| E diele, 19.04.2026, 04:00 PM |

INTERVISTË ME SHKRIMTARIN, MËSUESIN DHE VEPRIMTARIN E ÇËSHTJES KOMBËTARE, HAMZA HALABAKU
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Hamza Nazif Halabaku lindi në fshatin
Pozharan të Vitisë në vitin 1947. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa
të mesmen në Gjilan dhe në Prizren. Studimet i përfundoi në Fakultetin Juridik
të Universitetit të Prishtinës. Për një kohë punoi si mësues në fshatin
Ballancë - Pozharan, ndërsa më pas edhe në Gjykatën Komunale në Viti.
Prej vitit 1973 punoi në Sekretariatin
Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kosovës. Në qershor të vitit 1982 u
emërua ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Më 2 korrik 1990 mori pjesë në mbledhjen
historike të Kuvendit të Kosovës, në rolin e sekretarit, pasi në atë kohë
ushtronte funksionin e ndihmëssekretarit të Kuvendit të Kosovës.
Në vitin 1990, pas 7 shtatorit, u detyrua të
emigronte në Gjermani.
Që në shkollën fillore nisi të botojë punimet
e tij në revistën e shkollës “Ideali”, si dhe më pas në revistën e shkollës së
mesme në Gjilan “Shprehja e të rinjve”.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës. Ka marrë pjesë në “Takimet e vendlindjes” në Gjilan, në “Takimet e Don
Mikel Tarabulluzit” në Stubëll të Vitisë, në Takimet e Gjeçovit në Zym, si dhe
në “Karvanin e Shkrimtarëve për fëmijë” nëpër Kosovë etj.
Është prezantuar në “Libri që po shkruhet”,
panoramë letrare e Luginës së Moravës së Kosovës (1979); në “Leksikonin e
Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-2001”, të Hasan Hasanit; në “Orët e
duartrokitjeve”, të Agim Devës e Xhevat Sylës (2001); si dhe në “Antologji e
poezisë moderne shqipe - Antologie der modernen albanischen Lyrik” të autorit
Ferdinand Laholli në Gjermani etj.
Pjesë nga krijimtaria e tij letrare janë
përkthyer në gjuhën gjermane, arabe, serbokroate etj. Që nga viti 1995 e deri
më 30 shtator 2010 ishte mësues në shkollën shqipe të mësimit plotësues në
Bavarinë Veriore. Nga 1 tetori 2010 deri më 30 shtator 2012 ishte në fazën e
parapensionit, ndërsa u pensionua më 1 tetor 2012.
Krijimet letrare të Hamza Halabakut janë
botuar në gazeta dhe revista të ndryshme në Prishtinë, Shkup dhe në diasporë,
si: “Rilindja”, “Bujku”, “Gëzimi”, “Bota sot”, “Pionieri”, “Doruntina” etj.
Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë i ka
dhënë çmimin “PENA E ARTË” për vitin 2021.
Deri tani ka botuar:
1. “A ka zot”, poezi, 1993, “Asdreni”, Shkup;
2. “Testamenti”, tregime për të rritur, 1997,
“Shkëndija”, Prishtinë;
3. “Kosovën e kemi në zemër”, tregime për
fëmijë, 2000, “Iliriku”, Prishtinë;
4. “Vrunduj kujtimesh”, monografi e shkollës
shqipe në Bavarinë Veriore, 2003;
5. “Emra që nuk harrohen – arsimtarë
shqiptarë në diasporë IV”, me bashkëautorë Tahir Z. Berishën dhe Çerkin
Bytyçin, 2006;
6. “Një ditë midis dy epokash” (2 Korriku dhe
dokumente të tjera që çuan te pavarësia), 2012, “Anton Pashku”, Prishtinë;
7. “Rrjedhë motesh – takime, kujtime,
ditar...”, Prishtinë, 2017 – botim i autorit me rastin e 70-vjetorit të lindjes;
8. “Tahir Z. Berisha - një jetë në mision të
dijes dhe të idealeve kombëtare” (bashkautor me Mujë S. Berishën), 2018, “Faik
Konica”, Prishtinë;
9. “Ecje rrathëve të ferrit”, tregime, 2019,
“Lena Graphic Desing”, Prishtinë;
10. “Rrugëtim interesant”, rrëfenja, 2021,
“DritaPress”, Prishtinë;
11. “U bëftë Arbëria”, poezi, 2022, “Rozafa”,
Prishtinë;
12. “Kosovën e kemi në zemër” (ribotim i
plotësuar), tregime për fëmijë, 2023, “Rozafa”, Prishtinë;
13. “Letra mikut në amshim” (Letra imagjinare
mikut tim, shkrimtarit të ndjerë Zejnullah Halilit), 2024, “DritaPress”,
Prishtinë;
14.“Imja luleborë”, poezi për fëmijë dhe të
rinj, 2025, “Rozafa”, Prishtinë.
Kjo intervistë ekskluzive për Zemra
Shqiptare me shkrimtarin, mësuesin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Hamza
Halabaku, sjell një rrëfim të gjerë jetësor që shtrihet nga fëmijëria në
Pozharanin e Vitisë, në vitet e vështira të pasluftës dhe skamjes, e deri te
formimi i tij intelektual në Universitetin e Prishtinës dhe angazhimi në
institucionet kyçe të arsimit, kulturës dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Nëpërmjet një bashkëbisedimi të detajuar,
Halabaku rikthen kujtime nga rruga e tij e hershme arsimore, përvojat si mësues
dhe jurist, si dhe angazhimin në administratën shtetërore në periudhat më të ndjeshme
historike për Kosovën. Një vend i veçantë i kushtohet rolit të tij në ngjarjet
e vitit 1990, veçanërisht mbledhjes historike të 2 korrikut dhe rrethanave që
pasuan deri te shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut.
Intervista ndalet gjithashtu te përvoja e tij
në mërgim, puna shumëvjeçare në shkollën shqipe në Bavari, si dhe krijimtaria
letrare që shtrihet në poezi, tregime, monografi dhe shkrime dokumentuese.
Përmes kësaj bisede, del në pah jo vetëm rrugëtimi i një krijuesi dhe
intelektuali, por edhe dëshmia e një epoke të tërë, e përjetuar dhe e rrëfyer
nga brenda.
Kjo është një bisedë që ndërthur kujtesën personale me historinë kolektive, duke e vendosur figurën e Hamza Halabakut në një hapësirë ku jeta, letërsia dhe veprimtaria kombëtare bëhen një tërësi e pandashme.
GM: Z. Halabaku, ju keni
lindur në Pozharan të Vitisë në një kohë që historia e mban mend si 'vitin e
urisë dhe të skamjes' për shkak të ligjeve të rënda të grumbullimit. Kur ktheni
kokën pas në atë periudhë të mjegullt, cilat janë imazhet e para që ju vijnë në
mendje nga fëmijëria juaj dhe si do ta përshkruanit shkollën fillore të asaj
kohe - atë strehë ku, përkundër vështirësive ekstreme, nisi rrugëtimi juaj
drejt dijes?
HH: Po
historia dhe kujtesa e popullit tonë vitin 1947 në Kosovë e mban mend si vit të
skamjes dhe urisë, pasi ‘’pushteti popullor“ i Jugosllavisë së Re që doli pas
Luftës së Dytë Botërore, me një urdhër të veçantë të asaj kohe, kinse në emër
të tepricës, e detyronte popullatën shqiptare të dorëzonte të gjitha të mirat
materiale (drithin e bukës, kafshët e shpezët për mish, pemët dhe perimet). Ligji për
grumbullimin e tepricave për shqiptarët ishte ogurzi, sepse në emër të atij
ligji u fshiheshin magjet, u merrej çdo gjë ushqimore, kërcënoheshin se kush
nuk jep tepricat është armik i popullit. Ata që rezistonin përfundonin në burg.
Në
këtë vit të skamjes dhe të urisë, kur pjesa dërmuese e popullatës shqiptare po
luftonte me vdekjen për shkak të urisë, në një shtëpi karakteristike të Lagjes
së Halabakëve, në Pozharan të komunës së Vitisë, më 10 shtator 1947, erdha në
jetë unë, duke u bërë pjesëtar i familjes edhe me dy vëllezër e tri motra. Unë
u rrita në familjen e madhe të gjyshit, Qerim Halabaku, i cili njihej për burrë
bujar jo vetëm në fshatin Pozharan, ku jetonin 10 familje të Halabakëve, por
edhe në rrethinë të Anamoravës. Në atë anë ishte e njohur oda e Qerim
Halabakut. U rrita me rrëfimet e trishta për vuajtjet e shqiptarëve para dhe
pas Luftës së Dytë Botërore nën pushtimin serbo-jugosllav dhe e them pa modesti
se edhe unë, si shumë fëmijë shqiptarë të Kosovës, u burrërova para kohe, pasi
shpeshherë duhej t’i ndihmoja babait në punët e shtëpisë dhe të tokës.
Në ato
rrethana nisa dhe mbarova shkollën fillore në vendlindje dhe isha me fat që e
kisha përkrahjen e familjes, e sidomos të babait, i cili nuk kursente asgjë për
shkollimin tim. Rrugëtimi im drejt dijes vazhdoi pastaj në shkollimin e mesëm
në Gjilan. Meqë në Kosovë ndihej nevoja për numër më të madh të mësuesve, pas
përfundimit të shkollës ekonomike, u regjistrova në Prizren në kursin për
rikualifikim, të cilin e kreva dhe u bëra mësues. Në vjeshtë të vitit 1967
fillova punën e mësuesit në fshatin Ballancë, në një shkollë të vogël me pak
nxënës. Në atë shkollë, që ishte paralele e ndarë e Shkollës Fillore të fshatit
tim të lindjes – Pozharanit, u detyrova të punoj me klasa të kombinuara, me
klasën e dytë dhe të katërt përnjëherë.
GM: Për shkollimin e mesëm
u larguat drejt Gjilanit e më pas në Prizren. Sa sfiduese ishte për një të ri
të asaj kohe të shkëputej nga familja në Pozharan për të studiuar në qytete të
tjera, dhe si e kujtoni sot përvojën tuaj të formimit tuaj të parë intelektual
larg shtëpisë?
HH: Gjilani nuk ishte edhe aq
larg nga vendlindja ime, por sfiduese ishte ngarendja e çdo të shtune për t'u
kthyer në shtëpi, që krahas mësimit, të ndihmoja edhe në punët e shtëpisë.
Ndërkaq, sa i përket Prizrenit, duhet të pranoj se ishte një mjedis që dallonte
jo vetëm nga vendlindja ime, por edhe nga vetë Gjilani. Aty kishte kursistë nga
mjedise të ndryshme të Kosovës; ishte një gërshetim kulturash e mentalitetesh
që ndikoi shumë në formimin tim intelektual. Nuk mund të lihet pa përmendur
edhe fakti se me ne punonin kuadro të zgjedhura të kohës.
GM: Megjithëse kishit
filluar të botonit shkrime që në bankat e shkollës fillore dhe asaj të mesme,
ju zgjodhët të studionit Drejtësinë. Pse ky vendim? A ishte ky një rrugëtim
drejt idealit tuaj për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar, apo e
shihnit si një profesion 'të sigurt' për të përballuar sfidat e asaj kohe?
HH: Sikurse te shumë krijues
letrarë, shkrimet e mia datojnë që nga bankat shkollore; ato botoheshin në
fletushkat “Ideali” dhe “Shprehja e të rinjve”. Këtë pasion timin e vazhdova
edhe më vonë. Sa i përket studimit të Drejtësisë, e kam thënë edhe herë të
tjera se ëndrra ime rinore ka qenë të bëhesha njeri që ndan drejtësi, pasi edhe
si fëmijë asnjëherë nuk e duroja të padrejtën. Jo rrallë mendoja se, nëse nuk
do të bëhesha gjykatës, do të bëhesha mësues.
Në
vitin 1973 më buzëqeshi fati dhe u punësova në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës.
Kështu iu afrova edhe Universitetit të Prishtinës dhe, pa shkëputje nga puna,
më 1979 mbarova Fakultetin e Drejtësisë. Tani dëshira për t’u bërë jurist m’u
plotësua, por dëshira për të qenë njeriu që ndan drejtësinë kishte filluar të
më venitej. Gjatë atyre viteve studimi e pune në Prishtinë, kisha vërejtur se
gjyqtarët po punonin sipas diktatit politik, sidomos kur kishin të bënin me
shqiptarët, të cilët dënoheshin rëndë me akuza ideologjike.
Në
vitin 1975, në Kosovë ndodhi burgosja e dy grupeve të mëdha të shqiptarëve që
akuzoheshin për veprimtari kundër shtetit. Ndaj këtyre të burgosurve politikë,
gjatë procesit të hetuesisë, u ushtrua dhunë e madhe nga hetuesit e pushtetit
serbo-komunist, ndërsa dënimet ishin drakonike. Kjo la vragë të madhe te unë
dhe përfundimisht hoqa dorë nga ëndrra për t’u bërë gjykatës — njeriu që do të
ndante drejtësi në mënyrën siç e idealizoja unë atë profesion.
GM: Si e kujtoni atmosferën
në Universitetin e Prishtinës gjatë viteve tuaja të studimeve, në atë periudhë
kur ai po kthehej në vatrën kryesore të dijës dhe qëndresës sonë? Kush ishin
disa nga profesorët apo kolegët që lanë gjurmë të pashlyeshme te ju dhe që
ndikuan në formimin tuaj si jurist e intelektual?
HH: Dekada
e viteve ’70 ishte një nga dekadat më të frytshme për prosperitetin dhe
barazinë e shqiptarëve të Kosovës. Ishte periudha kur lulëzoi arsimi e kultura
në përgjithësi. Ndryshime pozitive po bëheshin edhe në jetën shoqërore,
politike dhe institucionale të Kosovës. Shoqëria kosovare po organizonte dhe
drejtonte me efikasitet jetën e saj të brendshme, ritmet e zhvillimit të së
cilës ishin domethënëse dhe premtuese në kushtet e një trashëgimie të varfër,
të pakrahasueshme me republikat e tjera. Me ndryshimet kushtetuese që po
bëheshin, shqiptarët në Kosovë po e forconin pozicionin e popullit komb në
Jugosllavinë e atëhershme, me të gjitha cilësitë dhe aftësitë shtetformuese.
Universiteti
i Prishtinës në atë periudhë po kthehej në vatrën kryesore të dijes dhe
qëndresës sonë kombëtare, prandaj nuk ishte e rastësishme pse gjatë dy dekadave
në vazhdim, në vitet ’80 e ’90, do të hidheshin gjithë ato shigjeta helmuese
mbi Universitetin, profesorët dhe studentët e tij nga forcat
nacional-shoviniste e hegjemoniste serbe.
Të gjithë profesorët që ligjëronin në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës ishin të shkëlqyer. Ata që te unë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme ishin: Akademik, prof. dr. Gazmend Zajmi, prof. dr. Ejup Statovci, prof. dr. Zejnullah Gruda, prof. dr. Ismet Salihu, prof. dr. Bardhyl Çaushi, prof. dr. Esat Stavileci e të tjerë. Sa herë takohemi me kolegët e studimeve dhe bisedojmë për profesorët tanë, themi se jemi krenarë për profesorët që kishim. Me disa prej tyre kam mbajtur dhe mbaj komunikim edhe sot e kësaj dite.

GM: Ju e nisët karrierën si
mësues në fshatin Ballancë. Si e kujtoni përballjen e parë me nxënësit dhe
cilat ishin sfidat e arsimit në atë kohë në zonat rurale të Vitisë?
HH: Siç theksova edhe më parë,
në vjeshtë të vitit 1967 fillova punën e mësuesit në fshatin Ballancë. Për mua
ishte gëzim i veçantë, se në radhë të parë do të bëhesha krah i ndihmës edhe
financiare i familjes dhe, në radhë të dytë, po më jepej rasti që atë që kisha
mësuar gjatë shkollimit ta bartja te brezat e rinj. Sfidë e veçantë për mua
ishte se u detyrova të punoja me klasa të kombinuara, me klasën e dytë dhe të
katërt përnjëherë, por edhe kushtet në të cilat punonim ishin tejet të
pavolitshme, duke filluar nga objekti shkollor, inventari dhe mjetet mësimore.
Mirëpo, ishte kënaqësi e veçantë të punoje me ata nxënës, ndonëse shumica ishin
të varfër, por shumë të sjellshëm dhe me edukatë shembullore.
GM: Pas përvojës në arsim,
nisët punën në Gjykatën Komunale në Viti. Sa ju ndihmuan studimet juridike për
t'u përballur me realitetin e drejtësisë në praktikë dhe çfarë ndjesie ishte të
shërbenit në vendlindjen tuaj, në një institucion me peshë kaq të madhe për
jetën e qytetarëve?
HH: Edhe në Gjykatën Komunale
të Vitisë nuk punova kohë të gjatë. Aty u punësova ngase i plotësoja kushtet e
parapara me konkurs, sepse në Shkollën e Mesme Ekonomike kisha mbaruar
drejtimin administrativ. Ishte maji i vitit 1969 kur e fillova punën në këtë
gjykatë. Aso kohe kërkohej një përmirësim i strukturës nacionale në dobi të
shqiptarëve në të gjitha organet administrative dhe organizatat punuese në tërë
Kosovën. Aty isha një administrator, por punën e bëja me një entuziazëm të
madh, sepse fundi i dekadës së viteve ’60 ishte periudha kur shqiptarët po
merrnin frymë pak më lirshëm pas rënies së Aleksandar Rankoviqit dhe UDB-së së
tij famëkeqe në Plenumin IV të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të
Jugosllavisë, i njohur si Plenumi i Brioneve i korrikut të vitit 1966, në të
cilin iu dha një goditje me përmasa jugosllave shovinizmit e hegjemonizmit serb.
Pas
këtij plenumi Kosovës iu hap një dritare e perspektivës dhe nga fundi i viteve
’60 shqiptarët filluan të bëhen më të zëshëm për kërkimin e të drejtave të tyre
kombëtare. Në këtë vazhdë ishin diskutimet për deformimet, diskutimet për
ndryshime kushtetuese dhe kërkesat e demonstratave gjithëpopullore të vitit
1968, të organizuara në Kosovë kryesisht nga studentët dhe rinia. Këto rrethana
çuan në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos. Në
vitin 1969 gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, pas asaj
serbo-kroate; u legalizua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar, ndërsa në
shkurt të vitit 1970 u themelua edhe Universiteti i Prishtinës.
GM: Gjatë viteve të punës
në Gjykatë, a kishte raste apo personazhe që ju lanë mbresa aq të forta sa të
shndërroheshin më vonë në personazhe të tregimeve tuaja? Apo, për ju, bota
juridike mbetej krejtësisht e ndarë nga universi juaj letrar?
HH: Krijimtaria ime letrare
personazhet i ka nga jeta dhe nuk përjashtohet mundësia që ndonjë personazh në
tregimet e mia të jetë edhe nga praktika ime në gjykatë.
GM: Në vitin 1973 filluat
punën në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Si erdhi kjo
lëvizje nga niveli komunal në atë krahinor dhe çfarë përfaqësonte për ju të
ishit pjesë e qendrës ku hartoheshin politikat arsimore e kulturore të Kosovës?
HH: Në vitin 1973 fillova punën
në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, respektivisht në
Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Pleqësia e Arsimit e Kosovës miratonte, pra
lejonte tekstet shkollore dhe plan-programet mësimore për të gjitha nivelet e
arsimit fillor e të mesëm. Për mua ishte privilegj i veçantë të punoja në atë
institucion me njerëz të zotë, intelektualë të kalibrit të lartë të kohës. Aty
mësova se një njeri është intelektual nëse kudo që gjendet nuk qëndron
indiferent ndaj situatave e rrethanave në të cilat ndodhet e vepron dhe se nuk
duhet të heqë dorë për asnjë çmim nga përkushtimi për t’u bërë i dobishëm për
vetveten dhe kombin të cilit i takon.
Aty pata
fatin të punoj me ish-profesorin tim, Tahir Z. Berisha, i cili kaherë kishte
filluar të cilësohej MISIONAR I ARSIMIT KOMBËTAR. Profesor Tahiri kishte edhe
meritën kryesore që unë u punësova aty. Ndërkaq, fati im ishte se për afro një
dekadë bashkëpunova me profesor Tahirin, që asokohe ishte inspektor e
kryeinspektor krahinor i Arsimit. Të punosh me profesor Tahirin ishte e
pamundur të mos e kalitësh shëmbëlltyrën e një intelektuali që nuk duhej të
dorëzohej, si dhe të një humanisti arsimdashës që nuk kurseu asgjë për
zhvillimin e sistemit arsimor. Krahas prof. Tahirit kishte edhe personalitete
të tjera me të cilët ishte kënaqësi të punoje, si bie fjala: Stathi Kostari,
Salih Nushi, prof. dr. Fali Syla e të tjerë.
GM: Kjo periudhë njihet si
"vitet e arta" të zhvillimit kulturor dhe arsimor në Kosovë
(themelimi i Universitetit, rritja e botimeve). Si ishte të punoje brenda këtij
institucioni në një kohë kur entuziazmi për dijen dhe kulturën shqiptare ishte
në kulm?
HH: Në vitet ’70 të shekullit të kaluar në Kosovë
ishin bërë ndryshime të mëdha në fushën e arsimit, të kulturës, të shkencës, po
edhe të lëmive të tjera.
Nuk
kishte si të mos i gëzohesha këtij avancimi të pozitës kushtetuese të Kosovës,
avancim ky që më motivonte edhe më shumë të jem një punëtor ambicioz i
administratës së Kosovës, i rrethuar nga juristë e pedagogë me përvojë, me të
cilët punoja.
Shumë
herë kryeinspektori Berisha më caktonte edhe mua në komisione për t’i
“verifikuar” kushtet e nevojshme për hapjen e shkollave të ardhshme të mesme
dhe atyre të larta, si dhe fakulteteve në Kosovë, që ishin përcaktuar me ligjet
e atëhershme të Kosovës.

GM: Në Sekretariat u angazhuat në fushën e
arsimit dhe kulturës. Si ju ndihmoi kjo pozitë për t'u lidhur më ngushtë me
botën e shkrimtarëve dhe intelektualëve të kohës, duke marrë parasysh që edhe
ju kishit filluar të afirmonit emrin tuaj si krijues?
HH: Gjithsesi, për mua ishte privilegj i
veçantë të punoja me njerëz elitarë të fushave të arsimit e të kulturës. Prania
ime në ambiente ku silleshin e vepronin kuadro të njohura të nivelit
intelektual, në mesin e tyre edhe shkrimtarë, gjithsesi ishte nxitje dhe
motivim për punën time edhe në lëmin e krijimtarisë letrare.
GM: Në qershor të vitit
1982, u emëruat ndihmës i sekretarit të Kuvendit të Kosovës. Kjo lëvizje erdhi
vetëm një vit pas demonstratave të vitit 1981, në një kohë kur situata politike
ishte tejet e tensionuar dhe mbi Kosovën rëndonte pasiguria. Si e kujtoni
atmosferën brenda korridoreve të Kuvendit në ato vite të para të punës suaj dhe
si ndihej presioni i sistemit mbi zyrtarët shqiptarë?
HH: Emërimi
në këtë pozitë ndikoi që përditë të kisha në dorë akte të ndryshme normative,
kode, ligje e dekretligje, konkluzione, rezoluta e marrëveshje, vendime e
aktvendime, të cilat nuk përfilleshin çdo herë kur ishte fjala për shqiptarët,
sidomos diku nga mesi i viteve ’80.
Pas
demonstratave të studentëve e të rinisë shkollore të vitit 1981, të përkrahura
nga mbarë popullata shqiptare, filloi një fushatë e egër antishqiptare, e
sulmit të programuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe e
përkrahur nga inteligjencia e strukturat e pushtetit serb dhe Kisha Ortodokse
Serbe. Serbia shtoi terrorin shtetëror me gjendje të jashtëzakonshme, me
ekspedita ndëshkimore nëpër fshatra, me përndjekje, biseda të ashtuquajtura
informative, burgosje e vrasje. Për ta arsyetuar fushatën e egër antishqiptare
dhe sulmet e programuara, aparati shtetëror serb shpiku dhunimet e shpërnguljet
me dhunë ndaj serbëve e malazezëve, të cilat vazhdimisht përsëriteshin në
fjalime politike, si dhe në mjetet e informimit të Serbisë, si në shtyp ashtu
edhe në radio e televizion. Me këtë Serbia arriti ta indoktrinonte një pjesë të
popullatës serbe, e cila po i jepte mbështetje kësaj politike të Serbisë me
lëvizjen e ashtuquajtur populiste “jogurt revolucioni”, lëvizje kjo që do të
organizonte marshe protestuese që përshpejtuan edhe zhbërjen e Jugosllavisë së
atëhershme. Kështu hap pas hapi Serbia arriti të siguronte rolin dominues ndaj
aparatit shtetëror të Kosovës dhe organeve politike e administrative të saj.

GM: Në mbledhjen historike
të 2 Korrikut 1990, ju ushtruat rolin e Sekretarit të Kuvendit të Kosovës. Mund
të na tregoni se si rrodhën ngjarjet deri te ky vendim dhe cilat ishin detyrat
tuaja specifike në përgatitjen, administrimin dhe dokumentimin e protokollit të
asaj dite, kur çdo rresht i shkruar po vuloste vullnetin politik të një
populli?
HH: Në përfundim të viteve ‘80
dhe në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, dhuna shtetërore serbe në
Kosovë sa vinte e shtohej, por edhe rezistenca e forcave patriotike shqiptare
shkonte në rritje. Në pozitën e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës,
unë isha njëri nga dëshmitarët e disa ngjarjeve që u zhvilluan atëherë në
organin më të lartë legjislativ të Kosovës. Në këtë pozitë mora pjesë edhe në
mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, në të cilën u
miratua Deklarata Kushtetuese.
Pozita
e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës ma kishte mundësuar të isha
një vrojtues i drejtpërdrejtë i situatës që u zhvillua atë ditë brenda dhe
jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Atë ditë ndërtesa e Kuvendit ishte nën
një shtetrrethim të paparë policor, pasi delegatëve nuk iu lejua hyrja në
ndërtesë për ta mbajtur seancën e paralajmëruar disa ditë më parë. Mua më takoi
ta mbaj me besnikëri procesverbalin nga ajo mbledhje historike e Kuvendit të
Kosovës, ndërsa tekstin e miratuar të Deklaratës Kushtetuese, bashkë me
nënshkrimet e 111 delegatëve të Kuvendit të Kosovës, i dërgova për botim në “Gazetën
Zyrtare” të Kosovës, e cila të nesërmen pa dritën e botimit.
GM: Kur delegatët u
mblodhën para dyerve të mbyllura të Kuvendit, si u menaxhua situata në rrafshin
teknik dhe administrativ? Ishte frika e pranishme, apo mbizotëronte vendosmëria
për të shpallur Deklaratën Kushtetuese pavarësisht rreziqeve?
HH: Delegatët ishin mbledhur
para dyerve të mbyllura të Kuvendit, ndërsa vetë ndërtesa e Kuvendit ishte në
një shtetrrethim, siç në të vërtetë ishin edhe delegatët. Ndonëse kishte frikë,
te delegatët mbizotëronte vendosmëria për të shpallur Deklaratën Kushtetuese të
Pavarësisë së Kosovës. Pozita e ndihmësit të sekretarit të Kuvendit të Kosovës
mua ma mundësoi të jem një vrojtues i drejtpërdrejtë i situatës që u zhvillua
atë ditë brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Mbledhja e
delegatëve u zhvillua sipas protokollit, pa asnjë anashkalim.
GM: Ju keni shkruar librin
"Një ditë midis dy epokash". A e kishit mbajtur një ditar apo shënime
gjatë atyre ditëve, duke e ditur se po jetonit momente që do të mbeteshin në
histori?
HH: Në librin tim “Një ditë midis dy epokash” jam munduar
që në mënyrë besnike ta prezantoj rrjedhën e asaj mbledhjeje, bashkë me
atmosferën që mbizotëronte brenda dhe jashtë ndërtesës. Libri është pritur mirë
si nga lexuesit, ashtu edhe nga kritika.
GM: Pas asaj mbledhjeje, ju
vazhduat punën në rrethana jashtëzakonisht të rënda deri në shtator. Si u
trajtua administrata e Kuvendit nga regjimi i asaj kohe dhe a e ndjenit
rrezikun e arrestimit apo përndjekjes së drejtpërdrejtë?
HH: Pikërisht tri ditë më vonë,
më 5 korrik të vitit 1990, okupatori serb mbylli dhunshëm në mbrëmje Radio
Televizionin e Prishtinës dhe që nga dita e nesërme praktikisht ishin të
okupuara të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës.
Serbia ishte e vetëdijshme se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990
shënonte njërën nga hallkat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe tri
ditë më vonë, më 5 korrik, vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke
suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, që nga Kuvendi
e Këshilli Ekzekutiv i tij e deri te të gjitha institucionet e tjera shkencore,
arsimore e kulturore. Ligji për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe shpallja
e Kuvendit të Kosovës joekzistent ishte veprim sa antikushtetues, po aq edhe
antinjerëzor.
Ne,
një pjesë e shërbimit të Kuvendit të Kosovës, ishim në mision bashkë me
delegatët dhe me anëtarët e Komisionit për Çështje Kushtetuese të Kuvendit të
Kosovës, të cilët po punonin në hartimin e Kushtetutës së Republikës së
Kosovës, që ndryshe njihet si Kushtetuta e Kaçanikut.
Në
ndërkohë, mua inspektorët e Sigurimit Shtetëror të Serbisë më ftuan në bisedë informative,
diku në fillim të gushtit 1990. Pas bisedës njëorëshe, u detyrova të shkruaja
deklaratën me titull: “Pse e kisha botuar në ‘Gazetën Zyrtare’ të Kosovës
Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990“. Ishte kjo biseda e parë
informative, por jo edhe e fundit.
Në
rrethana jashtëzakonisht të rënda, ne vazhduam angazhimin deri më 7 shtator
1990, kur delegatët u tubuan në Kaçanik, miratuan Kushtetutën e Republikës së
Kosovës dhe e shpallën Kosovën Republikë.

GM: Shpallja e Kushtetutës
së Kaçanikut më 7 shtator 1990 ishte kulmi i rezistencës sonë institucionale.
Sa e vështirë ishte për ju, si një nga arkivuesit e asaj historie, të pranonit
se rruga e vetme për t'i shpëtuar përndjekjes ishte braktisja e atdheut, të
cilin sapo e kishit shpallur të pavarur?
HH: Dua ta pranoj se brenda
qenies sime ndodhi tronditja e madhe, pasi u detyrova ta braktisja Kosovën dhe
të merrja rrugën e mërgimit, siç e morën delegatët e Kuvendit të Kosovës, të
cilët më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator 1990 e
shpallën Republikën e Kosovës dhe e miratuan Kushtetutën e saj.
GM: Cilat ishin sfidat dhe
ndryshimet më të mëdha që përjetuat gjatë fillimit të jetës në Gjermani?
HH: Të them të drejtën, fillimi
i jetës së mërgimtarit në Gjermani m'u duk shumë i rëndë. Përditë mendoja si të
bëhesha i dobishëm për veten dhe për mërgatën tonë në Gjermani. Asokohe, në
Gjermani ishte shtuar numri i mërgimtarëve shqiptarë dhe me këtë ishte rritur
edhe numri i nxënësve shqiptarë. Më shkoi mendja se më i dobishëm në ato
rrethana, për veten dhe kombin tim, do të ishte të punoja si mësues i shkollës
me mësim plotësues në gjuhën shqipe, ndaj përpjekjet i orientova në atë drejtim.
Më buzëqeshi fati dhe u angazhova në procesin mësimor në Bavarinë Veriore, ku
edhe kam punuar nga maji i vitit 1995 e deri në pensionim, më 1 tetor të vitit
2012.

Në 25-vjetorin e Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “N. Frashëri” në Gjermani
GM: Gjatë 15 viteve si mësues në Bavari, ju ndihmuat
fëmijët e mërgatës të ruanin
gjuhën dhe lidhjen me Kosovën. Cilat ishin sfidat më të mëdha në shkollën
shqipe të mësimit plotësues dhe, bazuar në përvojën tuaj të gjatë, si e shikoni
aktualitetin e arsimit shqip në diasporë dhe rrezikun e asimilimit?
HH: Organizimi i mësimit
plotësues në gjuhën shqipe në diasporë në përgjithësi, kurse në Bavari të
Gjermanisë në veçanti, ndonëse i përcjellë me sfida të mëdha, pa dyshim është
dëshmuar si digë e fortë kundër asimilimit të brezit të ri të bashkëkombësve
tanë. Rëndësia e këtij mësimi konsiston në faktin se deri më tash shkollën me
mësim plotësues në gjuhën shqipe e ndoqën shumë breza nxënësish, të cilët u
pasuruan me njohuri nga gjuha amtare, historia e gjeografia kombëtare, arti dhe
kultura shqiptare në përgjithësi. Në mesin e këtyre nxënësve në vitet ’90
kishte edhe prej atyre që kanë lindur në vend të huaj, por shumica ishte prej
atyre që, ndonëse të lindur në trojet tona etnike, ishin rritur larg
vendlindjes dhe vetëm me ëndrrat për ta parë një ditë atdheun e tyre.
Aktualisht brezi i nxënësve tanë, më tepër se 90%, është i lindur në diasporë.
Dhe ky fakt është një obligim më shumë për ne mësuesit, sepse atyre nxënësve
duhet t’ua ngjallim ndjenjën e atdhedashurisë, dashurinë më të madhe për
vendlindjen e prindërve të tyre.
Të
flitet për rolin dhe rëndësinë e mësimit plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët
e mërgimtarëve tanë në botë, mjafton të kujtohet fakti se arsimimi dhe edukimi
kombëtar janë një nga çështjet më madhore për kombin. Janë për t'u çmuar lart
përpjekjet e mëdha, sfidat e pareshtura, sakrificat e vetëmohimet e atyre
bashkatdhetarëve tanë për formimin e shkollës me mësim plotësues në gjuhën
shqipe, e cila tashmë ka një traditë të mirë dhe mbi rrënjët e forta e të
thella të saj mund të priten suksese edhe më të mëdha. Është për t'u çmuar edhe
kontributi i subjekteve arsimore të shteteve përkatëse dhënë shkollës me mësim
plotësues në gjuhën shqipe, të cilat për një kohë të gjatë krijuan parakushte
të volitshme duke ofruar lokalin shkollor, mjetet mësimore, madje edhe pagesat
(jo kudo) për kuadrin tonë arsimor.
Të
jesh mësues i përkushtuar në diasporë është baras me një hero që e mund terrin
dhe e përhap dritën, duke e kultivuar atatdhedashurinë dhe duke e luftuar
asimilimin e brezave që po lindin e po rriten jashtë atdheut të tyre. Prandaj,
ruajtja e gjuhës shqipe dhe ndërgjegjësimi i prindërve shqiptarë mbi rëndësinë
e ruajtjes së gjuhës e zakoneve ishin përherë në qendër të vëmendjes sime,
sepse identiteti kombëtar që ruan diaspora është qëllim i madh i yni.
GM: Krijimtaria juaj ka një
shtrirje gjeografike, duke u botuar rregullisht në faqet e shtypit letrar dhe
periodik në Prishtinë, Shkup e diasporë. Sa ka shërbyer ky komunikim i
vazhdueshëm përmes gazetave dhe revistave si një 'urë' e gjallë mes jush dhe
lexuesit shqiptar, dhe si ia dolët ta mbanit të ndezur këtë lidhje shpirtërore
me vendlindjen edhe gjatë viteve të gjata të mërgimit?
HH: Krijimtaria ime letrare
thuajse përherë ka nota të theksuara autobiografike. Shumica e poezive të mia,
por edhe e tregimeve, sidomos të atyre për fëmijë, janë autobiografike. Lulet e
fshatit tim të lindjes më duket se i kanë të gjitha ngjyrat që ekzistojnë në
këtë botë. Edhe ëndrrat i shoh në katundin tim të lindjes dhe kënaqem me to.
Po edhe
në mërgim përpiqem të shkruaj ndonjë varg, por më duket se edhe këtu më ndjek
ai frymëzimi i vendlindjes. Lidhja shpirtërore me vendlindjen edhe gjatë viteve
të gjata të mërgimit ishte shumë e fuqishme. Vetëm në Prishtinë, aty ku e
kalova pjesën më të mirë të rinisë dhe pjekurisë sime, më duket se e shoh tërë
botën si në shuplakë të dorës. Thënë shkurt, në Kosovë më duket se e kam peshën
e natyrshme fizike... Ndërkaq, bota e emigrantëve është diçka e veçantë. Ata,
sado që ta kenë mirë, ndihen të huaj në vendin ku punojnë e jetojnë.
GM: Duke parë rrugëtimin
tuaj nga faqet e fletushkës 'Ideali' në Pozharan te 'Shprehja e të rinjve' në
Gjilan, a mund të themi se këto dy botime ishin 'kushtetuta' e parë e shpirtit
tuaj krijues?
HH: Natyrisht që po. Ishte, si
të thuash, dashuria ime e parë me krijimtarinë letrare. Mirëpo, duhet ta pranoj
se krijimtaria ime letrare më serioze është gjatë dekadës 1973–1982, kur punoja
në Pleqësinë e Arsimit të Kosovës. Aty shefi im ishte Stathi Kostari, nxënës i
brezit të dytë të Normales së Elbasanit, që krenohej me mësimdhënësit e tij në
përgjithësi, e në veçanti me profesorin Aleksandër Xhuvani. Prej tij mësoja
shumë; madje, si thuhet, e kisha një derë të hapur për çdo konsultim që kisha
nevojë.
GM: Anëtarësimi në Lidhjen
e Shkrimtarëve të Kosovës përbën një vlerësim të lartë të krijimtarisë suaj. Si
e kujtoni momentin kur u bëtë pjesë e kësaj familjeje të madhe krijuesish dhe
çfarë mbresash ruani nga ky rrugëtim i përbashkët me elitën tonë letrare?
HH: Anëtarësimi në Lidhjen e
Shkrimtarëve të Kosovës ishte një moment i veçantë për mua dhe një pikë kthese
për nxitje edhe më të madhe në krijimtarinë time letrare e publicistike. Fjalën
e kam për atë Lidhjen e Shkrimtarëve që e adhuronin të gjithë, ku anëtarësimi
ishte më shumë se mburrje.

GM: Rrugëtimi juaj letrar
ka nisur dhe vazhdon me poezinë. Si ka evoluar vargu juaj gjatë këtyre dekadave
- nga hapat e parë në Kosovë deri te pjekuria në mërgim - dhe cila mbetet pika
e palëkundur e frymëzimit tuaj poetik që ju shoqëron edhe sot?
HH: Në poezitë e mia
gërshetohen tema e motive të shumta, të cilat, në një mënyrë gati të pandashme,
i lidh tema e atdhedashurisë; brenda saj gjakimi për identitetin kombëtar,
rikujtimi e himnizimi i personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme nga e kaluara
dhe e tashmja jonë historike, arsimore e kulturore. Prandaj, brenda tekstit dhe
nëntekstit tim poetik, është preokupimi im, qoftë si realitet, qoftë si
imagjinatë krijuese.

GM: Në tregimet tuaja për
të rritur, ju prekni shpesh tema të rënda njerëzore, herë si dëshmitar i
dhimbjes e herë si rrëfimtar i qëndresës. Sa sfiduese është për ju që
realitetin e vrazhdë të 'rrathëve' të jetës ta shndërroni në një prozë që,
përtej rrëfimit, lë një mesazh tek lexuesi?
HH: Qëllimi i secilit autor
është që me shkrimin e tij letrar të lërë një mesazh te lexuesi. Prandaj, unë
jam përpjekur që në shkrimet e mia letrare, qofshin ato poezi apo tregime, por
edhe në ato publicistike, të ketë thirrje për mendim, unitet e punë të
përkushtuar në dobi të atdheut, por edhe mesazhe se si duhet vepruar në situata
të caktuara në jetën e përditshme. Në këto shkrime jam përpjekur të përcjell
nëntekstin se intelektualët shqiptarë duhet të jetojnë me problemet e kohës dhe
të bëhen zë i artikuluar qartë i kërkesave kombëtare të bashkëmoshatarëve, kudo
që ata jetojnë e veprojnë.

GM: Një pjesë e rëndësishme
e krijimtarisë suaj u kushtohet fëmijëve dhe të rinjve, duke i mbajtur ata
lidhur me rrënjët e tyre. Sipas përvojës suaj, cila është 'gjuha' më e mirë për
t'u folur fëmijëve për atdheun dhe dashurinë për vendlindjen, veçanërisht kur
ata rriten larg saj?
HH: Malli dhe dashuria për
vendlindjen dhe atdheun shprehen me një dozë shumë më të theksuar kur njeriu
ndodhet larg vendlindjes, atdheut. Unë, në një pjesë të madhe të krijimeve
letrare për fëmijë e të rinj, shpreh mallin dhe dashurinë e fëmijëve tanë për
vendlindjen e tyre, Kosovën, ndonëse shumë fëmijë, protagonistë të shkrimeve,
nuk mund ta quajnë Kosovën vendlindje, sepse fati e deshi që ata të lindnin
jashtë saj. Mirëpo, Kosova është vendlindja e prindërve të tyre dhe fëmijët atë
e quajnë atdhe. Dhe kjo është gjuha më e mirë për t'u folur fëmijëve për
atdheun dhe dashurinë për vendlindjen, veçanërisht kur ata rriten larg atdheut.

GM: Përveç letërsisë
artistike, ju i keni kushtuar rëndësi të madhe dokumentimit të historisë,
shkollës shqipe dhe figurave të shquara kombëtare. Pse e shihni si detyrim të
pandashëm të shkrimtarit që, krahas imagjinatës, të shërbejë edhe si arkivues i
fakteve dhe ngjarjeve që shënuan rrugëtimin tonë drejt pavarësisë?
HH: Është përgjegjësi e secilit
intelektual të shërbejë edhe si arkivues i fakteve dhe ngjarjeve që shënuan
rrugëtimin tonë gjatë historisë, duke veçuar edhe ndonjë nga figurat e shquara
që lanë gjurmë nderi e krenarie në periudhat në të cilat jetuan e vepruan.

GM: Në botimet tuaja të
viteve të fundit vërehet një dëshirë për t'u kthyer te kujtimet, ditarët dhe letrat
imagjinare drejtuar miqve që nuk janë më. Sa ju ndihmon ky lloj shkrimi për të
bërë një 'bilanc' jetësor dhe sa shërbejnë këto letra si një urë komunikimi mes
brezit tuaj dhe atyre që do të vijnë pas?
HH: Secili shkrimtar synon të
zgjedhë rrugën dhe mënyrën që ai e konsideron më të mirë për të krijuar ura
komunikimi me lexuesit. Unë në këtë përpjekje kam prekur nga pak, siç thatë ju,
edhe kujtimet, ditarët dhe letrat imagjinare për të krijuar disa vëllime, të
cilat mund të them se janë pritur mirë nga lexuesit dhe kritika.

GM: Ju keni qenë pjesë e
pandarë e hartës sonë kulturore, duke u angazhuar në takime e manifestime të
shumta ndër vite. Cilat prej këtyre ngjarjeve do të veçonit si më mbresëlënëse
dhe sa i rëndësishëm mbetet organizimi i tyre, jo vetëm për gjallërinë e artit,
por edhe për konsolidimin e identitetit tonë kulturor, kudo ku frymohet shqip?
HH: Misioni ynë si mësues të
mësimit plotësues në gjuhën shqipe ishte edhe organizimi i manifestimeve të
ndryshme kulturore e sportive. Obligim dhe përgjegjësi ishte edhe angazhimi ynë
për hapjen e shkollave të reja, për mirëvajtjen e punës së Këshillit të
Arsimtarëve Shqiptarë "Naim Frashëri" dhe këshillave të bashkësisë së
prindërve të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues.
Në
shkrimet e mia informative gazetareske kam afirmuar përpjekjet për zhvillimin e
mësimit plotësues në gjuhën shqipe, duke propaganduar domosdoshmërinë e
mbajtjes së tij në çdo mjedis ku ka nxënës shqiptarë. Gjithashtu, në shkrimet e
mia gazetareske kam pasqyruar edhe mbajtjen e manifestimeve të ndryshme
kulturore e sportive dhe, në përgjithësi, punët që bëhen për ruajtjen e gjuhës
dhe të traditës shqiptare, por edhe për integrimin e bashkatdhetarëve në
shtetin gjerman pa e dëmtuar identitetin kombëtar dhe gjuhën e tyre amtare.
Janë disa orë letrare dhe ekspozita individuale të piktorëve tanë që veprojnë
në diasporë, të cilat janë organizuar me sukses, por kishte edhe ekspozita me
fotografi që pasqyronin zhvillimet e rëndësishme historike dhe kulturore
shqiptare që nga kohët më të vjetra e deri sot. Pjesëmarja në manifestime të
ndryshme letrare e kulturore shfrytëzohej për të përkujtuar të kaluarën e lavdishme,
por edhe për të shprehur krenarinë dhe për të forcuar edhe më shumë ndjenjën
kombëtare dhe dashurinë ndaj atatdheut.
Nga
manifestimet e shumta, gjithsesi mbresëlënëse do të veçoja "Kampionatin e
diturisë" që ishte një manifestim tradicional, pastaj Festivalin e këngëve
dhe valleve të nxënësve të shkollave shqipe, si dhe garat sportive që
organizoheshin çdo vit. Mendoj që organizimi i këtyre manifestimeve mbetet i
rëndësishëm, jo vetëm për gjallërinë e artit e kulturës, por edhe për
konsolidimin e identitetit tonë kulturor, kudo ku frymohet shqip, si dhe për
krijimin e urave brenda komunitetit shqiptar në diasporë dhe integrimin e
mirëfilltë me komunitetin vendor.

GM: Prezantimi i
krijimtarisë suaj në vepra referenciale si 'Leksikoni i Shkrimtarëve Shqiptarë
1501-2001' apo 'Antologji e poezisë moderne shqipe', si dhe përkthimet në gjuhë
të huaja, janë dëshmi e një rrezatimi që i kalon kufijtë tanë. Si e perceptoni
rëndësinë e këtyre përfshirjeve për dokumentimin e vlerave të veprës suaj në
histori dhe sa kanë ndikuar përkthimet në komunikimin e botës suaj letrare me
lexuesin e huaj?
HH: Afirmimi i krijimtarisë
letrare për secilin shkrimtar ka rëndësi të veçantë dhe, para së gjithash,
është një satisfaksion moral për punën e tij. Së këndejmi, më ka gëzuar dhe më
gëzon çdo prezantim i krijimtarisë sime në antologji, leksikone e panorama të
ndryshme, por edhe nuk kam asnjëherë hatërmbetje pse në ndonjë rast jam
anashkaluar. Bie fjala, shumë nga miqtë e mi kanë shprehur habi se si ka
ndodhur që unë, me mbi 14 vepra letrare e publicistike të botuara, të mos
përmendem fare në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, me kryeredaktor Mehmet
Krajën, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (Prishtinë, 2018).
GM: Duke parë këtë rrugëtim
të pasur që nis nga fletushkat shkollore,
kalon përmes sfidave të institucioneve të Kosovës, dekadave të
mësimdhënies në mërgatë, e deri te vëllimet tuaja më të reja poetike të vitit
2025 - cili është 'testamenti' që dëshironi t'i lini lexuesit tuaj sot?
HH: Unë mendoj se letërsia i
jep shpirt kulturës së një populli. Fuqia e letërsisë është e pazëvendësueshme;
ajo tejkalon të gjitha format e tjera të shkrimit, sepse në vetvete ka fuqinë e
shpirtit. Ajo flet edhe në gjuhën universale. Angazhimi im permanent ka qenë
dhe mbetet që në çdo shkrim timin letrar, publicistik, por edhe gazetaresk, të
lë një mesazh, “testament”, tek
lexuesi. Ky mesazh mund të përmblidhet me pak fjalë: në mbijetesën tonë
kombëtare përherë ka spikatur qëndresa e njeriut, nga e cila shkëlqen burrëria,
besa, trimëria dhe mosnënshtrimi. Që një komb të mos vdesë kurrë, në çdo çast
duhet të mbajë të ndezur kujtesën për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen.
GM: Sot, kur shihni
shoqërinë shqiptare në vitin 2026, a mendoni se kemi arritur ta ndërtojmë atë
"Arbërinë" që keni ëndërruar në vargjet tuaja, apo liria solli sfida
të reja që po na zbehin vlerat tona tradicionale?
HH: Shkrimtarëve u lejohet të
kenë kërkesa më avangarde dhe të mos pajtohen me realitetin ekzistues në asnjë
rrethanë kohore. Unë kam përshtypjen se si shoqëri shqiptare, edhe pse tashmë e
kemi kaluar një çerekshekull pas luftës së fundit në Kosovë, ende jemi shumë
larg asaj që ta ndërtojmë atë “Arbërinë” që e kam ëndërruar në vargjet e mia.
Dhe, çuditërisht, shpeshherë po ballafaqohemi edhe me sfida që duken tejet
banale dhe për emërues të përbashkët kanë dobësitë tona të brendshme.
GM: Gjatë rrugëtimit tuaj
keni bashkëpunuar me figura të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare. Sipas jush,
cilat janë ato virtytet e "shqiptarit të vjetër" që duhet t'i mbajmë me
çdo kusht, dhe cilat janë ato "vese" që duhet t'i lëmë pas për t'u
integruar si komb dinjitoz në familjen evropiane?
HH: Përpjekja ime për të qenë
afër disa, siç thoni ju, figurave të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, jo për
krekosje, por për ta dhënë kontributin tim sado modest, nuk ka qenë pa
rezultate. Sipas vlerësimit tim, edhe në këtë kapërcim të shekujve, në
periudhën prej 5–6 dekadash, vërtet kemi pasur figura të mëdha të lëvizjes sonë
kombëtare, të cilat i karakterizonte vizioni për të ardhmen, burrëria, besa,
trimëria dhe mosnënshtrimi, që ishin virtyte denbabaden të popullit tonë
liridashës. Mirëpo, nuk ishin të pakta edhe veset tona të dobëta që na
përcjellin si popull, duke filluar nga bajraktarizmi, smira e xhelozia, deri te
inati primitiv.

GM: Sot po përballemi me
një valë të re të ikjes së rinisë. Ju që ikët nga dhuna, si e përjetoni sot
ikjen e të rinjve në liri? Cili është apeli juaj kombëtar për ta: si mund ta
duash atdheun pa u bërë "viktimë" e vështirësive të tij?
HH: Braktisja e atdheut, sidomos nga
të rinjtë për kushte më të mira jetese, është njëri nga problemet më serioze me
të cilat po ballafaqohet Kosova. Kjo është tragjedia më e madhe që po i ndodh
atdheut tonë. Dyshimi i bazuar është se nuk kemi të bëjmë me lëvizje të lirë,
por me një agjendë të shpopullimit të trojeve shqiptare. Ky plan ogurzi, i
gatuar në kuzhinat antishqiptare dhe i mbështetur në heshtje nga qeveritarët
tanë të pasluftës, ka për qëllim të përzë shqiptarët nga Kosova. Ikja nga
atdheu shkatërron familjen, dhe shkatërrimi i familjes shkatërron kombin.
Të gjitha segmentet e
organizuara të shoqërisë sonë, e sidomos institucionet kushtetuese të kombit,
këto probleme duhet t’i trajtojnë e të merren seriozisht me to! Këto çështje
duhet të trajtohen me urgjencë. Ata qeveritarë që nuk e shohin dhe nuk e
ndiejnë këtë problem serioz, nuk punojnë në interes të kombit dhe të atdheut.
Mirëpo, nevojitet edhe një vetëdijesim i të rinjve që ta kuptojnë se braktisja
e atdheut nuk është zgjidhje, sidomos tash që ata nuk ndiqen nga pushteti
okupues serb, siç ndodhte në vitet ’80 e ’90. Atyre përherë duhet rikujtuar ai
proverbi i vjetër popullor: "Guri
rëndë peshon në vend të vet", ose ajo shprehja e njohur shqiptare që
thekson dashurinë për atdheun dhe vendlindjen: "Njeriut në vend të vet i duket më e ëmbël balta, se në vend të huaj
mjalta".
GM: Si e shihni sot idenë e
një bashkimi më të afërt kulturor, ekonomik e ndoshta edhe politik mes
shqiptarëve në Ballkan?
HH: Asnjëherë nuk kanë qenë
kushtet më të mira për një bashkim të këtillë, por, fatkeqësisht, ende jemi
larg realizimit të ëndrrës së shumë brezave për shkak të veprimit të
paskrupullt të shqiptarëve antikombëtarë, të cilët ende e mbajnë kokën nga
Beogradi dhe Athina.
GM: Cili është mesazhi juaj
për lexuesit tanë dhe për shqiptarët kudo që ndodhen?
HH: Ta ruajmë gjuhën, kulturën
dhe traditat tona, duke qëndruar të bashkuar e duke kontribuar për një të
ardhme më të mirë, me zemër e shpirt. Është ky një mesazh bashkimi, krenarie
dhe dashurie për atdheun për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.