| E merkure, 03.06.2009, 09:26 PM |
KLINTONI DHE FËMIJËT E KOSOVËS
(Në prag te inagurimit të statujes së Presidentit Bill Klinton në Prishtinë)
Nga Sami ISLAMI
Tani në kohën kur në media po qarkullon lajmi se në Prishtinë , së shpejti do të ngritet shtatorja e ish presidentit Bill Klinton, më erdhën në mendje kujtimet ende shumë të freskëta, pas përfundimit të luftës në Kosovë erdhi edhe presidenti i atëhershëm dhe miku i vërtetë i të gjithë shqiptarëve. Atëherë këtë privilegj e pat qyteti i Ferizajit. Ky qytet qe i privilegjuar sepse qe qyteti që u vizitua për herë të parë nga një president i SHBA-ve. Kush do ta besonte se një qytet i vogël, në jug të Kosovës heroike, e cila u shqua për luftën e saj të madhe për t’iu kthyer jetës, do të bëhej një ditë ”residencë“ e një kryetari të SHBA-ve! Ja që nganjëherë gjërat vijnë edhe pa u parashikuar! Presidenti, miku më i madh, jo vetëm i popullit shqiptar të Kosovës, por edhe miku më i madh i të gjithë shqiptarëve, presidenti Bill Klinton, erdhi në Kosovë, erdhi në qytetin rrëzë Sharrit legjendar.
1
Më kujtohet kur i madh e i vogël dolën ta prisnin mikun e tyre. E pse të mos dilnin? Shqiptarët edhe ashtu e kanë traditë mikëpritjen, por kur është fjala për një personalitet që bëri aq shumë për këtë popull të shumëvuajtur, po që lidhet edhe e ardhmja e Kosovës, kjo mikëpritje merr një kuptim më të gjerë. Ishte kohë e ftohë e me borë e sqotë , kur në qendrën sportive u tubuan ferizajasit t’i prisnin miqët nga Amerika! Bashkë me ish-presidentin Klinton qe edhe ish- sekretarja e Shtetit, Madelenë Ollbrajt.
Ajo që ishte e veçantë në këtë vizitë ishte se ish- presidenti Klinton dhe ish-sekretarja Ollbrajt u takuan me më të vegjëlit, më të njomët, me më të çiltrit e botës, me fëmijët ferizajas! Dhe komunikimi i presidentit amerikan me këta fëmijë, ishte nder i madh që po i bëhej tërë popullit shqiptar. Asnjë herë deri më tani nuk më ka rënë të shoh presidentin Klinton të ishte aq i emocionuar. Fundja s’kishte si të mos ishte i tillë, në një mjedis, i rrethuar me bilbilat e Kosovës. Përshëndetjet e tyre drejtuar presidentit qenë sa miqësore aq edhe modeste. Se ku ka fjalë më e madhe kur nga goja e një fëmije del fjala drejtuar presidentit Klinton; ” Ju na premtuat se do të na ktheni në shtëpi dhe e mbajtët fjalën“ .
Po ku ka gjë më të shenjë se shtëpia? Në fakt ky qe imperativi i këtij fëmije dhe i mijëra e mijëra fëmijëve të tjerë të Kosovës, që i përjetuan tmerret e luftës, bashkë me tërë popullin e Kosovës. Dhe vërtetë kërkesë dhe dëshirë më elementare se kjo nuk di se mund të ketë?
Miku i mirë, dihet në ditë të vështirë- thotë populli. Dhe miqët e vërtetë të shqiptarëve u panë në luftën e fundit. SHBA-të dhe aleanca Atlantike në këtë fundshekull dhe në këtë fundmilenium bënë një mrekulli përsa i takon zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi. Kjo gjë duket edhe sot se Amerika bëri që shqiptarët, në përgjithësi të bënin një kthesë të madhe drejt lirisë , demokracisë…
E kam në mendje edhe faktin se kur u pa që shqiptarët po përjetonin golgoten më të pa parë të fundshekullit të kaluar, vetëm SHBA-të dhe Aleanca Perëndimore, përfundimisht i tha ”JO“ kësaj mynxyre të Serbisë. Këtë e përsëriti edhe ish-Presidenti amerikan, miku më i madh i popullit shqiptar, mu para ferizajasve: ”Z. Millosheviq deshi që t’ju nxjerr të gjithëve jashtë, por ne i thamë ”JO“. ”Ne e fituam luftën, por dëgjoni, vetëm ju mund ta fitoni paqen!...”, qenë fjalët që asnjë shqiptar nuk i ka harruar dhe nuk do t’i harrojë për tërë jetën.
Skenat më rrënqethëse që ishin parë ndonjëherë në historinë e re të luftërave, u panë në Kosovë. Dhe s’thuhej kot se Kosova ishte fuçi baruti. Hasmëria e regjimit të Millosheviqit për të asgjësuar çdo gjë shqiptare u pa. Bota e pa dhe u bind se karvanet e ikjes së shqiptarëve nga shtëpitë e tyre përbënin një tragjedi të re të popullit tonë. Këtë tragjedi e përjetuan në kurrizin e tyre edhe më të njomët edhe më të pafajshmit e botës, më të çiltrit, fëmijët. Pra e pësuan edhe ata fëmijë, të cilët ditën aq mirë t’ia shprehin brengat, aspiratat dhe dëshirat e tyre edhe presidentit amerikan në Ferizaj. Në ekzodin e paparë, do të thoshim biblik, të shqiptarëve, njëri nga poetetët më të medhenj të kohës së sotme, i cili edhe ai vetë e përjetoi këtë katrahurë, dhe që jeton në Amerikë, qe poeti Zeqir Gërvalla. I gjendur në Bllacë , në mes të refugjatëve të të gjitha moshave, pat shkruar edhe këto vargje:
Tmerrin e Bllacës
Kush e përjetoi
“Ferrin” e Dantes
S’ka pse ta lexojë.
Dhe nga ky tmerr faktori amerikan, në rend të parë, por edhe miqtë europianë bënë që shqiptarët të mbijetojnë. Se vërtetë, gjatë historisë së vet shqiptarët nuk kanë pasur ndonjë aleat aq të madh dhe të vendosur për t’i ndihmuar si në luftë, ashtu edhe në paqë, siç qe Amerika dhe presidenti i saj Bill Klinton. Një kësi gjesti human kishte bërë edhe presidenti Wilson, në prag të Konferencës së Versajes, ku po planifikohej që edhe Shqipëria londineze të zhdukej fare. Fale vetos së presidentit Wilson atëhere shpëtoi Shqipëria. Tani falë ndihmës së presidentin Klinton Kosova fitoi pavarësinë dhe u njoh prej 60 shteteve.
Në këtë rrugë të gjatë dhe të mundimshme për gjysmën e popullit shqiptar, paqja erdhi. Erdhi me 17 shkurt të vitit 2008 kur Kosova i dha fund robërisë me një shekullore nën pushtetin serb.
Kështu, para se të largoheshin nga Ferizaji, ish- presidenti Klinton, ish-sekretarja e shtetit Ollbrajt, i premtuan popullit të Kosovës, por mbi të gjitha fëmijëve të Kosovës se vuajtjet e popullit shqiptar kishin përfunduar, hasmëritë e vjetra dalëngadalë do të ikin, kurse fëmijëve iu drejtuan me këto fjalë:”Ju fëmijë do të rriteni në liri, me përkrahjen amerikane“! Premtim domethënës, apo jo?
Tani, pas 10 vitesh , presidentin Klinton Kosova do të nderojë ndryshe. Do të derdh statujën e tij ne bronx, ( që janë raste të rralla kur për së gjalli t’i ngrihet dikujt një shtatore si kjo që e kemi fjalën) për të qëndruar përgjithmonë në Kosovë. Tani do të qëndrojë në kryeqytetin tonë dhe dhe do të vendoset në pjesem e qytetit ku edhe është bulevardi me të njejtin emër: Bulevardi Bill Klinton. Nuk e di , kështu ndoshta ne, do të mund t’ia shpërblenim deri diku aktin e madh që bëri ai dhe në të njejtën kohë, krejt Amerika për lirinë e më se 2 milion shqiptarëve. E fëmijët e Kosovës do të jenë ata që do tas kujtojnë më gjatë presidentin Klionton.