Speciale
Baki Ymeri: Titu Maiorescu dhe interesimet rumune për një Shqipëri të fuqishme
E diele, 17.05.2009, 05:24 PM
Titu Maiorescu dhe interesimet rumune për një Shqipëri të fuqishme
"Në reçepcionin diplomatik të djeshëm, u kam folur krejt ministrave për interesin e Rumanisë për një Shqipëri etnike". "E duam një Shqipëri sa më të fuqishme dhe sa më të gjerë, dhe po qe se ka mundësi, edhe një Maqedoni autonome".
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Në bazë të një retrospektive historike për ndriçimin e problemit shqiptar në prak të pavarësisë, kuptojmë se interesimet e autoriteteve rumune nuk ishin për një Shqipëri të cunguar, siç i konvenonte kuçedrës ruse dhe aletëve të saj në Ballkan, por për kundrazi: Rumania përgjatë periudhës së Mbretërisë, militonte për një Shqipëri reale, e shtrirë deri në kufinjtë shpirtërorë të Saj. Tjetër punë është fakti se me instalimin e diktaturës komuniste, një kreaturë demagogjike e përzjerë me shërbime të fshehta që favorizonin diskriminimin e të drejtave të njeriut, punët morën nga e prapa: autoriteteve rumune më tepër u interesonte pseudo/miqësia politike serbo/sovjetike, se sa interesimi konkret ndaj rumunëve të diskriminuar në Luginën e Timokut (Serbi), të Bukovinës në Ukrainë dhe të Besarabisë (sot republika e Moldavisë, ishkoloni e Bashkimit Sovjetik).
Çështja e indipendencës së Shqipërisë, sipas historianit bukureshtar Anton Caragea, "ka qenë tejet delikate dhe ka joshur vëmendjen e të gjitha fuqive europiane. Kështu, në kohën e konflikteve ballkanike, përmes tratativave të Londrës (30 maj 1913), dhe sidomos përmes Konferencës së fuqive të mëdha në Florencë (1913), debatet lidhur me pavarësinë e Shqipërisë u bënë tejet të ndjeshme edhe në Rumani. Rumania , sipas dokumenteve të kohës ishte e interesuar në mënyrë speciale për zhvillimin e situatës, përmes përkrahjes së kandidaturës në fronin shqiptar të princit Wilhelm de Wied". Burimet janë tejet interesante ngase ato reflektojnë në mënyrë konkludente relacionet e ngushta ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë së re. Kështu, në bazë të ditarit, më 21 nëntor-4 dhjetor 1913, Titu Maiorescu, kryeministër, shënon në telegramën dërguar Lartmadhërisë së Tij, Mbretit të Rumanisë: "Në recepcionin diplomatik të djeshëm, u kam folur krejt ministrave për interesin e Rumanisë për një Shqipëri të madhe". Më 26 nëntor - 9 dhjetor, kjo ide përsëritet në një bisedë me delegacionin bullgar, ku ai relaton: "E duam një Shqipëri sa më të fuqishme dhe sa më të gjerë, dhe po qe se ka mundësi, edhe një Maqedoni autonome".
Interesimi për Shqipërinë nuk bë përgjatë atij muaji, ngase më 18-31 dhjetor, pason shënimi përkatës: "Në ora 14/12, vjen te unë oficeri Osler: para për ndërmarjen shqiptare në favor të princ Wilhel de Wied. I thash të më shkruajë dhe do të flas me Mbretin". Më 22 dhjetor - 4 janar, ai është i pari që kupton për kandidaturën e princit në fronin e Shqipërisë. Në ora 12/12, gjeti në shtëpi (...) një letër të Mbretëreshës, sëbashku me letrën e pranuar nga princ Wiedi dhe disa nga bashkëshortja e tij, Sofia , përmes të cilave pranojnë me njëfarë rezerve kandidaturën në Fronin e Shqipërisë. Një muaj më vonë, thekson dr. Karaxha në kuadrin e artikullit "Titu Majorescu dhe Independenca e Shqipërisë", princi Wied arrin në Bukuresht për të diskutuar me autoritetet rumune çështjen e tij. "Në ora 9-të në mëngjez, jam te Princ Wilhelm de Wied, në Pallatin Mbretëror, deri më ora 10-të. Erdhi edhe princesa Sofia , gruaja e princit. U bë fjalë për kandidaturën që ia ka propozuar Fazli pashë Toptani dhe lokotenenti Osler për Fronin e Shqipërisë së ardhshme. Më pyet përnjëherë po qe se Mbreti ynë e do. Përgjigja është po, vetëm mos të dështojë, për atë Mbreti dhe ne, zyrtarisht dhe absolutisht jemi të rezervuar, për atë i propozoj (në cilësi të titullarit personal dhe të pavarur) të dërgojë një njeri besnik të shtëpisë së Wiedit (me rreth 10.000 franga) te Fazli Pasha dhe te Osleri (…)".
Titu Maiorescu
Në ditët që pasojnë, princi dhe princesha Wied janë prezentë në të gjitha ceremonitë (pagëzimi i princit Mirçea, tryeza zyrtare, etj). Në ditarin e kryeministrit Majorescu pason një shënim i ri dhe i rëndësishëm: "Nga ora 7 e deri më 7.34, në mbrëmje, princ Wiedi ishte te unë lidhur me kandidaturën e tij të propozuar për Fronin e Shqipërisë. E këshilloj të dërgojë një njeri besimi të tij në Vjenë dhe të marrë lidhje me Ion P. Carp dhe delegatët shqiptarë". Pas vajtjes së prince Wied në Shqipëri, çështja shqiptare mbetet në vëmendjen e kryeministrit Majorescu, i cili do të shënojë më 25 mars: "Nesër (të mërkurën, do të pranohet për herë të parë Mishu në takimin e ambasadorëve në Londër, në diskutimet lidhur me kufinjtë e Shqipërisë së re kah jugu ku jetojnë arumunët (rreth 98 komuna) në të dy anët e Pindit".
Dëshira e kryeministrit rumun mbeti në letër, fjalët e tij i mori era, ngase Kosovën shqiptare e gëlltiti Serbia , ndërsa Çamërinë arumuno/shqiptare e gëlltiti Greqia. Po shtojmë me këtë rast faktin se në malet e Pindit, në Suli e Janinë, krahas shqiptarëve jetojnë edhe arumunët. Pindi shquhet për një varg fshatrash arumune që kanë lidhje zinxhirore me vendbanimet shqiptare të Çamërisë. Interesimi i atëhershëm i Rumanisë për krijimin Shqipërisë së bashkuar, me një mazhorancë shqiptare dhe me një minorancë arumune, ishte një interesim i sinqertë. Me ardhjen e Princ Wiedit në Fron të Shqipërisë, sipas Anton Karaxhës (rum. Caragea), "Titu Majorescu do të shënojë se çështja u zgjodh në mënyrë të kënaqshme për të dy vendet" (Albanezul, nr.12, 1999).
Ky është konkluzioni i tij, i sinqertë dhe pa ndonjë prapavijë politike, edhepse problemi shqiptar mbeti i pazgjidhur sot e kësaj dite, asokohe si pasojë e shijeve paranoike të Serbisë dhe Greqisë për okupimin ushtarak të Kosovës dhe Çamërisë, ndërsa sot si pasojë e mashtrimit të Europës dhe botës nga të njëjtat propaganda terroriste që i perhaps(te) lobi serbo/grek gjoja se shqiptarët qenkan myslimanë, ndërsa myslimanët terroristë. Shqipërisë dhe Kosovës janë duke ia bërë sherrin edhe diplomatët shqiptarë që i kanë shërbyer diktaturës komuniste, protagonistë të frikës që kyçen brenda mureve të ambasadës duke i bërë temena servilizmit dhe heshtjes, siç u konvenojnë ishkomunistëve rumunë që deri dje ishin kundër bombardimeve të NATO-s (1999), kurse sot kundër pavarësisë së Kosovës. Jo për të gjithë e kemi fjalën por për klasën politike që u bë viktimë e propagandave serbe gjoja se atë që e kërkojnë shqiptarët e Kosovës, e kërkojnë edhe hungarezët e Transilvanisë, pa e ditur se Kosova nuk është Harkovasna e Rumanisë por Basarabia e Shqipërisë. Si e shpjegon gazeta Flamur' i Shqipërisë, ardhjen e princ Wiedit në ballë të atdheut të shqiponjave? .
Mbreti i Rumanisë, Carol I
Nga artikulli bazë, Kremtimi ditën 22 shkurt, Flamuri i Shqipërisë, Nr. 10, Konstancë, 1916), kuptojmë se „Dita e 22 shkurtit është ditë e shenjtëruar e Kombit Shqiptar dhe shpresoj se çdo atdhetar i vërtetë e ka nër mënd. Cila qe pra kjo dita historike që lidh zemrat e gjith Shqipëtarëve me ligën e shenjtëruar, që bashkon Tosk e Gegë, Muhamedan e të Krishterë, të pasur e të varfër, qytetarë dhe fshatarë? Është dita në të cilën Princi de Wied shkelte tokën e Shqipërisë, froni i Skëndër-beut s’mbetesh më i zbrazët edhe të thënit e Shën Kozmajt, siç mbajnë mënd pleqtë, mbushet. Po atë ditë dhe nga deti vinte shpëtimi i Shqipërisë siç tha ay shënt i math. Atëhërë vështrojm që dëshirat e kaqë njerëzve prej kaqë kohë mbushen. Është ora në të cilën Shqipëria heq robën e zisë, që mbante që kur se vdiq Skënderbeu. Zgjat dorën dhëndërri, edhe të dy bashkë dalin ballë lartër përpara shokëve. Atëhere Shqipëria s’ishte më shërbëtore po Zonjë”.
Froni i Shqipërisë në të vërtetë, mbetet edhe më tej i zbrazët. Pse? Ngase as Princ Vidi, as Ahmet Zogu dhe as Enveri me pasardhësit e tij nuk arritën ta bëjnë Shqipërinë zonjë, duke i lënë shtatëmilionë shqiptarë në gjashtë shtete, me një gjuhë, me dy flamuj, me gjashtë pasaporta dhe 15 parti politike. U kthye Princ Widi i fyer si pasojë e bajraktarizmit anadollak të Esad Pashë Toptanit, iku Ahmet Zogu me arkat e arit, vdiq Enveri pa e rikthyer Kosovën në gjirin e atdheut, vdesin bijtë dhe bijat e rilindasve tanë në diasporë pa e parë Shqipërinë. Pse? Ngase ndjenja shqiptare e pandjeshmërisë diplomatike gërshetohet me varfërinë ekonomike si pasojë e korrupcionit politik, gjë që të shtyn të meditosh për forma të reja të qeverisjes përmes rikthimit në diktaturë. Jo për diktaturën e Partisë së Punës e kemi fjalën, por për diktaturën e atdhetarizmit, të profesionalizmit, të ndershmërisë dhe përgjegjësisë.