E shtune, 24.02.2024, 08:30 PM (GMT)

Kulturë

Lamtumirë Viktor Gjika

E enjte, 05.03.2009, 07:15 PM


Nga Fatmira Nikolli

I shtrëngoi dorën së shoqes e i tha: "Mos ki merak! Asnjë peng nuk më ka mbetur". Këto ishin fjalët e fundit të të madhit Viktor Gjika. Ishte ora 19:30 e ditës së martë, kur zemra e tij, në moshën 71-vjeçare, ndaloi së rrahuri. Pranë i gjendeshin bashkëshortja Flora, i vëllai, kushërira e vet Natasha Lako dhe miqtë e tij më të mirë. Fatkeqësisht vajza e tij, fëmija i vetëm që ai pati, nuk ishte në shtëpi. E ardhur në Shqipëri për të qëndruar afër babait për shkak të sëmundjes që kishte, ajo ishte larguar drejt Italisë vetëm të dielën, pasi atë ditë u duk se shëndeti i Viktor Gjikës ishte përmirësuar. Por, jo. E marta do të ishte dita e fundit e jetës së tij. "Edhe në minutat e fundit para se të vdiste në shtëpinë e tij, ai ka përmendur momentet e xhirimit dhe fliste sikur ishte duke xhiruar. Ai thërriste emrat e personazheve e thoshte: "Ku janë aktorët, ku janë gjermanët? Meqenëse ai përmendi filmat e tij, e shoqja i tha: "Si nuk na përmend fare ne, mua dhe vajzën?". I thirri dhe i kujtoi skenat e xhirimit, thërriste kolegët e punës, aktorët dhe gjermanët. Është një gjë e rrallë që ndodh kjo. Është një humbje", - kështu është shprehur Ilia Terpini, i cila na ka rrëfyer çastet e fundit të regjisorit Viktor Gjika. E ndërsa Flora dhe Esi, gruaja dhe vajza e regjisorit janë të tronditura, pranë tyre kanë qëndruar të afërmit dhe miqtë si Mevlan Shanaj, Pirro Milkani, Kristaq Mitro, etj. Qendra Kinematografike pak muaj më parë kishte vendosur t'i bënte një film atij dhe ai ka filluar tashmë, por për fat të keq ai nuk do të mundet dot ta shohë. Tashmë në të do të pasqyrohet edhe homazhi i bërë për nder të tij, në të cilin morën pjesë artistë e politikanë si Teodor Laço, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Timo Flloko, Xhevdet Ferri, Rajmonda Bulku, Mevlan Shanaj, Ilia Terpini, Rikard Ljarja, Pirro Milkani, Dritëro Agolli, Albert Minga, Kristaq Skrami etj, si edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Edhe pse i sëmurë prej dy vitesh, ai asnjëherë nuk e dha veten që po vdiste.

Pirro Milkani

Viktorin e kapi një sëmundje e rëndë që do ta çonte drejt një fundi fatal. Ai qëndroi me shumë dinjitet dhe e përballoi sëmundjen. Në vend që t'i jepnim ne kurajë, na dha ai neve. Fjala e tij ishte: "Në fund të fundit, ç'kishim për të bërë, e bëmë". Ai ishte i kënaqur nga ato që kishte realizuar. Dy vitet e fundit ai u mundua të kurohej. Bisedat tona të fundit kanë qenë për shëndetin e tij. Kur e dëgjoja në telefon dhe më fliste me zë të plotë më bëhej qejfi, e kur kishte zë të mekur, ligështohesha.
 
Dritëro Agolli

Më duket sikur kam humbur një pjesë të jetës sime, sepse kam bashkëpunuar me të. Disa nga veprat e mia, ai i ka ekranizuar. Ai ka qenë një nga pionierët e parë të kinematografisë sonë moderne e që ka krijuar filmin e vërtetë artistik. E ka kthyer nga ana diletante amatore, në atë profesioniste me mjeshtërinë e tij. Me filmat që ka bërë Gjika ka edukuar një brez të tërë dhe mund të themi edhe dy ose tre breza, sepse filmat kanë luajtur një rol të madh edhe në njohjen e historisë sonë. Disa nga këta filma janë edhe dokumente artistike, të historisë sonë, siç është "Nëntori i Dytë", që është një film për Pavarësinë dhe duket sikur është xhiruar në kohën kur Ismail Qemali ka ngritur flamurin. Kjo e Viktorit duket sikur është një histori e tërë dhe për këtë arsye humbja e tij është një fatkeqësi e madhe. Ai ka pasur brengë një film për Sandër Prosin. Kishte disa projekte, ndër të cilat, një film artistik për jetën e sotme e veçanërisht për përpjekjet e njerëzve tanë për të ndërtuar një jetë më të mirë.
 
Albert Minga

Humbja e Viktor Gjikës është një nga ato humbje që nuk i takon vetëm njerëzve të tij të dashur e familjes, por edhe nga ato humbje që tronditin themelet e kulturës shqiptare. Viktor Gjika është një nga kolosët e kinematografisë shqiptare që me veprat e tij, me subjektet dhe me punën e tij të shkëlqyer ka lënë gjurmë në këtë art dhe nuk ka për t'u harruar kurrë kjo veprimtari.
 
Teodor Laço
 
Ai ishte një nga ata krijues që gjithë jetën e tij ia kushtoi kinematografisë. Sa herë të vijnë festat e Nëntorit e të shfaqet në televizorin tuaj filmi "Nëntori i Dytë", njerëzit e artdashësit do të kujtojnë krijuesin e tij, Viktor Gjikën, i cili iu dha jetë momenteve historike. Edhe kur të kujtojmë ngjarjet e Luftës Nacionalçlirimtare, emri i këtij artisti përmes filmave të tij do të mbetet i paharruar për të gjithë. E kam pasur mik të ngushtë që në shkollë të mesme dhe është e vështirë që t'i mbaj emocionet në këto çaste, sepse jam gjendur pranë tij edhe në momentet e fundit të jetës. Viktor Gjika ishte pajtuar me vdekjen me kohë dhe e dinte se ishte në prag të saj. Vetëm ne, miqtë e tij nuk pajtoheshim me të. Në ditët e fundit të tij ai kishte shkruar një libër autobiografik, të cilin nuk arriti ta mbaronte, por më kërkoi mua si shkrimtar dhe si mik i tij ta përfundoj dhe besoj se do të dalë për një muaj. Në të është tërë jeta e Viktor Gjikës.

Tinka Kurti

Për mua, emri Viktor është shumë i madh. Ka qenë, është dhe do të mbetet një emër i madh. Viktori ishte një figurë e rrallë dhe një kurorë e artë për artin shqiptar. I dha aq shumë artit shqiptar, aq filma të bukur. Unë i jam mirënjohëse Viktorit për rolin që më ka dhënë në filmin e tij. Është dhimbje e madhe për artin, për kombin dhe për ne artistët në mënyrë të veçantë.
 
Zhani Ciko

Me Viktorin na ka lidhur një miqësi e hershme që në vitet e para kur ai erdhi dhe u shqua fillimisht si një kineast e më pas si një regjisor. Në vitet e fundit ai vendosi që së bashku me Teodor Laçon të bënte një film për babain tim, Mihail Cikon, si një nga këngëtarët e parë lirikë shqiptarë. Në këtë rast ne bashkëpunuam me të për ta ndihmuar atë në gjetjen e të gjitha materialeve që duheshin. Gjatë asaj kohe kemi qëndruar intensivisht bashkë, sidomos gjatë udhëtimeve që bënim jashtë dhe kjo periudhë do të mbetet e paharrueshme. Në xhirimet që u bënë në atë kohë, unë munda të njoh këmbënguljen e tij për të kërkuar perfeksionin. Më kujtohet kur ishim në Korçë dhe atij i duhej patjetër dëborë, por ajo nuk po binte. Ne shkuam të xhironim në Vithkuq dhe në momentin që i duhej Viktorit, filloi të binte dëborë.

Rikard Ljarja

Është një ditë shumë e vështirë, më ka vdekur një koleg, një mësues dhe një udhëheqës shpirtëror dhe e kam jashtëzakonisht të vështirë të flas. Ai vërtet ishte miku im, por ishte miku i të gjithë Kinostudios, mbase edhe më shumë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora