Editorial » Entela
Entela Binjaku: E ardhmja e Shqipërisë në 8 minuta...
E enjte, 22.08.2024, 07:59 PM
E ardhmja e Shqipërisë në 8 minuta...
Nga
Entela Binjaku
Kjo
ishte një pjesë nga thirrjet nëpërmjet të cilave Instituti i Statistikave
(INSTAT) ju drejtua qytetarëve për të marrë pjesë në CENSUS-in e Popullsisë dhe
Banesave të vitit 2023. Pesë ditë para nisjes zyrtare të procesit, në Tiranë u
mbajt Konferenca Hapëse ku titullarja e INSTAT-it, znj. Elsa Dhuli ndër te
tjera, u shpreh: “Përgatitja e Censusit bazohet në standarte evropiane, në
ligje të përmirësuara vendase dhe në teknologji bashkëkohore...ndjek
rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian për statistika
profesionale”. Ambasadori Soreka, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të
Bashkimit Evropian në atë kohë në Shqipëri foli për rëndësinë që kishte
rregjistrimi dhe fuqizimi i sistemit statistikor i Shqipërisë në procesin e
negociatave për anëtarësim. CENSUS-i nisi më 18 shtator (me përjashtim të
Bashkisë së Kukësit ku filloi më 24 shtator) dhe vazhdoi deri në datën 15
Nëntor 2023. Pas 8 muajsh, më 28 Qershor
2024, INSTAT-i zhvilloi Konferencën
Mbyllëse të këtij procesi duke
paraqitur rezultatet paraprake nga të dhënat që kishte grumbulluar mbi
arsimin, gjendjen shëndetësore, punësimin, etninë, besimin fetar, gjuhën,
elementë të jetës shoqërore etj. Ndër rezultatet befasuese të Censusit, ishin
ato që lidheshin me nëntë pakicat kombëtare të njohura zyrtarisht në Shqipëri
për të cilat Kushtetuta parashikon të drejta të plota politike, civile dhe
sociale. Anëtarësimi i vendit tonë në organizata dhe organizma ndërkombëtarë me
fushë veprimtarie mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ratifikimi, nënshkrimi i një numri të
konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare që synonin njohjen dhe mbrojtjen e të
drejtave të njeriut, të bëjnë të mendosh për pakicat ka një angazhim të lartë institucional. Përshembull vendi ynë është anëtar gati 30
vjecar në Këshillin e Europës, që nga viti 1995 vit kur edhe nënshkroi
Konventën Kuadër “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Madje në këtë drejtim si një hap me rëndësi
për anëtarësimin e vendit në BE, u ngrit edhe Komiteti Shtetëror të
Minoriteteve me VKM-në nr 127 datë 11.03.2004. Ishte pikërisht me këtë VKM që
në RSH
nga viti 2004-2017 njiheshin zyrtarisht si pakica kombëtare: pakica
greke, maqedonase dhe serbo-malazeze, ndërsa
pakica arumune de dhe rome si pakica etno-gjuhësore. Ndërkohë me kalimin
e viteve angazhimi shtetëror u thellua dhe me Ligjin 96/2017 “Për mbrojtjen e
Pakicave Kombëtare në Republikën e
Shqipërisë” në Republikën e Shqipërisë njihen si pakica kombëtare ajo: greke,
maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare.
Por edhe pse angazhimi shtetëror duket i lartë, kuadri ligjor ndër vite u
përmirësua, duke parë tabelën e popullsisë banuese sipas përkatësisë etnike dhe
gjinisë, nga CENSUS-i doli se: janë vetëdeklaruar si pjestarë të nëntë pakicave
kombëtare 61528 qytetarë, për 134 451 të
anketuar nuk ka të dhëna, se 13 507 të tjerë parapëlqyen të mos përgjigjen, 770
kanë thënë se i përkasin një identiteti etniko-kulturor të përzier, 1142 thanë
së nuk bëjnë pjesë në asnjë grup, ndërsa 3798 nga të anketuarit kishin një identitet
etnik tjetër. Pra nëse 9 pakicat
përbëjnë 2.56 % të popullatës sonë,
për 5.83 % situata është si më
sipër. Nga të dhënat paraprake u mësua se në vitin 2023 në RSH: jetonin 2, 402,
113 banorë, tri pakicat më të mëdha në vend janë ajo greke, egjiptiane dhe
rome, pakica bullgare ishte me e madhe me 540 qytetarë se pakicat boshnjake,
arumune, serbe dhe malazese të mbledhura së bashku, arumunët ishin vetëm 178
individë më shumë se maqedonët, të cilët ishin më pak se boshnjakët dhe se në
vend në 2023-shin jetojnë më shumë serbë sesa malazezë. Ndër pakicat që njohu
një rënie dramatike midis dy rregjistrimeve 2011- 2023 ishte pakica arumune e
vendit e cila jeton kryesisht në: Korçë, Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan,
Divjakë, Lushnje, Berat, Fier, Përmet, Pogradec, Gjirokastër etj., ku në disa nga Bashkitë si pershembull ajo e
Selenicës, e Patosit etj, njihet prania e saj e rëndësishme, në një qark si
pershembull i Vlorës fshatrat: Armen, Mekat, Bunavi, Bestrovë, Cerkovinë,
Skrofotinë, Zvërnec, Beshisht Trevllazër etj., kjo pakicë është e dukshme etj.,
bashkëjeton në një rajon ndërkufitar si Korça ku janë të pranishme edhe pakica
bullgare, greke, maqedonase, rome dhe egjiptiane. Sipas CENSUS-it arumunë u
vetëdeklaruan 1 314 burra dhe 1 145 gra
duke shënuar një rënie prej 5807 persona nga rregjistrimi i 12 viteve më parë.
Kjo ishte hera e parë që arumunët do të rregjistroheshin si Pakicë Kombëtare
ndaj dhe vëmendja ndaj këtij procesit duhej të ishte e madhe. Po çfarë mund të
ketë ndikuar në rënien kaq të madhe midis dy rregjistrimeve të fundit? A ishin
shkaqe që prekën vetëm këtë pakicë? A ishte emigrimi, hezitimi për
vetëdeklarim, mungesa e informimit mbi rëndësinë e vetëdeklarimit, ngurrimi se
vetëdeklarimi në këtë përkatësi hiqte "të mirat" e fituara nga jeta
si mërgimtarë, droja e dikurshme për të mos u dukur i vogël apo i nënçmuar, apo
ishte njëtrajtësia me shumicën, apo ishin ndoshta anketuesit që nuk i drejtonin
fare pyetjet mbi etninë, që nuk trokitën asnjeherë në 8 javë nëpër dyer, mos
ishin vetë pjestarët e komunitetit që nuk vlerësuan përkatësinë etnike të të
parëve, apo ishin OSHC-të arumune që nuk kontribuan në ndërgjegjësimin ndaj
përkatësisë? Mos ishte shteti që edhe pse ka ngritur një institucion me
Kushtetutë për mbrojtjen e Pakicave i ka lënë pa mbështetje, në kufirin e
buxhetit të lëmoshës duke i nënçmuar rëndësinë dhe pasurinë që i japin kombit
shqiptar? Kur të gjitha këto pyetje presin përgjigje ose i lënë të nënkuptohen
disa, ajo që dihet është se kur të vijë
rregjistrimi i radhës, statisticienët, politikëbërësit, studiuesit, demografët,
do të raportojnë se në statistikat zyrtare të shtetit shqiptar, më 2023 -shin
arumunët rezultuan 2459, më 2011 ata kishin qenë 8266 qytetarë, në 2003 Atllasi
Demografik të Shqipërisë thoshte se numri i arumunëve në Shqipëri ishte
139.065, në statitistikat e Shqipërisë komuniste më 1989 numëroheshin 782
arumunë, ndërsa para 112 vjetësh luftëtari i Pavarësisë Dervish Hima thoshte se
në Shqipëri arumunët numërojnë 200.000 vetë...këtyre do t´u shtohen mijra të diplomuar
në Rumani, pas rënies së komunizmit, kur çdo vit rreth 100 të rinj e të reja,
kryesisht nga familjet arumune apo dhe nga martesat e përziera, ju drejtuan për arsimim institucioneve
rumune. Në 8 minuta të pjesëmarrjes në
CENSUS-in 2023 kështu u vlerësua e ardhmja për pakicat kombëtare, trashëgimia e
tyre e pasur kulturore që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë larmi në
bashkëjetesën harmonike dhe tolerante me popullin shqiptar.