E marte, 10.12.2024, 05:59 AM (GMT)

Speciale

Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare?

E shtune, 25.04.2009, 05:35 PM


Tribuna e mendimit të lirë (1927)
Tribuna e mendimit të lirë (1927)
Libri "Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare" (1848-1997) është shkruar e botuar nga pedagogu shkodran, Prof. dr. Hamit Boriçi që më 1997, një tekst bazë që mbetet nga më të mirit për studentët e gazetarisë në universitetet shqiptare. Prej tij po shkëpusim e botojmë disa fragmente, që na duken më me interes. Në vijim të punës për hartimin e plotë të Historisë së Shtypit Shqiptar pedagogu Hamit Boriçi ka ftuar në bashkëpunim kolegun e tij tashmë me përvojë akademike më shumë se dhjetëvjeçare, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës,  Dr. Mark Marku. Libri "Historia e Shtypit Shqiptar -1" është botimi që i paraprinë një teksti të plotë universitar për këtë lëndë, që së shpejti do të shkojë në shtyp. Nga ktëo dy libra po  botojmë disa fragmente që ka përzgjedhur për shtyp: Baki Ymeri.

SHTYPI SHQIPTAR I  RILINDJES KOMBËTARE

1. KOHA, RRETHANAT, FAKTORËT

Rilindja kombëtare shqiptare, si një lëvizje e fuqishme politike, shoqërore e kulturore, kishte nevojë edhe për shtypin, për botimet e saj. Por në kushtet e rënda te vendit tonë, kur me egërsi e barbarizëm sundonin pushtuesit osmanë, nuk mund të bëhej fjalë për botimin e ndonjë gazete a reviste. Perandoria osmane në atë kohë kalonte një krizë të thellë politike dhe ekonomike, që sa vinte thellohej, sidomos pas disfatës së rëndë që ajo pësoi në luftën ruso-turke të viteve 1877-1878; prandaj u detyrua të bëjë shumë lëshime. Në Kongresin e Berlinit, që u mbajt më 1878, disa shtete të Ballkanit, si Serbia, Mali i Zi dhe Rumania fituan pavarësinë e plotë; ndërsa Bullgarisë iu dha pavarësi e kufizuar, nën sovranitetin e Sulltanit. Vetëm Shqipëria kishte mbetur nën sundimin e plotë otoman me pretekstin se shqiptarët ishin myslimanë e, për rrjedhojë, turq.

Shtypi shqiptar lindi dhe u zhvillua në luftë për pavarësinë e Shqipërisë nga zgjedha osmane për tërësinë territoriale etnike dhe për liritë e të drejtat politike kombëtare. Ai u parapriu lëvizjeve të shumta të popullit shqiptar dhe mori hov e përparim në gjirin e tyre. Kushtet e lindjes e të zhvillimit të shtypit shqiptar përcaktohen nga rrethanat e proceset historike në të cilat u formua kombi shqiptar.       Ecuria e tij duhet parë në shkallën dhe ritmet e zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror të vendit; në strukturën sociale e fetare të popullsise (Barazia e fesë dhe e kombësisë); në koniukturat politike, ballkanike dhe europiane” (Shqipëria-trualli ku ndeshen forcat dhe interesat politike e strategjike të Fuqive të Mëdha, Italisë dhe Austro-Hungarisë).

        Së pari, nuk mund të bëhet fjalë për format e ndërgjegjes shoqërore, pa njohur e parashtruar bazën ekonomiko-shoqërore mbi të cilën kanë lindur ato. Në këtë vështrim, Shqipëria ishte  shumë e prapambetur edhe në përqasje me popujt tjerë të Ballkanit, ndonëse përbënte popullsinë shumë më të lashtë në këtë siujdhesë. Pushtimi pesëshekullor osman me politikën e tij gllabëruese, përçarëse dhe asimiluese solli varfërinë masive të popullsisë shqiptare, shkatërrimin e rrënimin e ekonomisë. Në ekonominë shqiptare sunduese ishin marrëdhëniet feudale. Sistemi feudoushtarak pengonte ecurinë e tregtisë dhe të industrisë, sidomos në qytetet me tregti e zejtari të zhvilluar si Shkodra e Prizreni, duke frenuar lindjen e elementeve të rinj në marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore. Borgjezia e re shqiptare mbeti e dobët edhe pse nën sundimin e bushatlive dhe të Ali Pashë Tepelenës u krijuan kushte premtuese për zhvillimin e zanateve, të tregtisë, të shkëmbit të mallrave me tregtarët italianë e të tjerë, duke u shtrirë deri në Rusi.

Së dyti, bazën politike të lindjes, të rrjedhave të shtypit të kësaj periudhe e shohim në shtrirjen e lëvizjeve atdhetare, duke filluar që nga kryengritjet e viteve 1830-1850, kur “acarimi i mëtejshëm i konfliktit osmano-shqiptar… nxori në shesh elemente të reja sasiore e cilësore”[1]. Ata nisën me kërkesa kundër Tanzimatit por gjetën përkrahjen e borgjezisë së qyteteve (Shkodër, Berat, Elbasan, Prizren, Gjakovë, etj.), e cila i mbështeti organizivisht, duke arritur që gjatë përshkallëzimit të marrë në dorë drejtimin dhe udhëheqjen e tyre, sidomos në Shkodër e në qytetet e Kosovës. Kësisoj, ato muk ishin më lëvizje spontane, por të organizuara dhe me një platformë pak a shumë të qartë politike, ekonomike e shoqërore. Këto dukuri të reja në Shqipëri shqetësuan Stambollin, por edhe kryeqendrat e shteteve europiane. Që në orët e para të kësaj lëvizjeje nga oborret e Carit rus jepej alarmi:“turbullirat në Shqipëri gjatë javëve të fundit kanë sjellur një kthesë vendimtare dhe është frika se mos në Turqinë europiane po ngjasin, ndoshta, ndryshime të reja të rëndësishme, të ngjashme me ato të kryengritjeve greke”[2].. Në këto ethe serbët do të shpalosnin idenë e “Serbisë së madhe”[3].

        Lëvizja do të shtrihej më tej në trevat e Shqipërisë së mesme e të jugut, si një lëvizje kundër pushtimit osman. Kjo vërehet edhe në kërkesat politike të kryengritësve shqiptarë, që nën komandën e Dervish Carës, nga rrethinat e Dibrës zbriten në luginat e Vardarit duke luftuar trimërisht me një ushtri prej më shumë se 10.000 trupash. Profesor Shukri Rrahimi do të argumentonte më vonë se “Kryengritja kishte karakter të luftës për çlirimin e Shqipërisë”[4]. Lidhja shqiptare e Prizrenit përfaqëson një lëvizje kombëtare të lindur e zhvilluar në truallin kombëtar, lëvizje me një program e platformë politike të përpunuar me synime të qarta: jo vetëm shkëputjen e vargojve të robërisë osmane, por edhe formimin e një shteti nacional, shqiptar të pavarur dhe autonom.

Për historinë e gazetarisë qartësimi i natyrës së këtyre lëvizjeve ka rëndësi, pasi përpjekjet për krijimin e gazetarisë shqiptare e mbi Shqipërinë u konkretizuan që në ato kohë, si shprehje të atyre lëvizjeve përpara fillimit të periudhës së Rilindjes. Me to dhe kohën e tyre lidhet ideja e “Parisë së Korçës”, e cila drejtuar më 22 prill 1845, përmes një letre i bënte të ditur Naum Veqilharxhit  se ajo “pari” kishte vendosur të fillonte një fushatë për të ndihmuar Veqilharxhin të blinte një shtypshkronjë. Në vitin 1848, kur De Rada botonte të përkohshmen jetëshkurtër “Shqiptari i Italisë”, kur në Napoli organizohej revolucioni politik kundër regjimit burbon; lëvizjet kryengritëse në Shqipëri sapo kishin nisur.

        Së treti, faktori social, nën trysnitë e faktorëve politikë të jashtëm e të brendshëm për ndasitë fetare, ushtroi ndikim deri diku përcaktues në tërë zhvillimet e kohës. Krahas dhunës osmane ndaj besimtarve muhamedanë për të shrrënjosur çdo ide kombëtare shqiptare; propaganda greke duke shfrytëzuar autoritetin kishëtar nuk reshti së punuari për të rrënjosur mendësinë, sipas së cilës besimi ortodoks është një me kombësinë greke. Patrikana greke nxiste ndasitë fetare të shqiptarve, duke kombinuar propagandën aktive e të fuqishme me masa administrative e represive ndaj atyre besimtarve që e pranonin kombësinë e tyre shqiptare. Dhunë shpirtërore e barbare u ushtrua sidomos ndaj shkollës dhe arsimit shqip.

Së katërti, shtetet fqinj, sidomos Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, bënë pareshtur një politikë grabitqare ndaj Shqipërisë. Në krye të tyre kishin ardhur qarqe e qeveri shoviniste. Ata, duke pasur përkrahjen e shteteve të ndryshme të Europës e të Rusisë, shfrytëzuan situatat për të përfituar nga copëtimi e ricopëtimi që iu bë Shqipërisë nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878. Qeveritë dhe qarqet e tyre të organizuara me potenciale edhe financiare shtrembëronin të vërtetat mbi qenien dhe natyrën e popullit shqiptar, duke e paraqitur atë si “…relikt i gjallë i Mesjetës…”[5]; si mbështetje e fortë e regjimit absolut të Sulltanit. Shtrembërohej përmbajtja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke e çveshur atë nga karakteri nacional dhe çlirimtar e paraqitur si një “… lëvizje regresive, e cila, gjoja, i kundërvihej zbatimit të reformave në pjesën europiane të Perandorisë Osmane”[6]. Dragisha Llapçeviq, një prej krerëve social-demokratë serbë i kërcënonte shqiptarët: “nëse guxojnë të luajnë, do të fashiten në mënyrë të pamëshirshme”[7]. Kjo politikë përbënte një faktor frenues për idealet kombëtare shqiptare.

        Së pesti, deri para themelimit të Lidhjes së Prizrenit, Shqipëria ishte injoruar thuajse plotësisht prej diplomacisë europiane. Ishin kohët kur në Ballkan ndërthureshin interesat e rivalitetet e Fuqive të Mëdha, hapur e nën rrogoz, me përpjekjet për ngritjen e kombësive të gadishullit; kur ata strukeshin prapa konflikteve lokale duke u shfaqur si ndërgjygjës me paragjykime, shpesh me pasoja, rritjen dhe acarimin e mosmarrëveshjeve. Çështja shqiptare tërhiqte vëmendjen e shfrytëzohej sidomos nga Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia; tri fuqi me interesa të përhershme në Ballkan. Prandaj Austro-Hungaria dhe Italia për interesat e tyre shpreheshin për një Shqipëri të pavarur e “të madhe”, natyrisht, secila me synime të paracaktuara. Austro-Hungaria e shihte Shqipërinë si një pritë e pengesë potenciale për depërtimet e sllavizmit në gadishull. Italia, duke shfrytëzuar Adriatikun e territoret etnike shqiptare, synonte shtrirjen e imperializmit italian drejt Lindjes. Ata ishin të interesuar dhë bënin kujdes që lëvizjen kombëtare “për ta mbajtur atë brenda caqeve rigorozisht të përcaktuara, brënda kuadrit të një lëvizjeje paqësore me karakter ekskluzivisht, kulturor, arsimor”[8]. Kundër planeve të këtyre dy fuqive vepronte Rusia cariste për rritjen e ndikimit të saj në Ballkan, duke ngulmuar në ricopëtimin e trojeve etnike shqiptare në interes të shteteve fqinje, për zmadhimin e fuqizimin e shteteve sllave.

Megjithëkëto, synimet e këtyre tri fuqive të mëdha nuk mund të vijnë në një rrafsh. Përkrahja aktive e Rusisë për “vëllezërit sllavë” të jugut, jo thjeshtë për “sentimentalizmin e racës” ishte tejskajshmërisht qendrim antishqiptar; ndërsa përkrahja e ndihma austrohangareze ndaj lëvizjes kombëtare shqiptare, qoftë edhe e motivuar me atë që historianë të ndryshëm e kanë quajtur si “egoizëm të shenjtë” i një fuqie të madhe, ishte dobiprurës për Shqipërinë e pambrojtur. Por ata, sidomos Anglia, Austro-Hungaria dhe Gjermania i druheshin një konflikti tjetër ballkanik që do të kërkonte angazhimin e Fuqive të Mëdha, veçanërisht Rusisë që kërkonte vetëm një pretekst “për të rifilluar dhe përfunduar veprën e shkatërrimit” (të Turqisë)…”Edhe Gjermania aleate e Austro-Hungarisë nuk ishte e predispozuar që, për shkak të disa “kasabave të ndyra ballkanike”, siç shprehej Bismarku, të provokohej një luftë me Rusinë…”[9].

2. PERIODIZIMI

Periudha e Rilindjes, e konceptuar nga studiues të ndryshëm si njëra prej “fazave” të historisë së shtypit shqiptar, shtrihet në një kohë prej 64 vjetësh (1848-1912). Siç do të shihet gjatë shtjellimit të këtij sythi, periodizimi nuk do të respektojë ngjarjet e zhvillimet historike, aq sa tematikën, problematikën, kriterin gjuhësor, sasior e cilësor pëfshirës, ashtu si edhe atë gjeografik. Kështu mund të krijohet një përfytyrim i përgjithshëm me karakter shkencor në rënditjen e sistemimin e të 111 të përkohshmeve të kësaj periudhe, që përmbyllet me buletinin ndërkombëtar në gjuhët gjermanisht e frëngjisht “Albanische korrespondenz” (Korrespondenca shqiptare), botuar në Austri gjatë viteve 1912-1918 nga Leo Aleksandër Freundliç, titulluar Raport mbi politikën austro-shqiptare. Ndërsa gazeta e fundit shqiptare në gjuhën shqipe për periudhën e Rilindjes sonë kombëtare është e përkohshmja “Atdheu” (1912-1914) e avokatit Mihal Lehova, që doli së pari në Konstancë të Rumanisë për të vijuar në Durrës...

        Periodizimit i paraprijmë me përcaktimin e disa kritereve, që, në tërësinë e tyre, janë mjaft komplekse, ndërthurur e ndërvarur nga shumë faktorë. Dr. Palokë Daka, në hyrje të botimit të fashikullit të parë të bibliografisë,e cila përfaqëson punimin më të arrirë në llojin e vet në lemë të studimeve të gazetarisë sonë, nuk merret fare me periodizimin. Ai mjaftohet me renditjen e tri fazave historike të shtypit shqiptar e mbi Shqipërinë e viteve 1848-1944, sepse i kishte vënë  detyrë vetes të hartonte një bibliografi tërësore, ku të paraqitej "një pasqyrë sa më e plotë e botimeve periodike njeqindvjeçare"[10].. Në parathënie autori sqaron se  "përcaktimi tërësor shkencor i vlerës së çdo organi në veçanti, si nga pikëpamja e drejtimit politik, ideologjik e shoqëror, etj., ashtu edhe nga ana tjetër (letrar e kulturor),është një çeshtje që mbetet jashtë kuadrit të këtij punimi e mundësive tona".

       Megjithëkëte punimi i P. Dakës, ashtu si edhe studimet e parathëniet në vëllimet me artikuj të zgjedhur, përmbledhje  nga organet e shtypit, në përgjithësi bibiliografitë dhe shkrimet për ecurinë historike të gazetarisë, përbëjnë  bazat e periodizimit. Ne to, ku më shume e ku më pak, gjejmë elemente të qenësishëm të tij, qoftë në ato punime ku paraqiten grupime autorësh publicistë sipas një orientimi ideologjik, përkatësisë fetare apo rajonale; qoftë edhe në renditjen e periodikëve, sipas kohës së botimit e jetëgjatësisë së tyre. Në kërkim të kritereve shkencore të periodizimit të historisë së gazetarisë duhen mbajtur parasysh edhe disa ndihmesa të tjera. Revista "Leka" i paraprin studimit të historisë së gazetarisë në rrafsh horizontal, me grupime periodikësh e autorësh-publicistë. Më 1938 në faqet e saj u publikuan disa shënime bibliografike, nën titullin "Lista e revistave shqiptare t'botueme prej Arbneshëvet t'Italise"[11].

Sipas këtij kriteri, aty përfshihen: grupi i fletoreve të arbëreshëvet të Italisë me publicistët më përfaqësues të tyre,grupimet,që u përkasin shoqërive kulturore shqiptare të kolonive të Stambollit, të Rumanisë, të Bullgarisë, të Egjyptit,etj., si edhe bashkime autorësh sipas qarqeve fetare apo mbi bazen e përkatësisë krahinore. Përderisa grupime kësodore karakterizohen e shquhen nga njëri-tjetri për veçori botëkuptimore, ideologjike, politike, fetare, apo për nga territori ku jetojnë e veprojnë, si historia e gazetarisë, ashtu edhe periodizimi i saj do të jenë të cunguara, të njëanshme, jo në përputhje me tërësinë kombëtare.

