Udhëpërshkrim
Vlash Prendi: Si për festë në Fregën!
E premte, 24.10.2025, 06:56 PM
“... SI PËR FESTË NË FREGËN!”
-
Reportazh -
Nga
Vlash PRENDI
...
Kemi lënë pas Kreshtën e Madhe e cila qëndron hijerëndë rrethuar me një tis të
hollë mjegulle, ndërsa makinat tona rrëshqasin në rrugën e asfaltuar drejt
Fushës së dikurshme të druve që shtrihej buzë prroit të Dibrrit. Aty
mblidheshin drutë e gjithë krahinës nga Ndërmarrja Pyjore e Lezhës dhe pastaj
shperndaheshin me kamiona në Lezhë, Durrës e më gjërë. Jemi nisur për të
festuar Shen Mëhillin në fshatin Fregën të komunës së Ungreit në rrethin e
Lezhës. Me mua janë edhe djemtë e plakut të urtë Bardhok Mark Dedgjonaj, i njohur në këto anë
për burrërinë që e karakterizonte, urtësinë, bujarinë dhe mirësinë që
reflektonte, që së bashku me Prenën, një grua burrneshë dhe tipike mirditore
lindën dhe rritën pesë fëmijë tre djem dhe dy vajza. Shtëpia e tyre, tashmë e
braktisur, si qindra shtëpi në këtë zone, ndodhet në krye të fshatit të njohur
Fregën, rrethuar me pisha, në mes të një lendine të bukur rrethuar me pemë të
bollshme të llojëve të ndryshme. Pikërisht këtu, Prendi, Leka dhe Tonini, i
cili ka ardhur enkas nga Liverpuli ku jeton prej shumë vitesh, dëshirojnë që në
këtë ditë të shenuar për fshatin e tyre, të krijojnë pak atmosfere festë, si
dikur në kohët e mëparshme.
Dikur,
kjo festë kremtohej me madhështi në këtë zone, megjithse gjendja ekonomike ishte
tepër e vështirë dhe të ardhurat në kooperativë ishin tepër minimale, malësori
kashnjetor nuk gjendej kurrë i papërgatitur sa i përket kuvendit dhe sofrës. Në
periudhën e sundimit totalitarë, festat ishin të ndaluar, por fregnarësit dhe
ungrejsit kishin gjetur një menyrë për t’a kremtuar festën e tyre, ndonse disa
ditë më vonë. Me 25 tetor të vitit 1970 përfundoi elektrifikimi i vendit,
atëhere banorët e zonës vendosën t’a kthenin në festë këtë ditë, pikërisht për
të përkujtuar ditën e Shen Mëhillit. Kjo ditë, megjithse një vend tepër i
vështirë malorë, festohej me madhështi. Vinin nga fshatra të tjera, Shkodra,
Mirdita, Lezha e Kurbini dhe gjallëronin këtë trevë.
Dymbëdhjetë
shekuj para erës sonë, filluan të duken qytetërimet e lashta në këtë zonë.
Ungreji ka qenë qendër e njohur, model i qytetërimit ilir. Këtë e verteton më
së miri eksistenca e Fushës Papërdhok në fshatin Kalur, që quhet edhe fusha e
tumave të mëdha ilire, e cila ka tërhequr kohët e fundit vemendjen e
arkeologëve tanë. Ndërsa në vitin 1883, në malin e Kreshtës qe zhvilluar një nga
betejat më të fuqishme mes forcave turke që ishin nisur për të nënshtruar
Bajrakun e Dibrrit dhe forcave të organizuara të dheut të Dibrrit të udhëhequra
nga Lukë Bajraktari i Kashnjetit, ku forcat turke paten pesuar disfatë të
turpshme. Ndërkohë kemi mbërritur në qendër të Ungrejit, aty ku dikurë quhej
Fusha e Mirë. Quhej kështu nga fshatarët e këtyre anëve, sepse fusha ishte
vërtetë e bukur. Aty ndodhëshin spitali, materniteti, shkolla e mesme, qendra tregtare,
menca, zyrat e kooperativës, libraria dhe diku në një cep të fushës, të rinjtë
kishin ndërtuar edhe një kend sportiv, ku çdo natë mblidheshin dhe organizonin
veprimtari të ndryshme sportive, sidomos futboll. Fatkeqësisht, tani nuk
funksionon asgjë, veç një dyqani të vogël që perpiqet të plotësojë nevojat e
zonës me produkte ushqimore. Prendi kujton periudhën kur pati punuar disa vite
si mësues në shkollën e mesme. - Në vitin 2010, - na thotë Ai, - në këtë
shkollë frekuentonin rreth 130 nxënës. Ndërsa Tonini më thotë se kur ka
përfunduar vitin e katërt, në bangat e kësaj shkolle numëroheshin rreth 820
nxënës. Me ne është edhe Dranja, ekonomistja e njesisë administrative të
Ungrejit, e cila shton: - ?shtë e frikshme të
mendosh se sot në këtë shkollë dikur të njohur në trevën tonë, frekuentojnë
shumë pak nxënës.
Sot
në këtë zone nuk ka gjallëri, kanë mbetur vetëm kujtime. Janë kujtime të
bukura, kur mendon se kjo trevë ka nxjerrë nga gjiri i saj mjaft burra të
shquar që i kanë dale zot fateve të atdheut, intelektualë e mjekë të shquar si
Pashk Gjoni, Ndue Çupi, Viktor Marku, Ndue Doçi Ndrecë Zefi, avokatët e njohur
Fran Lleshi dhe Gëzim Ndoi, mësuesi dhe historian i njohur Mark Gjon Zefi,
studiuesi Mark Kola, drejtuesit e arsimit
Zef Gjergji, Lekë Luka, Drita Gjoni, poetja e njohur Alma Jaku,
kulturologët Pjetër Marku dhe Pashk Gjini, kengëtarët Prengë Krepi, vllezërit
Çarku, Ndrecë Përgjoni, Gjergj Krepi etj. Si gjithmonë, kur vija në këto anë,
së pari vizitoja librarianë, ku gjëja mjaft libra të rrallë, sepse edhe librari
Llesh Nikollë Lleshi kujdesej t’a mbante bukur dhe t’a furnizonte gjithmonë me
libra të rinj. Shpesh më ftonte sapo më
shihte dhe më tregonte titujt që mendonte se më interesonin, ... por tani vetëm
rrenojat e saj mund të shihen. Bashkë me Lekë Dedgjonajn dhe Toninin i biem
rreth e rrotull fushës, nuk takuam thuajse asnjë person të njohur, veç një
bariu i cili kishte dale të kulloste tufën diku në rrepirat sipër fshatit. - Ja
këtu, - më thotë Leka, - ka qënë fusha e futbollit ku çdo mbrëmje pas punës
mblidheshim të luanim futboll. Kishte gjallëri, kishte aktivitete, kishte jetë.
Ndersa tani mungon gjithçka, ndonse rruga e re ka ardhur deri në qendër të
fshatit dhe investimet nga bashkia e Lezhës nuk mungojnë. - Unë shpresoj, -
thotë Tonini, që së shpejti ky fshat do të gjallërohet dhe njerzit do të
kthehen perserinë këto anë. Unë e kam vendosur, - shton Ai, - se megjithse kam
vite në emigrim në Mbretërinë e Bashkuar, një ditë do të kthehem që të jetoj në
vendlindjen time. Diku shquaj sukën e Komlikut, ku Vitorja më thotë, se dilnim
shpesh me brigaden për të mbledhur bimë mjeksore. Ishte torture e vërtetë,
rrugë e largët, terren i thyer, punë e vështirë, po s’kishim ç’bënim, duhej
luftuar me vështirësitë për të jetuar. Ndërsa Maria, bijë e këtij fshati, më
tregon vështirësitë e përfundimit të shkollës pedagogjikë “Shejnaze Juka” në
Shkodër dhe të punës si mësuese në fshatin Vomë e më vonë në shkollën e
Kalivaçit.. Ajo kujton me nostalgji dhe mallë ish - koleget e saj Marie Kovaçi,
përgjegjësen e Shtëpisë së Kulturës në Ungrej Lulë Keqi, mësuesen vlonjate
Ollga Jaco etj.
Ngjitemi kodrës drejt shtëpisë mikpritëse të Dedgjonajve. Të bie në sy gjelbërimi pambarim i luginës, pemët e stinës ishin në perfundim e sipër. Një gështenjë në cepin e oborrit qëndronte stoike, ndonse me kokrra edne të papjekura. Na presin plot respekt i zoti i shtëpisë Prendi dhe dy kuzhinieret e momentit Dranja dhe Rina. Nga Tirana kanë ardhur për të festuar Petro me Almën dhe Albi së bashku me të fejuarën. Së bashku me Rilendin bëjmë një shetitje rreth bahçes, e cila trego qartë se ka munguar kujdesi ndaj saj. Leka e viziton shpesh shtëpinë e të parëve, por është e pamundur të kthehet në gjendjen e dikurshme kur kujdesej për te nanë Prena, ku nuk mungonin pemët dhe perimet e shumëllojshme. Në këtë festë nuk mungojnë sa shokët e Prendit, muzikantët e talentuar Bik dhe Nest Pali si dhe Rrok Fazija, mjeshtri i fisarmonikës. I presim me gëzim këta instrumentistë të orkestrinës popullore që do t’a gjallërojnë për pak çaste këtë luginë të heshtur. Takohemi me Bikun, violninistin e njohur, Rrokun fisarmonicistin dhe Nestin që i bie dajres.
Nuk
kalon shumë dhe kenga e vallja gjemojnë në fshatin malorë. Në fakt, ky fshat
njihet për bujari dhe mikpritje. Thuhet se dikurë, disa udhëtarëve u kishte
rënë rruga të kalonin nëpër Fregën dhe aty i kishte zënë nata. Ishin drejtuar
tek një shtëpi e fshatit dhe kishin kërkuar strehim. Familja bujare fregnarase
i kishte pritur me të gjitha të mirat dhe i kishte respektuar mjaft. Të
nesërmen i kishin pyetur, se si ia kishin kaluar atë natë. - Si për festë në
Fregën! - ishin përgjigjur udhëtarët. Kjo thënie me shumë kuptim, vazhdon të
përdoret edhe sot në këto anë. Ndërsa ne bisedojmë, Rroku nxjerr telefonin dhe
bisedon me Gëzimin, emigrant në Itali, i cili e uron për festën, por i kërkon
ndjesë që për arsye pune nuk mund të ishte i pranishëm në mesin tonë.
Ndërkohë
atmosfera e festës është ndezur, kengët pasojnë njera - tjetrën. Orkestrina
jonë e vogël nuk ka të lodhur, ndërsa tingujt e këngëve kryesisht shkodrane dhe
kosovare kanë pushtuar malet e luginat e këtij fshati të heshtur. Them të
heshtur, sepse në lagjen ku jemi ne, vetëm dy shtëpi festonin. Pal Gjoni, plaku
84 vjeçarë është betuar se do t’a kremtojë ditën e Shen Mëhillit sa të jetë
gjallë. Edhe Prendi premton se kudo që të jetë do të kthehet në vendlindje
familjarisht për të festuar, e pastaj ia merr kenges se njohur “Si vendlindja,
jo nuk ka”, pasuar edhe nga zëra të tjerë që ndoshta e kendonin për here të
pare si vajzat e reja Alma dhe Daniela nga Fieri që kanë lidhur jetën me dy
djem nga Fregna, si dhe Eristina e fejuara e Lendit nga Mati. Sakaq Petro
propozon të hedhin një valle, grupi prej 25 vetësh që po festoon mblidhen në
oborr dhe ia nisin valles. Ka gezim dhe gjallëri, por kjo atmosfere mbetet e
përkohshme. - Nuk e kisha menduar që unë, një vajzë e ardhur me studime në
Tiranë nga fshati Vreshtas i Fierit, të martohesha me një djalë nga Fregna, -
thotë Alma, - por fati ku nuk të çon. Tani kur shoh këto bukuri, këtë vend të
mahnitshëm, këta njerëz bujarë, jam e lumtur. Besoj do të vimë shpesh në këto
anë.
Një
atmosfere të tillë ky fshat nuk e ka ndjerë ka shumë kohë, megjithse me
inisiativë të një grupi intelektualësh dhe emigrantësh është caktuar data 4
gusht e çdo viti , që të gjithë bijt e zones të takohen në Ungrej në kuadët të
nismës “Vendlindja na thërret”. Ishte ideja e av. Fran Lleshit, emigrantes
Bardha Dedgjonaj, poetes Alma Jaku e shumë të tjerëve, që disa ditë në
vendlindje të shmallen me njerzit e afërt dhe të njohur dhe të festojnë së
bashku me kengë e
valle duke shijuar edhe specialitete të kulinarisë. Kjo
traditë mjaft e mire, mendoj se duhet të transmetohet brez pas brezi edhe në
krahina të tjera për të edukuar tek brezat e rinj, sadopak dashurinë për
atdheun dhe respektin për vendlindjen.
Pasi kemi kaluar një ditë të bukur, plot mallë dhe dashuri, kengë e valle, biseda e mendime, mbyllim dyert dhe largohemi drejt metropolit duke e lënë shtëpinë e ndërtuar dikurë me mundë e djersë, në qetësinë e saj. Po sa shtëpi e kulla të ndërtuar në shekujt e shkuar mbetën sot në heshtje, në vend që të gumzhinin më shumë se kurrë nga bisedat e burrave dhe fëmijëve të vegjël. Sidoqoftë, duke patur shpresë se së shpejti jeta në këto male do të ringjallet, nisim rrugën e kthimit drejt Kreshtës. Më mbetën në mendje lotët e Toninit, i cili herë kujtonte nënën, herë shokët dhe herë vendet ku kishte lujtur në vitet e fëmijërisë që s’do kthehen më kurrë.









