E merkure, 13.11.2024, 07:47 PM (GMT)

Speciale

Hajdin Morina: Kënga shqipe- shprehje dhe pjesë e luftës për liri, identitet e bashkim kombëtar

E enjte, 16.04.2009, 07:48 PM


KËNGA SHQIPE-SHPREHJE DHE PJESË E LUFTËS PËR LIRI, IDENTITET E BASHKIM KOMBËTAR

(Në vigjilje të Festivalit folklorik tradicional “I këndojmë lirisë” që fillon më 6-8 qershor 2009, sivjet për herë të nëntë, në qytetin e Klinës. Festivali është gjithëkombëtar, mbahet nën patronatin e Kuvendit komunal, lartëson veprën monumentale të Komandantit të UÇK-së, Dëshmorit të Kombit Shqiptar Mujë Krasniqi-Kapuçi, njërit ndër themeluesit e UÇK-së dhe bashkëluftëtar i të madhit Adem Jashari. Festivali nga viti në vit sjell prurje të reja dhe të rëndësishme, kultivon frymën kombëtare të këngës shqipe, e cila në Festival vjen nga pothuajse të gjitha trevat tona etnomuzikore.)

Nga Hajdin Morina

Kënga është shpirti i kombit, është thënë e është përsëritur shumëherë kjo thënie në teoritë e mendimit letrar e krijues në përgjithësi.Me këngën kanë bashkëjetuar në fillim pothuajse të gjitha artet, por me këngën kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë të gjitha veprimtaritë kryesore të një populli, të gjitha përpjekjet për liri e për zhvillim shoqëror.Edhe kënga shqiptare pati  një mision të tillë, por më të veçantë se te shumë popujve të tjerë në botë, sepse kënga shqipe pati rrugëtim shumë të vështirë, jo për t’u përsosur në pikëpamje estetike, sepse forca krijuese e gjeniut tonë popullor është e pakontestueshme dhe e pakrahasueshme, por vështirësi pati nga faktorët jashtëkulturorë, nga pushtimet e njëpasnjëshme mbi popullin tonë, nga ndjekjet, dënimet dhe ndalesat e paimagjinueshme që ia bënë këngës shqipe shërbimet zyrtare dhe jozyrtare të sistemeve antishqiptare.Kështu, instrumenti muzikor i lahutës u ndalua me ligj gjatë sundimit të Turqisë, të gjitha llojet e këngës shqipe të trimërisë ishin në forma të ndryshme të ndaluara gjatë sundimit serb, përpos atyre që përbënin një konglomerat me elemente të “vëllazërim-bashkimit” e të “patriotizmit jugosllav”.Ndalohej kënga jonë në dasmat tona,  arrestohej dhe gjykata i shqiptonte dënimin këngëtarit për të vetmin “faj” që kishte kënduar shqip në dasmën shqiptare, ndërpreheshin programet artistike të shkollave, sepse aty frymonte dhe mobilizonte fuqia e këngës shqipe.Pas demonstratave të studentëve të Pranverës së vitit 1981, Beogradi, nëpërmjet mekanizmave të vet në Kosovë, filloi herrjen e përmbajtjeve kombëtare nga planprogramet mësimore, dhe gjatë kësaj vale të dhunës kulturore, përpos gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë dhe kulturës figurative, pësoi edhe lënda e Edukatës muzikore, pra pësoi edhe kënga shqipe. Qëndrimet e tilla të pushtuesve ndaj këngës shqipe tregojnë edhe të vërtetën se ata e njihnin mirë rëndësinë që kishte për shqiptarin kënga, edukimin dhe mobilizimin që mund të bënte ajo në përpjekjet e vazhdueshme dhe në luftën për liri e bashkim kombëtar.Shkrimtari ynë emërmadh, Ismail Kadare, në poemën e tij të njohur “Përse po mendohen këto male”, kur përshkruan dashurinë proverbiale të shqiptarit për pushkën, diku në vargjet e kësaj poeme thotë se pushka për shqiptarin është vazhdim i shtyllës së tij vertebrale, pra pushka është pjesë e pandashme e trupit të tij, dhe me këtë pushkë ai është parë kudo, në mal e në arë, sepse mungonte liria, pra mungonin të gjitha, sepse ka diçka mbi gjithçka-thotë poeti i mirënjohur Agim Vinca kur shkruan për mungesën e lirisë dhe për përmasat e saj pothuajse të papushtueshme, për gjakimin e pandërprerë të njeriut tonë drejt saj, drejt të mbërritshmes.Për këngën shqipe mund të thuhet se është vazhdim i armës për liri, është vazhdim i pushkës së shqiptarit, sepse shpeshherë aty ku e linte njëra e vazhdonte tjetra.Kultivimi i ndjenjës kombëtare nëpërmjet këngës shqipe, sidomos tek te rinjtë, ka qenë një nga format e efektshme dhe të përshtatshme të përpjekjeve dhe luftës për emancipim kombëtar të shqiptarëve, kundër përpjekjeve dhe luftës për asimilim që organizonin pushtuesit nëpërmjet elaborateve të akademive të tyre të shkencave dhe formave të tjera kolonizuese e shfarosëse kundër kombit shqiptar.Kur flitet për karakterin kombëtar dhe frymën mobilizuese të këngës shqipe, duhet përmendur, nderuar dhe çmuar shumë gjeniu ynë popullor, rapsodi, këngëtari me emër e pa emër, i cili ndër thellësi të shekujve, në terrin e pushtimit qindravjeçar mundi të ndriçojë mendjet dhe zemrat e bashkëkohësve, dhe jo vetëm të tyre, duke krijuar perla të folklorit dhe të artit tonë të vjetër.Tek gjeniu ynë popullor, si në bibliotekat e kohëve të lashta, ruheshin me kujdes e me fanatizëm të veçantë këngët tona, dhe jo vetëm ato, sepse kënga shqipe, sikurse krejt letërsia jonë, për shkak të rrethanave historike, pati fatin të shkruhej shumë vonë dhe vonë arriti në formën e saj të shkruar- me variante, versione e forma të tjera të cunguara- të nxinte vend në bibliotekat e kohëve moderne.
Kënga shqipe, ashtu si një pjesë e madhe e letërsisë, është këngë e rezistencës, e mosnënshtrimit dhe e ngadhënjimit moral e fizik mbi pushtuesit e njëpasnjëshëm. Kënga shqipe është shprehje e forces së pashtershme krijuese dhe e përpjekjeve e luftërave shekullore për të jetuar në hapësirat iliro-arbërore të ngushtuara e të copëtura shpeshherë nga dyndjet dhe pushtimet e huaja, sidomos ato turke e sllave, por edhe nga vendimet e padrejta që nxorën fuqitë botërore e evropiane në kurriz të popullit tonë dhe të tokave shqiptare, nëpër kongreset  dhe konferencat ndërkombëtare.Ende duke u përballur me shkatërrimet, humbjet njerëzore, plagët, izolimin dhe prapambetjen e madhe ekonomike që mbolli sundimit mesjetar i Turqisë, popullin shqiptar e goditi një tjetër tragjedi: Konferenca e ambassadorëve në Londër më 1913 vendos padrejtësisht që Shqipëria të rrudhet sërish, të zvogëlohet edhe më shumë për të realizuar aspiratat dhe programet sllavo-greke kundër tërësisë tokësore të shqiptarëve.Konferenca e Londrës krijoi Shqipërinë londineze me 28 mijë kilometra katrorë, duke shkëputur nga trungu i saj më shumë se 29 mijë kilometra katrorë.Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare thotë se nga ajo konferencë Shqipëria doli pas një operacioni të gjatë e të vështirë dhe nga ai operacion edhe sot ndiejnë dhimbje gjymtyrët e saj.
Në historinë tonë ka shumë luftëra e përpjekje mbinjerëzore që t’i shpëtohej asimilimit dhe formave të tjera të shpërbërjes së identitetit shqiptar, prandaj edhe në folklorin tonë ka aq shumë këngë të trimërisë, të cilat janë jo vetëm shprehje e kësaj lufte, por janë edhe mjet dhe pjesë e pandashme e luftës dhe formave të tjera për vetëdijësim kombëtar.Mund të thuhet e të shkruhet lirisht se kënga shqipe ishte kudo ku ishte shqiptari kryengritës, krijohej e këndohej në momentet vendimtare të jetës: në luftë, në lindje e në vdekje.Se kënga shqipe është shprehje dhe pjesë e luftës shekullore për liri, tregon edhe fakti se çdo lloj i këngëve të luftës dhe të trimërisë emërtohet me emrin e periudhës historike, siç janë Këngët kundër pushtimit turk, Këngët kundër pushtimit serb, Këngët e Lidhjes së Prizrenit, Këngët e periudhës së Pavarësisë, Këngët e Luftës Nacionalçlirimtare dhe lloje të tjera të këngëve të luftës, ku hyjnë edhe këngët e luftës së UÇK-së ose këngët për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilat këngëtari popullor, sikur edhe herave të tjera, me fuqinë e tij krijuese e bëri art të pavdekshëm heroizmin e komandantëve dhe të ushtarëve të UÇK-së, të cilët, para një armiku tmerrësisht të egër dhe të pajisur me makineri moderne ushtarake, shprehën forcën dhe vitalitetin shekullor të popullit tonë në luftë për liri.
Këngët për luftën tonë nëpër shekuj dallohen për figuracionin e rrallë artistik, për ritmin plot gjallëri dhe për mesazhin e caktuar estetik që përhapin ndër lexuesit dhe dëgjuesit.Kënga i jep vlerësimin dhe çmimin meritor dëshmorit, heroit dhe mbarë popullit që nuk u përkul nëpër shekuj.Ja si shprehet poeti Xhevahir Spahiu në poezinë-këngë të tij: Gjaku pikoi e hodhi rrënjë në gurë/ Gjakun prej shpatës e fshimë me shajak/ kur s’patëm armë ne prej trupit shkulëm/ Njërën nga brinjët dhe e bëmë shpatë. Në këto vargje përshkruhet figurativisht ideali i shqiptarit që lufta të mos përfundojë pa marrë parasysh epërsinë ushtarake të armikut.Se kënga vërtet ishte si armë në duart e luftëtarëve të lirisë, dëshmojnë këto vargje të poetit Hamit Aliaj: Vargjet e pashkruara i ruajti lahuta/ Kohët u bënë plumba/ Këngët u bënë plumba. I njëjti autor, ndër të tjera, shprehet kështu kur përshkruan bredhjet e tij jetësore e artistike për ta gjetur varrin e heroit Azem Bejta: Kërkova në bjeshkë varrin e tij/ E duke kërkuar nata më ka zënë/ Nuk ka varr thanë malet/ Kërkoje në këngë.Ky autor, përpos lahutës përmend edhe sharkinë dhe çiftelinë, instrumente këto që kanë përjetësuar sa e sa dëshmorë e heronj të kombit.Ndër të tjera, lexojmë edhe këto vargje në vjershën kushtuar Shotë Galicës: Dada Shotë në vargje të këngës/ Në sharki në rrahje të zemrës.Rëndësinë e çiftelisë për madhërimin e veprës sublime të dëshmorëve e gjejmë të shprehur në vargje si këto, në një vjershë të poetit Hamit Aliaj kushtuar Shpellës së Dragobisë: Fryjnë erërat në këtë shpellë Dragobie/ Si në një zgavër gjigante çiftelie.
Edhe këngët më të reja që krijoi e këndon populli për luftën dhe veprën e lavdishme të komandantëve dhe të ushtarëve të UÇK-së nuk e shkëputin lidhjen me traditën e folklorit tonë as në pikëpamje të formave artisrike, as në pikëpamje të strukturës artistike, laryshmërisë së figuracionit, ritmit dhe nënteksteve që bartin mesazhe kuptimesh shumështresore.Këngët për UÇK-në janë krijuar dhe janë kënduar edhe gjatë luftës, pas betejave të rëndësishme të luftëtarëve të lirisë, por shumica e këtyre këngëve u krijuan pas mbarimit të luftës dhe, vërtet, përbëjnë një thesar të çmueshëm në fondin mbarëkombëtar të folklorit tonë.Duhet përmendur faktin se një pjesë e madhe e krijuesve të këtyre këngëve ishin ushtarë të UÇK-së, prandaj kjo ndikoi që realiteti i luftës të transponohet denjësisht në përmbajtjet e këtyre krijimeve për luftën.Në këtë fakt që u përmend, mendoj, e ka burimin edhe gjithë ajo thënie monumentale artistike, gjithë ai figuracion, ai lirizëm i pashoq, ai stil, ajo fjalë e lartë shqipe që është pjesë e strukturës së shumicës së këngëve tona popullore për luftën e UÇK-së.Këto këngë që lidhen në mënyrë të natyrshme me këngët e periudhave të tjera të folklorit shqiptar, shënojnë prurje të reja dhe të suksesshme në krijimtarinë tonë popullore dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi, duke përfshirë leksikun, figuracionin, ritmin dhe strukturën e këngës sonë popullore.
Këngëtari popullor, autori i këtyre këngëve në të shumtën e herave është personalitet i njohur në fushën e kulturës, prandaj origjinaliteti që shprehet në këto këngë është shprehje e përvojës, traditës, por edhe e karrierës muzikore dhe artistike në përgjihësi.Personazhet kryesore të këtyre këngëve janë figurat lapidare, monumentale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Adem Jashari, Mujë Krasniqi, Zahir Pajaziti, Tahir Sinani, Luan Haradinaj, Ismet Jashari-Kumanova, e sa e sa të tjerë, të cilëve është e pamundur t’u përmendet emri, sepse ata janë shumë dhe të gjithë meritojnë respektin dhe nderimin tonë më të sinqertë dhe të amshueshëm.Pavdekshmërinë e këtyre dëshmorëve të kombit e jep me forcë të veçantë artistike pothuajse çdo varg i këtyre këngëve.Me stil të përsosur artistikisht këngëtari dhe krijuesi ynë i thur himn Komandantit legjendar Adem Jashari kur ,ndër të tjera, thekson: Jo, nuk vdes Adem legjendari, ose: Uji i bjeshkës i rrjedh përposhtë e ai lartësohet si flamur.Nuk e di a mundet ndonjë figurë tjetër ta përjetësojë kështu në këngë komandantin legjendar, sa figura e përjetshme e ujit dhe e flamurit tonë kombëtar.Uji rrjedh përgjithmonë, Flamuri lartësohet po ashtu përgjithmonë drejt mbulimit të hapësirave të paskajshme të lirisë dhe ardhmërisë sonë, dhe gjatë gjithë kësaj kohe neve na mbetet i pavdekshëm  kujtimi  për legjendarin e UÇK-së Adem Jashari.Me mjete të përafërta artistike përshkruhet edhe figura e Komandantit Mujë Krasniqi, të cilin rapsodi e paraqet vazhdimisht në lëvizje, ai është komandanti që u bë Flamur, ai i pari i prin kolonës, kah shkel ai shkrihet bora, ai vrapin drejt lirisë nuk e ndal, vjen me borë e vjen me shi, nga Shqipëria në Shqipëri.Me mjeshtëri dhe aftësi të rrallë të krijimit është përjetësuar ndër vargjet e këngës edhe figura e Tahir Sinanit, i cili me dashurinë dhe me flijimin që bëri për trojet shqiptare arriti ta shtrijë kujtimin dhe respektin për të jashtë trevës së Tropojës, sepse Tahir Tropoja u bë Tahir Kosova, Tahir Presheva, Tahir Tetova dhe Tahir Shqipëria.Vetëm përciptazi trajtova disa aspekte të këngëve për luftën e UÇK-së dhe dëshmorët e saj, sepse këto këngë vazhdojnë ende të krijohen, dhe trajtimi i tyre dhe vlerësimi për to, mendoj, bëhet më i drejtë dhe më i qëndrueshëm në mënyrë shkencore nga studiuesit e fushës së etnomuzikologjisë dhe ekspertët e tjerë kompetentë.
Kënga shqipe që në fillimin e saj u mbush me luftë, gjak e liri.Liria me përmasa jo të plota që herë pas here e shijuam, u mbush me këngë për luftën dhe për lirinë me përmasat e dëshirueshme, me formën e lirisë kombëtare, të ligjshme dhe të arritshme brenda hapësirës natyrore të shqiptarëve.
Po e përfundoj këtë trajtesë për këngën shqipe, luftën dhe lirinë, duke përmendur respektin dhe nderimin që e la të shkruar në librin e kujtimeve në Prekaz shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare kur e vizitoi Prekazin dhe Jasharajt legjendarë: “Ndodhem në familjen e Jasharëve, atje ku nisi një flakë e madhërishme, flaka e lirisë që e ndriçoi krejt Prekazin, e pas tij Drenicën, e pas saj mbarë Kosovën. Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën e botën Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë për të nuk zbehet kurrë.Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallëherë në jetën time. Marr prej kësaj shtëpie një kumt që ndonjëri kujton se e di, por që ka nevojë përherë të përsëritet.Ju falemnderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora