E hene, 09.02.2026, 12:29 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Asllan Dibrani (Luani): Banja e Dobërçanit – një thesar shërues në zemër të Anamoravë

E diele, 08.02.2026, 06:55 PM


Banja e Dobërçanit – një thesar shërues në zemër të Anamoravë

Foto-reportazh nga Asllan Dibrani (Luani)

Në kilometrin e pestë nga Gjilani, përgjatë magjistrales që të çon drejt Malësisë së Gollakut, Bujanocit dhe Kamenicës, shtrihet një vend ku natyra ka folur herët, por njeriu ka filluar ta dëgjojë më vonë. Ky vend quhet Banja e Dobërçanit – një hapësirë ku uji, balta, djersa e mërgimtarit dhe besimi në Zot janë bërë një.

Kjo rrugë nuk është thjesht asfalt. Ajo është urat lidhëse mes qytetit dhe malit, mes jetës moderne dhe natyrës së paprekur të Gollakut, mes së kaluarës punëtore dhe së ardhmes zhvillimore.

Nga furra e gëlqeres tek burimi i shpresës

Zanafilla e Banjës së Dobërçanit lidhet me familjen Ibishi, fillimisht të njohur për përpunimin tradicional të gëlqeres. Për dekada, vëllezërit Ibishi ngritën furra, punuan tokën, mbajtën familjen dhe komunitetin.

Por nën këtë tokë, Zoti kishte fshehur një dhuratë tjetër.

Fillimisht, popullata vendore e zbuloi rastësisht ujin: fusnin këmbët, lanin sytë, merrnin ujë për në shtëpi. Me kalimin e kohës u vërtetua se bëhej fjalë për ujë të rrallë, natyror, të ngrohtë, me veti shëruese.

Edhe gjatë ndërtimit të rrugës magjistrale në vitet 1968–1970, punëtorët e rrugës furnizoheshin me ujë pikërisht nga ky burim.

Mërgimi që u kthye në investim, jo në harrim

Babai  fillimisht morri rrugën  e kurbetit   destinacioni ishte Gjermania. Me vonë  kësaj  rruge  ia mësynë edhe familjarët tjerë  kush ne  Zvicër e kush në Gjermani nga e cila  vëllezërit Ibishi edhe tani  janë një pjesë  atje . Por, si shumë shqiptarë të ndërgjegjshëm, ata  nuk e la Kosovën pas shpine. Djersa e fituar në perëndim, bashkë me vëllezërit e tjerë, u kthye në investim konkret në vendlindje.

Deri para luftës së fundit, ata e shndërruan veprimtarinë në prodhim industrial për kohën, duke hapur 5–6 furra përpunimi gëlqereje. Pas luftës, ekonomia ndryshoi – por jo vizioni.

Populli filloi të vijë gjithnjë e më shumë për ujin: kush për shërim, kush për sy, kush për lëkurë, kush për ta pirë. Aty lindi ideja e madhe: ta ndërtojmë banjën, jo vetëm ta shfrytëzojmë burimin.

Një kompleks që rritet me shije dhe vizion

Sot, Banja e Dobërçanit paraqet një kompleks serioz shërues dhe rekreativ:

mjedise të gjelbra dhe shtigje pushimi

pisha dhe drunj dekorativë

trotuare, shkallë dhe qasje të lehta

parkingje funksionale

Në përbërje të kompleksit janë:

Tri pishina të jashtme (meshkuj, femra, fëmijë)

Hapësirë për terapi me baltë shëruese

Pishinë e mbuluar, funksionale gjatë gjithë vitit

Mbi 38 dhoma pushimi, me 2–5 shtretër

Restorant

Restoranti – një pushim i ngrohtë pas shërimit

Brenda Kompleksit të Banjës së Dobërçanit ndodhet edhe restoranti, një ambient i thjeshtë dhe i qetë, ku vizitorët ndihen si në shtëpi. Ushqimi është i pastër, higjienik dhe i përgatitur me kujdes, ndërsa shërbimi është i shpejtë, i sjellshëm dhe gjithmonë me buzëqeshje.

Ky është një vend ku ndalen familjet, të moshuarit dhe fëmijët, për të pushuar pas terapive apo banjës, duke shijuar një vakt të ngrohtë në një atmosferë miqësore dhe mikpritëse.

Terapia fizikale – aty ku shërimi fillon me buzëqeshje

Në kuadër të Banjës së Dobërçanit funksionon edhe godina për terapi fizikale, ku pacientët mirëpriten çdo ditë me profesionalizëm dhe ngrohtësi njerëzore nga Dhurata Kallaba dhe Isë Byqmeti, fizioterapistë të përkushtuar dhe shumë të respektuar.

Me buzëqeshje, durim dhe korrektësi profesionale, ata ofrojnë trajtime bashkëkohore si masazhe terapeutike, elektroterapi, ngrohje të pjesëve trupore, terapi me vibrim dhe metoda të tjera rehabilituese, të cilat ndihmojnë ndjeshëm në lehtësimin e dhimbjeve dhe rikthimin e funksionit trupor.

Pacientët nuk marrin vetëm trajtim mjekësor, por edhe qetësi shpirtërore, respekt dhe besim, duke e kthyer këtë hapësirë në një vend ku shërimi ndihet si proces i plotë – trup e mendje.

Objekt për persona me aftësi të kufizuara

Zhveshtore dhe objekte ndihmëse

“Këmbëngulës për zhvillim – me modele perëndimore”

“Ne jemi këmbëngulës që ndërtimet dhe zhvillimi të vazhdojnë edhe më tutje, por gjithmonë duke marrë modele nga shtetet perëndimore – me standard, me rend, me respekt për njeriun dhe natyrën,”
thotë Nexhat Ibishi, bashkëpronar i Banjës së Dobërçanit.

Bisede  Asllan Dibranit -Luani me  Nexhat Ibishin njerin nga vëllezërit Ibishi  menaxhues ne këtë kompleks rekreativ.

Sipas analizave profesionale, uji i kësaj banje ndihmon në:

sëmundje të lëkurës

infeksione

probleme të lukthit

reumatizëm

diabet

hipertension

dhe në mënyrë të veçantë shërimin e të pamurit dhe lëkurës

Vizitorë ka, punëtorë mungojnë

Banja vizitohet gjatë gjithë vitit, por verës frekuentimi është shumë i madh – nga e gjithë Kosova dhe jashtë saj, madje edhe nga vizitorë të huaj. Mediat lokale dhe ndërkombëtare kanë raportuar për vlerën shëruese të këtij uji.

Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore mbetet sfidë serioze.

“Para disa vitesh kishim mbi 45 punëtorë në sezon. Sivjet mezi kemi siguruar 25 dhe jemi detyruar të angazhojmë edhe anëtarë të familjes,”
tregon Nexhati Ibishi.

Respekt për vizionarin Sabit Ibishi

Me përulësi, Nexhati ia atribuon idenë dhe barrën kryesore vëllait të madh, Sabit Ibishi, i cili punon në perëndim. Djersa e huaj u kthye në investim vendor – jo në luks personal, por në zhvillim kolektiv.

Shënim reflektues i autorit

Edhe pse infrastruktura është ndërtuar, ky ambient ende kërkon dorën e njeriut për t’i dhënë shpirt të plotë. Banja e Dobërçanit është më shumë se një kompleks – është dëshmi se Kosova mund të ndërtohet me dritë, me dije dhe me dashuri për vendin.

Në fund, mesazhi është i qartë:
Mos e lëshoni Kosovën. Kthejeni dijen, punën dhe shpresën këtu.

Sepse atje ku Zoti ka dhënë ujë shërues, shqiptari duhet të japë dritë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx