Editorial » Entela
Entela Binjaku: Urime ditëlindjen e 15-të gazeta “Ilinden”!
E enjte, 02.04.2026, 06:55 PM

Urime ditëlindjen e 15-të gazeta “Ilinden”!
Nga
Entela Binjaku
Në
një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe plot përzemërsi, gazeta e pakicës
maqedonase në Shqipëri "Ilinden" shënoi 15-vjetorin e botimit të saj.
Ceremonia festive u zhvillua në mjediset e Hotelit dhe Restorantit “Dreri”,
pranë parkut të liqenit në Tiranë, një vend i qetë dhe i rrethuar nga natyra,
që i dha veprimtarisë një atmosferë të veçantë. Veprimtaria, e organizuar në
mesditën e së mërkurës së 1 prillit 2026 mblodhi miq, bashkëpunëtorë dhe
dashamirës të gazetës, përfaqësues të misionit të OSBE-së në Tiranë, përfaqësues të shoqatave të pakicave etj. Të
pranishëm ishin edhe maqedonas nga Tirana, Elbasani, Korça, Golo Brdo, Prespa,
Gora, si dhe të ftuar të tjerë, anëtarë të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”. Në
fjalën e tij, kryeredaktori Nikolla Gjurgjaj vuri në dukje rrugëtimin e gazetës
që nga botimi i numrit të parë e deri më sot, duke theksuar se në duart e lexuesve
kanë arritur deri sot gjithsej 71 numra. Numri i parë i gazetës u botua më 1
mars 2011, si një nismë e Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë. Në këtë
përvjetor mori pjesë dhe përshëndeti
znj. Radmila Stojmirovska, E Ngarkuara me Punë e Republikës së Maqedonisë
të Veriut në Tiranë. Në fjalën e saj
zonja Stojmirovska, theksoi rëndësinë e këtij botimi, i cili për më
shumë se një dekadë e gjysmë ka qenë një shtyllë e vërtetë e komunitetit
maqedonas në Shqipëri dhe një vend ku çdo anëtar mund të gjejë lajmet,
informacionet dhe zhvillimet më të fundit nga atdheu ynë, nga Shqipëria dhe nga
jeta e përditshme e komunitetit maqedonas.
Duke
shprehur urimet e sinqerta dhe përgëzimet për suksese të mëtejshme zonja
Stojmirovska tha se: "Është e rëndësishme të theksohet se botimi i gazetës
bëhet i mundur edhe falë mbështetjes së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe
Tregtisë së Jashtme, e cila ofron ndihmë financiare në formën e fondeve të
projektit për botimin e saj të rregullt".
Në fjalën e tij, kryeredaktori Gjurgjaj theksoi se gazeta “Ilinden”, në
15-vjetorin e saj, mbetet një dëshmi e përkushtimit dhe punës së vazhdueshme,
ndërsa rëndësia e saj do të vlerësohet edhe më shumë nga historia. Ai ju
drejtua me falënderime lexuesve besnikë, të cilët me interesin dhe mbështetjen
e tyre kanë dëshmuar rëndësinë e kësaj gazete për komunitetin. Më tej fjalën e
morën zoti Vasil Sterjovski, kryetar i “Aleancës së Maqedonasve për Integrim
Europian”, zoti Nikolla Angelovski, nënkryetar i Shoqatës “VARDAR-MKD” nga
Podgorica, Mali i Zi. Në këtë ditë festive gazeta nderoi me certifikatë
mirënjohjeje zonjën Marjana Doda, kryeredaktore e portalit
"argumentum.al".
Ndër
të pranishmit ishin gjithashtu z. Atanas Ploça, nënkryetar i Bashkisë së
Pustecit, Vasil Sterjovski, kryetar i “Aleancës së Maqedonasve për Integrim
Europian”, Verica Mukoska, lektore e gjuhës maqedonase në Fakultetin e Gjuhëve
të Huaja të Universitetit të Tiranës, si dhe avokati Nikolla Angelovski,
nënkryetar i Shoqatës “VARDAR-MKD” nga Podgorica, Mali i Zi. Botimet e gazetës
“Ilinden” ruhen në institucione të rëndësishme, si Biblioteka Kombëtare në
Tiranë, Biblioteka e Kuvendit të Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare dhe
Universitare “Shën Kliment Ohridski” në Shkup, si dhe në institucione të tjera
kulturore dhe shkencore. Misioni i gazetës ka qenë dhe mbetet ruajtja dhe
promovimi i gjuhës, kulturës dhe identitetit maqedonas në Shqipëri. Gjatë
viteve, ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve me
interes për këtë komunitet dhe në forcimin e identitetit të tij etnik, gjuhësor
dhe kulturor. Nga marsi i vitit 2017, përveç versionit të shtypur, gazeta është e aksesueshme edhe online në faqen e
saj zyrtare duke u bërë e arritshme për publikun e gjerë, si dhe për maqedonasit
në Shqipëri, rajon dhe diasporë. Sot gazeta është standardizuar sipas normave
ndërkombëtare për botimet periodike, duke u pajisur me ISSN, dhe përmbajtja e
saj shpërndahet edhe në platforma të njohura informative në vendin fqinj.
Pakica kombëtare maqedonase në Shqipëri
është e përqendruar në shumë fshatra përgjatë kufirit
shqiptaro-maqedonas në zonën e Prespës në Bashkinë e Pustecit, në fshatin
Vërnik në Bashkinë e Devollit, në zonën e Gollobordës, në Bashkitë e Librazhdit
dhe Bulqizës, në fshatrat Herbel dhe Kërçisht i Epërm dhe i Poshtëm në Bashkinë
e Peshkopisë si dhe në zonën e Gorës në Bashkinë e Kukësit.










