E hene, 23.03.2026, 11:25 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Aromë pranvere - Kalaja e Ndroqit, aty ku koha ka ndalur

E hene, 23.03.2026, 07:00 PM


AROMË PRANVERE; KALAJA E NDROQIT, ATY KU KOHA KA NDALUR

“Natyra është magjepsëse: duhet ta shikosh vetëm përmes lentes së duhur." Aleksandër Dumas

EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA

Në këto ditë zgjimi të ngadaltë dhe të përgjumur pranveror, ka qoshe të qeta dhe të pasura me histori vetëm një hap larg nesh, që të befasojnë më shumë se të tjerët, me magjinë e veçantë, të cilën e ndjen në ajër dhe të prekshme në sy.

Nisemi nga Tirana, me një grup miqësh, jashtëzakonisht të ngushtë, që ndajnë dashurinë për udhëtimet, larg nga rutina e përditshme, nga smogu i qytetit, mjaftueshëm larg zhurmës dhe mjaftueshëm afër për të parë, fotografuar, ku sigurisht nuk mungojnë historitë, kuriozitetet dhe një atmosferë bardh e zi si e dalë nga një film i vjetër.

Rruga në pak kohë na largoi nga siluetat dramatike industriale, dhe pamjet gjithëpërfshirëse të ndërtimeve, disa moderne të qytetit. Trotuaret dridheshin me kujtesën e hapave të lehtë, i njerëzve që tashmë ecin mes zakoneve të përditshme.

Peizazhi i dha syve vështrime të papritura. Erzeni rrjedh i qetë si një mendim i lashtë në gjeometrinë e brigjeve, freskia e natyrës, bukuria e përpunuar e peizazhit, na përshëndeti me peizazhin, na pyeti ku po shkonim dhe çfarë po mendonim, na shkeli syrin teksa vrapon nëpër luginën e ngushtë drejt Adriatikut.

Ndjesitë mbërthejnë këdo që ecën këtu

Buzë rrugës afër një kthese të gjerë një tabelë e thjeshtë, që dukej e skalitur nga era, të orienton drejt kodrave me hapësira që lahen në dritë dhe qetësi.

Rruga për t'u përshkuar dhe e lehtë për të arritur me veturë. Brenda makinës, muzika jehonë ndërsa në anën tjetër të xhamit rruga e ngushtë rrëshqet mes kodrave, ku pemët e zhveshura nga dimri, ngrenë degët si gjurmë të holla me profile të buta. Kthesat e para të saj gati hipnotike mbërrijnë menjëherë, ideale si një pikë fillestare për ata që kërkojnë qetësi dhe peizazhe të qeta dhe të ndritshme. Ngjyrat bëhen më të buta, zhurmat bëhen të heshtura duket një atmosferë e vërtetë, e thjeshtë dhe mikpritëse. Pemët janë fryrë me sytha, dhe të tjera të ngutura kanë veshur rrobat pranverore, duke shpalosur një lulëzim bujar, të cilat u ngjajnë nuseve të zhytura në të bardhë dhe rozë të zbehtë. Era e lehtë i bën degët të kërcejnë, disa petale fluturojnë larg.

Vazhdojmë me hapa kureshtarë përgjatë një rruge të çimentuar, që të çon më tej. Sytë në çdo pamje të një kodre plot histori, midis të shkuarës dhe të tashmes, në kërkim të gjurmëve të lashtësisë, pra një kodër me mbetjet e Kalasë së vjetër të Varoshit.

Natyra të merr për dore pa bërë zhurmë, të çlodh me heshtjen që flet më shumë se një mijë fjalë. Por dhurata e vërtetë, thesari i dashur, është heshtja. I ftohti ende lag duart, flladi zvarritet midis bimëve me fustanin e këndshëm dhe lehtë të luleve, duke zbuluar shqisat, aromat dhe tingujt, ngjyrat dhe format kureshtare. Disa pemë kanë filluar të mbulohen me gjelbërim të butë. Trungjet e ullinjëve të lashtë në rreshta të mëdha, duken si kolona antike apo ushtarë të fortë e shtatlartë, të rreshtuar në një paradë lart e poshtë kodrës. Degët lëkunden nga flladi, pothuajse sikur bisedojnë me njëri-tjetrin, me gjelbërimin që përparon turpshëm.

Të ecësh mes këtyre ullinjëve gjigantë është si të shfletosh një libër tregimesh.

Kështu vazhdojmë ecjen në heshtje, duke shijuar atë që shpaloset para syve. Kodrat e valëzuara të jepnin pamje të gjëra të fshatit Zbarqë, të hapur dhe të qetë në çdo drejtim, që duket se psherëtinin ngadalë. Aty- këtu, dëgjon një jehonë e zërave  të zbehtë, klithma e largët e një bufi, e lehura e një qeni, një mace vrapon nëpër rrugë, diku dëgjohet një shuplakë e një kali, në largësi blegërima e një qengji.

Më tej shtëpi me arkitekturë simbolike, jo funksionale deri në dekompozim, nga largimet e banorëve, nga moti dhe i konfliktit modern anojnë shpateve të kodrave. Askush nuk shkel më aty, sepse banorët kanë zbritur drejt qytetit. Të braktisura kurrë më nuk do të mirëpresin "mysafirët". Ato mbajnë sekretet e tyre brenda dyerve, mureve, çative dhe kanatave të dritareve, duke e bërë edhe më të trishtë heshtjen e tyre. Është e pamundur të ecësh pranë tyre pa u ndalur për të bërë një foto.

Ndërsa rruga rrëshqet pa nxitim, duke na drejtuar drejt kalasë ku gjithçka duket se gjen vendin e vet, ne ndalojmë për të dëgjuar zogjtë këngëtarë që të fluturojnë në qiell ose të cicërojnë në folenë e tyre.

Çdo kthesë jep vështrime të amfiteatrit natyror. Ecim në një peizazh që mbart shijen e pranverës, mikpritëse, plot tinguj dhe aroma, nga ato që të bëjnë buzëqeshje në fytyrë. Ngjyrat shtrihen në dritë, dhe vetë ajri duket më i lehtë, i ngarkuar me aroma.

Peizazhi hapet dhe është plot vështrime të këtyre shkëndijave të vogla të natyrës, që duken sikur kanë dalë nga një pikturë: petalet kapin dritën si shpërthime të brishta pranvere.

Manushaqet kujdesen të fshehin ndrojtjen e tyre të brishtë. Sipas një legjende manushaqja do të lindte nga një histori. E konsideruar nga grekët, si lulja e Zeusit, i cili ishte i dashuruar me një vajzë të re të bukur, e fshehu mes ferrave, me qëllim që ta mbronte nga xhelozia keqdashëse e gruas së tij Hera.

Marrim djathtas për të vazhduar më pas në të njëjtin drejtim, nga jugu në veri nëpër një shteg me shkallë të pjerrëta, të mbrojtur nga parmakë druri. Atje lart, një shtëpi e heshtur, me shembjen progresive të strukturës së mureve dhe çatisë ka gëlltitur dëshmitë e një jete të thjeshtë por të plotë: objekte të shpërndara kudo në pluhur dhe kaos. Të hysh në shtëpi do të thotë të marrësh frymë në tymin e zjarrit dhe të përfytyrosh jetën e saj, dhe menjëherë dëshiron të ndezësh oxhakun, të përgatisësh një kafe të nxehtë me një vështrim në kodrat që shfaqen.

Ne ecim pa u ngutur në një shteg thellësisht të bukur. Është një ngjitje e butë por e qëndrueshme, si zbritja. Bisedojmë natyrshëm. Mbledhim barishte të egra. Ecja nëpër shteg pa nxitim, i karakterizuar nga pamje gjithëpërfshirëse, duke zbuluar hapësirën e gjerë të kodrave të Ndroqit. Sytë lëvizin midis pikave të largëta dhe detajeve nga afër, me rrënjë që dalin nga toka në disa shtrirje dhe një ngjyrë të bukur jeshile që duket sikur pikturon pemët.

Një nga gjërat e preferuara për të bërë është të përfitoj nga ato rreze dielli si dhurate e qiellit dhe të ndaloj për të dëgjuar heshtjet dhe zogjtë.

Para syve diçka e lashtë, e përjetshme siç ndodh shpesh në një vend ku e zakonshmja përzihet me misteriozen. Shfaqet një formacion mbresëlënës shkëmbor që përballet me qiellin, si e mbjellë në kodër, si vepra arti: drejtkëndëshe, antropomorfe, rrethore, gjysmërrethore, kubike, etj, të gdhendura, në kohë të largëta dhe të papërputhshme me historinë që po kalojmë sot (mirë para epokës së bakrit) dikush (dmth një qytetërim i evoluar) kishte teknologji të përparuar, i aftë të prodhonte gdhendje shkëmbinjsh dhe ndoshta shumë më tepër.

Shkojmë përsëri, disa hapa më shumë, gjithmonë në të njëjtin ritëm, aty ku toka është e ashpër, një pemë Caraci qëndron kokëforte. Rrënjët e saj duken si gishta, të futura brenda çarjeve të gurëve si për të thënë: “Nuk lëviz nga këtu”.

Ne shkojmë të shohim një kala dhe gjejmë histori

Kodrat në një gjelbërim të butë, të gjallë, ndërsa shtegu ngjitet pa nxitim dhe të pëshpërit pse të vraposh, kalaja aty është. Sepse pas çdo fotoje, ka pak nga kurioziteti në ecjen.

Takojmë një banor, që duke na përshëndetur na thotë: “Pse të ngjiteni lart, atje nuk ka asgjë!“ Kjo fjali nuk ndikon te ne, atje nuk ka asgjë?

Hapat pëshpërisin në një livadh të këndshëm, me pamje të përshtatshme për piknik për të lënë mendimet dhe lodhjen e ngjitjes, në stolat dhe tendat e drunjta. Një cep i vogël, ashtu si na pëlqejnë. Duke fotografuar, ne endemi përreth dhe natyrisht, qëndrojmë atje më gjatë sesa pritej, të ulur në heshtje. Rrezet e diellit na ngrohin fytyrën, si për të të na uruar mirëseardhjen në kala. Midis bisedave, ndërkohë që disa re të vonuara kërcejnë në qiell të hapur, ne i afrohemi kalasë si një libër i lashtë, i shkruar në heshtjen e kohës, me pak gjurmë, megjithatë, i mjaftueshëm për të treguar rolin strategjik si ndërtim në shëndoshësinë strukturore dhe detajet logjistike.

Njihesh me historinë e kalasë përmes tabelave informative, me gjurmët e mureve të shkatërruara gjatë dyndjeve barbare të shek. IV- VI. Asnjë zhurmë, asnjë turmë, vetëm gurë të lashtë që mbanin ngrohtësinë e diellit.

Studiuesit argumentojnë se fortesa ka luajtur funksione të rëndësishme: kontrollonte shtrirjen e luginës së Erzenit poshtë, lajmëronte me zjarre fortifikimet e Prezës, të Dajtit, të Dorezit, të Petrelës, pjesë e mbrojtjes së qytetit të Durrësit, dhe mbronte vendbanimin.

Fatkeqësisht trojet tona janë pushtuar nga kaq shumë pushtues, është zhveshur shumë kujtesa e historisë dhe qytetërimit të saj, kjo kujtesë është zëvendësuar nga narrativa të jashtme që janë shtresuar.

Muret e plasaritura si një kockë e lashtë tregojnë jo vetëm shekuj histori, kalime dhe jetë të rrënjosura në këtë tokë të ndritshme. Më pëlqen të mendoj se si mund të ishte dukur ky vend shumë kohë më parë. Nuk është rastësi që vendi u zgjodh nga kohërat e lashta për të ndërtuar këtë fortesë, dhe nga familjet e pasura që nga shekulli i 19-të, si një vend për të ndërtuar qytetin.

Emri i tanishëm tregon një pjesë të historisë së tij.

Ekzistojnë dy hipoteza mbi emrin e Ndroqit: Nga fjala “Ndërrënjë” ndën rrënjë apo ndën këmbë të kodrës së kalasë.

Nga ky këndvështrim njeriu kupton etimologjinë e emrit, e cila vjen nga fjala greqishte “andros”, burrë; prej këndej dhe “Andronicus” si emër i përveçëm, emri i perandorit. Më pas të dy emrat patën transformime fonetike deri në formimin e fjalës së sotme Ndroq.

Ecim dhe na duket sikur dëgjojmë zërat, duke parë gurët e kalasë, çfarë sekretesh do të na tregonin për ata që i kishin mbrojtur me guxim dhe vendosmëri, për duart që i ndërtuan këto mure, ato jetët që kanë jetuar, të hapave që kanë kaluar; zhurmat metalike të materialeve në përputhje me epokën, armaturat që mprehin shpatat, mburojat e zbukuruara me motive spirale, të gdhendura në bronz, së bashku me skenat e jetës mesjetare: sprova, legjenda, kërcime dhe ndërthurje pushteti.

Një pëshpërimë që duket sikur del nga gurët, nga ajri, nga pylli të rrëfen historinë gati mitike, të përshkruar edhe nga Historiania bizantine Ana Komnena kur babai i saj, Perandori Aleksej i shpëtoi armiqve që e ndiqnin në 1081. Pas pushtimit të Durrësit, normanët e udhëhequr nga Robert Guiscard e mposhtën ushtrinë bizantine. Ushtarët normanë e ndoqën pa mëshirë perandorin Aleksi, kur nata ishte e errët dhe era mbante britma të frikëshme.

Ne ecëm ngadalë, duke e lënë veten të na çojë në majë të kodrës si në një ballkon natyral duke parë hapsirat nga lart. E qeshura jehont mes mureve, dhe ku ajri ishte aq i pastër sa që ndjen sikur të priste fytyrën shoqëron hapat tanë të shkujdesur.

Mjafton vetëm një vështrim, të një cepi të qiellit përmes reve, lugina poshtë nesh. Në të vërtetë, nga muret tejet të dëmtuara pamja hapet e gjerë mbi rrjedhën e gjatë të lumit Erzen.

Ndroqi është nën këmbët tona dhe shikimi shkon më tej, në njërën anë mund të shohësh profilin e pagabueshëm të Tiranës, përtej së cilës hapen siluetat e gjigantëve malorë, të kapura në kaltërsinë e qiellit dhe të hijezuara me delikatesë nga drita, të cilat qëndrojnë si një mur pothuajse vertikal pellgut të saj; kodrat që duken si valët e një deti të palëvizshëm; Kruja në të djathtë rrëzë Sarisalltik.

Në të majtë në këtë përqafim luginash dhe qiejsh që ndjehen duke të mirëpritur si një mik i vjetër shtrihet Petrela, në anën tjetër Durrësi, Shijaku, Gjiri i Lalzit... Retë e ngarkuara varen tutje në perëndim të Detit Adriatik si hejbet në samarin e kalit. Këtu ne e admirojmë atë nga një këndvështrim më këndor, si një fotografi gjithnjë në ndryshim.

Shohim strukturën e një pusi, me një veçori shumë unike. Pushon në diell, i qetë dhe i palëvizshëm, si një dëshmitar i durueshëm i kalimit të kohës.

Muret janë rindërtuar në shek XIII-XIV, duke shërbyer si seli e feudalëve shqiptarë, kundër rivalëve vendas dhe pushtimeve shumëshekullore të trojeve shqiptare, që kanë sjellë sa e sa vuajtje, gjak, grabitje e shkatërrime.

Në regjistrat otomane ky qytet- kala njihet si Andromaki, nga ka marrë emrin edhe Ndroq, por nuk e di pse mban emrin Kala e Varoshit.

Rrënojat shfaqen si një ishull guri në tokë. Në kurriz të kodrës, sheh një tjetër gërmadhë muri jo e madhe dhe goxha e shtrirë, por prapë dukej si një shkëmb i vendosur aty.

Kthehemi nga kalaja, me ritmin e ngadaltë të atyre që hyjnë në një vend i cili nuk është thjesht një pikë në hartë. Historitë rrodhën, hapat dhe orët e pasdites që ende tërheqin të ftohtin e dimrit, një ajër i lehtë, një dritë e pavendosur, një qiell që endet të bëhet gri apo në blu në luginën e zhytur në dritën eterike.

Era është e lehtë, pothuajse është një përkëdhelje.

Vendasit thonë se është zëri i kalasë.

Rrugës për poshtë, kapim perëndimin e bukur të diellit dhe e mbyllim ditën në Vaqarr, nën një qiell të mbushur me yje.

Nesër, ndoshta, do të shkojmë në një rrugë tjetër. Por për sot, ecëm përtej Tiranës.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx