E enjte, 07.11.2024, 09:31 AM (GMT)

Speciale

Alfred Papuçiu: Thani Naqo dhe bota e tij poetike shqiptare

E premte, 01.05.2009, 09:08 PM


Thani Naqo
Thani Naqo
Thani Naqo dhe bota e tij poetike shqiptare

Nga Alfred Papuçiu

E njoh shkrimtarin Thani Naqo prej vitesh dhe ndjej një gëzim të veçantë kur bisedoj me të, atje në Florida të Amerikës. Ai është vendosur atje me familjen, punon për të siguruar jetesën e tij dhe të familjes. Megjithatë, ai është një nga të paktët bashkëatdhetarë në Diasporë që gjen kohë dhe hedh mendimet e tij në letër. Atje në « zyrën » e tij të vogël në një qoshe të shtëpisë, darkave mediton dhe shkruan. Përsëri u kthehet atyre që ka shkruar, pasi siç shprehet ai kërkon përsosmërinë. Mendimet e tij  përmbajnë një filozofi të veçantë të intelektualit shqiptar, të ardhur në Amerikë. Ai lexon shumë, mban shënime, mediton dhe interesohet për letërsinë shqiptare dhe atë botërore, për ekonominë, historinë moderne dhe atë të antikitetit, biologjinë, astronominë dhe është gjithmonë optimist, flet pa artifica dhe moralizime, me një saktësi të çuditshme dhe pa dashur të ndikojë me mendimet e tij.Ai është i ndërgjegjëshëm se në këtë botë të ndërvarur përsosmëria është relative, prandaj edhe sot ai na paraqitet me shkrimin « Meditim për poezinë », ku afishon bukur, me thjeshtësi, ashtu siç është dhe në jetë mendimet e tij të veçanra.

Thani Naqo shkruan poezi, tregime, romane dhe zhanre të tjera të letërsisë.  Lindur në vitin 1953, në Ziçisht të Korçës, kushëri me aktorët shqiptaro-amerikanë me famë botërore, Xhon dhe Xhejms Belushin dhe familje të tjera me zë në trevën e Korçës. Ka mbaruar fakultetin e lartë Ekonomik si dhe kursin pasuniversitar, pranë Institutit të Arteve  në Tiranë në degën e skenarit të filmit artistik. Tregimet e para i ka botuar qysh kur ishte në bangot e shkollës së mesme. Ka botuar këto vepra letrare: Vëllime me tregime dhe novela “Shtëpia e përgjumur”- 1977,”Kabina e  kuqe”- 1985,”Vatra njerëzore”- 1987, skenarin e filmit artistik ”Përsëri pranverë”- 1985. Gjithashtu ka botuar vëllimin me lirika “Fate paralele”-2006, romanin “Përgjumje iluzionesh”- 2006,  vëllimin me lirika “Sinfonitë e stinëve” dhe « Capkënet e mëhallave të botës » (2008).  Në vitin 2008, Thani Naqo u nderua me çmimin e dytë në Konkursin Mbarëkombëtar, organizuar nga Universiteti Popullor i Gjenevës, për poezinë e tij për Nënë Terezën. Ai ka fituar edhe më parë çmime për krjimet e tij, të cilat janë përkthyer në disa gjuhë të botës.
Thani është duke përgatitur një vëllim të ri me poezi, si dhe një roman. Ai do të botojë së shpejti dhe një novelë në gjuhën angleze. Paçka se do t’i duhet të paguajë botuesit për librat e tij. Për atë dhe bashkëkombasit e tjerë, problemet aktuale janë sidomos ato financiare, se siç shprehet ai, « sipas erërave që po fryjnë, do të kemi një periudhë të vështirë për të shpenzuar për qejfe, mbasi ato kursime që i kemi sot, do t’i mbajmë në gatishmëri për situata të vështira familjare ».
Kur e pyes, si është rrethi yt shoqëror, ai më përgjigjet: “Miqtë e mi të vjetër i kam shumë larg, në Atdhe dhe vende të tjera dhe mungesën e tyre nuk e ngrenë kandarët e Ballkanit. Ata kanë ndikuar jashtëzakonisht në formimin tim si krijues. Nuk mund te harroj kontaktet që kam pasur me shumë shokë e miq, sidomos bisedat që kam pasur me Dritëro Agollin, Teodor Laçon, Viktor Gjikën, Agim Isakun, Myfit Balanin, Perikli Panon e shumë të tjerë, me horizont dhe humorin mbërthyer në majë të gjuhës. Megjithëse në dhé të huaj, shkrimtari do të gjejë dikë me të cilin të komunikojë. Në emigrim njerëzit janë tejet të ngarkuar me punë dhe halle, por intelektualët e vërtetë do të sakrifikojnë atë pak kohë për të rrahur një diskutim. Përreth meje janë emra të tillë si Eli Kipe, Sokol Progri, Luan Kola, Jorgo Xengo dhe disa të tjerë të cilët kanë ndikuar pozitivisht me mendimet e tyre për botimet e mia. Por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme sikur unë të mos kisha pasur edhe qetësinë familjare, mbasi ne krijuesit shpesh herë jemi tekanjozë dhe bëhemi të bezdisshëm. Krijuesi, në moshën time, tek vetvetja gjen gjykimin më të mire dhe njëkohësisht më të ashpër. Por që të arrish deri këtu duhet shumë punë dhe të krijosh bindjen se edhe të tjerët do të pranojnë gjykimin tënd. Mijëra e mijëra të mençur lanë atdheun dhe sot i gjen të shpërndarë nëpër kontinente, ngarkuar me hallet dhe streset e botës moderne. Harruan cilët kanë qenë. Magjia për te mbijetuar i ka lidhur shumicën e tyre me vargonjtë e zakonshme të jetës të punëtorit apo të biznesit. Kjo ka shurdhuar mjaft koka të mençura. Kam mbi një dekadë qe jetoj në botën e lirë të mendimit, nga e cila merr kurajën të shprehesh ashtu siç e ndjen. Mbrapa shpinës nuk i ke më ata reçenzentët apo kritikët e bezdisshëm, të cilët, pa dashje, përshpejtuan shembjen e diktaturës komuniste, duke diktuar moralizimet që sollën shembjen e iluzioneve më të hidhura. Këtu ku jetoj qielli është gjithmonë i hapur, dielli i fortë, ajri i oqeanit të freskon, por megjithatë nuk ka si toka mëmë. Në dhé të huaj gjetëm atë që na kishte munguar, komoditetin fizik, por kur e balancon me komoditetin shpirtëror mbetur mbas shpine, humbjet janë tepër të mëdha”.
Shumë nga poezitë e tij e kanë temën nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, si dhe nga Diaspora shqiptare në Amerikë. Më poshtë po ju paraqesim një shkrim të tij, dërguar enkas për « Zemrën Shqiptare ». 

                                                                      * * *
 
  « Për të gjithë njerëzit e mi të afërt, bashkëfshatarët, miqtë e vjetër dhe ata të rinj, për të gjithë të njohurit dhe lexuesit, kudo që janë, në këtë anë dhe në ato anë të oqeaneve, të cilët do të më bëjnë fatlum nëse do të gjejnë në këto vargje gëzimet, hallet dhe ndjenjat e tyre. Nga ju mësova si t’i këndoj jetës dhe dashurisë »
Thani Naqo

Meditim për poezinë
 
...sepse, poezia, siç thonë, e ka kaluar moshën 7000 vjeçare.
      Pikërisht nga këtu zë fill edhe mendimi i çdo krijuesi, i cili kërkon të gjejë veten e tij në raport me krijuesit e tjerë. Sa herë hasim në fjalën "stil", menjëherë na shkon mendja se gjuha e çdo lloj arti ka ndarje të panumërta. Sërish fjala "stil" na çon në konkluzionin tradicional se kemi të bëjmë për shije dhe aftësi krijuese të një artisti individual. Sa herë mendoj për këtë çështje, atë e kam perfytyruar si një mjet të veçantë shprehjeje, pra si një shteg të hapur me qëllim që rrjedh nga natyrshmëria e karakterit të krijuesit, pra edhe ai i poetit.
      Këtu përpiqet të mbrije secili krijues, kush më shumë dhe kush më pak, kush i përafërt dhe kush diçka i veçantë nga të tjerët.
      Kam krijuar përshtypjen se stil të përsosur nuk ka në asnje lloj arti, dhe kjo, për mendimin tim është rrjedhojë e shumë faktorëve moralo-ekonomikë, e marëdhënieve të krijuesve midis tyre, si dhe nga shkollat e superstruktura e ndijimeve dhe shumë e shumë faktorë të tjerë, të cilët pëshpërisin :
      Më vjen keq zotëri, por " nuk ka asnjë stil që të jetë krejtësisht krijim individual i krijuesit", duke përfshirë edhe poetët më të mëdhenj në botë, si edhe ata shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Diaspora.
      Nuk dua të shtoj ato që thonë të tjerët dhe të analizoj se çfarë thonë ata, por do të rendis disa rreshta ku shpreh mendimin tim personal për fatin e poezisë sot dhe në të ardhmen, mendim i cili sado që do të dalë nga truri im, përsëri ai qëndron i ndërvarur nga diapozoni kulturor që kam trashëguar. I njëjti fenomen ndodh me secilin nga ne, mbasi kjo e trashëguar nuk buron nga hiçi.
    Përzgjedhja e leksikut tradicional, pra e ambjentit të poetit ku ka lindur e është rritur, duke bërë të tijen dialektin dhe zbuluar tingëllimen e çdo sinonimi, ndikon pozitivisht në atë që ne e quajmë stil. Gjithashtu, imazhet lëvizëse janë të pashmangëshme duke u marë si bazë krahasimi gjithnjë me atë vend ku jeton apo ka jetuar poeti. I njëjti fenomen ndodh edhe me ritmin poetik, gjë që lidhet nga shija përzgjedhëse e harmonisë së tingujve dhe se çfarë gjurme ka lënë në zonen muzikore të trurit. 
   Sa më shumë thellohemi nëpër labirinthet e poezisë, aq më shumë, padashje, shtojmë edhe katranosjet e tek-tukshme, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se prishin shijen e të gjithë atyre që merren me artin e vargëzimit, apo edhe të atyre që e lexojnë atë.
   Nëse do të pranojmë se poezia është këngë, vazhdimësi që nga 7000 vjetë të shkuara, ky problem i diskutueshëm është i zgjidhur, ashtu siç pranojmë pa diskutim polifoninë labe, këngët epike të Kosovës,  folklorin botëror, homerizmat dhe që të mos shtrihemi kaq larg, le të kujtojmë vargjet përcjellëse të këngëve nga Vaçe Zela, Eli Fara, Adelina Ismaili, Manjola Nallbani dhe...dhe deri tek Majkëll Xhekson apo Mariah Karey.
     E gjithë kjo na jep një përfundim:
            njerëzimi ka etje për të kënduar.
   Ku po shkon poezia- shtrohet pyetja gjithandej. Kjo pyetje enigmatike haset kudo, në revista e gazeta, apo edhe në faqet elektronike ku ballafaqimi i poetëve është i pashmangshëm me përballjen e një numuri tepër më të madh të lexuesve, të shpërndarë në të gjithë botën. Nëse do të ngushtoheshim edhe në mes rrafteve të tejngjeshura të librarive dhe bibliotekave, kjo nuk është aq shumë për faj të poezisë, por për faje të gjithtejcakshme, ekonomike, çorroditjeje, interesimi për artin në përgjithësi, mbasi stoqet e librave nëpër rrafte nuk janë vetëm ato me poezi, por edhe llojet e tjera të shkrimit letrar. Mirpo ja që qenka poezia ajo ku në armatën e krijuesve numëron më shumë shkrues se në gjinitë e tjera të artit dhe kjo për shkak se njeriu kërkon të shprehë ndjenjat e tij dhe, shprehesi më i shpejtë e më komunikues, është vargëzimi poetik.
   Eshtë e vërtetë se në gjuhën shqipe shkruhet shumë poezi. Si të kuptohet kjo dukuri? Pleqërishte dikur thuhej: "qejfi ha kumbulla të tharta", por nëse thellohemi tek kjo dëshirë masive e shqiptarëve, gjejmë edhe faktorët që njerëzit e asaj Shqiperie të varfër, por të shkolluar, rritur edhe me ajkën e letërsisë botërore, pavarësisht nga përzgjedhja e saj e qëllimshme për t'i shebyer sistemit diktatorial, rendit emrat më të fuqishëm të poetëve e shkrimtarëve rusë, francezë, anglezë, amerikanë, gjermanë, etj. dhe tjetri faktor, për mendimin tim është ai se shqiptarët janë popull me veçori tepër individualiste për tu shprehur në lirinë e fjalës që egziston sot. Pra, për të "derdhur" gjithe atë botë ndijimesh mbyllur nga autoçensura për gjysëm shekulli.
  Dhe pikërisht vargëzimi është ai që ofron këtë mundësi, pavarësisht nga niveli artistik, pavarësisht nga niveli ideor. Mirëpo arti i njerëzve të thjeshtë zë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore, pasi ai mbush të gjitha ato boshllëqe që poetët e mëdhenj nuk kanë mundur dot t'i japin ato. Pra, masivizimi i vargëzimit nga mijra krijues, duke u seleksionuar në sitën e kohës, do të sjellë spikatjen e më të mirëve.
  Ku po shkon poezia?
  Zakonisht bëjmë gabim kur mendojmë se vargëzimet me motive folklorike janë jashtë kohe, i përkasin një të kaluare të largët dhe s'kanë të bëjnë aspak me kohën në të cilën ne jetojmë. Mirëpo ja që edhe vargëzimet e kësaj natyre me dashje a padashje bëhen pasuri folklorike, dhe në sajë të mjeteve të komunikimit, ndryshe nga poezia folklorike që mban vulën e popullit, në këto kohë krejt të ndryshme teknike, ruhet autorësia e gjithkujt.
  Ku po shkon poezia- dëgjojmë gjithandej të pyesin letrarë dhe poetë.
  Ajo do të rrjedhë në shtratin e saj 7000 vjeçar, me llojshmëritë specifike, sepse kjo lagunë është mbushur dhe vazhdon të mbushet historikisht nga miliona e miliona krijues, ashu siç rrjetëzohen burimet me rrjedhat e tyre të vockëla dhe mbushin Shtratin Gjigant të Lumit Poetik.
  Dëshirat poetike nuk kanë fund, të pafundme janë edhe shijet e atyre që lexojnë poezinë. Akoma më shumë, përzgjedhja ndaj poezisë, si e atij që shkruan dhe e atij që lexon atë, sot në kohët moderne të komunikimit masiv të ekranit elektronik, ka bërë që shijet të jenë shumëfishuar sepse edhe idetë dhe stilet që percillen me vargje, janë shtuar.
  Ashtu siç janë formuar karakteret e krijuesve të vargut, ashtu janë formuar edhe karakteret e lexuesve poetikë.
  Ka krijues e lexues të rregullt të poezive që percjellin ndjenjën patriotike, ka të tjerë që parapëlqejnë vargun metaforik, pavarësisht se gjatë krijimit dhe leximit ndjejnë tkurjen e rrudhave mbi balle dhe vuajnë edhe ata nga pagjumësia që shkakton ky lloj vargu, duke marrë parasysh edhe cingërisjet e ndjenjës.
  Dikujt tjetër i pëlqen të krijojë e të lexojë nën hijen e pemëve apo çadrave, poezinë peisazhiste, sepse kjo kategori lexuesish kërkon të ndjehet i freskët nga përshkrimi i natyrës që përcjellin keto vargje.
  I njëjti fenomen ndodh edhe në shumëkatëshet e grataçielave dhe baeismenteve të tyre, në situata recitimi, apo thjesht individuale duke i shijuar vargjet në vetmi. Jane me mijra lexues e krijues që pëlqejnë ritmin e rrotave të hekurta të trenave, ritëm i cili u është bërë pjesë përbërëse e jetës moderne, pasi ata udhëtojnë çdo ditë me orë të tëra mbi rrugë të hekurta nga shtëpia në punë dhe anasjelltas.
   Shumë të tjerëve, u pëlqen ai lloj vargu ku dëgjohet ritmi i shtrek-shtrekëve të gërshërëve të krasitësit të rrushit, pemëve, apo luleve, etj, etj, etj.
   Shumë të tjerë parapëlqejnë të dëgjojnë në vargje sinfoninë e nallënave të drunjta, pavarësisht se duket e vjetëruar, me idenë psikologjike se nallënat nuk përdoren më, por ama sinfonia e tyre mbi kalldrëmet e qyteteve apo fshatrave, nxit fantazinë se mbi dy copa druri të tejet lëmuara, dikur kanë lodruar pulpe të brishta femërore.
   Ku po shkon poezia?
   Ajo po shkon aty ku është laguna e saj dhe, mbase një ditë, në shtratin gjigand do të derdhen me miliona burime poetike, gjithkush në llojshmërine e vet, në cilësine dhe përhumbjen e vet, por njëkohësisht, ato përcjellin botën individuale të njeriut në grupe apo individë të tjerë.
   Shpesh herë dëgjojmë: "stil i vjetëruar apo stil i kohës" dhe ky zë më bën të shtoj me naivitetin poetik: DO TE DHUROJA DY DEKADAT E MIA TE MERGIMIT, MJAFTON TE SHIHJA EDHE NJEHERE KREKOSJEN E KENDEZIT LAFSHEKUQ MBI NJE GARDH TE VJETER DHE KENGEN E TIJ QE SJELL ZGJIMIN E ENDRRES SHURDHUESE...
   Ku po shkon poezia?...
   Nuk jam kritik arti, por ja, m'u kujtua Gëteja, cili pranon se QIELLI, NUK DO TE QUHEJ QIELL, NESE DO TE KISHTE VETEM YJE TE MEDHENJ, dhe kjo thënie të bën të mendohesh se edhe ai ylli që duket tepër i vockël, me vezullim të mekur në pafundësinë e hapësirës qiellore, vjen një ditë që afrohet dhe shohim se ai është tepër më i madh se yjet e tjerë krahasues...
 
Thani Naqo

Mendime të shprehura për poezitë e Thani Naqos
« Njeriu i kitares, njeriu i mollëve, i një proze të ngjizur me tokën e Devollit, nuk kishte sesi të mos na vinte në duar edhe një tufëzë lirika nga Devolli dhe Amerika ».
Teodor Laço

„Oqeani i ndarjes nuk e frenon dot këngën e Thani Naqos të vijë tek ne, nuk e zbut dhimbjen për fatet tona paralele, nuk e harron që asgjë tjetër nuk e mban më këmbë shpirtin poetik përveç dashurisë së madhe për këtë tokë, për gjithë vëllezërit dhe motrat, për çdo pëllëmbë të arave e ugareve ku mbollëm së pari poezinë“    
Musa Vyshka

„Boshti i vjershave të Thani Naqos ka të bëjë me mbresa, përjetime e meditime mërgimtari. Tani ka ndryshuar zëri poetic. Është burrëruar mendimi, është ashpërsuar fryma polemiste, është zgjeruar hapësira e motiveve. Devolli dhe Florida- ky është binomi që mban në simbiozë përjetuese poetikën e vëllimeve të poetit”.
Koçi Petriti

“Kam shijuar lirizmin në prozën e Thani Naqos, tani po rikënaqem me lirizmin në vjershat e tij. Më bëri t’i rilexoj, të çlodhem duke kënduar me ritmin e tyre. Është vërtetë fat të lexosh poezi të tilla, ku gjithkush ka jetën paralele me këto ndijime. Të duket sikur je në token meme. Provojeni. Kënaqësia vjen më pas”.
Alfred Papuçiu

Disa poezi të poetit Thani Naqo
       
        SIKUR TË KISHIM DY ZEMRA
 
        Perëndimi shigjeton mbi shpatullat e mia,
        Duroj të nxehtin dhe humbjen e një dite.
        Thëthij vakësinë e rendis ca marrëzira,
        Ne pjesën e zemres ku strehoen marrëzitë.
 
        Përgjoj si grinden e mira me të keqen,
        Prushimin ndjej në temtha e veshë.
        Ka filluar beteja e të vjetrës me modernen,
        Kacafyten, gjakosen dhe s'meren vesh.
 
        Nënqesh djallëzisht kur mendoj dy zemra,
        Strehuesen e të mirave e vendos në të majtë.
        Të ngjishet paq me dëshira e t'bukurat ëndrra,
        Shumë-a-pak te këqijat, ne zemrën e djathtë.
 
        Perëndimi i verdhëllemë vak rrjedhën e cdo  dite,
        Ne njëtrajtshmërine e tyre përpiqem të mbijetoj.
        Të mbijetosh, do të thotë, mos u mer me marrëzitë,
        Mjafton një zemër dhe tjetër s'kërkoj.


TROKASHKAT

Jam ngritur në katin e njëqind e nëntë,
Prek retë e Cikagos me mustaqe dhe gishta.
N’majë këtij grataçieli ç’m’i morën mëntë,
Valltaret spanjollka me pulpet e brishta.

Trokthojnë trokashkat, shpalosen fustanet,
Nën sombrerot 1) strehëgjëra tunden kitara.
Spanjollkat e bukura ç’m’i kujtuan stanet,
Mullinjtë pas lumenjve, andej nga Morava.

Trokashkat trokthojnë me rrahjen e ujit,
Uji rreh pendën e derdh forcën mbi gur.
Voceraket vallzuese nxitin rrjedhën e grurit
Dhe pah’i miellit vesh mullirin me nur.

Trokashkat dhe kitarat në majë grataçieli,
Gdhendur prej druri,nga pylli kane dalë.
Sombrerot strehëgjëra dhe tingujt e fyellit,
Nën trokthin e kuajve vrapit ia kanë marë.

2007
     
1) Sombrero : kapele strehëgjërë, tradicionale e popujve latinë.

CAPKENET E MEHALLEVE TE BOTES

Erdhen cçpkënet e mëhalleve të botës,
Me ski rrëshqasin deri natën vonë.
Graria kanë dalë pragjeve të portës,
Shohin lojrat e dimrit me bor¨¨e.

Lëshohen trimoshat pllajës tatëpjetë.
Skiatori vëngërosh fshehtas dikë sheh.
- Aman,moj, ç’është njeri,një kokëshkretë,
I çmëndur i nget skitë dhe syrin ta shkel!

Zbardhëllon dëbora, e ndritshme dhe nata,
Nëenëmirat bëjnë edhe sikur nuk shohin.
Cupëlinat e fshatit mbi ski dhe govata,
E qeshura e gazdimrit, ua nxjerr lotin.

Capkënet e botës se ç’paskan ca huqe,
Dëborën e shtypin, e ngjeshin si çakull,
Dhe, si me shaka, i qepen çdo çupe,
Dy e nga dy,tatëpjetë mbi akull!

Bishtsyri i nënave përgjon fundrrugicën,
Pas kthesës së fundit…dikush u fsheh!...
Mjaftojnë pesë sekonda, të rinjtë gigilicen,
Dhe puthjen e parë vëngëroshi rrëmben!

Fshap-fshup,fshap-fshup-et e skive u treten,
Cifti u be njësh dhe…nga pylli s’po del.
S’dihet ku shkuan,ama, n’ajri fjalët mbeten:
E rrëmbeu moj,vëngëroshi, që syrin ta shkel!

1973



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora