E merkure, 11.12.2024, 07:01 AM (GMT)

Speciale

Alfred Papuçiu: Veprimtari përkujtimore për veprën e Akademikut Bedri Dedja

E diele, 10.05.2009, 05:56 PM


Vaçja dhe Fredi
Vaçja dhe Fredi
Veprimtari përkujtimore për veprën e Akademikut Bedri Dedja

Merr pjesë dhe Vaçe Zela jonë mbarëkombëtare, personaliteti i Vitit 2009, ikona e këngës shqiptare  e cila pritet me entuziazëm të papërshkruar nga bashkëkombasit në Zvicër

Nga Alfred Papuçiu

Më 9 maj 2009, në Nëshatel të Zvicrës u zhvillua një veprimtari e bukur dhe emocionuese për veprën e Akademikut Bedri Dedja, ku për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, mori pjesë edhe ikona e muzikës së lehtë dhe popullore shqipe, Artistja e Popullit, Vaçe Zela. Ishin të pranishëm edhe Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i saj, përkthyesi i talentuar i disa librave të auorëve zviceranë për Shqipërinë dhe Kosovën, Irma Rodiqi, ekonomiste në Institutit të Statistikave në Bazel të Zvicrës dhe poete.
Po ashtu, merrnin pjesë Z. Nazmi Jokurti, kryetari i bashkësisë shqiptare për Zvicrën, Z. Asllan Gjinovci, president i « Albanian International Scholarship Foundation », Shkrimtari Gani Demiri, Z.Rexhep Sadria, president i « Kosova Raisen », Z. Abaz Fejzullahu, kryetar i Shoqatës së intelektualëve shqiptarë në Zvicër, arsimtarë të gjuhës shqipe e intelektualë nga të gjitha kantonet, fëmijë të klasave shqipe, artdashës, përfaqësues të bibliotekës « Bibliomonde » të Nëshatelit, etj. Evenimentin e rrallë në Nëshatel e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Enkel Zhuti, balerini i shquar shqiptar, njohur në shumë skena të Europës, ardhur enkas për këtë veprimtari nga Italia.

Bedri dhe Pandora Dedja

 Është hera e parë që Vaçe Zela, megjithë gjendjen e saj shëndetësore jo të mirë, merr pjesë në një aktivitet kulturor. Hyrja e saj në sallën e madhe të restorantit TROPICALE- Hotel des Communes, Geneveys-sur Caffrane, Neuchatel (Nëshatel) u prit me duartrokitje që vazhduan më tepër se 20 minuta, shoqëruar me tingujt e këngëve të paharruara të perlës së muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare , Vaçe Zelës. E emocionuar dhe e përmalluar nga një pritje e tillë e veçantë për të, artistja jonë e shquar, por tepër modeste dhe fisnike, pranoi të dalë në fotografi, si kujtim i bukur i kësaj mbrëmje festive, me të gjithë pjesëmarrësit, bashkëkombas në Zvicër, por edhe të ardhur nga vende të tjera të Europës. Vaçja, tepër e emocionuar shprehu kënaqësinë e saj, si dhe fjalët : « Sot, ju më shtuat edhe një dekadë në jetën time. Dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore. Ju dhe të gjithë bashkëkombasit e mij më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesëshëm që po japin një kontribut të madh për të gëzuar shqiptarët, si dhe për të çuar së bashku më tej demokracinë e vendosur në Shqipëri . Ju dua shumë, siç e shprehët edhe ju dashurinë për mua, ashtu siç dua të afërmit e mij këtu, në Shqipëri, si dhe gjithë ata miq e dashamirës që po më japin një kënaqësi të veçantë, me rastin e 70-të Vjetorit të ditëlindjes sime. Ndoshta nuk e meritoj nderin e madh, duke më cilësuar si personalitete e Vitit 2009, nga ana e Ministrisë së Kulturës, apo nga gjithë ato telefonata dhe mesazhe urimi, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, nga  Ministri i Kulturës, Ardjan Turku, si dhe personalitete të tjera  të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë».

Roza, Vaçja, Edlira dhe Fredi
Roza, Vaçja, Edlira dhe Fredi

Mbrëmja festive e 9 majit 2009 u organizua nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri » (LAPSH), në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare të Kantonit të Nëshatelit. Të pranishmit i përshëndeti Belul Bajrami, kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Nëshatel,  i cili foli për figurën e Akademikut Bedri Dedja dhe veprën e tij si dhe përshëndeti prezencën e artistes Vaçe Zela dhe kënaqësinë e veçantë që ajo solli midis nesh.
Më pas, për personalitetin dhe figurën e akademikut dhe shkrimtarit Bedri Dedja si dhe për veprën e tij të fundit, romanin –testament për fëmijë « Presidenti i Planetit të Kuq » foli edhe Z. Mahir Mustafa, koordinator i SHSHMP në Zvicër i cili evokoi kënaqësinë e zhvillimit të kësaj ngjarje festive dhe emocionuese për bashkëkombasit në Zvicër.
Presidenti i « Albanian International Scholarship Foundation » ( Fondacioni Ndërkombëtar për shkollimin e shqiptarëve), prof. Asllan Gjinovci evokoi “Kujtime me Bedri Deden”. Ai theksoi se Bedriu ka qënë i pari i cili ka mbështetur krijimin e këtij Fondacioni të sukseshëm që ka ndihmuar me qindra universitarë shqiptarë të ndjekin studimet në universitetet e Zvicrës, por edhe në Universitete të tjera të Europës e në SHBA. Gjinovci solli kujtime prekëse nga takimet e tij me Akademikun Bedri Dedja në Zvicër dhe në Shqipëri. Ai e cilësoi si shkrimtar unikal shqiptar jo vetëm për fëmijët, por edhe për adoleshentët dhe të rriturit, duke u shprehur atyre me elokuencë domosdoshmërinë për të ruajtur traditat e mira të popullit shqiptar, për gjuhën shqipe dhe zakonet e mira të tij.
Arsimtarja nga Kosova e gjuhës shqipe në Biel të Zvicrës, Saime Isufi Koleka foli për librin testament të shkrimtarit Bedri Dedja « Presidenti i planetit të kuq ». Gazetari Alfred Papuçiu foli për krijimtarinë e pasur të autorit poliedrik shqiptar, prej mëse 100 veprash, Bedri Dedja, për kontributin e madh që ka dhënë ai në fushat e psikologjisë, pedagogjisë, historisë së mendimit pedagogjik dhe historisë së arsimit kombëtar, si dhe për kujtimet e tij të paharruara me shkrimtarin. Ai theksoi se Bedri Dedja, megjithë moshën e tij mbi 70 vjeçare, nuk rreshti pa shkruar për Kosovën dhe Shqipërinë, edhe nga Nëshateli dhe Gjeneva e Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërakët dhe rinë shqiptare që të mbajnë të gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre. Alfred Papuçiu ndër të tjera evokoi mbajtjen e konferencave në Zvicër nga ana e Akademikut Bedri Dedja, sidomos për të rinjtë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset, që e kanë zgjedhur këtë vend, si atdheun e tyre të dytë. Ai u nguliste atyre në mendje, me elokuencën e tij të pashembullt, se duhet të respektojnë ligjet dhe zakonet e Zvicrës, si edhe zviceranët respektojnë traditat dhe gjuhën shqipe dhe të popujve të tjerë, duke u dhënë atyre mundësi të mësojnë dhe të flasin në gjuhën e tyre amtare.
Emocione ngjallën edhe kujtimet e profesorit, historianit dhe shkrimtarit nga Kosova, Gani Demiri, ish-nxënësit të Dekanit të parë të Fakultetit Histori-Filologji, në vitet 1953-1957-të. Ai kujtoi udhëtimet e shumta të Akademik Bedri Dedja në Kosovë me kolegë të tij kur jepnin atje mësim për studentët kosovarë, si dhe për takimet me prof. Rexhep Qosja, prof. Ahmet Gashi, ku ka qënë e pranishme edhe bashkëshortja e Bedriut, Pandora Dedja etj. Ai theksoi se Prof. Bedri Dedja në kohën që ishte zëvëndës ministër i Arsimit, bëri ç’është e mundur për të përfshirë në tekstet mësimore, vepra të shkrimtarëve kosovarë.

Edlira Dedja duke folur për librin Presidenti i Planetit të Kuq
Edlira Dedja duke folur për librin ''Presidenti i Planetit të Kuq''

E bija e Akademikut Bedri Dedja, Presidente e « Opera pa kufij », profesoreshë në Konservatorin e Nëshatelit dhe të Gjenevës, Edlira Dedja-Bytyqi, falenderoi bashkëkombasit e pranishëm si dhe Artisten e Popullit, Vaçe Zela, për pjesëmarrjen; falenderoi  organizuesit e mbrëmjes festive dhe mbresëlënëse, në kujtim të të jatit të paharruar, me rastin e promovimit të romanit "Presidenti i Planetit të Kuq".

Librin "Presidenti i Planetit të Kuq" të shkrimtarit Bedri Dedja, që tani  ndodhet edhe në libraritë e Tiranës dhe Prishtinës, e kanë marrë për ta përkthyer edhe në gjuhën gjermane dhe italiane, në një kohë që përkthimi i tij ka përfunduar në gjuhën rumune. Kjo vepër është cilësuar tashmë nga lexuesit shqiptarë dhe të huaj si një kryevepër e letërsisë ndërkombëtare për fëmijë.

„Vepra e fundit e Bedri Dedjes, si testament shpirtëror që ai u kushton fëmijëve dhe që botohet pas vdekjes,- shkruan kritikja Klara Kodra -  është një kryqëzim origjinal midis romanit përrallë dhe romanit fantastiko- shkencor. Në të ndërthuren probleme të mprehta aktuale si diktatura dhe demokracia, lufta dhe paqja, terrorizmi dhe Evropa e bashkuar, roli i shkencës dhe i informacionit bashkëkohor në edukimin e drejtë të fëmijëve të sotëm, që do të marrin stafetën e drejtimit të shoqërisë së ardhme shqiptare. Këtë mesazh, Bedri Dedja e jep përmes një fantazie të harlisur, gjetjeve të këndëshme dhe sidomos humorit, që është një nga çelësat e rëndësishëm të botës së fëmijëve, që çelet si lule në diellin e vogël dhe të ndritshëm të tij. Tek “Presidenti i Planetit të Kuq”, autori e ka dhuntinë e komunikimit me fëmijët më të gjallë se kurrë.

Fredi duke folur gjatë promovimit për veprat e Bedri Dedjes
Fredi duke folur gjatë promovimit për veprat e Bedri Dedjes

Botimi i librit “Presidenti i Planetit të Kuq” të shkrimtarit Bedri Dedja vjen për lexuesin e vogël shqiptar me një format të veçantë dhe mjaft cilësor. Romani fantastiko-shkencor është ndarë në 40 kapituj dhe shoqërohet me ilustrime interesante,  të piktorit të Merituar, Agim Faja që ngacmojnë imagjinatën e fëmijëve gjatë leximit. Ndërsa subjekti mjaft interesant ka një vijueshmëri lineare të ngjarjeve.
Historia fillon me frazën e hasur shumë shpesh në përrallat e vjetra: “Na ishte një here…” Kjo fjali, së bashku me personazhet që vijnë nga veprat e mëparshme të autorit (“Fatbardh Pikaloshi” dhe “Një Udhëtim i Rrezikshëm”), të lënë përshtypjen se kjo histotri buron nga thellësitë e shekujve, së bashku me misteret e tyre. Gjuha e shkrimtarit është e thjeshtë, e qartë dhe duket sikur kumbon jehonën e tyre. Kjo histori është një histori sa e vjetër, aq edhe e re. Ngjarjet duket sikur vijnë nga lashtësia, mbushur me mistere dhe vendosen në kozmos në bashkëkohësi. Lufta mes së mirës e së keqes është një luftë e gjatë që kapërcen shekujt e që përsëritet e ripërtërihet vazhdimisht. Kjo temë madhore, në qëndër të veprës vjen e pozicionuar në një shekull të ri e në një dimension të ri. Brezat evolojnë e bashkë me ta, edhe mjetet e argëtimit.
Për t’iu përshtatur këtij zhvillimi shumëdimensional, Bedri Dedja ka sjellë një libër sa bashkëkohës, aq edhe vizionar për të ardhmen. Ai duket se e njeh në thellësi botën e fëmijëve dhe kërkesat e tyre, mbasi në këtë roman ai ka ndërthurur dijen, fantazinë, shkencën, ëndrrat dhe edukimin.
Për ta paraqitur më konkretisht ndërtimin e kësaj vepre madhore, atë mund ta ndajmë në tre boshte kryesore :
 Së pari, boshti kryesor ku mbështetet ky libër është fantazia, që arrin majat më të larta, duke i pozicionuar të gjitha ngjarjet dhe temat më të mprehta aktuale, në kozmos. Fantazia është shumë e rëndësishme dhe e shëndetshme për botën e fëmijëve ; prandaj shkrimtari Bedri Dedja, nëpërmjet saj e ka pasuruar veprën e tij të fundit me shumë imagjinatë dhe ide kreative. Mund të themi se personazhet e vegjël lundrojnë në një det plot ngjyra e fantazi ashtu si Saturni që shpalos përpara shkencëtarëve të vegjël ylberin e ngjyrave të tij.
 Së dyti, boshti tjetër është dija. Ky libër shërben edhe si një libër shkollor, sepse u transmeton fëmijëve dije shkencore e shumë të vërteta për galaktikën tonë. Ata mund të mësojnë shumë mirë duke u argëtuar nëpërmjet këtij libri. Leximi i ngjarjeve ngjall shumë emocione, i argëton fëmijët por kërkon edhe një punë mendore për të zbuluar misteret e shumta. Ky aktivitet i trefishtë gjatë leximit ndihmon nga ana tjetër edhe në aftësimin dhe zhvillimin mendor të tyre. Në fushën e pedagogjisë bashkëkohore synohet drejt hartimit të këtyre librave, që ndërthurin dijen me argëtimin ; prandaj do të thoja me bindje të plotë se ky libër i psikologut dhe shkrimtarit të madh për fëmijë Bedri Dedja është ideal për të mësuar dhe argëtuar njëkohësisht lexuesit e vegjël.
 Së treti, boshti tjetër është edukimi. Nëpërmjet këtij libri, Bedri Dedja do të mbjellë farën e së mirës në ndërgjgjegjen e çdo lexuesi. Ai kërkon tu tregojë atyre rrugën e drejtë që duhet të ndjekë sejcili, humanizmin, trimërinë, zgjuarsinë dhe pasionin për shkencën dhe të vërtetën. Shkrimtari transmeton në mënyrë të natyrshme frymën pozitive për të kontribuar sejcili nga ne për të mirën e vëndit, botës sonë dhe mbarë njerëzimit. Mesazhi më domethënës që transmeton vepra është :
« Sistemi diellor duhet të shkojë vetëm përpara… gjithnjë nga e mira dhe e mbara ».
Duke shfletuar faqet e librit, kuptojmë qartë se autori i tij, Akademiku Bedri Dedja ishte një dashamirës i madh i shkencës, zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit. Pra kuptohet qartë se këtë zhvillim të saj, Ai e do në dobi të njerëzve e vetëm në shërbim të tyre.
 Këto tre boshte kryesore ku mbështetet ndërthurja e subjektit të romanit fantastiko-shkencor « Presidenti i Planetit të Kuq », i japin kësaj vepre vlera të padiskutueshme artistike, pedagogjike e humane.
Maksim Gorki ka thënë se «…Libri është një nga çuditë njerëzore, i cili më jep mundësinë të kuvendoj me njerëzit. »  E Bedri Dedja, nëpërmjet këtij libri kuvendon me lexuesit e vegjël ashtu si me fëmijët e tij. Por ai siguron edhe një komunikim alegorik me lexuesit e rritur, sepse të gjitha mesazhet që transmeton kjo vepër madhore, vlejnë për lexuesit e të gjitha moshave, mbasi janë mesazhe shumë të forta, që të bëjnë të mendosh e të reflektosh thellë.
Vepra mbyllet me ëndrrën. Ato janë shpresat që shtyjnë sejcilin nga ne të luftojë e të ndryshojë botën. Këto ëndrra nuk ka rëndësi nëse i ka një i rritur apo një fëmijë; mjafton që ato t’i shërbejnë qëllimit më suprem: zhvillimit dhe së mires, mbasi e nesërmja do t’i bëjë realitet.
Shkrimtari Bedri Dedja, nëpërmjet kësaj vepre transmeton nuancat më të bukura të sistemit të unazave që rrethojnë artin me botën e fëmijëve, duke e transformuar artin e tij në një ylber shumëngjyrësh që tërheq vëmëndjen e fëmijëve. Dhe bota e fëmijëve vjen në këtë libër si një ylber me mistere e bukuri kozmike që mund t’i zhbirojë sejcili duke e lexuar e rilexuar me ëndje romanin “Presidenti i Planetit të Kuq”.

Pjetri, Roza, Vaçja dhe Iliri
Pjetri, Roza, Vaçja dhe Iliri

Në vazhdim, në veprimtarinë e 9 majit në Nëshatel të Zvicrës, pati diskutime të lira me nxënësit e shkollës shqipe të Nëshatelit, nën drejtimin e arsimtares së gjuhës shqipe, Drita Kelmendi. U lexuan edhe fragmente të librit « Presidenti i Planetit të Kuq » ( Marsi i kuqërremtë), nga nxënësit e shkollës shqipe. Programi u mbyll nga grupi i valleve të të rinjve shqiptarë, të veshur me kostume kombëtare. Pastaj, pjesëmarrësit darkuan deri vonë, në mjediset e « Restorantit Tropikal », shoqëruar me këngët e Personalitetit të Vitit 2009, Vaçe Zela. Largimi i saj u shoqërua përsëri me ovacione, përshëndetje, përqafime, nga të gjithë bashkëkombasit, të përmalluar për fatin  e madh që patën në gjirin dhe festën e tyre, Artisten e Popullit,Vaçe Zelën mbarëkombëtare.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora