E marte, 15.10.2024, 06:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: E paprekshmja pikon në mua (Cikël poezish)

E enjte, 05.03.2009, 07:34 PM


Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
ORA E LUMTURIMIT

Hyjnesha  ime e dashur
 
Nuk kam fjalë
Njëmend  nuk kam
Për ta përshkruar këtë çast
Atë që ndjej për ty
Qoftë dashuri
Qoftë dhembje 
Dashuri e dhembje  bashkë
Dhe së fundi vetëm dashuri.
 
E di tashmë
Jam i sigurt në dashurinë tënde
Dhe kjo do më mbajë në jetë
Kudo që jam
Kahdo që shkoj
Ti je e tëra me mua edhe kur më je larg

Oh ti kurrë nuk je larg
Ti brenda meje je e tëra

Qe tek ndjej pulsin e zemrës sate
Afshet e shpirtit tënd
Të buzëve të tua
Të fjalëve që si puhiza
Më përshkojnë
Më zgjojnë
Më flladisin

Ah si më flladisin e gudulisin
Nuk mund ta marrësh me mend
Nuk mund ta besosh
Se  si e dëgjoj
Heshtjen tënde të thellë
Atë dashuri që vlon

Nuk ka rëndësi ku je ti
Me kë je a ç’ bën
Unë të ndjej
Orë e çast të përjetoj
Ashtu si di ashtu si dua
Të butë të shkriftë të ëmbël
Të fortë të egër të dashur
Dhe nuk ngopem
Nuk trembem
Nuk ndalem
 
Ti njëmend je hyjnore
E paprekshmja ime
Prore e dëshirueshme
Ëndërr  që nuk shihet
E një jetë të tërë kërkohet
Ëndrra që nxitë
E largohet
E sërish kthehet
Mes grilash
Nën ata qerpikë
 
Jeta ime e virgjër je ti
Dashuri që nuk preket as pjestohet
Nuk shmanget e as harrohet
Përderisa jam unë
Përderisa je ti

E kam pritur kete orë të lumturimit
Një gjysmeshekull
Kam jetuar
Për ta dëgjuar magjinë e buzëve  tua
Si buron e rrjedh kah unë
Ai valëzim i drithëruar
Të dua
 
(15 fror 2009)


LULEDASHURIA
 
Trokitja e dashurisë
Na zuri
Në kohë e në pakohë
Në ç'gjendje e pa gjendje
Të ndrydhur a të çliruar momentesh

Sado e vonë
Mbeti Trokitja
Që i dha aromën e munguar 
Jetës sime
 
Nuk arrita të të ruaj nga Vetja Ime
As Veten Time nga Ty

Aq sa munda u perpoqa
Herë ia dola falë Teje
Herë rashë në provim
I nxitur nga Ty

Portat e zemrave
U hapën vetvetiu
Me Luledashuri
Në këtë jetë të mbetur
Pa të trazuar më shumë
Pa të dashur më pak

Secilën herë
Ashtu si të kam ndjerë
Ashtu si më ke dëshiruar

Ishe dhe mbete luledashuri
Për shpirtin  tim

(27 kallnor 2009)

ZBEHEN FJALËT

Kundrejt një Premtimi
Që ishte dhe Yti
Që u bë dhe i Imi
Zbehen fjalët
 
Kjo dashuri
S’njeh tundje
Lëkundje

Përjetë do mbes
Peng i saj

Duke e pritur çdo  
Ditë e natë
Atë trokitje
Atë  aromë luleje

Edhe kur vonon
Eh si ka vonuar
 
Të tërin
Më ka marrë
Ajo trokitje
Ajo lulenuse

(28 Kallnor 2009)

DËGJOJE KËTË MUZIKË  LIRIE

Në Ditën e Festës
Nuk dua të flas
 
Do të heshtë e do të heshtë
Aq thellë do të heshtë
Për t'i dëgjuar ata që ranë
 
AtDheu IM
Do ta tumir heshtjen time
Për t'ma risjellur zërin e tyre
 
Dhe zërin e Hyjneshës sime
Që s'e kam pranë
 
Të falem përjetësisht
AtDheu IM
Në Ditën  Tonë të  Shenjtë
 
Dëgjoje këtë muzikë lirie
Hyjnesha ime
Këtë zë të ëmbël nga gjaku i tyre
 
Nga një trëndafil të kuq
Të kuq e të kaltër
T'jua t'jua mbjellim nëpër Zemra
 
Le të rrahin papushueshëm
Orët e AtDheut
Me aromën që sollën
 
(16.II.2009)

POST FESTUM NJË PËRJETIMI
 
Ndihesha i zbrazur
I munguar
Ndihesha
Krejt i vetëm
Në heshtjen time
Të thellë
Përderisa nuk u shfaqe Ti
 
Atëherë
Tek atëherë
Njoha trokitjen tënde
Të ecurën
Të prekurën
Njoha dhe buzëvalat e përndezura
Faqet e ndritshme prej hëne
Të kuqërremta prej molle
Njoha krejtë atë
Që rridhte e vinte nga Ty
Dashuria ime
 
Sa më ke munguar
Oh
Si më ke rizgjuar
 
Më ke bërë për vete
Më ke hyjnuar
Brenda yllësisë sate
Asaj bote të mrekullueshme
Me trëndafil e zemër
Qe jetës sime i dha kuptim
I dha emër

Me ty pastaj dola
Eca
Shetita
Nëpër krejt Ditën e Madhe
Të barta e s'të lëshova prej dore
 
Sa të mbajta në prehër
Në gjoks
Mbi trupin tim të ndezur
Mes përmes kesaj boteje të rilindur
Në mua
 
Të qulla
Me shiun e vakët të puthjeve
Të thava
Me zjarrin e afsheve
Pranë oxhakut të zemrës

T’i shprusha me mija herë flokët
Qafën
Krahët
Dhe mollët
T'i dridha lehtas
T'i perkedhela
Me maja gishtërinjsh
E maje gjuhe
 
Më pas  nuk u përmbajta
Të shkunda
Sa munda
Nga fundi i rrënjëve
Tek majat e pipthave
Të tunda
Derisa u shkokëlove
U shtrydhe e tëra në mua
U mbolle
E rrënjë të reja lëshove
Dhe lule
Dhe fruta
Dhe
Krejt shijen e botës sate mjaltore
Ma dhurove
 
Veten time e përpive
Me vete e more
E sakaq
Një perde të kaltër
Sysh ma lëshove
Derisa u fshehe
Në një yllësi të re
Brenda qerpikëve të mi

Me ftove sërish për një dashuri
Kur të vijë tjetër ditë
Tjetër festë në atë planetë
Që e gjetëm
Pas mijëra vjet ecjesh
E dashurish
 
Hyjnesha ime
Hyjnesha ime
 
Ti që  orë e çast
Shprush e kënaq
Veten tënde
Veten time
 
(18 Shkurt, 2009)


ËDRRA QË NUK PO E SHOH
 
Ajo ëndrra që nuk po e shoh
Dashuria ime e Jetës është

Vetëm po e ndjej
Po e dëshiroj
Orë e çast
Po e jetoj
E po bindem
Tek tash
Se paskam jetuar
Nëpër dashuri të shpifura
 
Dashuria me ty
është ajo që e kam kërkuar
Duke e dëshiruar nga larg

Të falem përjetë
Që ma hape portën
Që më bëre konak
Në shpirtin tënd
Më mbylle përjetësisht
Tek ajo strehë
Nën ata qerpikë

Hyjnesha Ime
E vetmja dritë
Në universin e dashurisë sime

(18 fror 2009)


Nën qerpikun tënd

Nata m’i merr sytë
E nuk të shoh

Nëpër detin e përgjumur
Lëshoj rrjetën
E gjurmoj, gjurmoj
Fundit të tij
Kërkoj

Mes mornicash ankthesh
Pritjesh
E as një ëndërr
Për ty nuk gjej

Rrjeta ngelë e zbaruz
Në mol
Tek hap sytë nga trandjet
Nga yshtjet
Nga gjakimi

Nuk të nxë
Mësa ëndrrën
Të të puthë
Të të shtrëngoj
Tërë natën e lume
Në gji të të mbaj
E të kënaqem njëherë
Sall me ty

Ëndrrat e paftuara i shporr
Tek sa hap sytë

Shkundem
Si një shpend i qullur
E të shoh të tërën
Brenda qenies sime
Të shoh e s’të prekë
Të lë ashtu të qetë
Si një natyrë që hapet
Përngadalë
E ma falë më të bukurin imazh

Mos jeto për një ëndërr
Detit të përgjumtë
Mos u mashtro
Më shpërgjumin buzët tua
Puhitë prej mëngjesi

Shihe botën time brenda teje
Se si po shtrihet
Si po të mbulon të tërin
Njejtë si bota jote në mua

Kemi thurrë një botë të plotë
Prej dashurie
Një det të paparë ndjenjash
Përtej ëndrrave
Dashuiria ime

Ëndrra reale jam unë
Je ti
Edhe kur s’më merr
E nuk të kam në gji

Të ndjej
Si pulsin e kësaj zemreje
Që s’ndalet
Të shijoj tërë ditën e lume
Aq shumë
Sa kam frigë të të harxhoj
Para kohe
E
Fshihem në çast
Prapa një reje të bardhë
A të murrmë
Yllësisë sime të zjarrtë
Përzjarrem në ty
E kënaqemi që të dy

Shkrihem nga larg
Universit të pafund
E pikoj  brenda teje
Për ta njomë atë rrënjë shprese
Atë dashuri të paimagjinueshme
Që krijon e ruan brenda vetes
Një botë të tërë

S’ndalem
E s’ çmallem
Oh si përmallem
Jeta ime e rilindur

As një ditë nuk hapet
As mbyllet
Pa lutjen time nën çerpikun tënd
Për bekimin e kësaj dashurie
Hyjnesha ime

(5 Mars 2009)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora