E enjte, 25.04.2024, 10:36 PM (GMT+1)

Speciale

Vitore Stefa Leka: Në dallgët e jetës (VI)

E marte, 07.04.2009, 06:48 PM


Vitore Stefa Leka
Vitore Stefa Leka
Në dallgët e jetës
/Kujtime/

Nga Vitore Stefa Leka

Zemërmadhja Zamira Koleci
(Baskëbollistja e madhe korçare)

Po më vinte mendja vërdallë. Kujt do t’i drejtohesha që të më huante aq lekë sa për biletat. Familjes së burrit as që bëhej fjalë që t'i kërkoja dhe as që t’i thosha për çfarë më duheshin. S'kisha asnjë rrugëzgjidhje.
Në kulmin e dëshpërimit vajta te ime motër, Tina (Parashqevia), që në këtë periudhë po kalonte pushimet në kampin e punëtorve në Plazhin e Durrësit. Me vete mora dhe Mikelinon.
Çdo gjë rrugës ngjante si e shkretuar dhe njerëzit e njohur që takoja s'bënin bisedë tjeter veç për ambasadat, si dhe për tragetin, që sa herë vinte në Durrës, vinin dhe lajmet që njerëzit po ikin për mos t'u kthyer më, por kërkonin “azil politik” në Itali...Këto biseda dëgjoja dhe në autobusin që po më çonte në Plazh.
Shkova në dhomen e sime motre. Ishte bashkë me një basketbolliste të mirënjohur korçare, Zamira Kolecin. Mikelinoja po rrinte jashtë me sytë nga deti. Kushedi çfarë mendonte...
Më hipi një e qarë me denesa. Të dyja, ime motër dhe Zamira, u hutuan dhe dëgjova time motër, që i spjegonte Zamires rastin e djalit. Zamka (kështu e thërrisnin Zamirën) erdhi menjëherë pranë meje dhe më tha:
-Pse këto lotë tani?! Djalin e ke për bukuri. Duhet të gëzohesh dhe jo të shqetesohesh.
Iu tregova të dyjave hallin që kisha, por që s’dija ç’të bëja tani, që pothuaj i kisha vënë në vijë të gjitha. Iu tregova dhe numërin dhe datën e afërt që do të tërhiqja vizën.
Ime motër ngeli gojëhapur dhe akoma nuk besonte që vërtet unë kisha arritur deri aty.. .Nuk ia thashë “aventurën time”, për të cilën akoma rrija me gjak të ngrirë, se mos po më zbulonin. Zamira, që unë e quajta dhe e quaj ëngjëllin shpëtimtar të gjendjes sime, më ndërpreu menjëherë:
-Do të të ndihmoj unë për të gjitha! Mos u shqetëso për këtë!
Mbeta pak e hutuar, se nuk e njihja fare. E si mund të ishte kaq e gatshme një e panjohur?!
Isha përplasur gjithë jetën me njerëz, nga të cilët kisha pësuar vetëm zhgënjime dhe ja!...Edhe ime motër s'ishte se kishte ndonjë shoqëri me të, veç takimeve nëpër kampionatet e basketbollit. Gjatë gjithë kohës dhe ime motër Tina, si dhe motra e madhe në Tiranë, tha të njëtën gjë:
- Po bën një aventurë, që ndoshta do ketë pasoja për të gjithë ne!
As që e zuri me gojë, se mund të më ndihmonte për hallin e madh që kisha. Nuk pati besim se mund të realizohej ajo që po thoshnja.
Mendova: “Sa shumë na ka vrarë dhe shkatërruar ky sistem i mallkuar i diktaturës! Ku është lidhja apo dashuria e motrës?!”
Ajo frika në palcë, ajo jetë ankthi, ku i ruheshe çdo gjëje, ja nga ajo ishim të pushtuar ne! Kjo Zamira më abiti. Po aq e habitur mbeti dhe ime motër...U vesh dhe ajo kur pa që Zamira u bë gati të më shoqëronte për në Durres dhe erdhëm në shtëpi tek unë…
Zamira u miqësua kaq shumë me Mikelinon dhe ia shihja sytë me lotë gjithë kohën, aq ishte prekur nga ato që i spjegova unë, për vuajtjet dhe peripecitë e tij.
Kur u ballafaqua dhe me atë që i kishte ndodhur djalit tjetër, qe e gjeti të shtrirë dhe akoma me gjurmët e shkopave të gomës në trup, filloi të shante me zë të lartë.
U nisëm për në Korçë që të nesërmen: Unë, Zamira dhe Isku. Nuk i besoja akoma asaj që po ndodhte. Dy ditë më parë as ma merrte menda, se do njihja ndonjëherë ndonjë Zamira Koleci dhe ja tani po i shkoja dhe në shtëpi. Ajo la dhe dy ditët e fundit të kampit për të m’u gjendur mua pranë në një hall, që nuk dihej si do t'i vinte filli: shëndetit të djalit.
Nuk gjej dot fjalë për ta falenderuar dhe thënë për veprën e saj njerëzore, që s'mjaftoj vetëm me aq lekë për biletat sa më dha, po edhe me veshje komplet të reja për Mikelinon, që dhe sot i kam të ruajtura si shenjë kujtimi të asaj kohe dhe të një sjelljeje të një mike, që nuk do ta harroj për gjithë jetën time. Ajo më dha dhe disa çentro dhe peshqeshe të tjera, duke më thënë, se ato duhej t’i kisha për mjekët apo për cilindro që do të ndihmonte “andej”.
Të gjitha këto i nxirrte nga "paja e saj" dhe mua më pikonte në shpirt dhe lotët më rridhnin vetë. Më dukej, se një dorë e panjohur po më ndihmonte në çdo hap që po bëja. Nuk mund të quheshin me rastësi, po vërtet një dorë e Zotit po më qëndronte pranë dhe po më bëhej udhërëfyese për t’i shpëtuar jetën djalit. Duke e falenderuar në mes lotëve, i thosha herëpashere Zamirës, pas çdo sjelljeje bujare qe bënte:
-Nuk di kur do t'i kthej gjithë këto që më dhe! Unë po shkoj drejt të panjohurës, ndoshta nuk do të kem mundësi t’i kthej kurrë, po bekimin e Zotit do ta kesh veç për këtë që po bën dhe që unë akoma nuk e besoj këtë që po me ndodh këto ditë...
Me mjaftojne vetem keto lek per biletat s'ke pse me jep gjera te tjera
Po Zamira më kundershtonte dhe më thoshte:
-Nuk po t'i jap të m’i kthesh. Ty ishallah të ndihmon Zoti, që të shpëtosh djalin, pa kur ti kesh ndonjëherë do m’i kthesh, prandaj s'ka pse të të vijë zor kështu…- dhe më përqafonte duke përgatitur një çantë me ato që po më jepte.
Kështu kaloi nata. Të nesërmen u nisa duke e lënë me Zamirën, që ditën që do niseshim do vinte të na përcillte.
Në datën 26 shtator në mëngjes u nisa për në Tiranë për të marrë vizat. Vajta të përshëndetesha me time motër të madhen, Eldën, e cila kur pa vizat e mara, vetëm atëhere pashë një reagim mallëngjimi te ajo. Përveç Alfredos, vëllait tim të dashur, që më qëmdroi pranë si në periudhën kur kisha djalin sëmurë, si dhe deri një ditë para se të nisesha për në Itali, tek të dy motrat dhe tek vëllai tjetër, Vangjushi, gjithë kohën pashë vetëm frikë për veten e tyre në vendimin që kisha marrë. Për këtë, me gjithë hallet që kisha mendoja, se çfarë shkatërrimi bëri te njeriu ai dreq sistemi diktatorial… I kishte bërë njerëzit të dytë edhe brenda vëllazërisë!...

Kur u nisa për në Tiranë, datën 26 shtator, po flija në këmbë, aq e lodhur dhe e stresuar nga ec e jaket ndihesha. Plus atë natë e gdhiva me Mikelinon, të cilit i kishte filluar përsëri temperatura… Kjo m’i preu krahët dhe as i jepja muhabet as Zamirës e as sime motre, që kishin ardhur per te na percjelle. Ishin te vetmet, qe e dinin qe po përgatitesha për të ikur në Itali.
Trageti nisej në datën 28 shtator, kështu që duhej të mbaroja patjetër punë atë ditë. E megjithë këtë lodhje rrugës në tren, ashtu si e përgjumur çfarë mendimesh s’po më vinin në kokë…
“Po sikur ta kenë pyetur tezen në Itali, që unë e vura “garante” dhe ajo mos të më ketë pranuar? Po sikur të më nxjerrin ndonjë kleçkë? Po sikur…”
Dhe këto “sikur-a” nuk m’u ndanë gjer tek dera e Gabrieles. Para syve më dilte fytyra e tim biri, frymarrja e tij e shpeshtë dhe temperatura.. Isha si e shkrehur dhe aq e lodhur...
Kur mora vizat nuk pata atë gëzim të brendshm që më dha dita kur mora numërin.
Si thashë dhe më sipër, vajta te shtëpia e motrës së madhe, Eldës. Ia thashë me indiferentizëm që nesër nisem.
- Erdha të ndahem me ju këtu... Nuk dua të më përcjellë njeri. Mamasë thuaja si të duash.
Ajo ia nisi të qarës dhe unë për herën e parë në jetë e pashë të mallëngjyer....
Ika drejt te axhensia e biletave. Nuk kishte shumë njerëz dhe mbarova punë shpejt.
U ula aty në bri te kafe "Flora ". Porosita një kafe dhe më vinte t’iu thosha të gjithve: “Unë nesër ik! Të gjithë po ikin!...”
Ja aty para meje, te e njëjta axhensi sapo preu biletat e aeroplanit dhe i madhi Kadare…
Rrugën deri në shtëpi e bëra duke e larë me lot dhe duke iu lutur Zotit të m’i jepte fuqi djalit dhe ta gjeja duke më pritur te porta, siç bënte ditët e tjera. Djalit i vazhdonte temperatura…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora