E shtune, 27.07.2024, 02:54 AM (GMT+1)

Speciale

Hajdin Morina: Tematika dhe format e letërsisë për luftën

E merkure, 10.06.2009, 08:45 PM


TEMATIKA DHE FORMAT E LETËRSISË PËR LUFTËN

(Kumtesë e lexuar në Tribunën shkencore të Festivalit “I këndojmë lirisë”, Klinë, më 8 qershor 2009)

Nga Hajdin Morina

Rreth 5000 vjet më parë njerëzimi zbuloi shkrimin, mjetin  kryesor për fillimin e njërës nga veprimtaritë më të suksesshme siç është letërsia ose arti letrar. Letërsia që në fillimet e veta tregoi se njeriun dhe jetën e tij, të mbushur me pak gëzime, me shumë ngjarje tronditëse dhe luftëra, do ta kishte objekt kryesor të trajtimit. Ndikimi i artit letrar në ndryshimin e jetës së njeriut dhe të shoqërisë u vërejt që në zanafillë, prandaj qysh atëherë tabori kundërshtar zbuloi format me të cilat orvatej që shkrimtarit dhe letërsisë të mos i lihej vendi meritor dhe kryesor, dhe këto forma më vonë shteti i përsosi, duke sanksionuar rregulla, ligje e burgje për shkrimtarin. Letërsisë i dolën pengesa, por arti letrar assesi nuk u tjetërsua, nuk e ndryshoi misionin. Në  teorinë letrare dhe filozofike është pranuar mendimi se komunikimi letrar arriti të jetë komunikimi më jetëgjatë, përtej filozofisë dhe politikës: veprat letrare të shkruara para 4000 vjetësh arrijnë sot të komunikojnë me lexuesin. Krijimtaria letrare, sikurse arti në tërësi, është veprimtaria që ka qëndruar më së shumti pranë njeriut, ka ndikuar në luftën për çlirimin e njeriut dhe të popujve, ka qenë pjesë e kësaj lufte.
Tema atdhetare ka qenë e pranishme në letërsi qysh në fillimet e saj, sepse njeriu shumë herët e përjetoi konfliktin shoqëror dhe luftën, të cilat pastaj e përcollën gjatë gjithë ekzistimit të tij, deri në ditët e sotme. Në krijimet më të vjetra të shpirtit njerëzor e hasim përpjekjen për liri dhe dëshirën për të njohur natyrën dhe ligjet e saj.
Edhe në letërsinë shqiptare, si pjesë e pandashme dhe e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës së përbotshme, lufta zë vend që në fillim. Jo vetëm kaq. Vetë dokumentimi me shkrim kaq i vonë i gjuhës shqipe është rezultat ose pasojë e luftës. Shekujt e robërisë së gjatë, përpos dëmeve të tjera të mëdha që i sollën Shqipërisë, ishin shkatërrimtarë të shumë veprave dhe monumenteve të artit dhe të kulturës së lashtë të popullit tonë. Vetë “Meshari” i Gjon Buzukut, i botuar më 1555, vepra e parë e shkruar shqip, më sa njohim deri më tash, na erdhi në ditët tona pa titullin e saj të vërtetë, sepse i mungojnë kopertina dhe faqet e para, titullin “Meshar” ia dhanë më vonë autorë të tjerë, duke u mbështetur në përmbajtjen e veprës.
Si frymëzuese dhe pjesë e pandashme e luftës sonë për liri gjatë shekujve, letërsia shqiptare qysh në veprat e para trajtoi luftën me format dhe përmasat e saj, evidencoi në mënyrë estetike, dokumentare dhe kronologjike prijësit dhe heronjtë e luftës. Qysh në veprën e parë të botuar nga një shqiptar, por të shkruar në gjuhë latine, pra në veprën “Rrethimi i Shkodrës” (1504) të humanistit shqiptar Marin Barleti zë fill trajtimi i temës atdhetare dhe luftarake, përshkrimi artistik në mënyrë të detajuar i luftës mbinjerëzore që bënë shkodranët për ta mbrojtur qytetin e tyre nga ushtria turke. Me rënien e Shkodrës, Turqia shtriu pushtimin në të gjitha qendrat dhe qytetet e Shqipërisë, qyteti u zbraz dhe shumica e qytetarëve të tij mërguan në Venedik. Marin Barleti edhe në veprën tjetër, “Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut” po ashtu të shkruar në gjuhën latine, na ka dhënë atmosferën e luftës që ka bërë populli ynë kundër sundimit turk, më në krye Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Duhet përmendur edhe faktin se kjo vepër bëri jetë në duar të lexuesit të Evropës e të botës, qindra vjet, duke qenë e përkthyer në shumë gjuhë botërore, kurse në gjuhën shqipe u përkthye pas qindra vjetësh. Edhe ky detaj, sigurisht, flet për vështirësitë historike që përjetoi populli, gjuha dhe letërsia jonë, për trysnitë e ndryshme që bënë të huajt për të na asimiluar, për të mos u ndier e gjallë fryma e emancipimit dhe e edukimit kombëtar.
Në teorinë e mendimit teorik shqiptar është konstatuar se letërsia jonë është letërsi e rezistencës, pra letërsi e luftës dhe e fatit të popullit që e ka krijuar. Prandaj, jo vetëm në fillimet e saj, por në çdo periudhë të zhvillimit historik letërsia jonë ka trajtuar temën atdhetare, temën e luftës dhe të qëndresës shekullore kundër armiqve të ndryshëm. Është vështirë të gjendet një shkrimtar shqiptar, i çfarëdo periudhe qoftë, është vështirë të gjendet ndonjë shqiptar që ka provuar të shkruajë diçka në gjuhën e vet e të mos ketë shkruar një shkrim të vogël, një vjershë, hartim a tregim për Atdheun ose për ndonjë hero a dëshmor të tij. Në këtë drejtim, vlen të përmendet fakti se letërsia shqiptare në disa periudha të zhvillimit të saj i ka hyrë vetes në hak, ka vepruar kundër vlerës së saj estetike për të qenë zëdhënëse, frymëzuese dhe mobilizuese e masave të popullit për liri. Dhe këtë gjë shkrimtarët tanë e kanë bërë me qëllim, duke iu përgjigjur zërit të Atdheut dhe të ndërgjegjes kombëtare. Një dukuri të tillë letrare mund ta gjejmë të përhapur në përmasa të gjera në periudhën e letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare, në periudhën që me të drejtë quhet projekti më i madh kombëtar, sepse asokohe populli ynë manifestoi vitalitetin e tij krijues, kulturor dhe luftarak si asnjëherë tjetër, duke organizuar luftëra në shkallë kombëtare kundër robërisë shumëshekullore turke. Shkrimtarët më të mëdhenj të Rilindjes, Naimi, De Rada. Dara i Ri lëvrimin e formave letrare me tematikë atdhetare e përdorën për ngritjen dhe zgjimin kombëtar të popullit tonë, kurse Naim Frashëri e ka shkruar poemën atdhetare “Bagëti e Bujqësi” me qëllim që të ndikojë te shqiptarët që ta duan Atdheun e tyre, Shqipërinë, që të mos heqin dorë nga identiteti shqiptar, por ta ndienin veten krenarë që mbanin këtë emër. Realizimi i qëllimeve jashtëletrare, me anë të veprës artistike, Naimit i solli telashe të vogla nga disa kritikë letrar, por aspak nuk iu ul rëndësia dhe popullariteti si poet kombëtar, ndër më të mëdhenjtë shkrimtarë që ka lindur populli ynë.
Sa u përket formave (zhanreve) letrare në letërsinë e luftës, aty hyjnë pothuajse të gjitha llojet letrare që trajtojnë edhe tematikën tjetër. Pra, shkrimtarët shqiptarë për të paraqitur artistikisht luftën dhe heronjtë e saj kanë përdorur format e lirikës, të epikës e të dramatikës. Forma të tjera të shkrimeve për luftën janë: fjalët e urta, ditarët e luftës, libri i kujtimeve, shkrimet në lapidarë dhe monumente të dëshmorëve të Kombit.
 Për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për heronjtë dhe dëshmorët e saj më së shumti janë shkruar vargje lirike, por edhe tregime, e më pak tekste dramatike. Tematika atdhetare e këtyre ngjarjeve dhe figurave të kësaj lufte zë vend qendror në këngët popullore të krijuara gjatë luftës dhe pas kësaj, deri në këngët më të fundit që u paraqiten në Festivalin e nëntë folklorik “I këndojmë lirisë”. Festivali folklorik “I këndojmë lirisë” tashmë ka hyrë në grupin e atyre krijimeve dhe veprave kulturore nacionale që afirmojnë vlerat kombëtare, ata që krijojnë vlera të para siç janë krijimi dhe ndërtimi i lirisë, krijimi i vlerave morale, shpirtërore e kombëtare si vlera të përjetshme që ushtrojnë ndikim të madh në zhvillimet dhe proceset shoqërore.
Ky Festival arrin të ushtrojë ndikim dhe katarzë specifike me përmbajtjen dhe fizionominë e tij, duke bashkuar në skenën e artit, si në një sofër të madhe të përbashkët, pasuritë etnomuzikore që ka krijuar aftësia krijuese e popullit tonë gjatë shekujve.Festivali bën pjesë në grupin e organizimeve dhe ndërkomunikimeve të rëndësishme në hapësirën mbarëkombëtare shqiptare.
       Personazhet kryesore të këtyre këngëve janë figurat lapidare, monumentale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Jashari, Mujë Krasniqi, Zahir Pajaziti, Tahir Sinani, Luan Haradinaj, Ismet Jashari-Kumanova, e sa e sa të tjerë, të cilëve është e pamundur t’u përmendet emri, sepse ata janë shumë dhe të gjithë meritojnë respektin dhe nderimin tonë më të sinqertë dhe të amshueshëm.Pavdekshmërinë e këtyre dëshmorëve të kombit e jep me forcë të veçantë artistike pothuajse çdo varg i këtyre këngëve.Me stil të përsosur artistikisht këngëtari dhe krijuesi ynë i thur himn Komandantit legjendar Adem Jashari kur ,ndër të tjera, thekson: Jo, nuk vdes Adem legjendari, ose: Uji i bjeshkës i rrjedh përposhtë e ai lartësohet si flamur.Nuk e di a mundet ndonjë figurë tjetër ta përjetësojë kështu në këngë komandantin legjendar, sa figura e përjetshme e ujit dhe e flamurit tonë kombëtar.Uji rrjedh përgjithmonë, Flamuri lartësohet po ashtu përgjithmonë drejt mbulimit të hapësirave të paskajshme të lirisë dhe ardhmërisë sonë, dhe gjatë gjithë kësaj kohe neve na mbetet i pavdekshëm  kujtimi  për legjendarin e UÇK-së Adem Jashari.Me mjete të përafërta artistike përshkruhet edhe figura e Komandantit Mujë Krasniqi, të cilin rapsodi e paraqet vazhdimisht në lëvizje, ai është komandanti që u bë Flamur, ai i pari i prin kolonës, kah shkel ai shkrihet bora, ai vrapin drejt lirisë nuk e ndal, vjen me borë e vjen me shi, nga Shqipëria në Shqipëri.Me mjeshtëri dhe aftësi të rrallë të krijimit është përjetësuar ndër vargjet e këngës edhe figura e Tahir Sinanit, i cili me dashurinë dhe me flijimin që bëri për trojet shqiptare arriti ta shtrijë kujtimin dhe respektin për të jashtë trevës së Tropojës, sepse Tahir Tropoja u bë Tahir Kosova, Tahir Presheva, Tahir Tetova dhe Tahir Shqipëria.
Letërsia shqipe që në fillimin e saj u mbush me luftë, gjak e liri.Liria me përmasa jo të plota që herë pas here e shijuam, u mbush me këngë për luftën dhe për lirinë me përmasat e dëshirueshme, me formën e lirisë kombëtare, të ligjshme dhe të arritshme brenda hapësirës natyrore të shqiptarëve.
Po përfundoj,  duke përmendur respektin dhe nderimin që e la të shkruar në librin e kujtimeve në Prekaz shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare kur e vizitoi Prekazin dhe Jasharajt legjendarë: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën. Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë.Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallëherë në jetën time. Marr prej kësaj shtëpie një kumt që çdonjëri kujton se e di, por që ka nevojë përherë të përsëritet.Ju falemnderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora