Editorial » Entela
Entela Binjaku: "Viti i Emineskut" sapo ka nisur!
E diele, 02.02.2025, 07:14 PM
"Viti i Emineskut" sapo ka nisur!
Në
175 vjetorin e lindjes së poetit të shquar rumun
Nga
Entela Binjaku
Këtë
vit mbushen 175 vjet nga lindja e poetit dhe mendimtarit kombëtar rumun Mihai
Eminesku (15 janar 1850 – 15 qershor 1889). Nga viti 2011 datëlindja e poetit
të madh nderohet nga populli rumun si Dita e Kulturës Kombëtare. Falë një
vendimi të përbashkët marrë nëntorin e
kaluar, Akademitë e Shkencave të Rumanisë dhe të Moldavisë e kanë shpallur
vitin 2025 si “Vitin e Emineskut”. Gjatë
muajve në vazhdim pritet të mbahen veprimtari të ndryshme midis të cilave edhe
Kongresi Botëror i Emineskologëve. Në Shqipëri sot ky poet i madh nga brezat e
qytetarëve nën të 40-tat pothuajse nuk njihet më. Edhe pse është sjelle afër
lexuesve në gjuhën shqipe nga zëra të shquar të përkthimit si: Mitrush Kuteli,
Lasgush Poradeci, Gjergj dhe Dionis Bubani, Vehbi Bala, Perikli Jorgoni, etj.
sërish ky poet i madh zë fare pak vend në programet e letërsisë në shkolla.
Ndër përkthyesit e shquar të Emineskut është edhe shkrimtari ynë i madh Ismail
Kadare. Mitrush Kuteli shqipëroi 2.500 vargje, poezi dhe fragmente nga poemat,
që i përfshiu edhe në një punim kushtuar Emineskut, liriku ynë i shquar Lasgush
Poradeci mbrojti edhe doktoraturën në Grac të Austrisë mbi këtë gjigand të
letërsisë dhe shqipëroi afro 5.000 vargje të poetit kombëtar rumun. Poeti ynë i
dashur i vargjeve të himnit kombëtar, Asdreni, është shprehur se u ndikua nga
poezia e Emineskut. E megjithë këto vlera të rinjtë që arsimohen në shkollat
tona lexojnë përciptazi për Emineskun në klasën e 12-të, kur studiojnë Lasgush
Poradecin në lëndën e letërsisë shqipe. Kur mësojnë për Poradecin u shpjegohet
se liriku ynë i shquar u ndikua mjaft nga Eminesku. Mihai Eminesku është zëri
poetik më i rëndësishëm në letërsinë rumune. Vepra e tij u ndikua nga filozofia
antike, nga Herakliti te Platoni, nga teoritë e Shopenhauerit, Kantit dhe
teoritë e Hegelit. Poezinë e parë e botoi në moshën 16-vjeçare. Të gjithë që e
lexuan, nga studiuesit më të mëdhenj e deri te njerëzit e thjeshtë, u magjepsën
nga vargu dhe poezia e tij. Eminesku është autori i poezisë më të gjatë të
dashurisë "Luceaf?rul" që në shqip ka ardhur me titullin: "Ylli
i dritës". Ai është autori që e përshkroi në vargje në mënyrë të
mrekullueshme fëmijërinë e tij kaluar në Botoshan dhe Ipotesht. Kritikat dhe
qëndrimet e mendimtarëve të ndryshëm për Emineskun janë të larta. Ndër to mund
të përmendim Eliaden sipas të cilit se "sikur nga populli rumun të
mbijetonte vetëm një kopje e librit të Emineskut, e gjithë bota do të mësonte
se cili kishte qenë kombi rumun". Ndërkohë historiani i njohur, akademiku
Ioan-Aurel Pop, njëherazi presidenti i Akademisë Rumune, e vlerëson Emineskun
si "arkitektin shpirtëror të Rumanisë moderne". Nga njohës të vlerës
së këtij poeti Eminesku vijon të nderohet në Shqipëri. Sepse siç thotë Nasi
Lera vargjet e tij janë "poezia e një zemre të sinqertë që personifikon
shpirtin e popullit të tij". Në këto tri vitet e fundit në Fier, në Tiranë
si dhe së fundmi edhe në platformat online janë mbajtur takime kulturore me në
qendër Emineskun. Në këto biseda të ngrohta e miqësore ka qenë në qendër
poezia, interpretimi, përkthimet mjeshtërore, ndjenjat më të thella të shpirtit
njerëzor, lirizmi, dashuria e pakufishme për vendin. Ndër poezitë e interpretuara në këto raste
përmendim: Odë”, “Glosë”, “Përse nuk vjen”?, “Sa vite shkuan”, “Vetëm ti më
s´më shfaqesh” etj. Takimi i një viti më parë mbajtur në kryeqytet, në
ditëlindjen e poetit Kombëtar rumun në mjediset e Bibliotekës “Moikom Zeqo”
kishte në edhe qendër lidhjet historike midis dy popujve tanë të mbështetura në
çastet madhore të historisë, kulturës, qytetërimit dhe diplomacisë midis dy
vendeve. Në takimin e 15 janarit 2024 mori pjesë edhe Ambasadori i Rumanisë,
SH.T.Z. Oktavian Sherban. Për të rinjtë e pranishëm Ambasadori Sherban paraqiti
një tablo të rëndësisë që ka kultura dhe identiteti në një botë globale duke
përcjellë rëndësinë që ka për të rinjtë njohja e kulturës kombëtare.
Përfaqësuesi i lartë i shtetit rumun përcolli kontributin e Emineskut si
publicist, paraqiti profilin e shoqërisë shqiptare sipas poetit të shquar,
botuar në gazetat e kohës rreth 150 vjet më parë. Por këto takime kulturore në
ditëlindjen e Emineskut nisën fillimisht në qytetin e Fierit, i njohur për
lidhjet me Rumaninë kryesisht falë studentëve nga familjet arumune të këtij
qyteti artdashës. Në këtë takim nismëtar, mori pjesë edhe z. Kopi Kyçyku,
tashmë i ndarë nga jeta. Doktori i Shkencave, akademiku, profesori, përkthyesi
i disa veprave letrare z. Kyçyku foli për punën me përkthimin e veprës së
kritikut Xhorxhe Këlinesku mbi jetën e Emineskut. Duke u ndalur edhe tek
kontributi i arumunëve në historinë e zhvillimeve shoqërore në vendin tonë, ai
theksoi rëndësinë e figurave të rëndësishme të letrave si Poradeci duke u
vlerësuar edhe lirizmin e dy poetëve të shquar.
Gjatë
një interviste dhënë akademikut rumun Mihai Çimpoi, kryetar i Lidhjes së
Shkrimtarëve të Moldavisë, Akademiku Kyçyku,
shprehej: "Eminesku ka dëshmuar një dashuri të kulluar për
Shqipërinë dhe shqiptarët, bie fjala në gazetën “Timpul” (Koha), qysh më 1880,
kur përmendte me respekt e adhurim familjen Gjika, nga e cila rrjedhin princi
Albert dhe Dora d’Istria, shkrimtare dhe filozofë...Ca më shumë: Eminesku ka
pohuar me gojën e vet se i pëlqente jashtë mase gjuha shqipe dhe se ishte duke
e mësuar atë..." Rumunët e kudogjendur çdo 15 janar mbajnë veprimtari për
promovimin e trashëgimisë kulturore rumune dhe kontributin e saj në
diversitetin e kulturës evropiane e më gjerë. Në Shqipëri nderimi i këtij
monumenti shpirtëror të kulturës rumune, është nderim edhe i punës së figurave
të shquara të kulturës kombëtare shqiptare të cilat i kanë kushtuar poezisë së
Emineskut nga jeta dhe puna e tyre, pasion, vullnet, dije dhe orë të panumërta
përkushtimi. "Viti i Emineskut" sapo ka nisur!