E shtune, 27.07.2024, 06:08 AM (GMT+1)

Speciale

Fritz Radovani: Me 10 qershor 1924, Toger Ndokë Gjeloshi hyni në Tiranë!..

E diele, 07.06.2009, 05:00 PM


ME  10  QERSHOR  1924,  DITËN  E  MARTE, ORA  19.40’,

TOGER  NDOKË  GJELOSHI  HYNI  NË  TIRANË !..

Nga Fritz RADOVANI

Tue ju referue gazetës “Ora e Maleve”, të vitit 1924, do të ndodhemi para fakteve:
Njoftim zyrtar: Tiranë, 6 Prill 1924, ora 21. 15’,
 – Sot ora 10.00 dy tregtarë amerikan të quejtun Bicok dhe Commen u vranë prej të panjohtunish në një pritë mbi rrugën Tiranë Shkoder, në vendin Mamuras...
Tiranë, Me datën 20 Prill 1924, ditën e dielë mbasdreke, në ora 17.00 kur Zotni Avni Rustemi bashkë me dy shokë po shkonte kah rruga e Arrës, pranë vorreve të Pashës, kur pau tue kalue andej Hoxhë Kadriun, i len shokët për pak kohë sa të takohej me kolegun e vet. Në këte çast një mullisë i quejtun Jusuf Reçi, tue i shkue mbrapa, e gjuen me revole nën shpatullën e majtë dhe ikë...

Heroi i Kombit Avni Rustemi
Heroi i Kombit Avni Rustemi
Tiranë: Me datën 22 Qershor 1924, ora 14. 30’ njoftohet se Avni Rustemi vdiq.
Populli i Shkodres, i mbledhun në Bashkinë e qytetit proteston: “Në Avni Rustemin kombi ka pa tipin e Idealit të vet. Vrasja e Tij ka dermue zemrat e Popullit të Shkodres...
Protestë e Asemblistave të Shkodres: Asemblistat e Shkodres, bashkë me një të Kosovës, i dërguen Kryesisë së Asemblesë dhe Qeverisë këte telegram: “Një plumb trathtar plagosë shokun tonë, Avninë Fatos...Ky plumb qillon jo vetëm Avniun tonë, shpëtimtarin e Atdheut, por  shtron përdhé nderin e të gjithë përfaqsuesve të kombit...
Misët e Kuvendit Kushtetues: Hafiz J.Repishti, Don Ndre Mjedja, Eljaz Muka, At Ambroz Marlaskaj, Dervish Mitrovica, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati, Luigj Koliqi, Ibrahim Gjyrezi, Nush Bushati.
Djelmënia e Shkodres vajton vdekjën e Avniut!
Shkodra veshet në zi...Të gjitha shtëpijat dhe dugajtë ku rrahte zemra shqiptare u veshën në zi, tue ngritun flamurët në gjysëm shtize me shirita të zezë, që kanë me vazhdue deri ditën e vorrimit. Mbas kësaj dite jazi do të mbahet i paharrueshëm në zemrat e të gjithë shkodranve. Me idhnim zemre këte shenjë nuk po e shohim në Zyrën e Prefekturës këtu, e besojmë se, autoritetët qendrore do ti japin urdhën edhe zyreve qeveritare.
Shoqnia “Bashkimi” me një mendim sa patriotik aq gjenial, emnoi Poetin e Kombit At Gjergj Fishta, për orator zyrtar në salikimin e thëmeluesit të vet.
Trupi i Avni Rustemit asht ba objekt pelegrinazhi në spitalin e Tiranës...
Trupi i Avni Rustemit do të vorrohet në Vlonë, pranë Ismail Qemalit...
Shqipnia mbarë vajton vdekjën e Avni Rustemit. 10.000 vetë shkojnë në Vlonë...
Shkodra ban meting...Ceremoni të madhnueshme...
Me 30 Qershor: Trupi i Avniut u bajt me nderim të madh nga Tirana në Durrës... dhe i stolisun me kunora e lule zbriti në skelën e Vlonës...
Në orën 14.30 filloi përcjellja nga 10.000 vetë dhe 300 përfaqsues të krahinave të ndryshme të vendit. Folën 17 orator... ndër të cilët Zoja Marigo, At Ali Tyrabi, Don Lazër Shantoja, At Gjergj Fishta, Imzot Fan S.Noli, etj.
Në emën të ushtrisë foli major Ibrahim Prishtina...
Ora 18.30 Avniu u vorros dhe mbi vorr u vunë 200 kunora me lule...
Vlonë 1 Maji 1924, Asemblistat nuk shkojnë në Tiranë:..Nënshkruejnë F.S. Noli, H.I.Repishti, At A.Marlaskaj, Sulejman Delvina, Sulejman Luxati, Xhemal Bushati, I.Tatzati, Q. Koculi, Kosta Paftali, I.Gjyrezi, Rasim Babameto, I.Xhindi, S.Koleka, Shuk Gurakuqi, Sif Kedhi, Fazlli Frashëri, Abdyl Kuçi, Nush Bushati, Numan Ferizi, Mustafa Tragjasi, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Luigj Koliqi, Kol Tramara, Elez Muka. 
“Ushtria Kombëtare qi asht ndera e Shqipnisë ju përgjigj burrnisht e atdhetarisht zanit të Popullit, tue rrokë pushkën kundër atyne trathtarve të flligtë qi guxojshin me luejtë me fatin e Atdheut...
Bicaj, me 3 Qershor 1924: Luftime të rrebta tek Kalaja e Dodës...bashibuzukët e A. Zogollit u thyen keqas...Ushtria Kombëtare arriti në Radomir...bashkë me Bajram Currin e Elez Jusufin nesër nisët për Peshkopi...
Vlonë, 3 Qeshor: Ushtria Kombëtare mori Beratin...arriti në Lushnje e Divjakë
Prej ballit të Lezhës kemi këta lajme me 4 Qershor 1924: Toger Ndokë Gjeloshi me një pjesë të fuqisë kombëtare, që ndodhet në Balldre, zuni pozicion në Mal të Rrencit, dhe preu rrugën ndërmjet Lezhës e Shëngjinit...
Rraboshtë, 8 Qershor: Ushtria Kombëtare mori Majën e Velës...
9 Qershor: Ushtria Kombëtare mori Lushnjen...
9 Qershor: Zbrazja e Tiranës, Lajme të sigurta  qi marrim prej Tirane na tregojnë se Këshilltarë të naltë, ministra e deputet kanë ikë për Durrës dhe Itali...
Lezhë, 10 Qershor: Ushtria Kombëtare kaloi lumin e Matit dhe iu drejtue Tiranës...
Tiranë, 10 Qershor 1924: Pjesa prise e Ushtrisë Kombëtare nën komandën e Toger Z. Ndokë Gjeloshit, mbasi çarmatosi rrugës bashibuzukët e qeverisë, të cilve u mori një top e një mitraloz, hyni në Tiranë në orën 19.40’. Fuqia kombëtare mori me njëherë në dorë administratën dhe filloi çarmatimin e bashibuzukve. Në qytet mbretnon qetësi e plotë. Ahmet Zogolli kishte ikë pakës përpara nga Zalli i Herrit për në Mat.
Tiranë, 10 Qershor:  Komandanti i vëprimeve , Kapiten Z. Mark Raka, arriti me një pjesë tjetër të Ushtrisë Kombëtare në Tiranë, në ora 23.25’...
Tiranë, 11 Qershor: Ushtria Kombëtare e ballit të Jugut...mori Elbasanin, Kavajën, Shijakun e Durrësin...pritët të arrijë sot në Tiranë komandanti i vëprimeve të Jugut, zotni Nënkolonel Kasem Qafzezi e z. Kapiten Ali Riza Prishtina, në krye të një batalioni...
Përveç Toger Z. Ndokë Gjeloshit e Kapiten z. Mark Rakës, qi arritën mbramë, sot erdhën me forcat e veta të ushtrisë prej Mamurasit edhe Kapiten Z. Lazër Mirashi, Toger Z. Spiro Kosova, Toger Z. Shan Vila e nëntoger Z. Gjekë Lekë Marashi. Arritën sot edhe Toger Vas Kiri, ushtarakët Dodë Nikolla, Mul Delia dhe një çetë e mirditës me Preng Ll. Gjonin e Zef Ndocin në krye... Bashkë me ta arriti edhe Z. Xhemal Bushati, me forcat e veta civile të Postribës dhe Hotit, që ka nën urdhën.
Bari Itali, 11 Qershor: Si dihet, këtu në Bari janë mbledhë shumica e qeveritarve të ikun nga Tirana...Studentat atje i kanë sha “trathtarë të atdheut”...
Sonte po niset për Tiranë: Mustafa Kruja, Zija Dibra, Ymer e Kapllan Deljallizi...
Shkoder, 12 Qershor: Mbas fitores në Tiranë, u nis atje për me festue bashkimin e Ushtrisë Kombëtare edhe komandanti i Përgjithshëm Z. Rexhep Shala, sot në ora 13,30’...
Ate e përcollën përfaqsuesit e Asemblistave të Shkodres, Z. Hafiz Ibrahim Repishti, Luigj Gurakuqi e Pjetër Bumçi. Prej Asemblistave përfaqsues të Kosovës ishin Z. Fahri e Dervish Mitrovica dhe, prej Parisë së Shkodres: Z.At Gjergj Fishta, Riza Cani, Ndoc Çoba e Don Lazër Shantoja. Nga Paria e Kosovës Z.Hasan Prishtina e Hysni Curri. Me këta u nis edhe Z. Qazim Koculi, përfaqsues i Vlonës, qi ndodhej në Shkoder...
Shpallja e Ushtrisë së Popullit Shqiptar
Tiranë, 17 Qershor 1924:...
 “U falemnderës n’emen t’Ushtrisë, të gjitha atyne Bashkive, instituteve zyrtare e private e Etënve të besimeve të ndryshme, Kishës Autoçefale Shqiptare dhe të gjithë atyne zotnive që na uruen triumfin e lëvizjes së Ushtrisë Kombëtare, të cilve u apim edhe fjalën qi këtej e tutje, sado qi Ushtria nuk ka për t’u përzi në politikë dhe ka me kenë larg të hymit ndër duer të ndonjë partisë, nuk do të lejojmë askend e as një parti me dalë jashta udhës së drejtë. Nenkolonel Rexhep Shala.”.
Tiranë, 28 Qershor: Bajram Bej Curri mërriti në Tiranë...

Nga Y:
“PA  DORCA”

Revolucioni i fundit kje ma i bukri e ma i lumnueshmi Revolucion në historinë tonë kombëtare; mund të thomi se kje edhe një Revolucion “Me Dorca”.
Opozita, edhe kur rrëmbeu armët e gjakut, deshtë të konservojë metodën e saj të matun e bujare që përdoronte kur kishte vetëm armën e fjalës. Por, Opozita sot ka ndrrue emnin: Sot quhet Qeveri! Ka ndrrue emën e lypset të ndrrojë edhe metodë. Opozita, e bame Qeveri hyn sot në fazën e dytë e ma të vështirën të programit të saj. Triumfi ma i plotë e kunorzoj fazën e parë: Qeveria e feudalve u rrëzue: putat u thyen;  me formimin e Kabinetit të Ri, Shteti Shqiptar hyn për të parën herë e përnjëmend në udhën përparimpruese të demokracisë; por, përmbi këta thëmele të reja Qeveria do të ndërtojë!
Kjo vepër ndërtimi asht faza e dytë e Opozitës së vjetër, asht përlimi, asht krejt Programi i Qeverisë së Re.
Kemi lexue me shumë interes njëzet pikat e programit qeveritar, të cilin na deri tashti e kemi lanë pa asnjë koment. Komentët ma të mira të programeve janë faktet, janë zbatimet: E, prandej, presim! Na sot duem vetëm ti shtimë në mend Qeverisë mënyren me të cilën programet, prej letres, dalin në vepra. Nuk kishim me dashtë kurr që edhe për këte Qeveri të thohet dikur: “Ideali kje anderr, realiteti mjerim!” (Goethe, Faust).
Vepra e ndërtimit, si dihet, asht shumë ma e vështirë se ajo e rrenimit; me rrenue mundët edhe një llac, por vetëm ustahi mund të ndërtojë. Populli ka kërkue një Qeveri të drejtë. “Mbretnimi i ligjit dhe i drejtësisë” kje premtimi kategorik i Opozitës. Populli tue lypë një Qeveri të drejtë, kërkon me këte një Qeveri të fortë: Të fortë pse ashtu asht  e drejtë dhe, të drejtë se ashtu asht e fortë.
Pat thanë një filozof se “i pari konçesion me të cilin një qeveritar pranon kërkesat e  paligjëshme të të sunduemve, asht e para kambë e shkallës që do ta çojë ate tek litari”.
Tue kërkue një Qeveri të fortë nuk lypim një Qeveri brutale; metodat brutale i kemi dënue e i dënojmë; nuk i kemi durue dhe as nuk i durojmë.
Por, edhe dënojmë metodën e “masave gjysmake”, e “mbylljes së një syni” dhe të “favorëve”. Kërkojmë që ligji të mbretnojë gjithnjë, gjithkund e për të gjithë sovran: Lypim një dorë të fortë, një dorë që kur të jetë nëvoja, të bahet edhe grusht! Lypim që mbas sodit në Shqipni ma i madh të jetë topuzi se hatri: Lypim me një fjalë një Qeveri “Pa Dorca”.
Në këte forcë, në këte intransigencë absolute para ligjit dhe drejtësisë, rrin siguria e realizimit të atyne reformave që do t’i apin një fëtyrë e një fat të ri Shqipnisë.
Pika ma në shenjë e ma me randësi e Programit të Qeverisë asht e pesta, ku shpallët: “shrranjosja e feudalizmit, çlirimi i Popullit dhe vëndosja e Demokracisë në Shqipni”.
Si mund të shpresohet një reformë kaq radikale pa një forcë që të jetë radikale?
Kishin me u tregue njëmend shumë “naiv” ata që besojnë se me konfiskimin total të pronave të bejlerve, shrranjoset përfundimisht feudalizmi në Shqipni. Feudalizmi nuk e ka rrajën në prona, por ma fort në mentalitet; po nuk u shrranjos ky pra, po nuk u shrranjos feudalizmi shpirtnor, Flamurin e Demokracisë nuk do ta shohim kurr të ngritun në qiellin e Atdheut. Kujdesi kryesor i Qeverisë së Re, lufta ma e rrebtë e idealizmit do të qellojë humbjen e shpirtit feudal, humbjen politike të atyne njerzve të cilët, pa kenë bejlerë, pa pasë vorr në shpatull, (asgja mbas shpirtit – shen. em FR) si thonë malësorët tonë, kanë shpirtë e mentalitet bejlerësh, domethanë, pretendime sovraniteti mbi një popull që e konsiderojnë skllav.
Qeveria do t’i hapin mirë sytë aq ma fort që këta njerzë shpirtnisht feudal, nuk janë vetëm ata të dëbuemit , ata që do të dënohën, por janë edhe shumë ndër ata që sot na shitën si demokrat! Njerzit amorfë, oportunista, të këthyemit e orës së fundit, njerzë në kapërcyllë, për të cilët arësyeja dhe e drejta rrinë tek ai që ka forcën në dorë. Ata që për tri vjet rresht përdorën dajakun kundër nacionalistave, nuk mund të konsiderohen patriot se, në tri javët e fundit rrokën armët në rradhët e tyne; lypset diçka ma tepër me kenë patriot se me quejtë sot kulimisht “Zogolloviq” atë që dikur e quente “shpëtimtari i Atdheut”!
Metamorfoza të tilla nuk janë tjetër veçse qyme ujkut!...
Zemërgjanësia me këte çetë njerzish asht ligështi e trathti: Ligështi ndaj tyne, trathti ndaj Popullit.
Kemi ndigjue se një nga të ikunit prej qeveritarve të përparshëm i paska thanë dikuj në  Bari: “I doli fjala oratorit të Orës së Maleve: Avni Rustemi pau e na sot po kjajmë! Por do të shohë ma, e atëherë, kemi me qeshë!”. 
“Qeveria ka me krye plotësisht programin e saj atëherë kur trathtarët e popullit mos të mundën me qeshë ma kurr mbi kurrizin e Popullit!”.
Trathtarët do të kujtohen qyshë tash se Qeveria e sotme, Qeveria e Revolucionit ma të bukur e shpallun mbi kufomen e Avni Rustemit, Qeveria e Demokracisë, Qeveria e kryesueme prej një Fan Nolit dhe, e formueme prej nacionalistave ma në za dhe të vjetër, asht një Qeveri e cila, pse nuk ka në krye o anash njerzë despotë me fuqi përsonale, ka fuqi t’amshueme të ligjit dhe të drejtësisë.
Të mendojnë mirë qeveritarët e sotëm se mosrealizimi i Programit të shpallun nuk shënon vetëm falimentimin e përsonave të tyne, por edhe falimentimin e një Ideali!
Y. (Don Lazër Shantoja).

Shënim për pjesën e parë:
Mendoj që materiali që ju paraqita asht konkret dhe nuk ka nëvojë për koment.
Kam shkrue në data dhe orë të caktueme zhvillimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, si mbas Fletorës së Asaj kohë “Ora e Maleve”.
Kjo asht pjesa e parë e një studimi që kam ba për këte temë aq shumë të lanun mbasdore dhe të shtrembnueme në pothuej krejt historinë e shkrueme të Shqipnisë.
I madhi Faik Konica thotë: “Armiku i shqiptarit  është vetë shqiptari!”



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora