Editorial » Entela
Entela Binjaku: Pranverë kulturore mes miqve nga Timishoara
E marte, 23.05.2023, 08:30 PM
Pranverë kulturore mes miqve nga Timishoara
Nga
Entela Binjaku
Nga
data 15 maj 2023 në mbrëmje e deri në mëngjesin e datës 19 në vendin tonë
zhvilloi një vizitë një ekip nga Shoqata për Kulturën e Banatit dhe nga
Fakulteti i Muzikës dhe i Teatrit i Universitetit Perëndimor të Timishoarës në
Rumani. Kjo vizitë u realizua falë bashkëpunimit të këtyre institucioneve me
Fondacionin Harriet Martineau me seli në Tiranë. Ekipi në përbërje të të cilit
ishin 8 pjestarë, profesorë, doktorë, doktorandë dhe studentë mori pjesë në
disa takime kulturore që u zhvilluan në Tiranë dhe në Fier. Koordonatorët e
programit nga Rumania ishin: prof.univ.dr. Lucian Emil Ro?ca, Dr. Adrian Boba,
Dr. Lavinius Nikolajevic, Drd. Adrian Balla. Aktivitetet nisën paraditen e
datës 16 Maj 2023, në selinë e Ambasadës së Rumanisë Tiranë ku ekipi nga
Timishoara u prit nga Ambasadori i Rumanisë në vendin tonë Sh.T Oktavian
Sherban. Drejtuesi i Përfaqësisë Diplomatike të Rumanisë në vendin tonë
Ambasadori Sherban bëri një paraqitje
të gjerë
të historikut të marrëdhënieve mes dy vendeve tona,
mbështetjes që Rumania I jep
Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, u ndal tek arumunët si
një pikë lidhje e fortë mes dy popujve,
tek të rinjtë që në mënyrë të përvitshme ndjekin institucionet arsimore rumune
dhe që një pjesë e të cilëve sot janë në
pozicione të rëndësishme të shtetit shqiptar duke kontribuar në
zhvillimet e shoqërisë. Të ftuar për të qenë të pranishëm në takim disa orësh
ishin edhe përfaqësues të komunitetit arumun të Shqipërisë. E mërkura e 17 majit u ishte rezervuar takimeve
me komunitetin arumun: dita e dytë e
aktiviteve nisi me vizitën në fshatin Rreth-Libofshë të qytetit të Fierit në
familjet e lagjes Stan – Manastir. Miqtë nga Universiteti Perëndimor i
Timishoarës ndanë me disa nga familjet e kësaj lagjeje çaste të veçanta në
shoqërinë e këngës, muzikës
instrumentale, gjuhës dhe traditave. Mikpritja e ngrohtë, respekti, komunikimi dhe gadishmëria
ishin disa nga pikat kyçe të këtij takimi. Aktivitetet vazhduan me vizitën në
fshatin Portëz në studion e Zisa Mushës, një ndër pjestarët e komunitetit
arumun, i njohur për punimet mjeshtërore në dru. Vizitorët në atelienë
e mjeshtrit Musha shprehën vlerësimin dhe befasinë për aftësinë
për të punuar drurin e për
të krijuar me duart e tij, vepra të çmuara. Më tej rreth një kafeje miqësore të
pranishmit në mjediset pranë ateliesë, ndanë përshtypjet, vlerësimet për punën
e tij si dhe shqetësimet për të ardhmen e artizanatit. Rreth orës 17.00 në
qytetin e Fierit, në mjediset e kompleksit “Apollon” u mblodhën fëmijë, të rinj, qytetarë të
moshave të ndryshme nga
komuniteti arumun i qytetit të cilët ndoqën takimin muzikor me titull:
"Tinguj pranvere". Nëpërmjet këtij takimi muzikor Fondacioni
H.Martineau risolli një cikël të vendosur në kalendarin e aktiviteteve disa
vite më parë. Për të pranishmit interpretoi grupi vokal arumun i Mekatit të
Vlorës. Ky grup sapo ka kaluar fazën e parë përzgjedhëse për në festivalin folklorik
të Gjirokastrës. Më 24 maj ky grup do të paraqitet në nivel qarku në Teatrin
"Petro Marko" të qytetit në fazën përfundimtare. Grupi polifonik
arumun kishte udhëtuar posaçërisht drejt Fierit për t´u bashkuar në këtë
aktivitet. Pas tri këngëve në dialektin arumun interpretuan edhe anëtarët e
Ansamblit Vokal dhe Instrumental të Muzikës Tradicionale të Fakultetit të
Muzikës dhe Teatrit të Universitetit Perëndimor të Timishoarës. Kënga, muzika
instrumentale popullore, pasioni për traditën, dëshira për ta paraqitur atë,
ishin e përbashkëta e këtij takimi. Mjedisi i ngrohtë, komunikimi i hapur,
klima pozitive, ishin epiqëndra e këtij aktiviteti. Në kthim drejt Tiranës
ndalesa e katërt e këtij udhëtimi ishte Kavaja. Në këtë qytet grupi nga
Timishoara u prit nga z.Todi Buli, Drejtuesi artistik i Ansamblit Folklorik
arumun të Kavajës. Ky grup me një aktivitet prej dy dekadash ishte në mbrëmjen
e 15 majit edhe pjesë e Festivalit të Resë, edicioni 7 që u mbajt në Tiranë. z.
Buli bëri për të pranishmit një paraqitje të shfaqjeve dhe vlerësimeve të marra
si dhe shprehu dëshirën për të qenë pjesëmarrës në aktivitetet folklorike që
zhvillohen në Timishoara, qytet që këtë vit është shpallur edhe kryeqyteti
evropian i kulturës. Me pamjet e mrekullueshme të perëndimit të diellit mbi
bregdet në Golem u mbyll edhe kjo ditë e veçantë takimesh kulturore dhe
shpirtërore. E enjtja e 18 majit nisi me takimin zyrtar në Universitetin e
Arteve mes ekipit nga Universiteti i Timishoarës dhe rektoratit të këtij
Universiteti. Profesorët nga UVT i dorëzuan zv.rektorit të UA-së Prof. Arian
Paços kërkesë-propozimin për nisjen e një bashkëpunimi mes të dyja
institucioneve arsimore që do t´u hapë rrugën shkëmbimeve mes profesoratit dhe
studentëve. Më tej Bibliotekës së Universitetit të Arteve ju dhuruan libra
muzikorë rumunë nga ana e Shoqatës për Kulturën e Banatit. Drejtoresha e
Bibliotekës znj. Miranda Bakiasi shprehu falëndërimet në emër të institucionit
dhe foli edhe njëherë për lidhjet e shumta që vetë pedagogët e këtij
institucioni kanë me Rumaninë. Në mesditën e së enjtes në Lektoriumin “Tonin
Harapi” në prani të pedagogëve, punonjësve të Universitetit, të studentëve u
mbajt një sesion ligjëratash me temë: "Kultura dhe folklori muzikor në
hapësirën ballkanike”. Në këtë takim të pranishmëve ju paraqitën një seri
punimesh në lëmin e folklorit që ekipi nga Universiteti i Timishoarës kishte
kryer falë punës kërkimore shkencore. Në mbyllje të kësaj dite të ngjeshur
aktivitetesh në sallën "Çesk Zadeja" të Universitetit të Arteve u
mbajt një koncert recital ku interpretuan anëtaret e Ansamblit Vokal dhe
Instrumental të Muzikës Tradicionale nga Fakulteti i Muzikës dhe i Teatrit në
UVT. Kostumet, meloditë, këngët tradicionale rumune të trevave të ndryshme
zbukuruan atmosferën e artdashësve të pranishëm në sallë.
Në
mbyllje të kësaj vizite ishte rezervuar një intervistë në emisionin
"Mirëmëngjes Shqipëri" në kanalin e parë të RTSH-së ku të pranishëm
në studio dy nga profesorët rumunë folën edhe për projektet e ardhshme dhe
dëshirën për një bashkëpunim dobiprurës për të gjithë partnerët e përfshirë.