E hene, 05.01.2026, 02:17 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Lartësive të Korabit

E diele, 04.01.2026, 07:05 PM


LARTËSIVE TË KORABIT

"Udhëtimi - të lë pa fjalë, pastaj të kthen në një tregimtar." - Ibn Batuta.

NGA PËLLUMB GORICA

Udhëtimet e papritura të japin më tepër emocione. Kënaqësia është e pa fund kur shkel perlat e bukura, të shijosh qetësinë, freskinë, të vështrosh ujërat, malet, pyjet, një zhytje në një dimër të akullt por të gjallë, ku natyra flet me heshtje dhe dritë të bardhë…, ca ndjesi, të cilat zbukurojnë shpirtin e udhëtarit.

Është mëngjes që nis kështu, me ajrin kafshues. Në dritën e parë të agimit, me ndjesinë se gjithçka rreth teje është ende në gjumë ngadalë fillon të zgjohesh (edhe pse është ditë e shtunë) kur mund të flesh pak më shumë se ditët e tjera, pasi e ke pushim.

Pas kafes për të larguar përgjumjen, e marrim rrugën si udhëtarët kokëfortë, që matin jetën me ikje dhe mbërritje, të mbështjellë në qetësinë e errësirës dimërore, duke kërkuar vështrime, duke kërkuar sfida, duke kërkuar emocione në qoshe të fshehura, kur këto ditë, pas Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, natyra e egër mbretëron sovrane.

Qielli, i rëndë dhe i torturuar, është një çarçaf i madh, i gërvishtur nga re të mëdha, që vrapojnë, si varka lundrimi. Ky qiell i ngarkuar me nuanca të errëta na kujton, se është firmosur dimri i paparashikueshëm dhe i egër.

Rruga është e gjatë, gjarpëron nëpër kodra të boruara, kreshta të vogla, pamje të mëdha, përshkon lugina me ngjyra gri, mes heshtjes absolute, e herë në një mjegull. Të përshkruash një udhëtim të tillë, nuk është aspak e lehtë, sepse çdo fije e qenies është shumë më e lartë se ajo që mund të shkruajë stilolapsi apo tastiera. Nëse ajo që shkruajmë shërben për të shoqëruar, frymëzuar apo mbjellë pak emocion, atëherë qëllimi tashmë është përmbushur...

Kukësi të mirëpret me heshtjen e tij dhe ajrin e freskët. Hedhim një vështrim në horizontin ku vërejmë lartësimin e Gjallicës, të formuar nga shekujt e erës dhe ujit, ndërsa vendbanimet e shpërndara, tani në gjendje braktisjeje rrethohen nga heshtja.

Brenda makinës jehojnë këngë të hershme, nga ato melodi që qëndrojnë në shpirt, të cilat shoqërojnë rrugën pa kërkuar leje. Bashkëudhëtari ynë ndan histori interesante, atë trashëgimi historike të kësaj toke që ndër shekuj, është pushtuar nga të gjithë por kurrë nuk i është përkulur askujt. Zona është mbushur me pllaka përkujtimore, me histori jete, me rini të lënë në mes, me emra që i njohim, por dhe me emra që nuk i njohim, që në këto anë lanë shpirtat e tyre.

Kalojmë Qafën e Kolesjanit, një hapësirë kujtese historike e betejave kundër Turkut dhe valës Pushtuese Sllave që dyndeshin për të kolonizuar Tokat Arbërore. 12 mijë ushtarët e divizionit ushtarak serb Shumadija erdhën të pushtonin tokat tona dhe lanë kockat më 1912- ën.

Pas shpatullave tona mjegulla si të ishte pushtim, duke fshehur gjithçka në mënyrë të veçantë, i përkëdhel majat e larta, që ngrihen në horizont si roje të trojeve tona. Përmes syve puthim malin Korab, që lartësohej hijerëndë e pushtetplotë, si shpina e një kafshe parahistorike, të zbardhur nga bora.

Kilometrat sikur të ishin faqe të një libri që nuk donte të ndalonte së lexuari peizazhin e mbuluar nga një tapet i hollë, i bardhë, të shfaq edhe shtresa durimi njerëzor të gdhendura. Është pasurimi i kësaj pjese të rrugës, me ndërtime zhvillimi, në të cilën jeton me normalitet bashkë me mënyrat e të menduarit pak më ndryshe.

Këtu, natyra është sa madhështore aq edhe qetësuese, duke ofruar një arratisje poetike për shpirtrat në kërkim të qetësisë.

Përrenjtë rrjedhin mbi guralecë, si fjali që nuk duan të përfundojnë, duke pëshpëritur kohë të harruara. Mure të larta shkëmbore, të cilat në disa vende duken sikur do të bien mbi kokë, të ngjallin ndjenjën e frikës. Dëbora, që kishte shtruar çarçafin e bardhë, me një elegancë të çmendur, i bënte më surreale.

Ne nuk e kufizojmë veten për të rrëfyer këto peizazhe, për të thënë se ato pak automjete 4x4 vazhdojnë me ritmin e një burri të heshtur, në vertikalitetin e rrugës sikur po fluturon në një aeroplan, aq sa në vende të tjera rrallë është e lehtë t'i merrni.

Pastaj Kala e Dodës shpaloset para nesh, në një peizazh aq marramendës sikur të futesh në një kartolinë. Pemët si fantazmat tundin degët e mbuluara me kristale akulli.

Kala e Dodës është mishërim intensiv natyror, me thellësi historike dhe bukuri tradite. Të bëhet se sheh në istikamet e saj treqind djemtë-nuse të Kalasë Dodës, që u bënë varri i Pashait me “Shtatë Tuje”.

Makina mori drejtimin nga Radomira. “Ra diçka e mirë, apo ra e mira”?! Në Shqip “Gëzimi i Botës”. Radomira na priti me. Duket pothuajse sikur një Piktor qiellor kishte ngjyrosur pikturën, duke krijuar një kontrast të "çmendur".

Dëbora zotëruese, e ftohtë, frymëzuese, e kishte mbuluar Rdomirën, ndërsa sipër saj qiell ishte errësuar nga kope resh të hirta, si një hartë që kacafyten, duke dhënë sinjale se diku do të zbrazeshin. Shtëpitë prej guri, si kuti gri, duket sikur flenë, me oxhaqet që ngjajnë si hundët, duke tymosur shtëllungat e thinjura. Përtej xhamisë madhështore që qëndronte para nesh gati solemne, lehin në fyt të kthjellët një tufë qenësh vigjilentë, sigurisht më shumë për t'u treguar pronarëve se janë aktivë.

Radomira është besnike ndaj heshtjes, besnike ndaj kohës. Zoti e ka krijuar magjike, me shumë burime uji, pyje pishash, shkëmbinj, bagëti dhe kullota. Në shikim të parë, mund të thuash: “Është thjesht natyra.” Por nëse shikon, dëgjon, kupton se nuk është vetëm natyra. Është një prani njerzore, por ne nuk kemi hasur shumë njerëz. Nuk ka dyshim se duhet të jetë ndryshe në një ditë të këndshme vere. Megjithëse infrastruktura ka ndihmuar në zhvillimin e këtij vendi të mrekullueshëm dimëror.

Njerëzit e Radomirës, të bëjnë të ndihesh si në shtëpi, nga ngrohtësia dhe bujaria e tyre, të një forme brilante që nuk shfaqen as në gazeta e as në televizione, ata nuk i bëjnë emër vetes me lloj-lloj epitetesh e hiperbolash për mirësitë që u dukën sheshit, edhe pa fjalë.

Shkelim në bujtinën Hima. E kaluam derën, u përshëndetëm me një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse, shoqëruar me urimet dashamirëse të Haxhi Himës. Brenda, zjarri duke kërcyer, ndriçoi fytyrat tona me shkëlqime të trëndafilta.

Haxhiu, kutinë e duhanit ta vë' përpara, të shoqëruar me respektin ndaj shtegtarit (si një pakt mistik, i pashkruar) përmbledhur në togfjalëshin magjik “Ndize bre burrë një duhan”.

E kështu, në ritualin e dredhjes së cigareve me duhan të grirë imët, atë rrotullim dhe mbështjellje me gishta ngadalë, duke peshuar fjalët, të vijnë ndërmend burrat dibranë që me zemërgjersinë, burrërinë, mikpritjen, bujarinë, fisnikërinë, me kulturën, dashamirësinë , pasurinë leksikore dhe shpirtin bujar të Odës Dibrane përcillnin këtë traditë, kur takoheshin me miq; në gëzimet, në hidhërimet, në kuvendimet për marrje vendimesh dhe zgjidhje konfliktesh: me gunat mbi supe; me ato mustaqet e përdredhura; tirqet e opingat me xhufka...

Bisedat që lindin pa i kërkuar, buzëqeshja e një të huaji, qetësia që bujtina dhuron. Historitë shpërthejnë pranë oxhakut, duke i kthyer momentet e zakonshme të paharrueshme. Bisedat të shpien edhe shtigjeve të largëta, pa përgojuar kurrkënd në botë, por edhe një analitike ngjarjesh dhe faktesh historike.

Ashtu si gjuha që shkon pa dashje te dhëmbi që dhemb: shkon edhe te braktisja e këtyre vendeve Parajsë. Fjala e Haxhiut endej mes dëshirës për të braktisur vatrën stërgjyshore, apo të vazhdojë të qëndrojë i lidhur me fije shprese në Radomirë?!

Sot - thotë Haxhiu, - Radomira vajton braktisjen, kullat shemben, sofrat kalben, rrugët i mbulojnë ferrat... Ne nuk duam të lemë Shqipërinë bosh, tokat e saj djerrë, Korabin, bukurinë dhe ashpërsinë e tij.

Jashtë tani po bie borë. Haxhiu kujton borërat e mëdha, në lartësinë e dy metrave, erërat e forta e të ftohta, vështirësinë në ato stinë të largëta, ku bënim koridore në dëbore për të dërguar fëmijët në shkollë, vite te vështira për bagëtitë, ti ushqenim ato...

Ne biseduam deri vonë. E shkuam nëpër mend të qëndronim më gjatë atë natë, por e nesërmja na priste në rrugëtimin tonë drejt majës më të lartë të Korabit, e cila përbën arsyen e shkuarjes atje, te ai simbol madhështie për Shqipërinë.

Lumi që kalonte përfund Radomirës, i gjallë rrjedh nëpër gurët me ujë të bollshëm, duke pëshpëritur melodinë e tij, i kapur në kthetrat e acarit. Është bukur të flesh gjumë me zërin e lumit, të zgjohesh nën mjegullën dhe ritmin e qetë të jetës së Radomirës.

***

Ajri është i pastër, oxhaqet tymosin ngadalë dhe pylli duket se mban frymën. Ecim mes peizazheve që duken si ëndrra. Era fryn butë, sikur të kishte frikë të trazonte magjinë.

Aty ku fillon të lartësohet Korab, do të ndjekim një rrugëkalim gjarpërues dhe këtë e tregonte një tabelë orientuese. Më tej gurët kilometrikë të shenjuar para disa vitesh nga alpinistët polakë eleminojnë vështirësitë nga mosnjohja e terrenit.

Bisedat përcjellin emocione të hezitimit në fillim, me pyetje, me atë shikim që pyet veten nëse “do t’ia dalë” dhe pak më vonë, me një buzëqeshje, me vetëbesim, me pak krenari që nuk duhet thënë për ata që dinë të kapin thelbin, ata njerëz që dinë të bëjnë përpjekje, që luftojnë pothuajse për të arritur limitet e tyre.

Pak nga pak ngjitja na kujtonte se nuk është e lehtë. Pesha e çantës së shpinës ishte e rëndë.

Në kushtet me dëborë i marrin parasysh rreziqet si: rrëshqitja në humnera, dëmtimi i gjymtyrëve, nga orteqet, nga prania e egërsirave, apo problemet me shikimin si pasojë e shkëlqimit të bardhësisë.

Rrjedha e lumit të vogël që zbret shpateve të Korabit gjithë potere nëpër gurët të mëdhenj e kishte mbushur shtratin fyt më fyt dhe buçiste, na shoqëroi një copë udhë, duke e bërë më epike pamjen me jehonën si një simfoni. Nëna natyrë ka krijuar me elementët e saj vepra me bukuri të rrallë, gjeometrikisht të paparë, që të jep “dridhje” por njëkohësisht edhe një ndjenjë çudie.

Ngjitemi lart, pamja hapet hap pas hapi dhe në krye është ai Korabi. Rruga e pjerrët dhe e ashpër, na çon pranë staneve të Radomirës, të cilat duken si figura impresioniste, e përmes një pylli me pisha të ngarkuara me dëborë dhe degët e tyre që përkulen pothuajse duke prekur tokën, nën peshën e saj. Ndonjëherë të duket se gjen gjurmë kalimi, ndoshta kafshësh të egra. Diku më tej ca tinguj të thatë, të ngjanin me angullima ujku.

Retë e dendura dhe kërcënuese si hordhi kalorësish me galop ikin, gati për të derdhur flutura dëbore, që të ngjasonin si petalet e lulekumbullave. Një lodërtim hokatar, që e shijon për aq kohë sa nuk shfaq tekat vrastare.

Ne ngritëm sytë dhe pamë mure shkëmbore që duken të gdhendura nga duar të lashta, të Kapistogjit dhe Luftanjit, krijuar nga kataklizmat tektonike.

Ecëm nëpër një mjegull të dendur, si një perde e trashë sa mezi shihnim disa metra përpara, aqsa të duket sikur je në një set filmi horror i turbulloi konturet me një vello delikate. Vetëm krisma e borës nën hapat për të trazuar këtë atmosferë.

Por, ndërsa ngjitemi, dëbora sa vjen e shtohet, thellohet, rrit trashësi. Ecja nëpër mjegull, marrja frymë në të, e lë të ulet në qerpik, dhe peizazhi i bardhë një nga ndjenjat më të bukura.

Vrulli i erës që pëshpërit një melodi të harruar, duket se nuk dëshiron të qetësohet, sikur dikush të hap një derë të fshehur. I ftohti nuk shtiret: kafshon faqet, zbardh heshtjet dhe fjollat e dëborës, i kthen në skulpturë.

Kishte çaste ku ndiheshim sikur po bënim një hap përpara dhe dy hapa anash, ndërsa era ulërinte përreth nesh. Ndjehej fryma jonë e shpeshtuar, kërcitja e këpucëve dhe shkopinjve mbi dëborë. Këmbët fundoseshin, si gishtat e Plutonit në lëkurën e bardhë, të mermertë të Prosperpinës.

Peizazhi merr pamje siberiane dhe na duket sikur po endemi në rrathët e ferrit të Komedisë Hyjnore, aqsa nuk mund të shihej asgjë përtej disa metrave. Ndërsa mezi qëndrojmë në këmbë nga era që fryn, duke e bërë çdo hap më të vështirë. Për fat të mirë kjo ishte pjesa e fundit të ngjitjes.

***

Korabi me kreshtat dhe majat, të cilat duken eterike, na dhuroi një tjetër spektakël me lodrat e reve që dynden të inatosura. Peizazhi mbyllet për shkak të mjegullës, këndshmëria e saj dhe magjia që mund të të ndihej atje, ishte një vlerë e shtuar për ndjesinë e të qenit gati për të hyrë midis ëndrrës dhe realitetit. Kështu, tani të rraskapitur, vazhdojmë përgjatë një shtegu të mrekullueshëm, plot me drurë pishe, aq të lartë, sa dukeshin sikur i fërkonin retë.

Për fat të mirë, banorët e atyshëm, si besimtarë të devotshëm, kanë qenë besnikë të “itifakut”, vendimit që merrej në xhami për të vendosur rregullat e ruajtjes së pyjeve.

Ecim në një udhë ndonjëherë të rrahur mirë, mes trungjeve të pemëve si një gjeneral i vjetër që kalon duke shqyrtuar trupat, i vetëdijshëm se hapat dhe fryma e prishin atë qetësi. Pastaj dëgjon erën që shpon gjilpërat e gjelbra, të cilat duket sikur pëshpërisin histori që askush nuk i tregoi dhe e ndjen që të përkëdhelin fytyrën me butësinë e përjetësisë.

Siluetat e pishave krijojnë paqe. Dëgjon erën që flet me gjethet, është një përkëdhelje për shpirtin. Një tufë trumcakësh, kërcyen duke lënë shenja minutash mbi borën e freskët. Fëshfëritja e krahëve të tyre, të cilët i ngacmonte kërcitja e hapave tanë, duke i dhënë një ndjenjë palëvizshmërisë së dukshme përreth.

Një zog i vogël, me këngëzimin e tij që përbën më shumë se poezi, të tërheq vëmendjen. I bëjmë disa foto, duke e mbajtur në sy, dhe thjesht e ndjek me një vështrim, ndërsa zhduket në trashësinë e pyllit.

Me një ritëm të ngadaltë dhe me një pamje kurioze, ngjitemi në një terren më të hapur, shkëmbor. Ndjej lodhjen nga pjerrësia e pjerrët, mbahem e tërhiqem nga gurët dhe degët e pemëve, gjej prehje pranë trungut të një pishe, në një deformim të çuditshëm të saj, që duket si një ndenjëse e rehatshme, përtej saj është shkëmbi.

Rreth nesh heshtje, bora e dendur gëlltiste çdo zhurmë sa pushtohemi nga një ndjenjë e papërshkueshme rehatie. Ndaj tërhiqemi natyrshëm nga këto hapësira.

Është kjo si një frymëndalje mendimesh dhe përpëlitje emocionesh, që nuk i përjeton përditë.

- Sa mirë që erdhëm këtu, - i themi vetes larg zhurmave e barbarisë që po i bëjnë Natyrës njerëz të papërgjegjshëm. Edhe ndonjë psherëtimë, sepse ndodh që Natyra e çiltërson shpirtin në kulmin e rrëmujave politike, apo urrejtjes që lulëzon dhe identiteteve pa karakter që reduktohen në fraksione.

Mes degëve të pishave, e gjejmë veten të rrethuar nga peizazhe të denja për kartolina: një liqen i vogël, pothuajse krejt i ngrirë dukej si një sy argjendi, duke fshehur ujërat e tij të qeta në një përqafim të heshtur dimëror. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë një peizazh kaq të bukur.

Liqeni, i ngrirë, qëndronte i palëvizur, i mbuluar nga një shtresë e trashë akulli që dukej se të ftonte të ecte, sikur koha të kishte qëndruar pa lëvizur atje...

Ulur aty, duke e lënë qetësinë që frymëzon bukurinë e tij, pa qene nevoja të flasësh asgjë tjetër, e mat bukurinë e kësaj parajse, me sytë që shohin.

Ca zogj përpiqeshin të thyenin akullin duke e çukitur me sqep. Pastaj fluturuan sikur t’i trembte prania jonë.

Duke lënë pas liqenin dhe heshtjen e tij të akullt ne zbresim nga lartësitë, një zbritje më pak agresive, që na vuri në provë këmbët dhe durimin. Zbritja, siç ndodh shpesh në male, gradualisht na dha një klimë të këndshme dhe një natyrë më pak armiqësore.

U kthyem, të lodhur por të kënaqur, me sytë plot bardhësi që na ka dhënë magjia e kulmit më të lartë të Shqipërisë, në një dite e cila nuk ngjet me asnjë rast, as dhe me ato kur të duket se mund të kesh bërë zbulim të ri.

*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx