E hene, 09.12.2024, 08:08 PM (GMT)

Speciale

Alfred Papuçiu: Nga ditari i një jete në Diasporë (I)

E enjte, 16.04.2009, 10:08 PM


Gjenealogjia dhe shqiptarët

Nga ditari i një jete në Diasporë (I)

Alfred Papuçiu

Ditari është mbajtur, dhjetë, njëzet e më tepër vite më parë. Tashmë, me kalimin e moshës kujtimet sikur ecin shumë më shpejt se koha. Shpesh herë u rikthehem atyre dhe ndiej një kënaqësi të veçantë, por edhe brengë për diçka që nuk është bërë si duhet. Megjithatë, e ngushëlloj veten dhe them se duke qënë të krishterë, apo myslimanë, për të folur me Zotin e Plotfuqishëm, me Muhametin, nëpërmjet një prifti apo hoxhe, dhe lutemi në kishë apo xhami,  duhet të jemi të pastër shpirtërisht, pa asnjë gabim. Por kush ka qënë ajo qenie njerëzore, që në një mënyrë ose një tjetër nuk ka gabuar? Kështu që edhe Zoti besoj se na i bën “kabull” disa gjynahe…Ndihesha krejt i çliruar dhe nuk kisha asnjë ankth kur dëgjoja zërin melodioz të gjyshit tim kur psalte në kishë para qindra e qindra njerëzve. Ai u largua pikërisht një ditë para se të mbylleshin kishat dhe xhamitë dhe gjithë qyteti e përcolli Ikonomin në banesën e fundit. Të nesërmen, gjithkush thoshte: “Paska qënë me fat, Zoti e mori atje lart, për të mos parë rrokullimën e kobshme të prishjes së ikonave të Shtëpisë së tij…

Lexuesve po u paraqes vetëm një pjesë të vogel të këtij ditari, pasi këto shënime nuk kanë ndonjë gjë të veçantë. Ato janë kujtime të një qytetari të thjeshtë që ka patur fatin, siç mund ta kishin edhe shumë bashkëkombas të tij, të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo në konferenca të tjera ndërkombëtare, për çarmatimin, porblemet sociale dhe ekonomike, politike, të të drejtave të njeriut, juridike, të gruas, të sindikatave etj.. Në fakt ato i kam shkruar sidomos për djalin dhe vajzën time, të cilëve doja t’u lija një lloj testamenti moral krejt të sinqertë. Duke lexuar këto radhë ata do kuptojnë se jeta ime nuk ka qënë e lehtë, por plot sakrifica, dhe më është dashur të përtyp për hir të së ardhmes së tyre, edhe ndonjë rromuz, por kurrë nuk i jam bërë ure dikujt që është treguar meskin, apo i panjerëzishëm me mua. Edhe atë “qoftëlargun” ia kam lënë Zotit ta gjykojë, këtë ua kërkoj edhe atyre që ai mundohet përsëri t’u bëjë keq, apo të hedhë gurë dhe të fshehë dorën, të shpërndajë “fletushka” si tinzar dhe të futet edhe në banesat e bashkëatdhetarëve, pa qënë i ftuar, pa menduar se një ditë edhe ai do të përfundojë si gjithë të tjerët atje në varrezat e Sharrës, Shish-Tufinës, Gjenevës, Parisit, Vjenës, Nju Jorkut apo gjetiu ku vegjeton akoma në botën moderne. Një njeri që ka përqafuar rrugën e intrigës qoftë edhe për një çast, e ka të vështirë të largohet prej saj, çdo mënyrë tjetër jetese për të është pa kuptim…

Mbi të gjitha kam patur dhe kam miq të shumtë këtu në Zvicër, por edhe në Shqipëri, Amerikë, Kanada, Angli, Greqi, Turqi, Itali, Francë, Austri, Kosovë e deri në Argjentinë dhe me ta shkëmbej mesazhe të rregullta që më ngrohin zemrën dhe më Japin kurajo të jetoj edhe pak. Sidomos për të mirën e njerëzve të mi më të shtrenjtë.

Përsëris, hezitova shumë që t’i shpreh këto mendime hapur. Por një mikui m i mirë më bindi se sado keq që të jenë shkruar ato, mund të përmbajnë një dritë të vërtetë, që brezi i ri, si fëmijët e mi apo të shokëve të mi mund t’i vlerësojnë sadopak. Pra i ofrova vetes këtë luks për t’iu rikthyer ndoshta për herë të fundit, ecurisë së jetës dhe veprimtarisë time modeste. Të shkruash është një mënyrë të foluri, pa të ndalur njeri kur shpreh mendimet e tua. E du aakoma profesionin tim “jo të këndëshëm” që më lidh me gjuhën dhe tokën time amtare, për të dhënë një mesazh. Ashtu, si ata marinarët që urrejnë stuhitë dhe shtrëngatat, por vazhdojnë të lundrojnë, edhe unë do të vazhdoj në udhën time të nisur prej mbi katër dekadash.

Gruaja shqiptare në OKB

Rastësisht në darkë takova në katin përdhes të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, një grua që m’u duk si shqiptare. Iu afrova. I fola shqip. Ngeli e shtangur. Më pyeti nga isha. Më tha se edhe ajo ishte nga Shqipëria, nga Veriu, por kur ishte mbyllur kufiri kishte ngelur matanë, në Jugosllavi. Një vëlla duhet ta kishte akoma diku në Veri, por nuk kishte asnjë njoftim për të. M’u dhimbs, pasi kishte edhe një vajzë që e kishte humbur dhe nuk e dinte se ku ndodhej. Aty bënte çdo darkë pastrimin e korridoreve të OKB-së. Nuk e pashë më atë grua, e cila ishte e urtë, me fytyrën si ëngjëll, por tepër e trishtuar…

Këtu në OKB njeriu e ndjen veten të çliruar nga çdo kompleks. Jo më kot Karta e Kombeve të Bashkuara hapet me fjalët shumë domethënëse: “Ne, popujt e Kombeve të Bashkuara…” Kjo shpreh qartë universalitetin e kësaj organizate me prestigj që u përket të gjithëve, popujve që e përbëjnë bashkësinë ndërkombëtare. Këtu ka rreth 8000 vetë që punojnë nga 170 vende të botës. Vetëm shqiptarë nuk ka akoma në Sekretariatin e OKB-së. Personeli i Sekretariatit njofton mediat për veprimtaritë e OKB-së, organizon konferenca ndërkombëtare mbi çështjet që i interesojnë gjithë botës.

Vizita në “Metropolitan Muzeum” dhe Ali Pashë Tepelena

Është e djelë dhe Petro Papanikolla, një bashkëatdhetar i yni na ka propozuar të shkojmë në disa muze. Nju Jorku është një metropol kulturor, me ato universitetet madhështore, si dhe me muzetë prestigjioze. Vizituam “Metropolitan Muzeum”, një nga më të pasurit në botë për artet e bukura. Qëndruam disa orë duke soditur ato piktura aq të bukura. Edhe “Louvre” në Paris ka karakteristikat e veta, sidoqoftë këtu është një botë tjetër e  veçantë dhe madhështore. Tek “Metropolitan Muzeum”
Gjendesh para një surprize kur të del përpara dhe një portret i Ali Pashë Tepelenës, i pikturuar nga një piktor gjerman me origjinë çifute. Ai quhej Jacob Ritter von Hartman. Piktura është në formë ovale dhe e rrethuar me kornizë fildishi. Aliu i famshëm është pikturuar me gëzofin e lëkurës, jelekun, si dhe mjekrën e gjatë, me sy ngjyrë blu. Te “Metropolitan Muzeum” gjejmë të ekspozuar edhe dy tabllo të piktorit francez Jean-Leon Gerome, të titulluara “Fishekbërësit” dhe “Lutje në xhami”. Në to spikasin kostumet e bukura shqiptare, si dhe figurat e aventurierëve shqiptarë të cilët ai pati rast t’i takojë në Egjipt.

Të bën përshtypje se në çdo ndërtesë publike është i varur flamuri amerikan. Gjithashtu, nëpër dyert e shtëpive sheh të shkruar nënshkrimin “God bless America” (Zoti e bekon Amerikën). Shpesh kur qëndrojmë natën që i kthejmë stacionet e panumërta të televizionit, derisa të na zërë gjumi, lajmet janë sidomos për ngjarjet në Amerikë dhe shumë pak ka për Europën. Pragmatizmi amerikan është i rrënjosur kudo. Të bën përshtypje në krahasim me Europën se këtu jeta vazhdon me të vërtetë 24 orë në 24. Ke dyqane dhe supermarkete të hapura 24 orë, për fruta, perime, mish, si dhe për të larë filmat fotografikë.

Sot lexova në shtypin shqiptar një artikull të një gazetari për problemet ndërkombëtare ku ai thekson se në Parkun Qëndror të Nju Jorkut nuk mund të shëtishës, pasik e frikë nga banditët dhe dritat janë të thyera. U çudita me këtë shkrim dhe e mora në telefon gazetarin. Pyetjen e parë që i bëra ishte: “A ke qënë ndonjëherë në Parkun Qëndror të Nju Jorkut?”. M’u përgjigj: “Jo”. Më theksoi se kishte parë diçka te shtypi i një vendi të Lindjes që kishte shkruar lidhur me këto që ai i kishte rimarrë në shkrimin e tij. I thashë gazetarit se para se të shkruajë herë tjetër për një vend apo rajon të caktuar, mirë është të shohë disa burime për të qënë më i besueshëm. I theksova se Parku i Nju  Jorkut është frymëmarrja e këtij qyteti të madh komzmopolit, ku njujorkezët por edhe izitorët e shumtë kalojnë orë të këndëshme edhe me fëmijët e tyre, në mjediset e rregulluar aq bukur për ta, me ato liqene artificiale apo me pemë dhe bimësi nga më të ndryshmet. M’u kujtua tregimi i dikurshëm i kolegut tim Sulo, i cili kur vite më parë pas çlirimit kishte vajtur njëherë në Kajro, ishte frikësuar. Një punonjës i ambasadës po e shëtiste nëpër qytet me makinë, por i kishte thënë se sapo kishte pirë një koka-kola. Në vitet 60-ë shtypi ynë e cilësonte koka-kolën, si pije borgjeze, që të drogonte…Hajde pastaj të kishe besim tek ai që i jepte veturës, pasi të kishte pirë një koka-kola?!

Gazetari i çuditshëm që shkroi negativisht për Parkun e Madh, frymëmarrjen e Nju Jorkut, më duket se ka bërë kthesë dhe shkruan tani në shtyp me objektivitet…

Palma de Majorca dhe shqiptarët

Shkoj me pushime në Palma de Majorka. Një mrekulli e vërtetë, me ato plazhe fantastike tek “Kala d’Or”, apo në vende të tjera, ndërtuar aq bukur nga dora e njeriut. Plazhet e rregulluara nuk kanë shumë rërë si tek ne, por gjithçka është ndërtuar siç duhet. Më thonë se një pjesë e mirë e hoteleve janë subvencionuar nga emigrantë spanjollë që punojnë në Evropë. Ata kursimet e tyre i kanë derdhur për ndërtimin e këtyre hoteleve luksoze. Kanë të drejtë të shkojnë nga një muaj në vit gratis atje dhe të pushojnë. Në fund të vitit, pasi bëhet llogaria e fitimit, pjesa që i takon çdonjerit derdhet në konton e tij bankare atje ku jeton. A nuk mund të bëhej edhe tek ne në Shqipëri një gjë e tillë? Pse u desh që shumica e shqiptarëve të humbin dhjetra miliona dollarë tek shoqëritë piramidale? Pse duhej të ndodhnin ato drama në familje të shumta shqiptare që humbën shtëpinë e tyre, apo bagëtinë, duke menduar se do të fitonin diçka më mirë? Shqipëria me kanalizimin e atyre të hollave për investime në vend, do të kishte mundur shumë shpejt të kthehej në një vend të begatë me standarte evropiane dhe shumica e tyre që rropaten rrugëve të Europës as nuk do mendonin të shonin atje. Shqipëria ka një bregdet të bukur, tokën pjellore, minerale. I duhet vetëm të zhvillojë industrinë ushqimore, turizmin, shërbimet, dhe të krijojë lehtësira për investitorët e huaj seriozë, të krijojë infrastrukturën e përshtatshme në këtë drejtim. Mundësitë janë të shumta. Shumë shqiptarë shkojnë e studjojnë tani në Universitetet më të mira të botës, për biznes, marketing apo probleme që kanë të bëjnë me ecurinë sociale, ekonomike të Shqipërisë. Por ata duhet të ofrohen që të japin ndihmesën e tyre për vendin. Vetëm kështu mund të ecet dhe t’i jepet rrugë përparimit të vendit. A nuk duhet marrë shembull nga një vend i vogël si Zvicra, gjë që e kanë ëndërruar të parët tanë, Rilindasit. Gjithçka që është realizuar dhe realizohet nga zviceranët vjen nga puna, mundi i tyre. Po të shkosh në muzeun “Alimentarium” në Vevei, merr vesh se zviceranët vite më parë hanin vetëm bukë”të zezë, nuk kishin mundësi të hanin mish. Vetëm në sajë të progresit të vendit, të investimit nga ana e banorëve që e përbëjnë Zvicrën, në sajë të marrëdhënieve të shkëlqyera me fqinjët evropianë por edhe me vende të tjera të botës, zviceranët kanë arritur një stad zhvillimi të përkryer. Një vend me katër gjuhë e kultura, me temperamente të ndryshme, por kur vjen puna për çështjen kombëtare, të gjithë janë një. Unë nuk jam dakord me ata nihilistë që thonë se Shqipëria nuk mund të avancojë po nuk u bën ndryshime në mentalitetin e njerëzve. Nuk jam dakord edhe me shprehjen e atij profesori se është më mirë të jesh lopë në Zvicër. Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj mrekullohen me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura të kaluara buzë detit Adriatik. Nuk mund të harroj udhëtimet në Rivierën shqiptare, në Valbonë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, apo atje buzë Gjanicës në Fierin prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës” ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur.
Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, ashtu edhe për mua është kthyer në një argëtim për të plotësuar pemën gjenealogjike të lënë me kujdes nga im atë i paharruar Tuni. Shpesh pyes edhe nënën apo motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit, mbi demografinë. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë. Diku kam lexuar se historia jonë kolektive fillon me Biblën. Gjenealogjia përbën një nga bazat e tregimit të saj. Gjeneza për shembull spjegon se “Kaeni e njohu gruan e tij, që krijoi dhe lindi Henokun. Henokut i lindi Iradi. Iradi lindi Meujaelin dhe ky i  fundit lindi Metushaelin. Metushaeli lindi Lamekun. Ky i fundit pati dy gra. Njera kishte emrin Ada dhe e dyta Sila. Ada lindi Jabalin. Ky i fundit është paraardhësi i atyre që jetojnë me kopetë e kafshëve. Ja pra historia qysh nga paraardhësit primitivë, Adamit dhe Evës...

Multinacionalja dhe “profesori” shqiptar

Detyrohem të shkoj në Tiranë lidhur me një biznes që multinacionalja amerikane ka realizuar me disa kompani shqiptare. Njëra nga to që e quan veten si më e forta ka nxjerrë një problem të kotë dhe pa baza. Kur të tjerët festojnë Krishlindjet unë shkoj në Durrës tek anija e mbushur me mall, bashkë me kolegun tim francez dhe përfaqësuesin e Shoqërisë Ndërkombëtare të Kontrollit të Cilësisë. Atje na presin disa përfaqësues të kompanive, disa “profesorë” (njeri prej tyre kishte qënë student në Zvicër dhe disa herë kishte shërbyer si ciceron për të fituar ndonjë frangë më tepër, kur vinin ansamble shqiptare për të dhënë shfaqje). Kërkova kapitenin e anijes. I thashë të na përgatitet një drekë me ushqimin që kishte ardhur. Pijet do t’i paguaja unë. Ftova të gjithë të hanim drekë sëbashku. U theksova se unë do ta ha i pari ushqimin e përgatitur me mallin që ka ardhur enkas për juve. Nëse unë pësoj ndonjë gjë, jam i siguruar dhe familja ime do të ketë një rentë. Fillova të ha dhe të tjerët më shihnin. Kolegu im francez buzëqeshte. Më vonë më tha se veprove shumë mirë dhe në kohën e duhur…
Përsëri, për shkak të ngulmimit të atij “profesori” ekspert i analizave, malli qëndron i bllokuar. Nuk kam asnjë respekt për atë njeri fodull, por kam respekt për ata profesorë të vërtetë shqiptarë që e meritojnë atë titull pasi dijnë të argumentojnë dhe mbrojnë pikpamjen e tyre. Është e lehtë të jesh snob që i gjen me shumicë edhe në Perëndim që nga lypësat e deri tek milionerët. Atë natë nuk më zinte gjumi. Pastaj kllapita. M’u shfaq para syve ai “profesor” i cili më bënte pyetje nëse me të vërtetë mendoja se kjo tokë ishte krijuar nga snobizmi. Tamam sikur ai njeri e vinte baraz veten me Zotin dhe tekstet e shenjtë. Ose prano , më thoshte ai që unë jam si Zoti, ose Zeusi.
Kur u zgjova isha mbushur me djersë dhe për ta hequr atë mundim bëra një dush të lehtë dhe me ujë të vakët.
Ndërkohë, dy nga kompanitë e kanë shkarkuar pjesën e tyre dhe kanë filluar shitjen. Pak më vonë, anija iku duke marrë me vete pjesën tjetër të mallit që duhej shkarkuar në një rajon tjetër të Ballkanit.
Mendoja atë ditë të kthimit në Zvicër. Si është e mundur një gjë e tillë? Shoqëria multinacionale kishte humbur shumë të holla nga mbajtja e “anijes peng” në Durrës. Disa muaj më parë drejtori më kishte lavdëruar për punën e mirë me Shqipërinë. Në fakt unë kisha ndërtuar një rrjet miqsh të kompanive private të cilat ishin të interesuara të merrnin sheqer, grurë, vaj, misër e produkte të tjera të nevojshme për popullsinë. Cmimet ishin tepër të arsyeshme, pasi gjithmonë gjeja mundësinë e transportit nga porte afër me Shqipërinë, si Itali, Kroaci, Bullgari, apo Rumani. Kishte raste që me vende të tjera shoqëria jonë fitonte një tender prej 50.000 tonë grurë, elb, apo misër, si dhe sasira të konsiderueshme vaji apo rpodukte të tjera që shkonin në tërë anët e botës, që nga Algjeria, Egjipti, Kina, Qipro, Malta, Maqedonia, ish-Jugosllavia e kudo në botë. Se shpinim në Shqipëri çdo muaj 5000 ton grurë, apo 2000 ton sheqer, apo 1000 ton vaj,  nuk ishte ndonjë gjë e madhe dhe me vlerë të kosniderueshme për multinancionalen, por unë ndjeja kënaqësi sepse shpija diçka për bashkëkombasit e mij. Mbi të gjitha kisha edhe mundësi të udhëtoja shpesh në Shqipëri, ku përfitoja vetëm biletën e udhëtimit, pasi për t’u strehuar dhe ngrënë nuk kisha nevojë se kudo isha i mirëpritur unë dhe kolegët e mij të huaj që vinin me mua.
Udhëtimi i dhjetorit më bëri që të jem më i matur me konkaktet me ndonjë kompani shqiptare që nuk tregonte seriozitet. Më vonë doli se ata që vendosnin tek ajo kompani as nuk kishin haber fare nga biznesi dhe tregtia reciproke, sidomos me shoqëritë multinacionale amerikane.

Miku turk dhe Ataturku
 
Takohem nganjëherë me atë mikun turk dhe bisedojmë bashkë lirshëm. Njëherë i thashë: « Pse i thonë kafe turke, kur ju pini më shumë çajin? ». M’u përgjigj: « Ataturku sapo erdhi në fuqi e pa se bëheshin shumë harxhime për kafenë. Vendosi të provohej më mirë çaji, se kushtonte shumë më lirë për shtetin. Kështu që atëhere ka mbetur. Megjithëse grekët vetë i thonë: kafe greke. Si edhe italianët që nuk e pëlqejnë « ristreton » gjetiu përveç se në Itali...

Ruaj dy palë syzesh. Ato të eklipsit të kaluar, megjithë prisnim të shihnim diçka më tepër. Një palë i mora tek « Koopi » dhe një palë m’i dha një mik. Të parat i ruaj për të parë eklipsin në Madagaskar, ku mund të takoj dhe mikun tim sindikalist, shumë simpatik e të urtë që ka qënë në Shqipëri, dhe të dytat për eklispsin tjetër, pasi mjekët thonë se do të ketë jetëgjatësi tani pas vitit 2000. Vetëm dua të rroj edhe disa vjet, me duar e këmbë, nuk dua më tepër, sa të nxjerr në dritë vajzën time...

Gjergji dhe Zvicra

Gjergji erdhi për disa ditë në Zvicër. E pritëm mirë, pasi e kam të afërm dhe u përpoqa me mundësitë që kam ta shëtis. Vajtëm edhe në Fernei-Volter pasi si historian që është donte të shihte muzeun e Volterit. Fatkeqësisht muzeu ishte i mbyllur për punime por të paktën ai bëri fotografi para hyrjes. Një ditë ikëm nga Gjeneva në drejtim të Bernës. Rrugës ndaluam në Nion. Po ecnim në atë shëtitoren e bukur, buzë liqenit. Për një çast, kur po kalonte Gjergji aty, një qen ndali, sikur i liroi rrugën atij. Gjergji, duke qeshur tha: « E çuditshme, këtu të respekton edhe qeni ». Darkën vonë, pasi dolëm nga restauranti në Bernë, kaluam pranë dyqaneve karakteristike që janë të mbuluar me hark, si tek dyqanet tona tek « Shallvaret » në Tiranë. Pashë se po kalonte shpejt në rrugë një njeri i thinjur me një celular tek veshi. I thashë Gjergjit: «  A e sheh atë burrë vetë? Është i pari i Zvicrës, kryetari i Parlamentit! ».  « Si është e mundur », tha Gjergji. « Në këtë orë të vonë dhe ai s’ka asnjë bodigard me vete ». I spjegova Gjergjit se shpesh shohim ministrat zviceranë që hypin në autobuza si njerëzit e tjerë të thjeshtë dhe shkojnë në punë po me autobuz. Makinën zyrtare e përdorin vetëm kur kanë takime të rëndësishme apo edhe kur duhet të bëjnë kilometra të tëra. Ata janë njerëz të respektuar nga populli se ai i ka zgjedhur dhe ata e ndjejnë se e kanë detyrë t’i shërbejnë atij populli. I theksova se një ministër milioner kur mori atë post hoqi dorë krejtësisht nga ndërmarrja familjare megjithëse kishte vite që kishte punuar e derdhur djersë për të. I thashë Gjergjit se edhe njerëzit e thjeshtë mund të komunikojnë lirisht me ministrat e tyre qofshin këta në Bernë apo kantone. Këta si dhe parlamentarët japin edhe telefonat e tyre apo edhe e-.mailet ku njerëzit kudo mund të shprehin një shqetësim apo një problem që i duhet dhënë zgjidhje. Presidentin, apo ministrat e Zvicrës mund t’i takosh një ditë edhe në rrugë, apo në rast feste rajonale apo edhe në kinema, teatër e gjetiu. Presidenti zviceran zgjidhet vetëm për një vit, si dhe 7 ministrat federalë mund të qëndrojnë disa vjet në pushtet, por pastaj kur mbarojnë detyrën e tyre, ja lënë vendin me dinjitet pasardhësve të tyre. Asnjëherë ata nuk e mendojnë se e kanë me tapi të mbajnë postin e një ministri, apo parlamentari, por gjithmonë nisen nga dëshira e mirë për të bërë diçka për popullin e tyre dhe pastaj ja lënë vendin një më të riu, apo edhe më të përparuar me teknologjinë apo të rejat e shkencës, ekonomisë. Edhe historia botërore dhe ajo moderne e njeh një praktikë të tillë. Bushi plak ja la vendin Klintonit. Edhe ky pas 8 vite qeverisjeje, ja la drejtimin e Amerikës Bushit junior. Një ditë edhe ky do t’ja lërë vendin një pasardhësi demokrat apo republikan, si të vendosë populli amerikan. Në Britaninë e Madhe kanë qënë kryeministra figura të shquara si Hithi, Theçer, Mejxhër etj., që ja lanë vendin Blerit. Dhe një ditë të afërme ky do t’ja lerë vendin një « lejbëri » apo « konservatori ». Mund të vazhdojmë me shembujt e shumtë edhe në BS apo në vendet e tjera të Evropës Lindore apo Jugore, ku ish-kryeministrat apo presidentët të çdo krahu qofshin të djathtë apo të majtë, ja kanë lënë vendin pasardhësve të tyre, por ata deri sa vdesin janë figura honorifike që respektohen nga të gjithë, pasi në një çast të caktuar të jetës së tyre i kanë sherbyer mirë, shumë mirë, apo edhe jo aq mirë, me sa kanë mundur, popullit, bashkëkombasve të tyre, kudo që ndodhen në botë. E njëjta gjë edhe me parlamentarët që nuk i mbajnë postet e tyre përjetësisht.

Agroni vjen herë pas here në mbledhje këtu në Gjenevë sidomos për të ndjekur punimet e Organizatës Botërore të Tregtisë. E kam patur dhe e kam shok të mirë. Bashkë kemi bërë edhe praktikën pedagogjike në Korçë, në vitin 1969 kur jepnim frëngjisht në gjimnaz. Flinim në katin e katërt të konviktit të pedagogjikes. Ishim si veçantë nga konvikti, pasi kati i vajzave ishte i mbyllur me derë me dryn. Ne kishim vëmë një radio dore sipër tek dritat për të dëgjuar më mirë. Vaska, që ishte jurist dhe bënte praktikën edhe ai në Korçë na tregonte 30-40 barcoleta çdo natë, deri nga ora 2-3 e mëngjezit. Pastaj binte të flinte se duhej të ngrihej herët në mëngjez për në rrethinat e Korçës. Ne ishim më të lirë me Gonen, sepse kishim vetëm disa orë në ditë frëngjisht në gjimnaz, një punë e bukur dhe e frytshme, duke patur parasysh se Korça ishte djepi i frëngjishtes prej viteve 30-të dhe nxënësit e mësonin mirë gjuhën… Hanim kërnacka dhe çdo mëngjez paçe tek turizmi. Tek konvikti e pashë për herë të parë Rozën, me bukle të bukura, tek mësonte. Një vajzë tjetër, që i vinte pas Gones, por ai as donte t’ja dinte, më thoshte kur e pyesja: « Roza është vajzë e bukur, por vetëm di mësimet dhe asgjë më tepër ». Me të vërtetë, e shihje vetëm me libra në dorë. Pas disa vitesh e solli rasti të shiheshim përsëri në Tiranë, si dhe sidomos në kampin e rinisë në Durrës, kur unë isha me prindërit dhe ajo me shoqet. E lija të fitonte në lojën e letrave, saqë njëherë më tha: « Nuk dua të më lesh të fitoj kështu »… Kështu filloi dashuria jonë dhe një mbrëmje vajtëm në kinemanë verore të plazhit dhe unë për herë të parë i preka dorën dhe ja shtrëngova. Edhe ajo m’a mbajti të shtrënguar…
 Kur vajta për herë të parë tek shtëpia e nuses sime të ardhshme, më pyetën: « A e pi rakinë ». U përgjigja « Jo ». Më zgjatën cigare, nuk e mora. Pashë një buzëqeshje tek vjehra ime, Marika dhe tek gjyshi mbi 80 vjeçar i nuses sime. Shikimi i tyre tregonte se isha dhëndër i mirë. Kur erdhi radha tek ëmbëlsirat, për një çast Roza ashtu papritur e skuqur në fytyrë tha: » Ai nuk i ha ëmbëlsirat ». Kur më përcolli i thashë: « C’pate që ma hoqe riskun e ëmbëlsirës? ».  « Nuk e di si më erdhi », tha ajo, gjithmonë me ato mollëzat e faqes skuqur flakë. Herën tjetër kur shkova në shtëpinë e saj u thashë: « Vërtetë nuk e pi rakinë, vetëm rrallë me shoqëri, as duhanin, por ëmbëlsirat i dua shumë. Kështu, kunata ime më ruante dy copa gjithmonë, gjë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, pasi në çdo mjedis të afërmish e shokësh më ka dalë nami se i ha shumë ëmbëlsirat. Në këtë drejtim më ka ngjarë edhe im bir…

Në Sunio për Pashkët

Jemi në Sunio të Greqisë midis miqsh të ardhur edhe nga Shqipëria dhe nga vise të tjera të Greqisë. Kemi ardhur nga Italia dhe aty në fshatin turistik na presin Luli me Letin. Janë dhe prindërit dhe motra e bukur dhe e urtë e Odhisesë dhe kalojmë pashkët në restaurantin e bukur, ku piqet qingji në hell. Përballë është Tempulli i Poseidonit, me detin që rrezaton nga dielli i fortë. Qëndroj pranë krushkut Aristidh, i cili më ndihmon të fitoj të gjitha vezët e Pashkës. Ishim dhe në kishën aty afër ku të gjithë të pranishmit kishin ndezur nga një qiri. Pas ritit fetar, të gjithë I dhanë dorën njeri tjetrit, duke uruar paqen, dashurinë dhe miqësinë midis njeri tjetrit. Kur hyn në atë botë hyjnore njeriu mendon se sa e vlefshme është që në këtë botë moderne të përsëriten ato zakone të bukura të popujve që nga lashtësia. Mjaft më me luftra të kota, me zënka që bëjnë njerëzit armiq, mjaft më me meskinitete. Të gjithë duhet të mendojnë se jeta duhet jetuar në harmoni, vëllazëri e paqe.
 Ilia me Evën na ftojnë në një restaurant ku provojmë të gjitha llojet e peshqve dhe prodhimeve të detit të Greqisë. Pastaj ata na çuan në shtëpinë e tyre, diku afër detit ku kaluam caste të këndshme deri në orët e vona të natës. Ilia është farmacist por mbi të gjitha një njeri që e njeh historinë e vendit të vet, si edhe ka mësuar shumë nga historia e Shqipërisë.

Sot profesor Zhan-Filip Assal më dhuroi librin e tij të fundit me një dedikim. Ndër të tjera ai më shkruan: “I dashur Alfred! Jeta nuk është si në këtë libër “një vitrinë gëzimesh”…Por ajo që mund të bëjmë sëbashku, është që ta kthejmë hidhërimin e realitetit më të butë. Me mirënjohje të thellë për të gjitha episodet e bukura të kaluara sëbashku”. Fjalët e profesorit të shquar më japin zemër. Shpesh fjalët e tij më kujtohen në çaste të vështira, sidomos kur edhe atij i është dashur të përballojë vështirësi dhe të realizojë me këmbënguljen e tij seminaret e Grimenzit apo të përçojë mendimet e tij tek breza të tërë mjekësh si dhe në përgjithësi të personelit mjekësor. Një fjalë e urtë më kujtohet në këto çaste : « Miqësia nuk mund të blihet. Ajo vlen më shumë se pak ar. Vlera e saj sa vjen e rritet kur miqtë tanë bëhen më të moshuar ».

Historia e Europës dhe e shqiptarëve

Historia e Europës e lidhur me atë të vendit tim, Shqipërisë, më tërheq së tepërmi. Kam edhe unë argumenta për t’i bindur bashkëbiseduesit për praninë e Shqipërisë edhe « De jure » në Europë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë « orthodokse », duke u ndarë nga Roma, dhe megjithëse Reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin evropian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë evropianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime : mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoevropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Evropën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo ndihmë që ju dha italianëve gjatë « kapitullimit » të Italisë që u strehuan tek vatrat e shqiptarëve të thjeshtë. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, edhe vendet e Ballkanit, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Europë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë.

Kujtimet e Amerikës

Kam fatin e madh të kthehem përsëri pas shumë vitesh në Nju Jorkun e bukur dhe madhështor, tek Broduei, tek Kombet e Bashkuara dhe rrugët e drejta të këtij qyteti shumëngjyrësh dhe me reklama të panumërta. Araniti dhe Sonila na japin kënaqësinë e veçantë të bëjmë një udhëtim të paharruar me anije rrotull Nju Jorkut, pranë Statujës së Lirisë dhe Nju Xhersit. Jam tepër i lumtur që mbesa ime është vendosur atje dhe ka një bashkëshort të respektuar që nuk e ndan për asnjë çast „dajën e gruas“. Mario vogëlushi e dëgjon dajën dhe shpesh e përqafon duke i folur rrjedhshëm në dy gjuhët: shqipe dhe anglisht. Largohem nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi me kujtimin më të mirë për t’u kthyer përsëri. Aty lashë edhe motrën time Milka të cilën nuk e kisha pare prej disa vitesh. Shpesh here ajo më dërgon letra me këshilla për familjen dhe është mirënjohëse ndaj meje. Me Aranitin patëm dhe një takim tepër të frytshëm me Radhika Sawn, drejtoreshë e pacientëve tek „Cooley’s Anemia Foundation“. Daniela na ndihmoi në komunikimin paraprak me të.
Një botë tjetër na pret në Florida ku takojmë miq e të afërm të shumtë. Më bëhet qefi që çdo shqiptar është bërë me shtëpi, si dhe i ka krijuar vetes dhe familjes kushte të mira jetese. Natyrisht gjithçka e kanë siguruar me djersë dhe punë të madhe. Krushku Neim me të shoqen na çojnë në Tampa ku është një Universitet me emër. Kalojmë edhe në urën më të gjatë në botë, ndërtuar nga duart e arta të amerikanëve, mbi oqean. Aty kanë dhënë ndihmesën e tyre edhe shqiptarë që punojnë në ndërtimin e grataçielave në Florida. Thani, Luani, Budjoni, Vasili, Flora dhe fëmijët e tyre na presim “si ujët e pakët” dhe na shëtisim në vendet e bukura të bregut të pafund të Oqeanit Atlantik. Ato ditë me Andin kam përfituar nga dielli i fortë i Floridës, dhe kam bërë not sin ë rinië time kur kaloja dy muaj në plazhin e Durrësit. Largohemi me kujtimet më të mira nga ky vend prallor, me mendimin se do të kthehemi shpejt.

Arkitekti nga Zara dhe Shqipëria

Jam i ftuar nga Klubi Ambasador në Annecy të Francës. Shkoj atje me Zhoelën dhe Frankon. Franko arkitekti me origjinë shqiptare flet për Ballkanin dhe historinë e saj po aq bukur sa di të jape mendimin e tij në ndërtimin e lagjeve të bukura në Francë, apo rikonstruksionin e kështjellave në Angli, apo ndërtimin e pallateve të sheikëve në Arabinë Saudite. Franko përmend se banorët e parë në Ballkan janë ilirët, pastaj vijnë Thrakët e popujt e tjerë. Ai thekson se romakëve ju desh të luftonin më tepër se 200 vjet për të thyer Ilirët, megjithëse këta të fundit në ato kohë nuk kishin struktura kombëtare por vetëm tribale. Ai flet për karakterin e shqiptarëve si njerëz të ndershëm dhe punëtorë, për “Arbanasit” që janë vendosur në brigjet e Dalmacisë, pasi u larguan nga Shqipëria sepse ishin në konflikt me pushtuesit otomanë. Ai thekson se edhe mbiemri i familjes së tij Marussich ishte sllavizuar pa dëshirën e paraardhësve të tij por ishte i imponuar. Ai kujton se paraardhësit e tij e kishin mbiemrin Duka dhe Maruku… Pastaj Franko më jep fjalën mua. Nuk e di sa vështirë e kisha të flisja pas Franko eruditit, përballë një auditori me juristë, mjekë, artistë të dëgjuar. Fola për historinë plot gjallëri të Ballkanit. Për ata shqiptarë që në vitet 90-të u larguan nga  Shqipëria për të parë një jetë më të mirë. Anijet plot me njerëz të cilët u shpërndanë në Europe apo Amerikë, u përdorën shumë nga shtypi i atyre viteve. Një fenomen i tillë ishte parë edhe në shekullin e XIX me emigracionin e dhjetëra mijëra europianëve në Amerikë, tokën e premtuar. Shumë grekë, sidomos intelektualë, por gjithashtu muratorë, fshatarë janë kudo në botë. Në rast se shkoni në Florida, ju mund të shihni ata që ndërtojnë „billdingjet“ janë grekë; ka shumë restorante greke me „buzuqi“. I njëjti fenomen ndodhi me talianët në vitet e parat ë shekullit të XX-të. Si edhe francezët që janë kudo në botë; me zviceranët që janë mbi 600 mijë, jashtë kufijve të Konfederatës Helvetike. Asnjeri në shtyp nuk ka shkruar apo nuk shkruan artikuj të çuditshëm lidhur me lëvizjen e këtyre popullsive. Në të kundërtën, autoritetet e këtyre vendeve, ambasadorët e akredituar atje, si edhe shtypi, nxjerrin në pah cilësitë e këtyre „përfaqësuesve të denjë“ të Francës, të Greqisë, të Zvicrës, të Spanjës…Dhe kjo me të drejtë. Pandaj edhe pse flitet e shkruhet për diasporën shqiptare, përsëri duhet folur më tepër për ata shqiptarë që punojnë me ndershmëri dhe ndërtojnë rrugët apo pallatet e Europës, apo të botës, apo punojnë si mjekë, inxhinjerë, mësues, piktorë, janë shkrimtarë, gazetarë, ekonomistë dhe japin ndihmesën e tyre modeste për zhvillimin e këtyre vendeve. Këta shqiptarë kanë të drejtë të trajtohen me respekt e jo me përçmim, siç bën herë pas here shtypi i bulevadit; ata kanë të drejtë të shkojnë lirisht në Europë dhe në botë, njësoj si italianët, grekët, spanjollët, bullgarët, çekët, rumunët, hungarezët e popujt e tjerë dhe të kthehen lirisht kur të duan në tokën e tyre amtare. Mjaft më me korniza e ndarje kufijsh p¨r popujt e Ballkanit! Edhe ata meritojnë të shohin diçka më tepër, për vete dhe fëmijët e tyre. Shqipëria dhe Ballkani të mos bëhen pré e keqdashësve që hedhin vetëm anatema ndaj popujve të tyre mikpritës, bujarë, punëtorë, që kanë të drejtën  të lëvizin në Europën që u përket jo vetëm gjeografikisht or edhe ligjërisht. Mjaft më me përçarje, grindje, luftëra, përleshje etnike që u shkojnë për hosh atyre që nuk e duan të mirën e ballkanasve, që nënjë kohë të shkuar ua kanë patur me të pabesë shqiptarëve. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kanë miq të mirë në Francë, Zvicër, Angli, Austri, Gjermani, Itali e kudo në botë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora