Editorial » Entela
Entela Binjaku: Në 'Vitin e Porumbeskut', kompozitorit rumun të 'Hymnit të Flamurit'
E shtune, 28.10.2023, 06:04 PM
Në “Vitin e Porumbeskut”, kompozitorit rumun të „Hymnit të Flamurit”
Nga
Entela Binjaku
Viti 2023 përkon me 170 vjetorin e lindjes së kompozitorit rumun Çiprian Porumbesku (Ciprian Porumbescu) dhe me 140 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në shenjë respekti të veçantë për artistin e shquar, me vendim të qeverisë rumune viti 2023 u vendos si Viti “Çiprian Porumbesku”. Artdashësit muzikorë në mbarë botën, njohësit dhe interpretuesit e muzikës së tij e kujtojnë me nderim Porumbeskun përmes koncerteve e programeve të posaçme. Vitin e kaluar në Tiranë në prag të festave kombëtare të Shqipërisë dhe të Rumanisë u mbajt koncerti me titull “Miqësia historike midis dy kulturave” ku një ndër pjesët e interpretuara ishte edhe “Balada për violinë e orkestër” e kompozitorit Çiprian Porumbesku, e që sot njihet si vepra që është interpretuar më shumë e shkruar prej tij. Në muajin shtator të vitit të kaluar në kuadër të forcimit të marrëdhenieve rumuno-shqiptaro në Tiranë sërish u mbajt një aktivitet kulturor, që kishte në qendër figurën e kompozitorit rumun të himnit kombëtar shqiptar. E pranishme në aktivitet pasardhësja në tri breza e Porumbeskut znj. Stanka Sholz Çionka shpjegoi ndër të tjera kontributin që stërgjyshi i saj kishte dhënë në fushën e muzikës. “U mahnita kur dëgjova nga kolegët se një ndër universitetet e Japonisë në seksionin e muzikës, një nga pjesët e detyrueshme për ata që ndjekin mësimin e violinës është balada e Çiprian Porumbeskut. Në të gjitha vendet e banuara nga rumunët muzika e tij edhe sot është shumë e dëgjuar dhe e pëlqyer”, u shpreh ajo para publikut në kryeqytet. Të dyja këto takime të mbajtura në prani të Ambasadorit të Rumanisë në Tiranë, z. Oktavian Sherban, i cili në fjalët që ju drejtonte publikut nënvizonte rëndësinë e zgjerimit të marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve. Lidhjet kulturore rumuno-shqiptare datojnë prej shekujsh dhe mbështeten në fakte me rëndësi historike. Një ndër këto lidhet me emrin e kompozitorit të himnit tonë kombëtar. Që në vitet e para në formimin shkollor mësojmë se vargjet Hymnit i ka shkruar Asdreni dhe muzika është e Çiprian Porumbeskut. Vetë Asdreni ka jetuar gjatë në Rumani e ka ndërruar jetë në Bukuresht në vitin 1947 vend nga ku mbështeste lëvizjen kombëtare shqiptare. Por himni i ka rrënjët në vitin 1879 kur muzikanti i ri Ciprian Golembiovski e që më vonë u njoh si Çiprian Porumbesku shkoi të studiojë në Vjenë. Falë një burse ai vazhdoi studimet për muzikë (në 1879 – 1881), „Konservatorium für Musik und darstellende Kunst” në Vjenë ku mori mesime nga Anton Bruckner dhe Franz Krenn. Në vitin 1880 doli në treg koleksioni me 20 këngë dhe pjese për kor që u sollën në nje “Përmbledhje këngësh sociale për studentët rumunë”. Në këtë përmbledhje gjenden edhe pjesa me titull “Himni i Bashkimit- Në flamurin tonë” apo edhe “Kënga e Tringjyrëshit”. Në këtë vit ai kompozoi pjesën me titull “Himni i Bashkimit”, mbështetur në vargjet e Andrei Bërseanut e që sot njihet me titullin: “Në flamurin tonë është shkruar Bashkim” por që më vonë u bë Himni i Republikës së Shqipërisë. Në vitin 1880, i kthyer në vendlindjen e tij në Shtupkë kompozoi të famshmen “Baladën për violinë dhe orkester”. Në të njëjtin vit, Porumbesku shkroi vargjet dhe kompozoi “Këngën e tringjyrëshit”, pjesë që deri në vitin 1977 ishte Himni kombëtar i Rumanisë. Në vitin 1881, jetoi e punoi për një pjesë kohe në qytetin e Brashovës. Më 11 mars 1882, në sallën festive të Liceut Rumun të Brashovës u dha premiera e operetës “Crai Nou”. Sot ky lice ku ai punoi si mesues muzike mban emrin Kolegji Kombëtar “Andrei Shaguna”. Andrei Shaguna është një figurë e shquar në Rumaninë e kohës me rrënjë e prejardhje nga Grabova e Sipërme që edhe sot e kësaj dite gëzon respekt e prestigj. Violinisti, kompozitori dhe teologu Porumbesku lindi më 14 tetor 1853, në komunën Shipot të Sucavës. Ai ishte fëmija i dytë i çiftit Irakli dhe Emilia Golembiovski me origjinë polake. Në 1881, familja e tij ndryshoi mbiemrin në Porumbesku, pasi e kishte përdorur më parë si pseudonim. Mësimet e para muzikore i mori nga një muzikant i njohur që gjatë verës vinte në fshatin e tij për të mbledhur materiale nga folklori dhe qëndronte ne familjen Golembiovski-Porumbesku. Ai njihet si themeluesi i operetës së parë rumune dhe ndër kompozitorët më të njohur të kohës së tij. Sot në mbarë botën luhen veprat e tij të njohura si: „Crai Nou”, „Balada për violinë dhe orchestër” op.29, “Në flamurin tonë është shkruar Bashkim” mbi notat e të cilit është vendosur sot Himni Kombëtar i Shqipërisë apo edhe pjesa e ish himnit rumun „Tri ngjyrat” etj. Klima e ashpër dhe tejlodhja e rendonin shëndetin e tij të sëmurë nga tuberkulozi, pavarësisht se shkoi të kurohej në Itali ai nuk arriti t´ja dalë së keqes e më 6 qershor 1883, Porumbesku ndërroi jetë. Ishte ende pa mbushur 30 vjeç, kur u shua në krahët e së motrës dhe nën sytë e pikëlluar të të atit. Para se të vdiste, i shprehu te motres edhe dëshirën e fundit: “Mos e lini muzikën time të vdesë”. Dëshira e Porumbeskut që gjendet në strofën e fundit të “Këngës së tringjyrëshit” është sot një dëshirë e plotësuar: Në kryq mbi vendprehjen e artistit patriot ndodhen ngjyrat e flamurit rumun dhe vargjet: “Dhe kur, o vëllezër, do të largohem, Prej jush, dhe do të vdes, Mbi varr atëherë të më vendosni, Krenarin Tringjyrëshin tonë”.