            Në ecurinë e zhvillimet e gazetarisë dhe të publicistikës ndikojnë edhe faktorë të jashtëm, disaherë përcaktues, si në përmbajtje, ashtu edhe në mjeshtërinë publicistike. Faktorë të kësaj natyre  kanë përcjellë shtypin shqiptar në kohë, gjatë formimit e zhvillimit te tij. Gazetaria shqiptare, sidomos nga viti 1848 deri më 1908, u zhvillua thuajse tërësisht jashtë atdheut. Ai është ushqyer me përvojen e gazetarisë europiane e ballkanike. Kështu, gazetaria shqiptare, që në hapat e parë të saj, është karakterizuar nga forma të larmishme të pasqyrimit publicistik, nisur me ato informative, por edhe të shprehjes së mendimit racional deri në llojet letrare të publicistikës. Në këtë mënyrë, përsa i përket mjeshtërisë, periodiku shqiptar për gati gjashtëdhjetë vjet ka ecur "në rrugë të shkelura" nga shtypi evropian, duke përdorur lloje të ndryshme shkrimesh. Studimi i veçorive të publicistikës shqiptare dhe i ndikimeve të saj nga gazetaria e vendeve të huaja, ku është zhvilluar, mbetet detyrë për historianët tanë të kësaj fushë.

        Zhvillimet e ndryshimet në gazetari janë të lidhura  drejtëpërsëdrejti me proceset historike. Gazetaria, marrë si proces pasqyrues publicistik, nuk është gjithmonë ilustrim a propagandim i të dhënave, fakteve, ngjarjeve e dukurive ideopolitike e shoqërore të ditës, por u paraprin atyre dhe, në tërësi, historisë. Gazetari është zëri i kohës, zëdhënës i një shoqërie të caktuar në të cilën gjallon e militon; por njëheri është edhe parlajmërues i së pritmes historike e shoqërore, të ndryshimeve që do të ndodhin në ardhmëri. Publicisti pasqyron realitetet historike, përjetimet dhe problemet që e shqetësojnë shoqërinë, aspiratat e brezave. Në vlerësimet e qendrimet e veta ideopublicistike ndaj të vërtetave jetësore, gazetari, publicisti ushqen arsyen, por edhe ndjenjat, vetëdijen e shoqërise bashkëkohëse dhe, në një mënyre a në një tjetër, u "dikton" ose "injekton" atyre ide, parime, praktika që u paraprijnë në punë, në jetë, në marrëdhëniet e përditshme ndërshoqërore.

     Gazetaria, veç "vulës së kohës", si kronikë ngjarjesh, ka edhe "vulën e mjedisit", të një sistemi të caktuar ideopolitik, historik e shoqëror. Ajo lind, rritet, formohet e zhvillohet në mjedise e në rrethana të caktuara shoqërore e historike, ngarkuar me ngjarje e trysni ideopolitike, ekonomike e shoqërore, kulturore, etj.; pëson ndryshime rrënjësore në përmbajtje (Shtypi i Rilindjes, i Pavarësisë, i Luftës II Botërore, i Pasluftës, i Tranzicionit), kushtëzuar nga pozitat ideopolitike të sistemeve në fuqi. Kriteri themelor përcaktues për periodizimin është koha, janë ngjarjet më të shënuara të periudhave të ndryshme të historisë së Shqipërisë. E metë kryesore e tij, ashtu siç paraqitet gjer sot, është anashkalimi ndaj mjediseve krijuese publicistike, ndaj grupimeve të autorëve, ndaj metodave e mënyrave të pasqyrimit të një përmbajtjeje të caktuar, të thelbit të saj. Hapsira të tilla nuk mund të përmbajnë bibliografitë përshkruese të deritashme, kufizuar në enumeracionin e periodikëve dhe në shënimet e shkurta për të dhënat më kryesore ( data e botimeve, emrat e drejtuesve,etj.); në orientimin e pergjithshem politik, kulturor, ekonomik, letrar, shoqeror,etj.

        Fytyrën e gazetarisë, profilin e saj në një kohë, në një vënd dhe në një sistem të caktuar politiko-shoqëror e konturojnë tematika e problematika, elementete e tipologjisë e të mjeteve shprehëse publicistike; po ashtu edhe grupime gazetarësh, publicistësh të një sistemi shoqëror apo të një harku kohor. Ecuria dhe zhvillimet e shtypit të periudhës së Rilindjes shtrihen në pesë nënëndarje kohore, secila prej tyre me një a disa veçori.

NË VËND TË PARATHËNIES

Nuk është një rastësi, që shtypi shqiptar lind dhe konsolidohet në të njëjtën kohë me lindjen dhe konsolodimin e kombit shqiptar. Kjo është krejtësisht e shpjegueshme pasi, si shtypi ashtu edhe ideja e kombit janë dukuri që shënojnë kalimin në modernitet. Në rastin e Shqipërisë, të dyja dukuritë janë shfaqur njëherësh. Organi i parë i shtypit shqiptar është gazeta L’Albanese d’Italia një organ shtypi që u botua në Napoli në vitin 1948 dhe që u themelua nga Jeronim De Rada. Përkimi i botimit të organit të parë të shtypit shqiptar me emrin e Jeronim De Radës nuk është i rastësishëm. De Rada, dhe lëvizja kulturore e arbëreshëve të Italisë që ai udhëhoqi për gati 50 vjet, ishin përpjekja më e rëndësishme kulturore dhe politike për rilindjen kombëtare të shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit të 19-të. Më parë se të botohej L’Albanese d’Italia, De Rada dhe veprimtarë të tjerë arbëreshë para tij, kishin filluar të hidhnin bazat e një lëvizje kulturore, fillimisht nëpërmjet mbledhjes së krijimtarisë popullore e më pas nëpërmjet veprave origjinale të shkruar në gjuhën e të parëve të tyre. Kjo lëvizje kulturore synonte promovimin e idesë së kombit, bashkimin e shqiptarëve rreth kësaj ideje duke vënë në spikamë karakteristikat e përbashkëta që i bënin ata anëtarë të asaj bashkësie të madhe simbolike që i përkisnin të njëjtës racë, që kishin të njëjtat tradita kulturore, të njëjtën gjuhë, të njëjtët paraardhës dhe që quhej komb.. Që në fillimet e lindjes së këtij projekti të madh kombëtar të shqiptarëve shtypi u pa si një mjet efikas dhe si një institucion i përhapjes së këtyre ideve.

Që lindja e shtypit u kushtëzua dhe kushtëzoi krijimin e kombit shqiptar dhe të shtetit kombëtar, e tregon veç të tjerash fakti që qendrat e zhvillimit të shtypit shqiptar përkojnë me qendrat rrezatuese të lëvizjes kombëtare të shqiptarëve. Shtypi shqiptar prodhohet dhe shpërndahet në Italinë e Jugut, në Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Egjipt, në Shkodër, në Korçë e më vonë edhe në SHBA. Kjo gjeografi shpërndarje është edhe gjeografia e qendrave të Rilindjes Kombëtare. Dihet tashmë se këto qendra u shndërruan në pika kyçe të veprimtarisë së Rilindjes Kombëtare. Në këto qendra funksiononin grupe she shoqëri kulturore e politike, organizoheshin takime, botoheshin libra dhe organe shtypi. Në gjithë këtë veprimtari, ajo e botimit të organeve të shtypit zinte një vend shumë të rëndësishëm.

Kjo dukuri nuk mund të shpjegohet pa marrë parasysh një rrethanë të rëndësishme historike: krijimin e një elite kombëtare e cila mori përsipër drejtimin e Rilindjes Kombëtare. Aty nga fillimi i shekullit të 19-të, shfaqen disa individë dhe grupe të vogla kulturore me njëfarë interesi për rigjallërimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqipe. Mes tyre bënin pjesë klerikë, intelektualë (kryesisht shkrimtarë), dhe përfaqësues të elitës politike otomane me origjinë shqiptare. Kjo elitë e vogël kulturore kombëtare u bë mjaft aktive aty nga fundi i shekullit të 19-të,  sidomos pas krizave të mëdha që kaloi Perandoria Osmane në fund të këtij shekulli. Si pasojë e këtyre krizave u bë e qartë se Perandoria Osmane mund të shembej, dhe një pjesë e kombeve që ishin përfshirë në gjirin e kësaj perandorie filluan të projektonin shtetet e pavarura. Këto rrethana të brendëshme të Perandorisë Osmane dhe përparimi i nacionalizmit kudo në Evropë, ndikuan edhe tek elita kulturore shqiptare për të cilën folëm më sipër. Sa më shumë thellohej kriza e perandorisë dhe sa më e mundshme bëhej shpërbërja e saj aq më e fortë bëhej nevoja e një organizimi kombëtar të shqiptarëve. Pikërisht është kjo elitë që e merr përsipër një gjë të tillë.

Edhe pse e shpërndarë dhe e pakordinuar mirë, mund të themi se kjo elitë sendërton një rrjet veprimtarishë që i shërbejnë të njëjtit qëllim. Në gjirin e grupeve të Shoqërisë së Stambollit, Bukureshtit, të grupit kulturor të klerikëve katolikë të Shkodrës, të arbëreshëve të Italisë e më vonë te shqptarët e Amerikës është shfaqur tashmë një yjësi figurash si vëllezërit Frashëri, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Nikolla Naço, Fishta, Preng Doçi, De Rada, Konica etj që do të bëhen promotorët e kësaj lëvizje. Kjo elitë ushtron njëherësh edhe veprimtari politike, edhe kulturore edhe publiçistike. Kjo është arësyeja pse pikërisht shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe De Rada, Naim Frashëri, Fishta, Konica, Noli janë njëkohësisht edhe themeluesit e organeve më të rëndësishme të shtypit shqiptar si Flamuri i Arbërit, Drita, Albania, Hylli i Dritës apo Dielli. Kjo ngjizje mes kulturës dhe shtypit, ngjizje që nuk ishte karakteristike vetëm për shtypin shqiptar, shpjegohet me faktin se e njëjta elitë në një moment të caktuar historik ka marrë përsipër të krijojë kulturën kombëtare dhe shtypin kombëtar. Për momentin historik që po kalonin shqiptarët botimi i Flamurit të Arbërit është po aq i rëndësishëm sa edhe botimi i Këngëve të Milosaos, ashtu sikurse botimi i Luleve të verës, apo Shqipëria çka qenë ç’është dhe ç’do të bëhet është po aq i rëndësishëm sa edhe botimi i Dritës së Stambollit. Letërsi dhe politikë, kulturë dhe publiçistikë, fe e atdhe - ishin përkushtimi i kësaj elite nismëtare të historisë së kombit shqiptar.

Organet e shtypit shqiptar të botuara nga viti 1848 e deri në vitet 1912, duhet të kryejnë disa funksione njëherësh pa iu shmangur asnjëherë funksionit parësor të tyre: informimit. Këto organe shërbejnë njëkohësisht edhe si institucione të përhapjes së dijes siç ndodh në rastin e Dritës së Stambollit që në mungesë të shkollave në shqip, një pjesë të shkrimeve i kishte shkrime didaktike, edhe si insitucione kulturore siç ndodh në rastin e Albanisë së Konicës e cila për një kohë shumë të gjatë u bë organi më përfaqësues i kulturës shqiptare, edhe si institucione politike siç ndodh me organe të tjera të shtypit shqiptar Por mbi të gjitha këto organe u shndërruan në institucione të rëndësishme komunikimi dhe në një faktor përbashkues të elitës kulturore kombëtare dhe të gjithë kombit shqiptar. Të realizoje komunikimin mes pjesëve të ndryshme ishte një detyrë mjaft e vështirë. Pengesat ishin  të shumta. Së pari politike. Shqiptarët nën Perandorinë Osmane gëzonin mjaft favore individuale, por ata nuk kishin asnjë të drejtë kombëtare. Në ndryshim nga kombet e tjera atyre nuk u njihej e drejta e arsimimit në gjuhën e tyre dhe për rrjedhojë edhe e drejta e hapjes së gazetave në gjuhën shqipe. Të kapërceje një pengesë të tillë ishte gati e pamundur. Por Shoqëria e Stambollit e kapërceu këtë pengesë nëpërmjet shqiptarëve patriotë ortodoksë Petro Poga dhe Jani Vreto, të cilët për shkak të besimit të tyre fetar konsideroheshin si grekë dhe si të tillë e kishin të drejtën e botimit të organeve të shtypit. Kështu u botua revista Drita (Dituria). Të gjitha gazetat shqiptare që botoheshin në atë kohë do t’i vuanin pengesat politike. Presioni që ushtronte administrata osmane ishe një kufizim i madh për parashtrimin e platformës politike dhe për zhvillimin e debatit për të ardhmen e Shqipërisë në gazetat që ushtronin veprimtarinë e tyre brenda territorit që ishin nën juridiksionin e Perandorisë Osmane. Po të bëhet një analizë përmbajtësore e politikës së ndjekur nga gazetat shqiptare deri në shpalljen e pavarësisë, do të vihet re me lehtësi se kemi një ndarje në qëndrimin politik të gazetave që botoheshin në territorin e Perandorisë Osmane dhe gazetave që botoheshin jashtë këtij territori. Të parat ishin shumë të kujdesshme në parashtrimin e objektivave politike dhe kombëtare, dhe në qëndrimin që duhej mbajtur ndaj Perandorisë Osmane nuk shkonin më larg se një autonomi në kuadrin e perandorisë, ndërkohë që të tjerat kërkonin pavarësinë e mënjëhershme të vendit. Por pengesat politike nuk vinin vetëm nga administrata otomane. Qarqe nacionaliste greke dhe serbe ishin kundër organizimit të shqiptarëve dhe ushtronin presion të madh mbi gazetat dhe aktivistët e shtypit shqiptarë. Rasti i vrasjes së gazetarit Muqo Qulli është një tregues i këtij presioni dhe armiqësie që ushtrohej mbi shtypin shqiptar. Edhe Hylli i Dritës megjithë imunitetin që gëzonte për shkak të faktit se botohej nga françeskanët shqiptarë i është nënshtruar një presioni të tillë politik. Komisioni ndërkombëtar i fuqive të mëdha e mbylli revistën në vitin 1913, fill pas denoncimit që kjo revistë u bënte këtyre fuqive për qëndrimin që ato mbanin ndaj Shqipërisë.

Por pengesat politike nuk ishin të vetmet në rrugën e shtypit shqiptar nga vitet 1848-1912. Gjatë gjithë kësaj periudhe ky shtyp do të zhvillohej në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme ekonomike. Shtypi shqiptar botohej në një hapësirë gjeografike të madhe që shtrihej nga Stambolli në Bukuresht, nga Bukureshti në Bruksel, nga Brukseli në Boston dhe pikërisht kapërcimi i kësaj sfide hapësinore ishte një nga problemet kryesore të këtij shtypi. Pjesa më e madhe e kësaj hapësire administrohej nga një qeveri si ajo otomane që ishte armiqësore ndaj shtypit shqiptar. Në rastin më të mirë ky shtyp botohej në vende ku qeveria nuk e pengonte botimin e gazetave në gjuhën shqipe. Por niveli i ulët i zhvillimit ekonomik dhe mungesa e infrastrukturës së komunikimit për shkak të prapambetjes së Perandorisë Osmane e bënin edhe më të vështirë jetën e gazetave. Sistemi i rrugëve dhe i telekomunikacioneve në Perandorinë Osmane ishtë në gjendje të mjerueshme. Për këtë shak shpërndarja e shtypit ishte një detyrë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Kjo u bë shkas që efekti dhe ndikimi i shtypit shqiptar të jetë i dobët dhe i kufizuar vetëm në disa grupe shoqërore emigrantësh të përqendruar në Stamboll, Bukuresht, Sofje apo SHBA.

Në katër vilajetet që ndanin territorin ku jetonte popullsia shqiptare nën Perandorinë Osmane gjendja dhe mundësitë për zhvillimin e shtypit ishin edhe më të vështira. Qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë ishin thuajse të izoluara njëra nga tjetra dhe pa rrugë komunkimi. Qytetet nuk shquheshin për ndonjë zhvillim ekonomik apo kulturor dhe aktiviteti kryesor ekonomik industrial ishte zejtaria. Në këto rrethana nuk mund të bëhet fjalë as për zhvillimin e industrisë së shtypit, dhe as për aktivitet të mirëfilltë në këtë fushë. Kjo shpjegon faktin që edhe gati 40 vjet pas botimit të asaj që konisderohet si gazeta e parë shqiptare L’Albanese d’Italia në qytetet shqiptare nuk u botua asnjë organ në gjuhën shqipe.

 Pra jemi në kushtet e një shtypi që zhvillohet në kushtet e armiqësisë së një fuqie pushtuese ndaj këtij shtypi, në kushtet e mungesës së zhvillimit ekonomik, në kushtet e mungesës së teknologjisë dhe mbi të gjitha në kushte të pafavorshme hapësinore që krijonin pengesa të panumërta që shtypi të shkonte tek lexuesi. Problemi më i rëndë qëndronte në faktin se këtij shtypi i mungonte vetë lexuesi. Kjo mungesë e lexuesit shpjegohet me tre arësye. Arësyeja e parë është ekonomike dhe nuk ka nevojë të shpjegohet gjatë. Arësyeja e dytë ka të bëjë me zhvillimin arsimor të popullissë. Në periudhën për të cilën flasim, edhe në Evropë arsimi nuk është masivizuar ende. Kjo përbënte një pengesë të madhe edhe në masivzimin e shtypit. Por në fazën e parë të shtypit shqiptar problemi është se jo vetëm që nuk kemi një arsim masiv, por jemi në kushtet e mungesës së arsimit në gjuhën shqipe. Siç e përmendëm edhe më sipër, në Perandorinë Osmane shqiptarët e kishin të ndaluar të hapnin shkolla në gjuhën shqipe. Më pas në një fazë të mëvonshme u hapën disa shkolla si Mësonjëtorja e Korçës apo ajo e Troshanit në Veri nga kleri katolik, por gjithësesi deri sa të krijohej një shtresë e arsimuar – kontigjenti real i lexuesve të shtypit shqiptar do të duhej shumë kohë. Në periudhën e parë ky lexues do të ishte shumë i ngushtë, kryesisht lexues që e zhvillonte veprimtarinë e tij në emigracion dhe që në të vërtetë ishte në pjesën më të madhe po ajo elitë kulturore që prodhonte kulturën dhe publiçistikën shqiptare.

Problemit të lexuesit i shtohej edhe ai i gjuhës. Shqipja e periudhës kur filluan të botoheshin organet  e para të shtypit shqiptar ishte një gjuhë e pakultivuar nga pikëpamja kulturore pasi ajo ishte një gjuhë kryesisht e folur dhe e përdorur në jetën e përditshme, por nuk ishte një gjuhë kulture. Deri në vitin 1848, ajo ishte kultivuar shumë pak nga shkrimtarët-klerikë të veriut Buzuku, Budi, Bogdani, nga Kristoforidhi në përkthimet biblike dhe nga arbëreshët e Italisë nëpërmjet Varibobës e më pas De Radës. Kjo natyrisht përbënte një pengesë për zhvillimin e shtypit. Siç do të shihet me krijimin e gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe, shtypi do ta vuante gjatë mungesën e koherencës gjuhësore në komunikimin me publikun. Gazeta të ndryshme përdorin standarte të ndryshme gjuhësore, madje edhe alfabete të ndryshëm. Autorë të ndryshëm gjithashtu. Ky kaos gjuhësor do t’i kushtojë shumë shtypit dhe do të jetë një nga pengesat e shumta që atij i duhet të kapërcejë. Nëse do ta përmblidhnim shkurtimisht jemi pak a shumë para kësaj gjendje: shtypi duhet të krijojë lexuesin e vet, por duhet të stabilizojë njëkohësisht kodin me të cilin duhet ti drejtohet atij.

Shtypi shqiptar i viteve 1848-1912 ka përmbushur disa funksione: promovimin e idesë kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar, transmetimin dhe krijimin e vlerave kulturore, krijimin e lexuesit dhe stabilizimin e gjuhës së komunikimit. Një rol të tillë e ka pasur edhe shtypi i vendeve të tjera, por shtypi shqiptar e ka kryer këtë rol në kushte jashtëzakonisht të vështira. Pavrësisht këtyre kushteve ai e ka kryer më së miri rolin e tij. Gjatë kësaj periudhe të vështirë të historisë së Shqipërisë, janë botuar disa nga organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar dhe janë krijuar disa nga modelet më të mira të publiçistikës shqiptare si ajo e Konicës, Fishtës, Nolit. Në mungesën e shtetit dhe të një lëvizje të mirëorganizuar, organet e shtypit u shndërruan në qendra të një veprimtarie të madhe kulturore, politike dhe publiçistike që çoi në krijimin e të parit shtet shqiptar në vitin 1912.

Ky libër është një përpjekje për të përshkruar historinë e shtypit shqiptar nga vitet 1848 deri në vitin 1912, periudhë kjo mjaft e pasur për nga bilanci i organeve të botuara dhe mjaft komplekse për nga dukuritë mediatike. Ndërtimi i një historie bëhet edhe më i vështirë për faktin se në fushën e historisë së shtypit, studimet për organe e shtypit apo për periudhat e caktuara thuajse mungojnë, gjë që e bën të vështirë një sipërmarrje të tillë. Kjo është një përpjekje modeste për të hedhur sadopak dritë në një fushë kaq gjerë si historia e shtypit ku çdo kontribut është i mirëpritur..

MARK MARKU
 
__________

VËSHTRIM IM  PANORAMIK  MBI HISTORINË  E SHTYPIT SHQIPTAR

Synimi i këtij punimi është nxitja e studiuesve që t'i përkushtohen hartimit të historise së gazetarisë, periudhave të zhvillimit të saj. Kjo sepse, në studimet e deritashme, në rrafsh historik apo bashkëkohor, ende mungon një vështrim shterues për rrjedhat e shtypit shqiptar që nga lashtësia e deri në ditët tona. Natyrisht, duhet çmuar puna e disa historianëve, bibliografëve, studiusve të letërsisë e të gazetarisë, të cilët janë përpjekur e kanë dhënë kontribute të vyera për krijimin e një përfytyrimi rreth shtrirjes së gazetarisë shqiptare në kohë, qoftë edhe me regjistrimin a sistemimin e titujve të gazetave e të revistave. Me mjaft interes, për çka shtjellojmë, janë bibliografitë përshkruese,1) krestomacitë2) si dhe studimet perqasëse historike a letrare,3) të botuara deri tani.

FILLIMET DHE ECURIA E PERIODIKUT SHQIPTAR

Më sa dime, deri tani At Fulvio Kordinjano ishte ndër të parët studiues, që mori përsiper të sistemojë listën e organeve të shtypit shqiptar deri në vitet tridhjetë.4) Duhej të kalonte gati nje çerek shekulli për të ardhur tek artikulli i Teki Selenicës "Shtypi kombëtar".5)Në të, me ndonjë shënim shkarazi, rënditen tituj gazetash e revistash, që janë botuar nga viti 1882 deri më 1927. Për objektin e studimit tonë interes paraqet shkrimi pa autor: "Historia e fletorarizmit shqiptar, duke filluar nga kohët e moçme", botuar me vijim në shtyllat e "Gazetës shqiptare".6) E përmuajshmja "Leka", ne vitin 1938, publikoi disa shënime bibliografike, nën titullin "Lista e revistave shqiptare t'botueme prej Arbneshëvet t'Italise".1) Një tjetër bibliografi shkroi dhe e shpërndau ne Tiranë Henri Guys, konceptuar si pasqyrë e letërsisë dhe e publicistikës shqiptare të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XIX.2) Me vlera njohëse paraqitet kapitulli "Shtypi i epokës zogiste" në albumin jubilar "10 vjet Mbretni 1928-1938".3)

       Bazat e një bibliografie shkencore për historinë e shtypit shqiptar, për herë të parë, i gjejmë në dorëshkrimin e prof. dr. Jup Kastratit.4) Por punimi më i plote në ketë fushë mbetet bibliografia e Palok Dakës, në të cilën rroket në mënyrë tërësore shtypi shqiptar e mbi Shqipërinë e viteve 1848-1944. Pedagogu Fadil Podgorica, i mirënjohur për studime në fushën e letërsisë shqipe, ka botuar artikullin shkencor "Aspekte të shtypit periodik deri ne prak te çlirimit", duke çelur rrugë për periodizimin e gazetarisë shqiptare.5) I kësaj natyre është edhe studimi i prof. dr. Shukri Rrahimit "Shtypi shqiptar prej kohës së Rilindjes gjer sot".6)

       Nuk mendojmë se me këtë vështrim të shpejtë kemi arritur të njohim e të parashtrojmë gjithçka, që lidhet, drejtëpërdrejtë a tërthoras, me periodizimin e historisë së gazetarisë; as se kemi shteruar studimet e bëra për gazeta e revista të veçanta apo për tema e probleme të caktuara. Një varg punimesh për aspekte të ndryshme të përmbajtjes së shtypit, si dhe ato të paktë libra të autorëve shqiptarë e të huaj për fletorarizmin shqiptar në  ngulimet arbëreshe, do t'i kemi parasysh gjatë hartimit të kësaj sprove.7)

       Një vështrim krahasues, për të parë se çfare kanë të perbashkët e çfarë të veçantë punimet, artikujt e bibilografitë e sipërshënuara, na duket dobiprurës për të arritur në disa pikësynime. Së pari, interesimi i përbashkët i studiuesve ka qenë përcaktimi i gjenezës  se shtypit shqiptar dhe zhvillimi i tij. F. Kordinjano rënditjen e të perkohshmeve e nis me gazetën "Drita" të Nikolla Naços, që botohej ne Bukuresht, ndonëse nuk shënon saktësisht datën e vitin e  numrit të parë të saj. Teki Selenica e paraqet të përmuajshmen "Drita"-"Dituria" të Stambollit si të parën të përkohshme në historinë e shtypit shqiptar. Te kjo revistë i sheh fillimet e fletorarizmit tonë edhe "Gazeta shqiptare". Ndërsa shumica e autorëve të tjerë shfaqin mendimin  se gazetaria shqiptare nis me "L'Albanese d'Italia" (Shqiptari i Italise) të J. De Radës.

         Së dyti, disa prej artikujve e studimeve kanë mangësi e pasaktësi në emërtimin e titujve të gazetave e revistave,apo paqartësi për kohën e botimit të tyre. Revista "Leka" listën e periodikut shqiptar e mbi Shqipërinë e kufizon vetëm me botimet e arbëreshëvet të Italise; kurse diplomati frances, Guys, përqëndrohet kryesisht në organet e shtypit shqiptar të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë. Kordinjano numron 128 tituj gazetash e revistash, shtrirë në kohë deri më 1925. Teki Selenica me 146 tituj shtyhet dy vjet më tej, deri më 1927. Ndërsa "Gazeta shqiptare",  që pretendon për një hark kohor më të gjatë, deri më 1930, është e informuar vetëm për 79 të përkohshme shqiptare e mbi Shqipërinë.

        Së treti, ka autorë, që përpiqen të hedhin dritë edhe mbi përmbajtjen e gazetarisë,sidomos të asaj pas  viteve 1912. Dhe, të prirë prej orientimesh politike e ideologjike të kohës, shkasin në vlerësime të njëanshme. T..Selenica  vitet 1913-1920 i përcakton si "tepër fatale" për fletorarizmin shqiptar. Dhe rendit disa tituj gazetash për të dalë në përfundimin se në këtë përiudhë,siç e cilëson ai, "ushtima e gazetave ka pushuar, nuk është ndier", pa marrë parasysh se në ato 8 vjet janë botuar 87 organe të shtypit shqiptar: 56 brënda vendit e 29 në ngulimet shqiptare në mërgim. Në këtë mënyrë lihen në harresë mjaft fletore të kohës, të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm për Shqipërinë e kombin shqiptar, si "Hylli i dritës" me kryebotues e publicist At Gjergj Fishten; "Trumpeta e Krujës" e F. Konicës; "Lidhja kombëtare" e N. Ivanajt; "Posta e Shqypenies", po e Gj. Fishtes; Gazeta "Koha" e Mihal dhe Koço Gramenos ( 1913-1926 - Korçë-Jamestoën /USA/ - Korçë); "Biblioteka Zëri i Shqipërisë" e Kristo Dakos në Sofje; "Atdheu" i Jani N. Lehovës (Konstancë-Durrës); "Përparimi" në ShBA; "Kuvendi" në Romë; "Zgjimi i Shqipërisë" në Francë,etj. Kësisoj në albumin "10 vjet Mbretni 1928-1938" errësohet kjo periudhë, e quajtur si e "para triumfit te Legalitetit" dhe lartësohet "Shtypi i epokës zogiste, kur fletorarizmi shqiptar nisi të marrë frymë të re".1)

       Në të shumtën e rasteve shkaqet kryesore të mangësive të artikujve e të bibiliografive për kohën e lindjes e të zhvillimit të organeve të shtypit shqiptar e mbi Shqipërinë, boshlleqet e krijuara, pauzat, kapërcimet ose lënia mënjane e shumë titujve të periodikut apo edhe figurave e penave të shquara të publicistikës së kohës, duhen kërkuar në mungesen e një monografie të plotë për historinë e gazetarisë, në studimet e pakta për gazeta, revista e për periudha të ndryshme, në paplotinë e koleksioneve në bibliotekat dhe në arkivat tona, si dhe në koncepte e paragjykime politike, ideologjike e provinciale.

    Pavarësisht se, në tërësi, përpjekjet janë kufizuar në hartimin e listave emërore të të përkohshmeve, autorët kanë bërë një punë shumë të vyer, duke vënë "gurët e parë" në themelet e historisë së fletorarizmit shqiptar. Megjithë dëshiren e mirë  të tyre për t'iu afruar sa më shumë të vërtetave në konturimin e  etapave, në artikujt,në studimet e në biliografitë, që përmendëm me respekt, ka edhe mospërputhje të qenësishme. Sidoqoftë, mjaft prej tyre afrojnë në ide, në mendime dhe në kohë, sidomos për gjenezën e gazetarisë sonë dhe, në plotësim të njëri-tjetrit, krijojnë një pamje të përgjithshme të historisë së shtypit shqiptar. Vlerësimi kritik i këtyre punimeve, në një rrafsh më të gjerë, do të hedhë dritë në studimet e pritme në lemë të periodizimit. Gjithçka është shkruar, publikuar apo arshivuar përbën një bazë të rëndësishmë për studimet e ardhme të kësaj natyre.

CAQET E PERIODIZIMIT

Kriteret e periodizimit të historisë së gazetarisë përbëjnë një nga problemet parësore ende të pastudiuar. Përcaktimi i  tyre paraqet vështirësi për arsye se ato janë mjaft komplekse , e ndërthuren e ndërvaren nga shumë faktorë. Dr. Palokë Daka, në hyrje të botimit të fashikullit të parë të bibliografisë,e cila përfaqëson punimin më të arrirë në llojin e vet në lemë të studimeve të gazetarisë sonë, nuk merret fare me periodizimin. Ai mjaftohet me renditjen e tri fazave historike të shtypit shqiptar e mbi Shqipërinë e viteve 1848-1944, sepse i kishte vënë  detyrë vetes të hartontë një bibliografi tërësore, ku të paraqitej "një pasqyrë sa më e plotë e botimeve periodike njeqindvjeçare".1) Në parathënie autori sqaron se  "përcaktimi tërësor shkencor i vlerës së çdo organi në veçanti, si nga pikëpamja e drejtimit politik, ideologjik e shoqëror, etj., ashtu edhe nga ana tjetër (letrar e kulturor),është një çeshtje që mbetet jashtë kuadrit të këtij punimi e mundësive tona".

       Megjithëkëte punimi i P. Dakës, ashtu si edhe studimet e parathëniet në vëllimet me artikuj të zgjedhur, përmbledhje  nga organet e shtypit, në përgjithësi bibiliografitë dhe shkrimet për ecurinë historike të gazetarisë, përbëjnë  bazat e periodizimit. Ne to, ku më shume e ku më pak, gjejmë elemente të qenësishem të tij, qoftë në ato punime ku paraqiten grupime autorësh publicistë sipas një orientimi ideologjik, përkatësisë fetare apo rajonale; qoftë edhe në renditjen e periodikëve, sipas kohës së botimit e jetëgjatësisë së tyre.

       Në kërkim të kritereve shkencore të periodizimit të historisë së gazetarisë duhen mbajtur parasysh edhe disa ndihmesa të tjera. Ndermjet tyre kujtojme se revista "Leka" i paraprin studimit të historisë së gazetarisë në rrafsh horizontal, me grupime periodikësh e autorësh-publicistë. Sipas këtij kriteri, aty përfshihen: grupi i fletoreve të arbëreshëvet të Italisë me publicistët më përfaqësues të tyre,grupimet,që u përkasin shoqërive kulturore shqiptare të kolonive të Stambollit , të Rumanisë, të Bullgarisë, të Egjyptit,etj., si edhe bashkime autorësh sipas qarqeve fetare apo mbi bazen e përkatësisë krahinore. Përderisa grupime kësodore karakterizohen e shquhen nga njëri-tjetri për veçori botëkuptimore, ideologjike, politike, fetare, apo për nga territori ku jetojnë e veprojnë, si historia e gazetarisë, ashtu edhe periodizimi i saj do të jenë të cunguar, të njëanshme, jo në përputhje me tërësinë kombëtare.

       Në ecurinë e zhvillimet e gazetarisë dhe të publicistikës ndikojnë edhe faktorë të jashtëm, disaherë përcaktues, si në përmbajtje, ashtu edhe në mjeshtërinë publicistike. Faktorë të kësaj natyre  kanë përcjellë shtypin shqiptar në kohë, gjatë formimit e zhvillimit te tij. Gazetaria shqiptare, sidomos nga viti 1848 deri më 1908, u zhvillua thuajse tërësisht jashtë atdheut. Ai është ushqyer me përvojen e gazetarisë evropiane e ballkanike. Kështu, gazetaria shqiptare, që në hapat e parë të saj, është karakterizuar nga forma të larmishme të pasqyrimit publicistik, nisur me ato informative, por edhe të shprehjes së mendimit racional deri në llojet letrare të publicistikës. Në këtë mënyrë, përsa i përket mjeshtërisë, periodiku shqiptar për gati gjashtëdhjetë vjet ka ecur "në rrugë të shkelura" nga shtypi evropian, duke përdorur lloje të ndryshme shkrimesh. Studimi i veçorive të publicistikës shqiptare dhe i ndikimeve të saj nga gazetaria e vendeve të huaja, ku është zhvilluar, mbetet detyrë për historianët tanë të kësaj fushe.

        Zhvillimet e ndryshimet në gazetari janë të lidhura  drejtëpërsëdrejti me proceset historike. Gazetaria, marrë si proces pasqyrues publicistik, nuk është gjithmonë ilustrim a propagandim i të dhënave, fakteve, ngjarjeve e dukurive ideopolitike e shoqërore të ditës, por u paraprin atyre dhe, në tërësi, historisë. Gazetari është zëri i kohës, zëdhënës i një shoqërie të caktuar në të cilën gjallon e militon; por njëheri është edhe parlajmërues i së pritmes historike e shoqërore, të ndryshimeve që do të ndodhin në ardhmëri. Publicisti pasqyron realitetet historike, përjetimet dhe problemet që e shqetësojnë shoqërinë, aspiratat e brezave. Në vlerësimet e qëndrimet e veta ideopublicistike ndaj të vërtetave jetësore, gazetari, publicisti ushqen arsyen, por edhe ndjenjat, vetëdijen e shoqërise bashkëkohëse dhe, në një mënyre a në një tjetër, u "dikton" ose "injekton" atyre ide, parime, praktika që u paraprijnë në punë, në jetë, në marrëdhëniet e përditshme ndërshoqërore.

     Gazetaria, veç "vulës së kohës", si kronikë ngjarjesh, ka edhe "vulën e mjedisit", të një sistemi të caktuar ideopolitik, historik e shoqëror. Ajo lind, rritet, formohet e zhvillohet në mjedise e në rrethana të caktuara shoqërore e historike, ngarkuar me ngjarje e trysni ideopolitike, ekonomike e shoqërore, kulturore, etj.; pëson ndryshime rrënjësore në përmbajtje (Shtypi i Rilindjes, i Pavarësisë, i Luftës II Botërore, i Pasluftës, i Tranzicionit), kushtëzuar nga pozitat ideopolitike të sistemeve në fuqi. Kriteri themelor përcaktues për periodizimin është koha, janë ngjarjet më të shënuara të periudhave të ndryshme të historise së Shqiperise. E metë kryesore e tij, ashtu siç paraqitet gjer sot, është anashkalimi ndaj mjediseve krijuese publicistike, ndaj grupimeve të autorëve, ndaj metodave e mënyrave të pasqyrimit të një përmbajtjeje të caktuar, të thelbit të saj. Hapsira të tilla nuk mund të përmbajnë bibliografitë përshkruese të deritashme, kufizuar në enumeracionin e periodikëve dhe në shënimet e shkurtëra për të dhënat më kryesore ( data e botimeve, emrat e drejtuesve,etj.); në orientimin e pergjithshem politik, kulturor, ekonomik, letrar, shoqeror,etj.

        Fytyrën e gazetarisë, profilin e saj në një kohë, në një vënd dhe në një sistem të caktuar politiko-shoqëror e konturojnë tematika e problematika, elementët tipologjisë e të mjeteve shprehëse publicistike; po ashtu edhe grupime gazetarësh, publicistësh të një sistemi shoqëror apo të një harku kohor.

       Këto janë disa ide e arsyetime,  të paraqitura në këtë libër si sugjerime për diskutim në rrethet e studiuesve të interesuar në fushë të historisë së gazetarisë. Në gjëndjen e tashme për  periodizimin e historisë së gazetarisë nuk arrijmë të shkojmë tej plotësimeve e qartësimeve të periudhave të njohura, duke ndërtuar një sistem tërësor e koherent. Shkaku kryesor është se ende nuk kemi studime të plota për periudhat e ndryshme të zhvillimit të gazetarisë shqiptare, për fletoret më përfaqësuese, për publicistë më në zë, si dhe për probleme të mjeshërisë, të formave të pasqyrimit e të mjeteve shprehëse publicistike. Për ravijëzimin e caqeve më kryesore të periudhave të zhvillimit të gazetarisë jemi nisur nga kriteri i peìrgjithshem se rrjedhat e saj prgjithsisht përkojne me ato të historisë. Historia dhe gazetaria kane lidhje me njëra-tjetrën, por rrënjët e së dytës janë në të parën.. Caqet kohore, fillimi e mbarimi i një periudhe, nuk kanë qenë dhe nuk mund të jenë kurdoherë në plotpërputhje.

       Prandaj, në perqasje me rrethanat politike, ekonomike e shoqërore të zhvillimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në shekuj, historinë e lindjes e të rrjedhave  të shtypit shqiptar e shohim në 6 periudha: I. PARAHISTORIA, II. RILINDJA KOMBETARE, III.PAVARESIA (në dy faza), IV. LUFTA II BOTERORE, V. PERIUDHA E PASLUFTES II BOTERORE, VI. PERIUDHA E TRANZICIONIT.

***

    Para se të përqëndrohemi në paraqitjen analitike të periudhës  së Rilindjes Kombëtare e shohim të nevojshme të japim një pasqyrë panoramike për çdo periudhë të historisë së shtypit shqiptar prej parahistorisë së tij e deri në ditët tona. Synojmë që lexuesi të krijojë një përfytyrim për tiparet më karakteristike të çdo periudhe si dhe të disa të përkohshmeve më përfaqësuese të atij harku kohor.

I. PARAHISTORIA         

Në gazetarinë shqiptare periudha parahistorike prej lashtësive ilire zbret deri ne gjysmën e parë të shek. XI, kur botohet e përkohshmja "Shqiptari Italisë". Problemet që lidhen me rrënjët historike të kësaj dukurie shoqërore janë shtjelluar si hipotezë në ese-në "Fillimet e gazetarisë shqiptare",që  përfshihet në libër. Prandaj në këtë syth do të hedhim disa shënime rreth karakteristikave të periudhës në fjalë. Për të përcaktuar ndarjet brënda çdo periudhe do të perdorim termin "fazë", konceptuar si një kohështrirje gjate së cilës ndryshimet nuk janë thelbësore, por gjallojnë brëndapërbrënda një sistemi të caktuar ideor, politik e shoqëror, pra, në  suazë të periudhës së dhënë.

       Tri janë kohështrirjet për gjurmim të dukurive, që lidhen me elemente, mënyra e mjete të komunikimit masiv, si shfaqje të "gazetarisë" në historinë e tejherëshme të kombit e të kombësisë shqiptare: ajo që njihet si fazë e "eksplozionit ilir", Mesjeta e zhvilluar e, së fundi,periudha e Rilindjes shqiptare. Secila prej tyre matet jo me dhjetëvjeçarë, po me shekuj nëpër të cilët është formuar historia e prejardhjes shqiptare. Kohështrirja e parë përfaqëson kreshtën e kulturës ilire, kur në Perandorinë e Romës Ilirët ishin në krye të punëvet, në poste shtetërore e ushtarake. Shekujt III e IV njohin si udheheqës të lartë  të Perandorisë thuajse veçse burra të urtë e trima ilirianë. Prej Klaudit II, në vitin 268, nis radha e perandorëve ilirë, të cilët, për më shumë se një shekull, i dhanë emër Romës e romakëve. Ndër më të shqurit ilir ishin Diokleciani, perandor i reformave të mëdha,Aureljani,Kostandini I,Juliani,Justiniani,etj. E dyta kohështrirje është ajo e Mesjetës së zhvilluar, kohë në të cilën një varg dijetarësh, shkrimtarësh e teologësh i dhanë jetë gjuhës e letërsisë shqipe, qe nga Bogdani, me veprën e tij "Cuneus prophetarum" e deri ne vitin 1555, kur u botua "Meshari" i Buzukut. Por, për arsye studimore, në librin "Shkrimtarë shqiptarë" (Pjesa I., Tiranë, 1941) që prej Buzukut, Bogdanit, Kazazit,etj., rreshtohen në një grup, nisur nga gjysma e dytë e shek. XV dhe arrinë në fund të shek.XVI, zhvilluar në qëndra të ndryshme të Shqipërisë së hershme, përfshirë edhe figurat më të shquara të Rilindjes, të kohështrirjes së trete, sipas kësaj trajtese.

       Pararendës i Rilindjes, i humanizmit shqiptar, ishte Marin Barleti. Kjo periudhë përfaqësohet nga një plejadë dijetarësh, shkrimtarësh, teologësh, shumica e të cilëve, drejtëpërsëdrejti apo tërthorazi, u angazhuan edhe në veprimtari publicistike. Nga të dhënat historike mësojmë se perveç M.Barletit, i mirënjohur për kronikat e kohës, me publicistikë e oratori publicistike u morën edhe humanistë të tjerë shqiptarë. Maksim Artioti, pas kryerjes së studimeve universitare në Itali e disa vjet punë, shkelqeu për dije e penë, për çka cilësohej si një "figurë që ngrihej mbi përfaqësuesit e kulturës se atëhershme".1) Prandaj Ivani i Tmerrshëm i Rusisë e ftoi dijetarin shqiptar në Moskë, ku u shqua për horizont të gjerë kulturor, si publicist, si latinist e helenist i përsosur , duke merituar vlerësimin që do t'i bëhej: "përhapës i kulturës në Rusi".2)

Vargu i këtyre figurave të shquara të trevave ilire, prej Leonik Tomeut, mësues i Kopernikut, lindur prej një familjeje mërgimtarësh durrsakë, ngulur në Venedik, e radhas, te Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu, etj., dritësoi jo vetëm në Iliri, por edhe në rajonet tej Adriatikut e detit Jon. Filozofi italian Benedeto Kroçe shkroi një monografi për jetën e veprën  humanistit të shquar shqiptar, Mikel Marulit.

       Pretetendimi se "rrënjët e gazetarisë" shqiptare duhen kërkuar,së paku, ç'prej të parit shtet të Arbërit, përligjet prej të vërtetës se administrata shtetërore e Arbërit, civile e ushtarake, përgjatë viteve të ekzistencës së vet ,1190-1199, nuk mund të qeverisej pa mjete e forma të komunikimit masiv qoftë edhe me kronika të shkurtëra informative, të nevojshme e të domosdoshme për rrethe të caktuara e shtresa drejtuese qytetare e shoqërore të kohës. Në të mirë të kësaj ideje vjen edhe fakti se në Shqipërinë mesjetare klasa feudale  shfaqet haptas me tërë ndikimin e vet, si një forcë e mëvetësishme politike e ushtarake.

       Arsyetimet tona fitojnë më shumë besueshmëri, kur u referohemi dijetarëve, vlerësimeve të tyre për zhvillimin politik, ekonomik, kulturor e shoqëror të Shqipërisë së atyre kohërave. Historiani kroat, dr. Milan Shuflaj, në studimet e veta, përmbledhur në veprën "Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia" ("Akte dhe diploma, që ilustrojnë çështjet e Shqipërisë mesjetare" - Vëll. II., Vjenë 1913-1916),

një prej botimeve shkencore themelore të dokumentacionit historik për Shqipërinë, hartuar prej tre bashkautorëve mediavistë (hungarezit T.Taloç, çekut Kostandin Jireçek dhe M.Shuflaj), nënvizon se "niveli i jetesës se qyteteve shqiptare të epokës paraturke nuk ndryshonte nga ai i qyteteve dalmatine, madje i afrohej tepër qyteteve të Italisë jugore". Po aty, dr. Jireçek, duke folur për rrenimet osmane në Shqipëri, shkruan se "as në luftërat midis Galipolit dhe Adrianopolit nuk u prishën aq qytete mesjetare, sa u prishën vetëm në rrethinat e Durrësit e të Shkodrës". Nën sundimin otoman botimi i një organi të shtypit shqip ishte jo vetëm i pamundur, por edhe i rrezikshem. Porta e Lartë kërkesat për shtyp në gjuhen shqipe i priste me iritim e nervozizëm. Sami Frashëri, në letren që i dërgonte De Radës më 20 shkurt 1881, shkruante se "shumë herë kemi kërkuar leje nga guverna e turkut për botimin e një gazete shqipe, por s'na është dhënë" se "turku nuk do zgjuarjen e shqiptarëvet dhe lindjen e Shqipërisë, por ta këtë atë të fjetur e të verbër".

        Për argumentimin e hipotezës së parashtruar kujtojmë se të parat shtypshkronja në trevat shqiptare jane ngritur diku nga gjysna e dytë e shekullit XVI. Me qëndrën qytetëse të skelës se Obotit, në brigjet e lumit Bunë, pak kilometra larg Shkodrës, lidhet emri i shtypshkronjës së vogël, e Xanetit dhe Shtjefen Shkodranit, ku është shtypur një liber që ruhet në arkivat e Frankfurtit.1) Nga i njëjti burim mësohet se në Frankfurt mbi Main është paraqitur një liber, i botuar në Durrës më 1584 nga Polidorus Kargius. E, radhas, më 1714 , vjen shtypshkronja e Akademisë së Voskopojës; në vitin 1871, me leje të administratës osmane, jezuitët sollën dhe instaluan në Shkodër shtypshkronjën "Zonja e Papërlyeme". Pa kaluar 10 vjet, po në Shkodër, Valiu i vëndit hapi një tjetër shtypshkronjë në të cilën botohej e përkohshmja zyrtare e vilajetit.

II. RILINDJA KOMBËTARE

Rilindja përfaqëson një epokë të lavdishme për Shqipërin e kombin shqiptar, epokë iluministe, demokratike e përparimtare, gjatë së cilës u bënë shndërrime e zhvillime përtëritëse. Rilindja kombëtare nis diku në vitet 30-40 të shekullit të kaluar dhe përmbyllet me shpalljen e Pavaresisë së Shqipërisë. Si një levizje e gjerë popullore kombëtare, ajo kishte karakter të theksuar politik, ekonomik, shoqëror e kulturor. Ne rrjedhë të kësaj epoke të dritshme u përvijua një veprimtari e dëndur atdhetare, demokratike e revolucionare. Ajo lidhet me ngritjen e vetëdijes kombëtare në një shkallë të lartë e tejet aktive; me formimin e kombit shqiptar; me luftën kundër pushtuesve osmanë për çlirimin kombëtar e për bashkimin e trojeve etnike në një shtet kombëtar; me stigmatizimin e planeve grabitqare e prapaskenave të shteteve shovene fqinje; me denoncimin e qëndrimeve e të veprimeve antishqiptare të Fuqive të Mëdha; me shpërberjen e rendit feudal e vendosjen e atij borgjez; me orientimet e përparimet e arsimit, të kulturës kombëtare, etj.

Dhjetëvjeçarët e parë, sidomos vitet tridhjetë të shek. XIX-të shënojnë agun e lëvizjeve shqiptare,që vijnë në rritje e ngjitje në rrjedhë të kohëve deri në fillimet e shek. XX, kur përpjekjet e luftërat e pareshtura të popullit tonë në shekuj kurorëzohen me fitoren e shtetit të parë shqiptar. Në ketë kuadër marrin hov zhvillimet e tëranshme për zgjimin e afirmimin e kombit shqiptar. Kjo veprimtari u pasqyrua dhe u propagandua në faqet e shtypit shqiptar, lindja e të cilit lidhet me nevojën e përhapjes së ideve dhe të idealeve të Rilindjes kombëtare. Me të përkohshmen e parë shqiptare "L'Albanese d'Italia" (Shqiptari i Italisë), që arbëreshi, i shquari atdhetar, Jeronim De Rada, e nxori në dritë  më 23 shkurt 1848 në Napoli të Italisë, zë fill historia e gazetarisë shqiptare, periudha e parë e saj. Meqenëse shtypi i periudhës së Rilindjes është objekt tërësor i një libri të veçantë për historinë e gazetarisë shqiptare,do të mjaftohemi vetëm me këto shënime hyrse, për t'u zgjëruar diçka më shumë në periudhat e tjera të historisë së shtypit shqiptar deri në kohët tona. (Fusnotat i botojmë një here tjetër)

Prof. Dr. Hamit Boriçi

[1] Aleks Buda -“Shënime historike”, v. II, T. , f. 19

[2] “Sjevjernaja Pçella”, St. Petërsburg 24..6.1830

[3] Kristo Frashëri-“Studime historike”, 1978/1, f. 46

[4] Shih–“Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare”- Prishtinë, 1986, f. 19

[5] Revista serbe “Radniçke Novine”, Beograd, nr. 130, 3 nëntor 1909

[6] Zekiria Cana –“ Revista “Përparimi”, Prishtinë, 1976, nr. 3, f.282

[7] “Radniske Novine”, 28.08.1908, f. 88

[8] Arben Puto – Problemi shqiptar dhe fuqitë e mëdha në gjysmën e dytë të Shek. XIX –Fillim të shekullit XX- bashkëreferat, mbajtur në Kongresin II Ndërkombëtar të Studimeve për Europën Juglindore, Athinë, 7-13 maj 1970, f. 134

[9] Paskal Milo – “Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881, f. 335)

[10] "Bibliografi retrospektive....", burim i cituart,f.141

[11] Revista "Leka", Shkodër, 1937,f.. 451-454 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora