E premte, 10.05.2024, 09:46 AM (GMT+1)

Speciale

Avdyl Luma: Edhe unë isha në Tivar, dy ditë pas masakrës

E hene, 01.06.2009, 05:59 PM


Rrëfimi për udhëtimin e dhunshëm të rekrutëve shqiptarë, më 1945

EDHE UNË ISHA NË TIVAR, DY DITË PAS MASAKRËS

“Asht dal ka folë Xhevdet Hamza. Ka thanë: “Kan ta thirri me emen, dilni për dere”. 30 veta të Gjakovës janë dal atë ditë, masi i ka thirr Xhevdeti. Janë metë vetëm nja 7 a 8 vetë të Gjakovës, do qasi fukara, që s’ka pas kush me kajt për ta”, tregon Avdyl Luma, momentin e nisjes së kolonës nga Prizreni për në Tivar.

Nga Ilir Hajdari

Ai tashmë i ka kaluar të 80-tat dhe qetësinë e gjen në fshatin e tij të lindjes, në Cërmjan të Dushkajës. Quhet Avdyl Luma, shkurt e thërrasin bab Dylë. Në jetën e tij kishte përjetuar dy udhëtime të dhunshme, një më 1945, kur në moshën 17 vjeçare, si rekrut, e kishin dërguar për të kryer shërbimin ushtarak, por rruga kishte kaluar për në Tivar, më sakt në monopolin e duhanit e që ai ngul këmbë se ka qenë gjimnaz. Ndërsa, udhëtimi tjetër kishte ndodhur në prill të vitit 1999, përsëri një rrugëtim i detyrueshëm për të. Pas 60-vjetësh, ai kujton çdo gjë nga udhëtimi i tmerrshëm, që kishte bërë në kalvarin e mars-prillit, të 1945-tës. Këto rrëfime për rrugën e tij drejt Tivarit dhe vendeve të tjera, ai për 50-vjetë është detyruar t’i heshtë, për t’iu treguar fshehurazi vetëm të afërmve të tij. Kohën më të madhe e kalon praën TV-së, duke shpresuar se do të shfaqet ndonjë dokumentar për masakren e Tivarit, e që, sipas tij, shumë pak transmetohen programe të tilla. Ndërsa, sot, ai thotë se ka ardhur koha, që jo vetëm të bëhen publike masakrat e ndodhura në Tivar, por edhe të zbulohen të gjithë ata emra që u vranë padrejtësisht atje dhe të shënohen dikund, që të mund ti sheh e gjithë bota. Për të, masakra e Tivarit është një vlerë e rëndësishme kombëtare, që dokumenton më së miri gjenocidin serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. Plaku Avdyl mbanë mend momentin e nisjes për në Tivar, por jo edhe datat.

Nuk e dinim kah po na qojnë…

“Jemi nisë shtatë javë para Shingjergjit. Çfarë dite nuk e di. Asht kanë e 45-ta sene. Na kanë marr pleq e të ri, e na kan ba bashk në Gjakovë e prej aty në Pejë. S’na kan nalë hiq në Gjakovë. Kemi ndejt nja tri javë në gjimnazin e Pejës. Dikujt ja dhanë pushktë, dikujt jo. Unë nuk kam pas pushkë. Kur janë ba tri javë, janë ardh Bokeshka Brigada. Na kanë qitë për jashta, na kanë ba rresht. Bokeshka ja ka nisë me lujtë shirikolla. Kur e kan maru kërcimin, na kanë qitë rrethin. Na kanë thanë, mos luni! Pushktë na i kan marr. Na kanë nisë për rrugë… Nuk dishim ka po na qojnë. Dikush thojke për Serbije, dikush për Cërna Gore. Kur e kemi kalu uren e Gurit, atëhere e kemi ditë se për Gjakovë. Jemi gëzu”. Kështu e nisë rrëfimin e tij, Avdyl Luma dhe gjatë këtij tregimi ai nuk dëshiron ta anashkalojë asnjë detal të atyre ditëve. Ai thotë se në Gjakovë kanë fjetur një natë në shkollën Normale e të nesërmen i kanë nisë për në Prizren të përcjellur nga Bokeshka Brigada.

Në Deçan e në Gjakovë, kanë ikë prej kolonës rreth 30 veta

Mirëpo, ai kujton se gjatë udhëtimit nga Peja për në Gjakovë, më saktë në Deçan kishin arritë të iknin rret 30 veta prej kolonës, ndërsa në Gjakovë ka mundë të shpëtojë Sheh Zeqa (bashkë fshatar i tij, i cili për një kohë të gjatë është detyruar të fshehet nëpër shpella), që u përzi në turmën e njerëzve të shumtë anës rrugëve, të cilët kishin dalur për ti parë të afërmit e tyre. “Na kan mërthy teposhtë, nëpër Çarshi të Vogël. Kur jemi dal te ura e re, kemi pushu qaty. Aty jan ikë do. Asht ikë edhe Din Zymeri i Mus Ukshinve”, kujton ato momente plaku Avdyl. Pastaj, rrëfimi i tij për këtë udhëtim të gjatë, shkon e bëhet gjithnjë e më dramatik. Është koha kur ata kanë arritur në kazermen e Prizrenit. “Ishin kanë kasarne të moqme, të Turkijes. Na kan shti qaty. Kem fjetë ni natë. Hala pa ardh Drenica, mas akshamit, na kanë qitë tanë për jashta. Ishin kanë do shkallë t’drunit, ni pushimore. Asht dal ka fol Xhevdet Hamza. Ka thanë, kan ta thirri me emen, dilni për dere. 30 veta të Gjakovsë janë dal atë ditë, masi i ka thirr Xhevdet Hamza. Janë metë vetm nja 7 a 8 vetë prej Gjakovës, do qasi fukara, që s’ka pas kush me kajt për ta. Ata janë ardh me ne. Nja prej Gjakovës asht kanë vra bile. Kam ni s’e e kan marr. Asht kanë Zenel Luzha. Ai e ka pas vra veten pahiri, tuj e n’shu pushken në tokë. Në Slloveni asht vra ai”, ka treguar për diferencimet e pushtetarëve të atëhershëm komunistë, Avdyl Luma.

Po shkojna te nana Shqypni. Po, nana Shqypni ish kanë me hile…

“T’nesrit janë ardh aty Drenica e rrethet e tjera. Kanë fjetë ni natë edhe ata aty. Ditën tjetër, masi hangrem kaftjall, na kan qitë rresht krejt. Oborri i madh i kasarnes asht mush plot. Atëhere asht hi ni oficir e na ash drejtu me dorë në gjuhën serbe, ku e ka da turmen e njerzve përgjysmë, e asaj gjysmës i ka thanë me shku e me e marr buken e atëhere janë dal e janë ba rresht për dere t’kasarnes. Sigurisht nimijë e kusur janë dalë. Nuk dishim kah po i qojnë. Kur kan marrë knena prej Zhurit, e kom ni piskamën tuj bërtitë prej gëzimit: “Po shkojna te nana Shypni”, tregon këto momente të udhëtimit të kolonës me njerëz nga Drenica dhe të trevave të tjera, të cilët, u nisën me gëzim, duke menduar se po shkonin tek nëna Shqipëri, por u masakruan në thertorën e Tivarit. Avdyl Luma, për britmën ngazëllyese të rekrutëve që menduan se po shkonin në Shqipëri, thotë se “nana Shyqpni ish kanë me hile”.

Në Shkodër janë vra mbi 30 vetë

Baca Dylë, siç e quajnë të gjithë, mbanë mend se kolona e parë që asht nisë në drejtim të Tivarit, ka qenë ajo me rekrutë nga Drenica, ndërsa kolona tjetër, ku ka qenë edhe vet pjesëtar, është nisur dy ditë pas saj. “Kur janë ba dy ditë mas, jemi nisë edhe na. Kemi fjetë në Kukës ni natë, në breg të Drinit të Zi. Në kolonë ishim rrsht për katër, pa as ni pushkë me veti. Në të dy anët na përcillnin ushtarët e Brigadës IV të Serbijes. Përmi 1000 vetë jemi kanë në atë kolonë. Pak pa shku në Pukë, na ka lanë buka. Në Fusharëz kemi fjetë ni natë. Atëhere e kemi kalu Vajin e Dejs. Kur jemi hi në Shkoder, kemi fjetë dy netë, në kasarne të djegne, pa mlojë. Qat natë, kur jemi shku në Shkodër, janë vra do vetë, tuj e kalu lumin. Po na s’i kemi ni pushktë, veq kur jemi nisë me shku edhe na me e kalu lumin, e kemi pa gjakin. I kishin pas vra. Në Shkodër e kam pa ni ushtar tuj e ngre zhag për kamsh njerin e vramë, tuj e qitë në kamijon. Njo tjeter asht kanë i varrum, pshtetun për zidi, lypke uj. Unë ju afrova me e kqyr, po baca Mal (kushëriri i tij), më ka thanë ik se po të vrasin. Ish kanë prej Drenice, s’e e kish pas marhamen lidhun për rreth kresë. Kish ra hana, e nuk e shisha bash mirë. Lypke uj, kush me guxu me i dhanë uj. Shka asht ba me to, nuk di gja. Ushtarët sa muj ngajshin vrap andej e këndej. Kamionat i kam pa me sy tuj bajt të dekun e tuj qitë në kamion. Nashta qat ditë janë vra nja 30 vetë”, kujton baca Dylë udhëtimin e tmerrshëm dhe në këtë kujtesë, shfaqet dëshira e tij për t’i lë diçka historisë së kombit të vet.

Ni plak na tha: “Ju thafshin krahët, a s’po dini kah po ju qojnë, a?!”

Baca Dylë thotë se në Shkodër ka ardhë një oficer i Shqipërisë dhe iu ka mbajtë një fjalim, ku i ka urdhëruar rekrutët shqiptarë që gjatë udhëtimit të mos krijojnë tollovi dhe të jenë sa më të qetë. Pastaj, në mbrëmje janë nisë përsëri në drejtim të panjohur. “Kur jemi nisë rrugës më ka ardh nevoja. I kam thanë baces Mal se po du me u nal me e kry nevojen. Më ka thanë jo bre bac se po të vrasin. Po, jam ul me ni skaj të rrugës s’e nuk mujsha me duru ma. Kur e kam pa ni ushtar me pushkë në dorë që po vjen prej meje, atëhere jam qu në kamë. Më tha serbisht, shka je ka ban ktu, po don me ik a? Ma shau nanen. Kurr se harroj. I kam kap shpejtë pantollt n’dorë e po du me hecë. Tuj hecë, ma ka zatetë me pushkë shpinës. Kam ba me u rrëzu e s’jom rrëzue. Tuj ngajt e tuj vesh pantollat, jam bashku me bacen Mal”, thotë baca Dylë, por më vonë ai kishte dëgjuar se shumë rekrutë, kur janë ndaluar për nevoja të tilla, janë vrarë në vend. 

Itinerari në drejtim të cakut të panjohur, vazhdonte edhe më tej, bashkë me këtë edhe dyshimi për të papriturat e tjera. Pasi kolona e ka kaluar qytetin e Shkodrës, janë detyruar të këndojnë. Por, baca Dylë kujton momentin, kur në të dalë të Shkodrës, një plak skaj rrugës ua kishte bërë të ditur për tmerrin që mund t’iu ndodhte. “Kur jemi dal prej Shkodre, ni plak skaj rrugës, na ka thanë, “Eh, ju thafshin krat, ju thafshin! A s’po dini se kah po shkoni a?” Kur i dëgjum këto fjalë, baca Mal na tha se koka ba dishka në ata të kolones së par”, rrëfen baca Dylë.

Muret e ndërtesës, të lyera me gjak

Me të perënduar të diellit, ata kanë hyrë në Tivar dhe i kanë vendosur në një ndërtesë me oborr të gjerë, ku kanë fjetur një natë. Baca Dylë ngulë këmbë që ajo ndërtesë nuk ka qenë Monopol i Duhanit, por gjimnaz, shkollë ku mësonin nxënësat. Muret e asaj ndërtese, baca Dylë i kishte parë të spërkatura me gjak. “I kish ra stenes gjaki, sikur kur ta prejsh postermen, e gjuhen stërpikët hava. Podi ish kanë i lagt. Sigurisht e kishin la gjakin, kur i kan vra ata të parët”, ka thënë Avdyl Luma. Pastaj, në mëngjesin e hershëm, i kanë nisë sërish për udhëtim të gjatë, ku rruga i ka ndalur fillimisht në Dubrovnik e pastaj në Split, Trogir, ku janë paisur me uniforma ushtarake dhe me armatim më modern për kohën. Siç tregon baca Dylë, kur rekrutët kanë mbërritur në Trogir, kanë mundur të mësonin më tepër për masakren e madhe që ishte bërë ndaj shqiptarëve në Tivarë. Ky ishte fati I rekrutëve shqiptarë, që u nisën nga Prizreni e që arritën në Tivar dy ditë pasi kishte ndodhur masakra. Por, Avdyl Luma thotë se për pesëdhjetë vjet, s’kanë guxuar ta përmendin fjalën Tivar e aq më pak të flitet për masakrën, sepse mund të paguhej me jetë. Atij dhe të tjerëve që ishin në atë kolonën e tmerrshme të mars-prillit, morën goditjen e radhës nga pushteti i atëhershëm. Atyre, asnjëherë nuk iu është dhënë statusi i luftëtarit, me pretekst se, kur kanë mbërritur në Trogir, ishte çliruar Zagrebi dhe Lubljana.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora