E shtune, 27.07.2024, 02:48 AM (GMT+1)

Speciale

Fritz Radovani: ''Asnjë meshtar nuk ka kallxue rrëfimin! Prandej, mos e kërkoni këtë...''

E shtune, 16.05.2009, 04:10 PM


“ASNJË  MESHTAR  NUK  KA  KALLXUE  RRËFIMIN!
PRANDEJ,  MOS  E  KERKONI  KËTE...”

Nga Fritz RADOVANI

Secili Klerik Katolik Shqiptar ka arrijtë me u derdhë në bronx nga vetë Sigurimi i shtetit komunist. Në secilën birucë të Degës së Mbrendshme ku janë torturue Meshtarët do të gjeni të shkrueme me gjakun e Tyne të Shenjtë: Historinë e Kishës Heroike Shqiptare...
 Shkrimtarët dhe artistët e pacipë të “realizmit socialist” Rakip Beqja, Jup Kastrati, Viron Koka, Skënder Drini, Vehbi Bala etj. të pasuem nga studjuesit e spijunët e Sigurimit të shtetit komunist të dosjeve në arkivat e Ministrisë së Mbrendshme Xheudet Miloti, Mark Dodani, Nevzat Haznedari, Xhemal Dini, Jovan Vujoshi, Musa Kraja, etj. vazhdojnë me kenë “spijunët vullnetarë” të skilës së “Revolucionit ideologjik e kultural” Ramiz Alisë. Po ngordhin bashkë me ideologun e tyne pa thanë të vërtetën e angazhimit të tyne në luftën e vazhdueshme dhe të përgjakun nën maskën e komunizmit, kundër Besimit Katolik Shqiptar dhe të gjithë Atyne Atdhetarve të vërtetë Musliman dhe Ortodoks, që luftuen dhe punuen për Unitetin dhe Vllaznimin e Popullit tonë, tue fillue nga Hafiz Musa Derguti, Hafiz Ali Tari, Hoxhë Xhemal Najpi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Myftia, Irene Banushi etj...
 Në vitin 1956, kur Bota u trand nga Revolucioni Hungarez, na pat ba përshtypje një thanje e Kardinalit Minzenti në Budapestin e shkelun nga tankët sovjetike: “....mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të më bajnë mos me kenë ma ky që jam sot;...” (F.R. libri “At Pjetër Mëshkalla SJ.” Fq. 23, bot.II, Zagreb 2007). Dhe, me të vërtetë pa kalue as dy vjet nga kjo thanje, u provue në Shqipni dhe mu në Shkoder, në Kinema “Republika” në vjeshtën e vitit 1958, me gjyqin e zhvilluem kundër Don Ejëll Kovaçit. Ndonse akuzat u velën që në sallë kur e motra e Don Ejllit, Angjelina u çue dhe tha: “Nuk kishte si mos me e pranue këte akuzë vëllau i em, mbasi në gojën e Tij ishte revolja e gjeneral Hilmi Seitit, e gatëshme me u shprazë po mos ta pranonte...”. Gjithë përpjekja e Sigurimit u shpartallue nga Motra Burrneshë e Don Ejllit e bashkë me Hilminë që ndodhej prezent aty...deshtoi edhe vetë “hartuesi” i planit të zhdukjes me turp të Klerit.
 Kam lexue mjaft materiale të shpikuna për këte gjyq. Kam lexue edhe mbas vitit 1991 të tjera, por ma i sakti për mue asht kallximi i At Dioniz Makës, në shtëpinë e Tij, në vitin 1994, mbas një udhtimi që aso kohe At Dionizi kishte ba në krejt zonën e Pukës, që Ai e njihte me kohë dhe, nga pleqtë e vjetër kishte kërkue “të vërtetën” e gjyqit Don Ejllit. 
 “Në Pukë, kur ka ndodhë vrasja e Markut, kryetarit të këshillit, ka shkue kolonel Mehdi Bylbyli, nga Ministria e Mbrendshme e Tiranës vet’ i dyti, i cili ka marrë Markun nga një rrugë pranë Prronit, gjoja për me e shoqnue dhe aty e ka vra. Bashkë me një tjetër oficer nga Tirana e kanë çue të vramin në qelë, ku nuk ndodhej atë natë Don Ejëlli... dhe,  në bashpunim me gjeneral Hilmi Seitin, kryetar i Degës së Mbrendshme në Shkodër, kanë realizue skenarin e prëgatitun nga Sigurimi komunist...” (Kallxim i At Dioniz Makës 1994)
 Sigurisht, një ditë koha ka me tregue shumë nga këto skenar që u zhvilluen atëherë, por viktimat mbesin të pafarë nga këta sajime e trillime të Shtetit komunist, që ndryshej nga labirintet e “kohës moderne”, torturën e kishte “mjet qeverisje” dhe, kjo, as nuk shoh se diskutohët nga institucionet ndërkombëtare që gjoja mbrojnë të drejtat e njeriut. Askush në Botë nuk mundët me provue se ajo që ka ndodhë në Shqipni ka ndodhë edhe në vendet tjera socialiste apo kapitaliste, kundrejt Klerit Katolik.
 Sigurimi komunist nuk ngopet me pushkatimin e të pafajshmit Don Ejëll Kovaçi, po edhe sajon arrestimin e At Leonard Shajakut OFM. dhe At Marjan Prelës OFM. pra, edhe të dy Françeskanve të tjerë që nuk kanë të bajnë fare me ngjarjën e sipërme, por që edhe Këta përfshihën në atë skenar për “mos denoncim të Sakramendit të Rrëfimit”...
 “Duhet ta dini se Kisha nuk njeh asnjë Meshtar që ka kallxue Rrëfimin, prandej, mos e kërkoni këte, se nuk do ta gjeni as ju tek unë!” (Dosja 2229 Arkivi M.M Tiranë). 
                                                                                           

At Leonard Shajaku
At Leonard Shajaku
Këto fjalë tha At Leonard Shajaku i thirrun dëshmitar para gjyqit të sajuem të Don Engjullit, të cilat çojnë Sigurimin e shtetit në deshtimin e dytë para të pathyeshmit Klerit Katolik Shqiptar. Nuk pritej nga komunistët një qendrim kaq burrnor i një Meshtari që i kishte kalue të 70 – tat vite...U ndigjue ndër altoparlanta një zhurmë në sallën e gjyqit, por ma vonë mësueme se Meshtari plak ishte proçedue dhe për këte qendrim ishte dënue 5 vjet burg me heqje lirije dhe dergue në kampet e shfarosjes, ku edhe asht sëmurë...mbasi shpejtë kur doli nga burgu vdiq prej vuejtjesh t’atyne vitëve të randa. 
 
At Marjan Prela
At Marjan Prela
Po të njajtin qendrim mbajti edhe At Marjan Prela. At Marjanin e njohta në vitin 1950, kur i kishte kërkue Nanës seme që unë me shkue me i ndihmue Meshë, mbasi e dinte se kam mësue qyshë i vogël tek daja i em Don Kolec Prennushi, i cili ato ditë vdiq. Asht një Mashtar që ka lanë kujtime tek të gjithë ata djelm që e kemi njohtë aso kohe. I divoçem dhe guximtar. Njeri i provuem nga shumë rrethana të vështira në jetë e gjithmonë optimist. Nuk do të hyj në hollësi biografike mbasi familja Prela asht e njohtun në Shkoder për disa intelektual që i ka dhanë qytetit të lashtë, mbasi vetë At Marjani kishte edhe një vëlla si Ky Françeskan, At Pashkon dhe tjetrin mjek i njohtun patholog Dr. Pjetrin, që ka mbarue studimet në Paris, ku asht edhe një portret e tij në galerinë qendrore të arteve franceze  punue nga piktori Ndoc Martini. At Marjani ka përfundue studimet në Villach të Austrisë.
 Qyshë i ri përplaset për dallgët e njëmbasnjëshme tragjike të trojeve tona Shqiptare, në Rubik, Shkup, Troshan, Shkoder, Lezhë, Iballe, Theth, ku, ngritë Flamurin Kombëtar dhe hapë edhe shkollën e parë në vitin 1921. Në 1923 asht në Zllakuqan, prej aty në Traboin, Tuz, ku filoserbët edhe deshtën me e vra për aktivitetin e Tij Atdhetar. Ikë nga tokat që merr Jugosllavia dhe shkon në Troshan e nga viti 1942 asht në Dukagjin. Aty nga viti 1944 asht në Laç të Kurbinit. Në vitin 1946 asht në Shkoder, kur Kuvendi këthehet në burg dhe dënohet tri vjet heqje lirije. Në vitin 1949 – 1952 asht në Shkoder Zv. Provinçial e, në 1952 – 58 shkon në Troshan ku e xen arrestimi i dytë, që tue mos pasë fakte hetuesia e dënon me interrnim në Lushnje, mbasi as At Marjani nuk pranon me diskutue “kallximin” e Rrëfimit, ashtu si Françeskani tjetër At Leonard Shajaku, të cilin nuk e njohta afër...
 Mbas lirimit nga interrnimi At Marjani shkon në Tiranë dhe qendron aty deri në fund të jetës së Tij edhe pse shteti komunist në vitin 1967 i mbylli përfundimisht Kishat.
 Ka vdekë në vitin 1974, në moshën 89 vjeçare, por asht varrosë në Shkoder.
 Në vitët 1912 – 1932 At Marjani ka edhe një aktivitet të gjanë letrar, ku ma me vlerë asht konsiderue ai i vitit 1932, “Kosova ndër doke e bestytni” që atëherë asht botue në Shkoder.Veprat tjera mbetën mbrenda kulturës fetare, ndonse koha i ka zhdukë të gjitha.
 Janë me vlerë edhe disa konferenca të mbajtuna në universitetet italiane në vitin 1939 – 40, ku At Mariani dokumenton nga vendqendrimet e Tija si famullitar lashtësinë dhe kulturën e Popullit tonë, si Popull ndër ma të vjetrit e gadishullit të Ballkanit.
 Me pak rreshta Ky ishte At Marjan Prela i kudondodhun në viset Shqiptare...
 Plot 60 vjet ma përpara Këtij Meshtari unë i ndihmova me thanë Meshë...
 At Marjani ishte një organizator dhe parashikues i saktë në vëprime. Ndihmohej vetëm nga At Ferdinad Pali dhe dy përsona të sëmurë Fra Ndue Vila, i cili ishte torturue si kafshë nga Sigurimi i shtetit në Nandorin e 1946, kur Fra Ndou nuk i dha çilsat e Kishës Zoji Thëmelit e Pjerin Kçirës për me futë armët nën Elterët e Kishës së Gjuhadolit. Më té punonte edhe Mark Sheldija. At Marjani krijoi një kor të vogël që këndonte para Elterit të Shns Ndout dhe në një armonio të vjetër ishte Moter Ester dhe një murgeshë tjetër (së cilës nuk i kutoj emnin) që kishte lidhje me familjen e Shuk Radojës. Aty filluen me ardhë edhe probandat e Stigmatineve, Margerita Cepi dhe Roza Gjina Zef Kraja, ndërsa nga fëmijët këndonte Luigjina Leka. Shpesh këtij kori i vinin në ndihmë edhe Motrat e largueme me forcë nga Sigurimi prej Kuvendit të tyne në Gjuhadol, si Motrat: Dava, Angjela, Pjerina dhe Doga Çiurçija. Në kujtesën teme asht e pashlyeshme Mesha e orës 11.00 p.dr. e ditës së Vitit të Ri 1951(?) ose 52, kur në vendin e korit të boshatisun që me largimin me dhunë prej Sigurimit të kangtarit Luk Kaçaj, kur mbyllën shkollën dhe seminarin ku drejtonte At Martin Gjoka e mbas Tij, At Filip Mazrreku mbi 90 vegla muzikore e sa korista, atë ditë erdhi kompozitori i madh Prenkë Jakova në armonio, bashkë me vjolinistin Ndoc Shllaku, flaut Loro Kraja dhe Tonin Laca dhe shoqnuen me muzikë gjithë Meshën, tue mbetë e përjetëshme ndër muret e Asaj Kishë melodia “Ave Maria” e Shubert-it...
 At Mariani arriti me grumbullue mbi 10 fëmijë që ndihmonim Meshë e, që edhe sot jemi miq me njënitjetrin. Krejt ndryshej nga grupi i një Kishës tjetër, asnjë nga ata djelm të asaj kohë ndër Fretën nuk u implikuen asnjëherë me Sigurimin e shtetit...gja e provueme nga koha e gjatë 60 vjeçare e me plot rrethana të vështira për të gjithë ne...
 At Marjan Prela ishte ndër Françeskanët ma të përvujtë, puntor dhe pa ma të voglën madhështi që kudo punoi si e si me lanë veprat e qytetnimit si vëllaznit e Tij, të Urdhnit të Fretënve të Vogjël që vune thëmelet e veprave të Mëdha të Fesë dhe të kulturës sonë të lashtë dhe të pavdekshme. At Marjani asht Ai që ven gurët e parë të Kishave dhe shkollave, asht Ai, që hapë dritën e dijës në skutat e errta të robnisë shekullore turke në krahinat e Grudës apo të Alpeve tona në të bukrin Theth, por asht edhe Ai, që e gjenë mu në zemer të Zagrebit të Kroacisë me strajcën e Misionarit të vorfën tue lypë ndihma për rindërtimin e Atdheut të vet të shkatrruem nga barbarët shekullor, të cilët edhe në moshën 73 vjeçare të At Marjanit tonë, nuk e kursyen urrejtjen dhe mëninë e tyne të ndryme në mentalitetin anadollak komunist, por e dëbuen në moçalët e Lushnjës me shpresë se nuk do të këthehet ma!... Por Litari i Françeskanit nuk këputet kollaj...Ai i qendroi burrnisht dhe me ballë lartë hetuesisë dhe presionëve të Sigurimit të Shtetit, por edhe me krenari të një Shqiptari të pamposhtun mbrojti të panjollosun Fenë e Krishtit. At Leonard Shajaku dhe At Marjan Prela janë Modeli i përsosun e Meshtarve Katolik Shqiptar që e provuen vedin përballë diktaturës ma të pamëshirshme dhe kriminale të fanatikut turkoshak Enver Hoxha me pasues terroristin e dekompozuem të shekullit XXI, kriminelin Ramiz Alia.
 Janë plot 35 vjet që At Marjani nuk asht ma!
 At Marjan Prela OFM, asht Figura ma e paharrueshme e Popullit të Shkodres, mbas vitit 1944, sëpse, kur Ai predikonte Fenë në vitët 1949 – 50, zani i Tij ushtonte thellë ndër korridoret e Kuvendit të Fretenve të këthyem në burg e, zani i Tij ishte shpresë e forcë për të gjithë Ata, që masakroheshin nga bishat e egra antishqiptare e antikatolike!
 Gjithmonë i veshun me zhgunin e Shën Françeskut t’Asizit dhe gjithnjë i zbathun... me sandalët e Tija në Alpet e Veriut, në Traboin, në rrugët e malëve të Dedë Gjo’Lulit, në Kosovën Martire të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe Zymb të At Gjeçovit... Në Kurbinin e Shna Ndout, në Gjuhadolin e At Fishtës apo në karrigën e thjeshtë të At Mati Prennushit, At Marjan Prela, dijti me ruejt me nderë dhe me trashigue vizaret e çmueshme të Atyne paraardhësve që vune Thëmelet e Përjetëshmë të Shtetit Shqiptar.  



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora