E shtune, 27.07.2024, 03:11 AM (GMT+1)

Speciale

Sami Islami: Klintoni dhe fëmijët e Kosovës

E merkure, 03.06.2009, 09:26 PM


KLINTONI DHE FËMIJËT E KOSOVËS

(Në prag te inagurimit të statujes së Presidentit  Bill Klinton në Prishtinë)

Nga Sami ISLAMI

Tani në kohën kur në media po qarkullon lajmi se në Prishtinë , së shpejti do të ngritet shtatorja e ish presidentit  Bill Klinton, më erdhën në mendje kujtimet ende shumë të freskëta, pas përfundimit të luftës në Kosovë erdhi  edhe  presidenti i atëhershëm dhe miku i vërtetë i të gjithë  shqiptarëve. Atëherë këtë privilegj e pat qyteti i Ferizajit. Ky qytet qe i privilegjuar sepse  qe qyteti që u vizitua për herë të parë nga një president i SHBA-ve. Kush do ta besonte se një qytet i vogël, në jug të Kosovës heroike, e cila u shqua për luftën e saj të madhe për t’iu kthyer jetës, do të bëhej një ditë ”residencë“ e një kryetari të SHBA-ve! Ja që nganjëherë gjërat vijnë  edhe pa u parashikuar! Presidenti, miku më i madh, jo vetëm i popullit shqiptar të Kosovës, por edhe  miku më i madh i të gjithë shqiptarëve, presidenti  Bill Klinton, erdhi në Kosovë, erdhi në qytetin rrëzë Sharrit legjendar.

1

Më kujtohet kur i madh e i vogël dolën ta prisnin mikun e tyre. E pse të mos dilnin? Shqiptarët edhe ashtu e kanë traditë mikëpritjen, por kur është fjala për një personalitet që bëri aq shumë për këtë popull të shumëvuajtur, po që  lidhet edhe e ardhmja e Kosovës, kjo mikëpritje merr një kuptim më të gjerë. Ishte kohë e ftohë e me borë e sqotë , kur në qendrën sportive u tubuan ferizajasit t’i prisnin miqët nga Amerika! Bashkë me  ish-presidentin  Klinton qe edhe ish- sekretarja e Shtetit, Madelenë Ollbrajt.

Ajo që  ishte  e veçantë në këtë vizitë ishte se ish- presidenti Klinton dhe ish-sekretarja Ollbrajt u takuan me më të vegjëlit, më të njomët, me më të çiltrit e botës, me fëmijët ferizajas! Dhe komunikimi i presidentit amerikan me këta fëmijë, ishte nder i madh që po i bëhej tërë  popullit shqiptar. Asnjë herë deri më tani nuk më ka rënë të shoh presidentin Klinton të ishte aq i emocionuar. Fundja s’kishte si të mos ishte i tillë, në një mjedis, i rrethuar me bilbilat e Kosovës. Përshëndetjet e tyre drejtuar presidentit qenë sa miqësore  aq edhe modeste. Se ku ka fjalë më e madhe kur nga goja e një fëmije del fjala drejtuar presidentit Klinton; ” Ju na premtuat se do të na ktheni në shtëpi  dhe e mbajtët fjalën“ .

Po ku ka gjë më të shenjë se shtëpia? Në fakt ky qe imperativi i këtij fëmije dhe i mijëra e mijëra fëmijëve të tjerë të Kosovës, që i përjetuan tmerret e luftës, bashkë me  tërë popullin  e Kosovës.  Dhe vërtetë  kërkesë dhe dëshirë  më elementare se kjo  nuk di se mund të ketë?

Miku i mirë, dihet në ditë të vështirë- thotë populli. Dhe miqët e vërtetë të shqiptarëve u panë në luftën e fundit. SHBA-të dhe aleanca  Atlantike në këtë fundshekull dhe në këtë fundmilenium bënë një mrekulli përsa i takon zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Kjo gjë duket edhe sot se Amerika bëri që shqiptarët, në përgjithësi të bënin një kthesë të madhe drejt lirisë , demokracisë…
E kam në mendje edhe faktin se kur u pa që  shqiptarët po përjetonin golgoten më të pa parë të fundshekullit të kaluar,  vetëm SHBA-të dhe Aleanca Perëndimore, përfundimisht i tha ”JO“ kësaj mynxyre të Serbisë. Këtë e përsëriti edhe ish-Presidenti amerikan, miku më i madh i popullit shqiptar, mu para ferizajasve: ”Z. Millosheviq deshi që t’ju nxjerr të gjithëve jashtë, por ne i thamë ”JO“. ”Ne e fituam luftën, por dëgjoni, vetëm ju mund ta fitoni paqen!...”, qenë fjalët që asnjë shqiptar nuk i ka harruar dhe nuk do t’i harrojë për tërë jetën.

Skenat më rrënqethëse që ishin parë ndonjëherë në historinë e re të luftërave, u panë në Kosovë. Dhe s’thuhej kot se Kosova ishte fuçi baruti. Hasmëria e regjimit të Millosheviqit për të asgjësuar çdo gjë shqiptare u pa. Bota e pa dhe u bind se karvanet e ikjes së shqiptarëve nga shtëpitë e tyre  përbënin një tragjedi të re të popullit tonë. Këtë tragjedi e përjetuan në kurrizin e tyre edhe më  të njomët edhe  më të pafajshmit e botës, më të çiltrit, fëmijët. Pra e pësuan edhe ata fëmijë, të cilët ditën aq mirë t’ia shprehin brengat, aspiratat dhe dëshirat e tyre edhe presidentit amerikan në Ferizaj. Në ekzodin e paparë, do të thoshim biblik, të shqiptarëve, njëri nga poetetët më të medhenj të kohës së sotme, i cili edhe ai vetë e përjetoi këtë katrahurë, dhe që jeton në Amerikë, qe  poeti  Zeqir Gërvalla.  I gjendur në Bllacë , në mes të refugjatëve të të gjitha moshave, pat shkruar edhe këto vargje:

Tmerrin e Bllacës
Kush e përjetoi
“Ferrin” e Dantes
S’ka pse ta lexojë.
 
Dhe nga ky tmerr faktori amerikan, në rend të parë, por edhe miqtë  europianë bënë që shqiptarët të mbijetojnë. Se  vërtetë, gjatë historisë së vet shqiptarët nuk kanë pasur ndonjë aleat aq të madh dhe të vendosur për t’i ndihmuar si në luftë, ashtu edhe në paqë, siç qe  Amerika dhe presidenti i saj  Bill Klinton. Një kësi gjesti human kishte bërë edhe presidenti Wilson, në prag të Konferencës së Versajes, ku po planifikohej që edhe  Shqipëria londineze të zhdukej fare. Fale vetos së presidentit Wilson atëhere shpëtoi Shqipëria. Tani  falë ndihmës së presidentin Klinton  Kosova fitoi pavarësinë  dhe u njoh prej 60 shteteve. 

Në këtë rrugë të gjatë dhe të mundimshme për gjysmën e popullit shqiptar, paqja  erdhi. Erdhi  me 17 shkurt të vitit 2008 kur  Kosova i dha fund robërisë me një shekullore nën pushtetin serb.
Kështu,  para se të largoheshin nga Ferizaji, ish- presidenti Klinton, ish-sekretarja e shtetit  Ollbrajt, i premtuan  popullit të Kosovës, por mbi të gjitha fëmijëve të Kosovës se vuajtjet e popullit shqiptar kishin përfunduar, hasmëritë e vjetra dalëngadalë do të ikin, kurse fëmijëve iu drejtuan me këto fjalë:”Ju fëmijë do të rriteni në liri, me përkrahjen amerikane“! Premtim domethënës, apo jo?

Tani, pas 10 vitesh ,  presidentin  Klinton Kosova do të nderojë  ndryshe. Do të derdh statujën e tij ne bronx, ( që janë raste të rralla kur për së gjalli t’i ngrihet dikujt një shtatore si kjo që e kemi fjalën) për të qëndruar përgjithmonë në Kosovë. Tani do të qëndrojë në kryeqytetin tonë dhe dhe do të vendoset në pjesem e qytetit ku edhe është bulevardi  me të njejtin emër: Bulevardi  Bill Klinton. Nuk e di , kështu ndoshta ne, do të mund t’ia shpërblenim deri diku aktin e madh që bëri ai dhe në të njejtën kohë, krejt Amerika për lirinë e më se 2 milion shqiptarëve.  E fëmijët e Kosovës do të jenë ata që do tas kujtojnë më gjatë presidentin Klionton.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora