Speciale
Agron Tufa: Kuja e pangushëlluar e Mnemozinës
E enjte, 30.04.2009, 06:18 PM
Kuja e pangushëlluar e Mnemozinës*
Nga Agron TUFA
Mjeti më i mirë e më i ndershëm për t’u ngjallur fëmijëve dashurinë ndaj atdheut, është që kjo dashuri të ekzistojë tek baballarët e tyre. Sharl Monteskje (17, 197)
I
Ndërgjegja është e vetmja pasqyrë në të cilën njeriu mund të shohë të gjitha veprimet e tij, të gjitha punët e tij të mira e të këqija. Njerëzit që e zotërojnë këtë cilësi, mundet që, pak nga pak, t’i luftojnë të metat e tyre morale.
I nis këto shënime pikërisht me ndërgjegjen, pasi mendoj se ajo është kujtesa e shoqërisë, qoftë dhe e asimiluar nga një person i vetëm, siç është Gëzim Zilja, autori i këtij libri tronditës.
Pra, na lipset ndërgjegja për të dalë te kujtesa, sepse në fakt, ne na intereson sot kujtesa, në kuptimin e saj më gjithëpërfshirës mitologjik e filozofik. Lidhja ndërmjet tyre është aq e ndërsjelltë, sa nuk dihet cila e apelon tjetrën e para: ndërgjegja e thërret kujtesën apo kujtesa e zgjon dhe e thërret ndërgjegjen.
Po kur një shoqëri e tërë e ka të topitur ndërgjegjen e kujtesës së vet, kur ndërgjegjshëm, kërcënueshëm, me gisht ndër buzë ajo i thotë kujtesës së vet “rri sus!”, atëherë kjo shoqëri ka prodhur njerëz që nuk ndjejnë brerjeje ndërgjegjeje për veprimet e llahtarshme, të cilat i janë bërë tashmë ves.
Në mitologjinë e vjetër greke, nëna e të gjitha muzave është perëndesha Mnemozina, bija e Uranit dhe Gjeas (ose e Zeusit dhe Klimenës), motër e Kronosit dhe Oqeanit, ajo personifikon Kujtesën. Ajo zotëron Gjithëdijen: në akord me Hesiodin (Teogonia, 32,38), ajo di “gjithçka që ka qenë, gjithçka që është dhe gjithçka që do të ndodhë”.
Dhe nëqoftëse ne sot i drejtohemi Mnemozinës tonë, kryemuzës së Kujtesës, që ajo të na flasë “për çfarë ka qenë” e çfarë ka ndodhur, jo për vitet e diktaturës së përgjakshme komuniste në Shqipëri, por në lirishten e parë të demokracisë postkomuniste, për vitin jo të largët 1997, atëherë ajo sot do të na fliste me kujë.
Libri i autorit Gëzim Zilja, njërit prej personazheve që e përjetoi gjithë tragjizmin dhe çmendurinë makabre të shoqërisë shqiptare të vitit 1997 në qendrën e “syrit të ciklonit”, në Vlorë, është pikërisht akti i qytetarit me ndërgjegje prore të pangushllueme, pasi askush nuk i dha përgjigje, askush nuk guxoi t’i rikthehej më, askush nuk deshi ta kundrojë veten në pasqyrën e këtij viti të zi, e në radhë të parë, nuk deshi t’ia dijë për këtë episod të turpshëm të historisë tonë as shteti me instrumentet e tij të drejtësisë.
Por Gëzim Zilja, ish-kryetari i bashkisë së Vlorës, pas ditarit rrënqethës “Unë e pashë kush e dogji Vlorën” (2000), tani i kthehet me gjakftohtësi vendit ku shpërtheu shtjella e verbër dhe e manipuluar e dhunës, që përfshiu me spiralen e saj terrorologjike gjithë Jugun e vendit, deri në Shkumbin. Autori kthehet ta zgjojë Mnemozinën, që ajo të dëshmojë tashmë jo me ritmin e ankthit, por me kronologjinë e kthjellët të kujtesës, dokumentave dhe shënimeve, me një vështrim të paturbulluar, duke e përfshirë e ngërthyer gjithë vrundullin e errët të ngjarjeve në një formacion të mirëmenduar, organik dhe çfarë është më interesantja – të detajuar me një disiplinë të tillë kalendarike, ngjarje pas ngjarjeje, njëlloj si të studiojë një krijesë në objektivin e mikroskopit.
Ky është një libër fundamental për çdokënd që i drejtohet vitit 1997, me interesa historike, sociologjike, politike e shumë më gjerë – për çdo interes antropologjik. Duket se për autorin ka mbetur një kujtim i hidhur, i pandershëm e jo burrnor, ajo çka bënë me Vlorën dhe Shqipërinë detashmentet e shumta legale e underground, saqë, parë nga një aspekt etnopsikologjik, i përkthyer në një gjuhë më të thjeshtë, Gëzim Zilja “nuk fal gjestin e shëmtuar e të pabesë të dhunimit të Vlorës, në kohën kur ajo ishte në ndoren e tij”.
Kjo “pabesi” e ka munduar autorin jo vetëm në momentin kur ndodhte krimi, por akoma më fort më pas, kur u pa se krimet e vitit 1997 jo vetëm që nuk u ndëshkuan, por shumë prej tyre që ishin frymëzuesit, regjizorët dhe udhëheqësit e revolucionit të turpshëm terrorist, sot na mbajnë ligjërata e fjalime të bukura. Vetë autori e shpreh mjaft qartë motivimin e thellë për shkrimin e këtij libri kur thotë:
“Nuk kam menduar dhe nuk mendoj se ky libër me dokumenta do të ndryshojë ndërgjegjen e shqiptarëve. Por unë nuk mund të rri i qetë, kur është çështja për ndërgjegjen e një populli: kur ata që e vrasin atdheun vihen në krye të tij dhe bëjnë pastaj rolin e shpëtimtarit”.
Duke shkruar këtë libër, i cili na vjen si ndërthurje e lloj-lloj tekstesh, kryesisht se si perceptohej rebelimi, në çfarë mënyrë i hidhej “benzinë zjarrit”, kush ishin figurat protagoniste të politikës së atëhershme në ngjarjet e ’97-ës (me vijim në faqen e sotme të realitetit), kush ishin gazetarët që realizuar misionin më mercenar të mundshëm, - i gjithë libri, i strukturuar herë si përshkrim sfondi mbi ngjarjet, herë si kalendar i imtësishëm veprimesh e vendimesh shtetërore-qeveritare, e herë tjetër si përthyerje e pasqyrimit të terroristikës në faqet e shtypit të huaj e shqiptar – ky libër pra, jo vetëm të ngjall atmosferën e rëndë, agresive e të përzishme të revolucionit terrorist, por për nga diagrama e shtjellimit, kulmit dhe zgjidhjes me triumfin e aktorëve negativë, mund të konsiderohet një roman-kolazh me lëndë të gjallë, romanë-jetë, roman-antiheroik, pra, një roman-antiEpope.
II
Në verën e vitit ’97 kur ishte e pamundur të lëvizje i qetë jo më në jug, por as në veri të Shqipërisë (lart e poshtë Shkumbinit), një miku im poet po më rrëfente i trishtuar një mbresë të tishtë, një vegim të përjetuar ato ditë. “Po dëgjoja një këngë të Demir Zykos: “O po do marr sharrën të sharroj selvinë...”, e cila çuditërisht bënte një metamorfozë të pavullnetshme me gjendjen e atyre ditëve, duke m’u përkthyer pikëllueshëm në: “O po do marr sharrën të sharroj Shqipërinë”.
Përfytyrojeni: trau që thyhej mbi lumin Shkumbin! Dhe gjithandej – Komitetet e Shpëtimit Publik me udhëheqësit e famshëm “intelektualë” – nga intelektuali me shkollë të mesme A. Shyti, deri te Robin Hudë si Z. Çaushi që priste Romano Prodin në Vlorë! Nuri i Shqipërisë tejkund qe hijeshuar me hijen funerale të Gjinushit dhe opozitës. Me drogë, harta e flamuj grekë, trafik detar e të mbytur... dhe shkrumb, viktima e shtetrrethim.
Tallazitja e fundërrinave konjukturo-klasore të vitit 1997 nxori në sipërfaqe një masë të zezë ish-lumpeni proletaro-rural, monstrat e alienuara nga indoktrinimi ideologjik të etnopsiqikës shqiptare, të cilat me kokërdhokët e shqyer ku gurgullonte drita e présë donin ta modelonin botën tonë me kutin dhe shijen e tyre. Në fakt nuk se jemi aq larg. Revolucionet si rregull e prishin strukturën e hierarkisë vertikale të një shoqërie, duke i çliruar shtresat ndryshme të saj nga kalcifikimi dhe duke i përfshirë në një dinamikë të re.
Po ku ka revolucion që të mund të trondisë sadopak stabilitetin e debilizmit shqiptar! Kjo përzierje e dinakërisë bizantine, e pallavitur nëpër përralla dobiçësh e hidalgosh mendjetytë, e kafërdisur nëpër proverba diabolike, e ka të pamundur ta njohë vetën e parë të përemrit vetor, në numrin shumës; shkurt – ekziston një inxhinieri e tërë individualizmi të neveritshëm, rrënjët e të cilit të çojnë në llagëme të errëta vetëdijeje, sipas së cilës, përemri vetor “Ne” është i nevojshëm vetëm në ato raste kur një shumë katastrofash individuale të mblidhet për të therur, vrarë, djegur, plaçkitur. Jashtë këtij qëllimi, s’ka më “Ne”.
Edhe pas kaq vitesh, dyert e turpit të ’97-ës nuk hapen. Askush nuk kërkon të përpihet në atë vrimë të zezë mëkatesh. Askush. E qartë kjo për politikanët. Po studiuesit tanë të historisë, psikologjisë apo, në përgjithësi, të shkencave antropologjike? Me përjashtim të dy-tre ditarëve, dy-tre librave të shkruar, kryesisht, nga palët e kompromentuara në ngjarje dhe ndonjë libri të ndonjë gazetari të huaj, dukshëm të mirëpaguar – nëntëdhjetë e shtata shqiptare mbetet vetëmse një horizont i muzgët britmash, përpëlitjesh, çjerrjesh, gjaku e ulërimash. Çfarë ishin këto ulërima dhe çjerrje mazoksite dhe çfarë mundësie vetënjohjeje na jep ne kjo flagrancë? Kjo nuk është marrë parasysh ndonjëherë.
Sidoqoftë, që nga embrionet e para të ideve komuniste aty nga vitet njëzet, e deri në perëndimin e tyre (jo zhbimjen) pas vitit nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, pra, përgjatë thuaj një tetëdhjetëvjeçari ekzistencë, komunizma nuk mundi dot ta gdhendë shqiptarin e tij dhe të formojë, së paku përemrin vetor “Ne”, kalimin nga “Uni” tek “Ne”.
Dhe vetëm kur është fjala për kusari, rrënim, gërmadha, vjedhje, plaçkitje, djegie bibliotekash etj, - ky përemër del në dritë si pakt i përkohshëm. Nën ethet egoiste të grabitjes, tymnajës e rrëmetit, kjo “Ne” e përkohshme ligjëron nëpërmjet parullave të veta kauzale, që akuzojnë dikë tjetër krejt pa lidhje, ndërkaq që janë të zënë me kusarinë publike. Kjo, sepse në çdo “Ne”, ngre krye sedra tyryfyle me kësulë a qylaf e “Unit”, që do të thotë se në këtë “Ne”, krye jam “Unë”.
Një brengë e tillë, në lidhje me mosreflektimin absolut ndaj përvojës, me dështimin e plotë të trajektores së vetëdijes sonë shoqërore sipas itinerarit nga “Unë” tek “Ne”, e bën këmbëngulës autorin në theksimin dhe risjelljen edhe njëherë të frakturës së thyer të historisë sonë të vitit 1997. Ajo është pasqyra ku secili duhet të shohë deformimin dhe përçudnimin moral, ndaj nuk mund të kalohet pa u përjetuar, pa u rikuptimësuar, pa realizuar vetënjohjen tonë kolektive, sipas parimit “kush është kushi”.
Këtë kuptim ka rrëfimi predikues i autorit si në ditarin e tij “Unë e pashë kush e dogji Vlorën”, si në këtë “enciklopedi makabre” që i jepet lexuesit. Andaj duhet kuptuar drejt dhe sinqerisht logjika e Gëzim Ziles kur shprehet se: “E shkruaj këtë libër që të mos harrojmë që edhe tani, pas dhjetë vitesh, ata që e gjunjëzuan atdheun në vitin ’97, përfshirë edhe kriminelët ordinerë, kontrabandistët dhe politikanët e sferave të larta, vazhdojnë të jenë në majat e shtetit shqiptar”.
III
Vetëdija qytetare e intelektualëve tanë pëson një deformim të çuditshëm dhe thyhet sapo gjendet para dukurive me natyrë të shumëfishtë, siç është viti i zi 1997. Shkaqet e rëndomta të kësaj thyerjeje apo, më mirë, shtmëngieje, janë ose përtacia për të reflektuar me procedurat e mendimit të shëndoshë, ose nga implikimi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë (emocionet subjektive) në ngjarje, pa harruar traditën (rrënjët e inteligjencës sonë kanë një morfologji shekullore tipike mercenare).
Tani nuk janë vetëm kampet politike që duan të heshtin për ’97-ën, por edhe zërat individualë. Kujt i duhet ky vakuum? Për të shkruar për vitin ’97 nuk duhet asfarë frymëzimi (personalisht kam patur gjithëherë ku ta demonstroj muzën), por thjesht domosdoja logjike e atyre natyrave të cilat shkruajnë jo me temë të caktuar nga drejtoria e shkollës. A duhet se s’bën një ‘kontekst’ dhe, nëse flasim, a mund të na e quajë dikush ‘të papërshtatshëm’ kontekstin ’97? Për këtë lexuesi as që merakoset fort: ai kërkon t’i shohë e rishohë ‘faktet’, të cilat, përkundër dikujt, nuk janë aspak të njohura, lëre më ‘të mirënjohura’!
Mirëpo, çudi e madhe! Kur është puna për të shprehur një racion të përcaktuar vullneti, një farë zotëri Dikushi e gjen shumë lehtë kontekstin dhe menjëherë shantazhon adresatin duke kujtuar vitin 1997. Por sapo flitet për vetë vitin 1997, po ky zotëri Dikushi nxiton ta shpallë “të papërshtatshëm” kontekstin.
Si ta marrim këtë ambivalencë? Historia e ka një ligjësi universale: nëse nuk e rikuptimëson, nëse je indiferent karshi përvojës së saj, ajo rikthehet dhe të ndëshkon me një egërsi edhe më të madhe se më parë. Siç u rikthyen më 1997 celulat komuniste me ish-anëtarë të PPSH-së, oficerëve të liruar, sigurimsave, shërbimeve sekrete të fqinjëve, kriminelëve e trafikantëve – të gjithë, të orkestruar, cytur e inkurajuar nga opozita dhe shtypi krejtësisht gjenocid i atyre viteve.
Të harrojmë? Dakord, unë e ti po harrojmë, por aktorët e sagës së zezë ’97 janë në parlament, vrasësit janë në poste dhe të kamur dhe vetëdija jonë mbetet përgjithmonë e mpirë, e ngrirë palëvizshëm në atë pikë kur turma e mundi popullin paqësor protestues – e ngrirë në atë pikë kur mbi njëzetmijë qytetarë vlonjatë bënë sehir djegien e Bashkisë, Prefekturës, Portit, Bibliotekës së qytetit dhe një kryqi ortodoks të gdhendur me thikë mbi portretin e Ismail Qemalit. Të mos kujtojmë?
Dihet që shqiptari priret të ketë një kujtesë peshku – të harrojë alienimin etnopsiqik për gjysmëshekulli enverizëm. Të harrojë zgjatimin komunist të enverizmit në ngjarjet tragjike të vitit 1997? Dialektika e kësaj “harrese” ka një fakt të shpjegueshëm, të cilin autori na e përmend gjithkund me fakte, të dhëna e shifra, sikundërse te ky paragraf domethënës: “Ashtu si dhe pritej, zgjedhjet e 29 qershorit, u fituan nga e majta. Partia Socialiste mundi të merrte 693.973 vota, që i siguruan plot 102 vende në parlament. Partia Demokratike mori 326.647 vota, që i siguruan 26 vende.
PD-ja nga ana e vet nuk i njohu zgjedhjet dhe për një kohë të gjatë deputetët nuk morën (rrogat, po.) pjesë në parlament. Kjo e lejoi Partinë Socialiste të bënte me ligj dhe pa ligj, një krehje të plotë të administratës dhe institucioneve të rëndësishme si gjykata, prokurori, polici etj, duke vendosur njerëzit besnik të saj”.
Mosmenaxhimi i krizës së vitit 1997 ua la Vlorën dhe Shqipërinë në dorë komunistëve të të gjitha ngjyrave – atij kazani që fermentoi lumpen-proletariatin, sigurimsat, ish-oficerët në lirim, banditët e trafikantët në një bashkëpunim të leverdisshëm me opozitën në funksion të shërbimeve të fshehta greke, që e shtrinë hartën e revoltës deri në Shkumbin – fiks sipas hartës së Vorio-Epirit. Sepse, sipas studimeve të specialistëve të huaj dhe shqiptarë, ata që humbën paratë në piramida mbi lumin Shkumbin, nuk qenë më të paktë në shuma nga ata poshtë Shkumbinit. Mirëpo kryengritje dhe revolucion bolshevik mbi Shkumbin nuk pati.
IV
Nëse do të jemi ndonjëherë në gjendje të shtrojmë një diskurs për të qenë, me rregullat, rendin, logjikën dhe shqetësimin e sinqertë për episodet tragjike të ’97-ës – jo për të gjetur fajtorët që t’i ndëshkojmë pastaj - (pasi në vendin tonë fajtorët, në masën e krimeve që bëjnë, vetëmse harbojnë si bimë e helmët në humus mëkatar) – nëse ndonjëherë do të kemi në dorë studime gjakftohta, të pastruara nga mllefet regjionare, religjioze dhe majtas-djathtas – atëherë, po, rikuptimësimi i përvojës mund t’i nënshtrohet idiomës së njohur kuptimore “mësim i historisë”.
Por kjo, e di, është shumë, dhe jam i pasigurt për faktin e thjeshtë se “pësime” të tilla në historinë tonë politike, shoqërore, etnike dhe kulturore nuk janë shndërruar në “mësime”, qoftë edhe për një periudhë të vetme. Nga kjo pikëpamje ne jemi ndëshkuar gjithnjë e më egër. Dhe paaftësia apo mosdashja për të nxënë dhe rikuptimësuar përvojat e hidhura, mund të na ndëshkojë akoma më egërsisht.
Kjo ligjësi fatale është ngulitur kaq keq në mendësinë shqiptare, sa që ka përcaktuar edhe karakterin e papërgjegjshëm të sjelljes tonë në histori, paradokset e thella, nonsensin dhe sidomos inkoherencën midis periudhave, kontradiksionin e kohërave, mungesën e lidhjeve midis brezave, ndërprerjen dhe tëhuajësimin midis traditave dhe refuzimin e marrëveshjes kolektive në pranimin e përbashkët të nocionit të së Mirës dhe së Keqes.
Por po të marrim të flasim për një kahje të përcaktuar që orienton kompromisin shqiptar – kompromisin me të keqen – shpejt do të përballesh me gjithëfarë nofkash, kategorizimesh, etiketimesh dhe kornizash: rrethe e rrotull teje do të endet me shpejtësi Muri, Izolimi, Imazhi i nënkuptuar i atij që “hap telashe”.
Personalisht, e kam dëgjuar të ma thonë në një formë shumë më të zbutur, se sa zien në të vërtetë: “Ju edhe mund të keni të drejtë në shtrimin e çështjes, por jeni shumë i ashpër, i hidhur, radikal dhe ekstremist!” – ky është pak a shumë vlerësimi i një pjese opinionformuesish. Jam përpjekur seriozisht t’i kuptoj drejt këta kritizerë të përkëdhelur të shtypit, pa i paragjykuar nga rrogat e majme dhe dhjami i kompromisit në fytyrë, që shtresat e para i ka shtruar sefte me revoltat e vitit 1997 në redaksitë e gazetës “Koha Jonë” apo revistës “Klan”.
Dhe kam kuptuar më në fund se veshët e tyre janë të ndjeshëm ndaj tingujve therës, ngritjes së regjistrit stilistik dhe sidomos, kundër përvijimit të qartë të mendimit dhe qëndrimeve. Në thelb, predikimi i tyre është kompromisi, më saktë, kompromisi i së Mirës me të Keqen. Produkte të këtij kompromisi i kemi në parlament, pushtet qeverisës, aministratë publike dhe OJQ/OJF - në përgjithësi, në mbarë shtypin tonë me mëditje.
Nuk është nevoja t’ia nënshtrosh kërkimin procedurave verifikuese, për të kuptuar mandej, se me çfarë çmimi e kanë arritur kompromisin elitat tona: pabesitë, aktet e thella gjynahqare, pazarllëqet dhe hipokrizitë janë të vetmet kategori morale që e përligjin filozofinë e bashkëjetesës së të Mirës me të Keqen. Por për një shoqëri si e jona, e inkriminuar historikisht dhe e hermetizuar nga sekte interesash, mendoj se ndarja e qartë midis së Mirës dhe së Keqes duhet artikuluar fort, përndryshe, herëdokur, do të kemi mbërritur në atë pikë ku nuk do të dimë më të dallojmë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt.
Por nocionet kuptimore “radikal” dhe “ekstremist” gjysmëintelektualët shqiptarë i veshin me të tjera rroba, ngase në ligjërimin e tyre monoton, të gjinisë asnjëanëse, të matur, kumbojnë përllogaritje meskine personale, jo ritmi i ankthit tonë kolektiv.
Sipas kritizerëve të shtypit, për një moment, e llogarita veten “ekstremist”; në akord me këtë logjikë, mëngjesin më të parë kam dalë nga shtëpia me një revolver në xhep dhe kërkoj, fjala vjen, Ramiz Alinë, Aranit Çelën, Nevzat Haznedarin, Skënder Gjinushin, apo fytyra të tjera kriminale ish-komunistësh që videot m’i nxjerrin në krye të turmave që djegin dhe shkatërrojnë Vlorën. Pasi ta kem shkrehur revolverin, i bie të ndjehem në harmoni të plotë me “ekstremizmin” tim. Atëherë, menjëmend do të isha ekstremist! Megjithatë, “ekstremizmi” apo “radikalizmi” im përqendrohet i reduktuar në predikimin, i cili thotë:
“Mos e përzieni të Mirën me të Keqen se ato bashkëpunojnë. Bashkëpunimi i tyre sjell këtë situatë qorrsokaku ku jemi. Sepse edhe në mes të kënetës, duhen ruajtur ca rrjedha uji të pastër, për të patur një model mbi ujin”. Në ndryshim nga ekstremizmi i sekteve të shtypit, i ashtuquajturi “ekstremizmi im” (dhe i kujtdo bashkëmendimtari tjetër), nuk ka shkelur nëpër kufoma, nuk ka shkelur mbi lotë, fatkeqësi, hidhërime dhe, më së mbrami, kompromisi i tyre s’ka pse të merret njësi matëse as për moralin individual, as për atë shoqëror.
Madje ata hiqen ta shesin kompromisin e tyre si diçka morale, që shtrihet, siç ka thënë filozofi, përtej nocioneve të së Mirës dhe së Keqes. Po pse ta ndërlikojmë kaq shumë moralin e tyre? Themi thjesht: përtej së Mirës.
Për disa nga kategoritë më përfaqësuese të këtij morali, që strukturuan përbërjen e Revolucionit terroristo-bolshevik të vitit 1997, flet libri i dëshmitarit dhe përjetuesit të kësaj drame, qytetarit dhe bashkëmendimtarit tim, Gëzim Zilja.
*Eseja është botuar si parathënie e librit monografik voluminoz të Gëzim Ziles “Viti i zi 1997”