E diele, 28.04.2024, 12:44 AM (GMT+1)

Speciale

Hajro Hajra: Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq

E enjte, 04.06.2009, 08:13 PM


Projekti për zhdukjen e shqiptarëve i nobelistit Andriq

Nga Hajro Hajra

Plane, projekte, memorandume e elaborate për pushtimin e trojeve shqiptare, për shpërnguljen e pjesshme ose të plotë të shqiptarëve nga dheu i tyre, për asimilimin a tjetërsimin e pjesshëm ose të plotë të tyre, ose edhe për zhbërjen e plotë të popullit shqiptar, janë bërë shumë, sidomos nga shekulli XIX e këtej. Kësaj valleje antishqiptare i kanë prirë dhe vazhdojnë t’i prijnë edhe sot, kryesisht ato shtete e qeveri shtetesh, të cilat më së paku kanë të drejtë të jenë aq të zellshme për t’i vënë në veprim gjithë mekanizmat shtetërorë e joshtetërorë, fetarë e jofetarë dhe gjithë potencialin intelektual kundër një populli në trojet e të cilit janë ulur këmbëkryq. Orekset e tyre pushtuese nuk janë kënaqur asnjëherë dhe me siguri nuk do të kënaqen kurrë, sepse në logjikën e atij që ka pushtuar një herë, është të pushtojë përherë.
Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët, metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë.
Programi i parë politik i Serbisë së Madhe është Naçertania (Projekti) i Ilia Garashaninit i vitit 1844. Një tjetër dokument antishqiptar është Memorandumi i Vasa Çubriloviqit me titull “Iseljavanje Arnauta” (Shpërngulja e shqiptarëve), një referat që Çubriloviqi kishte mbajtur në Klubin Kulturor Serb më 7 mars 1937 (dërguar qeverisë së M. Stojadinoviqit), ku propozonte dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Propozimet e Çubriloviqit kishin pikëmbështetje idetë e Naçertanies së Garashaninit dhe “opsionet lindore” të Nikolla Pashiqit, që nënkuptonin daljen e Serbisë në Detin Egje nga Selaniku dhe sigurimin e Ngushticës së Otrantos nga Shqipëria e Veriut.
Këto pikëpamje Çubriloviqi do t’i mbronte edhe pas përfundimit të luftës antifashiste, kur kishte përsëritur edhe një herë idenë e tij për spastrimin e territoreve jugosllave nga shqiptarët dhe nga pakicat e tjera në një referat të tijin që e kishte lexuar më 3 nëntor 1944 para udhëheqjes më të lartë shtetërore e partiake të Jugosllavisë së Re.
Konventa Jugosllavo-Turke e vitit 1938 për dëbimin me forcë të shqiptarëve në Anadolli, ishte po ashtu një projekt, në vazhdën e projekteve antishqiptare.
Një plan tjetër antishqiptar është Elaborati famëkeq i Ivo Andriqit.
Ivo Andriqi (1892-1975) një serb nga Bosnja, i cili përveç si shkrimtar (madje edhe fitues i Çmimit Nobël për letërsi në vitin 1961), është i njohur edhe si diplomat i rryer, me një përvojë shërbimi njëzetvjeçar  në diplomaci, në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Në vitet 1937-1939, Andriqi ishte emëruar zëvendësministër i punëve të jashtme në qeverinë mbretërore të Milan Stojadinoviqit dhe gjatë asaj kohe kishte kryer detyra shumë të ndjeshme e me përgjegjësi. Në janar 1939, pas një vizite që ministri i punëve të jashtme të Italisë Galeaco Çano kishte bërë në Beograd dhe kishte pasur takim me kreun e qeverisë mbretërore Stojadinoviq (ku temë bisedimesh kishte qenë edhe çështja shqiptare), ky i fundit e kishte angazhuar Andriqin që të hartonte një përkujtesë zyrtare (Aide Memoire) lidhur me çështjen shqiptare, për nevoja të brendshme të qeverisë së punëve të jashtme. Andriqi e kishte kryer me zell të madh detyrën që i ishte dhënë dhe Aide Memoire kishte qenë gati më 30 janar 1939.
Ky dokument ruhet në Arkivin e Serbisë, Fondi i Milan Stojadinoviqit. Për herë të parë e ka publikuar historiani kroat Bogdan Krizman më 1977 në «?asopis za suvremenu povijest» (Revistë e historisë bashkëkohore), më 1977, me titull “Elaborati i dr. Ivo Andriqit për Shqipërinë i vitit 1939”, shoqëruar me një koment. Publikimi i këtij dokumenti sekret kishte ngjallur asokohe reagime e polemika të shumta në qarqet serbe. Në Serbi ky dokument është publikuar për herë të parë më 1988, në revistën “Sveske”, Fondi i Andriqit.
Përkthimi i plotë që po japim këtu është botuar së pari në revistën “Fjala” të Prishtinës, më 1 maj 1990, faqe 11-12. Është ky publikimi i parë i Elaboratit të Andriqit në gjuhën shqipe botuar në Kosovë (më parë ky Elaborat është botuar shqip më 1981, përkthyer nga Jusuf Gërvalla në gazetën “Zëri i Kosovës” që botohej në diasporë dhe që shpërndahej ilegalisht në Kosovë e në troje të tjera shqiptare).
Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Ivan Vukotiqi kishte hartuar një tjetër elaborat, më 3 shkurt 1939. Aty në mënyrë fare konkrete flitej për ndarjen e Shqipërisë, si një mënyrë e mundshme për pengimin e depërtimit italian në Ballkan. Edhe ky dokument është botuar shqip më 1990 në revistën “Kosovarja” të Prishtinës (përkthyer nga H. H.).
Në vargun e dokumenteve antishqiptare bën pjesë edhe “Marrëveshja xhentëlmene” për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, nënshkruar në Split të Kroacisë më 1953 nga Mareshali Tito (për të cilin mjaft shqiptarë të Kosovës kanë edhe sot nostalgji) e përfaqësuesi turk Fuad Kyprili. Kjo marrëveshje ishte ripërtëritje e Konventës së vitit 1938.
Këto plane, projekte e memorandume djallëzore nuk janë as të parat, as të vetmet që janë drejtuar e vazhdojnë të drejtohen kundër shqiptarëve. Synimet antishqiptare të Serbisë po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ajo edhe sot, më shumë se një vit pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, vazhdon të sundojë pjesë të Kosovës, kurse në trojet etnike shqiptare që kanë mbetur brenda kufijve të saj politikë, vazhdon terrorin me të njëjtin intensitet. Gjysmë-shteti shqiptar, sot i mbytur në korrupsion, rrezikon të gllabërohet nga fqinji i saj Greqia (nga e cila aktualisht është e varur pothuaj tërësisht në pikëpamje ekonomike), e cila sa i përket çështjes shqiptare, ka pasur dhe vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë me atë të Serbisë. Shqiptarët në Mal të Zi e në Maqedoni, ndonëse në trojet e tyre etnike, vazhdojnë të përbuzen e të trajtohen sikur të ishin ardhacakë, paçka se krerët politikë shqiptarë, që atdhe kanë interesin personal, flasin për përparim të të drejtave të shqiptarëve atje.
Quo Vadis, shqiptarë?

*   *   *

ELABORATI I ANDRIQIT PËR SHQIPËRINË

I
LUFTA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA

Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik

Sipas aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për aleancën ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë të datës 26 shkurt 1912, Serbisë i njihej e drejta në territoret e deriatëhershme turke në veri dhe në perëndim të malit të Sharrit. Lidhur me këtë dispozitë, duke synuar t’i siguronin vendit të tyre dalje në det, më 15 nëntor 1912 trupat serbe hynë në Lezhë dhe dalëngadalë pushtuan tërë Shqipërinë Veriore, deri në Tiranë dhe në Durrës. Më 25 nëntor në ”Times” të Londrës u publikua deklarata e Pashiqit, ku thuhej se Serbia e kërkonte Durrësin me pjesën më të madhe të prapatokës.

Krijimi i Shqipërisë autonome

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, ndërkaq, më 1912 mori vendim për krijimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo Konferencë, më 20 mars 1913 vendosi që Shkodra t’i lihej Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranonte vendimin e fuqive të mëdha. Këtë vendim të sajin e përkrahu Serbia, e cila dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e Mëdha vendosën (më 21 mars) të bënin demonstrimin detar, nga i cili u përmbajt vetëm Rusia. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Barit, i detyruan trupat serbe të tërhiqeshin nga pozicionet afër Shkodrës.

Bllokada e bregdetit malazias

Më 10 prill Fuqitë e Mëdha shpallën bllokadën e brigjeve të Malit të Zi, mirëpo qeveria e Malit të Zi vazhdonte ta mbante të rrethuar Shkodrën , e cila kapitulloi më 20 prill. Megjithatë, kral Nikolla u detyrua të lëshonte pe dhe, më 4 maj, në një telegram që i dërgon sër Eduard Grejit (Sir Edward Gray), fatin e Shkodrës ua dorëzon fuqive të mëdha. Pushtimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej 5 majit 1913 deri në fillim të Luftës Botërore.

II
NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI NDËRMJET SERBISË DHE GREQISË

Edhe pse Serbia qe detyruar të tërhiqej nga Adriatiku dhe nga Shqipëria e Veriut nën trysninë e fuqive të mëdha, në radhë të parë të Austrisë, ajo nuk i humbiste shpresat. Në deklaratën e 19 majit 1913, e cila ishte shtojcë e fshehtë e Marrëveshjes së aleancës në mes të Greqisë dhe Serbisë, ishin ndarë sferat e interesit ndërmjet Greqisë dhe Serbisë në Shqipërinë e porsaformuar autonome. Territori që shtrihet në veri të grykës së lumit të Semanit në det, rrjedhës së këtij lumi deri te Gryka e Devollit, pastaj përgjatë Devollit deri te Mali i Kamjes – bënte pjesë në sferën e ndikimit grek. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet do të merreshin vesh për qëndrimin që do të  merrnin. Këto janë kërkesat maksimale që i kemi shtruar ndaj Shqipërisë në një dokument të shkruar.

III
PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA

Pakti  i Londrës i lidhur më 26 prill 1915 ndërmjet Francës , Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë përmbante këto dispozita lidhur me Shqipërinë:
1. Në vërejtjen e nenit 5 thuhet: “Katër fuqitë aleate do t’ua ndajnë Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi këto vise të Adriatikut: (...) Në Adriatikun e poshtëm (në viset të cilat u interesojnë Serbisë dhe Malit të Zi) tërë bregdetin, nga Kepi Planka deri te lumi Drin, me portet e rëndësishme të Splitit, të Ulqinit dhe të Shëngjinit (...) porti i Durrësit do t’i ndahet shtetit të pavarur mysliman, Shqipërisë”.
2.  Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në zotërim të plotë Vlorën, ishullin Sazan, si dhe një territor mjaft të gjerë, të nevojshëm për mbrojtjen e tyre, domethënë pjesën ndërmjet lumit të Vjosës në veri dhe në lindje, kurse në jug deri në Himarë”.
3.  Në nenin 7 thuhet: “Po të formohej shteti i vogël autonom i pavarur i Shqipërisë , Italia nuk do t’i kundërvihej dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë që viset veriore dhe ato jugore të Shqipërisë të ndahen ndërmjet Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”. “Italia do të fitonte të drejtën t’i udhëhiqte punët e jashtme të Shqipërisë”.
Pra, që më 1915 fuqitë e mëdha miratojnë parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe Italia, Serbia e Greqia pranojnë se në Shqipëri kanë interesat e tyre. Derisa këtyre dy shteteve ballkanike u jepet e drejta e korrigjimit të kufijve, Italisë i lihet Vlora si dhe protektorati mbi Shqipërinë e cunguar.

IV
SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES

Pikëpamjet e fuqive të mëdha

Në Konferencën e Paqes fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), kishin propozuar, në rend të parë për Shqipërinë , në veri dhe në jug, ata kufij që ishin caktuar në Konferencën e Londrës më 1913; e njihnin sovranitetin e plotë të Italisë mbi Vlorën dhe prapatokën e nevojshme dhe ia jepnin Italisë mandatin për administrim të lirë të shtetit shqiptar nën kontrollin e  Lidhjes së Kombeve (Memorandumi i 9 dhjetorit 1919).

Pikëpamjet tona
(Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipërinë e pavarur. Argumentet për korrigjimin e kufijve dhe për marrjen e Shkodrës e të Shqipërisë Veriore).

Në përgjigjen tonë të datës 8 janar 1920 ne e hodhëm poshtë propozimin që Italisë t’i jepej mandati mbi Shqipërinë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës e Hercegovinës. “Kjo zgjidhje, thuhet në përgjigjen tonë, do të krijonte në favor të Italisë kufij ofensivë kundër shtetit tonë, i cili do të privohej nga mjetet për t’u mbrojtur. Kjo në njëfarë mënyre do të thoshte epërsi ofensive, kurse në anën tjetër vartësi e përsosur strategjike.
Për shkaqe ekonomike dhe strategjike ne kemi kërkuar që të bëhet korrigjimi i kufirit tonë (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe me fiset Kelmendi e Kastrati), që i kishte caktuar Konferenca e Londrës më 1913. Përveç këtij korrigjimi, delegacioni ynë kishte deklaruar se zgjidhja më e mire do të ishte sikur Shqipëria të bëhej shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913, me administrim autonom.
Nëse nuk do të pranohej kjo zgjidhje ose nëse pjesa jugore e Shqipërisë do t’u përkiste shteteve të tjera, delegacioni ynë kishte kërkuar për ne pjesën veriore të Shqipërisë deri në Drin. “Shteti ynë ka të drejta të moçme në këto vise, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra është kryeqyteti i dikurshëm i sundimtarëve serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e 1913-s, në të cilën Serbia humbi disa mijëra ushtarë të vet, kurse Mali i Zi një të tretën e ushtrisë së vet. Për t’i kënaqur dëshirat e fuqive të mëdha, trupat serbe dhe malazeze lëshuan Shkodrën dhe Shqipërinë Veriore. Austria, duke e mobilizuar ushtrinë, kërcënohej me luftë. Shkodra do t’i përkiste Malit të Zi, po të pranonte ky i fundit t’ia linte Llovqenin Austrisë, ose të ishte neutralizuar, mirëpo Mali i Zi refuzoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozicion të rëndësishëm strategjik”.
“Shkodra është në lidhje edhe me lumin Buna, i cili i hap udhë natyrore tregtisë së Malit të Zi në det. Edhe me Marrëveshjen e Berlinit Mali i Zi gëzonte të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Pjesa më e madhe e Liqenit të Shkodrës i përket Malit të Zi. Shkaku i pakujdesisë së turqve, sipërfaqet më të mira të Malit të Zi edhe më tutje janë të përmbytura nga uji i Liqenit të Shkodrës. Për këtë shkak shtetin tonë e intereson më së shumti rregullimi i Bunës dhe i Drinit, jo vetëm për shkak të lundrimit në Bunë, por edhe ngase në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri në 20.000 ha të tokës më pjellore dhe po aq hektarë do të ktheheshin në tokë buke. Dy të tretat e kësaj toke i përkasin Malit të Zi”.

Pikëpamjet italiane
(Sipas Memorandumit të 10 janarit 1920)

1. Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandatin për ta administruar shtetin e pavarur shqiptar.
2. Kufijtë shqiptarë në veri dhe në lindje do të jenë ata që janë caktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri jugor do të jetë objekt shqyrtimi.
3.  Qytet i Vlorës do t’i jepet Italisë nën sovranitet të plotë, bashkë me prapatokën e nevojshme për mbrojtjen dhe zhvillimin e qytetit.

Aleatët pranojnë që Shkodra dhe Shqipëria e Veriut t’i bashkohen Jugosllavisë

Duke propozuar një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, Klemanso, në cilësinë e nënkryetarit të Konferencës së Paqes, lidhur me lëshimin e Rjekës Italisë, kështu u tha Pashiqit dhe Trumbiqit më 13 janar 1913: “Pra, Shteti Serbo-Kroato-Slloven do të ngrihet në kulmin e fuqisë së vet, pasi t’i ketë në zotërim Shkodrën, Drinin dhe Shëngjinin”
Ne nuk pranuam që Italia ta mbante Vlorën dhe ta merrte mandatin mbi Shqipërinë.

Përgjigjja ynë e fundit Konferencës së Paqes

Në përgjigjen tonë të fundit Konferencës së Paqes (më 14 janar 1920), ne edhe më tutje mbronim pikëpamjen se zgjidhja më e mirë do të ishte që administrimi i Shqipërisë në kufijtë e caktuar më 1913 t’i besohej qeverisë autonome lokale, pa përzierjen e cilësdo fuqi të huaj. Nëse nuk pranohet kjo zgjidhje, por merret vendim që pjesë të territorit shqiptar t’u jepen shteteve të tjera, delegacioni ynë kishte kërkuar pjesën e Shqipërisë Veriore (duke bashkëngjitur një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën kishte premtuar regjim autonom.

Pikëpamja e Pashiqit

Kur dukej e sigurt se aleatët do t’i lejonin Italisë të përforcohej në Shqipërinë e Mesme, kryetari i delegacionit tonë, Pashiqi, e njoftonte më 1919 qeverinë tonë në Beograd se kishte ardhur momenti që, të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshojmë politikën  tonë ndaj Shqipërisë.
Në atë letër thuhej: “Pasi në Shqipëri nuk mund ta kthejmë gjendjen çfarë ka qenë para evakuimit të ushtrisë sonë dhe të shtetit të parë të Esad Pashës për shkak të depërtimit të Italisë dhe të përkrahjes së Italisë nga ana e fuqive; pasi fuqitë duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe s’do të ketë Shqipëri çfarë kemi mbrojtur ne, porse aleatët do t’ia japin Italisë Vlorën me prapatokën dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë - ne, në rrethana të tilla, duhet të kërkojmë kufij të tjerë më të mirë me territoret shqiptare që do të bien nën protektoratin italian”.
“Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri përgjatë Drinit të Zi deri te gryka e Drinit të Bardhë dhe prej Drinit të Bardhë deri në det”.
“Maksimumin duhet ta kërkojmë, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak territore. Ky maksimum i mëtimeve tona do të ishte: lumi i Matit deri në burimin e tij, kurse prej andej drejt nga lindja deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë tanë me protektoratin italian”.

V
PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA PËRFUNDIMTARE PAS MOSSUKSESIT TE VLORA


Pas përfundimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak ndërmjet aleatëve, trupat italiane pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesën veriore, të cilën na e kishte njohur Pakti i Londrës. Vetëm Shkodra ishte nën pushtimin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane.
Për shkak të qëndrimit armiqësor që Italia kishte asokohe ndaj shtetit SKS, ne e kemi konsideruar këtë pushtim ushtarak italian të Shqipërisë si rrezikun më të madh për ekzistencën tonë. Ne truallin shqiptar është zhvilluar një luftë e ashpër ndërmjet nesh dhe Italisë. Prej andej italianët inicuan çështjen malazeze dhe atë maqedonase, si dhe idenë për Shqipërinë e Madhe deri në Kaçanik. Kundër tyre ne kemi zhvilluar herë aksione të fshehta, herë të hapura, duke e bërë për vete më parë parinë shqiptare dhe duke u shërbyer me idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkanin popujve të Ballkanit”.
Pakënaqësia e popullatës shqiptare, të cilën e përkrahnim edhe ne, i detyroi italianët t’i tërhiqnin trupat e tyre nga brendia e Shqipërisë në fillim të 1920-ës dhe të mbeteshin vetëm rreth Vlorës, prej nga po në qershor të atij viti do të detyrohen të tërhiqen, duke arritur një marrëveshje me qeverinë e Tiranës për evakuimin e mbarë territorit shqiptar, përveç ishullit të Sazanit.
Evakuimi i Shqipërisë, pra, u bë për shkak të qëndresës së organizuar të shqiptarëve, porse nuk duhet harruar se në atë kohë Italia ishte shumë e dobët politikisht dhe ushtarakisht. Edhe sot ka shqiptarë të cilët mendojnë se mund t’i përzënë italianët nga Shqipëria kur të duan. Për ta ky vetëbesim është fatal, sepse nuk e shohin që Italia e sotme fashiste nuk është ajo që ka qenë më 1920 nën qeveritë parlamentare të Nitit, të Gjolitit e të Faktos.

VI
SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE

Pasi me evakuimin e Shqipërisë nga trupat italiane qe spastruar situata në terren, Konferenca e Londrës në nëntor të vitit 1921 mund të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran. Në vend të premtimeve të mëhershme lidhur me Vlorën dhe me mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj të posaçëm për ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më shumë pavarësinë e saj. Edhe një herë tentuam më kot para Konferencës së Ambasadorëve që të realizonim korrigjimin e kufirit me Shkodrën dhe me Drinin, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike, kurse për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të trafikut. Eksperti francez i Konferencës Laroshi na ngushëllonte me këto fjalë: “Qeveria mbretërore ka gabuar që nuk e ka miratuar asokohe propozimin e Francës për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit kishte refuzuar”. Ne qemë detyruar të hiqnim dorë nga Shkodra dhe nga kufiri deri në Drin, në mënyrë që të mos i linim italianët në Vlorë. Meqenëse ne gjithmonë e kemi përfaqësuar idenë e pandashmërisë së territorit shqiptar, ashtu siç ishte caktuar më 1913, si dhe të pavarësisë së Shqipërisë, mund të supozohet se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve është e kënaqshme për ne. Megjithatë, nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë, po grumbullohen edhe më tutje, megjithëse Shqipëria është shpallur shtet i pavarur dhe është anëtare i Lidhjes së Kombeve.

Republika e Mirditës

Derisa Konferenca e Ambasadorëve po zgjidhte çështjen e kufijve të Shqipërisë dhe organizimin e pavarësisë së saj, më 1921 ne nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi me parinë e Mirditës. Parashihej formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe interesat e jashtme të të cilit do t’i përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shoi këtë lëvizje, kurse ne qemë akuzuar dhe dënuar para Lidhjes së Kombeve.

VII
PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA

Pakti i Romës i janarit të vitit 1924, me frymën e tij, ua imponoi edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë rreth ngjarjeve në Shqipëri. Kjo, ndërkaq, nuk ishte pengesë që qeveria italiane ta ndihmonte Fan Nolin, në qershor 1924, për të organizuar kryengritje kundër Ahmet Zogut dhe që qeveria jonë, po atë vit, në dhjetor, t’i mundësonte Ahmet Zogut ta sulmonte Shqipërinë nga territori ynë dhe ta merrte pushtetin. As Roma, as Beogradi nuk mund t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të tyre shqiptarë, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë ndërronin orientimin.

VIII
PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI KY PAKT

Duke i udhëzuar përfaqësuesit tanë që do të punonin në Shqipëri, Pashiqi u thoshte: ne dëshirojmë Shqipëri të pavarur, por Shqipëri të dobët dhe jostabile.
Koha dëshmoi se kjo nuk ishte e qëndrueshme. Shqipëria e dobët dhe jostabile ishte e detyruar të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje atje ku mund të gjente. Regjimi që ishte i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, kurse ai të cilin donim ta rrëzonim ne, kërkonte mbrojtje nga Italia.
Shqipëria e dobët dhe jostabile më 1926 kërkoi mbrojtje dhe ndihmë nga Italia. Ahmet Zogu së pari mori garanci për regjimin e tij, kurse pastaj, më 1927, pranoi të lidhte aleancë ushtarake për 20 vjet, mori qindra miliona lireta për punime botore, në pikëpamje ekonomike e financiare e vuri Shqipërinë plotësisht nën zgjedhën e Italisë, pranoi shumë instruktorë italianë.
U krijua, kështu, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit ne kishim luftuar në Konferencën e Paqes.
Ajo që na rrezikonte më së shumti vitet e fundit nga Shqipëria ishte organizimi ushtarak, fortifikatat ushtarake dhe aksionet irredentiste. Kudo e shihnim rrezikun e madh nga aksionet italiane dhe atë “kufirin ofensiv”, kundër të cilit patëm luftuar para aleatëve në Paris, kur patëm propozuar që Italisë t’i jepej mandati në Shqipëri. Këtu është me interes të theksohet se vetëm ne kishim protestuar dhe kishim luftuar kundër depërtimit të Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë shtet tjetër i Ballkanit nuk na përkrahu. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Madje, Osten Çëmbërleni, në takimin me Musolinin  në Livorno më 1926, dha pëlqimin për Paktin e Tiranës, kurse të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë vazhdimisht i jepnin mbretit Zog këshilla që të mos shkaktonte konflikt me italianët.

IX
PAKTI I MIQËSISË ITALO-JUGOSLLAVE I 27 MARSIT 1937

Bazuar në politikën miqësore ndaj njëra-tjetrës, Italia dhe Jugosllavia mund të merren vesh kështu lidhur me Shqipërinë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë, ajo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet prej nesh; këtë interes ne duhet ta kuptojmë dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është të mos jetë e rrezikuar në kufirin nga Serbia e Jugut, as nga Kosova (e populluar me shqiptarë), as nga Shkodra dhe nga Mali i Zi. Kjo pa dyshim është pasur parasysh kur në protokollin e fshehtë, bashkë me paktin e miqësisë, është paraparë të ndërpritet fortifikimi i mëtejmë në zonat e Librazhdit dhe të Milotit. Për sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne as kemi, as duam të investojmë kushedi çfarë mjetesh. Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e zotimit të fshehtë, të cilin para dy vjetësh e kanë marrë ndaj nesh që në pikëpamje politike, ekonomike dhe financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë përfitimesh të posaçme, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë do ta komprometonin pavarësinë e shtetit shqiptar.
Në këtë mënyrë pakti i miqësisë i datës 25 mars 1937 krijoi një “modus vikendi” tolerant ndërmjet nesh dhe Italisë në truallin shqiptar, për të cilin vite më parë kemi rënë aq shpesh në konflikt.
Është çështje tjetër se a do të mund t’i bënte ballë ky armëpushim në Shqipëri ndonjë situate më të rëndë e më të ndërlikuar në Detin Mesdhe ose në Ballkan.

X
RUAJTJA OSE NDRYSHIMI I STATUS QUO-së

Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është zhdukur

Pavarësia e një shteti ndaj shteteve të jashtme gjithnjë ka qenë një koncept relativ. Duke pasur parasysh rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është e zvogëluar. Për politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë sot nuk mund të thuhet se është e pavarur nga Italia. Megjithatë, në bashkësinë ndërkombëtare ajo konsiderohet si shtet i pavarur. Me të drejtën ndërkombëtarë bregdeti shqiptar nuk është italian, por në sovranitetin e një shteti ballanik. Italia ende nuk është nisur për në Ballkan. Ajo ka një pjesë sovrane të territorit në Zarë, por kjo nuk i ofron mundësi të zgjerohet më tutje. Në Shqipëri Italia ka ndikim, por nuk ka lirinë e aksionit si në territorin e vet. Megjithatë, shqiptarët e kundërshtojnë depërtimin e saj, i shkaktojnë kokëçarje, e ngadalësojnë.

“Ballkani - popujve të Ballkanit”

Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani - popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur dikur në luftë kundër Perandorisë Otomane dhe kundër Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdorte këtë me sukses kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili e futi Italinë në Dalmaci dhe në Shqipëri. Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi parë garanci më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim ndërmjet popujve të Ballkanit. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan domethënë hapje e dyerve intrigave dhe pushtimeve.

Ekspansioni i Italisë

A është e mundur që Italia, duke u bërë pronare sovrane e Shqipërisë Jugore dhe të Mesme, të mbetet vetëm në atë rrip të ngushtë bregdetar? Ne nuk e kemi besuar këtë para 20 vjetësh, kur Fuqitë e Mëdha ia ofruan Italisë Vlorën me prapatokë.
Aq më pak mund ta besojmë këtë sot, kur Italia po shfaq aq shumë dinamizëm e guxim në politikën e saj të jashtme.

Një precedent i rrezikshëm

Marrja e një pjese të territorit të Ballkanit nga një fuqi e madhe joballkanike pa kurrfarë baze etnike, për popujt e Ballkanit, po edhe për ne, është një precedent të rrezikshëm. Fuqi të tjera të mëdha mund të paraqiten nga drejtime të tjera me pretendime të ngjashme. Për ne është i rrezikshëm, sidomos rasti i Italisë në Shqipëri, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin për herë të parë i njihet Italisë Shqipëria Jugore, po kësaj Italie i është njohur edhe Dalmacia Veriore. Precedenti për gjallërimin e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit hap dyert edhe për gjallërimin e dispozitave të tjera.

Ndarja e Shqipërisë

Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje le të kihet parasysh që në çdo mënyrë duhet të përpiqemi t’i shmangemi konfliktit të hapur ose të fshehtë me Italinë. Gjithashtu duhet ta shmangim pushtimin e tërë Shqipërisë nga Italia, ngase kjo do të na rrezikonte në vende shumë të ndjeshme, në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë.
Duke pasur parasysh gjithë ç’thamë më lart, për ne ndarja e Shqipërisë mund të bëhet vetëm si një e keqe e domosdoshme, të cilën s’mund ta kundërshtojmë dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim përfitime aq sa është e mundur, domethënë prej dy të këqijave ta zgjedhim më të voglën.

KOMPENSIMET TONA

Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, atëherë kur është shtruar çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që e kemi kërkuar asokohe është kufiri që do të shkonte përgjatë lumit të Matit dhe Drinit të Zi dhe i cili do të na jepte garanci strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu do të duhej siguruar luginat e Liqenit të Ohrit dhe të atij të Prespës, përfshirë edhe Pogradecin dhe katundet ndërmjet Prespës dhe Korçës. Marrja e Shkodrës me këtë rast do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte që të bënim punime të mëdha hidroteknike dhe të përfitonim tokë pjellore për ushqimin e Malit të Zi.
Shqipëria Veriore në kuadër të Jugosllavisë do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të trafikut të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e re do të asimilohej më lehtë. Neve do të na shtoheshin shqiptarët për nja dyqind mijë, deri në treqind mijë, por këta shumica janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi do të bëhej gjithashtu në rrethana të reja, sepse nuk do të ketë asnjë aksion të atillë që ta pengojë këtë.

Përktheu nga serbishtja: Hajro HAJRA



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora