Speciale
Alfred Papuçiu: Udhëtim në tokën e bekuar
E shtune, 30.05.2009, 09:30 PM
UDHËTIM NË TOKËN E BEKUAR
Me ministrin e jashtëm Reis Malile
DITARI I NJË JETE NË DIASPORË (II)
Nga Alfred Papuçiu
Vitet ikin por përsëri kujtimet e bukura mbeten të afërta. Kjo pjesë e Ditarit tim vjen para lexuesve, pas një reflektimi të gjatë nga ana ime. Ky ditar, i cili për nga numri i faqeve është i vogël, nga brëndia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me vërtetësi, si mesazh për brezin e ri shqiptar që nis rrugën e gjatë, të vështirë por edhe të bukur të diplomacisë dhe të punës me organizatat ndërkombëtare. Cdonjeri prej ish-kolegëve dhe shokëve të mij që kanë punuar dhe punojnë me organizatat ndërkombëtare mund ta bëjë një gjë të tillë më mirë se unë, edhe në të ardhmen. Por meqë shumë miq e dashamirës më shtynë ta nxjerr këtë ditar, me mesazhet e tyre të ngrohta sidomos këto ditët e fundit, vendosa të prezantohem para lexuesit shqiptar me këto nota modeste, të një ish funksionari ndërkombëtar që prej 25 vitesh ka punuar e punon me organizatat ndërkombëtare në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën, në UNCTAD (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), në OMS, në Byronë Ndërkombëtare të Punës dhe si konsulent për botimet pranë organizatave ndërkombëtare.
Ja ç’më shkruante ndër të tjera miku im Gjergji nga Nju Xhersi: « Shkrimin e lexova me vëmendje dhe më pëlqeu. I përket vetëm elitës së historianëve, po jo si unë me të cilën nuk jam marrë që prej 20 vitesh. Është shkrim që pasuron historinë e vendit tonë. Megjithëse sot brezi i ri nuk po di se ku është, ç’po bën dhe ç’ideal ka. … ».
Më brengosi kjo frazë e fundit, duke menduar se edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët duhet bërë diçka për të tashmen dhe të ardhmen. Shqipëria bën tashmë pjesë në Aleancën e Atlantikut Verior dhe së shpejti në Bashkimin Europian.
Një miku im mjek në Gjenevë, më shkruan: « Më në fund ja arrita qëllimit. Tani e tutje, nuk besoj se do kemi ndonjë problem për komunikimin me e-mail. Me këtë rast, dua të të shpreh simpatinë time për ditarin e fundit të botuar. Ai në tërësi plotëson me të vërtetë të gjitha parametrat e një shkrimi publicitar me shije të hollë e me argumenta të rradhitur me kujdes e në përputhje me rregullat e publiçistikës. Në faqen … ndoshta mund të kishe hequr atë frazë, sepse ti e ke trajtuar atë fenomen edhe më parë. Kam mendimin se në redaksi çdo mëngjez pyesin : Kemi ndonjë gjë nga ai që ka shkruar për « qoftëlargun » ? E këtë unë nuk mund ta duroj ta thonë për ty, pasi i ke shkrime të arrira ». Pas fjalës së mikut tim, vendosa që në këtë pjesë të ditarit ta përmend vetëm pak herë atë « qoftëlargun » që personifikon një njeri që edhe pse përbën pakicën, është jashtë normave të civilizimit njerëzor. Ndërsa një mik tjetër, artist, më shkruante ndër të tjera : « Përshëndetje nga celulari i ri. I lexova mesazhet e tua, si dhe ditarin e fundit dhe u kënaqa, edhe pse këtë muaj kohën e kam me pikatore për shkak të provave të stërgjatura, mëngjez e pasdite, si edhe gjatë week-endeve të këtij muaji ». Ndërsa një mik tjetër në Turqi më shkruan : « U gëzova shumë për mesazhin tënd. Shkrimet si gjithmonë më kanë pëlqyer shumë. Pse nuk i nxjerr më mirë në një vëllim. Do të jetë një mesazh i bukur për shqiptarët… ». Ndërsa një mik i imi nga Nju Jorku më shkruante : « I dashur Alfred ! Po të shkruaj nga toka e bekuar. Udhëtimi shkoi mirë, pak i gjatë. Në krah të djathtë, në aeroplan kisha një korçar 64 vjeç që shkonte në Amerikë me „green-card“ dhe në krah të majtë kisha një 74 vjeçar tironas, qefli, i persekutuar nga regjimi komunist. Në mes isha unë 50 vjeçari që mbush por nuk zbraz. Në sportel më doli një grua kuqse, me syze e cila më shënoi hyrjen vetëm për një muaj, pasi vija nga Shqipëria. Unë vizën e kisha në rregull, por kur nuk e di gjuhën kështu të ndodh. Ndërkohë do përpiqemi në zyrat e migracionit mos e shtyjmë qëndrimin edhe një muaj. Erdha që erdha të shoh pak edhe miqtë e vjetër që janë vendosur këtej nga Nju Jorku. Sot do festojmë edhe ditën e gjelit të detit. Sa të mëdhenj janë gjelat e detit këtu. I presim me sharrë thelat….Lidhur me Ditarin për OKB-në mendoj që ta zgjerosh dhe ta botosh në një libër të veçantë…“ Ndërsa djali i një ish-kolegut tim të vjetër, Sulos, më shkruante. „ I dashur Alfred! Po të drejtohem me „i dashur“, pasi me të vërtetë nga ato që kam dëgjuar nga Babi për ty, në kohën kur punonit bashkë me organizatat ndërkombëtare, ke hyrë në familjen tonë si një njeri që konsiderohet sinqerisht i afërt. Me ato shkrimet e tua dhe sidomos me “meditimet”, më bëre edhe mua të kujtohem se jam një pjesë e shqiptarëve dhe e Shqipërisë këtu… Puna me të vërtetë më ka zënë shumë kohë. Ti e kupton që këtu s’është e lehtë e për të ekzistuar duhet shumë punë. Unë prej këtij viti kam filluar me biznesin e komponentëve elektronikë e kështu që më zenë të gjithë kohën e lirë, pasi duhet edhe të studjoj ato për të patur të paktën minimumin e njohurive…” Ndërsa një mik tjetër më shkruan: “Isha një javë në udhëtim. Shkuam me makinë në Kosovë dhe ndaluam edhe dy netë në tranzit në Selanik dhe Kavallë. U kënaqëm me të vërtetë në Kosovë Aty pashë numrin e stërmadh të flamurëve kombëtarë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. M’u kujtua shkrimi yt i bukur i botuar tek libri yt : “Dita që na e bëri botën atdhé”. Fola për ty dhe me një miken time që punon në Kombet e Bashkuara dhe i thashë të komunikojë me ty lidhur me shkrimin tënd për OKB-në, mbasi asaj i intereson shumë kjo temë. Ishim sëbashku në Prishtinë”. “Është kënaqësi e veçantë të lexosh artikujt e tu, më shkruan një i ri nga Shqipëria, pasi për mendimin tim, janë të pasur. Ju operoni mjeshtërisht me detajin gjë që nuk është e lehtë të arrihet gjithmonë. Përsa i përket gazetave, unë jam i interesuar që të shkruaj here pas here për tema të ndryshme. Dua të të sqaroj që ajo që unë kam realizuar këtu nuk është librari por një pavion me libra shqip në bibliotekën e qytetit. Deri tani kam dorëzuar rreth 200 tituj dhe jam në kërkim vazhdimisht. Kështu që jeni i mirëpritur dhe jam kurioz edhe për librat tuaj të rinj”. Së shpejti mund të përurojmë “Shtëpinë e librit shqip” dhe jeni i mirëpritur të vini…Ndërsa një mik tjetër, diku larg meje më shkruante: “Ti e di përrallën e dhelprës me rrushin, përse e shau dhe e përbuzi ajo! Ky është edhe problemi yt dhe i imi me atë “qoftëlargun” kalimtar këtu në diasporë. Unë jam bërë imun tani dhe nuk më bën përshtypje cmira e xhelozia që mund të ketë ndonjë i paaftë ndaj nesh, ndaj shkrimeve që ti shkruan apo ndaj asaj që përgatis unë në artin që ushtroj, pasi epoka e tyre tashmë është larg. Urimet më të mira dhe ditë më të mira për bijtë e denjë të Krishtit !” Një mik nga Shqipëria më shkruan: “Më fal se nuk të kam shkruar për një kohë, pasi Interneti këtu ka patur një fare difekti dhe vetëm sot munda të të shkruaj. Mua më duket se që kur shkoja tek “Balzaku” dhe Gjeneva po më duket larg. Mbaruan negociatat pres mos organizohet ndonjë seminar…Më bëhet qefi që vazhdon të shkruash, sepse e di që ti e ke patur gjithmonë passion. Si publicist i vjetër më pëlqen shumë që jep mesazhe edhe për ne këtej.
Megjithë qef do të ndihmoj për të dhënë ndonjë mendim për shkrimet që mendon të botosh, por jo me shpërblim siç propozon ti. Sepse kontributi im do të jetë aq i madh sa që ti nuk do jesh në gjendje të m’a shpërblesh. Ti do të mundesh ta lash atë vetëm duke më gjetur ndonjë material në organizatat ndërkombëtare…Seriozisht Fredi, nuk më kushton asgjë të shoh librin tend dhe do ta bëj me kënaqësi, nëse ti e mendon se kjo është e dobishme. Pra m’a dërgo...” Një mik nga Florida më shkruam : « U befasova nga frymëzimi yt i hatashëm. Tani po imprimoj për « kabinetin » shkrimet që të kënaqen… ». Miku im mjek, Ëngjëlli, më shkruan : « Të falenderoj me gjithë zemër për kënaqësinë që më dhe duke lexuar përmbledhjen e ditarit tënd. Kjo gjë jo vetëm më largoi për orë të tëra nga paudhësitë e mija që kam në kokë, por më bëri të zbuloj një lloj të këndshëm mënyre të shkruari, të treguari. Të uroj të më japësh në vazhdimësi kënaqësi të tilla. Në faqet përkatëse ku flitet për vend-ngjarjen, do të qe e shkëlqyer të shoqërohej me fotografi, psh. Të OKB-së në Nju Jork, etj., sipas vendit dhe rastit. Një interes të veçantë do të kishin fotografitë me personalitetet që ke patur kontakt dhe ke punuar. Pjesa e dytë duhet të paraqitet më vehte, si një libër me të vërteta dokumentare që do të plotësonte kryesisht bibliotekën e diplomacisë shqiptare » ( 9 prill, Spitali Kantonal, Gjenevë). Ndërsa gazetari i dëgjuar dhe fjalëpakë Sandri më shkruan: „ I dashur Fredi të falenderoj për bashkëpunimin dhe mirësinë që përcjell përmes mesazheve dhe komunikimit tonë. Me respekt…“ Nga fundi, enkas desha të përmend një mikun tim që aktualisht është me punë në Suedi dhe që ka qënë një nga të parët që më ka ndihmuar në përsosjen e artit të gazetarisë dhe të shkrimeve publiçistike. Ai për shkak të punëve të shumta e ka lënë disi publiçistikën dhe me këtë mesazh e ftoj të shkruajë edhe ai për të mirën e shqiptarëve dhe sidomos të diasporës që ka nevojë për të, për shkrimet e tij aq të arrira. Ja ç’më shkruan ai së fundi : « M’u bë qejfi që më shkruajte, sepse njeriu ka nevojë për shokët e vjetër. Sidomos tani që mosha jonë shkon drejt thyerjeve, ndjehet më shumë kjo nevojë. Më erdhi mirë që ke shkruar dhe shkruan, sepse vërtetë duhet që ju të diasporës të përpiqeni të sillni mesazhe demokracie dhe mendimi të lirë në mëmëdhé. Shkrimin për OKB-në e kishe të mirë, por ndoshta një valë nostalgjie spjegon ndonjë vlerësim që mund të ishte mënjanuar. Sidoqoftë më vjen mirë që je aktiv dhe vazhdo të shkruash. Bëji shumë të fala shoqes dhe fëmijëve nga ana ime… »Miku im më fton të shkoj së shpejti në Suedi dhe unë do t’i përgjigjem patjetër dëshirës së tij.
Me Muhamet Kapllanin etj.
Miku im, Franko, arkitekti i shquar me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë, duke më treguar ditët e fundit dy banesa që ka ndërtuar për një sheik arab, diku përballë Malit Mont-Blanc në Francë, më tha: „Mund t’i kisha ndërtuar edhe më mirë por përsosmëria nuk ka fund“. Duke pasur parasysh fjalët e tij, u nisa për rrugë. Hodha në letër këto refleksione dhe kujtime që ndoshta do të pasohen nga të njera në të ardhmen, po të m’a lejojë koha dhe shëndeti. Sidomos mendimi im shkon në këto çaste tek Cajup Rusmali, Todi Kokoneshi, e gjithë ata shokë e miq që u bënë shkak që unë të futesha në rrugën e vështirë por të bukur të punës me organizatat ndërkombëtare ; si edhe tek ata funksionarë ndërkombëtarë në Gjenevë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare: francezi, Francis Blanchard ish drejtor i përgjithshëm i Byrosë Ndërkombëtare të Punës, suedezi Jan Martenson, ish-zëvëndës sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, danezi Ivan Elsmark drejtor i shërbimit të Botimeve dhe Licensave në BIT, japonezi Masaru Ishida, shef i departamentit Zhvillimit të Sipërmarrjes dhe Manaxhimit në BIT, italiani Xhuzepe Kerengi, shef i Departamentit të Edukimit Punëtor në BIT, britaniku Xhon Burley, shef i Departamentit të Kooperimit dhe Koordinimit në UNCTAD, austriaku Gerald Hindereger, ish sekretar ekzekutiv i Komisionit Ekonomik të OKB-së për Evropën (KEE) ; britaniku Brian Duke, sekretar i KEE ; britaniku Norman Skot, Drejtor i Departamentit të Tregtisë në KEE, drejtoresha amerikane në Departamentin e Botimeve të BIT ; Renata Navarro Ocampo në BIT, V. Bussuntil në UNCTAD ; Thierry Germond në CICR ; pa harruar Liliane Perrin që u martua me një kosovar dhe vinte gjithmonë në veprimtaritë që organizonim për Shqipërinë ; Freedy Buache ish drejtor i Sinematekës Zvicerane ; Pierre Barde gazetar i TV zviceran ;miqtë zviceranë Karolin dhe Mishel Porsher, mikesha franceze Shantal Kaparos ; Louis Nagel, botues i « Guide d’Albanie » i cili në atë botim përmend krahas emrit tim edhe atë të Thoma Haxhit, Marenglen Spiros, Robert Escarpitit, Estref Begës, etj.
Sot kur po i jepja dorën e fundit këtij Ditari, më telefonoi nga Parisi mjekja pediatre me origjinë shqiptare, Solange d’Angely. Kishte lexuar disa nga shkrimet e mija dhe shprehu dëshirën të takohemi. I jati i saj, Robert d’Angely ja kushtoi jetën mbrojtjes së gjuhës shqipe. Librat e tij « Gramatika shqipe e krahasuar », « Pellazgët », « Etruskët në Perandorinë Bizantine », « Për Perandorinë Otomane. Shqiptarët », « Sekreti i Epitafeve », « Enigma », krahas librave të tjerë dëshmojnë për pasionin e tij për gjuhët. Robert d’Angely ishte një poliglot pasi njihte greqishten e vjetër, greqishten e re, latinishten, sanskrishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten, turqishten, arabishten dhe natyrisht shqipen. Ai u mësonte shqipen studentëve në Institutin Kombëtar të Gjuhëve Orientale në Paris. Ai e donte aq shumë shqipen dhe vepra e tij madhore u jep përgjigje shumë pyetjeve që bëhen lidhur me lindjen dhe formimin e gjuhës shqipe…
Ndërkohë Solange më foli për një projekt të madh për Shqipërinë lidhur me diagnozën prenatale, si dhe hemoglobinopatitë. Biseduam për rrugët që duhen ndjekur dhe për mundësitë që duhen shfrytëzuar për gjetjen e fondeve për realizimin e projektit. Sidomos dua të bëj diçka për ata mijra e mijra shqiptarë vocrakë që vuajnë nga një sëmundje gjenetike, që quhet Talasemi, pa e ditur as ata as prindërit e tyre që mbartin diçka të trashëguar nga paraardhësit, apo nga vendndodhja në një zonë ish-malarike. Mjekimi i kësaj sëmundje sot ka arritur stade të larta dhe fëmijët apo brezat që kanë trashëguar atë bëjnë një jetë normale, si dhe kanë shpresë që një ditë të afërme do të gjehet një kurë për të. Mesazhe që jepen edhe nga mjekët dhe profesorët e shumtë në botë si Bernadette Modell në Angli, Alan Cohen dhe James Humbert në SHBA, Robert Girot në Francë, Radhika Sawn tek „Cooley’s Anemia Foundation“, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF) Panos Englezos, drejtoresha shkencore, doktoreshë Androulla Eleftheriou, kordinatore shkencore e TIF, Dr. Nanci Oliveri nga Toronto, e shumë e shumë të tjerë. Nuk mund të ri pa permendur profesorin e nderuar Selaudin Bekteshi, Enis Boletini, Pali Xhumari, Anila Godo, Lena Anastasi, Profesor Aleko Vesho, Afërdita Gusho, Albert Zhuzhuni e shumë e shumë të tjerë.
Me bashkëatdhetarë në Nju Jork, në festën e Flamurit
Botimin e këtij ditari në shqip dëshiroj që ta jap edhe në versionin frëngjisht. Para tre vitesh, shkrimtarja zvicerane Marie-Luce Dayer dhe profesori zviceran me famë botërore Jean – Philippe Assal lexuan disa nga kujtimet e mija për Zvicrën. Profesor Jean – Philippe i cili më ka ndihmuar shumë në udhën time të jetës këtu në Gjenevë, në atë kohë, më nxiti t’i botoj kujtimet, skicat dhe tregimet e mija. Por unë ngurova, për shumë arsye. Shkrimtarja Marie – Luce Dayer, ndër të tjera në letrën e saj të dates 22 shkurt 2000 më shkruante: “ I dashur Zotëri! Po ju kthej dorëshkrimin tuaj mbi të cilin kalova orë të tëra…Fat të mbarë! Shumë nga tregimet tuaja janë të arrira. Kujtimet tuaja janë tekstet që më kanë pëlqyer më tepër…Më në fund, “Ditari…” është i mire dhe nuk do të krijojë asnjë antagonizëm…Mirupafshim! Marie – Luce Dayer”. Ndërsa në një letër tjetër, duke më nxitur që të botoj kujtimet e mija për Zvicrën, dhe kur shihte se përktheva disa libra letrarë, si dhe botime të organizatave ndërkombëtare, më shkruante: “Jam shumë e kënaqur që shoh se jeni kaq aktiv në shkrimet dhe përkthimet tuaja. Kurajo! Do të isha e kënaqur që ju të përktheni një nga librat e mij për shkollarët, një faqe shqip dhe një faqe frëngjisht. Sapo kam botuar dy libra të rinj dhe është e vërtetë se përpara Krishlindjeve kam marrë pjesë në shumë mbrëmje “Rrëfenja e muzikë”. Ju e dini se unë i adhuroj ato mbrëmje, nuk kam pse qahem! Në janar do të jap mësime në frëngjisht për refugjatët nga vendi juaj. Duket se është shumë, shumë e vështirë. Por do shohim! Shpresoj që fëmijët dhe bashkëshortja juaj, janë mire. Ju uroj gëzuar festat e fundit të Vitit të ri!”
Vite më parë, para vdekjes së tij në qershor 1975, im atë i paharruar Tuni Papuçiu i korigjonte të gjitha tregimet e skicat e mija… Por vite më vonë megjithëse shkrova përsëri tregime, refleksione, skica, botova edhe libra, shkrova në gazetat zvicerane “La Suisse”, “Journal de Genève”, “Tribune de Genève”, në botimet e Kombeve të Bashkuara, në shumë gazeta shqiptare, duke përfshirë sidomos „Koha Jonë“, „Drita“, „Ylli“, „Zëri i rinisë“, „Bashkimi“, etj., përsëri nuk e ndjeja veten të sigurtë se si do priteshin nga lexuesi shkrimet e mija. U mora sidomos me përkthime tregimesh dhe përmbledhje tregimesh, përktheva dhe i përshtata për lexuesin shqiptar disa botime të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe botime për seminaret që organizoheshin në Shqipëri dhe për Shqipërinë. Bëra dhe disa studime, ndër të tjera “Shqipëria dhe Evropa - perspektiva të integrimit”, por gjithmonë pa dashur ta botoj. Miku im i përhershëm në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ku punova për disa vite, Jean-Michel Servais që tashmë është në funksionin e lartë të Drejtorit të Veprimeve të kësaj organizate me prestigj për Shtetet arabe, disa here, pasi e lexoi, më tha t’a botoj studimin prej 100 faqesh. Por unë përsëri ngurova. Gjatë viteve realizova dhe studime të tjera, sidomos mbi mundësitë dhe perspektivat e bashkëpunimit të organizatave ndërkombëtare me Shqipërinë, për privatizimin, probleme të tranzicionit në Shqipëri e tema të ndryshme me interes të cilat nuk mendoj t’i nxjerr në ditën e botimit. Mora pjesë në konferenca e mbledhje si përfaqësues i organizmave ndërkombëtare, si në mbledhjen e Komunitetit Evropian, grupit të 24-tërt dhe organizmave ndërkombëtare për Shqipërinë në Bruksel, në konferencën e Rodesit (Greqi) për problemet e Evropës Jugore, në konferencën e Bazelit për problemet e ndotjes së mjedisit, në konferencën e Parisit për problemet e vendeve në zhvillim, në dhjetra e dhjetra Asamblé të OKB-së në Nju Jork, nga vitit 1980-87 dhe 1989, në konferenca ndërkombëtare të organizuara në Gjenevë, Kajro, Paris, Vjenë, Bruksel, Nju Jork, Nairobi,etj…
Në vitin 1991 dhashë provimin e formimit për funksionarët ndërkombëtarë në gjuhën frënge, organizuar nga OKB-ja në Nju Jork, duke marrë rezultatin “shkëlqyeshëm”.Në Universitetin e Gjenevës mbrojta “diplomën e studimeve të larta evropiane” para dhjetë vitesh (1993). Fillova atë Universitet të dytë, pak si me shaka, por sedra më bëri që të kapërcej vështirësitë e moshës për të dhënë seminare e të kaloj me sukses provimet në shkencat politike, të drejtën evropiane, ekonominë evropiane, ekonominë e shërbimit dhe shkencat rajonale, pas 24 vitesh të përfundimit të Universitetit të Tiranës (1969). Nuk mund t’i harroj kurrë ato debate ku flisnim me profesorët e dëgjuar zviceranë, të cilët ishin shumë të interesuar të dinin se çfarë ndodhte në Shqipërinë e vogël, në rrugën e saj të tranzicionit. Më pëlqente lidhja e natyrshme që profesorët bënin me evolucionin e Evropës dhe vende të vogla si ai i yni…Shumë prej tyre në studimet e mëpastajme nuk munguan të përmendin edhe Shqipërinë e bukur, me bregdetin e shkëlqyer, me njerëzit me karakter, me malësorët e zgjuar si në Valé të Zvicrës, por duke afishuar edhe problemet që dilnin në rrugën e tranzicionit, të reformave ekonomike e ristrukturimit të institucioneve shtetërore…
Temën e diplomës e mbrojtja me ish-drejtoreshën e Institutit Evropian të Gjenevës, profesoreshën në ekonomi, me fame botërore, botuesen e “Journal of World Trade Law”, Victoria Curzon Price. Ajo më ndihmoi së tepërmi në formimin tim në fushën e ekonomisë evropiane, duke bërë here pas here lidhje edhe me zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, formim i cili më shërbeu më vonë në funksionet që pata si konsulent e funksionar pranë Komisionit Ekonomik të OKB-së për Evropën, UNCTAD-it (Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin), BIT (Byroja Ndërkombëtare e Punës), e gjetiu. Si bashkë profesor me Victorian e paharruar, në temën e diplomës kisha profesor Orio Giarini, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare për Studimin e Ekonomisë të Sigurimeve në Gjenevë, sekretar i përgjithshëm nderi i Lëvizjes federaliste evropiane dhe anëtar i Klubit të Romës. Ruaj si një gjë të rrallë librin e këtij profesori të nderuar me titull “Kufinjtë e sigurisë”, që është një mesazh tepër I domosdoshëm për çdo ekonomi në tranzicion e sidomos për Shqipërinë, për të përballuar rreziqet në një ekonomi të re shërbimi. Mendoj që shumë pjesë nga ky libër t’i sjell një ditë të afërme në shqip, me miratimin e profesorit tim të urtë e tepër të aftë, Orio Giarini.
Punova shumë për botimin në shqip të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Vendbanimet Civile, me titull: “Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile”. Ishte një studim që përmblidhte në të njëjtën kohë refleksione politike, por të ndërthurura dhe me një gjuhë shkencore, letrare, sociale. Për tri javë m’u desh ta përfundoja përkthimin e tij, duke u konsultuar edhe me kolegët përkthyes të botimit në gjuhë të tjera, si dhe autorët e studimit. Nuk kishim të drejtë të konsultoheshim me njerëz të tjerë para se botimi të dilte në dritë. Vetëm pyesja për ndonjë fjalë ish shokun tim në Universitet dhe kolegun, Agron Agalliu, Mimoza Kokoneshin dhe shoqen time Roza, e cila ka një përvojë të gjatë si përkthyese e Kryqit të Kuq të Gjenevës. Disa here materiali pati ndryshime që duheshin reflektuar me shpejtësi në gjuhën shqipe. Për mbi tre javë ju kushtova punës me një sedër të madhe, pasi nuk doja t’i lejoja vetes as edhe një gabim. Gjithmonë kisha parasysh tim atë që për afro dymbëdhjetë vjet rresht punoi si gazetar në gazetën kryesore të vendit tim, pjesën më të madhe natën dhe “si i freskët”…U përpoqa që të përfshij në shqip edhe fjalët karakteristike që përdoren në Kosovë, natyrisht pa ju shmangur gjuhës letrare shqipe. Në fund botimi ka dhe një fjalorth për të cilin punova me kujdes, por të më falin lexuesit e botimit për ndonjë diçka që ndoshta u vret veshin. Në fakt nga ana e UNEP na u krijuan lehtësi të jashtëzakonshme…Më duhej që në katër të mëngjezit t’i dorëzoja bocat tek Aeroporti i Gjenevës fotomontazhistes tepër profesioniste nga Britania e Madhe që punonte në Morzh të Zvicrës, për të arritur botimi sa më parë në shtypshkronjë në Francë…Një ditë, në mëngjez kopjet e para në shqip më erdhën në dorë dhe pas pak dikush u nis për në Kosovë për t’i shpërndarë tek bashkëatdhetarët tanë. Më ndihmuan së tepërmi për këtë botim edhe ime shoqe të mrekullueshme, Roza, im bir Genti që është shembullor në njohjen e informatikës, pa harruar mbesën time Daniela Biba në Nju Xhersi të SHBA-së, gazetare e ardhshme me tepër talent dhe vajza ime, Nausika, njohëse e përkryer e gjuhës frënge dhe shqipe, megjithëse shkollïmin e saj fillor, të mesëm dhe të mëtejshëm e ka kryer në Zvicër…Kërkesës për një botim tjetër pas disa muajsh ju përgjigja negativisht, pasi e ndjeva se botimi më kishte lodhur së tepërmi dhe ndoshta nuk do të mund ta përballoja një stres të dytë. Isha mësuar me pesë botimet e realizuara në Byronë Ndërkombëtare të Punës, si edhe ato për seminaret e ndryshme, por për to kam pasur kohë të mendoj dhe t’i botoj pas disa muajsh pune, si dhe kisha kohë të mjaftueshme të shoh dy versione që tashmë ishin botuar prej kohësh në frëngjisht dhe anglisht.
…Darkave pasi kthehesha nga puna e lodhshme e përditshme, ulesha pranë ordinatorit dhe hidhja mendimet e mija, disi vjedhurazi, pasi ime shoqe, shumë e dashur me mua, më fliste që të mos lodhesha shumë. Edhe tani ajo Rozë aq e mirë, e zgjuar dhe nikoqire, më flet here pas here të kem kujdes të mos lodhem për hir të saj dhe të fëmijëve. Por unë e ndjej se kam nevojë të hedh një mendim, pasi një punë e tillë, me karar, më çlodh dhe më jep kënaqësi të veçantë.
Një ditë prej ditësh, të marsit, kur një shoku im i vjetër më kërkoi t’i përktheja një shkrim në frëngjisht, gjeta shënimet e shkrimtares Marie – Luce Dayer…Dhe nisa t’i grumbulloj shënimet e mija për punën me organizatat ndërkombëtare, si dhe shkrime të tjera.
Këto kujtime të mijat, që janë një pjesë e vogël e një morie shënimesh e refleksionesh, botohen me ngulmimin e miqve të mij. Ato ndoshta do pasohen nga të tjera dorëshkrime që i përpunoj here pas here dhe janë vetëm një pjesë e jetës sime këtu në Gjenevë, apo në rrugët e jetës. Mbi të gjitha ato janë personale, nuk vënë me përgjegjësi askënd. Gjithçka e kam shkruar për të shprehur mirënjohjen time të thellë për gjithë ata njerëz që më kanë ndihmuar me dashamirësi në rrugën time 57 vjeçare të jetës, duke përfshirë shkrimtarë, publiçistë, funksionarë ndërkombëtarë, shqiptarë, zviceranë, si dhe kolegë të mij të përhershëm, krenarë dhe të kombësive të ndryshme të botës. Ata janë shumë e shumë dhe mua më mbetet vetëm t’u shpreh mirënjohjen time për respektin që kanë për shqiptarët dhe Shqipërinë.
* * *
Gusht. Si zakonisht përgatitemi për të shkuar në OKB. Përvoja e viteve të mëparshme, si dhe ndjekja e problemeve të ecurisë së marrëdhënieve të Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare, më ka bërë më të sigurt në vetvete. Sot dëgjova nga një mik se një punonjës aty që nuk e di mirë asnjë gjuhë të huaj dhe vegjeton ishte shprehur: „Pse gjithmonë të njëjtit persona do shkojnë në Kombet e Bashkuara“. E kuptoj se gjatë viteve duhet plotësuar delegacioni me njerëz të rinj, të formuar, por nuk mund të pranoj që një specialist i mirëfilltë për shembull në ndjekjen e marrëdhënieve ekonomike, sociale, të së drejtës ndërkombëtare, të energjisë, të zëvëndësohet me një tjetër, thjesht pse ka shkuar njëherë në një konferencë ndërkombëtare. Bile dhe me ndrimin e sistemeve në të gjithë vendet, punonjësit që ndjekin zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe me shtetet fqinje apo edhe me vende të tjera, mbeten në ato poste.
Le të kthehemi tek çështja e mësipërme. Kur ishim në kafé, tek Bali, me shokë, pashë edhe atë personin. Dhe pa dashur se si nxorra nga goja: „Sivjet në OKB do shkojë ministri i bujqësisë. Mjaft shkoi ministri i jashtëm atje“. Shokët e mij buzëqeshën, ndërsa ai që vegjeton u largua i skuqur në fytyrë.
Bëj përgatitjet e fundit. Kemi marrë masat që takimet e ministrit tonë të jashtëm me ministrat e jashtëm, sidomos të vendeve fqinje, por edhe të vendeve europiane apo të kontinenteve të tjerë të zhvillohen normalisht gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Nju Jork. Gjithashtu edhe fjalimit të ministrit i është dhënë dora e fundit. Shkoj tek përkthyesi i shquar Isuf Vrioni, një mik fisnik, i cili më pret si gjithmonë me dashamirësi. Ai lë gjithçka tjetër për ta përkthyer në kohë fjalimin. Diskutojmë sëbashku për disa terma apo edhe fraza që përmbajnë një qëndrim të ri në krahasim me një vit më parë. Flasim hapur me njeri tjetrin dhe Isufi si njeri erudit, por edhe i matur, bën edhe ndonjë vërejtje të vogël për ndonjë fjalë apo mënyrë që mund t’i jepet asaj në frëngjisht. E shoqja tepër e thjeshtë dhe e përzemërt na bën kafé. Flasim edhe për të birin që e don aq shumë dhe dëshiron ta shpjerë për pak kohë tek e motra në Itali. Ashtu, pa e kuptuar edhe vetë, shpreh një dëshirë. Sa u ktheva ja thashë ministrit, i cili si një njeri me karakter e njerëzor bëri të mundur që djali i Isufit të shkojë në Itali. Të kuptohemi, nuk ishte e lehtë akoma në ato vite të mund të kapërceje kufirin, sidomos në kushtet e familjes së eruditit Isuf Vrioni që ndoshta megjithëse trajtohej më me butësi, si rezultat i punës së tij të ndershme përsëri mund të shihej vëngër nga disa burokratë që mund të vendosnin gjithçka për fatin e tij. Atëhere, e kaluara e familjes së tij i rrinte akoma si çekan mbi kokë...
Para ikjes në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministri më thërret në zyrë dhe më njofton të shkoj me delegacionin e grave në Nairobi, ku do të zhvillohet Konferenca Botërore e Gruas. Kam akoma dhe 20 ditë para se të shkoj në Amerikë. Përgatitem dhe shkoj në Nairobi, me një qëndrim të shkurtër në Kajro. Atje na pret edhe ambasadori ynë në Tanzani, bashkë me shoferin, një skraparlli simpatik. Gjatë konferences na u desh të ndërhynim disa here sidomos kur ishte puna për mbrojtjen e të drejtave të grave në Lindjen e Mesme dhe për Palestinën. Kishte disa komisione dhe ne nuk kishim mundësi t’i ndiqnim të gjitha. Atje përfitova nga rasti dhe u takova me zëvëndësdrejtorin e përgjithshëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), me qendër në Nairobi. UNEP ishte vendosur në një vend të bukur, gjithë gjelbërim. Pritja në rezidencën e Presidentit të Kenias për të gjithë delegacionet plesëmarrëse në konferencë ishte madhështore. Shkuam edhe tek Giri-Giri ku qëndronin indigjenë kenianë dhe pamë një koncert me muzikë folklorike vendase. Vizituam edhe Parkun e madh zologjik pranë Nairobit, me luanë e tigra dhe shumë kafshë të egra. Ishte pafund dhe makina jonë ishte si e blinduar që të mos sulmonin tigrat ose luanët. Qyteti i Nairobit ishte i bukur. Aty pashë dhe “Ullsorf” si në Nju Jork. Dyqanet me pëlhura të ngjyrave të ndryshme kishin pronarë indianë apo srilankezë. Magazinat ishin plot me mall por fuqia blerëse ishte e dobët. Kafeja, ashtu e gjelbër, ishte e lire, si edhe bananet apo portokallet dhe limonat, pasi kishte një prodhim të bollshëm.
Në Nairobi dëgjova të flitej për “Massait”- afrikanë “fisnikë por të ashpër”, shtatlartë, elegantë, krenarë dhe mospërfillës ndaj ndikimeve të huaja. “Massai” ndoshta është popullsia pastorale dhe si e tillë ata nuk kanë ligje lidhur me token bujqësore. Dr. Rebmann ndoshta është evropiani i pare që pati kontakte me “Massait” në 1840. Ai ishte gjerman dhe me Dr. Krapf, punonin të dy për “Church Missionnary Society” (Shoqatën Misionare të Kishës) që e kishte selinë e saj në Londër. Krapf kontaktoi “Massait” që janë tanimë në Kenia dhe Rebmann me “Massait” që jetojnë në Tanzani. Në librin e tij, të botuar në 1860, Krapf jep përshkrimin e pare të “Massai” dhe mënyrën e tyre të jetesës: “Ata jetojnë krejtësisht me qumësht, gjalp, mjalt dhe mish të bardhë dhe kau, të dhive dhe të deleve”.
Kur kthehemi nga Nairobi qëndrojmë dy ditë në Kajro. Të them të drejtën më ka pëlqyer shumë ky qytet i madh, me lëvizje maramendëse por me njerëz tepër mikpritës.
3 Shtator. Isha në zyrën e ministrit kur ai bisedoi në telefon me Presidentin. I theksoi pakënaqësinë ndaj këshilltarit të tij që vinte dorë në fjalimin që do mbahej në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke ndryshuar fraza që ishin rezultat i një analize disa muajshe. Më pëlqeu kur Presidenti i tha nga ana tjetër e receptorit që të mos ndryshonte asgjë nëse ai e mendonte kështu. Reizi e mori fjalimin dhe m’a dha menjëherë për ta çuar për përkthim në dy gjuhët: anglisht dhe frëngjisht. Nuk e di por ndjeva një respekt të veçantë për këtë njeri me karakter që ka kapërcyer aq situata të vështira në jetë dhe mbi të gjitha vlerëson punën e bashkëpunëtorëve të tij të afërt.
20 shtator. Kam zënë mik një gazetar italian, i cili si edhe algjerianët më ve në dijeni nëse është folur në një komision për Shqipërinë, kur unë nuk jam i pranishëm. Është njeri shumë i aftë dhe i çiltër. Shpesh e pijmë “ristreton” aty në kafené në Kombet e Bashkuara. Por më thotë: “Këtu kafeja është e mirë, por jo si në Itali. Puna është se uji është ndryshe atje. Edhe pizat janë më të mira kur shkoj atje për pushime“. Ka edhe gazetarë të tjerë që janë dashamirës ndaj nesh. Pasqyrat e shtypit janë tepër të rregullta në Kombet e Bashkuara.
5 Tetor. E përsëris, çdo ditë që kalon është një shkollë e veçantë për mua, si edhe për kolegët e mij. Është një punë metodike, njohje dita ditës me probleme të reja, me organizma të tjerë ndërkombëtarë. Megjithë kufizimet e kohës, këtu je i detyruar të mbulosh disa çështje, të përgatisësh një fjalim, apo ke lirinë të bisedosh me këdo: me përfaqësues të vendeve të ndryshme anëtare të OKB-së. Pak e nga pak, mësoj diçka më tepër për miqtë tanë argjentinas, algjerianë, por edhe për italianët, francezët, gjermanët, spanjollët, afrikanët. Historia e popujve është e pasur. Lexoj shpesh tregime e historira për këta popuj dhe ua tregoj edhe miqve të mij, të cilët entuziazmohen. Më bëhet qefi edhe kur ata dijnë diçka për Shqipërinë. Edhe unë përpiqem t’u sjell diçka të re, pa ato nota emocionale të fillimit, shpesh jashtë kornizave të përgatitura më parë. Fundi i fundit nuk ka asgjë të keqe të shprehësh një mendim tëndin për një problem të caktuar, edhe pse deri diku mund të duket si jashtë konteksit zyrtar. Ai është vetëm një mendim personal, ashtu siç shprehen edhe bashkëbiseduesit e mij këtu për vendet e tyre, apo politikën që ndjekin qeveritarët atje. Më pëlqen sidomos t’u flas për historinë e vendit dhe popullit shqiptar, për gjuhën që e ka ruajtur të paprekur megjithë pushtimet e shumta të huaja, për ndihmesën që ka dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe për ata italianë që dje kishin ardhur si ushtarë pushtues por që u strehuan nga familjet fshatare dhe më vonë u kthyen të lirë në tokën e tyre amë. Sa e sa familje shqiptare dhe italiane u miqësuan pas Luftës së Dytë Botërore, ku dhanë jetën edhe të afërm nga fisi im. Popujt, sidomos ata fqinjë gjithmonë duhet të jenë miq, pavarësisht se cili është regjimi që i drejton. Më pëlqen të flas sidomos me përfaqësues të shteteve europiane. Europa tani përbëhet nga shtete kombe, që në të kaluarën kanë qënë në luftë me njëri tjetrin. Por tani vërehet një etapë e re e historisë europiane. Historia e Europës pas kohës së luftrave dhe nacionalizmave, ka si drejtim kontaktet midis popujve, komunikimin dhe kritikën e përbashkët, shkëmbimet ekonomike, sociale e kulturore. Komuniteti Europian është një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në mënyrë të vërtetë vetëm në sajë të solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane.
8 tetor. Sot vizituam Muzeun e Historisë së Natyrës, pranë Central Park dhe rrugës numër 81. Atje sheh nga afër jetën e kafshëve të rajoneve të ndryshme të globit, maketin e madh të një balene ngjyrë blu, sallën e dinosaureve, seksionet e gjeologjisë, mineralogjisë dhe Planetarium. Ky muze është në të njëjtën kohë një muze historie të natyrës, por gjithashtu muze i njeriut. Aty gjenden dhe salla që i kushtohen artit dhe kulturës së popujve primitivë. Diçka tepër madhështore dhe mbresëlënëse në atë Nju Jorkun e bukur. Historia e njerëzimit përfaqësohet këtu me një muzé tepër dinjitoz. Nga profesorët dhe librat shkollorë kemi mësuar se njeriu rrjedh nga kafshët nëpërmjet procesit të evolucionit. Nga ana tjetër, Bilbla thekson se Zoti krijoi njeriun dhe format e tjera të jetës drejtpërdrejt, dhe jo në sajë të evolucionit. Të paktën tek re gjithkujt i lind pyetja a është fakt evolucioni? A mbështetet e ardhmja e qënieve njerëzore mbi të? Në fund të fundit, a është me të vërtetë e rëndësishme të dihet nëse njeriu e ka prejardhjen nga kafshët. Kam lexuar diku në një gazetë amerikane përkufizimin që i jepte një gazetar: “Evolucioni, me fjalë shumë të thjeshta, do të thotë që jeta ka përparuar duke u nisur nga organizma njëqelizorë, deri në formën e saj më të lartë, qënien njerëzore, me anën e një sere ndryshimesh biologjike që kanë ndodhur gjatë miliona vitesh”. Sipas vlerësimeve të arkeologëve, Njerëzimi duhet të ketë lindur që para pesëqind mijë ose bile një milion vitesh. Për ne do të jetë gjithmonë e pamundur që të dijmë saktësisht se çfarë përmbanin kafkat primitive. Por ne e dijmë tanimë me saktësi se shfaqja e jetës ndodhi qindra miliona vite, ndoshta një miliard vite, para ardhjes së njeriut në këtë tokë. Mund të thuhet se vetëm në të mijtën e fundit të karierës së jetës mbi tokë doli njeriu.
10 tetor . Fillova seancën tek komisioni i çarmatimit. Ndërkohë duhet të shkoj më pas edhe tek komisioni i tretë, si dhe here pas here tek komisioni i gjashtë, për çështjet juridike. Algjerianët janë shumë të sjellshëm, të veshur bukur dhe njerëz me kulturë. Si fqinjët tanë në seancë plenare, apo edhe në Komisionet e ndryshme, na ndihmojnë pa masë. Nëse unë duhet të shkoj për shembull, në komisionin e tretë, algjeriani që është në komisionin e gjashtë, më njofton nëse dikush ka folur për Shqipërinë. Megjithatë, organizimi këtu në Nju Jork, , tek Kombet e Bashkuara, është i përkryer. Shumë shpejt botohen “pasqyrat e shtypit” ku flitet për punën si dhe për fjalimet që mbahen në çdo komision apo seance plenare. Sidoqoftë, përsëri nuk e ndjen veten të sigurt, pasi diku në një komision, dikush mund të flasë shkarazi për vendin tonë apo për një problem të rajonit. Shtetet e mëdhenj anëtare të OKB-së kanë delegacione ku përfshihen dhjetra përfaqësues për çdo komision. Shqipëria është një vend i vogël dhe mundësitë nuk janë akoma që në delegacion të jenë shumë vetë.
14 tetor. Pas fjalimit të ministrit tonë të jashtëm u organizua një pritje ku ishin të pranishëm përfaqësues të sekretariatit të Kombeve të Bashkuara, si zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, si edhe delegacione pjesëmarrëse nga vendet anëtare të saj. Ndjehem më i çliruar. Mbi të gjitha atë mbrëmje pata rastin të njihesha edhe me shumë shqiptarë të ftuar që kishin ardhur në pritjen tonë. Flisnin me mall për vendin e tyre, si edhe për mangësinë që egzistonte si rezultat i largësisë nga Shqipëria dhe Kosova. Shumë nga fëmijët e tyre nuk e dijnë fare shqipen. Takova dhe patrioten time nga Fieri, motrën e dëshmores Liri Gero. Më fliste me mall për Fierin, për Gjanicën, për të njohurit atje, kishte njohur tim atë dhe Papuçinjtë që kanë lagjen e tyre atje brez pas brezi. Takova dhe intelektualë që kanë zënë vende nderi në administratën amerikane, si përgjegjës arsimi, ekonomistë të zotë të Uoll-Stritit. Ka edhe shqiptarë që punojnë në aeronatikë…
17 tetor. Këto ditë kam marrë pjesë në takimet e shumta të ministrit tonë të jashtëm me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Kam mësuar diçka më tepër sidomos lidhur me marrëdhëniet e vendit tonë me vendet fqinje. Diskutimet shpesh dalin jashtë kornizave të pasqyrave të shtypit. Kam fatin e mirë që gazetaria më ka ndihmuar edhe për të ndërtuar sa më me saktësi dhe vërtetësi lajmet që duhet të japim pas këtyre takimeve. Në fillim e kisha të vështirë dhe e shihja tek vërejtjet me takt që më bënte ministri lidhur me redaktimin e tyre. Tani e shoh se ka shumë më tepër besim mbi ato që hedh në letër. Mbi të gjitha Reizi është shumë njerëzor. Në jetë i është dashur të përballojë dhembje tepër të forta, por ka ditur t’i a dale mbanë me ndihmën e miqve dhe shokëve të shumtë. Është tepër familjar, dhe mendon gjithmonë për të shoqen dhe vajzat e tij. Darkave, ndodh që shpesh kur mblidhemi midis nesh për të pirë ndonjë gotë, pas një lodhje ditore, ai qëndron me ne, bisedon ashtu lirshëm, tregon historira të këndshme të jetës së tij në Nju Jork, si edhe në vende të tjera ku ka qënë si përfaqësues i Shqipërisë, sidomos për Nju Jorkun, Pekinin, apo udhëtimet e tij të shumta. Unë, megjithëse më mban afër, gjatë takimeve apo edhe gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mbaj njëfarë distance, jo vetëm për respekt për moshën e tij, por edhe pse megjithëse është njeri tepër i thjeshtë, rangu i tij nuk më lejon të bëj shaka apo të diskutoj më tepër para tij. Natyrisht, kur më pyet për një problem, i jap përgjigje, me aq sa di. Shpesh detyrohem të lexoj, pas një bisede me të, pasi njohuritë e tij janë shumë të thella dhe unë të paktën nuk dua të mbetem prapa. Dua të motivoj besimin që ka krijuar ndaj meje qysh kur lexoi atë komentin tim lidhur me një ngjarje në një vend të botës. Nuk dua të them se ai ishte shkaku kryesor i futjes sime në punën me Kombet e Bashkuara, por ndoshta duhej një shtytje në këtë drejtim. Pastaj, në një rast tjetër, tepër të koklavitur, si pjellë e një mendje dhe shpirti të zi të një ish-kolegut tim, Reizi më qëndroi pranë, në një kohë kur disa të tjerë më shihnin vëngër. Do ta kisha pësuar edhe unë si ai punonjësi fjalëpakë e i aftë që e hoqën nga MPJ sepse gjyshi i tij kishte qënë “kulak”?!!!…A mendojnë ndonjëherë këta njerëz se një jetë është, dhe gjynahet një ditë ata do të duhet t’i lajnë ose në këtë botë, ose në botën e përtejme? A mendon ndonjëherë ai shef i kuadrit me nofkën “bishë” se një ditë fëmijët e tij do të cilësohen si bij të një njeriu të kobshëm dhe shtazarak?! Pse nuk janë po këta njerëz partiakë si shumë të tjerë që janë të njerëzishëm.
18 tetor. Sot dolëm në Nju Jork, pas asaj jave të lodhshme në komisionet e OKB-së. Më bën përshtypje madhësia e Nju Jorkut, këtij qyteti kozmopolit. Gjithçka aty më duket e përkryer. Rrugët janë të drejta dhe numrat e tyre rriten gradualisht. Pamë edhe Rokfeler Center, një mrekulli, Broduein dhe Parkun e Nju Jorkut. Pamë nga larg edhe Statujën e Lirisë.Ky qytet me përmasa gjigande është krijuar në pikën jugore të ishullit Manhatan, ku shtrihet edhe lagja e biznesit: Uoll Strit. Nju Jorku është qendra e parë financiare në botë.Është një nga qytetet më të mëdha të botës, pas Tokios dhe Londrës. Ka rreth 10 milion banorë. Ai është i vendosur në shtetin e Nju Jorkut. Nju Jorku është ngritur në katër ishuj dhe një pjesë toke e zgjatur tek grykëderdhja e Hjustonit. Në fillim ka qënë koloni hollandeze. Në shekullin e 19-të ai u zgjerua me Bronksin, përtej lagjes së Harlemit. Pranë janë Long Ailend, lagjet e Bruklinit dhe të Kuinsit, Rishmondit, si dhe Steiten Ailend. Ka shumë grataçiela ku janë vendosur zyrat e shumta të konsorciumeve multinacionale. “Empair Steit Billding” me 102 katet e veta dhe 401 metra është një nga ndërtesat më të larta të globit.Në çdo lëvizje tonën nuk hasim asnjë pengesë, përkundrazi njerëzit janë shumë të sjellshëm kudo edhe në rrugë, edhe dyqane, si edhe në muzetë që vizitojmë. Të bën përshtypje që Nju Jorku ka shumë obezë, të cilët pasi hanë në « fast-food » vrapojnë për të hequr kilet e tepërta. Makinat janë automatike. Pragmatizmi amerikan duket në çdo çast. Elektriciteti është vetëm 110 volt. Dyqanet janë plot me mallra. Tek dyqanet e çifutëve pranë rrugës 14 gjen copëra dhe kostume me çmim të arsyeshëm. Tek koreanët duhet të blesh orë ose zbukurime vetëm duke filluar nga 12 copë. Në Broduej shef policë me kuaj por edhe natën mund të shëtisësh aty pa frikë, sepse vendi është i ndriçuar dhe i sigurtë.
20 tetor. Sot shkuam në Harlem, lagja ku banojnë pjesa më e madhe e popullsisë zezake. Rruga 105 është e çuditshme, plot me magazina, por edhe me zezakë me manjetofonë të mëdhenj që e ngrejnë zërin e tyre në kupë të qiellit. Shokë të Misionit na kanë thënë se atje nuk ndodh asgjë nëse shkon me kollaro, pasi zezakët kujtojnë se je i FBI. Është një treg më i lirë se brenda në Nju Jork, ashtu si edhe tek çifutët, tek “Doun Toun”.
21 Tetor. Sot u zhvillua takimi midis ministrit tonë të jashtëm Reis Malile dhe ministrit të jashtëm grek, Karolos Papulias. Një takim shumë i ngrohtë. Papulias e njeh mirë Shqipërinë, pasi ka qënë disa herë, është njeri shumë dashamirës, me karakter, me ato thinjat e bardha të tij që i japin hijeshi dhe me sy të zgjuar. Flet me shumë aftësi për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është i predispozuar që ato të zhvillohen më tej. Duket një predispozicion i mbarë në këtë drejtim nga pala greke. Papulias ka mik edhe një aktor të dëgjuar nga Fieri im dhe ka letërkëmbim me të. Flet dhe për Europën dhe popujt që e përbëjnë atë, duke përfshirë dhe Shqipërinë.
Tradita dhe trashëgimia europiane, origjina e të cilave shkojnë deri te Greqia e vjetër, luajnë drejtpërdrejt ose indirekt, një rol të madh në mendimet dhe konceptet teorike të politikanëve të rinj të këtij shteti fqinj të Shqipërisë. Europa ka si kufij Atlantikun, Oqeanin Arktik, Uralin, Mesdheun, brigjet veriore dhe perendimore të Pont-Euxin dhe më në jug Bosforin dhe Hellespontin. Pa botën e Mesdheut, Europa nuk do të ishte e plotë dhe fizionomia e saj do të ishte e mangët, pasi vlera politike dhe ekonomike, kulturore, shpirtërore e Mesdheut kanë një rëndësi të madhe për civilizimin europian.
27 Tetor .Takoj kolegët egjiptianë që janë të kulturuar dhe të afruar. U flas për Kajron ku kam qënë disa herë, si dhe për Farukun simpatik që na shoqëronte gjatë qëndrimit të parë kur mora pjesë në një kongres të sindikatave. Atëhere kongresi u shty disa herë, pasi dokumentat nuk ishin gati. Ne përfituam për të shëtitur në Kajro. Vizituam Piramidat e famshme, pamë Sfinksin, një miniaturë të të cilit e ruaj të relike të rrallë.Mësuam edhe për Muhamet Aliun (1805-1849) i cili si guvernator dhe sulltan i Stambollit, më vonë mori pushtetin absolut në Egjipt. Ai krijoi bazat e modernizimit dhe të industrializimit të vendit. Ai bëri të vinin në Egjipt ekspertë evropianë dhe krijoi me ndihmën e tyre shkolla dhe akademi ushtarake. Futi kulturën e pambukut dhe një korrje në verë e saj, i siguronte Shtetit burime të reja të ardhurash. Ai u dha toka fshatarëve dhe zgjeroi rrjetin e ujitjes duke vendosur monopolin e shtetit dhe duke krijuar kushtet e nevojshme për kulturën dhe eksportimin e pambukut. Muhamet Aliu njihet si „Babai i Egjiptit modern“. Me këshillat e ekspertëve evropianë ai zhvilloi rrjetin rrugor, industrializoi vendin duke krijuar filatura, uzina të endjes, kantjere detare. Ai organizoi tregtinë ndërkombëtare, të mbrojtur nga taksa doganore shumë të larta. Gjithashtu, ai reformoi arsimin duke u bërë thirrje profesorëve të huaj, dhe në të njëjtën kohë studentë shkonin në Evropë për të përsosur dijet e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknikës.
Më bënte përshtypje në Kajro se në një dyqan mund të qëndronin katër vetë duke biseduar me nargjile. Gjithashtu, nëse do të hipje në ashensor, duhej të kishe të holla gati për t‘i dhënë djaloshit që të hapte derën. Hotelet, ndërtesat zyrtare janë shumë të larta dhe stili amerikan i „City“ është më i dukshëm, me neonet shumëngjyrëshe të reklamave dhe autostradat e gjëra që rrethojnë qytetin. Kajro është edhe qyteti i kupolave, minareve, por edhe i veturave të shumta dhe një trafiku maramendës.
2 nëntor. Ndërtesa e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është madhështore. Ajo ndodhet buzë lumit Ist River i cili është tepër i gjërë. Shpesh herë ulem tek kafeneja e OKB-së që është përballë dhe shoh kalimin e anijeve apo edhe të helikopterëve që siç duket ngrihen aty diku afër. Të shkruash për Nju Jorkun dhe madhështinë e tij, duhen faqe të tëra. Sidoqoftë, brezat tanë të ardhshëm do të kenë fatin të vijnë lirisht në Amerikë, në këtë vend të lirisë dhe demokracisë së vërtetë. Nuk mund të them se edhe këtu gjithçka është e përkryer, por merr frymë lirisht.