulturës kombëtare. Veçanërisht njohuria e tij dallohej për rrjedhat shoqërore politike  të historisë së Mitrovicës me rrethinë gjatë shekujve. Gjatë jetës sa rroi u dallua për patriotizëm dhe dashuri ndaj kombit me çka u dëshmua sa ishte gjallë në luftën që bënte aso kohe me lajkatarët dhe hileqarët të cilët ishin bërë vegla të pushtetit serbo-komunist dhe të cilët nuk mund ta shihnin veten jashtë veprave të mbrapshta që i sillnin kombit shqiptar. Profesori i nderuar nuk lëshonte pe dhe nuk pranonte kurrfarë kompromisi që vinte ndeshë me interesat kombëtare, ani pse kjo i kushtoi shumë në jetë, me që në vitin 1970, e largojnë nga puna ku ishte duke ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës së mesme normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, themelues i së cilës siç thamë ka qenë ai vetë, për çka do të bëjmë fjalë më shumë në vijim të këtij shkrimi. Po në këtë interval kohor Shkolla e L. P. e Prishtinës e kishte hapë katedrën për kimi-fizik, pranë SH. L. Teknike në Mitrovicë, ku profesori i nderuar Ahmet Maloku si ekspert që ishte ligjëronte lëndët, kimi inorganike, kimi organike dhe metodikën e kimisë, dhe që as këtë detyrë nuk e lanë ta ushtroi, përkundët aftësive dhe njohurive të tija shkencore dhe pedagogjike. Një gjë që e kishte munduar më së shumti siç më tregonte profesori në njërën nga shumë biseda të zhvilluara që bëja me te ishte se nuk mund të besonte që nga frika e organeve të pushtetit komunist e kishin izoluar tërësisht shoqëria dhe të afërmit të cilët për më tepër se një vit sa kishte mbetur pa punë nuk kishin pas guxim ta përshëndesin rrugës e lere më që dikush ta vizitoj në shtëpi. Brenda kësaj kohe sipas rrëfimeve të tija, i vetmi njeri që e vizitonte kohë pas kohe dhe i ndihmonte nga pak ishte Bajram Voca (tani  në moshën 80 vjeçare, djali më i vogël i Sherif Vocë-s 1893-1941, ish deputetit në parlamentin e Jugosllavisë mbretërore i cili mbeti në histori i njohur me fjalimet e tija në po këtë parlament midis Beogradit kundër kolonistëve serbo malazez që me anë të reformave agrare asokohe ua morën me dhunë shqiptarëve tokat dhe vendet më të mira, si dhe dhunës që ua sillnin shqiptarëve në bashkëpunim me organet e pushtetit, me qëllim të shpërngulje së shqiptarëve në Turqi, për të cilin profesor Ahmet Maloku kishte shkruar një shkrim në gazetën “Rilindja” botuar më 3-XII-1967, pl. Sh. V.). Profesori nuk ia kishte frikën askujt, shpesh thoshte mirë thotë populli: “Frikacaku as dynjanë as ahiretin.” Kishte një guxim dhe vendosmëri të pa shoq në aspektin intelektual, çka ja forconte qëndrimin e tij burrëror. Me një diapazon të gjerë të diturisë dhe me një memorie të jashtëzakonshme, ai aspak nuk i përtonte dhe nuk i shmangej polemikave dhe bisedave nëpër kuvende dhe takime të ndryshme qoftë  edhe me njerëz të pozitës dhe elitës politike të pushtetit.
Pr. Mr. Ahmet Maloku u lind më 21 janar të vitit 1929, por babai i tij Shaqir Maloku e kishte regjistruar tre vjet më vonë, ashtu që nëpër dokumentacione të shumta zyrtare datëlindja e tij figuron 22 dhjetor 1932, në Mitrovicë. Disi kishte qenë si traditë që baballarët dhe gjyshërit tanë pas pushtim serbo-sllav të Kosovës, fëmijët mashkull ti regjistronin nëpër libra të amzës nga dy apo tre vjet pas lindjes që me rastin e shkuarjes ushtar të tregohen më të pjekur. Ahmeti rrjedhke nga një familje patriotike dhe atdhedashëse. Hajdar Maloku (gjyshi i gjyshit të profesor Ahmet Malokut) qysh në vitin 1834, gjatë kohës së Tanzimatit syrgjynosët nga organet e pushtetit të atëhershëm në Kurshumli Han të Shkupit ku sëmuret dhe vdes. Djali i tij Muhamed Maloku në vitin 1881, pushkatohet në kazermën e ushtrisë në Mitrovicë, si rezistues dhe ithtar i Lidhjes së Prizrenit. Djali i Muhamedit, Ahmeti (emrin e të cilit e mbante profesori i ndjerë për të cilin ne bëjmë fjalë) në vitin 1914 u pushkatua me gjithë gruan dhe dy fëmijët, djalin 11 vjeçar dhe vajzën 8 vjeçare. Ndërsa babai i profesorit, emri i vërtetë i të cilit ka qenë Muhamed, ripërtëritje e emrit të gjyshit të pushkatuar në kazermën ushtarake të Mitrovicës që cekëm më parë arrin ti ik kësaj ploje dhe strehohet te dajat në fshatin Zhabar pranë Mitrovicës, i cili edhe e ndërron emrin nga Muhamed në Shaqir, për të mos u zbuluar nga kriminelët që ja kishin vra dhe pushkatuar tërë familjen. Në fshatin Zhabar qëndron deri në vitin 1927, kur zbret në qytet në Mitrovicë, (informatë nga profesor Ahmet Maloku me 27-VIII-1992, enjte në prani të Ihsan Çazim Kalaveshi 54 vjeçar. Për rastin e babës së Ihsanit dhe të dy bashkëqytetarëve të tij nga Mitrovica të cilët u vranë në Leshak nga serbo çetnikët gjatë luftës dytë botërore do të bëjmë fjalë më vonë). Ahmet Maloku shkollën fillore pesëvjeçare e kryen në vendlindje, kurse gjimnazin e ulët dhe semimaturën e përfundon në Prishtinë, pranë gjimnazit “Ivo Llolla Ribar”. Në vitin 1950 diplomon në shkollën normale në Pejë. Në  këtë vit shkollor është shpallë nxënësi më i mirë, për çka aso kohe pati shkruar edhe “Rilindja”, ku në mes tjerash thuhej: “Nxënësi më i mirë në paralele të Normales dhe të kursit të lartë që diplomuan në Pejë, më 1950, u shpall Ahmet Shaqiri”, (këtë mbiemër  profesor Ahmet Maloku e mbajti deri në vitin 1950, shih në prof. Mr. Ahmet Maloku “ENCIKLOPEDIK I VOGËLTH-politiko-etnologjiko-historike”, Prishtinë 1998, faqe112). Studimet e larta pedagogjike në grupin fizik, kimi dhe matematik i vazhdoi në Beograd, ku në vitin 1952 edhe diplomon, ndërsa provimin profesional pranë Shkollës Lartë Pedagogjike po këtu në Beograd e jep më 1954. Sipas rrëfimeve të tija dhënë autorit të këtyre rreshtave, në SHLP në Beograd në grupin për kimi, fizik dhe matematikë ishin regjistruar përmbi 110 studentë, prej të cilëve në vitin e dytë kalojnë vetëm 24. Nga ky grup i vetmi shqiptar ishte Ahmet Maloku, ai i pari edhe kishte diplomuar në afat të rregullt, një karakteristikë e veçuar e inteligjencës së tij. Më vonë i vazhdon studimet dhe në vitin 1964 diplomon pranë fakultetit filozofik të Prishtinës, në grupin për kimi(aso kohe ishte dega e Universitetit të Beogradit). Të gjitha i ka kryer me sukses të shkëlqyeshëm. Ka qenë nxënësi dhe studenti më i dalluar në shkollë dhe në studime. Në lidhje me këtë më  kujtohet një rast kur në shkurtin e vitit 1986, në Brezovicë aso kohe kishim shkuar për kurim një grup i punëtorëve të shkritores së plumbit të Zveqanit, për pushime dhjetë ditore në kuadër të sindikatës e cila organizonte dërgimin e punëtorëve prej shtatë deri në dhjetë ditë në Brezovicë si një vend me ajër të pastër dhe të fortë, shumë i përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe forcimin e organizmit nga kushtet e rënda të punës në shkritoren e plumbit në Zveqan. Aty vinin njerëz  nga vise të ndryshme të ish Jugosllavisë komuniste për të shijuar ajrin dhe ambientin e pastër e cila pas një qëndrimi të shkurtë prej disa dite bënte ndryshimin e fotografisë së gjakut në tërësi. Këtu mu dha rasti të njoftohem me profesor doktor Mazlum Cana, ligjërues i lëndës së matematikës  në fakultetin e xehetarisë dhe të metalurgjisë në Mitrovicë, (vëllai i profesorit të ndjerë të historisë dr. Zekeria Cana pl. SH. V.), i cili po ashtu kishte arritur që disa ditë pushimi t’i kaloi në këtë vend mjaftë atraktiv. Me që profesori e kuptoi se aty kishim arritur një grup punëtor të profesioneve të ndryshme për kurim nga Mitrovica, ai shprehi dëshirë që nga i gjithë ai grup prej 45 vetave sa ishim të shfrytëzojë rastin dhe të kaloi të paktën ca momente me ndonjërin prej nesh. Dhe një mëngjes kur shkuam në sallën e ushqimit ku i zinte rreth 75 deri 80 vetë, pa prit mas më preku dikush në anën e djathtë të krahut duke më thënë eja këtu tek tavolina ime ja e sheh që është një ulëse e zbraztë ta kalojmë këtë mëngjes bashkë dhe të bisedojmë pak. Në bisedë e sipër profesori më pyeti se cilës familje nga Mitrovica i takoi? Pasi iu prezantova dhe i tregova në cilën pjesë të qytetit banojë, ai më tha: Por, ju Vocët një pjesë jetoni në qytet ndërsa një pjesë e madhe e kushërinjve të juaj më duket ende jetojnë në fshat. A e kam mirë më tha? Iu përgjigja me po. Pasi më pyeti për emrin e babait, nuk priti gjatë dhe menjëherë më tha: “Po, po, më kujtohet se ku gjendet shtëpia juaj, sepse aty dikur banonte me qira gjakovari Asllan Kryeziu (ish arsimtar i muzikës në shkollën fillore Abdulla Shabani pl. SH. V.) apo, a jo”? Po profesor, iu përgjigja. Arsimtari Asllan Kryeziu, ka banuar në shtëpinë tonë me qira plot shtatë vite, prej tetorit të vitit 1969 e deri në tetorin e vitit 1976, kur ministria e arsimit të kuvendit komunal ia ndau një banesë, iu përgjigja. Në bisedë e sipër profesor Cana më pyeti a mos e njoh rastësisht Ahmet Malokun, pasi që jam nga Mitrovica. I thash jo, personalisht nuk e njoh, përndryshe kamë dëgjuar mjaft për te. Më tha çka ke dëgjuar ? I tregova se më duket diku kah fundvitet e gjashtëdhjetave dhe në fillim të viteve të shtatëdhjeta emri i tij ka qenë shumë i njohur dhe përmendur gati nëpër çdo shtëpi në Mitrovicë. Të paktën më kujtohet se në shtëpinë tonë shumë shpesh burrat e përmendnin për trimërinë, burrërinë dhe qëndrueshmërinë intelektuale të tij. Atëherë profesor Cana më tha: “Mu këtë desha ta dëgjoj nga ju, dhe vazhdojë të më rrëfej për profesor Ahmet Malokun duke i shkoqitur disa detaje nga koha e studimeve në Beograd, me çrrastë unë për lexues të nderuar do ta veçoja vetëm një”.  “ Ahmet Maloku dukshëm dallohej nga të gjithë studentët tjerë për diturin, zgjuarsinë dhe inteligjencën e tij. Me që Maloku studionte në grupin për fizik dhe kimi ndërsa unë isha në matematikë, por kishte raste kur i njëjti profesor ligjëronte në të dy grupet, ashtu që me një rast njëri nga profesorët (nëse nuk më tradhton kujtesa bëhej fjalë për profesorin shumë serioz të Universitetit të Beogradit me emrin Bozho Tezhak, të cilin vite më vonë edhe profesor Ahmeti shumë shpesh ma ka përmend, por në kontekst tjetër duke ia shtuar atributin e masonit Sh. V.) iu drejtua disa studentëve serb me këto fjalë: “Sramota, neznalice, lenji, idite kod onog shiptara iz Mitrovice da vas uci i odrzi predavanje”, (turp, të pa dijshëm, përtac shkoni tek ai shqiptari nga Mitrovica që të ju mësoj dhe mbaj ligjërata).” Kjo ishte vetëm një detal, ndërsa profesor Cana më tregoi edhe raste tjera për dituritë e profesor Ahmet Malokut. Shumë vite më vonë një qytetar i Mitrovicës, Isak Mustaf Vitaku, i cili shumë shpesh më shihte në shoqëri me profesor Ahmet Malokun, më pati treguar se në shkollën fillore në Mitrovicë katër vjet e kishte pas Ahmetin shokë klase, dhe shtonte se nuk ka pas nxënës ma të zgjuar dhe ma të mirë se ai. Axha Isak (është ende gjallë dhe jeton në Mitrovicë) më thoshte: “Shpesh po të shoh në shoqëri me  Ahmetin, e po më intereson të dijë çka po ju bashkon aq shumë, kurse dihet se për nga mosha ju ndanë një distancë e madhe kohore.” Përgjigja ime ishte se informatat dhe diturinë që po e kërkoj moshatarët e mi si dhe ata më të vjetër se unë,  por, edhe se profesor Ahmeti nuk po din të më tregojnë, ndërsa ai sa po mundem me vlerësua në aspektin e inteligjencës dhe informatave që i posedon dukshëm dallohet nga qytetarë tjerë të Mitrovicës. Atëherë axha Isak pa hamendje më tha: “Po qe besa rri me Ahmetin, se ai din shumë e shumë gjëra me ti tregu, sepse është edhe i mençur por edhe shumë i lexueshëm” (bisedë e zhvilluar më 9 maj, enjte 1991 pas dite, pranë tregut në Mitrovicë), për ç’gjë unë edhe u vërtetova pasi që prej janarit të vitit 1991 e deri një javë para luftës së Kosovës, kontaktet dhe ndejat e mija me profesor magjistër Ahmet Malokun ishin shumë të shpeshta. 
   Profesor Ahmet Maloku studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematikore në Universitetin e Zagrebit, ku në vitin 1975 mbrojti edhe temën e magjistraturës. Edhe pse kishte aftësi dhe potencial të rast intelektual, ai shkollimin e mëtutjeshëm akademik nuk e vazhdoi, ani pse mund të doktoronte kur të doje. Kur e botoi librin e parë publicistikë “Ata gabo unë qorto I ”, (prill, 1996), menjëherë pas ca dite më vizitojë në shtëpinë time në Mitrovicë dhe ma dhurojë librin e po sa botuar. Më tha së shpejti do të botohet edhe pjesa e dytë i këtij vëllimi. At ditë ishte e premte, 3 maj 1996, dhe nuk ndeji shumë si herëve tjerë që zhvillonte biseda nga të ndryshmet me mua, ndërkaq që unë e shfrytëzova rastin dhe e pyeta: “Se ku qëndron shkaku për mos vazhdimin e mëtutjeshëm të shkollës deri tek grada e doktoraturës?” Me që vërehej se ai kishte dituri dhe diapazon tepër të gjerë të njohurive të ndryshme, kurse profesionin që e kishte nuk do ti paraqite kurrfarë pengese në këtë drejtim. Profesori njëherë ofshau thellë, pushoi ca sekonda sa të mendoja unë se e hidhërova me këtë pyetje. Pastaj vazhdoi dhe më tha: “O Shevki Voca, ëndrra ime e jetës u përmbys që nga viti 1970, atëherë kur më larguan nga puna dhe nga çdo aktivitet i jetës. Dëshira ime e flaktë ka qenë të punoj në arsim deri te shkallët më të larta të shkollimit, që ti edukoj dhe mësoj brezat e ri të kombit tonë jo vetëm në aspektin profesional por edhe në aspektin e zgjerimit të diturisë dhe njohurive të ndryshme, me një fjalë që të posedojnë një kulturë sa më të gjerë. Që nga radhët e tyre të dalin njerëz të cilët të paktën do ti afroheshin një eruditi siç kanë qenë Faik Konica, Lasgush Poradeci, (këtë e çmonte jashtëzakonisht shumë), Eqrem bej Vlora (për këtë aso kohe unë fare pak kisha informata), Spiro Konda (për të cilin flitet se ka poseduar një bibliotekë personale gjigante pl. Sh. V.), Eqrem Qabej e disa të tjerë që nuk vazhdoi më tutje.” 
   Karrierën e punës e kishte filluar në arsim gjatë viteve 1949-1950, në fshatin Elezaj (Doganaj) ku kishte formuar shkollën tetë vjeçare. Këtu qëndrojë një vit e gjysmë duke kryer punën e  mësuesit, arsimtarit dhe të drejtorit të shkollës. Gjatë viteve 1953/54 profesor Ahmet Malokun e gjejmë në detyrën e mësimdhënësit në lëndët fizik dhe kimi në gjimnazin e Prishtinës, “Ivo Llolla Ribar”, ku si kuadër deficitar dhe me aftësi të rralla ia kishin siguruar banesën pa pagesë. Vitet 1954-1961, si profesor i rregullt ai i kaloi në Gjimnazin “Silvira Tomazini” të Mitrovicës, në të cilën  për nxënësit shqiptar ligjëronte dy lëndë, atë të fizikës dhe kimisë, ndërsa nxënësve serb u mbante vetëm lëndën e fizikës. Ligjërimi i lëndës së fizikës për nxënësit e paraleleve serbe ishte njëherë edhe befasi si për serb e po ashtu edhe për shqiptar sepse njëherë ishte edhe rast i parë në Kosovë. Në të njëjtën kohë në Shkollën e Mesme Teknike “Boris Kidriq” nxënësve serb aty këtu edhe ndonjë shqiptari që vijonin mësimet në gjuhën serbe për shkak mungesës së kuadrit shqiptar u mbante gjashtë lëndë profesionale të kimisë, ku paguhej me honorar. Po në këtë kohë lëndën e fizikës e mbante edhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Mitrovicë. Me hapjen e paraleleve të Shkollës Normale në Mitrovicë, u angazhua me tërë qenien e tij në përfshirjen sa më të madhe të nxënësve në këtë shkollë, duke përgatitur kuadro të reja për shkollat fillore jo vetëm për regjionin e Mitrovicës, por edhe më gjerë. Gjatë viteve 1961-1963, punoi si udhëheqës i ushtrimeve të kimisë, pranë Fakultetit Filozofik në Prishtinë. Njëkohësisht mbante edhe lëndët e kimisë në gjimnazin “Ivo Llolla Ribar”, të Prishtinës ku paguhej me honorar. Në periudhën 1963-1966, profesor Ahmet Maloku punoi pranë Entit Krahinor për përparimin e Arsimit në Prishtinë, si Këshilltar (inspektor) për lëndët kimi e fizikë për shkolla fillore (1963-1964), për të tri gjuhët (shqip, serbisht dhe turqisht). Pas diplomimit në fakultet emërohet Këshilltar Krahinor i Arsimit, për kimi dhe fizikë për të gjitha shkollat e mesme në të tri gjuhët për vitet 1964-65 dhe 66.
   Gjatë vitit shkollor 1966-1967, ishte profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren ku ligjëronte lëndën e kimisë inorganike në gjuhën serbokroate. Këtu në këtë shkollë profesor Ahmet Maloku duke e përdor aftësinë, mençurin e para se gjithash guximin dhe trimërinë intelektuale bëri ndarjen sipas gjuhës mësimore. Me që në at kohë në këtë shkollë vijonin mësimet rreth 120 studentë prej të cilëve 45 ishin shqiptar të cilët nuk e zotëronin sa duhet gjuhën serbokroate, ai me mjeshtrin e mençurisë së tij arriti ta bind Demush Shalën (drejtor i SHLP) dhe Ismet Dehirin profesor i matematikës, (të cilin profesor Ahmeti shumë shpesh ma përmendke si shokë klase që kishin qenë me një sjellje dhe edukim të lartë familjar), që edhe pse ishin të paktë në krahasim me palën serbe ta qesin në diskutim problemin e bifurkacionit të grupeve në gjuhë serbishte dhe shqipe. Me këtë rast paraqitej nevoja e dyfishimit të orëve dhe shtimit të mësimdhënësve shqiptarë. Profesor Demush Shala dhe Ismet Dehiri nuk ishin për këtë mendim me çrrastë profesorit Ahmet i thonë se po ta qesim në diskutim këtë çështje me siguri se do të humbim në votime me që jemi pakicë ndaj shumicës serbe. Mirëpo profesor Ahmet Maloku ishte këmbëngulës në këtë drejtim dhe vendosi që ti shkojë deri në fund kësaj çështjeje, në të cilën siç do të shohim, edhe kishte pas sukses. Në seancën e mbajtur, pala serbe nuk kishin votuar për bifurkacion me motiv se kinse nuk ka buxhet të mjaftueshëm për mbulesa financiare për dyfishimin e orëve. Pas abstenimit të palës serbe për të votuar për këtë lloj të bifurkacionit, menjëherë e kishte marrë fjalën profesor Ahmet Maloku dhe duke mos menduar fare për një rrezik që mund ti kanosej ai me mjeshtri trillon se kinse paska qenë në vizitë në Komitetin Krahinor dhe aty e paskan pyetur se si po shkojnë punët në SHLP?-mirë iu kishte thënë, dhe se në çfarë gjuhe po ju ligjëron shqiptarëve? Profesori duke vazhduar më tutje gjatë rrëfimeve të kujtimeve të veta më tregonte se u kishte thënë: “Shqiptarëve ju ligjërojë në gjuhën serbokroate, sepse për këtë më kanë pranuar dhe për këtë paguhem.” Ata gjoja i paskan thënë: “A e dini ju se shteti dhe shoqëria jonë ka të holla dhe duhet ta bëni ndarjen në baza gjuhësore sa më parë që të mos bini në pozita të forcave të errëta të cilat i kemi gjykuar në plenumin e Brioneve.” Dhe mu për këtë shokë u kishte thënë profesor Ahmeti të pranishmëve ne seancën e mbajtur, unë votojë për ndarje dhe barazi nacionale dhe nuk e lejojë veten që të bie në pozitën e forcave të errëta që u gjykuan në plenumin e Brionit. Kjo kërkesë kaloi në vota dhe pa diskutuar më askush të gjithë kishin votuar për ti formuar katedrat për të gjitha lëndët, edhe në gjuhën shqipe. Sipas profesor Ahmet Malokut pas dy vjetësh ishte bërë bifurkacioni edhe në fakultetet e Prishtinës, (kallëzuar me datën 8 prill 1995 e shtunë, Mitrovicë në shtëpinë e profesor Ahmet Malokut).
Gjatë viti shkollor 1967-1970, Ahmet Maloku punoi si drejtor i Shkollës së Mesme Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, e në të njëjtën kohë mbante edhe ligjërata pranë Shkollës Lartë Teknike, në katedrën kimi-fizik, në të cilën i mbante lëndët: kimi inorganike, kimi organike dhe metodikën e kimisë. Gjatë viteve 1954-55, në Mitrovicë ishin hapur paralelet e para të shkollës Normale, të cilat funksiononin në kuadër të shkollës së mesme të Gjimnazit. Ndërsa pavarësimin e saj kjo shkollë e arriti në vitin 1967, me drejtor të parë të saj profesor Ahmet Malokun. Si erdhi deri te zgjedhja e profesorit të nderuar në detyrën e drejtorit të këtij institucioni pedagogjik, do ti shkoqitim disa kujtime të profesorit të atëhershëm të gjuhës shqipe Z. Ibrahim Bala, nga i cili nëpërmes një miku inxhinier Ramadan Ademi-t (aktivistit të pa kursyer të LDK-ës, si para lufte ne Kosovë e po ashtu edhe pas lufte me degën në Mitrovicë), arrita ti siguroi ca fjali në të cilat prof. Bala mes tjerash shkruan:  
  “Shkolla normale e pavarur ne Mitrovicë nuk ka ekzistuar gjer në vitet 1966|67. Kanë ekzistuar në Mitrovicë paralele të ndara të  shkollës normale të Prishtinës prej vitit shkollor 1956|57 gjer me 1966. Sipas një udhëzimi të ish Këshillit Krahinor të Kosovës në qershor të vitit 1966 u vendos që shkolla normale të formohet edhe në Mitrovicë e cila do të përfshinte nxënës nga Vushtrria, Skenderaj, Leposaviqi e vendet tjera. Ne atë kohe disa profesorë jepnin mësim ne gjimnaz dhe ne paralelet e normales, u interesuan kenë do ta emërojnë drejtor, u përqendruam në prof. Ahmet Malokun,i cili ne atë kohë ishte mësimdhënës i “Shkollës së Lartë Pedagogjike” kimi-fizikë në Prizren. Vendosëm të shkojmë: Un (Ibrahim Bala), profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Ali Topalli profesor i fizikes, të ndjerët, Idriz Kosova profesor i pedagogjisë dhe Ismail Gubetini profesor i filozofisë. Në Prizren u takuam me Ahmet Malokun dhe pasi ia treguam qëllimin e ardhjes pranoj. Pas shpalljes së konkursit u emërua drejtor i Shkollës Normale ne Mitrovice, po atë ditë un Ibrahim Bala propozova që kjo shkollë te quhet Shkolla Normale "Hasan Prishtina". Pas një viti pranë shkollës iu ngrit edhe busti i Hasan Prishtinës. Shkolla Normale “Hasan Prishtina” punoi gjer në vitin 1976|77 vetëm me disa paralele, ndërsa ne fund të Shkollës Normale “Hasan Prishtina” u themelua Shkolla e Mesme Ekonomike "Hasan Prishtina". Ketë emër e mori ne vitin 1992.” , fundi i citatit të shkoqitur nga kujtimet e profesor Ibrahim Bala.

   Të shtoj se gjatë bisedave dhe kontakteve të mija të shumta me profesor Ahmet Malokun, ai nuk më pati treguar në detaje mënyrën e zgjedhjes së tij për drejtor të shkollës Normale, përveç se më kujtohet që e zinte në gojë profesor Ibrahim Balën duke më thënë se ai kishte ardhur me disa koleg të tij në Prizren që të më bind të kthehem në Mitrovicë dhe ta marr detyrën e drejtorit të shkollës normale. Mirëpo shumë vite më vonë, saktësisht në vitin 2007, publicisti i njohur nga Mitrovica profesor Fazli Hajrizi tani drejtor i shkollës së mesme të Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, të cilit sa banoja në Mitrovicë por edhe tani kohë pas kohe nga Prizreni ku jetoi me familje shumë shpesh i ofroja ndihmë në literaturë dhe informata nga të ndryshmet që i paraqitet nevoja, botoi librin monografik për shkollën normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë, në të cilën pata rast të lexoj shumë gjëra interesante e mes tjerash edhe shumë informata të cilat më parë mi kishte treguar i ndjeri profesor Ahmet Maloku, por shumë shpesh duke mos shkuar deri në fund të ngjarjeve. Mu në këtë libër hasa në mes tjerash edhe në emrin e profesor Ibrahim Balës, i cili i kishte rrëfyer autorit të librit kujtimet e veta për zgjedhjen e Ahmet Malokut drejtor të shkollës normale në Mitrovicë. Kjo qe motivi shtyrës i imi që të kontaktoj disi me profesor 
Ibrahim Balën në mënyrë që të kamë një informatë sa më të qartë rreth zgjedhjes së Ahmet Malokut drejtor të shkollës normale. Për këtë i falënderohem profesor ibrahim Balë-s. Ndërsa të interesuarit më gjerësisht për këtë çështje le ti referohen librit të Fazli Hajrizit, Shkolla Normale “Hasan Prishtina”  e Mitrovicës, Prishtinë 2007. Këtë libër mua ma dhuroi shoku im nga Mitrovica, mr. i shkencave kriminalistike, Saad R. Gashi, më 25 tetor 2007, enjte në shtëpinë e tij në Mitrovicë, ku një natë tetori të bukur isha mysafir i familjes së tij. Edhe Saadi edhe vëllai i tij Ubejdi kanë pas rast shpesh bashkë me mu të rrimë dhe të kuvendojmë me profesorin e nderuar Ahmet Maloku, por me sa e di ata nuk ishin aq të interesuar të shënojnë në fletore bisedat e zhvilluara, ndërsa unë kudo që shkoja mbaja me vete një fletore të vogël me laps apo kimik, që sado pak të zë ndonjë informatë prej kujtdo qoftë që ishte në interesin tim, apo si kthehesha në shtëpi menjëherë i hedhsha në letër at pjesë të cilën kamë mund me mbajt në mend. Këtu bëjmë një përjashtim nga se Saadi në korrik të vitit 1994, kishte marrë disa të dhëna nga Ahmet Maloku, për Qerim Kllopën e Pantinës dhe Ramadan Rexhën e Mitrovicës, për ca ngjarje gjatë përfundimit të Luftës Dytë Botërore.
    Pas një kohe të shkurtë të zgjedhjes në detyrën e drejtorit të shkollës  profesor Ahmeti shkroi një shkrim për Hasan Prishtinën e cila u botua në dhjetë vazhdime në revistën “Zani i Rinisë”, tetor 1967, shkurtë 1968. Tani duhet cekur se në librin, e IV-të me radhë të  profesor Ahmet Maloku-t, “ENCIKLOPEDIKTH I VOGËL-politiko-etnologjiko-historike” botuar më 1998, në të cilën mes shkrimeve tjera interesante ai kishte shfrytëzuar rastin ta bëjë riprodhimin e fejtonit për Hasan Prishtinën, por tani me një lëshim, sepse vazhdimi i pestë me radhë i këtij fejtoni me titull “Një ditë historike në    
  Në foto drejtori Ahmet Maloku duke lexuar  parlamentin otoman” nuk u  përfshi në këtë libër                                                                  
  referatin me rastin e inaugurimit të bustit të  Me këtë rast më duhet të bëjë një digresion për      
                   “Hasan Prishtinës”                            ç’gjë lexuesve të nderuar u kërkoi falje. “Me  
datën, 6-IV-1998 e hënë, kur profesori ma solli në shtëpi librin e po sa botuar, dhe ende
pa ma dorëzuar në dorë, më tregoi për gabimin e lëshuar nga ana e botuesve, nga se e dinte që me siguri un do të reagoja në lidhje me këtë lëshim, sepse disa vite më parë ai mi kishte dhënë komplet numrat e  kësaj reviste që ta bëja fotokopjen e këtij fejtoni, si dhe më tregoi se në një vend të librit në fusnotë e cekë emrin tim në shenjë falënderimi për dhënien e shumë informatave dhe librave nga biblioteka ime, për tema të ndryshme e me këtë rast veçohet literatura për lëvizjen e masonerisë. Më poshtë i referohemi librit në fjalë në të cilën profesor Ahmet Maloku në fusnotën e saj i hedh ca fjalë falënderuese për mua: 
... “Bibliotekën më të pasur me literaturë të kësaj fushe (lexo për lëvizjen e masonerisë, pl. Sh. V.) e ka Shefki Voca (nipi i Sherif Vocës A. M.). Ky (Shefkiu) i lexon, i mëson dhe shton thesarin e kësaj literature, duke...i interpretuar si lypset. Edhe vetë kamë pasur ndikim në Shefki Vocën. Është mirënjohës për këtë, por edhe unë e falënderoj për dialogët e gjata dhe mikpritjen që ma bëri. Krejt librat që i ka gjithmonë m’i ka lënë në dispozicion. KY njohës i mirë i kësaj literature dhe zotërues i librave të tillë, është unikat në Kosovë...Vetëm Shefkiu më kupton kur unë e zbërthej ndonjë ngjarje në këtë temë...”

   Profesor Ahmet Mloku sipas gjitha gjasave i kishte shkruar në brendësin e këtij libri këto fjalë, nga se kur e botoi librin e III-t të tij me radhë “Isa Boletini-integristi i parë i të gjitha trojeve etnike shqiptare”, në vitin 1997, ai këtë here nuk ma solli vet librin sikurse ato dy librat e para të tija, por ma kishte dërguar nëpërmes studentit të historisë Bedri Bala i cili tani është duke përgatitur magjistraturën në këtë shkencë. Me që, unë pak ca u hidhërova përse fare askund nuk më përmend mua, të paktën me ndonjë fjali falënderuese për ofrimin e literaturës si dhe informatave gojore, që me këtë rast kishin të bënin me lëvizjen masone dhe më pak me të tjera, atëherë un e mora në telefon dhe me pak fjalë e kritikova duke i thënë: “Axha Ahmet ka qenë e udhës ta cekësh diku në hyrje të librit për ofrimin e literaturës dhe ca informatave tjera në lidhje me masonerinë që i ke marrë nga unë, sepse dhashë Zoti në të ardhmen edhe un vet mendoj që të publikoj aty këtu ndonjë shkrim, ashtu që nesër apo pasnesër mos me thënë lexuesit ja i ka marr gjitha nga Ahmet Maloku, posaçërisht qytetarët e Mitrovicës të cilët shumë shpesh më shihnin në shoqëri me juve.” Ndërkaq që dy muaj më parë me datën 7 korrik 1997 e hënë, axha Ahmet erdh tek unë me djalin e dytë Naimin (inxhinier i elektroteknikës me aftësi të rralla), që të më njoftoj me te. Un e njihja Naimin edhe ai mua, por nuk këmbenim biseda njeri me tjetrin. Andaj në praninë time axha Ahmet mua  më prezantoi me fjalët më të mira që ekzistojnë. Mes tjerash i tha: “Naim, ky është Shevki Voca që të kam treguar shumë herë për te, ja a po ia sheh bibliotekën sa të pasur e ka, e sidomos me libra nga shoqëria sekrete e masonerisë, i cili vazhdimisht më furnizon dhe ma lënë tërë bibliotekën e tij në disponim. Në librin e cila presim që së shpejti të dalë nga botimi (fjala është për librin e Isa B...) vazhdoi axha Ahmet duke i thënë Naimit, shumë më kanë ndihmuar literaturat që mi ka dhënë ky me çrrastë kamë bërë plotësime të duhura në te.” Atëherë Naimi i kërkoi nja dy apo tre nga titujt e librave qe ti shoh më pranë veti. Atë ditë përveç bisedave rreth librit të tij ne, zhvilluam edhe biseda tjera aktuale politike. Andaj sipas gjitha gjasave për shkak reagimit tim për librin e Isa Bol...ai me rastin e botimit të librit të IV-të të tij i shkroi në brendësin e saj në faqe 32 siç po shihet edhe më lartë ca fjalë falënderuese për mua.
   Punën e drejtorit të shkollës normale “Hasan Prishtina”, profesor Ahmeti e filloi me një dashuri dhe përkushtim të madh. Ai dëshironte që mësimdhënësit e kësaj shkolle të dallohen me çdo gjë nga kolegët e tyre nëpër shkolla tjera. Më kujtohet se më thoshte shpesh, unë dëshiroja që në shkollë para se gjithash të sundoj disiplina, morali, karakteri, ndërgjegjja dhe dinjiteti. Që tek profesorët të vërehet prezenca e një serioziteti të madh ndaj punës së tyre si pedagogë. Të respektohen parimet dhe qëndrimet e hierarkisë prej drejtorit e deri te shërbëtori, duke mos iu mohuar në asnjë mënyrë drejtat e nxënësve që u takojnë. Profesor Ahmeti bënte kontrollime të kohë pas kobshme tek mësimdhënësit. Hynte nëpër orë të mësimit pa paralajmërim dhe u shtronte pyetje nxënësve, në momente  nuk përtonte ti qortojë edhe mësimdhënësit për lëshimet dhe gabimet e tyre. Hallë në sy iu bë profesorëve të historisë dhe të gjuhës shqipe. Ca nga ata filluan të shprehin zili ndaj profesorit tani drejtorit të shkollës për shkak se shumë shpesh ju ndërhynte nëpër orë të mësimit dhe kërkonte shumë më shumë prej tyre. Më tregonte se si profesorëve të gjuhës shqipe ju thoshte, që më tepër ti jepni përparësi gramatikës dhe rregullave gjuhësore se sa jetës dhe biografisë së shkrimtarëve, me që kjo e dyta më letë mësohet dhe nuk kërkon shumë punë, ndërsa atyre të historisë që sa më shumë të potencohet historia e mirëfilltë e popullit shqiptarë, dhe autoktonia e tyre në Ballkan. Është interesant një detal në lidhje me këtë, kur profesor Ahmet Maloku i cili me të vërtet ishte i rast me informata nga të ndryshmet, më tregoi se disa vjet para se të rrëzohej Aleksander Rankoviqi nga pushteti, ish ministri i punëve të brendshme në Jugosllavin Titoiste, gjakpirësi i shqiptarëve, kishte thirr në kabinetin e tij Millan Neroçicin kryetarin e rinisë së Jugosllavisë, që ta urdhëroi historianin Bogumil Hrabak, duke mos kursyer mjete materiale dhe duke ia plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara vetëm e vetëm ta mohoj prejardhjen ilire të shqiptarëve,
(informatë e dhënë më 17-VIII-1993, enjte mbrëma në shtëpinë e tij në Mitrovicë, dhe në praninë e shokut tim Mr. Saad Gashi. At natë na shpjegoi edhe ca gjëra në lidhje me politikën e ish kryetarit të Egjiptit, Naserit, i cili në gushtin e vitit 1966 i kishte ekzekutua disa persona të organizatës “Vëllezërit Mysliman të udhëhequr nga dijetari i fesë Islame Seejid  Kutub). Pra me ndërhyrjet e tija Ahmet Maloku shumë shpesh i kalonte kufijtë e caktuara të plan programeve mësimore që sipas përtacëve dhe meskinëve (lexo disa profesorëve) ato vinin ndeshë me programin e ministrisë së arsimit. Qëllimi i tij ishte i qartë aftësimi dhe përgatitja sa më e gjerë profesionale e nxënësve, por deri diku pse jo edhe ajo e mësimdhënësve në lëmit e profesioneve të tyre. Ai caktonte  shumë shpesh tubimin e mësimdhënësve ku debatohej për çështje dhe probleme të ndryshme eventuale të shkollës. Nuk lejonte assesi mungesën e profesorëve pa arsye të forta, por as të nxënësve dhe punëtorëve të shërbimeve civile që ishin në shërbim të shkollës. Andaj si duket kjo punë me një disiplinë, karakter, ndërgjegje të fortë si dhe pedagogji të mirëfilltë nuk i shkonte për shtati ca sahanlëpirësve dhe provincializmit të tyre meskin, të cilët me një ego të tërbuar, shpifnin dhe trillonin gjëra të pa qenë duke u ankuar tek njerëzit e pushtetit për kinse pa përgjegjësinë e një drejtori i cili paska kthyer shkollën si të ishte pronë e vete duke mos iu përgjigjur askujt për asgjë, duke i dënuar profesorët me heqjen nga pagat mujore pa asnjë arsye. Në këtë mënyrë për tu pasur motive sa më të shumta që të akuzohet e më pas të vjen edhe deri te shkarkimi i detyrës së drejtori të shkollës Ahmet Maloku-t, njerëzit e komitetit në krye me ata të  UDB-ës e përgatitën një komplot, në të cilën  kishin angazhuar disa mësimdhënës shqiptar bashkë me një profesoreshë që drejtorin e shkollës Ahmet Maloku-n ta sulmojnë fizikisht në zyrën e vet. Këtë sulm e kishin marrë për obligim ta kryenin disa profesor në mesin e të cilëve ishte edhe një femër-profesoreshë, (për autorin e këtij shkrimi emrat dhe mbiemrat e sulmuesve janë të njohura, por me që jam duke e përgatitur një monografi në të cilën më hollësisht do të paraqiten detajet edhe më të imëta nga  biografia dhe aktiviteti patriotik i profesor Ahmet Malokut, andaj me këtë rast nuk do t’i paraqes emrat e tyre). Sulmuesit, të mjerët na se çfarë “pedagog” kanë mund me qenë ata, që në biografinë e tyre e lanë një njollë të pa shlyer befasisht e sulmojnë profesorin në zyrën e tij të drejtorit. Por falë Zotit në ato momente shumë të pa përshtatshme për profesorin e nderuar, në shkollë shkon një mik i tij Ibrahim R. Voca (1938-1994) për ta vizituar. Me të hyr në zyrën e drejtorit miku i tij dhe kushëri i autorit të këtyre rreshtave duke par tollovinë e krijuar, nuk banë as një as dy dhe në shpejtësi e nxjerr revolen pesëmbëdhjetëshe nga xhepi i brendshëm i setrës duke iu drejtuar atyre të cilët kush me thikë e kush me një varëse të teshave dhe me karrige në duar iu kishin vërsulur drejtorit duke e futur në qoshe të zyrës pranë dritares që në mënyrë fizike ti qërojnë hesapet me te. Por prapë falë mençurisë dhe inteligjencës së profesor Ahmetit, i cili  shpejtë e kupton se kjo është organizuar dhe përgatitë nga njerëzit e komitetit dhe të UDB-ës në bashkëpunim me këlyshit e tyre, e parandaloi at më të keqen. Sulmuesit me të parë personin me revole në dorë që po i del krah drejtorit, u frikuan deri në atë masë sa që nuk e pritën njeri tjetrin por me një shpejtësi si rrufeja ikën nga zyra e drejtorit. Ibrahimi ishte trim dhe shumë i vendosur (të paktën unë si kushëri i tij ashtu e kamë njohur pl. Sh. V.) i cili nuk zmbrapsej lehtë, tentoi të shkoi pas tyre dhe t’i qëroj tani ai vetë punët me ta, por falë mençurisë dhe urtësisë së drejtorit Ahmet Maloku situata e tensionuar ra në nivel. Mirëpo ky ekses nuk u hesht edhe aq lehtë. Policia ia behu në shkollë, dhe i murrë që të gjithë në pyetje. Pas pak i lëshojnë që të gjithë, përveç Ibrahimit të cilin e mbajnë 24 orë për shkak revoles. Më pas e lëshojnë, sepse babai i tij Riza L. Voca (1904 1964), kishte qenë pjesë marrës i Lëvizjes Nacional Çlirimtare 1941-1945, si dhe pas luftës aktivist i partisë, ndërsa edhe nëna e Ibrahimit Sofija gjithashtu kishte kontribuar në këtë luftë me përgatitjen e ushqimit, thurjen e xhemperëve, çorapëve dhe të kapelave për luftëtarët e lëvizjes nacional çlirimtare. Ndërsa revolen të cilën vazhdimisht Ibrahimi e barte me vete kishte qenë i babait të tij Riza Voca, por pas vdekjes së këtij revolja me lejen e organeve të pushtetit i mbetet Ibrahimit si shenjë kujtimi të babait. Mbas këtij rasti, dhe pasi që e lirojnë Ibrahimin, organet përkatëse të pushtetit ia ndalin revolen. Por pas kërkesës së nënës së tij Sofijes, pas dy javë sërish ia kthejnë por tani vetëm me një kusht që mos me pas të drejtë me bartë me vete, (rrëfimet e Ibrahim Voca, më 3-prill-1993 e shtunë pasdite, në shtëpinë e djalit axhës tim ku pritnim mysafir për vdekjen e babës së tij Shaqir Sh. Vocë-s. Dy vjet e më tepër këtë informatë e mora edhe nga profesor Ahmet Maloku, me një rast kur ishte si shumë herëve tjera mysafir i imi, dhe në pranin e disa shokëve të mi, 10-IX-1995, e dielë pas darke). Kisha dëshirë që këtë ngjarje-ekses ta dëgjoi edhe nga vetë rrëfimet e axhës Ahmet.
   Profesori i nderuar nuk dëshironte që në asnjë mënyrë shkolla të cilën ai e udhëhiqte të jetë nën ndikimin e kujtdo qoftë nga organet e partisë në pushtet. Së pari manifestimin që e organizoi dhe mbajti në sallën e shkollës me rastin e emërtimit të kësaj shkolle me emrin a patriotit dhe atdhetarit Hasan Prishtina, ai nuk u konsultua me askënd nga komiteti që aso kohe njerëzit e udhëheqjeve partiake pritnin dhe grinin çdo gjë, pastaj po në këtë sallë ai organizoi simpoziumin e parë për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut, në të cilën ai doli i pari me ligjërata e pas tij profesori i historisë Sejdi Sylejmani. Gjithashtu vendosja e bustit të Hasan Prishtinës ishte mjaft punë delikate, me që për një kohë organizoheshin nxënësit dhe në mbrëmje mbanin roje që nga armiqtë e kombit shqiptar mos të rrënohet, edhe pse përballë shkollës gjendej kazerma ushtarake në të cilën ushtarët si zakonisht rrinin në rroje. Nuk lejoi asnjëherë gjatë mandatit të tij si drejtor i shkollës që ndonjë person politik e administrativ jashtë sferës së arsimit të ndërhynte në punët e shkollës. Këtë e dëshmon edhe Kryetari i pleqësisë së shkollës, Bajram Elshani, i cili në Aktvendimin nr. 1524, të datës 17 shtator 1970, në lidhje me shkarkimin e drejtorit të shkollës shkruan: “Kryetari Kuvendit të Komunës në Mitrovicë, me vendimin nr. 01-4143, dt. 16 shtator, formoi komisionin, i cili kishte për detyrë me pa gjendjen dhe problemet në shkollë dhe për me dhënë raport për punën e vet. Komisioni ka ardhur në zyrën e drejtorit të Shkollës Normale “Hasan Prishtina” më dt. 16 shtator 1970, mirëpo drejtori nuk e ka pranuar dhe nuk ka lejuar që të kryejë detyrën e vetë.” (Fazli Hajrizi, libri cituar më lartë,faqe 421). Mirëpo të gjitha këto, e para se gjithash vendosë s’mërija, qëndrimi, trimëria dhe guximi intelektual i profesor Ahmet Malokut i pengonin ca punonjësve të arsimit në këtë shkollë të cilët kishin karakter dhe ndërgjegje tepër të dobët me veprime të kundërta pedagogjike që nuk përtonin orë e qastë fshehurazi të bartin raporte të trilluara me plot shpifje për punën dhe aktivitetin e Ahmet Malokut në shkollë të cilat ai i ndërmerrte pa dyshim në të mirë të shkollës, tek organet e komitetit dhe të UDB-ës, me një qëllim që sa më par të ndërmerret aksioni për shkarkimin e tij nga posti i drejtorit të kësaj shkolle, që pastaj ata të marrin frymë siç thuhet në popull  “lirisht.” 
   Profesor Ahmet Maloku qëndroi në detyrën e drejtorit, pedagogut, dhe arsimdashësit të shkollës normale “Hasan Prishtina” deri në shtator të vitit 1970, kur edhe e shkarkuan. Mbledhjet maratonike të mbajtura një pas një me të njëjtën pikë të rendit të ditës që deri më atëherë asnjëherë nuk kishte ndodhur në asnjë vend të Jugosllavisë së Titos, me direktivat e Këshillit komunal bënë që drejtori i Shkollës normale Ahmet Maloku të shkarkohet nga ky post. Pra siç po shihet nga presione të një pas njëshme, dhe nga punët e liga të përgatitura prej dashakeqëve të çdo gjëje shqiptare që shkonte në favor të kombit tonë, qofshin shqiptar apo serb u mobilizuan që më në fund profesorin e nderuar dhe shumë të respektuat tek populli e sidomos te nxënësit e tij ta shkarkojnë dhe ta largojnë nga çdo lloj pune apo aktiviteti që mund të zhvillonte ai. Rrugë dalje tjetër nuk i mbeti  përveç se të detyrohet dhe të japë dorëheqje pa pëlqimin e vet dhe të shumë të tjerëve. Atë nuk e larguan vetëm nga posti i drejtorit të shkollës, apo vetëm me ndërrimin e vendit të punës por, për një vit e më tepër e lanë tërësisht në rrugë pa kurrfarë të ardhurash, plus izolimi i shoqërisë dhe miqve të deri djeshëm të cilët s’kishin guxim t’i ofrohen me përshëndet e lere më që t’i bie ndërmend ndonjërit ti shkojë dhe ta vizitoj në shtëpi, nga frika e njerëzve të pushtetit, që sipas asaj që më tregonte profesori kjo e dyta ishte shumë më e rëndë se ajo e para. Por, më thoshte profesori i nderuar sidoqoftë o Shevki unë nga kjo që më ndodhi përfitova një përvojë të hidhur që në të ardhmen të di ta ndaj më mirë shapin nga sheqeri. Pra pas trysnive dhe presioneve të një pas njëshme drejtori dhe pedagogu i dalluar eksperti i shquar dhe i rrallë, profesor Ahmet Maloku u detyrua që me 17 shtator të vitit 1970, të shkarkohet nga detyra e drejtorit të shkollës së mesme normale të cilën aq me kënaqësi dhe ëndje e ushtronte dhe e donte. Përveç kësaj atë nuk e lanë të punoj as me honorar të mësimdhënësit të cilën krahas detyrës së drejtorit të shkollës e ushtronte në Shkollën e Lartë Teknike të Mitrovicës, në të cilën mbante ligjëratat në lëndët e kimisë inorganike, kimisë organike dhe metodikën e kimisë.   
   Shumicën e bisedave rreth biografisë së tij që për disa vite i zhvilloja me profesorin, duke më rrëfyer çdoherë nga diçka të re, unë vazhdimisht i shënoja në fletoren time të cilën e mbaj dhe e ruaj me kënaqësi të madhe. Atë fletore e kam regjistruar me emrin “Dosjet e profesor magjistër Ahmet Maloku”, dhe në te përveç të dhënave biografike gjenden edhe një mori të dhënash interesante nga biseda të ndryshme që i zhvilloja me te. Këto biseda shumë shpesh përcilleshin edhe me mospajtime, sepse ndodhte që për ngjarje dhe probleme të ndryshme qofshin politike, historike, letrare, filozofike, ndërkombëtare etj. të mos kemi mendime të njëjta. Dhe shumë nga ato pjesë biografike që mi pati rrëfyer për vete Z. Ahmet Maloku, pas vitit 1995 filloi dal ngadalë t’i botoi edhe nëpër libra të cilat një pas një u botuan duke filluar prej vitit 1996 e deri 1999. Me këtë rast më duhet të ceku se gjatë përgatitjes së këtij shkrimi kushtuar përvjetorit të lindjes dhe vdekjes së profesorit të nderuar, jam konsultuar edhe nga shënimet e mija të mara nga ai por, edhe nga konsultimi i librave të cilat i botoi më vonë. Këtu dua ta theksoj një detaj nga libri i tij i IV me radhë me titull: “ENCIKLOPEDIK I VOGËLTH-politiko-etnologjiko-historike” viti 1998, në faqe 108-109, në lidhje me përjashtimin nga detyra e drejtorit të shkollës normale “Hasan Prishtina”, përveç shkaqeve që i kam cekur unë nga vetë rrëfimet e tija, tani do ta paraqesë këtu një detaj nga libri në fjalë në të cilën mes tjerash ai për vete shkruan: “...U përjashtova si person kundër partiak që kërkoja në diskutimet kushtetuare, më 1969, që Kosova të ketë statusin Republikë, të ketë të drejtë për vetëvendosje dhe shkëputje, të jetë zonë gjuhësore shqipe në të gjitha fushat e jetës dhe të njihet e drejta që i takon KOMBIT dhe jo kombësisë, se këtë term e kanë shpikur pas Luftës së Parë Botërore racistët e quajtur demokratë të Luba Davidoviqit etj. Më tutje vazhdon profesori duke theksuar edhe këtë, u fajësova se kamë mbjellë nacionalizëm me fejtonet që i publikova më 1967, për Azem Bejtën, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe që shkrova artikull supërlativ, më 3 dhjetor 1967, për Sherif Vocën. Tani për përmendoren e ngritur të Azem Bejtës, e të Hasan Prishtinës, i kam ashpërsuar marrëdhëniet ndërnacionale.”
  Gazetari i “BORBA-s”, M. Miliqi me datën 23 prill 1968 në faqe 4 të saj sjell artikullin me titull “ZBOG NACIONALISTICKIH ISPADA DIREKTOR UCITELJSKE SKOLE ISKLJUCEN IZ S.K”, Ahmet Maloku pripada grupi tvoraca ideje o kosovskoj republici. (PËR SHKAK TË BINDJEVE NACIONALE DREJTORI I SHKOLLËS NORMALE PËRJASHTOHET NGA L.K” dhe më poshtë vazhdon: “Ahmet Maloku i takon grupit të themeluesve të idesë për Republikën e Kosovës.” 
  Një vit pas përjashtimit nga puna, dhe pa kurrfarë mbetjesh ekzistenciale familjare, me mundime dhe angazhime të mëdha falë aftësive dhe diturive të tija shkencore u punësua në Entin për kërkime dhe zhvillime të Kombinatit të Obiliqit, si analitik përgjegjës për nikel, boksit, thëngjill dhe si themelues i shërbimit të korrozionit dhe hulumtuesit. Këtë detyrë e ushtroi prej viti 1971-1979. Ndërsa gjatë viteve 1979-1990, i kaloi duke punuar në Termocentralin “Kosova-A”, për pesë fazat, shef përgjegjës i shërbimit për ujëra, thëngjill e gaze, ku përfshihej Batllava, Prugovci, përgatitja kimike e ujit, laboratori, elektroliza etj. Në fund të vitit1990 (17 dhjetor), pas 38 vjet pune u përjashtua nga ana e serbo-çetnikut Petar Kostiç edhe nga kjo detyrë, e njëkohësisht edhe nga puna tërësisht. Arsyeja e përjashtimit nga puna herën e fundit ishte se më 3 shtator ka organizuar grevën dhe nuk ka lejuar fillimin e punës të fazës së IV...etj. 
   Profesor Ahmet Maloku është autorë i shumë shkrimeve. Ai deri në vitin 1970 botoi punime të ndryshme shkencore dhe publicistike nëpër gazeta dhe revista të kohës. Por që nga përjashtimi nga LK dhe largimi nga puna e drejtorit të shkollës normale atij më askund nuk i publikoheshin shkrimet, përkundër faktit që ai vazhdimisht shkruante artikuj të ndryshëm, ku më së shumti kritikonte ca historianë, gjuhëtarë, gazetarë, shkrimtarë, politikanë udhëheqës të ndryshëm  dhe analistë poltik. Kjo punë e bllokimit të shkrimeve të tija vazhdoi edhe pas rënies së sistemit monisto-komuniste. Këtu duhet bërë një përjashtim me që pas një kohe bukur të gjatë të bojkotimit dhe të izolimit të çdo gjëje që vinte nga penda e dorës së dikur shumë të njohur profesor Ahmet Malokut, më në fund dikujt i ra ndërmend që të paktën ta vizitoj në shtëpi dhe të shkoqit aq sa mundet ndonjë informatë apo analizë politike ditore nga dituria e tij e gjerë. Kjo ngjau kur më datën 4 prill, 1995, gazeta e atëhershme “BUJKU” botoi një intervistë të shkurtë me profesorin Ahmet Maloku në banesën e tij. Disa ditë para botimit të kësaj interviste axha Ahmet më lajmëroi nga Prishtina me telefon duke më thënë: “Shevki mos haro këto ditë përcjelle gazetën ditore “BUJKU” (duke më kërkuar falje sepse e dinte që unë rregullisht e lexoja të vetmen të përditshmen tonë atëherë), sepse si duket do të thyhej ajo monotoni e gjatë e bllokadës së shtypit ndaj meje.” Unë e pyeta në lidhje me çka është fjala? Me atë rast më tregoi se para ca dite e kishte vizituar publicisti dhe gazetari i njohur, (tani më edhe ai i ndjerë SH. V.) Mehmet Kajtazi i cili kishte zhvillu një intervistë bukur të gjatë me profesorin. Por nga ajo intervistë aq e gjatë (sipas fjalëve të profesor Ahmetit) gazeta e botoi vetëm një pjesë. Sidoqoftë edhe pse ishte shkurtuar goxha shumë, ajo qe mjaftë  interesante, në të cilën profesori i kishte rrëfyer ca detaje nga kujtimet e veta si dhe nga pak për shkrimet me të cilat kohëve të fundit ishte duke e kaluar kohën. Titulli i kësaj interviste ishte “Ç’flet mësuesi i Adem Demaqit”. Ndërsa pas dy muaj gazeta e njëjtë ia botoi një material-reagim me titull “Kush ishte në të vërtet Mehmet Shehu”. Ky shkrim ishte një reagim ndaj një fejtoni të botuar afër dy muaj më parë të cilën e kishte shkruar djali i Mehmet Shehut,-Bashkim Shehu. Profesor Ahmeti nuk ishte i kënaqur me botimin e këtij reagimi të tij sepse atëherë më tregoi se e kishin recensuar tepër shumë. Këtë shkrim në tërësi më vonë e botoi në librin e vet publicistik “Ata gabo unë qorto I” , Prishtinë, 1996 faqe 29-38. Më kujtohet se pas këtij shkrimi tepër të censuruar më pati thënë: “Kurë më në asnjë mënyrë nuk do të pranojë të jap ndonjë intervistë, por as ndonjë shkrim për botim nuk do të dërgoi. Përkundër faktit se disa nga gazetarët që deri dje e kishin siç thotë populli lëçit iu lajmëroheshin me telefon që sipas mundësisë tu dërgoi ndonjë nga materialet e tija. Ai vazhdoi më pas dhe më tha: “Të gjitha këto që po i shkruaj dashtë Zoti do ti botojë në libra të veçanta.” 
   Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse ai deri para vdekjes më 23 tetor 1999, botoi në vazhdimësi disa libra. Hovin e madh të shkrimeve ia ndali lufta, ndërsa si duket edhe mërzia e bëri të veten, sepse shpejt u sëmurë dhe pas një kohe të shkurtë edhe vdiq. 


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora