E enjte, 14.11.2024, 02:08 AM (GMT)

Speciale

Alfred Papuçiu: Ditari i një jete në diasporë (III)

E shtune, 13.06.2009, 09:50 PM


Alfredi me motren e Heroinës së Popullit Liri Gero
DITARI I NJË JETE NË DIASPORË (III)

Nga Alfred Papuçiu

Fillimisht mendova të mos e vazhdoj më paraqitjen e Ditarit tim tek “Zemra Shqiptare”. Por disa miq të mire më shtynë të jap një përmbledhje të tij, paçka se ai përmban çaste të bukura dhe të gëzuara me bashkëkombas të mi, si edhe të tjera të dhimshme dhe shqetësues, me brenga për pamundësinë e përkohëshme për gjithçka që donim të realizonim. E mira erdhi një ditë, kur njëherë e përgjithmonë ra diktuatura e E.Hoxhës. U vendos demokracia, qoftë ajo edhe e brishtë, për shkak të mungesës së ekulibreve dhe nostalgjisë së një pjese të popullsisë që nuk pranonin “fshirjen” e së kaluarës, paçka se ishin ropatur gjithë jetën, pa e gëzuar atë me të vërtetë…

Bashkëkombasit nga Shqipëria, Kosova dhe viset në Nju Jork

5 nëntor. Në Nju Jork ka restorante shumë të mira dhe një pjesë e tyre janë pronë e shqiptarëve që janë vendosur aty prej kohësh. Shyqyri Selimaj, ose Bruno siç i thërresin ka dy restorante në rrugën 59-të, një që quhet « Steak-house » dhe na fton për të ngrënë darkë. Ai ka rreth vetes një staf të përbërë sidomos nga njerëz të familjes së tij. E ka zakon njëherë të na ulë tek bari, pastaj në tavolinë. Restoranti i tij është gjithmonë plot me njerëz që rezervojnë qysh më parë. Bruno punon që nga ora 9-të e mëngjezit deri natën vonë, një e natës zakonisht, për të mbajtur e ushqyer familjen e tij. Një punë e rëndë dhe e vështirë, por që atij i jep kënaqësi. Ashtu me atë kostumin e tij „shik“ dhe me buzëqeshjen karakteristike, fisnik, ai të ngjall respekt të veçantë. Shërbimi është i përkryer. Pjatat që serviren janë të mëdha, si dhe ushqimi tepër i bollshëm. Nuk e di por e ndjej veten si në shtëpinë time tek Shyqyriu, Gjysteja dhe Gjergji, plaku Paparisto, Petro Papanikolla, në familjen Selaj, tek Pustina e shumë të tjerë që na ftojnë herë pas here. C‘mallemi me njeri tjetrin, pasi shumë prej tyre kanë kohë që s‘i kanë parë të afërmit. Plaku Paparisto na fton dhe na servir dy tava kosi Elbasani dhe pasi e sheh që njërën as e prekëm, na u lut ta marrim me vehte. Selajt kanë blerë një fermë të madhe afër Nju Jorkut, por i vëllai me të shoqen që ropaten që në mëngjez herët për të ushqyer lopët nuk arrijnë të shesin qumështin e mjelë, pasi konsorciumet e mëdha ja  kanë prerë rrugën. Edhe fusha e madhe me misra është thjesht për « zbukurim », pasi ato gjenden me shumicë në gjithë Amerikën dhe me çmim pothuajse falas. Agimi shpesh na sjell videokaseta me filma apo muzikë shqiptare që i përgatit vetë. Njëherë na solli një të shtunë edhe një peshk të madh që e kishte mbartur nga Kanadaja enkas për ne. Sa shqiptarë të tillë të admirueshëm dhe njerëzorë tashmë nuk janë midis nesh dhe për ta nuk është folur asnjë fjalë! Sa jetojnë akoma për të cilët nuk flitet aspak dhe ndoshta nuk do të flitet kurrë! Ata janë me mijra në Amerikë e gjetiu dhe çdonjerit i dhemb zemra dhe jeton me ritmin e tokës mëmë. Sidomos shqiptarët e Kosovës dhe viseve presin diçka të re. Ndërgjegja e popullit kosovar është rritur dhe kjo ndihet së tepërmi në Amerikë. Mendoj se propaganda dhe sidomos fryma e përçarjes që përhapin serbët në Europë, nuk ka mundur të shkojë këtu. Fatmirësisht ! Lufta civile kërcënon të përfshijë të gjithë Jugosllavinë, « shtet artificial » që doli e « fituar » nga Lufta e Parë Botërore, nga ndarja e pabesë e kufijve, në sajë të disa fuqive të mëdha që vendosnin, pa marrë parasysh aspiratat e popujve që e përbënin Europën. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë, të drejtuar nga serbomëdhejtë po përhapet fryma dhe dëshira për autonomi dhe më tepër. Spastrimet e komunistëve nacionalistë kroatë, pastaj serbë, të instruktuara nga Tito në fillim të viteve 70-të, të kryera pas vdekjes së tij sidomos në Kosovë, janë shenjat paralajmëruese, të një revolte më të madhe. Dëshira për pavarësi është e afërt. Krijimi i shteteve të pavarur dhe njohja e tyre nga komuniteti ndërkombëtar do të sjellë patjetër një zgjidhje të vazhdueshme të problemeve të kombësive dhe minoriteteve në Jugosllavi dhe në Europë, si edhe të problemeve të tranzicionit drejt demokracisë dhe zhvillimit. A duhet refuzuar akoma pavarësia e Kosovës ndaj Serbisë ? Ka ardhur koha që ajo të ketë shtetin dhe strukturat e veta, identitetin e saj. Duhet ndërtuar një arkitekturë e re europiane, në një tërësi të Europës multinacionale, multifetare, shumëgjuhëshe dhe kulturash. Shqipëria, njëfarë kohe e tulatur nga problemet e veta, tani mbron krijimin e Republikës së Kosovës, duke provokuar reagimin e serbëve të Milosheviçit që refuzojnë të heqin dorë nga ajo që ata e cilësojnë si „djepi i kulturës së tyre“. Pjesa më e madhe e popullsisë së Kosovës përbëhet nga shqiptarët që janë aty autoktonë. Pakica serbe është vendosur aty më vonë dhe kjo dihet historikisht dhe e argumentuar edhe nga historianë të nderuar europianë dhe të pavarur nga propaganda serbomadhe. Për më tepër dihet se jeta e përbashkët e popujve të Jugosllavisë nuk ka qënë në respekt të barazisë dhe identitetit, apo zhvillimit ekonomik të çdonjerit që e përbëjnë atë. Komuniteti europian dhe SHBA po pranojnë pak e nga pak se kjo është „çështje jo vetëm europiane“ dhe po marrin përgjegjësinë e tyre. Megjithatë, Milosheviçi, duke marrë si shkak revoltën e ligjshme të popullit kosovar, të mbështetur nga bashkëkombas që jetojnë jashtë dhe popuj miq, trumbeton me mllef ideologjinë e « Serbisë së madhe ». Flaka nacionaliste serbomadhe është përhapur nga një republikë në tjetrën. „Divorci“ i popujve i kundërvihet sistemit nacional totalitar. E drejta për vetvendosje është në rend të ditës. Urojmë që kjo padrejtësi e historisë të shkojë në krahun përparimtar…

10 nëntor. Lexoj në analet e OKB-së lidhur me Shqipërinë. Jemi pranuar si shtet anëtar në 1955. Vetë shprehja „Kombet e Bashkuara“ i detyrohet Presidentit të SHBA, Franklin Ruzvelt. Ajo u përdor për herë të parë në „Deklaratën e Kombeve të Bashkuara“, më 1 janar 1942. Karta e Kombeve të Bashkuara u hartua nga përfaqësuesit e 50 vendeve të Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Organizatën Ndërkombëtare, e mbledhur në San Françisko, nga 25 prilli deri më 26 qershor 1945. OKB-ja lindi zyrtarisht më 24 tetor 1945. Sesioni i zakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme zakonisht mblidhet çdo vit në shtator dhe vazhdon deri nga mesi i dhjetorit. Bilbioteka e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është shumë e pasur dhe shpesh shkoj aty jo vetëm për të lexuar gazetat dhe revistat e huaja, por edhe dokumente të OKB-së. Ka çaste interesante, për shembull kur i nderuari, diplomati me emër Xhemal Baruti, përfaqësuesi i Arabisë Saudite dhe tepër i pasur, mbronte çështjen e Shqipërisë në OKB. Mund të ketë deri diku egzagjerime, por edhe atëhere Shqipëria dhe shqiptarët, megjithë kufizimet e kohës, kishin miq e dashamirës. Diplomatë të aftë kanë ditur të shprehin edhe pikpamjet e tyre personale, pavarësisht se ato mund të binin ndesh me Tiranën zyrtare. Sidoqoftë, duke afishuar „mendimin personal“, shqiptari diplomat shprehte edhe një të vërtetë. Ndjenjat e popullit të vet për një jetë më të mirë, krahas Europës, Amerikës, apo parimeve të Kombeve të Bashkuara. Shpesh përfaqësuesit e vendeve anëtare në OKB dijnë të dallojnë popullin nga ata që e drejtojnë, qoftë edhe përkohësisht një vend të caktuar, dhe jo në rrugën që duhej të ndiqte ai vend, si edhe vendet e tjera demokratike. Në rastin e Shqipërisë,  ka pasur diplomatë të zotë, gjatë viteve që përpos qëndrimeve zyrtare,  dinin të flisnin me dinjitet dhe në gjuhë të huaja,  për çdo problem që shqetësonte rajonin e Ballkanit Perendimor, apo edhe më larg. Nuk kanë qënë të pakta rastet kur duhej të jepje një mendim të shpejtë për një çështje të veçantë, apo edhe të votoje,  si edhe gjithë bashkësia botërore,  për të dënuar një veprim të gabuar të një shteti anëtar. Sa „t’u ngroheshin llampat“ atyre në Tiranë, që duhej të jepnin përgjigje brenda disa orëve, gjithçka kishte përfunduar. Këtë problem e has kur je vetë në „fushën e betejës“ dhe jo nga karrigia e funksionarit të Ministrisë së Jashtme. Shpesh për një problem të veçantë, përveç atyre që njiheshin përgjigjet, si për incidentin e Kanalit të Korfuzit, të arit, të qëndrimit ndaj Palestinës, apo në përgjithësi për Lindjen e Mesme, të problemeve të çarmatimit, ndaj superfuqive, qëllonte që duhej votuar për një problem specifik dhe të parrahur më parë. Nuk ishte më koha kur në vitet e ecjes në një rrugë me sovjetikët, delegacioni ynë e kishte më të lehtë për qëndrimin, pasi radhitej mbas tyre, apo edhe kur u lidhëm me Kinën dhe çdo veprim ishte në përputhje, ose deri diku me atë të kiniezëve. Sidoqoftë, kultura politike e përfaqësuesve të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe lidhjet që ata mbanin me vende mike europiane, arabe,  apo latinoamerikane, bënin që të pleqëronin sëbashku qëndrimin që duhej të mbanin për një problem të caktuar. Gjithashtu, para se të ikte ministri i jashtëm nga Nju Jorku, dhe diheshin në përgjithësi pikat e rendit të ditës të Asamblesë së Përgjithshme dhe të Komisioneve të veçanta, ai linte udhëzimet përkatëse për delegacionin. Problem më tepër paraqeste qëndrimi shpesh agresiv i fqinjit tonë të afërt që përfitonte nga hermetizmi i regjimit të E. Hoxhës për të atakuar disa herë me të drejtë, jo vetëm atë regjim, por edhe popullin e thjeshtë dhe punëtor shqiptar. Dhe perendimorët që e mbajtën E.Hoxhën në pushtet që nga 1944, për arsyet që i dijnë më mirë ata, bashkoheshin në korin e anatemave të diplomatëve, ndoshta edhe me origjinë shqiptare…

12 nëntor. Algjerianët janë fqinjë shumë simpatikë në komisionet e ndryshme të OKB-së. Ata flasin hapur me ne për probleme të ndryshme. Kanë ndjekur qysh nga lufta e Algjerisë emisionet e Radio Tiranës kur përmendeshin edhe heronjtë e tyre. Një gjë kam vënë re. Ata janë shumë më tepër në numër se delegacioni ynë. Shpesh ata i sjellin diplomatët e rinj në Nju Jork për të mësuar. Kështu veprojnë edhe shtete të tjerë nga Europa apo bota. OKB-ja për ta është si shkollë e diplomacisë. Dhe e vërteta kështu është. Në takimet e shumta me delegacione të ndryshme mëson shumë gjëra që në shtyp shpesh nuk dalin. Gjithashtu edhe për ndjekjen e problemeve më shqetësuese të kohës. Ke mundësi që brenda disa orëve, në sallat ku zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme apo gjashtë komisionet, të takosh me dhjetra diplomatë të shteteve anëtare të OKB-së. Një mundësi që është tepër e vogël në ambasadat në vendet e ndryshme të botës. Shumë diplomatë të formuar këtu në OKB janë bërë më vonë edhe burra shteti apo ministra të jashtëm të vendeve të tyre. Një ambasador algjerian që e kam njohur më parë është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ndërsa zëvëndës ambasadori algjerian që ndiqte punimet e Komisionit të çarmatimit, tepër komunikues dhe i matur, është tanimë kryeministër i Algjerisë.

22 nëntor. Sot është përvjetori i njëzetë i vrasjes së Presidentit amerikan Xhon Kenedi. Të gjitha mjetet e medias dhe TV flasin për këtë ngjarje e cila akoma ngjall diskutime lidhur me vrasësit e vërtetë të tij. Në fushën shoqërore, Kenedi u shpreh hapur për heqjen e kufizimeve raciale në ndjekjen e shkollës. Ai u propozoi amerikanëve projektin e “Kufirit të Ri”: për një drejtësi më të madhe shoqërore dhe për shkuarjen në Hënë. Në fushën e marrëdhënieve të jashtme, ai u luhat midis një afrimi me Bashkimin Sovjetik dhe një politike të ashpër ndaj regjimeve komuniste (në krizën e Berlinit më 1961), në Kubë ku ai arriti tërheqjen e raketave sovjetike dhe me Vietnamin kur përgatiti ndërhyrjen ushtarake amerikane. Qëndroi shumë pak kohë si presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, por u tregua tepër aktiv në politikën e jashtme dhe të brendshme amerikane. Ai gëzon një respekt të veçantë tek populli amerikan, paçka se ndonjë gazetar përpiqet ta „nxijë“ të kaluarën e tij me jetën pak a shumë liberale të Kenedit, sidomos në marrëdhënie me Merlin Monronë apo femra të tjera të bukura.

3 Dhjetor .Shpesh kur mblidhemi midis miqsh kujtojmë edhe ngjarje të jetuara apo edhe pak si të sajuara që e bëjnë mjedisin ku jetojmë më të gëzuar. Familjet shqiptare që punojnë aty, na presin si ujët e pakët, pasi ne zakonisht para se të nisemi në Nju Jork takojmë të afërmit e tyre. Ndodh që ata na pyesin përsëri për prindërit, apo fëmijët e tyre që kanë mbetur atje në Shqipëri. Tregojmë edhe ngjarje të tilla: njëherë një shoku ynë që shkonte për të ndjekur Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, kishte marrë letër nga vëllai i një shoku të Misionit. Ai niset në Nju Jork, i flet shokut të vet për familjen e tij, por letër nuk i jep. Kur kthehet në Tiranë sheh se letrën e kishte marrë përsëri me vete pa e dorëzuar. Një harresë që mund të shkaktonte brenga tek ai punonjës që kishte shkuar atje larg familjes. Shpesh kujtonim atë rastin, ndoshta pak të ekzagjeruar, për humor, kur vitet e para të hapjes së Misionit, një punonjës i shërbimit kishte pasur një telefonatë natën. E kishte marrë receptorin, por gjuhën angleze akoma nuk e kuptonte se sapo kishte ardhur aty. Ai personi në telefon thërriste “Fire, fire”( zjarr, zjarr). Punonjësi pa e ditur ç’ishte fjala “fire” ishte përgjigjur thjesht me fjalën që dinte: “Call tomorrow” (merrni nesër në telefon). Mbasi zjarri kishte marrë dhenë aty afër, pasi erdhën zjarfikësat u kuptua se ç’kishte ndodhur. Një rast tjetër kishte ndodhur me të vërtetë në një përfaqësi diplomatike në Europë. Një gazetar i radios nacionale të atij vendi kishte telefonuar dhe kishte pyetur nëse ishte diçka të re lidhur me një ngjarje të ditës në Shqipëri. Punonjësi i pranishëm, një sekretar i tretë që nuk e dinte mirë frëngjishten, ishte shprehur: “Les bureaux sont fermés. Téléphonez demain” (Zyrat janë mbyllur, telefononi nesër). Kolegu i tij që e kishte dëgjuar këtë sentence në radion e veturës, kishte vënë duart në kokë dhe kur i kujtohej ajo ngjarje gjithmonë qeshte pastaj me të madhe… Shpesh Reizi shkonte për të fjetur dhe nuk e zinte gjumi, vinte bashkohej përsëri me ne, duke na treguar barcoleta të bukura. Pastaj përsëri na linte ne akoma të vazhdonim bisedën, si më të rinj që ishim. Me ne qëndronin dhe Ilia Janku i paharruar nga Elbasani, Bashkimi që u bë me dy djem nga Amerika, Todi, Mëno,  Gëzimi, Ilia, Idaiu, Mikeli, Ladi...

10 Dhjetor. Së shpejti duhet të largohemi nga Nju Jorku. Qëndrimi ishte i gjatë, puna e lodhshme, por edhe kemi ndjerë kënaqësi. Kur kaloj para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara, si edhe shumë shokë të mij para meje, them: „Good bye for ever“ (Mirupafshim përgjithmonë). Në radhë të parë nuk e di nëse do të përfshihem përsëri në delegacionin e ardhshëm që shkon në OKB, dhe së dyti nuk e di nëse do ta përballoj përsëri qëndrimin aq gjatë larg familjes. Këtu dhe mundësia për t’u lidhur me familjen është e paktë, pasi njëherë për njëherë çdo bisedë telefonike duhet të kalojë nëpërmjet Italisë. E kuptoj pse ajo e shoqja e Mikelit ndjen dhembje kur kujton djalin që ka lënë në Tiranë, në një kohë që s’kishte mundësi ta mbante në Nju Jork, për arsye financiare. Vazhdimi i shkollës kushton shumë, dhe me rrogën e një sekretari të Misionit, ata s’kishin mundësi ta mbanin fëmijën e tyre. Një problem edhe për shumë familje që janë me shërbim jashtë Atdheut dhe në fakt, megjithë të mirat që kanë, bëjnë sakrifica të mëdha duke lënë fëmijët e tyre atje larg. Shpesh janë të afërmit që merren me ta, shpesh ata bëhen të llastuar dhe duhet shumë punë e mund që ata të ndjekin rrugën e mbarë në jetë.

15 dhjetor. Jemi në hyrjen e një diplomati shqiptar, si të gjithë tepër mikpritës. Në katin e 20-të, 250 East, 87 Street. Familjet janë një kat më sipër. Bashkimi na servir Uiski dhe është gjithmonë tepër mikpritës, si edhe e shoqja. Shpesh e kemi problem, pasi çdo familje e Misionit dëshiron ta kalojmë darkën sëbashku me ta. Muhameti është më tepër muhabetçi se unë dhe e njeh më mirë se unë Amerikën. Ai ka qënë edhe më parë. Mbi të gjitha ka një bagazh të madh njohurish. Ka qënë një nga profesorët më të mirë të anglishtes në Fakultetin tonë. Pastaj filloi punën në Institutin e Studimeve të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si një specialist dhe analist i zoti. Më pëlqen për metodikën dhe seriozitetin e tij. Gjithashtu, në çaste të veçanta më tregon gjithçka nga historia e familjes së tij, për të vëllanë që e don shumë dhe ka probleme shëndetësore, si edhe për miqtë e tij të shumtë. Shpesh m‘a heq mërzinë si mua ashtu dhe bashkëfolësve tanë, duke na treguar historira dhe barcoleta gazmore. Megjithëse ka një kulturë të gjërë dhe është tepër i aftë, asnjëherë nuk del përpara ambasadorit të këtushëm. Të shtunave ose të djelave dalim sëbashku sidomos për t‘u çlodhur diku aty tek „Central Park“, tek „Broduei“. Natën „Broduei“ është fantastik me ato dritat e shumta dhe reklamat maramendëse. Bukurinë ja shton edhe kalimi me kuaj shtatlartë, i punonjësve të shërbimit të policisë që duhet të mbajnë rendin. Megjithatë, deri më sot, edhe pse dalim më këmbë aty, asnjëherë nuk kemi patur as më të voglin problem. „Radio Siti Holl“ ku zhvillohen shfaqje madhështore duket nga larg me dritat e tij shumëngjyrëshe. Më ka bërë përshtypje edhe një shfaqje e komikut britanik Atkinson, i cili për dy orë na bëri për të qeshur në atë teatrin në Broduej.

20 dhjetor. Përgatitemi të largohemi nga Nju Jorku. Kalojmë edhe njëherë nga ndërtesa e Kombeve të Bashkuara. Në aeroport na shpien shokët e Misionit por edhe Gjergji simpatik me limuzinën e tij. Atje na prêt përfaqësuesi i « Air France » që është një mik i shqiptarëve. Takohemi edhe njëherë me vendasit, të përmalluar që na kanë dhënë me vete letra për familjet e tyre dhe dhurata të ndryshme. Avioni ngjitet në qiell dhe ne shohim përsëri atë qytet madhështor kozmopolit dhe Statujën e Lirisë. Shpresojmë të kthehemi përsëri për të ndjekur punimet e OKB-së por edhe për t’u takuar me bashkëkombasit tanë të mirë, fisnikë, punëtorë dhe mikpritës. « Good by New York »! (Mirupafshim Nju Jork)…dhe bashkëbesëlidhës fisnikë, të pastër nga shpirti, patriot dhe që e duan Kosovën me shpirt, Shqipërinë!

Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Alfredi dhe bashkëatdhetare në Florida
Alfredi dhe bashkëatdhetare në Florida
Safety Arbor
Safety Arbor
Alfredi me patriotin Hulusi Kavo
Alfredi me patriotin Hulusi Kavo



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora