Speciale
Nënë Tereza; Takimi i rralle me Mbretëreshën Geraldinë
E diele, 03.05.2009, 03:05 PM
Nga Beqir Sina
"Lum ata që flasin gjuhën e zemrës. Në çfarëdo vendi ose gjendje që të jenë, rrugët e besimit të vërtetë, e çojnë gjithë jetën kah i njëjti drejtim - nga Perendia"-kanë qenë këto fjalitë e bekimit të Nënë Terezës, për mbretëreshën shqiptare, Gerarldinën, kur është larguar nga takimi me të. Është një nga episodet e rralla që mbërrin në publik pas 30 vjetësh, kohë kur Nënë Tereza ftohet në familjen mbretërore, kur ishin të vendosur në Nju Jork. Kjo dëshmi është zbuluar pak ditë më parë nga një veteran i Mbretërisë Shqiptare në mërgim, duke i dorëzuar gazetës “Bota sot” një artikull të shkruar tri dekada më parë nga znj. Lume Musa Juka, në gazetën “Atdheu”, e cila ka qenë dëshmitare e vizitës së Nënë Terezës, dhe bisedës në Mbretëreshën Geraldinë. Znj. Luka sjell shkurtimisht çfarë biseduan dy gratë e “mbretërive” të ndryshme, njëra e tokës dhe tjetra e qiellit. Nënë Tereza i shpreh Mbretëreshës Geraldinë dëshirën për t’u kthyer në atdhe, në Shqipëri, se si ajo lutej te Zoti për familjen mbretërore, për gjendjen e familjes së saj lënë në Shqipëri dhe ndjeshmërinë për botën moderne të Amerikës në atë kohë.
Këto ditë një nga veteranët e Mbretërisë Shqiptare në mërgim, veprimtari i shquar në Nju Jork, Musli Mulosmani, i dorëzoi gazetës kombëtare “Bota sot”, një artikull të gazetës “Atdheu”. Në këtë artikull zëdhënësja e Monarkisë Shqiptare në mërgim, znj. Lume Musa Juka, rrëfen një takim të përzemërt të Nanës Mbretëreshë Geraldinë me Nënë Terezën, laureaten e çmimit “Nobel” për Paqe.
Znj. Juka, shkruan: “Ishte një kënaqësi e madhe me e pa Nanën Mbretneshë Geraldinë në Nju Jork në qershorin e atij viti. Dinjiteti, me të cilin ka jetue në mërgim, por sidomos përvujtnija, mirësija e besimi i saj në Zotin - më kanë prekë përherë". Ky besim, - thotë ajo, - e ka ndihmue me kalue halle e mërzina të shumta, pa e humbë buzëqeshjen e saj t'ambël.
Në bisedim e sipër ajo tregon se Nana Mbretneshë Geraldinë, kishte takuar Nënë Terezën dhe kishin kaluar kohë së bashku, për më shumë se dy orë.
Por, në kujtimet e saj, znj. Luka shkruhet se sa e përmenda këtë emër (pra të Nënë Terezës) sytë e Mbretëreshës Geraldinë, shndritën - me një dritë të brendshme, me interesim e me kuriozitet të veçantë, ku ajo ka dashur të dijë për çfarë kishte folur.
"I kallzova, - thotë znj. Juka, - dhe ajo dëgjoi çdo fjalë me vëmendje të madhe.
Sa dëshirë, - tha, - kam me e pa edhe unë! E këtë dëshirë e kam tash e sa vjet".
Nuk u zgjata më shumë, por, me zemër iu luta Zotit, të më ndihmojë me ia dhënë këtë gëzim. Ishte e martë, 23 qershor mbasdite vonë. Koha shumë e shkurtër, sepse Mbretëresha Geraldinë do t'u kthente me datën 26 qershor në Madrid.
“Nënë Tereza vinte gjithnjë në Nju Jork, për t’iu lutë Zotit, vazhdimisht, dhe për disa ditë ishte vendosur në një vend - ku s'kishte as telefon. Në kuvendin e saj, murgeshat i kishte porositur mos me i dërgue asnji mesazh”.
Duke sjellë kujtimet e saj për atë ditë znj. Juka, thotë: "I shkrova me të shpejtë një letër të vogël, në të cilën i thoshja edhe këto: ‘Dëshiroj që ta njifni Mbretëreshën Geraldinë, sidomos edhe për besimin e mrekullushëm që ka në Perendinë. Jetoni në kontinente të ndryshme, por ja që gjendeni në Nju Jork në të njëjtën kohë, pra ndoshta, është thanë që të shifeni?!’ Letrën murgeshat ia kishin dorëzuar Nënë Terezës. "Të mërkurën mbrama, të asaj dite më bëri me dijtë se na priste në mëngjesin e 25 qershorit. Sa mirënjohëse i isha! Menjëherë telefonova Mbretëreshën Geraldinë. Kënaqësia e saj ishte e papërshkueshme. Kur shkova me e marrë të nesërmen më përqafoi tue më thanë: "Jam shum e gëzueshme që do ta takoj Nanën Terezë".
Z. Abedin Mulosmani (zëdhënësi i Oborrit Mbretëror) na shoqëronte. Nuk ishte e lehtë me gjetë rrugën, në një lagje jo shumë të bukur të jugut të Bronksit. Mbretëresha Geraldinë, me habi shikonte herë majtas e herë djathtas. Nuk mujte me iu besue syve të saj dhe pyet: A është e mundur të ketë kaq vorfni në këtë vend kaq të pasur? Rrugët kësisoj, e shtëpia të shkatërrueme?"
Znj. Juka thotë se iu përgjegja: "Nanë Teraza kudo ku shkon, kërkon me gjetë plagët e vuajtjet e atij vendi, e si një mjek i mirë, me hirë të Zotit iu bjen shpresë e shërim".
Mbrritëm! Një murgeshë e re dhe e bukur si pranvera na çeli derën. Tue buzëqesh na tha: "Nanë Tereza është duke ju pritur!", e na drejtoi me hapa të lehtë si me kan tue fluturue"
Nanë Tereza ishte në gjunjë duke u lutë! U çue në kambë, po sa na pa, me shumë ngrohtësi na shtrëngonte duart dhe na përqafoi me shumë përzemërsi. Na futi në dhomën e vogël e u ul pranë Mbretëreshës Geraldinë. Menjëherë, filluan të bisedojnë...
Nanë Tereza: "Unë nuk merrem me politikë, me buzëqeshjen time e dalloni”, - na tha. Më pas ajo vazhdoi duke shtuar: “Prej ditës qysh se keni ikur nga Shqipëria, i jam lut Zotit, për ju e për Djalin tuaj".
Ndërsa biseda ka vijuar nga fjalët e Mbretëreshës Geraldinë: "Gjithmonë e kam ndier në zemër se dikush, shumë pranë Zotit është duke u lut për ne e djalin tim! Paskeni qenë ju Nënë Tereza. Me gjithë zemër ju falënderoj. Zoti Ju bekoftë!"
"Më vjen keq që nuk mundem të shkoj në të gjitha vendet e botës. Por më keq më vjen, pasi u treta e gjitha, se nuk më lejojnë të shkoj në vendin tim, në Shqipëri... Por Zoti thotë se asgjë në këtë botë nuk është e përgjithmonë”, - ka vijuar bisedën Nënë Tereza.
Mbas një heshtjeje të vogël Nënë Tereza vazhdoi: "Kur u bëra murgeshë, prindët e mi bashkë me motrën dhe vëllanë tim, u kthyen në Shqipëri. Babai vdiq gjatë luftës. Vëllai, Lazri Bojaxhiu, i cili tash banon në Palermo, Itali, mundi të arratisej, nana me motrën mbetën atje. Unë tash jam nënshtetase indiane, në Indi kam kaluar gati gjithë jetën time. Qeveria indiane pati mirësinë me ndërhy pranë qeverisë së Tiranës, duke iu lutur Tiranës që të më lejonin t’i vizitoj. Kjo as qe e mundur... Nana ime ndërroi jetë, pak më vonë edhe motra. Vetëm Zoti e di çka është bërë me ato në Shqipëri. Vetëm pranë Zotit ato duhet të jenë në paqe, të qeta, e të lumtura.
Vëllai im e flet shqipen shumë mirë. Unë jam larguar e vogël nga familja. Më kujtohen disa fjalë, por vëllait i shkruaj shqip. Se si e shkruej shqipen as unë nuk e di, por vëllai im duket se më kupton shumë mirë. Po ju madhëni a e keni perfeksionue shqipen?”
Znj. Luka shkruan se ndërhyri në këtë bisedë duke u shprehur: "Po. Nana Mbretëreshë, Geraldina, e flet dhe e shkruan shumë bukur shqipen - ambël e shumë këndshëm". Biseda me Nanë Terezën, u ba në anglisht, gjuha që është zgjedhë me folë në kuvendet e Misionarëve të Mëshirës”.
Mbretëresha Geraldinë që fliste gjashtë gjuhë (hungarisht, anglisht, italisht, frëngjisht, shqip, spanjisht) foli me të përzemërsisht duke i bërë shumë pyetje, sidomos për sa i përket punës së shenjtë që Nanë Tereza bënte e po përhapte në vende të ndryshme të botës. Nanë Tereza iu përgjigj pyetjeve duke dhënë edhe hollësirat e duhura. Njëra prej pyetjeve të Mbretëreshës Geraldinë ishte: "Cilat janë problemet më të mëdha të SHBA-së?"
Nënë Tereza iu përgjigj: "Nuk i di të gjitha, por me ç’kam pa e dëgjuar deri tani janë: vetmia, indiferenca e njerëzve dhe sidomos varfëria shpirtërore... kjo e fundit është shpeshherë edhe me tragjike sesa varfëria për bukë... e kundërta e racës sonë shqiptare, që jemi shumë të varfër nga ekonomia, por jemi shumë të pasur nga shpirti".
Ajo tha se ndihej nevoja të hapej një shtëpi bamirësie, edhe në Nju Jork. Edhe, se atë ditë ishte dhënë edhe leja e hapjes së saj.
“Vizita juaj ka me kenë e paharrueshme, edhe për këtë gjë, është rasti i mirë sikur edhe ju të kishit ndihmuar në themelimin e kësaj shtëpie. Tash është momenti të largohem pakëz sa t'i lutem edhe një herë Zotit”, - i tha Nënë Tereza, Mbretëreshës Geraldinë.
Dëshmitarja e bisedës, znj. Lume Musa Juka, shprehet: "Rrallëherë kam parë fytyra të tilla të ndriçuara me një dritë dashurie e shpirtërore, sa që pashë ato dy fytyra atë ditë - të këtyre dy grave të bekueme e të mrekullueshme".
Disa minuta më vonë u ndamë nga ajo shtëpi, ku u takuam, duke u përshëndetur çiltërsisht, me të njëjtën ndjesi. "Duke mos i besuar zemrës se si po ndaheshim”.
"U larguam sikur të ishim njohur përgjithmonë, sepse e njëjta jetë shpirtërore na frymëzonte, jetë që vjen vetëm për një besimi të plotë dhe të sinqertë. Me përvuajtjen që e dallonte Nënë Terezën, na përcolli deri jashtë shtëpisë, duke na dhënë me vete bekimin e saj: "Lum ata që flasin gjuhën e zemrës. Në çfarëdo vendi ose gjendjeje që të jenë, rrugët e besimit të vërtetë e çojnë gjithë jetën kah i njëjti drejtim - nga Perëndia", - shkruan dëshminë e një bisede rreth 30 vjet më parë më parë për gazetën “Atdheu”, znj. Lume Musa Juka.