E diele, 19.04.2026, 06:30 PM (GMT+1)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, mësuesin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Hamza Halabaku

E diele, 19.04.2026, 04:00 PM


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, MËSUESIN DHE VEPRIMTARIN E ÇËSHTJES KOMBËTARE, HAMZA HALABAKU

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Hamza Nazif Halabaku lindi në fshatin Pozharan të Vitisë në vitin 1947. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjilan dhe në Prizren. Studimet i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Për një kohë punoi si mësues në fshatin Ballancë - Pozharan, ndërsa më pas edhe në Gjykatën Komunale në Viti.

Prej vitit 1973 punoi në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës. Në qershor të vitit 1982 u emërua ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës.

Më 2 korrik 1990 mori pjesë në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, në rolin e sekretarit, pasi në atë kohë ushtronte funksionin e ndihmëssekretarit të Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 1990, pas 7 shtatorit, u detyrua të emigronte në Gjermani.

Që në shkollën fillore nisi të botojë punimet e tij në revistën e shkollës “Ideali”, si dhe më pas në revistën e shkollës së mesme në Gjilan “Shprehja e të rinjve”.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka marrë pjesë në “Takimet e vendlindjes” në Gjilan, në “Takimet e Don Mikel Tarabulluzit” në Stubëll të Vitisë, në Takimet e Gjeçovit në Zym, si dhe në “Karvanin e Shkrimtarëve për fëmijë” nëpër Kosovë etj.

Është prezantuar në “Libri që po shkruhet”, panoramë letrare e Luginës së Moravës së Kosovës (1979); në “Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001”, të Hasan Hasanit; në “Orët e duartrokitjeve”, të Agim Devës e Xhevat Sylës (2001); si dhe në “Antologji e poezisë moderne shqipe - Antologie der modernen albanischen Lyrik” të autorit Ferdinand Laholli në Gjermani etj.

Pjesë nga krijimtaria e tij letrare janë përkthyer në gjuhën gjermane, arabe, serbokroate etj. Që nga viti 1995 e deri më 30 shtator 2010 ishte mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në Bavarinë Veriore. Nga 1 tetori 2010 deri më 30 shtator 2012 ishte në fazën e parapensionit, ndërsa u pensionua më 1 tetor 2012.

Krijimet letrare të Hamza Halabakut janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme në Prishtinë, Shkup dhe në diasporë, si: “Rilindja”, “Bujku”, “Gëzimi”, “Bota sot”, “Pionieri”, “Doruntina” etj.

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë i ka dhënë çmimin “PENA E ARTË” për vitin 2021.

Deri tani ka botuar:

1. “A ka zot”, poezi, 1993, “Asdreni”, Shkup;

2. “Testamenti”, tregime për të rritur, 1997, “Shkëndija”, Prishtinë;

3. “Kosovën e kemi në zemër”, tregime për fëmijë, 2000, “Iliriku”, Prishtinë;

4. “Vrunduj kujtimesh”, monografi e shkollës shqipe në Bavarinë Veriore, 2003;

5. “Emra që nuk harrohen – arsimtarë shqiptarë në diasporë IV”, me bashkëautorë Tahir Z. Berishën dhe Çerkin Bytyçin, 2006;

6. “Një ditë midis dy epokash” (2 Korriku dhe dokumente të tjera që çuan te pavarësia), 2012, “Anton Pashku”, Prishtinë;

7. “Rrjedhë motesh – takime, kujtime, ditar...”, Prishtinë, 2017 – botim i autorit me rastin e 70-vjetorit të lindjes;

8. “Tahir Z. Berisha - një jetë në mision të dijes dhe të idealeve kombëtare” (bashkautor me Mujë S. Berishën), 2018, “Faik Konica”, Prishtinë;

9. “Ecje rrathëve të ferrit”, tregime, 2019, “Lena Graphic Desing”, Prishtinë;

10. “Rrugëtim interesant”, rrëfenja, 2021, “DritaPress”, Prishtinë;

11. “U bëftë Arbëria”, poezi, 2022, “Rozafa”, Prishtinë;

12. “Kosovën e kemi në zemër” (ribotim i plotësuar), tregime për fëmijë, 2023, “Rozafa”, Prishtinë;

13. “Letra mikut në amshim” (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë Zejnullah Halilit), 2024, “DritaPress”, Prishtinë;

14.“Imja luleborë”, poezi për fëmijë dhe të rinj, 2025, “Rozafa”, Prishtinë.

Kjo intervistë ekskluzive për Zemra Shqiptare me shkrimtarin, mësuesin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Hamza Halabaku, sjell një rrëfim të gjerë jetësor që shtrihet nga fëmijëria në Pozharanin e Vitisë, në vitet e vështira të pasluftës dhe skamjes, e deri te formimi i tij intelektual në Universitetin e Prishtinës dhe angazhimi në institucionet kyçe të arsimit, kulturës dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Nëpërmjet një bashkëbisedimi të detajuar, Halabaku rikthen kujtime nga rruga e tij e hershme arsimore, përvojat si mësues dhe jurist, si dhe angazhimin në administratën shtetërore në periudhat më të ndjeshme historike për Kosovën. Një vend i veçantë i kushtohet rolit të tij në ngjarjet e vitit 1990, veçanërisht mbledhjes historike të 2 korrikut dhe rrethanave që pasuan deri te shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut.

Intervista ndalet gjithashtu te përvoja e tij në mërgim, puna shumëvjeçare në shkollën shqipe në Bavari, si dhe krijimtaria letrare që shtrihet në poezi, tregime, monografi dhe shkrime dokumentuese. Përmes kësaj bisede, del në pah jo vetëm rrugëtimi i një krijuesi dhe intelektuali, por edhe dëshmia e një epoke të tërë, e përjetuar dhe e rrëfyer nga brenda.

Kjo është një bisedë që ndërthur kujtesën personale me historinë kolektive, duke e vendosur figurën e Hamza Halabakut në një hapësirë ku jeta, letërsia dhe veprimtaria kombëtare bëhen një tërësi e pandashme.

GM: Z. Halabaku, ju keni lindur në Pozharan të Vitisë në një kohë që historia e mban mend si 'vitin e urisë dhe të skamjes' për shkak të ligjeve të rënda të grumbullimit. Kur ktheni kokën pas në atë periudhë të mjegullt, cilat janë imazhet e para që ju vijnë në mendje nga fëmijëria juaj dhe si do ta përshkruanit shkollën fillore të asaj kohe - atë strehë ku, përkundër vështirësive ekstreme, nisi rrugëtimi juaj drejt dijes?

HH: Po historia dhe kujtesa e popullit tonë vitin 1947 në Kosovë e mban mend si vit të skamjes dhe urisë, pasi ‘’pushteti popullor“ i Jugosllavisë së Re që doli pas Luftës së Dytë Botërore, me një urdhër të veçantë të asaj kohe, kinse në emër të tepricës, e detyronte popullatën shqiptare të dorëzonte të gjitha të mirat materiale (drithin e bukës, kafshët e shpezët për mish, pemët dhe perimet). Ligji për grumbullimin e tepricave për shqiptarët ishte ogurzi, sepse në emër të atij ligji u fshiheshin magjet, u merrej çdo gjë ushqimore, kërcënoheshin se kush nuk jep tepricat është armik i popullit. Ata që rezistonin përfundonin në burg.

Në këtë vit të skamjes dhe të urisë, kur pjesa dërmuese e popullatës shqiptare po luftonte me vdekjen për shkak të urisë, në një shtëpi karakteristike të Lagjes së Halabakëve, në Pozharan të komunës së Vitisë, më 10 shtator 1947, erdha në jetë unë, duke u bërë pjesëtar i familjes edhe me dy vëllezër e tri motra. Unë u rrita në familjen e madhe të gjyshit, Qerim Halabaku, i cili njihej për burrë bujar jo vetëm në fshatin Pozharan, ku jetonin 10 familje të Halabakëve, por edhe në rrethinë të Anamoravës. Në atë anë ishte e njohur oda e Qerim Halabakut. U rrita me rrëfimet e trishta për vuajtjet e shqiptarëve para dhe pas Luftës së Dytë Botërore nën pushtimin serbo-jugosllav dhe e them pa modesti se edhe unë, si shumë fëmijë shqiptarë të Kosovës, u burrërova para kohe, pasi shpeshherë duhej t’i ndihmoja babait në punët e shtëpisë dhe të tokës.

Në ato rrethana nisa dhe mbarova shkollën fillore në vendlindje dhe isha me fat që e kisha përkrahjen e familjes, e sidomos të babait, i cili nuk kursente asgjë për shkollimin tim. Rrugëtimi im drejt dijes vazhdoi pastaj në shkollimin e mesëm në Gjilan. Meqë në Kosovë ndihej nevoja për numër më të madh të mësuesve, pas përfundimit të shkollës ekonomike, u regjistrova në Prizren në kursin për rikualifikim, të cilin e kreva dhe u bëra mësues. Në vjeshtë të vitit 1967 fillova punën e mësuesit në fshatin Ballancë, në një shkollë të vogël me pak nxënës. Në atë shkollë, që ishte paralele e ndarë e Shkollës Fillore të fshatit tim të lindjes – Pozharanit, u detyrova të punoj me klasa të kombinuara, me klasën e dytë dhe të katërt përnjëherë.

GM: Për shkollimin e mesëm u larguat drejt Gjilanit e më pas në Prizren. Sa sfiduese ishte për një të ri të asaj kohe të shkëputej nga familja në Pozharan për të studiuar në qytete të tjera, dhe si e kujtoni sot përvojën tuaj të formimit tuaj të parë intelektual larg shtëpisë?

HH: Gjilani nuk ishte edhe aq larg nga vendlindja ime, por sfiduese ishte ngarendja e çdo të shtune për t'u kthyer në shtëpi, që krahas mësimit, të ndihmoja edhe në punët e shtëpisë. Ndërkaq, sa i përket Prizrenit, duhet të pranoj se ishte një mjedis që dallonte jo vetëm nga vendlindja ime, por edhe nga vetë Gjilani. Aty kishte kursistë nga mjedise të ndryshme të Kosovës; ishte një gërshetim kulturash e mentalitetesh që ndikoi shumë në formimin tim intelektual. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe fakti se me ne punonin kuadro të zgjedhura të kohës.

GM: Megjithëse kishit filluar të botonit shkrime që në bankat e shkollës fillore dhe asaj të mesme, ju zgjodhët të studionit Drejtësinë. Pse ky vendim? A ishte ky një rrugëtim drejt idealit tuaj për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar, apo e shihnit si një profesion 'të sigurt' për të përballuar sfidat e asaj kohe?

HH: Sikurse te shumë krijues letrarë, shkrimet e mia datojnë që nga bankat shkollore; ato botoheshin në fletushkat “Ideali” dhe “Shprehja e të rinjve”. Këtë pasion timin e vazhdova edhe më vonë. Sa i përket studimit të Drejtësisë, e kam thënë edhe herë të tjera se ëndrra ime rinore ka qenë të bëhesha njeri që ndan drejtësi, pasi edhe si fëmijë asnjëherë nuk e duroja të padrejtën. Jo rrallë mendoja se, nëse nuk do të bëhesha gjykatës, do të bëhesha mësues.

Në vitin 1973 më buzëqeshi fati dhe u punësova në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Kështu iu afrova edhe Universitetit të Prishtinës dhe, pa shkëputje nga puna, më 1979 mbarova Fakultetin e Drejtësisë. Tani dëshira për t’u bërë jurist m’u plotësua, por dëshira për të qenë njeriu që ndan drejtësinë kishte filluar të më venitej. Gjatë atyre viteve studimi e pune në Prishtinë, kisha vërejtur se gjyqtarët po punonin sipas diktatit politik, sidomos kur kishin të bënin me shqiptarët, të cilët dënoheshin rëndë me akuza ideologjike.

Në vitin 1975, në Kosovë ndodhi burgosja e dy grupeve të mëdha të shqiptarëve që akuzoheshin për veprimtari kundër shtetit. Ndaj këtyre të burgosurve politikë, gjatë procesit të hetuesisë, u ushtrua dhunë e madhe nga hetuesit e pushtetit serbo-komunist, ndërsa dënimet ishin drakonike. Kjo la vragë të madhe te unë dhe përfundimisht hoqa dorë nga ëndrra për t’u bërë gjykatës — njeriu që do të ndante drejtësi në mënyrën siç e idealizoja unë atë profesion.

GM: Si e kujtoni atmosferën në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve tuaja të studimeve, në atë periudhë kur ai po kthehej në vatrën kryesore të dijës dhe qëndresës sonë? Kush ishin disa nga profesorët apo kolegët që lanë gjurmë të pashlyeshme te ju dhe që ndikuan në formimin tuaj si jurist e intelektual?

HH: Dekada e viteve ’70 ishte një nga dekadat më të frytshme për prosperitetin dhe barazinë e shqiptarëve të Kosovës. Ishte periudha kur lulëzoi arsimi e kultura në përgjithësi. Ndryshime pozitive po bëheshin edhe në jetën shoqërore, politike dhe institucionale të Kosovës. Shoqëria kosovare po organizonte dhe drejtonte me efikasitet jetën e saj të brendshme, ritmet e zhvillimit të së cilës ishin domethënëse dhe premtuese në kushtet e një trashëgimie të varfër, të pakrahasueshme me republikat e tjera. Me ndryshimet kushtetuese që po bëheshin, shqiptarët në Kosovë po e forconin pozicionin e popullit komb në Jugosllavinë e atëhershme, me të gjitha cilësitë dhe aftësitë shtetformuese.

Universiteti i Prishtinës në atë periudhë po kthehej në vatrën kryesore të dijes dhe qëndresës sonë kombëtare, prandaj nuk ishte e rastësishme pse gjatë dy dekadave në vazhdim, në vitet ’80 e ’90, do të hidheshin gjithë ato shigjeta helmuese mbi Universitetin, profesorët dhe studentët e tij nga forcat nacional-shoviniste e hegjemoniste serbe.

Të gjithë profesorët që ligjëronin në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës ishin të shkëlqyer. Ata që te unë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme ishin: Akademik, prof. dr. Gazmend Zajmi, prof. dr. Ejup Statovci, prof. dr. Zejnullah Gruda, prof. dr. Ismet Salihu, prof. dr. Bardhyl Çaushi, prof. dr. Esat Stavileci e të tjerë. Sa herë takohemi me kolegët e studimeve dhe bisedojmë për profesorët tanë, themi se jemi krenarë për profesorët që kishim. Me disa prej tyre kam mbajtur dhe mbaj komunikim edhe sot e kësaj dite.

GM: Ju e nisët karrierën si mësues në fshatin Ballancë. Si e kujtoni përballjen e parë me nxënësit dhe cilat ishin sfidat e arsimit në atë kohë në zonat rurale të Vitisë?

HH: Siç theksova edhe më parë, në vjeshtë të vitit 1967 fillova punën e mësuesit në fshatin Ballancë. Për mua ishte gëzim i veçantë, se në radhë të parë do të bëhesha krah i ndihmës edhe financiare i familjes dhe, në radhë të dytë, po më jepej rasti që atë që kisha mësuar gjatë shkollimit ta bartja te brezat e rinj. Sfidë e veçantë për mua ishte se u detyrova të punoja me klasa të kombinuara, me klasën e dytë dhe të katërt përnjëherë, por edhe kushtet në të cilat punonim ishin tejet të pavolitshme, duke filluar nga objekti shkollor, inventari dhe mjetet mësimore. Mirëpo, ishte kënaqësi e veçantë të punoje me ata nxënës, ndonëse shumica ishin të varfër, por shumë të sjellshëm dhe me edukatë shembullore.

GM: Pas përvojës në arsim, nisët punën në Gjykatën Komunale në Viti. Sa ju ndihmuan studimet juridike për t'u përballur me realitetin e drejtësisë në praktikë dhe çfarë ndjesie ishte të shërbenit në vendlindjen tuaj, në një institucion me peshë kaq të madhe për jetën e qytetarëve?

HH: Edhe në Gjykatën Komunale të Vitisë nuk punova kohë të gjatë. Aty u punësova ngase i plotësoja kushtet e parapara me konkurs, sepse në Shkollën e Mesme Ekonomike kisha mbaruar drejtimin administrativ. Ishte maji i vitit 1969 kur e fillova punën në këtë gjykatë. Aso kohe kërkohej një përmirësim i strukturës nacionale në dobi të shqiptarëve në të gjitha organet administrative dhe organizatat punuese në tërë Kosovën. Aty isha një administrator, por punën e bëja me një entuziazëm të madh, sepse fundi i dekadës së viteve ’60 ishte periudha kur shqiptarët po merrnin frymë pak më lirshëm pas rënies së Aleksandar Rankoviqit dhe UDB-së së tij famëkeqe në Plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, i njohur si Plenumi i Brioneve i korrikut të vitit 1966, në të cilin iu dha një goditje me përmasa jugosllave shovinizmit e hegjemonizmit serb.

Pas këtij plenumi Kosovës iu hap një dritare e perspektivës dhe nga fundi i viteve ’60 shqiptarët filluan të bëhen më të zëshëm për kërkimin e të drejtave të tyre kombëtare. Në këtë vazhdë ishin diskutimet për deformimet, diskutimet për ndryshime kushtetuese dhe kërkesat e demonstratave gjithëpopullore të vitit 1968, të organizuara në Kosovë kryesisht nga studentët dhe rinia. Këto rrethana çuan në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos. Në vitin 1969 gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, pas asaj serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, ndërsa në shkurt të vitit 1970 u themelua edhe Universiteti i Prishtinës.

GM: Gjatë viteve të punës në Gjykatë, a kishte raste apo personazhe që ju lanë mbresa aq të forta sa të shndërroheshin më vonë në personazhe të tregimeve tuaja? Apo, për ju, bota juridike mbetej krejtësisht e ndarë nga universi juaj letrar?

HH: Krijimtaria ime letrare personazhet i ka nga jeta dhe nuk përjashtohet mundësia që ndonjë personazh në tregimet e mia të jetë edhe nga praktika ime në gjykatë.

GM: Në vitin 1973 filluat punën në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Si erdhi kjo lëvizje nga niveli komunal në atë krahinor dhe çfarë përfaqësonte për ju të ishit pjesë e qendrës ku hartoheshin politikat arsimore e kulturore të Kosovës?

HH: Në vitin 1973 fillova punën në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, respektivisht në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Pleqësia e Arsimit e Kosovës miratonte, pra lejonte tekstet shkollore dhe plan-programet mësimore për të gjitha nivelet e arsimit fillor e të mesëm. Për mua ishte privilegj i veçantë të punoja në atë institucion me njerëz të zotë, intelektualë të kalibrit të lartë të kohës. Aty mësova se një njeri është intelektual nëse kudo që gjendet nuk qëndron indiferent ndaj situatave e rrethanave në të cilat ndodhet e vepron dhe se nuk duhet të heqë dorë për asnjë çmim nga përkushtimi për t’u bërë i dobishëm për vetveten dhe kombin të cilit i takon.

Aty pata fatin të punoj me ish-profesorin tim, Tahir Z. Berisha, i cili kaherë kishte filluar të cilësohej MISIONAR I ARSIMIT KOMBËTAR. Profesor Tahiri kishte edhe meritën kryesore që unë u punësova aty. Ndërkaq, fati im ishte se për afro një dekadë bashkëpunova me profesor Tahirin, që asokohe ishte inspektor e kryeinspektor krahinor i Arsimit. Të punosh me profesor Tahirin ishte e pamundur të mos e kalitësh shëmbëlltyrën e një intelektuali që nuk duhej të dorëzohej, si dhe të një humanisti arsimdashës që nuk kurseu asgjë për zhvillimin e sistemit arsimor. Krahas prof. Tahirit kishte edhe personalitete të tjera me të cilët ishte kënaqësi të punoje, si bie fjala: Stathi Kostari, Salih Nushi, prof. dr. Fali Syla e të tjerë.

GM: Kjo periudhë njihet si "vitet e arta" të zhvillimit kulturor dhe arsimor në Kosovë (themelimi i Universitetit, rritja e botimeve). Si ishte të punoje brenda këtij institucioni në një kohë kur entuziazmi për dijen dhe kulturën shqiptare ishte në kulm?

HH: Në vitet ’70 të shekullit të kaluar në Kosovë ishin bërë ndryshime të mëdha në fushën e arsimit, të kulturës, të shkencës, po edhe të lëmive të tjera.

Nuk kishte si të mos i gëzohesha këtij avancimi të pozitës kushtetuese të Kosovës, avancim ky që më motivonte edhe më shumë të jem një punëtor ambicioz i administratës së Kosovës, i rrethuar nga juristë e pedagogë me përvojë, me të cilët punoja.

Shumë herë kryeinspektori Berisha më caktonte edhe mua në komisione për t’i “verifikuar” kushtet e nevojshme për hapjen e shkollave të ardhshme të mesme dhe atyre të larta, si dhe fakulteteve në Kosovë, që ishin përcaktuar me ligjet e atëhershme të Kosovës.

GM: Në Sekretariat u angazhuat në fushën e arsimit dhe kulturës. Si ju ndihmoi kjo pozitë për t'u lidhur më ngushtë me botën e shkrimtarëve dhe intelektualëve të kohës, duke marrë parasysh që edhe ju kishit filluar të afirmonit emrin tuaj si krijues?

HH: Gjithsesi, për mua ishte privilegj i veçantë të punoja me njerëz elitarë të fushave të arsimit e të kulturës. Prania ime në ambiente ku silleshin e vepronin kuadro të njohura të nivelit intelektual, në mesin e tyre edhe shkrimtarë, gjithsesi ishte nxitje dhe motivim për punën time edhe në lëmin e krijimtarisë letrare.

GM: Në qershor të vitit 1982, u emëruat ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës. Kjo lëvizje erdhi vetëm një vit pas demonstratave të vitit 1981, në një kohë kur situata politike ishte tejet e tensionuar dhe mbi Kosovën rëndonte pasiguria. Si e kujtoni atmosferën brenda korridoreve të Kuvendit në ato vite të para të punës suaj dhe si ndihej presioni i sistemit mbi zyrtarët shqiptarë?

HH: Emërimi në këtë pozitë ndikoi që përditë të kisha në dorë akte të ndryshme normative, kode, ligje e dekretligje, konkluzione, rezoluta e marrëveshje, vendime e aktvendime, të cilat nuk përfilleshin çdo herë kur ishte fjala për shqiptarët, sidomos diku nga mesi i viteve ’80.

Pas demonstratave të studentëve e të rinisë shkollore të vitit 1981, të përkrahura nga mbarë popullata shqiptare, filloi një fushatë e egër antishqiptare, e sulmit të programuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe e përkrahur nga inteligjencia e strukturat e pushtetit serb dhe Kisha Ortodokse Serbe. Serbia shtoi terrorin shtetëror me gjendje të jashtëzakonshme, me ekspedita ndëshkimore nëpër fshatra, me përndjekje, biseda të ashtuquajtura informative, burgosje e vrasje. Për ta arsyetuar fushatën e egër antishqiptare dhe sulmet e programuara, aparati shtetëror serb shpiku dhunimet e shpërnguljet me dhunë ndaj serbëve e malazezëve, të cilat vazhdimisht përsëriteshin në fjalime politike, si dhe në mjetet e informimit të Serbisë, si në shtyp ashtu edhe në radio e televizion. Me këtë Serbia arriti ta indoktrinonte një pjesë të popullatës serbe, e cila po i jepte mbështetje kësaj politike të Serbisë me lëvizjen e ashtuquajtur populiste “jogurt revolucioni”, lëvizje kjo që do të organizonte marshe protestuese që përshpejtuan edhe zhbërjen e Jugosllavisë së atëhershme. Kështu hap pas hapi Serbia arriti të siguronte rolin dominues ndaj aparatit shtetëror të Kosovës dhe organeve politike e administrative të saj.

GM: Në mbledhjen historike të 2 Korrikut 1990, ju ushtruat rolin e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës. Mund të na tregoni se si rrodhën ngjarjet deri te ky vendim dhe cilat ishin detyrat tuaja specifike në përgatitjen, administrimin dhe dokumentimin e protokollit të asaj dite, kur çdo rresht i shkruar po vuloste vullnetin politik të një populli?

HH: Në përfundim të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, dhuna shtetërore serbe në Kosovë sa vinte e shtohej, por edhe rezistenca e forcave patriotike shqiptare shkonte në rritje. Në pozitën e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës, unë isha njëri nga dëshmitarët e disa ngjarjeve që u zhvilluan atëherë në organin më të lartë legjislativ të Kosovës. Në këtë pozitë mora pjesë edhe në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, në të cilën u miratua Deklarata Kushtetuese.

Pozita e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës ma kishte mundësuar të isha një vrojtues i drejtpërdrejtë i situatës që u zhvillua atë ditë brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Atë ditë ndërtesa e Kuvendit ishte nën një shtetrrethim të paparë policor, pasi delegatëve nuk iu lejua hyrja në ndërtesë për ta mbajtur seancën e paralajmëruar disa ditë më parë. Mua më takoi ta mbaj me besnikëri procesverbalin nga ajo mbledhje historike e Kuvendit të Kosovës, ndërsa tekstin e miratuar të Deklaratës Kushtetuese, bashkë me nënshkrimet e 111 delegatëve të Kuvendit të Kosovës, i dërgova për botim në “Gazetën Zyrtare” të Kosovës, e cila të nesërmen pa dritën e botimit.

GM: Kur delegatët u mblodhën para dyerve të mbyllura të Kuvendit, si u menaxhua situata në rrafshin teknik dhe administrativ? Ishte frika e pranishme, apo mbizotëronte vendosmëria për të shpallur Deklaratën Kushtetuese pavarësisht rreziqeve?

HH: Delegatët ishin mbledhur para dyerve të mbyllura të Kuvendit, ndërsa vetë ndërtesa e Kuvendit ishte në një shtetrrethim, siç në të vërtetë ishin edhe delegatët. Ndonëse kishte frikë, te delegatët mbizotëronte vendosmëria për të shpallur Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës. Pozita e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës mua ma mundësoi të jem një vrojtues i drejtpërdrejtë i situatës që u zhvillua atë ditë brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e delegatëve u zhvillua sipas protokollit, pa asnjë anashkalim.

GM: Ju keni shkruar librin "Një ditë midis dy epokash". A e kishit mbajtur një ditar apo shënime gjatë atyre ditëve, duke e ditur se po jetonit momente që do të mbeteshin në histori?

HH: Në librin tim “Një ditë midis dy epokash” jam munduar që në mënyrë besnike ta prezantoj rrjedhën e asaj mbledhjeje, bashkë me atmosferën që mbizotëronte brenda dhe jashtë ndërtesës. Libri është pritur mirë si nga lexuesit, ashtu edhe nga kritika.

GM: Pas asaj mbledhjeje, ju vazhduat punën në rrethana jashtëzakonisht të rënda deri në shtator. Si u trajtua administrata e Kuvendit nga regjimi i asaj kohe dhe a e ndjenit rrezikun e arrestimit apo përndjekjes së drejtpërdrejtë?

HH: Pikërisht tri ditë më vonë, më 5 korrik të vitit 1990, okupatori serb mbylli dhunshëm në mbrëmje Radio Televizionin e Prishtinës dhe që nga dita e nesërme praktikisht ishin të okupuara të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës. Serbia ishte e vetëdijshme se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 shënonte njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe tri ditë më vonë, më 5 korrik, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, që nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij e deri te të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore. Ligji për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe shpallja e Kuvendit të Kosovës joekzistent ishte veprim sa antikushtetues, po aq edhe antinjerëzor.

Ne, një pjesë e shërbimit të Kuvendit të Kosovës, ishim në mision bashkë me delegatët dhe me anëtarët e Komisionit për Çështje Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, të cilët po punonin në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që ndryshe njihet si Kushtetuta e Kaçanikut.

Në ndërkohë, mua inspektorët e Sigurimit Shtetëror të Serbisë më ftuan në bisedë informative, diku në fillim të gushtit 1990. Pas bisedës njëorëshe, u detyrova të shkruaja deklaratën me titull: “Pse e kisha botuar në ‘Gazetën Zyrtare’ të Kosovës Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990“. Ishte kjo biseda e parë informative, por jo edhe e fundit.

Në rrethana jashtëzakonisht të rënda, ne vazhduam angazhimin deri më 7 shtator 1990, kur delegatët u tubuan në Kaçanik, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe e shpallën Kosovën Republikë.

GM: Shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990 ishte kulmi i rezistencës sonë institucionale. Sa e vështirë ishte për ju, si një nga arkivuesit e asaj historie, të pranonit se rruga e vetme për t'i shpëtuar përndjekjes ishte braktisja e atdheut, të cilin sapo e kishit shpallur të pavarur?

HH: Dua ta pranoj se brenda qenies sime ndodhi tronditja e madhe, pasi u detyrova ta braktisja Kosovën dhe të merrja rrugën e mërgimit, siç e morën delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator 1990 e shpallën Republikën e Kosovës dhe e miratuan Kushtetutën e saj.

GM: Cilat ishin sfidat dhe ndryshimet më të mëdha që përjetuat gjatë fillimit të jetës në Gjermani?

HH: Të them të drejtën, fillimi i jetës së mërgimtarit në Gjermani m'u duk shumë i rëndë. Përditë mendoja si të bëhesha i dobishëm për veten dhe për mërgatën tonë në Gjermani. Asokohe, në Gjermani ishte shtuar numri i mërgimtarëve shqiptarë dhe me këtë ishte rritur edhe numri i nxënësve shqiptarë. Më shkoi mendja se më i dobishëm në ato rrethana, për veten dhe kombin tim, do të ishte të punoja si mësues i shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe, ndaj përpjekjet i orientova në atë drejtim. Më buzëqeshi fati dhe u angazhova në procesin mësimor në Bavarinë Veriore, ku edhe kam punuar nga maji i vitit 1995 e deri në pensionim, më 1 tetor të vitit 2012.

Në 25-vjetorin e Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “N. Frashëri” në Gjermani

GM: Gjatë 15 viteve si mësues në Bavari, ju ndihmuat fëmijët e mërgatës të ruanin gjuhën dhe lidhjen me Kosovën. Cilat ishin sfidat më të mëdha në shkollën shqipe të mësimit plotësues dhe, bazuar në përvojën tuaj të gjatë, si e shikoni aktualitetin e arsimit shqip në diasporë dhe rrezikun e asimilimit?

HH: Organizimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë në përgjithësi, kurse në Bavari të Gjermanisë në veçanti, ndonëse i përcjellë me sfida të mëdha, pa dyshim është dëshmuar si digë e fortë kundër asimilimit të brezit të ri të bashkëkombësve tanë. Rëndësia e këtij mësimi konsiston në faktin se deri më tash shkollën me mësim plotësues në gjuhën shqipe e ndoqën shumë breza nxënësish, të cilët u pasuruan me njohuri nga gjuha amtare, historia e gjeografia kombëtare, arti dhe kultura shqiptare në përgjithësi. Në mesin e këtyre nxënësve në vitet ’90 kishte edhe prej atyre që kanë lindur në vend të huaj, por shumica ishte prej atyre që, ndonëse të lindur në trojet tona etnike, ishin rritur larg vendlindjes dhe vetëm me ëndrrat për ta parë një ditë atdheun e tyre. Aktualisht brezi i nxënësve tanë, më tepër se 90%, është i lindur në diasporë. Dhe ky fakt është një obligim më shumë për ne mësuesit, sepse atyre nxënësve duhet t’ua ngjallim ndjenjën e atdhedashurisë, dashurinë më të madhe për vendlindjen e prindërve të tyre.

Të flitet për rolin dhe rëndësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve tanë në botë, mjafton të kujtohet fakti se arsimimi dhe edukimi kombëtar janë një nga çështjet më madhore për kombin. Janë për t'u çmuar lart përpjekjet e mëdha, sfidat e pareshtura, sakrificat e vetëmohimet e atyre bashkatdhetarëve tanë për formimin e shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe, e cila tashmë ka një traditë të mirë dhe mbi rrënjët e forta e të thella të saj mund të priten suksese edhe më të mëdha. Është për t'u çmuar edhe kontributi i subjekteve arsimore të shteteve përkatëse dhënë shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe, të cilat për një kohë të gjatë krijuan parakushte të volitshme duke ofruar lokalin shkollor, mjetet mësimore, madje edhe pagesat (jo kudo) për kuadrin tonë arsimor.

Të jesh mësues i përkushtuar në diasporë është baras me një hero që e mund terrin dhe e përhap dritën, duke e kultivuar atatdhedashurinë dhe duke e luftuar asimilimin e brezave që po lindin e po rriten jashtë atdheut të tyre. Prandaj, ruajtja e gjuhës shqipe dhe ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës e zakoneve ishin përherë në qendër të vëmendjes sime, sepse identiteti kombëtar që ruan diaspora është qëllim i madh i yni.

GM: Krijimtaria juaj ka një shtrirje gjeografike, duke u botuar rregullisht në faqet e shtypit letrar dhe periodik në Prishtinë, Shkup e diasporë. Sa ka shërbyer ky komunikim i vazhdueshëm përmes gazetave dhe revistave si një 'urë' e gjallë mes jush dhe lexuesit shqiptar, dhe si ia dolët ta mbanit të ndezur këtë lidhje shpirtërore me vendlindjen edhe gjatë viteve të gjata të mërgimit?

HH: Krijimtaria ime letrare thuajse përherë ka nota të theksuara autobiografike. Shumica e poezive të mia, por edhe e tregimeve, sidomos të atyre për fëmijë, janë autobiografike. Lulet e fshatit tim të lindjes më duket se i kanë të gjitha ngjyrat që ekzistojnë në këtë botë. Edhe ëndrrat i shoh në katundin tim të lindjes dhe kënaqem me to.

Po edhe në mërgim përpiqem të shkruaj ndonjë varg, por më duket se edhe këtu më ndjek ai frymëzimi i vendlindjes. Lidhja shpirtërore me vendlindjen edhe gjatë viteve të gjata të mërgimit ishte shumë e fuqishme. Vetëm në Prishtinë, aty ku e kalova pjesën më të mirë të rinisë dhe pjekurisë sime, më duket se e shoh tërë botën si në shuplakë të dorës. Thënë shkurt, në Kosovë më duket se e kam peshën e natyrshme fizike... Ndërkaq, bota e emigrantëve është diçka e veçantë. Ata, sado që ta kenë mirë, ndihen të huaj në vendin ku punojnë e jetojnë.

GM: Duke parë rrugëtimin tuaj nga faqet e fletushkës 'Ideali' në Pozharan te 'Shprehja e të rinjve' në Gjilan, a mund të themi se këto dy botime ishin 'kushtetuta' e parë e shpirtit tuaj krijues?

HH: Natyrisht që po. Ishte, si të thuash, dashuria ime e parë me krijimtarinë letrare. Mirëpo, duhet ta pranoj se krijimtaria ime letrare më serioze është gjatë dekadës 1973–1982, kur punoja në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Aty shefi im ishte Stathi Kostari, nxënës i brezit të dytë të Normales së Elbasanit, që krenohej me mësimdhënësit e tij në përgjithësi, e në veçanti me profesorin Aleksandër Xhuvani. Prej tij mësoja shumë; madje, si thuhet, e kisha një derë të hapur për çdo konsultim që kisha nevojë.

GM: Anëtarësimi në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës përbën një vlerësim të lartë të krijimtarisë suaj. Si e kujtoni momentin kur u bëtë pjesë e kësaj familjeje të madhe krijuesish dhe çfarë mbresash ruani nga ky rrugëtim i përbashkët me elitën tonë letrare?

HH: Anëtarësimi në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës ishte një moment i veçantë për mua dhe një pikë kthese për nxitje edhe më të madhe në krijimtarinë time letrare e publicistike. Fjalën e kam për atë Lidhjen e Shkrimtarëve që e adhuronin të gjithë, ku anëtarësimi ishte më shumë se mburrje.

GM: Rrugëtimi juaj letrar ka nisur dhe vazhdon me poezinë. Si ka evoluar vargu juaj gjatë këtyre dekadave - nga hapat e parë në Kosovë deri te pjekuria në mërgim - dhe cila mbetet pika e palëkundur e frymëzimit tuaj poetik që ju shoqëron edhe sot?

HH: Në poezitë e mia gërshetohen tema e motive të shumta, të cilat, në një mënyrë gati të pandashme, i lidh tema e atdhedashurisë; brenda saj gjakimi për identitetin kombëtar, rikujtimi e himnizimi i personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme nga e kaluara dhe e tashmja jonë historike, arsimore e kulturore. Prandaj, brenda tekstit dhe nëntekstit tim poetik, është preokupimi im, qoftë si realitet, qoftë si imagjinatë krijuese.

GM: Në tregimet tuaja për të rritur, ju prekni shpesh tema të rënda njerëzore, herë si dëshmitar i dhimbjes e herë si rrëfimtar i qëndresës. Sa sfiduese është për ju që realitetin e vrazhdë të 'rrathëve' të jetës ta shndërroni në një prozë që, përtej rrëfimit, lë një mesazh tek lexuesi?

HH: Qëllimi i secilit autor është që me shkrimin e tij letrar të lërë një mesazh te lexuesi. Prandaj, unë jam përpjekur që në shkrimet e mia letrare, qofshin ato poezi apo tregime, por edhe në ato publicistike, të ketë thirrje për mendim, unitet e punë të përkushtuar në dobi të atdheut, por edhe mesazhe se si duhet vepruar në situata të caktuara në jetën e përditshme. Në këto shkrime jam përpjekur të përcjell nëntekstin se intelektualët shqiptarë duhet të jetojnë me problemet e kohës dhe të bëhen zë i artikuluar qartë i kërkesave kombëtare të bashkëmoshatarëve, kudo që ata jetojnë e veprojnë.

GM: Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë suaj u kushtohet fëmijëve dhe të rinjve, duke i mbajtur ata lidhur me rrënjët e tyre. Sipas përvojës suaj, cila është 'gjuha' më e mirë për t'u folur fëmijëve për atdheun dhe dashurinë për vendlindjen, veçanërisht kur ata rriten larg saj?

HH: Malli dhe dashuria për vendlindjen dhe atdheun shprehen me një dozë shumë më të theksuar kur njeriu ndodhet larg vendlindjes, atdheut. Unë, në një pjesë të madhe të krijimeve letrare për fëmijë e të rinj, shpreh mallin dhe dashurinë e fëmijëve tanë për vendlindjen e tyre, Kosovën, ndonëse shumë fëmijë, protagonistë të shkrimeve, nuk mund ta quajnë Kosovën vendlindje, sepse fati e deshi që ata të lindnin jashtë saj. Mirëpo, Kosova është vendlindja e prindërve të tyre dhe fëmijët atë e quajnë atdhe. Dhe kjo është gjuha më e mirë për t'u folur fëmijëve për atdheun dhe dashurinë për vendlindjen, veçanërisht kur ata rriten larg atdheut.

GM: Përveç letërsisë artistike, ju i keni kushtuar rëndësi të madhe dokumentimit të historisë, shkollës shqipe dhe figurave të shquara kombëtare. Pse e shihni si detyrim të pandashëm të shkrimtarit që, krahas imagjinatës, të shërbejë edhe si arkivues i fakteve dhe ngjarjeve që shënuan rrugëtimin tonë drejt pavarësisë?

HH: Është përgjegjësi e secilit intelektual të shërbejë edhe si arkivues i fakteve dhe ngjarjeve që shënuan rrugëtimin tonë gjatë historisë, duke veçuar edhe ndonjë nga figurat e shquara që lanë gjurmë nderi e krenarie në periudhat në të cilat jetuan e vepruan.

GM: Në botimet tuaja të viteve të fundit vërehet një dëshirë për t'u kthyer te kujtimet, ditarët dhe letrat imagjinare drejtuar miqve që nuk janë më. Sa ju ndihmon ky lloj shkrimi për të bërë një 'bilanc' jetësor dhe sa shërbejnë këto letra si një urë komunikimi mes brezit tuaj dhe atyre që do të vijnë pas?

HH: Secili shkrimtar synon të zgjedhë rrugën dhe mënyrën që ai e konsideron më të mirë për të krijuar ura komunikimi me lexuesit. Unë në këtë përpjekje kam prekur nga pak, siç thatë ju, edhe kujtimet, ditarët dhe letrat imagjinare për të krijuar disa vëllime, të cilat mund të them se janë pritur mirë nga lexuesit dhe kritika.

GM: Ju keni qenë pjesë e pandarë e hartës sonë kulturore, duke u angazhuar në takime e manifestime të shumta ndër vite. Cilat prej këtyre ngjarjeve do të veçonit si më mbresëlënëse dhe sa i rëndësishëm mbetet organizimi i tyre, jo vetëm për gjallërinë e artit, por edhe për konsolidimin e identitetit tonë kulturor, kudo ku frymohet shqip?

HH: Misioni ynë si mësues të mësimit plotësues në gjuhën shqipe ishte edhe organizimi i manifestimeve të ndryshme kulturore e sportive. Obligim dhe përgjegjësi ishte edhe angazhimi ynë për hapjen e shkollave të reja, për mirëvajtjen e punës së Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë "Naim Frashëri" dhe këshillave të bashkësisë së prindërve të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues.

Në shkrimet e mia informative gazetareske kam afirmuar përpjekjet për zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, duke propaganduar domosdoshmërinë e mbajtjes së tij në çdo mjedis ku ka nxënës shqiptarë. Gjithashtu, në shkrimet e mia gazetareske kam pasqyruar edhe mbajtjen e manifestimeve të ndryshme kulturore e sportive dhe, në përgjithësi, punët që bëhen për ruajtjen e gjuhës dhe të traditës shqiptare, por edhe për integrimin e bashkatdhetarëve në shtetin gjerman pa e dëmtuar identitetin kombëtar dhe gjuhën e tyre amtare. Janë disa orë letrare dhe ekspozita individuale të piktorëve tanë që veprojnë në diasporë, të cilat janë organizuar me sukses, por kishte edhe ekspozita me fotografi që pasqyronin zhvillimet e rëndësishme historike dhe kulturore shqiptare që nga kohët më të vjetra e deri sot. Pjesëmarja në manifestime të ndryshme letrare e kulturore shfrytëzohej për të përkujtuar të kaluarën e lavdishme, por edhe për të shprehur krenarinë dhe për të forcuar edhe më shumë ndjenjën kombëtare dhe dashurinë ndaj atatdheut.

Nga manifestimet e shumta, gjithsesi mbresëlënëse do të veçoja "Kampionatin e diturisë" që ishte një manifestim tradicional, pastaj Festivalin e këngëve dhe valleve të nxënësve të shkollave shqipe, si dhe garat sportive që organizoheshin çdo vit. Mendoj që organizimi i këtyre manifestimeve mbetet i rëndësishëm, jo vetëm për gjallërinë e artit e kulturës, por edhe për konsolidimin e identitetit tonë kulturor, kudo ku frymohet shqip, si dhe për krijimin e urave brenda komunitetit shqiptar në diasporë dhe integrimin e mirëfilltë me komunitetin vendor.

GM: Prezantimi i krijimtarisë suaj në vepra referenciale si 'Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001' apo 'Antologji e poezisë moderne shqipe', si dhe përkthimet në gjuhë të huaja, janë dëshmi e një rrezatimi që i kalon kufijtë tanë. Si e perceptoni rëndësinë e këtyre përfshirjeve për dokumentimin e vlerave të veprës suaj në histori dhe sa kanë ndikuar përkthimet në komunikimin e botës suaj letrare me lexuesin e huaj?

HH: Afirmimi i krijimtarisë letrare për secilin shkrimtar ka rëndësi të veçantë dhe, para së gjithash, është një satisfaksion moral për punën e tij. Së këndejmi, më ka gëzuar dhe më gëzon çdo prezantim i krijimtarisë sime në antologji, leksikone e panorama të ndryshme, por edhe nuk kam asnjëherë hatërmbetje pse në ndonjë rast jam anashkaluar. Bie fjala, shumë nga miqtë e mi kanë shprehur habi se si ka ndodhur që unë, me mbi 14 vepra letrare e publicistike të botuara, të mos përmendem fare në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, me kryeredaktor Mehmet Krajën, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (Prishtinë, 2018).

GM: Duke parë këtë rrugëtim të pasur që nis nga fletushkat shkollore,  kalon përmes sfidave të institucioneve të Kosovës, dekadave të mësimdhënies në mërgatë, e deri te vëllimet tuaja më të reja poetike të vitit 2025 - cili është 'testamenti' që dëshironi t'i lini lexuesit tuaj sot?

HH: Unë mendoj se letërsia i jep shpirt kulturës së një populli. Fuqia e letërsisë është e pazëvendësueshme; ajo tejkalon të gjitha format e tjera të shkrimit, sepse në vetvete ka fuqinë e shpirtit. Ajo flet edhe në gjuhën universale. Angazhimi im permanent ka qenë dhe mbetet që në çdo shkrim timin letrar, publicistik, por edhe gazetaresk, të lë një mesazh, “testament”, tek lexuesi. Ky mesazh mund të përmblidhet me pak fjalë: në mbijetesën tonë kombëtare përherë ka spikatur qëndresa e njeriut, nga e cila shkëlqen burrëria, besa, trimëria dhe mosnënshtrimi. Që një komb të mos vdesë kurrë, në çdo çast duhet të mbajë të ndezur kujtesën për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen.

GM: Sot, kur shihni shoqërinë shqiptare në vitin 2026, a mendoni se kemi arritur ta ndërtojmë atë "Arbërinë" që keni ëndërruar në vargjet tuaja, apo liria solli sfida të reja që po na zbehin vlerat tona tradicionale?

HH: Shkrimtarëve u lejohet të kenë kërkesa më avangarde dhe të mos pajtohen me realitetin ekzistues në asnjë rrethanë kohore. Unë kam përshtypjen se si shoqëri shqiptare, edhe pse tashmë e kemi kaluar një çerekshekull pas luftës së fundit në Kosovë, ende jemi shumë larg asaj që ta ndërtojmë atë “Arbërinë” që e kam ëndërruar në vargjet e mia. Dhe, çuditërisht, shpeshherë po ballafaqohemi edhe me sfida që duken tejet banale dhe për emërues të përbashkët kanë dobësitë tona të brendshme.

GM: Gjatë rrugëtimit tuaj keni bashkëpunuar me figura të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare. Sipas jush, cilat janë ato virtytet e "shqiptarit të vjetër" që duhet t'i mbajmë me çdo kusht, dhe cilat janë ato "vese" që duhet t'i lëmë pas për t'u integruar si komb dinjitoz në familjen evropiane?

HH: Përpjekja ime për të qenë afër disa, siç thoni ju, figurave të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, jo për krekosje, por për ta dhënë kontributin tim sado modest, nuk ka qenë pa rezultate. Sipas vlerësimit tim, edhe në këtë kapërcim të shekujve, në periudhën prej 5–6 dekadash, vërtet kemi pasur figura të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, të cilat i karakterizonte vizioni për të ardhmen, burrëria, besa, trimëria dhe mosnënshtrimi, që ishin virtyte denbabaden të popullit tonë liridashës. Mirëpo, nuk ishin të pakta edhe veset tona të dobëta që na përcjellin si popull, duke filluar nga bajraktarizmi, smira e xhelozia, deri te inati primitiv.

GM: Sot po përballemi me një valë të re të ikjes së rinisë. Ju që ikët nga dhuna, si e përjetoni sot ikjen e të rinjve në liri? Cili është apeli juaj kombëtar për ta: si mund ta duash atdheun pa u bërë "viktimë" e vështirësive të tij?

HH: Braktisja e atdheut, sidomos nga të rinjtë për kushte më të mira jetese, është njëri nga problemet më serioze me të cilat po ballafaqohet Kosova. Kjo është tragjedia më e madhe që po i ndodh atdheut tonë. Dyshimi i bazuar është se nuk kemi të bëjmë me lëvizje të lirë, por me një agjendë të shpopullimit të trojeve shqiptare. Ky plan ogurzi, i gatuar në kuzhinat antishqiptare dhe i mbështetur në heshtje nga qeveritarët tanë të pasluftës, ka për qëllim të përzë shqiptarët nga Kosova. Ikja nga atdheu shkatërron familjen, dhe shkatërrimi i familjes shkatërron kombin.

Të gjitha segmentet e organizuara të shoqërisë sonë, e sidomos institucionet kushtetuese të kombit, këto probleme duhet t’i trajtojnë e të merren seriozisht me to! Këto çështje duhet të trajtohen me urgjencë. Ata qeveritarë që nuk e shohin dhe nuk e ndiejnë këtë problem serioz, nuk punojnë në interes të kombit dhe të atdheut. Mirëpo, nevojitet edhe një vetëdijesim i të rinjve që ta kuptojnë se braktisja e atdheut nuk është zgjidhje, sidomos tash që ata nuk ndiqen nga pushteti okupues serb, siç ndodhte në vitet ’80 e ’90. Atyre përherë duhet rikujtuar ai proverbi i vjetër popullor: "Guri rëndë peshon në vend të vet", ose ajo shprehja e njohur shqiptare që thekson dashurinë për atdheun dhe vendlindjen: "Njeriut në vend të vet i duket më e ëmbël balta, se në vend të huaj mjalta".

GM: Si e shihni sot idenë e një bashkimi më të afërt kulturor, ekonomik e ndoshta edhe politik mes shqiptarëve në Ballkan?

HH: Asnjëherë nuk kanë qenë kushtet më të mira për një bashkim të këtillë, por, fatkeqësisht, ende jemi larg realizimit të ëndrrës së shumë brezave për shkak të veprimit të paskrupullt të shqiptarëve antikombëtarë, të cilët ende e mbajnë kokën nga Beogradi dhe Athina.

GM: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë dhe për shqiptarët kudo që ndodhen?

HH: Ta ruajmë gjuhën, kulturën dhe traditat tona, duke qëndruar të bashkuar e duke kontribuar për një të ardhme më të mirë, me zemër e shpirt. Është ky një mesazh bashkimi, krenarie dhe dashurie për atdheun për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me poetin, përkthyesin dhe publicistin Baki Ymeri Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Nexhmije Mehmetaj – ruajtëse e gjuhës dhe identitetit kombëtar Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin dhe studiuesin Avzi Mustafa (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur Salim Arifi Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin, piktorin dhe publicistin Fritz Radovani Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe ish-të përndjekurin politik Eduard M. Dilo Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Kristaq Turtulli – Ambasador i Kombit Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (IV) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me profesorin, studiuesin dhe publicistin Xhemaledin Salihu (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me piktorin e mirënjohur Gazmend Freitag Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Viola Shqau Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Hazir Mehmeti (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (V) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me shkrimtarin dhe publicistin Bedri Tahiri (IV)

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx