E marte, 10.02.2026, 11:04 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Një udhëtim në peizazhet e Dajtit

E hene, 09.02.2026, 08:00 PM


NJË UDHËTIM NË PEIZAZHET E DAJTIT

“Ndonjëherë duhet të ikësh, për të arritur hapësira ku shpirti dhe zemra mund të marrin frymë e gjejnë pak paqe." (Antonio Curnetta)

NGA PËLLUMB GORICA

U zgjova herët në mëngjes, dhe ende pa u çuar nga shtrati, e gjeta veten mes dilemës, të qëndroja në shtëpi dhe të lexoja, për shkak të motit, që dukej në qiell si një atelie gjigante, ku nëna natyrë kishte ndehur për të tharë kanavacat e reve, apo të udhëtoja në një cep parajse, larg nxitimit të turmës, në horizonte të gjera, ku shkëmbinjtë mbajnë heshtje antike.

Thjesht duhet të mendosh që në mëngjes, për të bërë një rrugë të shkurtër. Kur u nisa qyteti kishte veshur zërin kaotik, me një torturë trafiku, smogu, zhurma, pas një nate të shkurtër qetësie, pulson sërish me fytyra të përgjumura që ecin shpejt në vendet e punës, në bankat e shkollave; hapen qepenat e dyqaneve, kafenetë në qoshet e rrugëve, në rrugica të vogla, pranë stacioneve të autobusëve, midis blloqeve të apartamenteve.

Ndërkohë, në të majtë shihet pamja e mrekullueshme e Freskut, duke lënë pas monotoninë e Tiranës. Rruga të çon në një vend, pothuajse pa u vënë re, në një gjendje qetësie drejt Dajtit madhështor, që më ka mirëpritur gjithmonë dhe befasuar, në çdo mot: vapë, ftohtë, borë, shi, mjegull, diell e gjelbërim, të shpëtojë nga e përditshmja përmes hapave dhe vështrimeve, me të njëjtin shpirt si e romancierit Jack London.

Ecje si një bekim

Rruga gjarpëron kodrave mes mimoza të lulëzuara dhe peizazheve që hapen ngadalë para syve, me një vazhdimësi, secila po aq ose më e bukur se e fundit...

Kthesat, pylli, ngjitja, kreshtat, peizazhi, veçantitë gjeologjike, natyrore emocionuan hapat tanë kureshtarë dhe kurioziteti ynë u përmbush gjerësisht përtej pritshmërive tona nga një madhështi e tillë.

Tashmë, mund të shohësh aq afër Priskën që shtrihet me gjithë bukurinë e saj, në të djathtën tonë. Mali mbi krye të krijon imazhin e dhëmbëzave të një sharre gjigante natyrore.

Vrapon për një kohë të gjatë në pyllin e dendur të pishave dhe ahut krejtësisht të zhveshur që duket, si një fustan gri, me ekzemplarë madhështorë, që era herë i mblidhte tufë dhe, herë i ndante në ca copëza të çrregullta gjeometrike. Pylli nuk pushon kurrë së na treguar anën e tij më të mirë, pikturon forma ndryshe të dukshme, ngjyra, dhe zgjon emocione.

Tabela e Parkut Kombëtar të Dajtit, të fton të ngadalësosh në peizazhin që hyn me qetësinë e atij që e shikon pa nxitim...

Sheh ndërtesa, të lindura nga turizmi masiv: kafene e restorante që ndërthuren me përkujdesjen për të pushuar këndshëm, me një arkitekturë që ndërthur prekje neoklasike, madje ekzotike dhe kënde lojrash argëtuese, ku fëmijët vraponin pa kujdes. Ata po thërrisnin. Ata po qeshnin. Njëri po qante në lëkundje sepse kishte frikë kur ata ngjiteshin shumë lart në re. Nëna e tij e përqafoi dhe me një ninullë të ëmbël dhe të butë, ajo po përpiqej ta qetësonte.

Dajti është një mal që ka veçori gjeomorfologjike, midis vertikalitetit dhe frymës, që gjithmonë, të shkakton emocione të mëdha, që nuk përshkruhen nga qoshet poetike autentike, dhjetëra pamje autentike, me pyje, ku heshtja rritet më thellë mbi bukurinë e brishtë të natyrës.

Ai nuk vizitohet vetëm me sy, të kalosh së brendshmi, ngadalë, si mbi piktura, ku kryqëzohen ngjyra, kënde, forma, pamje... Dëgjon hovet e kuajve, tingujt ritmikë të kambanave të lopëve dhe erën që pëshpërit në drurët.

Kisha kohë pa parë bunkier. Thashë me vete i paskan shpëtuar shkatrrimit prej atyre që mbledhin skrap. Në mesin e shekullit të kaluar, ata mbinë si këpurdhat pas shiut në fusha, kodra e rrëzë maleve. Pas viteve ‘90 shumica e bunkerëve u kthyen në strehë për barinjtë, por edhe për disa punë të tjera. Sido që të jetë, fare pa funksion nuk kanë mbetur.

Ndërtesa e kampit të punëtorëve, sot është një guaskë guri, sikur jeton në një film të vjetër neorealist të harruar. Humbas në ca mendime për muret muret që rezistojnë: gjithçka flet për jetët e kaluara, të duarve që i kanë ndërtuar që kanë mbyllur një arkivë pëshpëritjesh dhe kujtimesh të pushuesëve të dikurshëm. Dritaret e saj bosh, të ngjashme me sytë që kanë parë shumë.

Mbërrij në ballkonin e teleferikut “Dajti Ekspres”, i ndërtuar në vitet e arta të bumit të turizmit, duke e shndërruar në diçka joshëse dhe magjike, ngjitej drejt malit.

Ballkoni është një vend i këndshëm panoramik, më spektakolare, me një pamje mbi Tiranë, që si një dinosaur i prejhistorisë, shtrihej sa gjatë e gjerë në mënyrë hiperbolike, e rrethuar nga kreshtat e kodrave të gjelbëruara. Tirana, padyshim me problemet e shumta të zgjerimit, i ngjan asaj vajzës shtatëgjatë, elegante dhe bukuroshe, që të gjithë e lakmojnë, të gjithë e shajnë dhe i qepen pas, ndërsa ajo kokëulur e plot nur, ecën përpara dhe s'ndalet.

Ishte dikur Tirana një mejhane qerpiçi, më pas u bë një gogol komunist pa stil e shije dhe sot e pushtuar disi nga “skemat” dhe tipologjia e arkitekturës së qyteteve amerikane, me kulla gërvishtëse si heshta.

Nuk jemi kundër ndërtimit të kullave të larta. Ato kanë përparësitë e tyre në krahasim me ndërtesat e zakonshme. Ato duhen harmonizuar me zonën ku ndërtohen. Nëse do të grumbulloheshin do të kishim një “Dubai” në miniaturë.

Njerëz më këmbë, me makina ose thjeshtë kureshtarë të heshtur, nën një qiell gri fjalëronin zëlartë. Ata vijnë këtu të gjejnë para së gjithash heshtje, paqe, dhe ndonjëherë pak më shumë për të “shpëtuar nga Tirana e zhurmëshme”. Në kafene, tavolina, ëmbëlsira, gota dhe shishe. Një familje feston një ditëlindje. Dikush po qeshte shumë duke bërë urimet rituale.

Çaste të këndëshme, por që i japin të gjithë shijen udhëtimit.

Kokën në re, këmbët në shkëmbinj

Peizazhi shpaloset në gjithë thjeshtësinë e tij madhështore. E kap bukurinë e tij në çdo shikim. Këtu nuk vjen të ecësh, të vjen të mahnitesh, të marrësh frymë e të nuhasësh, të admirosh e të kujtosh, të fotografosh në sytë e tu pamjet e një pylli të egër, që plas me stinët pasuese, këtu ecën në magjinë e tij, dhe madhështinë e malit.

Takova miq që nuk i kam parë prej kohësh dhe njerëz të tjerë, njerëz që kanë një vizion kaq të bukur të jetës, atë pasion për malet dhe çdo lidhje që mund të shijohet në to. Ata do të ngjiten në kreshtën e Dajtit që, që e kam ecur tashmë, por vite më parë.

E vendosa zemrën time në dilemë të ngjitem përsëri. Pas covidit, një sëmundje e papritur që botën e mbushi me dhimbje, sakrifica dhe pasoja psikologjike të një mbyllje brenda katër mureve sin ë një luftë e heshtur, duke e kthyer jetën përmbys e duke mos qënë më kurrë si më parë, më bëri të ndihem aq i pasigurt si më parë.

Unisa pa menduar më shumë. Ajrit i vjen era dru, myshk, kur tashmë vinte edhe erë dëborë. Është çasti kur bota moderne lihet pas dhe natyra merr pushtetin në shtegun e ngushtë, që fshihet dhe zvogëlohet mes drurëve, me degët e tyre të ndërthurura, në forma antropomorfe që shpesh më pengojnë kalimin, sikur është hyrja e parajsës.

I mbështjellë nga qetësia që më deh shqisat, eci sikur lëviz brenda një këngë të bukur, nga ritmi i saj i butë dhe i ndritshëm, që mali jep kur i japim kohe të na këndoje...

Itinerari është i qetë mes bisedave, ndalesave të pakta, fotografive… Çdo fytyrë gjatë rrugës bëhet një shoqërues udhëtimi. Eci në shoqërinë e një zotërie me një vajzë të re. Tre vajza të huaja që vijnë pas meje ngjiten shpejt, unë jam pak mbrapa se duhet të ndaloj disa herë për të tharë sytë e mi që digjen nga pikat e djersës.

Mbi malin është një vazhdimësi e formave të ndryshme të reve, të larta e të ulta. Deti i reve rrëshqet, butësisht, poshtë shpatit dhe shkrihet në figura vallëzimi. Është diçka e mrekullueshme të shohësh këtë det që rrethon Dajtin.

Hera-herës një vetëtimë përflak qiellin, ndërsa bubullimat ushtojnë si oi, zgafellave të Malit me Gropa. Një nga retë e shumta, pra ajo mbi kokën tonë, vendos të zbrazet. Por në atë shtrëngatë që më mori frymën, dëgjimi më i bukur është zhurma e hapave që era nuk mund ti ndalonte. Mendimet menjëherë vrapojnë në vështirësitë që do të has duke e lënë veten të udhëhiqem nga heshtja që thyej nga rrahjet e zemrës dhe pëqrplasja e degëve, ndonjëherë lëviznin nga era sikur kapërcejnë një legjendë të lashtë, atë në të cilën pëshpërit atyre që mund të dëgjojnë.

Ndërsa, përparoj përmes shtegut, gjetheve të thata dhe gurëve të lashtë, arrita në majë të malit Dajt. Retë zhduken, mbetet vetëm bukuria absolute me aq sa mund të shoh. Zemra u zgjerua, fryma u ngatërrua me erën aq të fortë sa edhe pemët përkuleshin si pleq të lodhur, të para nga larg duken si dy figura të përqafuara. E ndjej veten në përzierjen e lodhjes dhe krenarisë, më kënaq shikimin.

Atje lart, ngrihen antenat qiellgërvishtëse, nga lindja, vija e shpatit të thiktë të Dajtit. Shohim përpara, përtej Luginën e Shëngjergjit e përshkuar nga rrjedhat e lumit Erzen, të shikosh shikosh malet që qëndrojnë para teje.

Çdo hap në kreshtë tregon për lëvizjet e lashta të tokës, për erërat që kanë gdhendur forma.

Prej andej, hap pas hapi, vazhdojmë me zig zag në një shteg zbritje gjithnjë e më shkëmbor.

Do të kishim kaluar tutje pa vënë re asgjë, kur diku na u shfaqën gjurmë gurësh në radhë, si shënime të një akordi të vetëm, të cilat frymojnë nga epoka antike. Ishte një kështjellë, që strehonte eshtrat e një qytetërimi të largët, ndërsa bota e sotme vrapon atje poshtë. Përmes saj, mund të gjurmojmë historinë e shtresuar të këtyre vendeve.

Ajo ishte projektuar për të mbrojtur, për të siguruar strehë për vendasit. Ndoshta pjesë e një sistemi kështjellash, kullash dhe fortesash që prej shekujsh shikojnë njëra-tjetrën në sy duke shkëmbyer sinjale të pazbulueshme.

Ka një botë të gëzuar

Ngjitja në kreshtën e Dajtit na ka lodhur, na ka sprovuar, por na ka dhuruar edhe kënaqësi, heshtje dhe atë ndjenjën e bukur të udhëtarit, që vazhdon në sytë e tu edhe kur këpucët ndalojnë në një peizazh vërtet unik, më shumë se çdo gjë, për të pushuar dhe çlodhur. Një pamje e bukur vërtet si kartolina e “Gurrës së Perrisë”, të cilin e shihnim nga lart, me një pasqyrë të vogël uji, e rrethuar nga pylli që pushon në heshtje. Natyrisht dukej si një mbretëri e vogël prej guri që mbrojnë dimrin, të rrethuar nga degë të zhveshura dhe kreshtat.

Mbërritëm me kuriozitet, por pa asnjë pritshmëri, të emocionit që jemi këtu. Tashmë po mendojmë se një vakt i nxehtë nuk do të ishte aq i keq. Gjithsesi të mbërrish aty edhe pasdite nuk është e lehtë të gjesh një vend, në një tavolinë të madhe ku ishin ulur plot njerëz.

Ndjen ngrohtësinë e zjarrit në oxhak, dëgjon tringëllimën e gotave të verës, fjalët e pëshpëritura të një bisede. Sheh fytyra të lodhura dhe të lumtura, dhe në vështrime njeh ndërlikimin e atyre që kanë ndarë përpjekjen e rrugës.

Sytë tërhiqen tashmë prej gjërave të vjetra: tavolina druri dhe relikte, shkallë dhe mure si një muze antik. Karriget e hekurit të farkëtuara duket se presin paqësisht dikë që të qetësohet për të dëgjuar pëshpëritjen e malit.

Pastaj, duke u ulur rreth tavolinës me njerëz që nuk njiheshin një orë e më parë, dreka bëhet pothuajse një festë e gëzueshme. Aty formojmë një rreth magjik duke krijuar një hapësirë të vogël të shenjtë me biseda filozofie, duke folur për Nietzsche dhe patericat metafizike që përdoren në shoqëri.

Është bukur të jesh me njerëz të tillë së bashku në këto vende, njerëz që e lënë veten të kënaqen, të mahniten, me bukurinë e çasteve që ndamë atje.

Një erë e lehtë fryu nëpër pyll. Dalëngadalë retë, të shtyra nga era, shfaqin pak diell duke luajtur kukafshehti me to. Pastaj, në një moment të qetë dhe absolutisht të papritur të udhëtimit, vizualisht mbresëlënës, tërhoqi menjëherë vëmendjen tonë, një ylber përgjatë horizontit, duke prekur kodrat në një hark të përsosur, sikur  donte të na jepte një dhuratë.

Natën bie, duke parë dritat e qytetit të ndezura, duke ecur në rrugën pothuajse të ndriçuar nga rrjedha e trafikut që tani vazhdonte pa ndërprerë, atje në qëndër ndërtesat e larta xixëllonin dritat me ujësi gjometrike.

Më vjen ndër mend poeti Bertoli: “dhe në fund të rrugës, do të mund të them se e jetova ditën“. Por në kokën time, tashmë po ëndërrojë për udhëtime të reja që do të vijnë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx